ANTIVIRUS JAM VETË

kompjuter-i-mbrojtur-nga-virusetDeri pak kohë më parë posta e mërzitshme (spam), viruset dhe format e tjera të rrezikshme të komunikimit online, na vinin në gjuhë të huaja. Teknika e vjetër ishte kjo: mesazh e-mail me një skedë bashkëlidhur ku fshihej virusi i keq. Ti lexoje mesazhin, hapje dokumentin bashkëlidhur dhe ja ku e infektove kompjuterin e dashur. Në rastin e mashtrimeve të tjera (si p.sh. phishing) mesazhi i postës elektronike të çonte nëpërmjet lidhjeve në faqe ku kërkohen të dhëna personale: karta krediti, fjalëkalime, kode e kështu me radhë. Krijimtaria e kriminelëve virtualë nuk ka të sosur.

Kohët e fundit këto mesazhe vijnë edhe në shqip, çka do të thotë në mënyrë indirekte se përdoruesit në këtë gjuhë po shtohen, përderisa janë bërë edhe objektiv i mashtruesve të internetit. Këshilla për t’u mbrojtur ndaj këtyre rreziqeve mund të gjenden kudo në internet, madje ka faqe të specializuara për këtë punë, siç janë edhe programet antivirus që përditësohen pothuajse çdo orë. Përdoruesit duhet të kenë kujdes të mos hapin dokumentet bashkëlidhur, nuk duhet të fusin në formularë online të dhëna personale, nuk duhet t’u përgjigjen mesazheve të çuditshme, duhet t’i përditësojnë sistemet operative dhe programet kundër viruseve, të përdorin filtra të posaçëm, etj.

Më rrallë jepet këshilla e leximit me vëmendje e tekstit. Zakonisht mesazhet që i shoqërojnë viruset janë të shkruara gjithë gabime, kryesisht sintaksore, për faj të përkthimeve automatike. Serverët nëpër botë, kur dërgojnë me breshëri miliona e miliona mesazhe spam, nuk është se harxhojnë kohën me detaje stilistikore. Kjo ndodh me të gjitha gjuhët, por dallohet më mirë tek mesazhet në gjuhë të vogla si shqipja, për të cilën nuk ka ende përkthyes të mirë automatik.

Ja çfarë mesazhi më erdhi para pak ditësh në një nga adresat e mia e-mail:

Përshëndetje
Emri im është XXXXXXX
i pa profilin tuaj sot () dhe u bë i interesuar në ju, unë do të doja të dini ju më shumë, dhe unë dua që ju të dërgoni një email në adresën time mail kështu që unë mund të ju jap foton time për ju të dini se kujt i am.Here është adresa ime email (xxxxxxx@yahoo.com)
Unë besoj se ne mund të lëvizin nga këtu! Jam duke pritur për postën tuaj në adresën time mail e mësipërme. Hir (Mos harroni në distancë ose ngjyra nuk ka rëndësi, por dashuria çështje shumë
në jetën) ju lutem kontaktoni me këtu (xxxxxxx@yahoo.com)

Duket qartë që teksti nuk është shkruar nga qenie njerëzore. Gabime ortografike nuk ka, por niveli gramatikor e sintaksor e tradhton “autorin”, në disa pika madje nuk ka kuptim. Marrësi mund të gënjehet e të mendojë se është shkruar nga një i huaj, por duhet fantazi, për sa kohë një person që e shkruan aq mirë fjalën nuk arrin më pas t’i rreshtojë siç duhet brenda një fraze. Lexuesi i vëmendshëm nuk bie në kurthin e këtij teksti absurd.

Nuk përjashtohet gjithsesi që të ketë plot përdorues të internetit që bien në gracka të tilla. Shkaku mund të gjendet tek mungesa e përvojës, por edhe tek mirëbesimi dhe kureshtja e tepruar. Kush ka shkruar vallë? Çfarë përmban skeda bashkëlidhur? Le t’i përgjigjem, se më duket interesant. Ndonjëherë luan rol negativ automatizmi i lëvizjeve të miut tonë kompjuterik, shpeshherë gjërat i bëjmë pa menduar, në mënyrë automatike.

Gjithashtu, rreziku është që pikërisht teksti i çuditshëm t’ia tërheqë vëmendjen marrësit naiv. Kush e njeh mirë gjuhën – edhe pse nuk mund të përjashtohet e kundërta – e kupton instinktivisht që ka diçka të dyshimtë në mesazh. Një rilexim i shpejtë vetëm sa t’i konfirmon dyshimet fillestare: një tekst i tillë është veçse kalë troje për mashtrim, meqë asnjë person normal nuk mund ta shkruajë kështu shqipen, struktura e veçantë e së cilës, në këtë pikë, na ndihmon shumë. Njohja mesatare e gjuhës funksionon më saktë se çdolloj antivirusi në qarkullim, aq më tepër që këta të fundit jo gjithnjë janë efikasë, pa përmendur faktin se programe të tilla janë gjithnjë me vonesë, sepse ndjekin nga pas shpikësit e viruseve, të cilët janë pashmangshmërisht një hap para.

Ja pra, një arsye më shumë për ta njohur më mirë gjuhën shqipe.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin