EFEKTE TË GLOBALIZIMIT

E kanë quajtur “Koloseu katërkëndësh” këtë ndërtesë ikonike, që disave u kujton arkitekturën racionale dhe disa të tjerëve megalomaninë musoliniane. Flas për “Pallatin e qytetërimit italian”, që ngrihet në lagjen EUR të Romës.

Eur-Pal.zo-della-Civiltà-del-Lavoro-9407-f.F.QMë lidh me të edhe një kujtim personal – kur kam shkelur për herë të parë në kryeqytetin e Italisë, ky pallat me bardhësi të bekuar më shërbeu disi për t’u mbrojtur ndaj shock-ut kulturor të një shqiptari që linte për herë të parë Shqipërinë e varfër, drejt pasurive marramendëse të vendit fqinjë; dhe më shërbeu sepse më sillte ndërmend, paradoksalisht, mbetjet arkitektonike të Italisë në Tiranë – duke filluar nga ndërtesa e Rektoratit, ish Luogotenenza e kohës së Duce-s.

Njoha atje një gjuhë që m’u duk se e kuptoja pak; i fola atij pallati dhe m’u përgjigj; ndryshe nga ç’më ndodhte me monumente të tjera të Romës, me të cilat ende nuk komunikoja dot.

Sikurse edhe në Gjermani, me arkitekturën naziste, edhe në Itali monumentet e një periudhe historike të errët, si ajo e fashizmit, janë parë dhe vazhdojnë të shihen ndonjëherë shtrembër; edhe pse kjo ndjenjë faji ose refuzimi asnjëherë nuk ka kaluar deri në harresë. Nga ana tjetër, ka shumë italianë që, trashëgiminë arkitektonike të atyre viteve, duan ta trajtojnë veçan nga fashizmi dhe ambicjet perandorake të Mussolini-t.

Gjithsesi, italianëve u duhet edhe shumë kohë që të arrijnë të kristalizojnë, për këtë shkollë të arkitekturës, atë lloj nderimi elitar që kemi kultivuar ne tashmë në Tiranë. Atje ku shumë qytetarë të vendit fqinjë shohin shenja dhe gjurmë të një gabimi historik, që e largoi Italinë nga tradita liberale-demokratike dhe pluraliste europiane-perëndimore, ne këndej shohim prova të përkatësisë sonë në Perëndim.

Kuptime të kundërta për të njëjtat hieroglife: provë e vlerës së tyre objektive.

Gjithsesi, në 2013 Koloseu katërkëndësh i qenka dhënë me qira grupit LMVH, që përfaqësohet nga firma të tilla si Louis Vuitton, Fendi, Loro Piana, Bulgari dhe Pucci, për 240 mijë euro në muaj, deri në vitin 2028.

Dhe një ditë prej ditësh, në tarracën e kësaj ndërtese, nxjerr krye një konstruksion misterioz, diçka midis strehës dhe skelës, pas gjase prej qelqi dhe metali, çfarë ka ngjallur reagime të forta nga politika dhe shoqëria civile anembanë Italisë.

1445015079-colosseo-quadrato

Mes këtyre reagimeve, edhe një i tanishëm nga artisti Pablo Echaurren, në Huffingtonpost.it; i cili denoncon përdhosjen e kësaj ndërtese monumentale nga një shtesë arrogante dhe e rastit. Si kanë guxuar të turpërojnë precizionin e dizajnit, përsosmërinë e strukturës dhe lakonicitetin e vizionit, me një baldakin të tillë të qelbët? pyet ai; dhe pastaj shton “Dua të shoh nëse do të lejonin në Paris, Chanel-in, që ta shndërronte Harkun e Triumfit në një butikë në ajër të hapur, apo të autorizonin Yves Saint Laurent që t’ia modifikonte pak siluetën Kullës Eiffel…”

Ose, do të shtoja unë, kushedi edhe që t’ia lidhnin një kravatë acetati me pikla kuqezi monumentit të Skënderbeut tonë, në mes të Tiranës.

Përfundon autori, duke cituar mbishkrimin e njohur të pallatit në fjalë: “Jemi një popull poetësh, artistësh, heronjsh/ shenjtësh, mendimtarësh, shkencëtarësh / lundërtarësh dhe mërgimtarësh…” dhe spekulatorësh ndërtimi të paskrupullt (palazzinari).

2 Komente

  1. Ose t’ia vendosnin nje tende godines se Kryeministrise…???

  2. Mua gjithmone me ka trishtuar ai monument aq i veçante, me sakte mbishkrimi i tij. Asnjehere nuk kam shkuar deri aty, por nuk e di nga cila ane i hyja Romes me tren dhe gjithnje ne afersi te saj lexoja qe nga larg ate mbishkrim, qe heren e pare me mrrekulloi: Nje popull poetesh… etj Dhe fort naivisht perpiqesha te gjeja nje dedikim per banoret fatlume te anes tjeter nga vija e ku kthehesha rregullisht. Kerkoj edhe sot e kesaj dite e nuk e gjej dot.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin