A MJAFTON NJË RRËFIM I VETËM PËR LIRINË?

Disa përshtypje rreth rrëfimit “Të lirë” të Lea Ypit, Dudaj 2021

nga Alisa Velaj

Rrëfimi autobiografik i Lea Ypit në librin Të lirë [Të rritesh në fund të historisë] i sjell lexuesit të huaj dhe atij shqiptar, historinë e njërës prej dy Shqipërive: atë që mund t’i fshihej një fëmije. Shqipërinë tjetër, atë që nuk mund t’ia fshihje dot kurrsesi syve të një fëmije, ky libër nuk mundet ta rrëfejë. Kjo nuk vjen nga “pamundësia” e autores, pasi ajo e kryen më së miri misionin e rrëfimit të Shqipërisë së saj, por ndodh për arsyen thelbësore, se askush nuk mundet të na zbulojë me përpikëri një realitet të panjohur, ose të pajetuar. E nëse kjo ndodh prej fillimeve të letërsisë, nuk duhet të harrojmë se po flasim për një libër kujtimesh dhe jo për një fiction. Prandaj autorja merr përsipër të na rrëfejë vetëm atë që ka jetuar. Në një kontekst të tillë social dhe shoqëror, përligjet paradigma se autori nuk mund të jetë tjetër veçse rrëfimi i tij dhe rrëfimi si apologji e së vërtetës njëjtësohet me autorin si njeri dhe personazh.

Shqipëria e Ypit është fije për pe Shqipëria ime. E lindur prej prindërish intelektualë, në njërin prej qyteteve kryesore të vendit, unë kurrë nuk i përjetova realitete të tipit “të mos kesh ushqim të mirë”, “të mos kesh të ardhura të blesh libra”, apo “të mos bësh dot pushime pranë detit muajve të nxehtë të verës”. Prindërit dhe gjyshja ime nuk bënin fare biseda politike, as e mburrnin dhe as e shanin xhaxhin Enver. Ama dhe sot, unë e kujtoj me tmerr arsyen pse nuk mundesha të haja bukë jashtë si gjithë fëmijët ë tjerë. “Sepse i kanë prindërit punëtorë me rroga të vogla dhe nuk munden dot, të kenë ushqime kaq të shijshme sa të tuat”, më hakërrehej babai. U rrita pa mungesa, por natyrisht e dija se mungesat ekzistonin. Fëmijëria e Ypit është fëmijëria e shumë pak fëmijëve që lindnin dhe rriteshin në qytete të mëdha dhe jetonin me rroga intelektualësh. Njësoj si Lea, dikur bëra një hartim plot admirim për Enver Hoxhën, e pikëlluar pse moshatarët e mi e shanin ndërkohë. Ishte viti 1991, dhe mësuesja e fillores, kolege me nënën time, me gishtin e tundur në ajër, i dha këtë urdhër: “Tregoji çupës së cila është e vërteta! Ke fatin e madh që ajo i përpin rrëfimet dhe librat!”. Familjarët e mi patjetër se m’i treguan të vërtetat në një formë apo në një tjetër. U informova gjithashtu nga rrëfimet e jo pak të persekutuarve politikë që i takova në rrethana familjare. Madje njëri prej tyre, që mbante mbiemrin tim (xhaxha i shkallës së dytë), kish kaluar dyzet vjet  në burgje si kundërshtar i hapur i diktaturës.

Për rrethanat shoqërore të një individi shqiptar si unë, rrëfimi i Lea Ypit, për periudhën para viteve ’90, është i mrekullueshëm dhe shumë i vërtetë. Më një stil të rrjedhshëm, ku kapërcimi nga një faqe në tjetrën bëhet me një frymë, me një leksik të zgjedhur, përmes fjalëve që e pushtojnë fare natyrshëm rrëfimin dhe një shqipeje mjaft tërheqëse. Ypi i analizon plot mençuri dhe humor situatat e Shqipërisë së saj. Ndërkohë koncepti i saj për lirinë jo të lirë dhë jolirinë e lirë para dhe pas viteve ’90, ofron një diskurs që i lë gojëhapur brezat e lindur pas përmbysjes së regjimit totalitar dhe recipientin joshqiptar të këtij libri me kujtime. Kjo optikë këndvështrimi e realitetit, me sytë e një fëmije plot fantazi, ka një ndikim të drejtpërdrejtë nga romani “Kronikë në gur” i shkrimtarit Ismail Kadare. Habitjet dhe tronditjet fëminore, shkaktuar prej imagjinatës së jashtëzakonshme të një fëmije të ndryshëm nga të tjerët (për nga sensi i vrojtimit të ngjarjeve dhe dukurive), duke pranëvënë në mendje realitete nga më përjashtueset, të cilat i vështron herë me çudi dhe herë me frikë, janë goxha të përafërta me përjetimet e personazhit kadarean.

E vetmja gjë që nuk më bind në analizat e këtij rrëfimi, janë diskutimet për Zotin, fenë apo dhe tjera koncepte, të rrahura në dialogët mes personazhit fëmijë dhe moshatarëve të vet. Fjala vjen, një fëmijë parashkollor nuk ka ende mprehtësinë e duhur për të depërtuar në shpjegime të mënyrës me të cilën i avitet Providencës, sado inteligjent të jetë. Duket sikur është Ypi në pjekurinë e mendimeve të saj dhe jo Lea fëmijë, teksa i artikulon apo shpjegon tema aq madhore për një fëmijë parashkollor. Duke qenë përveç të tjerash, edhe një rrëfim i angazhuar, këto mospërshtatshmëri mes moshës së rrëfyeses dhe koncepteve të shtjelluara, do të ishin absolutisht një artific letrar shumë i goditur, nëse vepra do të ishte fiksion. Për sa kohë është një rrëfim kujtimesh, ky lloj artifici mbetet i diskutueshëm në pranueshmërinë objektive të tekstit.

Po çfarë ndodhte përtej Shqipërisë së Ypit? A përbën ky libër një hartë të plotë të së vërtetës absolute për vendin tonë? Absolutisht jo. E vërteta e Ypit është e kthjellët, por Shqipëria londineze shtrihej në një hartë më të gjerë dhimbjesh dhe frustrimi. Shqipërinë që kurrsesi nuk mund t’i fshihej një fëmijë, Lea Ypi nuk ka se si ta rrëfejë. E vërteta tjetër, që mund të mbulohej po aq sa mbulohet dielli me shoshë, ishte ajo e fëmijëve të lindur në fshatra dhe në familjet e persekutuara. Koncepti persekutim nënkupton në këtë rast një formë shumë më të egër sesa sekuestrimi i pronës private. (Familjeve të prindërve të mi u është sekuestruar gjithashtu prona private). Fëmijë që vdisnin urie dhe nuk merrnin kurrë të drejtë shkollimi, eshtra fretërish të hedhura në ujëra lumenjsh, e sa e sa tmerre të tjera që nuk kanë të mbaruar. Kjo Shqipëri i duhet rrëfyer publikut joshqiptar me patjetër. Për shembull, rrëfimi i një fëmije të lindur në një familje të persekutuar në fshatra të thella të vendit, do ta plotësonte bukur mirë panteonin e të vërtetave tē Shqipërisë së munguar. Hannah Arendt shkruan se totalitarizmi është mohimi më radikal i lirisë. Prandaj për ta dhënë të plotë hartën e mohimit të lirisë së Shqipërisë, na duhet përherë më shumë se një rrëfim për lirinë. Një rrëfim i vetëm, sado i mrekullueshëm të jetë, nëse nuk shihet në kontekstin e rrëfimeve të tjera, nuk bën gjë tjetër veçse e cungon konceptin e të kuptuarit të lirisë së vërtetë.

Po e mbyll shkrimin tim mbi librin e Ypit me një ngjarje shumë domethënëse për konceptin e lirisë. Në vjeshtën e vitit 2007, pra 16 vjet pas ardhjes së demokracisë, në oborrin e burgut 313 në Tiranë, ku unë punoja në një projekt të UNICEF-it për minorenët e paraburgimit “Jordan Misja”, dëgjova një histori që më tronditi thellë. Disa kohë më parë, një nga gratë e liruara, i kishte dërguar institucionit një letër, ku e akuzonte, se me daljen nga burgu, i kishte marrë asaj lirinë! Pyetja e përsëritur në tekstin plot mllef të letrës ish: “Përse ma morët lirinë time?”. Burgu paskësh qenë liria e saj!!! Realiteti i ofruar në sistemin e burgjeve paskësh qenë shumë më i mirë se ai jashtë tij… E sillja ndërmend jo rrallë këtë ngjarje gjatë leximit të rrëfimit të Ypit. Lirinë nga joliria, e ndajnë shpesh kufij aspak të perceptueshëm. Prandaj brezave të rinj shqiptarë dhe lexuesit të huaj u duhet më tepër se një rrëfim për Lirinë. Shmangia apo mohimi i rrëfimeve të tjera duket se na çon drejt jolirisë.

 

(c) Të gjitha të drejtat e rezervura. Alisa Velaj 2021

Rreth Autorit

Alisa Velaj është poete dhe studiuese e letërsisë. Autore e tri përmbledhjeve me poezi: “Përanash Flakës”, “Tej kthellës së epërme” dhe “Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, mban titullin shkencor “Doktore e Shkencave Filologjike”.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin