KOMBINATI (I)

Kombinati, më shumë se lagje është histori. Jo të gjitha lagjet, përfshirë ato të Tiranës, kanë diçka për të treguar, ose dinë të rrëfehen nga të tjerët. Disa humbasin në anonimësinë e kohës, pa gjurmë e pa lavdi, të tjera belbëzojnë për të lënë shenja efemere të ekzistencës së vet; disa janë veçse vrima në kujtesë, shprehje të pastra urbane, të tjera flenë mbi dafinat e qendrës, por pa identitet. *

Kombinati, përkundrazi, i ka të gjithë përbërësit dhe erëzat e një rrëfimi madhor: hyrje, personazhe, heronj, konflikte, intriga, ndjenja, veprim, fund. Gjithshka në një hapësirë e vend të caktuar, që mund të njihet e përshkruhet lehtë. Është e vërtetë, stili i takon rrëfimtarit, por Kombinati e ka me tepricë, edhe për atë që dëshiron ta përshkruajë.

Kombinat-dalja e punetoreveLagjja në periferi të Tiranës, që mori jetë dhe emër nga Kombinati i Tekstileve “Stalin”, lindur në vitet 1950, ka diçka epike të pamohueshme. E si i tillë, çdo përpjekje për ta përshkruar duhet të fillonte me të famshmen “Na ishte një herë”, megjithëse shprehja përmban idenë e të kaluarës, ndoshta krejt të shuar, për çka do t’u vinte keq kombinatsave të vjetër e të rinj, historia e të cilëve do të meritonte në fakt titull tjetër, për shembull: “Lindja, shkëlqimi dhe rënia e Kombinatit”. Nëntitulli i duhet lënë lexuesit, me kusht që t’i kushtohet shpresës për një të ardhme më të mirë të një lagjeje simbol të Tiranës, e jo vetëm të saj.

Por çdo rrëfim ka nevojë për dëgjues. Kujt do t’i interesonte sot Kombinati? Kush do të donte ta njihte peripecitë e një lagjeje periferike të kryeqytetit? Të huajt? Qytetarët shqiptarë në përgjithësi apo vetëm tiranasit? Banorët e lagjes? Ndoshta të gjithë atyre që janë kureshtarë. Sepse Kombinati nuk është vetëm një simbol, por edhe një pasqyrë. Në rrugët e tij, sheshet, fabrikat, shtëpitë, monumentet, por edhe në historitë individuale, do të gjendet diçka e njohur, familjare, diçka që na ngjason. Historia e tij ka diçka universale, pra mund të humbasësh në labirintet e ndryshme dhe të gjendesh befas përballë jetës tënde. Ngaqë proceset e dukuritë si industrializimi, deindustrializimi, migrimet e brendshme, migrimet e jashtme, puna në fabrikë, jeta në periferi, femërzimi i punës, ekonomia e centralizuar, privatizimi, urbanizimi, etj. verifikohen në shumë vende, megjithëse veçoria e Kombinatit mbetet unike. Historia e tij kalon në revistë ngjarje të paharrueshme, para e pas rënies së Murit, pa humbur thjeshtësinë e gjërave të vogla, rrjedhën e ngadaltë të jetës së lagjes, qetësinë indiferente të periferisë.

Kush teorizon lidhjen e emrit me fatin mund të ketë të drejtë, por duhet ta dijë se lagjja, me një proces çlirues metonimie, e ka ndarë gjithnjë emrin e vet, pra Kombinat, nga tërësia e fabrikave të tekstilit të quajtur nga regjimi totalitar me emërtimin e rëndë “Stalin”. Kjo është aq e vërtetë saqë, edhe pas vdekjes së deklaruar të fabrikave të tekstilit pas rënies së totalitarizmit, lagjja ka vazhduar të quhet e ta quajë veten Kombinat, pavarësisht nga emërtimet e ndryshme administrative. Megjithatë, tek emri ekziston që në fillim certifikata e lindjes. Kombinati, si tërësi fabrikash e si lagje, është lindur në fillesat e industrializimit socialist, kur marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik ishin ende idilike. Por ka vijuar të prodhojë gjithashtu gjatë miqësisë me Kinën e Maos, më pas gjatë periudhës së autarkisë absolute, deri në agoninë e fillimviteve nëntëdhjetë, pas rivendosjes së sistemit pluralist.

Periferia si kërthizë

Periferia është edhe pikë vështrimi. Po t’i shikosh koordinatat gjeografike, lagjja e Kombinatit gjendet në jug-perëndim të Tiranës, rreth gjashtë kilometra nga qendra. Megjithatë qenia e tij si periferi ka qenë gjithnjë lëmsh kontradiktash. Që nga lindja e lagjes, banorët nuk thoshin “Po shkoj në qendër”, por “Po shkoj në Tiranë”, çka nënvizonte një farë distance nga kryeqyteti, por njëkohësisht përshenjonte një lloj autonomie identitare. Është e vërtetë, ndodh në shumë periferi: qendra perceptohet si Tjetër, si gjetiu, si larg, por Kombinati, ndonëse e dinte se ishte periferi, e ndjente veten gjithsesi një lloj qendre. Vetëmjaftueshmëria e supozuar transformohej shpesh në kryeneçësi, ndonjëherë e pakuptueshme për një lagje punëtorësh, parë nga qendra me të gjitha konotacionet negative të periferisë.

Nëse është e vërtetë se periferia është e lidhur në mënyrë të natyrshme me distancën, atëherë duhet të themi se qendra e Tiranës ishte shumë larg nga Kombinati. Distanca ka një aspekt të vetin fizik të pashmangshëm, të matshëm zakonisht me kilometra. Megjithatë, një distancë pa kufij e frontierë mund të kishte pak kuptim. Në vitet e shkëlqimit, Kombinati ishte fizikisht i ndarë nga qyteti, në kuptimin që midis tij dhe qytetit ekzistonte një frontierë e vërtetë. Ndarja fizike nuk duhet kuptuar si barrierë gjeografike ose me natyrë tjetër. Ata që i hipnin autobusit nga qendra e Tiranës për të shkuar në Kombinat, pasi kalonin Fabrikën e bukës (furra e qytetit) dhe Kombinatin Ushqimor aty afër, duhet të përshkonte një fushë të kultivuar djathtas dhe Kombinatin e drurit “Misto Mame” majtas. Një lloj frontiere që vijonte pothuajse në mes zbrazëtisë së banesave, për të parë më pas ndërtesat e para të lagjes së Kombinatit. Për kombinatsit ndërtesat e para ishin vërtet në periferi të lagjes, si tregues i faktit se edhe periferia ka periferitë e veta, por kur shikohet si qendër.

Nuk duhet harruar se frontiera është vend takimi. Lagjja kishte disa syresh, shpesh me fshatrat përreth, por lidhja me qytetin ishte i siguruar nga një rrugë e vetme. Frontiera përbëhej nga fabrika, shkolla, konvikte e disa shtëpi. Në atë hapësirë trupëzoheshin në mënyrë më organike kontaktet me qytetin e qendrën. Ishte zonë hibride, sepse jetohej si nga banorët e qendrës, ose të lagjeve të tjera, si nga kombinatsit. Për njerëzit që vinin direkt nga qendra, Kombinati dukej i ndarë nga kufij të prerë. Duke parë nga i njëjti autobus i linjës Kombinat – Kinostudio (automjetet private ishin të ndaluara në atë kohë), ndërtesat e para dukeshin menjëherë, pa paralajmërim, ndërsa lagjja merrte formë befas, në krahët e rrugës, si entitet i përcaktuar mirë. Është e tepërt të shtojmë se sot kjo frontierë, ose kufi në daçi, nuk ekziston më. Nuk ekzistojnë as elementet industriale, as bujqësore. Rruga që lidh qendrën dhe lagjen është një continuum banesash e ndërtesash që e kanë eliminuar ndarjen e qartë të lagjes, por kanë shuar edhe karakterin industrial të zonës.

Periferia klasike lind jashtë mureve të qytetit. Nuk ka qenë rasti i Kombinatit, Megjithëse një farë muri ekzistonte midis tij dhe qendrës. Muri përbëhej nga diferenca, dallime, paragjykime. Kombinati ishte lindur për të punuar, ose më mirë për t’u robtuar. Lagje plot me “proletarë”. Le të kujtojmë se edhe Tirana komuniste i kishte vendet e bukura, zonat chic, lagjet me emër, e në fund Bllokun. Ndonëse propaganda zyrtare rrekej, pak a shumë me efektivitet, për ta paraqitur klasën punëtore si fitimtare e të lumtur, ishte para syve të të gjithëve se ai realitet nuk ishte parajsë. Në vizionin dantesk Kombinatit kishte për t’i takuar me siguri purgatori, meqë ferri shqiptar ishte gjetiu. Zhurma shurdhuese e makinerive të tezgjahut, duart plot kallo e të nxira nga grasoja, turnet e gjata e masakruese, njerëzit që ndërronin turnet e punës si zombie, jeta monotone e periferisë… Puna në fabrika ishte shumë e rëndë. Tek e fundit nuk kishte lista pritjeje për qytetarët e Tiranës, që mezi prisnin të transferoheshin në Kombinat. Ndodhte e kundërta, e jo pa arsye.

Natyrisht, kishte lagje të tjera që i ngjasonin Kombinatit, ku kishte fabrika, ofiçina e stabilimente, por asnjë syresh nuk i përmbante tiparet e tij. Lagjja periferike është me përkufizim në kundërvënie me qendrën. Kombinati ishte pjesë e qytetit, por në disa aspekte ishte e kundërta e tij. Nga kjo pikëpamje mund të na kujtojë vagëllimthi qytetin Moriana, e përshkruar nga pena e Italo Calvino-s:

Mbasi ke kaluar lumin, kaptuar qafën e malit, gjendesh papritmas përballë qytetit të Morianës, me dyert prej alabastri të tejdukshme nën dritën e diellit, kolonat prej korali që mbajnë fasadat të veshura me serpentinë; vilat të gjitha prej xhami si akuariume ku notojnë hijet e valltareve me luspa të argjendta nën llambadarët në trajtë meduze. Po të mos jetë udhëtimi yt i parë, ti e di që qytete si këto kanë anën e prapme: mjafton të përshkosh një gjysmërreth dhe do të kesh para syve fytyrën e fshehur të Morianës, një llamarinë e shtrirë e ndryshkur, beze thasësh, dërrasa plot me gozhdë, tuba të zinj me blozë, grumbuj me kuti teneqeje, mure pa dalje me shkrime të dala boje, skelete karrigesh pa kashtë, litarë të mirë vetëm për t’u varur në një tra të kalbur. Nga njëra anë në tjetrën, qyteti duket se vazhdon në perspektivë duke shumëfishuar repertorin e tij të imazheve: në fakt nuk ka denduri, përbëhet vetëm nga një anë e mbarë dhe një e prapme, si një fletë letër me nga një figurë në secilën anë, që as nuk mund të shkëputen as të shihen me njëra tjetrën (Italo Calvino, Qytetet e padukshme, Aleph, Tiranë 2007, f. 111).

Që kemi të bëjmë me një qytet me dy faqe e ka vënë re edhe A. Mannucci, i cili vë re midis të tjerash se imazhi i Morianës “na kujton shumë nga qytetet tona ku kontrasti midis qendrës e periferisë është aq i dukshëm sa shfaqet si ana e mbarë dhe e prapme. Por një kontrast të tillë mund të gjendet edhe në mijëra kundërshtitë e vogla që popullojnë jetën në qytet, kundërshti aq të papajtueshme sa të konsiderohen si imazhe të vëna mbi dy faqe të të njëjtës fletë letre që nuk mund as të shkëputen as të shikohen, por duke përbërë vetëm njëra anën e mbarë e tjetra të prapmen”.

Tirana e Kombinati, si qytet e lagje periferike, ishin faqe të së njëjtën medalje. Njëra presupozonte tjetrin. Ishin të pavarur e të lidhur ngushtë njëkohësisht.

[vijon]

* Një variant i kësaj sprove është botuar si parathënie e librit në italisht “Luigi Za, Kombinat. Storia e vita quotidiana di un quartiere simbolo di Tirana, Besa editrice, Lecce 2012

No Comments

  1. “Në vizionin dantesk Kombinatit kishte për t’i takuar me siguri purgatori, meqë ferri shqiptar ishte gjetiu”-Pishaku

    Ky eshte nje nga perkufizimet me te goditura per Kombinatin, i cili ne ndergjegjen qytetare te Tiranes, por jo vetem, ngelet nje nga zonat me efemere. Me kujton konceptin e Zones se Tarkovskit ku gjithsecili, ne veshtiresi per ta kuptuar, i mvesh asaj tipare qe ai deshiron. Kjo me te drejte, se Kombinati per mendimin tim eshte si ato objektet qe here shfaqen e here zhduken ne radar. Dhe cudia eshte se nuk duhet te ishte keshtu. Kombinati ishte qe ne fillim nje lagje periferike e mirepercaktuar si ne konceptim, ndertim dhe dinamike jete. Prandaj mendoj se pas gjithe ketyre dekadave, Kombinati me shume se cdo gje ngelet nje paradoks.

    Paradoksi fillon qe ne percaktimin e tij. Cfare ka qene ne fakt Kombinati? Tirane? Po dhe jo. Banoret e tij e kane ndjere gjithnje veten pjese te Tiranes por pastaj ishte ajo e famshmja qe dilte natyrshem “Po shkoj ne Tirane”. Kjo percaktonte edhe nje lloj distante te vetvetishme.
    Qyteze? Po dhe Jo. Me shume Jo ne fakt por ka edhe nje te famshme tjeter qe filloj te shfaqej aty nga vitet 90-te mes te rinjve por qe degjohet akoma edhe sot; Kombinat City. Ishte nje forme e papercaktuar mire, njesoj si ekzistenca e Kombinatit, njefare vetironie por edhe ironi me qendren qe shpesh per ti shpotitur i konsideronte outsiders. Por me shume nje lloj gazmie per mevetesine e lagjes.

    Ka dhe dy percaktime te tjera te ngritura ne paragjykim. I pari qe Kombinati ishte nje lagje gangsteresh (qe qarkullonte tek banoret e tjere te Tiranes por edhe me gjere). Dhe i dyti se Kombinati ka qene nje vend idilik (qe qarkullon me shume tek banoret e Kombinatit si forme nostalgjie). Kjo e fundit eshte gati budallallek sepse Kombinati si lagje industriale nuk ka pasur asnje shans te jete nje vend idilik, sado i mireorganizuar te kete qene. Besoj se percaktimi Purgator eshte me i sakte ne kete prizem.

    Por paradoksi me i madh, eshte ndjenja e krenarise (ne mungese te nje fjale me te sakte) qe i karakterizon banoret e tij. Eshte i cuditshem veteidentifikimi me nje lagje kaq heterogjene, industriale dhe urbane qe normalisht duhet te sillte nje lloj alienizimi dhe ftohtesie. Ata qe kane jetuar aty, por edhe ata qe kane punuar apo studiuar aty, kane nje lidhje te forte me te. Ne pergjithesi nje veteidentifikimi i tille i forte gjendet ne vende me homogjenitet me te madh kulturor.