KURORA E MARRISË

nga Bujar Meholli

Performatizmi në jetën kulturore, karakteristik për epokën tonë, ka krijuar amalgamën e prirjeve snobiste që merren të mirëqena, kanë depërtuar thellë në indin e shoqërisë sonë – fama e fituar lehtë, që matet me ndjekjet nëpër rrjete sociale dhe gjithsesi, me pëlqimet, mund të çojë gjer te epiteti shkencëtar apo intelektual (!). Ky rend i ri, padyshim i rrezikshëm për të ardhmen, po e zhvesh përherë e më tepër njeriun nga angazhimi vetëmohues për intelektin; tani ai rrethohet nga çudia, e papritura, e pakuptimshmja, duke relativizuar gjëra që në esencë janë non-sens; fjala vjen, sot ka albanologë që bëjnë gallatë me gjuhën shqipe dhe ndiqen me ëndje nga turmat për “zbulimet shkencore” e përfundimet groteske që i arrijnë, ka shkrimtarë që botojnë pafund por s’i lexon as i afërmi i tyre, paçka se një “like” ia japin për hatër dhe një koment të thatë “urime, poet!” Sot ka gazetarë me nivel të ulët të leximit dhe shkrimit por që imponohen, bëjnë gomarllëqe të ndryshme me gjuhën, shtrembërojnë tituj, nxisin masën në ndjekje të “vip” personave, (në nivel të njëjtë me ta) s’ia kanë haberin si shkruhet një lajm, si bëhet një kritikë konstruktive e gazetaria objektive.

Ky shtresëzim përfshin, mjerisht, pjesën më të madhe të shoqërisë shqiptare duke lënë pakicë, grupe njerëzisht që ende besojnë në dije të vërtetë, në muzikë të bukur, në parime intelektuale e punë  të madhe për zhvillim intelekti. Këta e çojnë cekaprèka me turmën e prirur drejt performatizmit që burimin e ka te kiçi, gjegjësisht te shtrembërimi dhe damkosja e vlerave kulturore. Por kiçi, në epokën tonë, nuk e përligj vetëm një pjesë të madhe të artit – ai është bërë normë jetësore dhe kulturore, përgjithësisht, dhe kështu po krijon përherë e më shumë njerëz që në thelb janë të paaftë, por që duke përdorur pigmentin e baltosjes së çdo gjëje, pozicionohen në segmentet kyçe të shoqërisë: në politikë, shkencë, pedagogji… Gjërat bëhen për t’u bërë, ato i dikton konsumi marramendës, por s’para preokupohet kush se si duhet bërë ato gjëra – profesori e jep ligjëratën e tij, e arrin normën, studentët i marrin ato që i thotë ai, “mbushen” me leksione, këtu mbaron puna. Nuk shkohet tej të shihet rezonimi i atij mësimi a aksh aktiviteti. Konferenca mbahet për t’u mbajtur, ftohen miq mes vete për t’i lexuar ca kumtesa, (kam qenë i pranishëm nëpër organizime të tilla dhe kam parë mosinteresim të hatashëm gjersa tjetri lexonte, kumtonte; disa me kokë ulur në telefon, disa të tjerë me sy të ngulur në ndonjë vrimë interesante alla migjeniane për të pritur fundin dhe për ta kryer ritin e duartrokitjeve) dhe për ta dëshmuar se ja, shiko, e mbajtëm aksh konferencën, e përuruam aksh librin, e përkujtuam, me patetizëm, aksh shkrimtarin…

Krejt kjo të lë shije të hidhur sepse është e stisur, shabllon shoqëror e kurrsesi novatorizëm e progres. “Dukuria e konsumit, frika prej mërzisë dhe dëshira për t’u arratisur diku larg, të ndërthurura me pikëpamjen e kudogjendur të artit si lojë dhe shfaqje, janë ndër faktorët që në shkallë dhe mënyra të ndryshme kanë ndikuar në shtimin e asaj që quhet kitsch, një nga produktet më tipik të modernitetit”,[1]thotë në hyrjen e “Pesë fytyrave të modernitetit” Matei Călinescu. Diadèma e këtij performatizmi, të kësaj epoke, vendoset nga marria; ajo përkujdeset që gjithçka të shkojë vaj dhe të jenë të gjithë të kënaqur. Problemi i marrisë është trajtuar dendur nga filozofi humanist Erazmo Roterdami (1466?-1536), i njohur për sensin e tij ironik, që i bëri shoqërisë së tij një analizë të hollë, kronike, duke demaskuar shkarjet sociale, duke shqyrtuar vëmendshëm fenomenet anormale që mbrusen me degjenerim, pozë, sharlatanizëm e çorodi… Ndaj, Roterdami është përherë aktual si kritik i mprehtë social dhe “Marria” e tij është analogji e shoqërisë së sotme shqiptare. Fundazi, marria është e njëjtë kudo dhe e përjetshme në ekzistencën e saj.

Erazmo Roterdami nuk projektoi sall vizionet satirike të shoqërisë holandeze të kohës, por të gjithë qenies njerëzore, synoi paqen dhe harmoninë ndërnjerëzore, përligji unifikimin dhe kozmopolitizmin. Roterdami ndërtoi intelektin i çliruar krejtësisht nga paragjykimet nacionale a religjioze që rëndom janë deviza e ndarjeve shoqërore, polarizimit, e mund të marrin përmasa të llahtarshme. Roterdami, ironikisht, i bën apoteozën marrisë, e cila sundon mbi çdo kë, depërton thellë në poret e jetës dhe pozitat kyçe të saj. Nisur nga ky postulat, Roterdami, e zgjedh ironinë si mjet diskursiv për ta krijuar groteskun e shoqërisë së tij, për ta përqeshë e tall atë gjer në palcë në mënyrë që t’i shpreh me realizëm tronditës butaforitë socio-politike e religjioze të kohës, deformimet, zhbalancën sociale, tëhuajzimin, mendimin arkaik e fanatik, jo racional. Një jetë të tillë paralitike e portretizon guximshëm edhe piktori holandez Hieronymus Bosch, tablotë e së cilit për subjekt kanë lypësit, shtrigat, demonët-njerëz, pra, anën e errët të ekzistencës njerëzore – atë të shëmtuarën që e qëmton edhe Migjeni në letërsinë shqiptare ku i kundërvihet fytafyt marrisë së kohës që pleksej në regjimin feudalo-borgjez dhe hierarkinë fanatike të ngritur mbi popullin e shumëvuajtur shqiptar. Erazmo Roterdami bëhet kritiku më i ashpër i çoroditjeve njerëzore – ai zgjedh bijën e përjetshme dhe aq të dashur nga të gjithë, marrinë, për t’i dënuar veprimet e paskrupullta, inkarnacionin që sjell dehumanizimin dhe kufizimin e mendimeve racionale e esenciale për prosperitet. Vepra e tij madhore, traktati shoqëror, “Lavdërim Marrisë” ka për bazë demaskimin e hipokrizisë, gjegjësisht rendit shoqëror ku varionin njerëz nëpër pozita të pamerituara, privohej vullneti i lirë njerëzor. Këto ide të tij konsideroheshin mjaft të rrezikshme nga Kisha, e cila zyrtarisht, do ta shkishëronte dhe do ta shpallte ateist. Krejt kjo ngase sipas tyre ai preokupohej me gjërat tokësore dhe jo ato hyjnore. Parimi kryesor mbi të cilin e ndërtoi krejt veprën e tij, Erazmoja, është bindja se fanatizmi i cilitdo lloj është burimi themeltar i mjerimit, inercisë, profanes dhe ngecjes së jetës njerëzore. Komfor kësaj, përparimi dhe ecja përpara bëhet vetëm mbi të drejtën e racionalitetit. Por marria voluptive e josh gjithmonë njeriun dhe e bën të paarsyeshëm.

“Bota mund të flasë për mua ç’të dojë, por unë megjithatë, po ju them se vetëm unë jam e aftë që t’i zbavit edhe perënditë edhe njerëzit; si mund të më ngërthejë dikush në kufij, kur fuqia ime përhapet aq shumë nëpër botë; si mund të më ndajë dikush mua, kur e tërë gjinia njerëzore po më nderon si hyjni! flet Marria. Në qoftë se më pyetni, më në fund, për vendlindjen – unë nuk linda as në Delin Bredhës as në Oqeanin valëvalë, as në shpellat me qemerë; atdheu im janë ato Ujdhesat e lumtura në të cilat rritet çdo gjë, pa u lëvruar dhe pa u mbjellë. Atje nuk dinë ç’është puna, pleqëria dhe sëmundja![2]Ashtu si bashkëkohësit e Roterdamit, shoqëria e sotme në vlimin e zhvillimit teknologjik, thith veskun e marrisë si udhërrëfyese e jetesës, shkollimit, pozicionimit në shoqëri, arsimimit, shkencës, letërsisë, artit, politikës. Marria i dikton të gjitha aktivitetet dhe sendërton prototipin e një gjallimi të tillë shoqëror pa u frenuar nga asgjë. Mjaft t’i qepesh një gjëje, pjesën tjetër e kryen marria. Në optikën kritike të Roterdamit oborrtarët shihen si të çoroditur e të mërzitshëm ngase çdoherë duan ta lozin rolin kryesor, të vishen shik, të bartin ar, të jenë servil para mbretit e t’i thonë zot e të përdorin tituj si madhëria apo shkëlqesia juaj. Në kohën tonë mund të flasim për “oborrtarë” të tillë që i quajmë servil e allishverishxhinj për t’i arritur aspiratat e tyre; gama është mjaft e gjerë: ata në thelb janë snobistë, monotonë e njerëz pa humor, gjithçka marrin për të mirëqenë në bazë thashethemesh, janë spitullaqë, japin e marrin me rrenën, hyrjen në qejf, stisjen e bon-sensin e gënjeshtërt; të tillët fare lehtë mund t’i shohësh në majat e shoqërisë, si manjatë biznesorë që shkelin të drejtat e punëtorëve, si drejtorë me lugë të macchiatos në buzë që enden andej-këndej me duar në xhepa, si mësues që kanë frikë nga testimi në profesion të vet por e kanë mirë me drejtorin, si këngëtarë/artistë që s’kanë lidhje me artin e janë shterpë nga idetë por dinë ta manipulojnë mirë masën, kryesisht të rinjtë, t’i dehin me konsum të shfrenuar, me jetë “luksi”, me femra të bukura me trup tërheqës që pozojnë nudo, pra, gjithçka përpos artit dhe muzikës; projektimin e gjithë kësaj jetese kulturore, në thelb, e mundëson marria.

Fjala angleze look, në kuptimin e pamjes, dukjes së jashtme, është shndërruar në devizën e imponimit në shoqëri. Roterdami këtë problem, qëmoti, e shihte të mishëruar te gratë, të cilat, sipas tij, e përligjin. Femra, në sytë e tij, nuk kursehet fare; marria që personifikon femrën i dhuron asaj disa benefite të cilat mund t’i shfrytëzojë fare lehtë. “Ato duhet t’ia dinë për nder marrisë që u dha bukurinë me të cilën tiranizojnë edhe tiranët; Femrat”, vazhdon – kanë kurdoherë fytyrë të lëmuar, zë të ëmbël, lëkurë të butë me të cilën sikur e imitojnë rininë e përjetshme; që t’u pëlqejnë më tepër meshkujve ato përdorin mjete të shumta artificiale që ta zbukurojnë fytyrën, t’i ngjyrosin vetullat dhe të kultivojnë lëkurën. Me se mund t’u miklohen përgjithësisht burrave, përvese me marri!” Thënë në një formë të vrazhdë, në stilin e Roterdamit, kjo duket sikur profeci për ditët moderne, në kuptimin e imponimit publik përmes pamjes fizike teletisëse që në thelb do të duhej të ishte sipërfaqësore, jo relevante karshi asaj që përmban intelekti individual. Kjo presupozon se kemi të bëjmë me një shoqëri, ani pse e përparuar nga ana teknologjike, thellësisht të cekët dhe që operon mbi falsitet, s’denjon për meritokracinë.

“Lavdërim Marrisë” denoncon secilin që ngjitet padrejtësisht në kurriz të tjetrit, dhe për këtë i ndih marria. “Mbetshi me shëndet, o ithtarë të Marrisë, duartrokitni, jetoni e pini”!; i pamëshirshëm në thumbim e tallje, Roterdami, përfshin klerikët fetarë, batakçinjtë, meskinët, frikacakët, kumarxhinjtë, kodoshët, të korruptuarit; të gjithë bashkë plotësojnë peizazhin e një jete të plogësht që diktohet nga imoraliteti, megalomania, korrupsioni dhe rrena. Ja prejardhja e marrisë:

“Kjo këtu që po i ngre me aq krenari qepallat quhet Sedërmadhja, kjo që duket sikur po qesh me sy e vallëzon me duar quhet Lajka; kjo që fle përgjysmë quhet Harresa, ajo atje që mbështetet në dy bërrylat e duarve të lidhura quhet Përtacia; kjo me kurorën e trëndafilave në kokë dhe e mbështjellë me re të erëkëndshme është Kënaqësia; ajo atje me shikim të pacaktuar dhe të humbur quhet Mendjelehtësia; më në fund, kjo e rrumbullakëta, trashamania, me lëkurë të lëmuet, quhet Shfrenia; ndër vashëzat po shihni edhe dy hyjni, Gostinë dhe Gjumin e rëndë. Me anë të këtyre shërbëtorëve besnikë unë ia nënshtroj sundimit tim tërë botën dhe sundoj mbi sundimtarët.” Formulime të tilla janë karakteristike për Roterdamin që mëton të depërtoi në brendësi të problemit dhe çorientimit shoqëror. Përmes një përshkrimi të tillë të veseve njerëzore përcakton kritikën integrale të gjinisë njerëzore dhe luftës frontale që e mira e ka me të keqen gjatë rrugëtimit të vështirë ngase Marria shpall: “Vetëm unë jam ajo që e përfshij mbarë botën me dashamirësi të barabartë dhe jam kurdoherë e gatshme të ndaj bamirësi.”

Për fat të keq, shoqërinë e sotme e shohim të organizuar mbi ca mekanizma që priren drejt marrisë, kurorëzohen nga potenca e saj; ndaj kultura/arti e shkenca pësojnë nga kjo inerci dhe e vështirësojnë ndjeshëm aktivitetin e mirëfilltë sepse sot, në këtë anomali të diktuar nga makineritë e rrjeteve sociale e lehtësira tjera të kësaj natyre, mund të shohësh diskutime të amatorëve, injorantëve, me profesorë e profesionistë të aksh fushës; klima e tillë i “barazon” nivelet, stimulon fast thinking, rrafshon diskrepancën; mund të lexosh se si X analfabeti e lë pa “tekst” Y profesionistin me “shkencën” e tij të shpejtë. Krejt kjo në emër të lehtësimit në komunikim dhe zhvillimit të teknologjisë, por në fakt këtë zallamahi e dikton marria, në të cilën, konstaton Roterdami, “bazohen shtete e ligje, tubime e gjyqe, shkurt: jeta njerëzore që s’është gjë tjetër veçse marrisë!” Ajo pengon dijen e vërtetë, i jep primatin sipërfaqësisë dhe snobizmit. “Njeriun, që të arrijë dijen, nuk e lejojnë kryesisht dy pengesa: turpi me të cilin verbohet shpirti, dhe frika, e cila në çdo gjë sheh rrezikun dhe e demoralizon në veprimtarinë e tij. Marria e çliron për mrekulli nga këto vështirësi. Një numër i vogël njerëzish e dinë se sa dobi dhe kënaqësi sjell përparësia që ke kur nuk turpërohesh kurrë prej asgjëje dhe kur nuk ke frikë kurrë!” – ky pasazh është eklatant për kastën e pseudo-intelektualëve, turbo-albanologëve, e gaztorëve të qarqeve të këtij soji që po krijojnë ngatërresa të panevojshme, po dështojnë të investojnë, sidomos te të rinjtë, modelin e punës së ndërgjegjshme dhe rendjen drejt suksesit duke e merituar – përkundrazi po damkosin vlerat kulturore me sharlatanizmin, performatizmin dhe idetë delirante që i jetësojnë fare lehtë në epokën tonë digjimoderniste.

(c) 2023 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Matei Călinescu, Pesë fytyrat e modernitetit, Sh. B. Dituria, përkthyer nga Gëzim Qëndro

[2] Erazmo Roterdami, Lavdërim Marrisë, SH. B. Rilindja, Prishtinë, 1982, përkthyer nga Stathi Kostari, të gjitha citimet në këtë ese janë nga ky botim

Rreth Autorit

Profesor i letërsisë shqipe, eseist, kritik, dhe shkrimtar. Krahas ligjërimit të letërsisë, analizon problematika nga letërsia, filozofia, psikologjia, muzika, piktura, filmi dhe kultura në përgjithësi.

Author Archive Page

1 Koment

  1. “Erazmo Roterdami” ose thjesht “Roterdami” e quan autori mendimtarin humanist, sikur “Roterdami” te ishte mbiemri i tij! Ne fakt, ai njihet si “Erazmi i Roterdamit” ose, me thjesht akoma, si “Erazmi”, nje mononim thuajse po aq i njohur ky sa, te themi, “Volteri”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin