ARIU TEK MUSHKONJA

Një nga emisionet më të ndjekura radiofonike në Itali është pa dyshim “La zanzara” (Mushkonja), që transmetohet çdo mbrëmje nga Radio24. Në datën 1 shtator të këtij viti në këtë emision përmendet edhe Shqipëria, por jo për temat e zakonshme.

Një nga temat e ditës është gjuetia. Drejtuesi i emisionit kërkon të flasë me dikë për ta pyetur se çfarë ndjen gjatë gjuetisë. Merr në telefon një tip që tregon për aventurat e tij si gjuetar në Shqipëri. Rrëfimi i tij është halucinant, por më shumë për natyrshmërinë me të cilën tregon trimëritë e tij kur shkon i armatosur me pushkë me pompë. “Atje je burrë, thotë, ti përballë kafshës” dhe përmend adrenalinën që të përshkon trupin e të transformon krejt. Me sa duket, është tip që i pëlqejnë emocionet e forta.

Kur e pyesin nëse kjo gjueti është e ligjshme, përgjigjet: “Nuk është tamam e ligjshme”. Kur drejtuesit e emisionit replikojnë, sepse një veprim ose është e ligjshëm, ose është i paligjshëm, shton se “në disa zona të Shqipërisë ligji nuk shkon fare”. Sinqeritet çarmatosës.

Pastaj tregon se shkon në grup, pra është i shoqëruar me të tjerë njerëz të armatosur deri në dhëmbë, me kallashnikov. E nëse ti nuk e vret dot ariun e gjorë, është ai tjetri që e grin me breshëri. T’i ngre nervat kur shpjegon se shkojnë afër strofullave, pasi atje gjen arushat më të tërbuara, sepse duan të mbrojnë këlyshët. Çdo gjë për të siguruar adrenalinën e nëpunësit italian.

Mishin e ariut e lënë në pyll, ta hanë ujqërit. Kurse lëkurën dhe peliçen ia dhurojnë ndonjë plake vendase. Gjithsesi, marrin në makinë ndonjë pjesë të ariut si trofe gjahu. Së fundi, gjuetari “gjysmë i ligjshëm” arrin të bëjë një ftesë disi indirekte, sepse përmend faktin që për këtë gjueti mjaftojnë 150 eurot e biletës së avionit. Si të thuash, është gjueti e lehtë, pa shpenzime të mëdha. Me fjalë të tjera emocione e adrenalinë pothuajse falas. Shqipëria duket vërtet vendi i mrekullive.

Vështirë të mos jesh dakord me komentin e njërit nga drejtuesit e emisionit, i cili e cilëson si “vigliaccheria”, çka mund të shqipërohet si “paburrëri” dhe “poshtërsi”. (Emisionin mund ta ndiqni këtu nga minuta e 5,36).

Tani, nuk është se mediat shqiptare duhet të rendin pas një dëshmie të tillë, megjithatë nuk duhet ta lënë në heshtje çështjen e gjuetisë së paligjshme.

Po të shikosh aktet ligjore e nënligjore për mbrojtjen e kafshëve nuk mund të kapësh asnjë gabim, madje as drejtshkrimor. Janë të gjitha perfekte. Ja ç’lexojmë në Planin e Veprimit për Ariun e Murrmë, përpiluar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave:

Status i Ligjor i Ariut. Në ligjin dhe rregulloren aktuale të gjuetisë ariu është një specie e mbrojtur. Ariu konsiderohet si lloj me status të përkeqësuar (VU), dhe është përfshirë në Librin e Kuq të Faunës së Shqipërisë (1997 dhe 2004).

Mirëpo në shtyp është dhënë prej kohësh alarmi i rrezikut të zhdukjes së ariut të murrmë. (“Shekulli”, Alarm, ariu i murrmë drejt zhdukjes, E. Lata, 7 Korrik 2013).

Reagimi i politikës normalisht duhet të na qetësonte, sepse duket se ndërmerr nisma të vendosura në mbrojtje të specieve në rrezik zhdukjeje. Në janar të vitit të kaluar u shpall moratoriumi për gjuetinë në territorin e Republikës. Ja deklarata zyrtare:

Nisur nga situata kritike e popullatave të faunës së egër në Shqipëri, dhe humbja e diversitetit të llojeve, me propozim të Ministrisë së Mjedisit dhe vendim të Këshillit të Ministrave nr 1069, date 14.12.2013, Kuvendi i Shqipërisë, me datë 30.1.2014, ka miratuar, ligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”. Nga sot, Ministria e Mjedisit, do të bashkërendojë punën me Ministrinë e Punëve të Brendshme, doganat dhe tatimet për kontrollin e armëve të gjahut për një periudhë 2-vjeçare, afat kohor ky, i domosdoshëm për inventarizimin, planifikimin, rehabilitimin dhe mbarështimin e faunës në Republikën e Shqipërisë. (Miratohet ligji “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, 31 Janar 2014).

Ajo që bën përshtypje është mospërputhja midis vendimeve shtetërore dhe realitetit në terren, në rastin më të mirë, dhe hipokrizia ose skizofrenia e politikës, në rastin më të keq. Sepse institucionet qendrore e vendore bëjnë deklarata në favor të kafshëve, duke treguar vëmendje ndaj tyre, si në rastin e qenve që kanë mbushur kryeqytetin. Vëmendja ndaj kafshëve është cool përballë përfaqësive diplomatike, animalistëve dhe opinionit publik. Por nga ana tjetër, në realitet, nuk ndodh asgjë, fjalët nuk ndiqen nga veprat, sikundër ligji nuk pasohet nga zbatimi i tij.

Puna është se po të vazhdojmë kështu, biodiversiteti i faunës shqiptare do të varfërohet fatalisht. Kurse ariun e murrmë, po qemë me fat, do ta shikojmë vetëm në cirk ose në televizor. Sepse ta shikosh të vetmuar, pas hekurave të kopshtit zoologjik, është vërtet trishtuese. Por në malet e Shqipërisë nuk do të jetojë më, kurse fakti se do të mbijetojë në librat për fëmijë nuk është edhe aq ngushëllues.

Nuk ka komente

  1. isha kete vere ne disa fshatra te thella te korces ne kufi me gramshin. banoret atje e kishin marre seriozisht kete punen e moratoriumit. Kur pyeta nje punonjes se bashkise nese merrej vesh nese dikush gjuante andej, me tha se spiunonin barinjte. Por besoj se nga lagunat e orikumit, karavastase e patokut behet ende nami.

    1. Në emisionin radiofonik që citova më sipër, gjuetari italian nuk flet as për zonën ku shkon për gjueti, as për kohën kur ka shkuar. E kuptueshme. Por të jep përshtypjen sikur shkon shpesh, d.m.th. sikur e ka bërë rrugë.
      Këtë verë unë dëgjova se në Shqipëri është tepruar shumë me gjuetinë e dhisë së egër. Bëjnë kërdinë të huajt dhe vendasit, që më pas e përdorin për gatime speciale.

  2. nuk di andej nga veriu apo gjetke si behet por nga jugu, ky ndalim 2 vjecar i gjuetise pergjithesisht ka funksionuar. si tha edhe durimpaku, barinjte por edhe fshataret e zonave ku gjuhet “spiunojne” tek organet perkatese raste gjuetie te paligjshme dhe mund te them se reagimi eshte i shpejte.

    italiani me larte qe gjuan per adrenalinen nuk eshte gjuetar. eshte nje kriminel frikacak nga ata qe nuk duhet te kapin arme me dore. eshte per tu habitur sesi keta njerez marrin leje per armembajtje pasi ligji kerkon te kalosh nga nje doktor psikiater.

    nga gjahtaret qe njoh dhe qe kam mesuar prej tyre, asnjeri nuk ka gjuatur mbi arinj ose kafshe te tjera te kercenuara. mbaj vetem mend nje rast me nje djal te ri qe qelloi nje ari vetem nga paniku dhe frika pasi i doli ne prite (ne vend te derrit te eger).

    keshtu nga frika kisha qelluar edhe une mbi nje ujk por isha ne vetembrojte 😛 me doli perpara dhe nuk dija cte beja…

  3. E drejte cfare thone komentuesit ; varet nga zona. Une personalisht jam deshmitar qe ne zonen e Permetit, pergjithesisht ligji ka funksionuar.

    Ka nje problem.

    Shteti shqiptar sot e ka te pamundur te mbuloje territorin e vete, qofte edhe per sherbime themelore si spitale, shkolla, qendra sherbimesh administrative etj etj. E vetmja mundesi se si mund te funksionoje moratoriumi (por edhe prerja e pemeve) eshte me bashkepunimin e komuniteteve lokale. Gabim qofsha por mua me duket se malesore qe nuk duan as malin as pyllin ketu ne Shqiperi ka sa te duash, veri apo jug qofte.

    1. Ke të drejtë, duhet bashkëpunim me komunitetet lokale dhe duhet të punohet nga ana kulturore. Por është e vështirë. Për shembull, gjuetia e dhisë së egër ka dhjetëvjeçarë që është e ndaluar, pra nuk ka lidhje fare me moratoriumin, e megjithatë këto vite është gjuajtur prapëseprapë. Nuk kam prova, me foto e dokumente, por nga dëshmi e fjalë të ndryshme, kam dëgjuar se dhia e egër andej nga veriu është gjuajtur vitet e fundit.
      Ndalimi i gjuetisë dhe mbrojtja e faunës së rrezikuar mund të ketë funksionuar me zona të caktuara. Por ligji në Shqipëri e ka cenin e vet tek zbatimi. Do të ishte habi që me kafshët të funksiononte e në fusha të tjera jo. Gjithsesi, rëndësi ka që edhe për rastet e veçanta, si kjo e italianit, duke shpresuar të jenë të rralla e të përbëjnë përjashtime, duhet të merren masa që të mos ndodhin më.

  4. Gjuetarët-turistë nga Italia mund të mbahen larg, sikur shteti shqiptar të vë para ligjit një apo disa prej tyre dhe t’i ndëshkoj sipas ligjeve shqiptare – dhe rastin ta bëj publik në mediat e vendit dhe në ato italiane. Mungesa e tyre do të ulte edhe motivimin – të paktën atë financiar – të “arinjve” vendas me kallashnikov.

    Por italiani duket që ia ka marrë mirë dorën si vendit, ashtu dhe ligjeve aty: “në disa zona të Shqipërisë ligji nuk shkon fare”.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: