DASHURI QË S’NDRYSHKEN

nga Miliçi

– Je shqiptar, apo jo?

E pashë veten me duar përpjetë. Një i panjohur, fytyrë si pak të tjera në atë det fytyrash, dinte edhe atë që pasaporta ime e huaj s’e rrëfente. Shtrëngova dhëmbët për t’i thënë pa fjalë të mos më qasej më.

Tek unë shtrëngohesha, tjetri çlirohej: iu çel bebja, iu çua vetulla, i fiskoi sytë te të mitë, a thua se prej tyre do nxirrte ç’mund të më poshtëronte në mes të atij mexhlisi, që ma kishte falur origjinën, sepse kishte patur mirësinë të kuptonte se rastësia nuk njeh vullnet tjetër përveç qejfeve të saj. Po të isha pyetur, a do të kisha zgjedhur të isha lerë e rritur shqiptar?

I panjohuri lëvizi buzët të thoshte diçka, por para zërit të tij, unë dëgjova timin të më bubullinte përbrendshmi: “Ç’ke mut muti? Ç’të hyn e të del në jam shqiptar? Se vetë dukesh nga theksi që s’je.”

– Jam nga Bratislava, – ia befi tjetri.

Pak muaj më parë, do kisha lënë përshtypje injoranti, do kisha mbetur si guhak, dhe pavetëdijshëm do t’i kisha dhënë municion kujtdo që deklaronte se albanezët qenë të prapambetur. Sepse Bratislavën e njoha vonë, tek udhëtoja nga Vjena për Çeki. Veç kur shkela mbi sheshet e gurta të zbardhura si për dasmë e u enda përgjatë mureve panoramike të qytetit, më erdhi keq që gjyshërit e mi, të cilët kishin kaluar dy javë në Çekosllovaki në 1957, s’e kishin përmendur Bratislavën. Disi më lirshëm, u përgjigja se kisha qenë qytetin e tij.

– Sa ke jetuar në Shqipëri? – më pyeti.

– Deri në 1995.

– Edhe unë pak a shumë atëherë jam larguar.

Ishim aq të mbërthyer në sytë e njëri-tjetrit, sa me zor na i zgjidhën vështrimet fjalët e një mikut tonë të përbashkët, i cili donte të prezantonte ne “fëmijët e komunizmit”, ngaqë me siguri kishim eksperienca traumatike të ngjashme.

Sa të ndihshëm ishin këta njerëz, i kishte pjellë njerëzillëku. Shtrembërova një buzëqeshje, ndërsa sllovaku donte të dinte pse traumatike. Trauma diktaturash, sqaroi tjetri, i thekur për detaje. Si duket priste histori me skamje, rreziqe, kapërcime ujërash, arratisje, burgje e spastrime politike. sllovaku u përgjigj, paksa i kapur në faj, se kishte patur fëmijëri të lumtur. Kur pa habinë në ballin e rrudhur të mikut tonë, ai u kthye nga unë. Shpreha njëfarë aleance me të, duke i justifikuar kujtimet pozitive me moshën e re. S’kishim patur kohë ta kuptonim diktaturën, ndaj qemë ndarë pa akte heroike. (Unë në ndonjë demonstratë edhe kisha qenë, por si gjimnazist kisha ndjekur turmën më shumë për sport se bindje). Mund të kisha përmendur protesta, rrëzime bustesh, djegie, sepse këto pështjellime më vinin në mend, e mund t’i kisha stolisur më parulla të lëvizjes studentore, por qetësia e sllovakut më bëri të hiqja dorë nga këto pendë të pamerituara. Miku që donte të na prezantonte na pa me mëshirë, i zhgënjyer na la në naivitetin tonë të pashpresë.

E kuptova. Nuk mori prej nesh as përbetime antikomuniste, as referate mbi bekimet e kapitalizmit dhe botës së mundësive pa cak. Por në këtë pikë, perëndimi mua më kapte shpesh memec. Madje, vëzhgoja i shqetësuar që kujtimet e sjella nga Shqipëria si një valixhe gjynahqarësh, të cilat i mbaja të kyçura e të ngrohta duke i vërtitur veç me veten, dëshmonin për verbërinë, në mos leshtësinë time. Si ndryshe mund ta kisha kuptuar aq vonë që jetoja në guaskë? U deshën mitingje, britma, rrëkëllima të hatashme për të përmbysur paqen time. Por mund të kishte qenë edhe molepsje e qëmotshme, intoksikim që ma kishte përvetësuar trupi në lindje. Më kishin dhënë lulet e lotusit në djep dhe rrallë, fare rrallë, ma kishte prishur gjumin me sy hapur kërshëria për të parë përtej ishullit të magjepsur të ndërtuar me punë vullnetare, përtej vegimit të pronës së përbashkët, përtej shurdhërisë së një vendi të vogël, që askush s’kishte dashur ta dëgjonte, dhe që dikur u betua të mos i përdorte më veshët përveç se për të përgjuar rrahjet e zemrës së tij.

Ja që edhe ai sllovaku, të cilin s’e takova më kurrë, dukej si krahëlehtë e i paprekur nga historia si unë. U ndava prej tij i bindur se, në gati njëzet vjet kurbet, askush s’më kish kuptuar ashtu, kthjelltësisht përmes tejdukshmërisë së kujtimeve të lira. Më ngashënjeu gjatë krenaria, që as unë as ai nuk qemë bërë lodër e mikut tonë, nuk e patëm zbavitur me copëza ndodhish si ato që kish lexuar a dëgjuar nga të tjerë dhe kishim refuzuar të na shihte me sytë e një vizitori të kopshtit zoologjik. Sepse ne prapë kafshë ekzotike mbeteshim, dikur të mbyllur në kafazin totalitar e tani të zbutur në arenën e cirkut oksidental. Në fund të fundit, edhe pa rrëfime të kripura, ne ishim dëshmitarë të kohës, heshtja jonë duhej besuar, në fund të fundit ishim humbës.

Ndjeja një lidhje të mistershme me të panjohurin, që s’di sa do kishte zgjatur ashtu e ethshme, e qashtër, e pakoklavitur me dyshime, nëse një film, i titulluar “Mbreti i fundit i Skocisë”, nuk do të kishte mbjellë farën gjëmëbërëse të mëdyshjes. Në atë film nuk gjeta mbret, por pseudobiografinë e mjekut skocez të diktatorit ugandian Idi Amin Dada, diktator gjakatar me karizëm vdekjeprurëse, që arriti ta mbështjellë skocezin me njëmijë fije përkëdheljesh, gostish e favoresh të pahamendura. Ky i fundit bëri ca kohë sikur s’shihte e s’dëgjonte për masakrat e pashoq të diktatorit, por dikur, kutërbimi i kufomave arriti qiellin, dhe mjekut iu zvordhën privilegjet aq keq sa desh dalldisi dhe la jetën në arratisje e sipër.

Po ç’punë kishte një skocez i penduar me mua? Si s’kishte! Po sikur sllovaku im të ishte një nga ata beniaminët e papenduar? Po sikur ky i mikluar i fatit të mos ishte ngopur me gjumin nanuritës të përzgjedhjes, dhe ende vegjetonte pa motiv e ndërgjegje për të dëshmuar ndryshe një çerek shekulli më pas? Vendosa me veten time se një skenar i tillë s’mund të përjashtohej. Ndaj herë tjetër duhet të tregohesha më kritik e të mos i lija pëlqimet personale të më vithisnin në greminat e mëkatit. Këto mendime e zbehën goxha tërheqjen e atij takimi të nisur me revoltë e të përfunduar me mirëkuptim miqsh të hershëm. Në fund të zbehjes, nuk më fanitej më fytyra e sllovakut, u zhduk krenaria, thuajse u venit krejt dëshira për ta parë sërish.

gearÇka mbeti qenë fjalët cytëse, tek më rrëfente për familjen e tij, për të gjyshen që të dielave gatuante “kapustnicë”, kampet verore të pionierëve, uniformat kaltëroshe me shamitë e kuqe, spartakiadat marramendëse, sloganet e zgjedhjeve të së vetmes Parti “táto, mámo, volte naše štěstí”, mami, babi, zgjidhni lumturinë tonë, dhe bezdinë e fizkulturës së mëngjesit që tani s’i dukej më bezdi, por terapi kundër dhjamosjes. Unë i tregova për tabelën e nderit, lulet prej letre dhe marshet e 1 Majit, për Shqipërinë shkëmb graniti, rifuxhiot e lagjes, për trahananë që im atë bënte me merak të shtunave, ekskursionet nga Liqeni, kasetat e incizuara zëulët në radio, dhe antenën mbi tarracë, e cila na hapte portat e televizionit jugosllav, ku shihnim, e më pas stërhollonim si mëhallë, thagmat e Dinastisë.

Këto fjalë s’donin që s’donin të zbeheshin, por rrokulliseshin njëra pas tjetrës në hullinë e kujtesës së bashku me pionierë, uniforma, lule, lumturi, antena, spartakiada, pjata kapustnice e trahanaje, kaseta, rifuxhio, kodrat e Liqenit dhe muret e bardha të Bratislavës, shamitë e kuqe dhe fustanet farfuritëse të Alexis Colbey… Më la ajo bisedë shijen e një traume të rizgjuar. Si e kishim humbur atë botë të rreme, e cila kish krijuar aq shumë të vërteta? Si kishim mbijetuar pa të, e si orvateshim të jetonim si dhëmbëza të ngecura mes mijëra dhëmbëzash, në barkun përpirës të një ore gjigande, që ditë e natë tiktakte zhurmshëm “time is money, time is money” dhe mekte jehonën që kthente mbrapsht “money ain’t time”?

 

Nuk ka komente

  1. “për trahananë që im atë bënte me merak të shtunave” – nje vezhgim qe me ka intriguar, se nuk besoj se ne kultura te tjera gastronomike te kete nje regjim te tille javor per ushqime te caktuara. Une te pakten nuk e kam hasur (pervec ndoshta neper festa, si thanksgiving). E kam ndeshur hera te tjera se p.sh. te henen fasule, te premten ndonje supe apo te tjera meny te caktuara sipas dites se javes, si te ishte nje vazhdim i menses se kombinatit apo studentit. Kush ka jetuar ato kohe duhet te kete ndonje sqarim (puna e prindit, ardhja e fshatarit ne nje dite te caktuar, e furnizimit tek dyqani i mishit apo ndonje shpjegim tjeter.) .. besoj se antropologet e forumit nuk do ta lene pa qemtuar kete dukuri interesante

    1. Sa e vërtetë: ne e kemi pasur të dielën si ditë trahanaje (ose papare, ose petullash) – pse e shtuna ka qenë akoma ditë pune, kur jetoja unë me prindët. Përndryshe, disa ushqime, p.sh. mishi, përgatiteshin në ditë të caktuara sipas datës kur mund ta tërhiqje në dyqan me tallon: në mëhallën time shumë familje nuk kishin frigorifer dhe e gatuanin menjëherë, të paktën një pjesë; ndërsa pjesën që mbetej e sillnin te ne që t’ua ruanim, meqë e kishim relativisht të madh frigoriferin. Mbaj mend edhe që ime më i shkruante emrat e komshinjve mbi pakot: mishi i Sabrijes, mishi i Fatimes, mishi i Zanës (se përndryshe do të ngatërroheshin, sidomos pas ngrirjes): me pak fantazi, mund ta përfytyroje frigoriferin si dollap ëndrrash të një kanibali.

      1. “ne e kemi pasur të dielën si ditë trahanaje…”

        Xha Xha, me “ne” ketu besoj se ke perasysh “ne gjirokastritet” 🙂

  2. Me perfshiu kjo histori, por edhe me trazoi, se sapo diskutuam per muzeumin e memories, dhe te flasesh per femijeri te lumtur duket sikur simpatizon me ate system monstruoz.

    1. Lumturia(ose me sakte, te qenurit i kenaqur) vjen edhe nga padija(mungesa a njohjes, dijes): “Ignorance is a bliss” thone kendej pertej detit.

      Xhaxhai me kujton kohen kur televizori, frigoriferi, lavatricja, manjetofoni, gramafoni, telefoni, bicikleta, etj tregonin status. 🙂

      Problem serioz ishte largimi i eres se kembeve dhe djerses prej dhomes ku ishte televizori, pasi largoheshin gjindja e lagjes. Kjo sidomos gjate nateve te nxehta te veres kur ndiqeshin filmat seriale apo kampionatet, sportet nderkombetare. Si stola per tu ulur perdoreshin rrotllat prej druri te uzines se telit ne Shkoder(me madhesi te ndryshme), Pjesa tjeter ne parket.

      Kurse frigoriferi kishte abonente te rregullt qe pervec mishit te tollonave, ne pese te mengjezit, binte zilja, e dikush qe kishte femije te vegjel, linte shishet prej qelqi te qumeshit.

      Kohe te arta te memories socialiste te tollonave dhe rradheve te qumeshtit. Ishin vitet 60-te dhe fillimi i 70-ve.

      1. “Kohe te arta te memories socialiste te tollonave dhe rradheve te qumeshtit. Ishin vitet 60-te dhe fillimi i 70-ve.”

        Read Me, me duket se te eshte turbulluar ca kujtesa.
        Periudha qe perfshin vitet ’60 deri nga mesi i veteve ’70 ishte me e mira nga pikepamja ekonomike. Vertet nuk kishte shume frigorifere, televizore e lavatrice, por mishi dhe ushqimet nuk mungonin ne dyqane. Mungonin parate per t’i blere. Mbaj mend qe deri nga mesi i viteve ’70 kishte edhe treg fshatar. Vinin fshataret ne qytet per te shitur prodhimet e kopshteve.

        Tollonat filluan nga gjysma e dyte e viteve ’70. Ekonomia mori te tatepieten sidomos pas prishjes me Kinen.

        1. Verejtja me vend. Duhet ta kisha spostuar gati nje dekade me vone. Ndoshta kisha me shume ne mendje televizoret e paket dhe etjen e shqiptareve per ekranin e vogel ne kutine e drurit, kthyer ne kult, si pjesa me magjike, e cmueshme e objekteve te mobilerise shtepiake.

          Ishte dritarja e pazevendesueshme per te kuptuar thenien “ignorance is bliss” ne realitetin distopik shqiptar. 🙂

          1. Ajo lloj lumturie per te cilen behet fjale ne shkrimin e mesiperm mendoj se nuk ka te beje me injorancen, por me nje gjendje ontologjike tipike te femijeve, qe shkon pertej kushteve ekonomike, politike etj.

            Pikerisht dje po flisja me portieren e pallatit ku banoj, e cila me tregonte se kishte marre pjese si vullnetare ne disa misione asistence ne Afrike. I kishin bere pershtypje sidomos femijet afrikane, te cilet megjithese nuk kishin as kushtet minimale per jetese, ishin te lumtur!
            – Mesova shume prej atyre femijeve, – me thoshte ajo, – kuptova vanitetin tone, qe i kemi te gjitha te mirat dhe nuk rreshtim se ankuari, jemi gjithmone te pakenaqur dhe te palumtur!

          2. Relapso,

            Per tu mos u keqkuptuar citimi im dhe fjala “injorance” si mosnjohje, desha te shtoj se shprehja qe solla eshte marre nga nje poeme e Thomas Gray. Dhe vertete shpesh keqperdoret apo keqinterpretohet. Poema e tij i dedikohet pikerisht rinise se hereshme dhe femijerise(titulli eshte Ode on a Distant Prospect of Eton College). Poema mbaron: No more; where ignorance is bliss, ‘Tis folly to be wise.

            Si nje lloj vajtimi per femijerine qe iken, ku mosnjohja eshte nje lloj bekimi, nje lloj te qenuri te lumtur, te kenaquri me boten qe te rrethon. Flet pikerisht per ate qe permende vete ti, nje lloj ontologjije te te pafajshmes, te vecantise qe kemi ne femijeri, si pasoje e mosnjohjes dhe mungeses se eksperiences ne boten e madhe.

            Thote poeti qe eshte cmenduri te behesh i zgjuar, i ditur, te mesosh, te nxeshe nga jeta, sidomos nga regjimenti shkollor. 🙂

            Vargjet para atyre dy mbyllesve jane:Yet ah! why should they know their fate? / Since sorrow never comes too late, / And happiness too swiftly flies. / Thought would destroy their paradise.

            Ne kete kontekst lihet te kuptohet poetikisht qe injoranca, njohja e kufizuar eshte shenja me dalluese e pafajesise te femijes. Cdo femije e perjeton femijerine si periudha me e lumtur e jetes. Eshte pikerisht injoranca, mosnjohja, qe e mundeson, te lejon te ndjehesh e te jesh i lumtur.

            Te na falni qe po devijojme, por jo shume, nga tema e shkrimit.

      2. Ok, ai qe s’di s’vuan. Por ne kete rrefim, as slovaku as shqiptari s’ndjehen te mashtruar, madje ky joni e mbyll me te vertetat e injorances dhe genjeshtres se humbur. Kjo me turbulloi pak, shto Caplini i ngecur ne ingranazhe.

  3. Relapso,

    Shembulli i komshies tende tregon qe s’eshte thjesht ontologjike, sepse ajo do te frymezohet jo thjesht nga femijet, por nga femijet afrikane, qe dalin si qenie te paprekura nga trishtimi i perendimit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin