Fishta si ikonë

Më duhet ta pohoj menjëherë se Fishta nuk më pëlqen si poet. S’e vë në dyshim rëndësinë e tij si figurë politike dhe kulturore mbarëshqiptare, por kjo nuk ia vërteton as ia konfirmon automatikisht vlerat artistike.

Te “Lahuta e Malsisë” Fishta më tingëllon folklorizant dhe i mërzitshëm. Për të qenë i paanshëm, s’e mohoj se njëlloj bajat më tingëllon edhe Naimi i “Historisë së Skënderbeut” dhe i “Qerbelasë”. Poema të tilla epike kanë qenë arkaike për nga forma dhe primitive për nga koncepti që në kohën kur u shkruan, jo më sot kur edhe Kadareja mban ndonjëherë erë naftalinë.

Personalisht, nga Fishta më ka pëlqyer ndonjë satirë te “Anzat e Parnasit”.

Kur flasim për poezinë shqipe të Rilindjes nga këndvështrimi artistik, mendoj se as Fishta as Naimi nuk i afrohen as te gishti i këmbës Jeronim De Radës të “Milosao-s”. Fatkeqësia e De Radës është se shkruante në një të folme që sot nuk do t’ia kuptonte kush as në fshatin e vet, prandaj jemi të detyruar ta lexojmë të përshtatur.

Më në fund, Fishta si poet, për arsye të ndryshme, nuk luajti dot rol në letërsinë shqipe moderne. Naimi i dha bazën letrarishtes, ndërsa De Rada tërthorazi pati një ndikim të madh në poetët e viteve 70-80, në Shqipëri dhe në Kosovë. Fishta, përkundrazi, ndikoi disa poema epike të Kol Jakovës (“Heronjtë e Vigut”, “Muret e Krujës”), Aleksandër Banushit e të ndonjë tjetri, që sot vetëm si ilaçe për gjumë mund të përdoren.

Poezia shqipe moderne, që i ka fillimet te Migjeni, u konceptua edhe në kundërvënie totale me estetikën arkaizante të autorit të “Lahutës”. Sot është tepër vonë të ringjallet Fishta si poet, përtej studimeve historiko-letrare dhe filologjike, dhe deklamimeve protokollare të të gjithë atyre që poezinë duan ta përdorin për qëllime politike, jo për ta shijuar si art.

Nga ana tjetër, nuk më duket se ka kritere objektive për të vërtetuar nëse një shkrimtar është “i madh” apo jo, dhe sa “i madh” është!

Mes kritereve më të përdorura:

Kriteri utilitar: është i madh sepse na shërben ne (i shërben çështjes, kombit, fesë, idealit, demokracisë etj.).

Kriteri i publikut: është i madh sepse e kanë lexuar të gjithë (shitet shumë, njerëzit lënë kokën).

Kriteri i filiacionit: është i madh sepse e kanë ndjekur shkrimtarë të tjerë, ka themeluar një shkollë artistike ose një zhanër, ka shumë imitues.

Kriteri elitist (a): është i madh sepse na pëlqen ne (“të zgjedhurve”)

Kriteri elitist (b): është i madh sepse nuk e merr vesh njeri se ç’ka shkruar (“por ne e marrim vesh, sepse ne dimë”).

Kriteri teknik: është i madh sepse shkruan me stil të kulluar, ose e ka gjuhën të pasur, të pastër, etj.; ose vargun e ka teknikisht të përsosur, ose e interpreton traditën në mënyrë virtuoze.

Kriteri i autoritetit: është i madh sepse Çelniku (kritik i njohur, akademik, guru, shkrimtar tjetër i madh) ka thënë që është i madh.

Kriteri i traditës: është i madh sepse gjithnjë e kanë mbajtur të madh.

Kriteri tematik: është i madh sepse ka shkruar për tema me rëndësi të madhe (për ne, për ju, për kombin, për të drejtat e njeriut, për gruan).

Kriteri subjektiv: është i madh sepse më pëlqen mua.

Ka edhe kritere të tjera.

Unë mendoj se kur gjykojmë veprën letrare, duhet të mos i ngatërrojmë tiparet e veprës me tiparet e autorit. Fishta si figurë politike dhe Fishta si autor i “Lahutës” nuk duan trajtuar bashkë.

Kriteri utilitar ka qenë i pamëshirshëm me Fishtën, sepse regjimi komunist deri edhe varrin ia hupi. Sot, në bazë të të njëjtit kriter, Fishta glorifikohet nga njerëz që nuk marrin mundimin ta lexojnë, ose nuk dinë të lexojnë as e çajnë fort kryet për letërsinë.

Kriteri i publikut besoj nuk funksionon, sepse Fishtën nuk e lexojnë shumë. Edhe sikur të futet me detyrim në shkolla, prapë pak do të lexohet.

Kriteri elitist: nuk vlen, në rastin e Fishtës.

Kriteri teknik: për këtë pak mund të diskutojmë, sepse Fishta ka qenë teknikisht i përsosur, por është shfaqur në letërsinë shqipe me një shekull vonesë. Vështirë ta përfytyrosh si bashkëkohës të Migjenit, Lasgushit dhe Koliqit. Nga ana tjetër, Fishtën nuk e kanë ndjekur, madje as teknikisht, sepse ka qenë arkaik (arkaizant). “Lahuta” është plot e përplot me përftesa poetike tipike për poetë popullorë – përsëritje, klishe formale, rima foljore, karakterizime shabllon. Këto nuk kanë vlerë për lexuesin e sotëm, përkundrazi; prandaj edhe poema ju duket shumë njerëzve e mërzitshme.

Kriteri i autoritetit: për oportunitet politik, tani Fishtën të gjithë e lëvdojnë, madje edhe ata që e ndaluan dje.

Kriteri tematik: nuk më duket se ngre peshë në letërsi.

Kriteri subjektiv: shprehja “është i madh sepse më pëlqen mua” nuk ka kuptim. “Më pëlqen” ose “nuk më pëlqen” do të mjaftonte.

Dua edhe ta përsërit se një poet është i madh si poet për poezitë që ka shkruar, jo për veprimtarinë jashtëletrare. Dhe unë gjithnjë dyshoj se Fishtën sot e lëvdojnë shumë, por nuk e lexon njeri. Ky është problem serioz për një shkrimtar! Pse nuk e lexojnë Fishtën? Ngaqë e ka gjuhën të vështirë? Mundet. Ngaqë format artistike që përdor – poema epike, vargu tetërrokësh – janë arkaike? Ngaqë temat që trajton janë dydimensionale, krejtësisht të larguara nga bota e përditshme e shqiptarit lexues? Përsëri mundet.

Kultura të tjera kanë edhe ato autorë të vështirë, që i vënë në qendër ose në strumbullar të formimit të brezave: Italia me Danten, bota anglo-saksone me Shekspirin. Të dy këta nuk janë më afër realitetit të sotëm se Fishta, por megjithatë lexohen më shumë, madje më me ëndje. Për këtë meritë kanë jo vetëm programet e letërsisë në shkollat e të dy vendeve, por edhe mënyra si është integruar vepra e këtyre dy poetëve “kombëtarë” në indin e kulturës së të dy vendeve.

A mund të bëhet diçka e ngjashme me Fishtën në kulturën shqiptare, përtej përbetimeve dhe panegjirikëve dhe sesioneve shkencore të flashkëta të Akademisë? Mund të bëhet, duhet të bëhet. Mbaj mend se kur isha fëmijë, botën e mrekullueshme të Ciklit të Kreshnikëve, Mujit dhe Halilit, e njoha nëpërmjet “Tregimeve të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, një libër me vlera edukuese të paçmuara, përveçse i shkruar bukur. Falë Mitrush Kutelit, edhe sot e kësaj dite për mua Cikli i Kreshnikëve mbetet një burim kënaqësie estetike shpesh unike.

Të përshtatur më kanë ardhur më pas edhe De Rada, Dara (i riu), Santori. Përshtatja është një përftesë e dyshimtë nga pikëpamja filologjike, por ka si vlerë të madhe afrimin e lexuesit me trashëgiminë kulturore. Për shqiptarët ky afrim merr përparësi të padiskutueshme ndaj purizmit estetik-filologjik. A mund të bëhet një afrim i tillë i Fishtës me lexuesin e sotëm? Një libër rrëfenjash i nxjerrë nga “Lahuta”, një serial televiziv i mbështetur në motivet e poemës, një version besnik por në prozë (në gegërishte), një version tjetër në standard? Mund dhe duhet të bëhen.

Që “Lahuta” përfundoi e mësuar përmendsh në popull, si të ishte krijim folklorik i mirëfilltë, kjo sot nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, sepse recituesit e “Lahutës” janë një racë po aq margjinale dhe e rrezikuar sa edhe trashëgimia mirëfilli letrare e Fishtës vetë. Kultura shqiptare tanimë e ka kryer kapërcimin nga oraliteti në skripturalitet, prandaj forma të kulturës orale si rapsoditë, ose këngët epike “historike”, nuk funksionojnë më, pavarësisht nga dëshirat e mira të duartrokritikëve. Vepra epike e Fishtës ka mbetur jashtë këtij kapërcimi, çka nuk premton mirë.

Sa për poezinë lirike të Fishtës, kjo do të mbetet ushqim shpirtëror i një pakice, siç është gjithnjë poezia. Është e vështirë, vende-vende hermetike, përdor forma arkaike, i referohet një bote (malësisë, etosit katolik) që kërkon mund për t’u deshifruar nga shumica e lexuesve shqiptarë. S’ka asgjë për t’u shqetësuar, ata që do duhet ta lexojnë Fishtën – poetët shkrimtarët krijuesit e së nesërmes – do ta lexojnë përtej propagandës dhe shkuljes histerike së leshrave.

* * *

Kur flas për Fishtën, e mendoj gjithnjë si poet “timin”, sa kohë që e përfytyroj veten shqiptar, para se ta përfytyroj si tosk, si banor i dikurshëm i Tiranës, si qytetar. Po kur lexoj disa reagime kolegësh, më duket sikur këta mendojnë se Fishta u përket më shumë disa shqiptarëve sesa disa të tjerëve.

Për shembull: gegëve më shumë se toskëve.

Ose: katolikëve më shumë se ortodoksëve.

Ose: veriorëve më shumë se jugorëve.

Ose: antikomunistëve më shumë se komunistëve.

E kështu me radhë.

Ky dyzim katundarik i bën sot Shqipërisë më keq se “greko-serbi”.

Shqipëria i ka aq vjet ekzistencë si njësi super-lokale, super-krahinore dhe super-fetare, që ndarje si ajo mes gegëve dhe toskëve, veriorëve dhe jugorëve, katolikëve dhe ortodoksëve, të krishterëve dhe myslimanëve, të konsiderohen si kureshti folklorike.

Megjithatë marrëdhëniet mes shqiptarëve ndonjëherë s’ftillohen dot jashtë kësaj optike perverse.

* * *

Arsyet pse regjimi komunist ndaloi aq egërsisht vetëm disa shkrimtarë katolikë – mes të cilëve Fishta ishte më i shquari – në një kohë që toleroi disa të tjerë, mbeten për t’u sqaruar plotësisht.

E para arsye që të vjen në mendje është afrimi i Fishtës me fashizmin italian dhe bashkëpunimi i tij, simbolik dhe real, me italianët kur këta pushtuan Shqipërinë. Një tjetër arsye që dëgjojmë të përsëritet shpesh tani vonë, është anti-sllavizmi i njohur i Fishtës, i cili nuk u shkonte për hosh jugosllavëve dhe sovjetikëve, dhe filosllavëve të shumtë në kulturën shqiptare. Ndonjëherë është përsiatur edhe se Fishta u fundos për t’i hapur rrugë supremacisë së kulturës toske në Shqipëri.

Personalisht mendoj se Fishta u shurdhua dhe u censurua më shumë se të tjerë autorë katolikë sepse regjimi totalitar me të drejtë e pa si simbol të katolicizmit, ose asaj fillese kulturore në Shqipëri, e cila më shumë se çdo fillesë tjetër i kundërvihej hapur dhe papajtueshëm komunizmit.

Ishte ndër të tjera sakrifikimi i Fishtës që lejoi mbijetesën e Ndre Mjedës dhe Gjeçovit dhe të ndonjë autori tjetër minor nga katolikët.

* * *

Migjeni dhe Fishta kanë një dallim të rëndësishëm – në formë. Për nga forma, Fishta është tradicional e arkaik madje arkaizant, Migjeni modern. Migjeni u pëlqye nga poetët shqiptarë jo sepse e pompoi regjimi për majtizmin e poezive të tij – sepse regjimi pompoi, bie fjala, edhe Memo Meton e Aleks Çaçin – por sidomos sepse vargu i Migjenit lejonte një sensibilitet artistik më modern, më të kohës. Migjeni e lidhte poezinë shqipe me poezinë evropiane të kohës, ndërsa Fishta jo, e mbante të mbyllur në një muze kuriozitetesh. Një poemë epike e përmasave të “Lahutës”, në shekullin XX, ishte një anakronizëm i mrekullueshëm. Nga ana tjetër, në letërsi, sikurse gjetiu në shoqëri, ka një luftë brezash që zhvillohet përtej përplasjeve ideologjike dhe politike; dhe në këtë luftë Fishta i përkiste brezit të vjetër, ndërsa Migjeni brezit të ri.

[2005]

2 Komente

  1. E lexova me vemendje artikullin.Ke trajtuar nje problem aq sa delikat,por dhe te patrajtueshem.Sidoqofte argumentat nuk mungonin.Une jam verior dhe ne nje fare menyre jam dakort qe verioret mburren me Fishten,me gjithe figuren e tij,si poet,katolik dhe mendimtar.Te them qe jam edhe une nje nga ata qe mburren me Fishten siç shume intelektuale e bejne verdalle neper mitingje apo gazeta,do te ishte e kote sepse nuk e njoh aq mire vepren e tij dhe kam degjuar me shume se sa kam lexuar per historine e tij.
    Eshte nje figure e rendesishme po te marrim parasysh punen denigruese qe i beri regjimi i Hoxhes ketij shqiptari mbi te gjitha.Ai u be simbol i katolicizmit ne Shkoder dhe ne te gjithe veriun ne pergjithesi qe karakterizohet nga kjo fe.Vepra letrare e Fishtes mbeti per 50 vjet e mbuluar nga pluhuri dhe terri,keshtu qe nuk ka patur historiane apo kritike letrare qe ta studionin apo te merreshin me vlerat artistike qe ai mund t’i sillte poezise shqiptare.Eshte nje turp qe ne shkolla,vjershat e Fishtes nuk kane nje vend me te veçante,si dhe te shume autoreve te tjere.Ai mbetet nje figure e rendesishme,por besoj dhe shkrimtar i rendesishem.
    Kur isha ne shkolle te mesme,ne vitin e katert,ne oren e letersise (Antologjia letrare) shpesh vjershat e autoreve veriore i lexoja une dhe nje vajze nga Tropoja,ngaqe ishim prej Veriut?Pra me te drejte mund te pyesim se a eshte gjuha qe ai ka perdorur ne te shkruar qe ia mohon pak vlerat e verteta letrare si shkrimtar?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin