POLICI ME DORË

Gianni Belluscio më dërgoi një pamje çasti të një faqeje reviste, ku duket bulevardi i madh i Tiranës, pa makina dhe këmbësorë, por me një polic të veshur me uniformë ceremoniale, ngulur në krye të detyrës si strumbullari i një qarkullimi inekzistent.

polic

Ose më mirë të përfaqësuar simbolikisht nga një makinë e vetme, praktikisht e dalë nga një vizion neorealist i Vittorio de Sica-s.

Ky polic vetmitar në qetësinë e rrugës ka qenë një nga të parat kuriozitete të Tiranës, që u binin në sy vizitorëve të huaj – të cilit rrekeshin hareshëm t’ia kuptonin funksionin, madje edhe pasi largoheshin nga Shqipëria.

Shumë kanë shkruar për këtë polic – në libra dhe reportazhe; të tjerë ia kanë riprodhuar foton në revista, ose e kanë marrë në film. E kanë komentuar si një nga absurditetet e regjimit totalitar, që e kish zakon ta ndante profesionin nga funksioni, për ta simbolizuar.

Aq sa kushedi meriton të quhet “monumenti i policit të panjohur”, i denjë për të konkurruar me monumentin tjetër, të “ushtarit të panjohur.”

Në foto, shohim jo vetëm policin të mbikëqyrë trafikun imagjinar, por edhe bulevardin të shtrihet deri në horizont, pa qytetin përreth: pa dyqane, librari, teatro, kinema, kafe anës rrugës, kioske gazetash. Polici është real, por qyteti dhe trafiku mbeten në fazën e ideve – ose të lidhura me realitetin vetëm nëpërmjet një figure pantomimike, hibrid i një aktori me një statujë.

Kjo ka qenë Tirana ende e Pasluftës, që komunistët trashëguan në thelb prej një projekti fashist, diçka si mishërim hapësinor i zërit të amplifikuar të Mussolini-t në Piazza Venezia; por që u zhvillua pastaj në forma mutante, pse totalitarët nuk dinin ç’të bënin me qytetet që u kishin rënë në dorë, dhe jo vetëm në Shqipëri.

E mbaj mend edhe unë atë polic – të instaluar në sheshin Skënderbej ose në qendrën e qendrës, me xhaketë dhe doreza të bardha, dhe sërish në kontroll të plotë të boshllëkut.

Madje mbaj mend edhe që, në ato vite, vendin ku rrinte polici e quanin “te polici me dorë,” një shprehje që kushedi e kish origjinën nga lëvizjet e krahëve të policit; dhe që shënjonte një vend takimi – njëlloj si “te Skënderbeu” ose “te guri.”

Të huajt gjithnjë e kanë qesëndisur këtë figurë të Tiranës totalitare, duke u kujdesur të shkruajnë për të si të ishte personazh i një mitologjie minore, por zbavitëse; edhe ne vendësit kemi qeshur me të, teksa nuk ia kemi kuptuar kurrë dobinë, dhe e kemi pranuar si pjesë të dekorit të qendrës së Tiranës. Dhe këtu dekor duhet marrë edhe me kuptimin e anglishtes decorum (“dinjitet”), të cilin të gjithë ia kërkojmë një qyteti, dhe aq më tepër tonit.

Ashtu duket edhe në fotot: i hipur mbi një platformë të vogël prej druri, skenën e vet vetjake – modeste dhe portative prej artisti të rrugës; por të mjaftueshme për të lajmëruar se e gjithë kjo performancë, përfshi këtu praninë, veshjen e bardhë aseptike, gati sterile, dhe koreografinë e duarve, i përket më shumë teatrit sesa ligjit. Teatrit të qytetit, siç ishte dhe siç do të bëhej – me policë, trafik, vija të bardha, shenja të qarkullimit (duket një e tillë, me shpinë, edhe në foto) dhe semaforë.

Tek e fundit, qyteti totalitar nuk ka ndonjë detyrim të ndjekë, as të imitojë funksionalizmin e qytetit në Perëndim, i cili i ka rrënjët në histori; dhe ku polici i trafikut, si aktor në skenën e rrugës, përligjet vetëm nga prania e qarkullimit të makinave, pse është njëfarësoj edhe ai krijesë e trafikut, ganglion nervor i një shtaze së cilës i lëvrin limfa; sikurse vijat e bardha të këmbësorëve vizualizojnë jo vetëm një udhëzim disiplinues, por edhe nevojën e vetë këmbësorëve për ta kapërcyer rrugën të sigurt.

Qyteti totalitar është më abstrakt: i zhvesh këto elemente nga funksioni praktik, për t’i kthyer në shenja të rregullit dhe të disiplinës së qarkullimit; me synimin ideal që të kthehet edhe vetë në shenjë të qytetit, duke u çliruar nga pesha dhe detyrimet e qenies.

Përndryshe, për totalitarët e Hoxhës, Tirana ishte kryeqytet i kapur; po aq plaçkë lufte sa edhe artileria fushore, kamionët, pajimet për mushka dhe veglat e bandës muzikore të ushtrisë fashiste.

Nuk i ngjante as Moskës, as Beogradit; por tani duhej të bëhej edhe ajo kryeqytet i Lindjes komuniste – dhe ndoshta nuk kish mënyrë më elokuente për ta celebruar këtë proces, sesa instituimi i policit si prift i qarkullimit dhe figurë kyçe për t’i kthyer zbrazëtitë në udhëkryqe; dhe vetë qytetin nga të jetueshëm, në të përjetueshëm.

Kaq butaforike në pastërtinë dhe solemnitetin e vet, personazhi u afrohet atyre rojeve ceremoniale në disa pallate dhe monumente të pushtetit gjetiu në Europë; që nga zviceranët në Vatikan e deri tek Evzones-it në Athinë, të krekosur me fustanella dhe këpucë me xhufka; ose rojet mbretërore, në Britaninë e Madhe.

Të gjithë këta i tradhton njëfarësoj uniforma – duke i shndërruar në shenja rituale ose në spaleta të shtetit; njëlloj siç shërben sëpata e kuqe, e re akull, në disa vetrina që i ndesh ndonjëherë korridoreve institucionale, si shenjë e mbrojtjes kundër zjarrit.

Vetëm se ndryshe nga roja ceremoniale që të nxit paradoksalisht nevojën për ta shkelur truallin e ndaluar, polici nuk ndalon asgjë; edhe pse nuk të çon gjëkundi, të paktën të tregon se diku mund të shkohet.

E krahasuar me zhurmën, bilbilin dhe shkëlqimin fosforeshent të kolegëve të tij sot, në udhëkryqet e zhurmshme të Tiranës post-komuniste, pantomima e tij e atëhershme në sheshin e zbrazët e bën të duket, që prej së sotmes, si i arratisur nga kuadrot e një filmi pa zë, bardhezi; që kërkon urgjentisht të deshifrohet, edhe kur t’i jep të gjitha që në vështrim të parë.

Do ta kishim harruar krejt, po të mos na e kujtonin, herë pas here, vizitorët e djeshëm dhe të sotëm, që kanë edhe ata kujtime nga Tirana; dhe ne vetë jemi pjesë e atyre kujtimeve, siç janë ata pjesë e tonave.

Nuk ka komente

  1. Trajtim dinjitoz i policit, figure ky madje edhe gruaja e ketij, e perqeshur nga shqiptaret. Mua me kujtoi Queen’s Guards me kapelet si arusha, edhe keta te vezhguar nga vizitoret, kalimtaret si qenie te nje muzeumi te gjalle. Them muzeum, sepse uniforma si prej kukullash ose ajo si prej kllauni i gardes zvicerane ne Vatikan, per syrin e sotem, te kuptohemi drejte, motivohet, tolerohet nga tradita dhe i shton jete kesaj. Po ky polici yne duket si produkti i deus ex machina, pa te kaluar dhe pa te ardhme, tamam ne vakuum.
    A mban mend njeri ku ka bere rojenderin e fundit polici me dore? Une e kujtoj teper te zbehte e s’i ve dot vit shfaqjes se lamtumires.

  2. Në një korrespondencë që ia dërgonte Frankfurter Allgemeine Zeitung nga Tirana, në 11 qershor 1927, Joseph Roth shkruan:

    “Një polic me doreza të bardha borë qëndron në mes të rrugës, për në rast trafiku.”

    Dhe ja çfarë gjen tjetër gazetari hebreo-austriak në kryeqytetin shqiptar të 80 vjetëve më parë: burra që rrinë të ulur në diell, këngën e hoxhës nga minareja, pluhur të paparë, probleme me elektricitetin, gërmadha të reja dhe të vjetra, banorë që shkojnë në nevojtore pa e hequr koburen nga brezi, gra të mbuluara (“quiet as wild beasts and unresponsive as the dead”), qen rrugësh, dhe gjithfarë filistinësh që e bëjnë biznesin në rrugë.

    Thotë autori:

    “Nuk ka gjë më shterpë se një etnicitet që është disektuar në mauzoletë e etnologjisë dhe në libra e dhoma seminaresh për tridhjetë vjet, por ende nxirret në paradë, a thua se është në ndonjë farë kuptimi ende e gjallë.”

    Pronari i hotelit ku rri Roth e përdor këllëfin e revolverit për të mbajtur para të vogla.

    (Joseph Roth, The Hotel Years, A New Directions Ebook Original.)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin