NDERIM I DUHUR, MOTIVACION I GABUAR

Këto ditë, Presidenti i Republikës Bujar Nishani i akordoi Petro Zhejit (pas vdekjes) dekoratën “Nderi i Kombit.”

Motivacioni lexon si më poshtë:

“Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së çmuar si shkencëtar i mirëfilltë, gjuhëtar i pasionuar dhe përkthyes elitar, që u përcolli dhe i njohu lexuesit e etur shqiptarë me kryevepra të letërsisë botërore, të shqipëruara ngaherë me përkushtim dhe me një mjeshtri të rrallë.”

Pjesa e dytë e këtij motivimi, ku përmenden virtytet intelektuale dhe kulturore të Zhejit si përkthyes i njohur i kryeveprave të letërsisë botërore, do të mjaftonte për ta përligjur dekoratën.

nderi-mitchellPërkundrazi, pjesa e parë, ku Zheji cilësohet si “shkencëtar i mirëfilltë” dhe “gjuhëtar i pasionuar” nuk qëndron.

Veprat e tij me analiza “logjiko-matematike” të disa fjalëve të shqipes në përqasje me sanskritishten dhe me gjuhë të tjera, nuk i përkasin gjuhësisë, në kuptimin që ka kjo degë e dijes sot; dhe as më duket të jenë njohur dhe pranuar si të tilla nga ndonjë instancë akademike brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.

Nuk e kam të qartë se ku mbështetet, pra, presidenti Nishani, kur e quan Zhejin “shkencëtar i mirëfilltë.” Cilësimi pasues, “gjuhëtar i pasionuar”, gjithashtu nuk më duket i mjaftueshëm, për ta bërë dikë “Nderi i Kombit”. Dikush mund të studiojë gjuhën me pasion të pashembullt, dhe megjithatë të ndjekë një rrugë pa krye.

Kur i kombinojmë mes tyre cilësimet “shkencëtar i mirëfilltë” me “gjuhëtar i pasionuar”, që ndjekin njëri-tjetrin në motivacion, atëherë ka vend të supozohet se “Nderi i Kombit” i qenka dhënë zotit Zheji, veçanërisht, për meritat e tij si “gjuhëtar.”

Por a është kështu?

Sikurse mund ta verifikojë kushdo që është diplomuar në gjuhë-letërsi, studimet e këtij autori për shqipen nuk kanë të bëjnë me gjuhësinë historike dhe metodën historike-krahasuese dhe as mund të inkuadrohen në gjuhësinë historike ashtu siç lëvrohet ajo sot në Europë dhe gjetiu në botë.

Brenda praktikës dhe vizionit të gjuhësisë historiko-krahasuese, shqipja nuk është gjuhë mesianike, as ka lidhje të privilegjuara me sanskritishten dhe as përfaqëson kjo e fundit ndonjë model lashtësie ose primordialiteti. Hipotezat ambicioze të Zhejit mbeten të pavërtetuara, nga pikëpamja mirëfilli linguistike; dhe qasja mistike ndaj një lënde të konsoliduar siç është historia e një gjuhe, nuk përbën vetvetiu arsye për t’u mahnitur.

Prandaj edhe vështirë të gjesh sot një gjuhëtar specialist të fushës dhe aq më pak, albanolog, që t’ia njohë zotit Zheji meritat prej lëvruesi të dijes historike për shqipen dhe aq më pak që t’u referohet studimeve të tij.

Madje vetë Zheji nuk duket të ketë treguar ndonjë merak për t’i inkuadruar hulumtimet e veta në dijen historike-gjuhësore të shekujve XIX-XXI.

Sikurse e ceka më lart, Zheji e meriton të jetë “Nderi i Kombit” vetëm me kontributet e tij si përkthyes kryeveprash të letërsisë botërore; duke pasur këtu parasysh edhe rolin ndriçues dhe udhërrëfyes që luajnë përkthimet, në kultura periferike dhe të vonuara, si kjo jona.

Përkundrazi, përmendja e “arritjeve” të tij “shkencëtar” dhe “gjuhëtar” vetëm sa i vë një pikëpyetje të madhe motivacionit – të Presidentit Nishani – në akordimin e një dekorate të tillë, madje edhe vetë peshës dhe seriozitetit të gjykimit të Kreut të shtetit.

1 Koment

  1. Nuk ka asfare nevoje te jesh diplomuar ne gjuhe-letersi per te qene plotesisht dakord; perkthyes me vlere, as gjuhetar, as shkencetar. Keqardhje per Nishanin.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: