MBI SHKENCËN ROMANTIKE

Në kujtim të Olivers Sacks dhe Alexander R. Lurija

Oliver Sacks ishte i fiksuar me idenë e “shkencës romantike” në fushën e neurologjisë, ose neuropsikologjisë.

Këtë formë fenomenologjike të rrëfimit, të rasteve studimore historike e të personalizuara në fushën e neurologjisë, ai i atribuonte veçanërisht Alexander R. Lurija-s. Por termi ishte përdorur më parë nga Max Verworn[i], ndërsa metoda e rrëfimit është e influencuar nga Freud dhe Lev Vygotsky[ii].

Mendimi im është se shkenca romantike dallon nga përdorimi i stilit letrar në një artikull shkencor, anon disi nga shkenca popullore (pop science), por kurrsesi nuk është qasje jokonvencionale apo anti-intelektuale.

Stili, forma dhe përmbajtja e rrëfimeve të Lurias dhe Sacks janë të mrekullueshme, e njëkohësisht të mirë-argumentuara, me referenca të qarta në mendimin shkencor e filozofik të kohës.

Duke rrëfyer përvojën e tyre si mjekë, reflektimet mbi përjetimet e pacientëve, përpjekjet e tyre për t’i kuptuar dhe integruar këto përjetime në historinë e njerëzimit e të shkencës, ata dëshmojnë forcën e kësaj forme narrative të cilësuar “shkenca romantike”. Përkundër qasjes pozitiviste, kjo shkencë kërkon pjesëmarrjen aktive të hulumtuesit në dukurinë dhe subjektet që shqyrton.

Në “Mendja e një mnemonisti: Një libër i vogël mbi një kujtesë të madhe” Lurija nuk merret thjesht me diagnostikimin apo raportimin e “çudirave” apo “anomalive” të një personi me kujtesë marramendëse, të shtrirë sa në kohë edhe në hapësirë, e që mendonte nëpërmjet imazheve, por edhe me personalitetin e tij. Efektet e cilësive “supernjerëzore[iii]” mbi personalitetin e tij, përbëjnë gjithashtu kuriozitet për autorin, i cili donte të shmangte redukcionizmin dhe abstraghimin në metodologjinë klasike shkencore.

P.sh. Lurija përball përvojën “normale” njerëzore të të imagjinuarit, me atë të personazhit të tij “të çuditshëm”, që e përjeton veten dhe botën përreth nëpërmjet imazheve. Personazhi i Lurijas ka një tjetër lloj imagjinate. Jo atë krijuese që kanë shpikësit e mëdhenj, e cila operon në një mënyrë që ndodhet në kontakt të afërt me realitetin. Por atë imagjinatë që pengon veprimin. Veprimtaritë e kësaj imagjinate nuk orientohen për nga bota e jashtme. Ato ushqehen nga dëshira dhe zëvendësojnë veprimin, duke e bërë veprimin të duket i pakuptimtë (fq. 153).

Në kapitullin e shtatë të librit, që i kushtohet analizës së personalitetit, Lurija kritikon qasjen e psikologjisë klasike që i vështronte këto aspekte si të veçuara, dhe ofron një vështrim holistik të këtij personazhi. Pyetjet e Lurijës janë gati jokonvencionale. Fundja çfarë i duhet një neurologu të pyesë nëse bota e tij ndryshon nga kjo e jona, mbi përshtatjen në shoqëri dhe zhvillimin e personalitetit të një pacienti që “sheh” çdo gjë, që ndjen fizikisht imazhet e konceptet abstrakte, apo që shijon me majën e gjuhës numrat e telefonit (fq. 75 dhe159)?

Në po këtë libër Lurija rrëfen mënyrën që personazhi ka zgjedhur të memorizojë një formulë që nuk ka asnjë logjikë matematikore. Ky episod, që ilustron metodën e narrativës së shekujve të kaluar, si p.sh. të “Një mijë e një netëve”, rrëfimi brenda rrëfimit, është tepër mbresëlënës.

img

Neiman (N) doli dhe shpoi fort në tokë me shkopin e tij (.). Ai pa sipër në një pemë të lartë, e cila i ngjante shenjë së rrënjës së katrorit (V), dhe mendoi: “S’është çudi që pema është fishkur dhe ka filluar të nxjerrë rrënjët. Për më tepër, pema ishte këtu kur unë ndërtova ato dy shtëpitë” (d2). Edhe njëherë ai shpoi me shkopin e tij (.). Dhe pastaj tha: “Shtëpitë janë të vjetra, më duhet t’i heq qafe (X); * shitja do të sjellë më shumë para.” Fillimisht ai kish investuar 85,000 në to (85). Pastaj shoh çatinë e shtëpisë të shkulur (_______), ndërkohë që poshtë rrugës shoh dikë të lozë Termenvox (vx). Ai po qëndron afër një kutie postare, dhe në qoshe është një gur i madh (.), i cili ishte vendosur atje për të mbrojtur karrocat nga përplasja me shtëpitë. …” (fq. 49).

Kur Lurija inkurajonte Sacks të publikonte të tilla raste, sikur në “Awakenings” (Zgjimet[iv]), ai shprehet në “The man who mistook his wife for a hat” (Burri që e pandehte gruan si kapele) se histori të tilla, edhe pse skeçe e copëza përvojash, krijonin hapësira të reja në psikologji dhe neurologji, duke u shkëputur nga neurologjia e ngurtë dhe mekanike e së kaluarës (fq. 6).

Në këto rrëfime janë shkruar nga dy libra, sikur shprehet Luria dhe Sacks: (1) nga këndvështrimi klasik e analitik – një përshkrim objektiv i çrregullimeve, mekanizmave e siptomave; dhe (2) nga këndvështrimi ‘romantik’ – rrëfim me natyrë ekzistenciale e personale, që merr pjesë  empatikisht në përvojat dhe botën e pacientëve (Awakenings, fq. xxxvi). Shkenca romantike gjendet ndërmjet biologjisë dhe biografisë, kombinon mënyrën e të menduarit të paradigmës shkencore dhe të menduarit artistik.

Këndvështrimi romantik, pra pjesëmarrja empatike në përvojën e këtyre personazheve, mundëson rrëfimin artistik të jetës së këtyre pacientëve pas sëmundjes. Sepse, sipas Sacks (Awakenings, fq. xxxviii), bota e këtyre njerëzve që ne imagjinojmë, edhe pse e huaj dhe gati e pakuptueshme, mund të jetë edhe e jona.

P.sh. edhe pse ne nuk e njohim Rosa R., historia e saj na ndihmon ta shohim botën ndryshe, të habitemi e të zgjerojmë botën tonë nëpërmjet përjetimit dhe imagjinatës së botës së saj (ibidem).

Rosa R. u godit nga epidemia e encefalitit letargjik në moshën 21 vjeçare pas një përvoje jetësore të ngjeshur me aventura dhe përjetime pozitive. Rikonstruksioni që Sacks i bën jetës së saj na e afron personazhin sikur të ishim ne a një i afërti ynë në atë përhumbje disa vjeçare. Lexuesi e ndjek Rosa R. në makthin e saj paralajmërues të së keqes që do ta kaplojë, në dhimbjen, pafuqinë dhe habinë e familjarëve, në bisedat autentike e pacientes me mjekun e saj. Pyetjet e tij janë të sinqerta, dëshiron të mësojë mbi pacientët e vetë për të penetruar ‘arsyetimin’ dhe këndvështrimet e tyre.

Shënimet fundore, që përmbajnë hollësi si ky dialogu i mëposhtëm, dëshmojnë mjeshtërinë rrëfyese të Sacks dhe aftësinë e tij për të përcjellë një panoramë sa më të plotë, e cila e përfshin lexuesin në hulumtimin e autorit për të kuptuar përpjekjet e pacientes tek mundohet të ruajë tërësinë (in-dividualitetin) saj.

 “E pyesja shpesh znj. R. mbi çfarë po mendonte.

‘Asgjë, vetëm asgjë,” thoshte.

‘Por si mund të mendosh për asgjë?’

‘E thjeshtë fare, nëse e di si.’

‘Saktësisht, si mendon mbi asgjë?’

‘Një mënyrë është të mendosh vazhdimisht për të njëjtën gjë. Si 2=2=2=2; ose, unë jam çfarë jam unë çfarë jam unë çfarë jam .. Është e njëjta gjë me mënyrën e qëndrimit tim. Qëndrimi im më çon vazhdimisht drejt vetes sime. Çfarëdo të bëj ose çfarëdo të mendoj më çon thellë e më thellë drejt vetes. … E pastaj janë hartat.’

‘Hartat? Çfarë do të thotë?’

‘Çdo gjë që bëj është një hartë e vetvetes, çdo gjë që bëj është pjesë e vetes. Çdo pjesë të çon tek vetja. … “ (fq. 75-76)

Reflektimet e Sacks shkojnë përtej kuriozitetit shkencor dhe profesional. Ato janë qasje për të njohur individët në mjedisin e tyre (Lebenswelt) dhe penetruar në thellësinë e përjetimeve të pacientëve.

P.sh. duke rrëfyer mbi binjakët makina-llogaritës (idiot savant) Sacks heq dorë nga këndvështrimi shkencor për ti vëzhguar ata si subjekte dhe nga dëshira për ti testuar e eksperimentuar me ta. Nëse duam t’i njohim ata tek jetojnë, mendojnë, ndërveprojnë në mënyrën e tyre të veçantë, Sacks shprehet, atëherë duhet t’i vëzhgojmë ata haptazi, qetësisht, pa presupozime, duke iu qasur me simpati dhe të hapur këtij përjetimi fenomenologjik (The men who mistook his wife for a hat, fq. 196). Vetëm atëherë arrijmë të kuptojmë se këtu luan diçka e mistershme, “fuqi dhe thellësi të një lloji themeltar, të cilën nuk kam qenë në gjendje ta zgjidh në këta 18 vite që i kam njohur.” (ibidem). Më tej duke u munduar të kuptojë arsyetimin e binjakëve (nëse bëhet fjalë për një lloj arsyetimi, gati jo-njerëzor) dhe duke i vëzhguar në lojërat me numra që zhvillonin me njëri-tjetrin, Sacks nis udhëtimin e tij eksplorues nëpër shkencë, filozofi, muzikë e letërsi për të kuptuar këtë fenomen.

Erudicioni i Sacks është i hatashëm, e ai duhet lexuar me Wikipedian afër. Ndoshta me të vërtet i kritikojmë gjithollogët, por unë besoj se njerëzorja kuptohet (ose korrigjohet) pikërisht duke u përpjekur për të sintetizuar e përballur përvoja, mendime dhe metoda të ndryshme të qasjes ndaj realitetit.

(c) Autori dhe Peizazhe të fjalës


 

[i] Oliver Sacks. (2014). Luria and “Romantic Science”. In: Anton Yasnitsky et al. (eds.) The Cambridge Handbook of Cultural-Historical Psychology. pp. 517-528. [Online]. Cambridge Handbooks in Psychology. Cambridge: Cambridge University Press.

[ii] Good, Sally Rasor. (2000) “AR Luria: A humanistic legacy.” Journal of Humanistic Psychology 40(1), 17-32.

[iii] Raste të personave me kujtesë të gjerë janë të zakonshme, pasi tanimë ka edhe metoda për të zgjeruar aftësitë dhe mbajtur mend. Shih p.sh. Idriz Zogaj në Ted Talks. Por janë më të veçanta rastet sikur S. tek Lurija që mbante mend edhe pas shumë vitesh, dhe kanë problem të harrojnë. Një metodë të ngjashme si personazhi i Lurijas për të mbajtur mend numrat përdor p.sh. Arthur Benjamin. Disa prej metodave mund të jenë edhe algorithme të trurit, të ndërgjegjshme ose jo sipas rasteve, por ky shpjegim nuk e bind tërësisht Sacks.

[iv] Në “Awakenings” Sacks rrëfen për pacientë të prekur nga encifaliti letargjik, që ai i “zgjon” nëpërmjet dozave të larta të dopaminës (L-Dopa/levodopa).

 

Pjesa është korrigjuar pas komenteve

Nuk ka komente

  1. Kapedan, faleminderit per kete shkrim.

    Lexova nje dite me pare shkrimin e Dr. Myftar Barbullushit tek Panorama dhe do te me vinte vertete keq nese ai do te ishte shkrimi i vetem qe i perkushtohej Oliver Sacks ne shqip. Nuk po marr mundimin te dokumentoj plagjiaturen e rradhes – nuk me habiti aspak- por te pakten te ishte treguar i kujdesshem ne prezantimin qe i behet Dr. Sacks, emri i te cilit nuk permendet deri ne fjaline e fundit dhe libri i tij “On the move” figuron si “On the movie”. Me beri te vleresoj edhe me shume sa i rralle dhe i paperseritshem ishte Sacks ne rolin e tij si figure publike e humane.

    http://www.panorama.com.al/poeti-dhe-artisti-i-laureuar-ne-mjekesi/

    1. shume dakord. Sacks ishte tjeter lloj mjeku, jo si disa aspi karallonj kendej.

      Pasi ja kisha derguar shkrimin Xhaxhait lexova tek panorama kete trajtesen e Barbullushit dhe ngela i zhgenjyer. Por edhe mu be qejfi pse sado qe shkrimi im ishte i nxituar (Xhaxhait i faleminderit per ndreqjen e disa gabimeve) te pakten kishte nje perspektive origjinale, fundja askush nuk do te mbaj mend ngase vuante Rosa R. i Sacks apo S. i Lurija, por metoden dhe filozofine e se shkruarit se ketyre dy autoreve.

      Sidoqofte, dukej qe Barbullushi kishte marre larte e poshte, p.sh. paragrafi mbi shpejtesine nuk ka kuptim ashtu pa historine se Sacks ishte nje motorist me pervoje.

      Nga recensioni i M. Kakutani tek New York Times i “on the move” kishte marre disa paragrafe (p.sh. “Dr. Sacks writes not only with a doctor’s understanding of medicine and science but also with a Chekhovian sympathy for his patients and a metaphysical appreciation of their emotional quandaries. / “Dhe, çka është më surprizuese, këtë ai e realizon jo vetëm me njohuritë e një njeriu të mjekësisë dhe shkencës, por edhe me një simpati Çehovjane për pacientët e tij,” për të cilët thotë se pa ata nuk do të kishte mundur të jetonte kaq gjatë.

      Por ndoshta eshte edhe formati i gazetes qe nuk lejon citimin. Perndryshe le te urojme qe Barbullushi, anetar i grupit te reformes ne arsimin e larte qe e mbronte kete reforme pa asnje argument ne nje artikull tek panorama, te marre ca nga humanizmi dhe mencuria e Sacks, pavaresisht nese e ka lexuar apo jo.

  2. “The man who mistook his wife for a hat” (Njeriut që iu duk bashkëshortja si kapele)”

    Verej se fjala anglisht “mistook” eshte perkthyer ne shqip si “ju duk”.

    Mendoj se perkthimi nuk eshte i sakte nga ana e semantikes konceptuale asociative. Komenti im eshte i cytur nga natyra e vete shkrimit, eksploron ndryshimet thelbesore midis te imagjinuarit te njerezve “normale” dhe atyre qe diagnostikohen si devijime nga “normalja”, kryesisht paciente me probleme mendore, por jo domosdoshmerisht “gjenite”. 🙂 (kujtoj paragrafin: “P.sh. Lurija përball përvojën “normale” njerëzore të të imagjinuarit…)

    Duke kujtuar ketu se per imagjinaten “normale” eshte e veshtire te behen asocime midis kapeles dhe gruas, – perngjasimi fizik eshte krejt i pamundur, – pa qene nevoja te futemi ne ndonje letrarizem metaforik. Nuk eshte “dukje” por eshte nje “ngaterrim” prej nje mendje te semure.

    Semantika konceptuale asociative nuk merret me mendjet e semura, por me komunikim normal te ideve nepermjet fjaleve qe semantikisht percojne mendimin, idete, imagjinaten e nje mendje te shendoshe. Shqipja na e lejon qe te shprehim saktesisht mendimet, idete, qofte edhe nese ato origjinojne prej nje imagjinate qe i ka kembet te mbeshtetura ne realitetin objektiv.

    1. ne 20 sek e para te dhash te drejte – por pastaj reflektova

      iu duk – vjen nga perspektiva e atij qe e kryen veprimin, ne kete rrefim p.sh. ky personi ngaterronte objektet se i vizualizonte ndryshe, nje shkretetire per nje lugine, dhe e terheq gruan nga koka per ta veshur ne koke – dmth. ai i perceptonte objektet sic i dukeshin atij.

      ngaterroi – vjen nga perspektiva e nje te treti, e vezhguesit, pasi ai mendon se mund te shohe me mire, edhe pse sipas konstruktivizmit gjithcka eshte nje konstrukt ne kaptinat tona.

      mistook – eshte gjithashtu nga perspektiva e vezhguesit, keshtu qe per ti qendruar besnik autorit ndoshta e drejte do te ishte “ngaterroi”, por ve re se titulli ne anglisht eshte zgjedhur posacerisht per tingullin e vete (The Man who Mistook his Wife for a Hat – la la la la) 🙂

      1. Durimpak,

        Sa me siper, komenti, deshmon se durimi i paket shpesh ben qe edhe te gabosh. 🙂 Ne fillim mendova se mos ishte ajo cfare ne anglisht quhet “overanalyse”. Por as kjo nuk eshte.

        Duhet t’i vendosim gjerat ne perspektiven qe duhet. “The Glitch” qe ndodh ne mendjen jonormale eshte se ben lidhje te gabuara midis objekteve(gruan e quan, e merr per kapele apo vice-versa) Perdorimi, “iu duk” nuk do ta bente gabim, keshtu qe perkthimi do te qendronte.

        Autori perdor ne titull mistook, jo per rime(la la la la) por per te treguar(ne narrativen e tij) se mistake(p.t. mistook) – eshte nje folje qe perdoret per te treguar “a belief” te nje mendje te semure, duke injoruar, kaluar “dukjen reale, se si duket objekti” bazuar ne nje gjykim te manget, deficient.

        Sic edhe permenda me pare, nderhyrja ime lidhet me shume me permbajtjen e shkrimit tend qe analizonte mendjet e tilla.

        “…Veprimtaritë e kësaj imagjinate nuk orientohen për nga bota e jashtme. Ato ushqehen nga dëshira dhe zëvendësojnë veprimin, duke e bërë veprimin të duket i pakuptimtë (fq. 153).”

  3. Pse jo “Burri që e pandehu të shoqen kapele”, ruhet edhe rasa emërore dhe kryefjala e fjalisë?

    Lexoja mbi shkencën romantike të Sacks dhe mendoja shkencën romantike, në fakt poetike — kjo e Sacks më ngjan novelistike pa u futur në transformimet e komplikuara nga roman-romantike-Romantike — të Erasmus Darwin, tjetër gjeni polimat, gjyshit të atij tjetrit. “Botanic Garden”dhe sidomos “Love of Plants” është mahnitëse, poezi e shoqëruar me shpjegime dhe ilustrime nga artistë e poetë si Fuseli dhe Blake, një këngë dashurie për florën. Pa shkencën poetike të të gjyshit, C. Darwin zor se do kishte arritur në përfundimet që arriti. Diku në biografi e thotë, madje, që rruga e thatë shkencore që zgjodhi mund t’i ketë kushtuar pasuri morale dhe emocionale.

  4. Besoj se Kapedani ka të drejtë që ta përkthejë titullin e librit të Sacks ashtu si dëshiron dhe si ia thotë mendja. Përkthimi i sugjeruar prej tij ka natyrë shpjeguese – nuk është se autori po kërkon që ta botojë librin në shqip me atë titull, që të futemi tani në debate me natyrë semantike dhe editoriale.

    1. Edhe une mendoj se per qejfin e tij, Kapedani mund ta perktheje si te doje. Une si lexues, qe njoh edhe anglishten edhe shqipen, dhe librin ne fjale, komentoj, duke gjykuar mbi ate qe na eshte ofruar. Kjo i mbyll debatet me duket, pavarsisht se nuk e shteron rendesine e te quajturit te gjerave me emrin qe kane.

      1. dakord, me binde! si durimpak qe jam, kam nxituar edhe ne perkthimin e titullit te Lurijas “Mendja e nje mnemonisti” dhe jo “Jeta e nje…” sic e kam perkthyer une. Shpjegimi i pare eshte se e shkrujta sic e mbajta mend (Sacks ishte enciklopedi me dy kembe, une harroj shpejte), i dyti, ai pas reflektimit eshte se faktikisht ne kete liber behet fjale per jeten e ketij personi.

        gjithsesi, me pelqen me shume fjala ‘pandehu’ 🙂

        1. Une nuk propozova durimpak zevendesimin; u shpreha thjesht per nje saktesim, duke patur parasysh kuptimin e foljes. As mua nuk me pelqen fjala “ngaterrim”.

          “Pandehu” eshte nje zgjedhje qe tregon me shume si burim boten e brendeshme, jo realitetin. Merita i takon militschi-t. 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin