Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

TË KUNDËRTAT E NJË KONCEPTI

Shkrimi i Enit K. Steiner-it për kozmopolitizmin më solli ndërmend aventurat e këtij termi (dhe temës kozmopolit) në ligjërimin politik të shekullit XX, veçanërisht nën regjime politike e kulturore totalitare.

Që me Kantin e këtej, fjala do t’i referohej idesë se të gjithë njerëzit i përkisnin një komuniteti të vetëm, global, përtej dasive kombëtare, gjeografike dhe fetare – derisa në Bashkimin Sovjetik të viteve 1940-1950 ajo filloi të merrte një kuptim të ri, të ngarkuar negativisht.

Kjo erdhi veçanërisht pas Luftës II Botërore, që e kish shtuar “patriotizmin” në arsenalin e armëve edukative dhe indoktrinuese të regjimit stalinist; dhe në kontekstin e një fushate disi të kamufluar anti-semite.

Fushata anti-kozmopolite nuk i identifikoi kurrë haptazi hebrenjtë sovjetikë si pikësynim i saj – u mjaftua të fliste për “kozmopolitë pa rrënjë”, “mungesë patriotizmi” dhe “ndikime të huaja”, të cilat manifestoheshin në botën akademike, në letërsi dhe në art, në shkencën dhe në mjekësinë sovjetike.

Epiteti “kozmopolit” shërbeu kështu si term i koduar për të folur për hebrenjtë sovjetikë dhe rrezikun që i vikësh Bashkimit Sovjetik nga fakti që këta nuk ishin të lidhur sa duhet me “atdheun” dhe u mungonte patriotizmi i mjaftueshëm, teksa admironin herë fshehurazi e herë haptazi kulturën Perëndimore, veçanërisht atë liberale. Falë edhe lidhjeve të tyre familjare ndërkombëtare, ata u ishin ekspozuar, si grup etnik, presioneve për t’u vënë në shërbim të “të huajve”; gjë që pushteti sovjetik e dinte mirë, meqë të njëjtat lidhje i kish shfrytëzuar, në vitet 1920-1930, për të shtrirë ndikimin e vet në lëvizjet e së majtës europiane, në qarqet kulturore të kontinentit dhe, me shumë efikasitet, për të organizuar rrjete agjenturore të suksesshme në vendet e Europës.

Në totalitarishten e Hoxhës termi erdhi relativisht vonë, si pjesë e paketës leksikore dhe retorike të nevojshme për të ndërtuar një ligjërim ad hoc, por u përdor në mënyrë abstrakte, për të shënjuar dhe goditur globalizmin e kapitalit dhe ambiciet imperialiste për të sunduar botën.

Ngjashëm me atë për trockizëm, edhe diagnoza për kozmopolitizëm në Shqipërinë e Hoxhës vuante për qartësi, si etiketë e huazuar nga një sistem me ankthe dhe probleme të tjera, si ai stalinist. Në Shqipëri nuk kishte ndonjë elitë intelektuale hebrenjsh, që të akuzoheshin se po komplotonin kundër themeleve patriotike të shtetit; dhe as traditë anti-semitizmi që të përditësohej në kushtet e reja të internacionalizmit proletar. Prandaj Hoxha e përdori akuzën rrallë, dhe kryesisht në kontekstin e luftës kundër liberalizmit dhe “shfaqjeve të huaja”, më shumë në lëmin e kulturës dhe të arteve. Për ta bërë këtë, i duhej të balanconte kritikën kundër dy dukurive të kundërta – kozmopolitizmit dhe nacionalizmit borgjez (shovinizmit), si kundërfigurat e errëta të internacionalizmit proletar dhe patriotizmit.

Ashtu u dënuan të gjitha ato sjellje dhe qëndrime, që u cilësuan si mbivlerësim, përulje dhe gjunjëzim ndaj së huajës dhe nënçmim deri në përçmim i vendëses, kombëtares dhe folklorikes; paçka se kjo do t’i hapte shtegun ksenofobisë, një sëmundjeje tjetër të sikletshme, për një ideologji që e njihte internacionalizmin proletar si parim udhëheqës në politikë dhe gjetiu. Në vitet 1970-1980, teksa regjimi i Hoxhës erdhi duke braktisur çdo tundim internacionalist, për t’u shndërruar në një version banal të kombëtarizmit izolacionist dhe për ta integruar paranojën në vijën zyrtare të marrëdhënieve me shtetet e tjera, për kozmopolitizëm mund të damkosej kushdo që dyshohej se kish simpati për Perëndimin. Nuk ndodhi kështu, sepse ish gjithnjë më e lehtë që simpatizuesi i Perëndimit të akuzohej thjesht për tradhti ndaj atdheut, ndaj kauzës, ndaj popullit, ndaj idealit proletar; një akuzë që “masat” do ta kuptonin më mirë.

Më fort edhe se nga imperializmi dhe revizionizmi, Hoxha kish frikë nga elitat dhe intelektualët, të cilët regjimi i shihte si të prirë ndaj lidhjeve dhe kontakteve transversale me botën, të tilla që të dilnin jashtë kontrollit të pushtetit totalitar. Ishte në vetë natyrën e elitave intelektuale, që të tundoheshin nga kozmopolitizmi. Aq më tepër kur, në vitet 1960, pasi ishin spastruar institucionet nga intelektualët dhe kuadrot e Paraluftës të formuar në Perëndim, vendin këtyre ua kishin zënë një armatë teknokratësh dhe specialistësh, të formuar në universitetet e atyre vendeve të Europës Lindore, duke filluar nga Bashkimi Sovjetik, të cilat Hoxha tani i kish shpallur si armike.

Deri në fund të jetës, Enveri do të luftonte kundër kësaj elite, së cilës nuk i zuri kurrë besë.

Duke filluar nga fundi i viteve 1960, televizioni i huaj (RAI) solli mes shqiptarëve të vijës bregdetare imazhet dhe joshjen e drejtpërdrejtë të shoqërisë së konsumit – avatar i tregut kapitalist global. Këtë lloj ndikimi deri në magjepsje regjimi i Hoxhës nuk e ndali dot, megjithë fushatën e egër kundër shfaqjeve të huaja, në vitet 1970; sepse nuk pati ç’t’u ofronte të rinjve, për t’i mbajtur larg këngëve të sirenave të përtejdetit. Nga pikëpamja ideologjike, kjo valë idesh, imazhesh dhe kodesh që erdhën nëpërmjet valëve televizive u damkos si pararojë e amerikanizimit, por tashmë regjimi ishte i pafuqishëm ndaj saj, gjë që u konfirmua me përmbysjet e vitit 1990. Edhe pse ishte shkëputur dhe izoluar nga vendet e tjera të Lindjes dhe nuk mbante kontakte e marrëdhënie me botën sovjetike, Tirana totalitare i vuajti njëlloj pasojat fatale të rrëzimit të murit të Berlinit.

Që nga ajo kohë, do të ishin shqiptarët – e derdhur si refugjatë dhe emigrantë në Perëndim – që do të testonin politikat dhe pozat kozmopolite të demokracive europiane dhe aleancave të tyre; çfarë edhe do të merrte pjesë, herët a vonë, në krijimin dhe konsolidimin e një vale ksenofobike dhe anti-elitare në Perëndim, të organizuar rreth një diskursi dhe ideologjie antikozmopolite.

Në Fjalorin e 1980-ës, kozmopolitizmi përkufizohej si

“Teori borgjeze reaksionare, që përpiqet të shuajë veçoritë e ndjenjat kombëtare, duke quajtur për atdhe gjoja gjithë botën, duke përçmuar vlerat e mëdha të kulturave e të traditave kombëtare dhe duke u mohuar popujve të drejtën për të jetuar të lirë e të pavarur në emër gjoja «të bashkësisë së njerëzve të gjithë botës», «të shtetit botëror» etj., me qëllim që të përligjë nënshtrimin e sundimin e popujve.”

Ky përkufizim, ideologjikisht i ngarkuar – ku nuk mungon as pjesëza “gjoja”, e kudogjendur në demaskimin e koncepteve armiqësore për regjimin – u korrigjua në botimet e mëvonshme, pas viteve 1990, për të marrë, në 2006-ën, trajtën:

KOZMOPOLITÍZ/ËM,-MI m. doktrinë a teori që e quan gjithë botën për atdhe; mënyrë të jetuari a jetese sipas kësaj doktrine.

Fjalori i Ri duket se e ka rikthyer tani qëndrimin ideologjik refuzues,  duke e riformuluar përkufizimin kështu:

KOZMOPOLITIZËM: Doktrinë a teori sipas së cilës kozmosi a gjithë bota është atdheu i të gjithë njerëzve; përpjekje që nënvlerësojnë veçorinë dhe ndjenjën kombëtare; mënyra e të jetuarit sipas kësaj doktrine; të qenët kozmopolitist.

Brenda leksikut dhe terminologjisë totalitare, kozmopolitizëm i kundërvihej edhe patriotizmit, edhe internacionalizmit, sipas një mekanizmi tipik për atë lloj ligjërimi, ku ideologjia shpesh ndërhynte për ta polarizuar kuptimin edhe në rastin e çifteve sinonimike.

Ashtu, fjalori i 1980-ës, e përkufizonte INTERNACIONALIZMIN si:

Ideologjia, politika dhe veprimtaria praktike e proletariatit revolucionar dhe e partisë së tij komuniste që synojnë për një lidhje të fuqishme e të qëndrueshme të proletarëve të të gjitha vendeve në luftën e tyre klasore për përmbysjen e kapitalizmit dhe për fitoren e komunizmit; përkrahja e mbrojtja e lirisë, e të drejtave dhe e barazisë së popujve të gjithë botës, lufta kundër çdo lloj shfrytëzimi, nacionalizmi borgjez e shovinizmi — si një nga parimet bazë të partive komuniste, të revolucionarëve marksistë.

Të vërehet se, paralelisht me çfarë ndodh në përkufizimin e kozmopolitizmit, i cili i kundërvihet patriotizmit, edhe këtu internacionalizmi vihet përballë nacionalizmit borgjez dhe shovinizmit, për ta plotësuar drejtkëndëshin semiotik:

[Diagrami është realizuar me Gemini, në bazë të sugjerimeve të mia. Kam përdorur anglishten, sepse AI-ja e kupton më mirë se shqipen.]

Pas 1990-ës, Fjalori i vitit 2006 e thjeshton përkufizimin si më poshtë:

INTERNACIONALÍZ/ËM,-MI m. hist. ideologjia, politika e veprimtaria e proletariatit dhe e partive të tij për bashkimin e tyre në luftë kundër kapitalizmit dhe për fitoren e komunizmit.

Për të arritur te versioni i Fjalorit të madh të 2026-ës:

INTERNACIONALIZËM: Parim politik që mbron një bashkëpunim më të madh politik a ekonomik midis shteteve dhe kombeve.

Ky përkufizim është përkthyer drejtpërdrejt nga Wikipedia:

Internationalism is a political principle that advocates greater political or economic cooperation among states and nations.

Përtej ligjërimeve dhe doktrinave totalitare, internacionalizmin dhe kozmopolitizmin i bëjnë ndonjëherë hallka të së njëjtës lëvizje të mendimit politik dhe filozofik, e cila i jep përparësi së përbashkëtës mes popujve të botës, në kontrast me çfarë i dallon mes tyre. Këtu ndoshta duhet përfshirë edhe globalizmi.

Megjithatë, ka filozofë – përtej atyre marksistë – që e kanë shfrytëzuar dallimin terminologjik për të nxjerrë në pah dallime konceptuale ndonjëherë thelbësore. Chesterton-i, te All Things Considered (1915), shkruante:

Nuk ka dyshim se ka një diferencë të madhe midis të qenit internacional(ist) dhe të qenit kozmopolitan. Të gjithë njerëzit e mirë janë internacional(ist)ë. Pothuajse të gjithë njerëzit e ligj janë kozmopolitanë. Nëse do të jemi internacional(ist)ë, duhet të jemi nacional(ist)ë… Paqja në botë do të thotë paqe mes kombeve (angl. nations), jo paqe pas shkatërrimit të kombeve, si paqja budiste pas shkatërrimit të personalitetit.

Nga ky këndvështrim, kozmopolitizmi mund të shihet edhe si një fazë e ndërmjetme (world government), drejt bashkimit të botës në komunizëm/gobalizëm politik.

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin