FJALËT SHQIPE – LISTA DHE PËRDORIME

(Shënim i autorit: Këtë ese e kam botuar pjesërisht dhe në një formë tjetër, por tani po ia sjell lexuesit të zgjeruar dhe të ripunuar, në kontekstin e debateve të muajve të fundit rreth historisë së gjuhës shqipe.)

Një nga kritikat më të zhurmshme – dhe më absurde – që i kanë bërë Fjalorit etimologjik të Kolec Topallit është se “i ka nxjerrë shumicën e fjalëve shqipe nga sllavishtja”; për fat të mirë, kjo kritikë vjen nga të paditur, amatorë, ndonjëherë edhe sharlatanë, që kujtojnë se deklarimi i tyre në favor të “lashtësisë shqipe” mund t’ua përligjë, madje jo vetëm moralisht, të gjitha çuditë që thonë dhe që bëjnë në publik.

Të njëjtën kritikë madje e dëgjon edhe për studimet etimologjike të Çabejt – i të cilit nxënës ka qenë Topalli. Sërish, një interesim i sëmurë për një fushë të vështirë të dijes, si etimologjia, ku nuk mjafton entuziazmi, për t’u përfshirë me kontribute dhe kritika.

Kjo kritikë e vë përballë profesionalizmin e albanologëve si Çabej dje dhe Topalli sot me patriotizmin shpesh teatral të kujt e sheh shqipen si fenomen unik, si relike të rrallë, si gjuhën “më të lashtë”, “hyjnore”, gjuhën e “Perëndive” – duke iu qasur një dukurie sociale kaq themelore, me mënyra irracionale, herë religjioze dhe herë edhe mistike.

Por pasioni në kufi të fanatizmit nuk mjafton, kur vjen puna për të gjykuar një vepër shkencore, si fjalori etimologjik. Dhe, në fakt, kritikat sipas “përqindjeve” tradhtojnë një keqkuptim të madh, ndaj mënyrës si funksionon gjuha dhe ç’vend zë leksiku në të.

Në fakt, fjalorët – të gjithë fjalorët – bazohen në lista fjalësh, zakonisht të renditura alfabetikisht, për lehtësi përdorimi. Një Fjalor i shqipes së Buzukut, do të përfshijë të gjitha fjalët që dalin te “Meshari” – pa asnjë dallim. Dhe nga ky vështrim, një Fjalor etimologjik i shqipes synon të përfshijë sa më shumë fjalë të shqipes, që kanë interes etimologjik. Për shembull, në Fjalorin etimologjik të Orelit, nuk janë përfshirë turqizmat dhe huazimet e tjera që kanë hyrë në shqipe, pas pushtimit osman; sepse ai autor nuk i konsideron me interes për synimin e veprës së vet.

Por, çfarë edhe ngre peshë për argumentin tonë, një fjalor etimologjik nuk ka arsye të ndalet në etimologjinë e fjalëve të prejardhura dhe të përbëra: pasi është marrë me etimologjinë e fjalës punë, etimologu nuk merret më me shpjegimin e fjalëve si punoj, punim, i punueshëm, punëtor, përpunoj, bashkëpunoj, ripunoj, ripunim, i papunë, papunësi, bashkëpunim, etj.; sepse këto fjalë janë lehtësisht të shpjegueshme, si krijime brenda shqipes. Ndryshe nga një fjalor i zakonshëm çfarëdo i shqipes, që këto fjalë i përfshin dhe i trajton normalisht, Fjalori etimologjik do t’i anashkalojë.

Dhe veç kësaj, Fjalori etimologjik nuk i dallon fjalët sipas statusit që kanë në ligjërim (në përdorim). Një fjalë e fondit të trashëguar të shqipes dhe me përdorim të gjerë, si barrë, do të renditet krah për krah me fjalë si barokë, basamak, baski, bastur, e plot të tjera, të cilat sot përdoren fare pak, në mos fare.

Kjo është arsyeja kryesore që analiza e fjalësit të një fjalori etimologjik sipas përkatësisë së prejardhjes (kaq latinizma, kaq sllavizma, etj.) nuk përkon me fytyrën reale të leksikut shqip, ashtu siç përdoret sot. Është e gabuar, tepër e gabuar, të ngatërrohet një fjalë, me okurrencat (hasjet) e saj në ligjërim; dhe kushdo që do të analizonte leksikun përfaqësues të ligjërimit shqip sot, në bazë të teksteve dhe përdorimeve reale, do të nxirrte rezultate krejt të tjera, nga ç’mund të tregojë analiza e thjeshtë e fjalësit të një fjalori, aq më tepër e një fjalori etimologjik.

Le ta ilustroj këtë, me shembullin e një poezie nga më të njohurat, të letërsisë shqipe bashkëkohore, “Mall”, nga Ismail Kadareja:

MALL

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
« Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç ».

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

(1976)

Po të vështrojmë leksikun e kësaj poezie nga pikëpamja e prejardhjes, do të vërejmë se fjalë si pikë, shi, ndiej, dy, shoh, duk, erdh, kjo, vjeshtë, një, mëngjes, si, edhe, ky, ca, ngrys, mes, sot, zgjuar, jam, bashkë, botë, fjetur, veç, ëndërr, thënie, rënë, kaq, keq, kam, zgjohem, vallë, bie, pa përmendur parafjalët dhe lidhësat, i përkasin në fakt ose leksikut të trashëguar të shqipes, ose janë formime shumë të vjetra (ylber por edhe vjeshtë, pikë, mëngjes, sot); ndërsa të tjera si befas, jetoj, thënie, çuditshëm janë krijime të brendshme të shqipes, me prapashtesa tipike. Nga ana tjetër, qelq, mall, qytet, rrallë, qiell, pak, vjetër, kujtoj, dreq janë huazime të shqipes nga latinishtja, të periudhës antike. Ndërsa lejlek është turqizëm. Thelbi i ndonjë etimologjie mund të diskutohet – p.sh. befas vërtet është formim i brendshëm i shqipes, por vjen nga beh/bef të cilën e marrin ndonjëherë për turqizëm; dhe mbiemri i çuditshëm, formim i brendshëm i shqipes, vjen nga tema çudi, të cilën shqipja e ka huazuar nga sllavishtja. Por, në masën dërrmuese, leksiku i përdorur fare natyrshëm në këtë poezi (natyrshëm, në kuptimin “pa neologjizma”) nuk i përgjigjet, për nga struktura etimologjike, përpjesëtimeve të leksikut shqip në një fjalor etimologjik të atyre viteve. Në kuptimin që përqindja e huazimeve në një fjalor të tillë, pavarësisht se nga ç’gjuhë ose të ç’moshe, nuk ka lidhje me strukturën historike të leksikut të shqipes në përdorim. Çfarë refuzojnë ta kuptojnë turbologët.

Po sjell një shembull tjetër teksti të shqipes bashkëkohore, këtë herë të nxjerrë nga hyrja e Kushtetutës në fuqi – një paragraf, për të krijuar një ide:

Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit […]

Në këtë tekst përdoren fjalë të fondit të trashëguar të shqipes, si Zoti, ne, i, dhe, për, tonë, me, njeri, si, një, gjithë, e thellë, ndër, janë, ose; por denduria e tyre është më e ulët se, p.sh., në një tekst letrar ose në ligjërimin e folur, sepse fondi i trashëguar i shqipes (fondi indoeuropian) është vetvetiu i varfër në fjalë abstrakte. Gjen atje edhe huazime më të vjetra nga latinishtja, si populli, ndërtoj, shtet, e drejtë, liri, paqe, e lartë; dhe ndonjë greqizëm si komb.

Por siç mund të merret me mend, te ky lloj teksti i regjistrit formal ndeshen relativisht dendur fjalët neolatine dhe ndërkombëtarizmat, të cilat zënë vend të madh në leksikun libror të shqipes: vlera, universale, demokratik, social, garantoj, histori, tolerancë, dinjitet, personalitet, prosperitet, kulturë, solidaritet, aspiratë, identitet, harmoni e kështu me radhë. Këto fjalë kanë hyrë në shqipe këto 150 vjetët e fundit, krahas me shumimin e shkrimeve shqip dhe nevojën për të krijuar një leksik abstrakt të publicistikës, politikës dhe të humaniteteve. Shqipja i ka marrë zakonisht nga italishtja dhe nga frëngjishtja, por i ka përshtatur sipas gjedheve të veta, si në rastin e emrave dinjitet, personalitet, prosperitet, solidaritet, identitet, të cilat nuk vijnë tamam as nga italishtja (dignità, personalità, prosperità, solidarietà, identità) dhe as nga frëngjishtja (dignité, personnalité, prosperité, solidarité, identité) por duket sikur ndjekin modelin e gjermanishtes (Prosperität, Solidarität, Identität); e njëjta paradigmë ndeshet në fjalë si universitet, fakultet, kapacitet, efikasitet, seriozitet, etj., duke dëshmuar, në fakt, që shqipja tani i pranon këto fjalë si të vetat, madje e ka gati strukturën për prurje të reja.

Por në leksikun e teksteve të tilla edhe më i madh është numri i fjalëve të formuara brenda shqipes nga tema të ndryshme – që mund të jenë ato vetë huazime, por mund të jenë fjalë vendëse; dhe fjalët vetë mund të paraqiten si neologjizma dhe kalke (huazime semantike): krenar, i vetëdijshëm, përgjegjësi, e ardhme, besim, vendosmëri, themelor, frymë, bashkëjetesë, fetar, zotim, mbrojtje, njerëzor, mirëqenie, shoqëror, shekullor, shqiptar, bashkim, kombëtar, bindje, drejtësi, bashkëpunim, njerëzim. Këto fjalë, që nuk i gjen në fjalorët etimologjikë, sepse nuk ka nevojë që të etimologjizohen, përbëjnë atë shtresë të rëndësishme të leksikut të shqipes moderne, që është përftuar brenda përdorimit letrar, pra që nuk vjen as nga dialektet, as nga gjuhët e huaja; por mund të vijë lirisht nga variantet letrare (shkodranishtja letrare, elbasanishtja letrare); dhe që në përgjithësi është produkt i përpjekjeve fjalëkrijuese individuale të shkrimtarëve, publicistëve, përkthyesve dhe terminologëve. Shumë nga këto fjalë janë kalke, ose mveshje shqipe e kuptimit të një fjale të huaj, nëpërmjet përkthimit: bashkëpunim është emër foljor i bashkëpunoj dhe i përgjigjet italishtes collaborare, collaborazione; mirëqenie pasqyron strukturën e italishtes benessere; e kështu me radhë. Fjalë të tilla janë tërësisht shqipe, edhe atëherë kur bazohen në tema të huazuara, p.sh. themelor që vjen nga themel, huazim prej greqishtes së re; ose shekullor që vjen nga shekull, huazim nga latinishtja saeculum.

Çdo hulumtues i leksikut të shqipes do ta shohë, herët e vonë, se një numër i madh fjalësh të shqipes letrare zënë vend në rrethprerjen midis elementit të huazuar dhe elementit vendës – disa, të llojit drejtoj, shëtitore ngaqë vijnë nga tema dikur të huazuara (drejt nga latinishtja directum, shëtit nga sllavishtja/serbokroatishtja šetati, të cilën e ka shi në këtë formë Buzuku), por që kanë marrë prapashtesa karakteristike të shqipes: , që formon folje nga gjithfarëlloj temash; dhe -ore që formon emra vendesh; aktivizimi i një huazimi në fjalëformim – ose prodhimtaria, siç e quajnë leksikologët – tregon integrim të mirë në gjuhë, aq sa përkatësimi etimologjik të bëhet irrelevant. Çabej iu kthye këtij aspekti të leksikut të shqipes më shumë se një herë, duke ngulur këmbë se, që tema e një fjale është huazim, kjo nuk i bën huazime fjalët e prejardhura prej saj, me mjete të shqipes dhe duke vënë në dukje se shumë studiues të shqipes gabimisht i kishin etimologjizuar fjalë të tilla si “huazime” – ashtu, fjalë si drejtoj, drejtim, drejtor, e drejtë, e padrejtë, drejtësi, padrejtësi, padrejtësisht etj. nuk ka arsye pse të shihen e të numërohen si huazime; dhe numri i tyre i madh e fut në krizë ndarjen mekanike të leksikut në fjalë vendi dhe huazime, meqë kjo ndarje – të cilën disa vazhdojnë ta bëjnë verbërisht – nuk merr parasysh zhvillimin e brendshëm të gjuhës. Një grup tjetër fjalësh, me karakteristika të ngjashme, janë kalket – ose huazimet kuptimore – të cilat mund të shfaqen si neologjizma, p.sh. epërsi që përkthen “superioritet”; huazime mirëfilli kuptimore, të tilla si kuptimi “gjeneratë” i fjalës brez, që rimerr turqishten kuşak (Çabej, SE II), në një kohë që brez vetë, me kuptimin “rrip mesi” etj., është fjalë vendëse (me gjasë adoptimi i metaforës të turqishtes është ndërmjetësuar nga ndonjë autor i Rilindjes që e njihte turqishten; sërish Çabej sheh te brezni nje “neologjizëm qytetar të Shkodrës”, si mënyrë për t’iu larguar mbingarkesës polisemike të brez); dhe më në fund, edhe si përkthime të gjymtyrëve të një fjale të huaj të prejardhur ose të përbërë, p.sh. bashkëpunoj si “përkthim” i cooperare (it.), nëndetëse si “përkthim” i sottomarino (it.) ose hekurudhë si përkthim i ferrovia (it.). Në rastin e fundit, lënda e fjalës është shqipe, por struktura kuptimore e huazuar; dhe të tilla kalke i ndesh rëndom në terminologji. Sërish, dukuria e përshtatjes leksikore ose e replikimit kuptimor është dëshmi e angazhimit aktiv të shqipes në përballjet dhe marrëdhëniet me gjuhë të tjera dhe, në një plan më të gjerë, e afrimit mes tyre të gjuhëve – në rastin tonë europiane – si pasojë e shkëmbimeve të dendura ekonomike dhe kulturore. Edhe metafora të tilla në dukje të pafajshme dhe të vetvetishme, si ndez në togje të tipit ndez televizorin i përkasin një strukture metaforike që i tejkalon kufijtë e kësaj apo të asaj gjuhe dhe që zhvendoset paralelisht me teknologjinë përkatëse; edhe pse shqipfolësit sot i duket krejt i logjikshëm kalimi nga ndez zjarrinndez dritën dhe pastaj ndez televizorin. Në ligjërimin popullor, janë të panumërta kuptimet e fjalëve të veçanta dhe frazeologjitë që gjuhët ballkanike i kanë të përbashkëta (“ballkanizmat”) dhe që i afrojnë mes tyre, në mendësi, popujt e Ballkanit; paçka se lënda leksikore e këtyre ballkanizmave ndryshon nga njëra gjuhë në tjetrën.

Po të shohim tani, në mënyrë krahasimtare, ndryshimet që ka pësuar leksiku i shqipes të themi këto 150 vjetët e fundit, që përkojnë me fillimet dhe pastaj konsolidimin e shqipes letrare (të shkruar), nuk mundemi veçse të vëmë re se prirje e përgjithshme ka qenë pasurimi me fjalë ose të përshtatura nga ligjërimi popullor, por më shumë me neologjizma dhe kalke, dhe më tej me huazime librore e ndërkombëtarizma, të cilat kanë shoqëruar, ndërmjetësuar dhe lehtësuar integrimin e shqiptarëve në bashkësinë politike, ekonomike dhe kulturore europiane; teksa kontaktet e shumëllojshme me gjuhë dhe kultura të tjera kanë ardhur në rritje, ndonjëherë të papërballueshme. Nga kjo pikëpamje, thirrja për të pasuruar leksikun me fjalë shqipe të mbledhura “nga goja e popullit” nuk i përgjigjet realitetit; sepse fjalët që i duhen shqipes sot nuk gjenden të gatshme në gojën e popullit dhe fjalët që gjenden në gojën e popullit, por që për arsye të ndryshme kanë mbetur jashtë fjalorëve normativë, i përgjigjen zakonisht një mënyre jetese të kapërcyer: është mirë që t’i regjistrosh në fjalorë dhe t’i dokumentosh; por nuk mund të shpresosh se do të zgjidhin problemet dhe do të mbushin zgavrat – sidomos në rrethanat kur “rekrutimi” i tyre kuptimor dhe terminologjik në shqipen librore, dhe pajisja e tyre me kuptime të reja, nuk konkurron dot me huazimin e drejtpërdrejtë ose me kalkun.

Natyrisht, është shumë e lehtë për dikë që të marrë një fjalor dhe të fillojë t’i ndajë fjalët në grupe dhe t’i numërojë; analiza e okurrencave në praktikën ligjërimore kërkon tjetër lloj impenjimi dhe ekspertize, shpesh të paarritshme nëmos fare të pakuptueshme për ata që u qasen këtyre punëve me pasion ideologjik, në mos mitologjik.

Prandaj, dhe le ta përsërit sepse e gjej me rëndësi: përbërja e fjalësit (listës së fjalëve) të një fjalori, qoftë ky edhe etimologjik por edhe çfarëdo fjalori tjetër, nuk pasqyron përbërjen e leksikut shqip sot në përdorim. Etimologut i interesojnë gjithfarë fjalësh – të rralla, dialektore, të vjetra dhe të vjetruara – që sot praktikisht nuk përdoren më. Kjo sepse synimi i etimologut nuk është t’i bëjë gjuhës shqipe analizën e gjakut, por të sqarojë prejardhjen e fjalëve të caktuara, si bazë për të kuptuar më mirë historinë e gjuhës, të kulturës dhe të popullit që e flet.

Fjalorin e parë etimologjik të shqipes e pat hartuar Gustav Meyer-i, edhe pse përpjekjet për të sqaruar etimologji fjalësh shqipe patën filluar shumë më herët – tek e fundit, edhe Franz Bopp-i në ato pak etimologji u mbështet, për ta klasifikuar shqipen si gjuhë indo-europiane.

Mirëpo në kohën e Gustav Meyer-it shqipja nuk njihej mirë; dhe studiuesit e kishin më të lehtë dhe të volitshme të merreshin me shqipen më mirë të dokumentuar dhe më të lehtë për t’u arritur, të ngulimeve arbërore në Greqi dhe arbëreshe në Itali. Çfarë edhe shpjegon pse te Meyer-i, por jo vetëm atje, leksiku periferik i të folmeve të ngulimeve dhe i letërsisë arbëreshe, i ndikuar thellë nga gjuhët fqinje, është përfaqësuar në Fjalor në një mënyrë që nuk i përgjigjet realitetit leksikor jo vetëm të shqipes sot, por edhe të shqipes së atyre kohëve.

Këtë specifikë të studimeve etimologjike të hershme e ka vënë në dukje me qartësi të madhe Çabej; duke shpjeguar edhe se, përqendrimi i hershëm te leksiku i ngulimeve arbëreshe e arbërore e pat deformuar tablonë e historisë së leksikut të shqipes.

E megjithatë, fjalët e trajtuara nga Meyer-i janë bërë tashmë pjesë e traditës etimologjike në albanologji; në mënyrë të tillë që albanologët e mëvonshëm, përfshi këtu edhe Çabejn vetë, kanë qenë të detyruar t’i marrin parasysh në studimet e tyre, duke i komentuar, miratuar ose hedhur poshtë sipas rastit.

Të folmet arbërore dhe arbëreshe kanë vendin e tyre specifik, në studimet e historisë së shqipes; por ato ndikime dhe zhvillime, që kanë ndodhur në të folmet, pas shkëputjes së tyre prej trungut ballkanik, duhen trajtuar veçan; në kuptimin që një pjesë e madhe e greqizmave dhe italianizmave, që dalin në ato të folme dhe në variantet letrare përkatëse, në masë të madhe nuk janë pjesë e historisë së shqipes ballkanike. Etimologët do të merren me to, sepse etimologët do të merren me gjithçka që i ndihmon të kuptojnë jetën e shqipes në rrjedhë të shekujve; përndryshe, pesha specifike e elementit leksikor të ngulimeve larg Shqipërisë, edhe në studimet etimologjike, ka ardhur duke u ulur, dora-dorës që ka përparuar njohja e leksikut në trojet e shqipes në Ballkan.

Për ta theksuar sërish: prania e fjalëve nga të folmet e ngulimeve, që kanë pësuar ndikim të thellë nga gjuhët rrethuese (greqishtja dhe italishtja), në studimet albanologjike është efekt anësor i një artifakti historik – dhe pikërisht, pamundësisë së studiuesve të shekullit XIX që ta mblidhnin e ta njihnin shqipen e Ballkanit në burim; këto fjalë vazhdojnë të trajtohen në fjalorët etimologjikë për hir më tepër të vijueshmërisë së dijes, traditës etimologjike dhe faktit që disa prej tyre janë dokumentuar mjaft herët dhe nuk mund të lihen mënjanë.

Me gjithë traditën e pasur albanologjike, shqipes dhe kulturës shqiptare ende i mungon një fjalor etimologjik për përdorim nga lexuesi me formim të përgjithshëm; përfshi këtu edhe Fjalorin e Topallit, i cili u drejtohet specialistëve. Duke parë interesin e madh të publikut, për çështje të origjinës, përfshi edhe origjinën e fjalëve, ky fjalor divulgativ ndoshta do të ndihmonte për të shpjeguar qoftë edhe vetëm dallimin midis huazimit të një fjale, si dukuri e shkëmbimit kulturor mes dy gjuhëve, dhe një fjale të huazuar, të cilën gjuha tashmë e ka bërë të vetën. Mosha e fjalëve gjithashtu ka nevojë të ndriçohet – një huazim nga latinishtja në lashtësi nuk mund të krahasohet me një huazim nga italishtja në shekujt XIX-XX. Në fakt, shumë njerëz që flasin për etimologji nuk e kuptojnë se për çfarë po flasin; sa kohë që nuk e kanë të qartë se fjalët nuk e bartin me vete historinë e prejardhjes së tyre.

Përndryshe, fjalorët etimologjikë – të tipit të Meyer-it, Çabejt, Orelit ose Topallit – nuk kanë gjë synim të provojnë këtë ose atë; por vetëm të sqarojnë rrugëtimin e fjalëve të shqipes në kohë; duke përcaktuar gjuhën burimore dhe kohën e hyrjes së një fjale, për huazimet; dhe pozicionin brenda sistemit rrënjor të indo-europianishtes, për fjalët e trashëguara (po lë mënjanë, si triviale, fjalët e prejardhura). Një etimologji e argumentuar mirë i shërben jo vetëm fjalës vetë, por edhe formulimit të rregullsive fonetike, të cilat pastaj mund të përdoren për etimologji të tjera. Nga ana tjetër, historia e shumë fjalëve plekset me historinë materiale të objekteve, teknikave, veshjeve e kështu me radhë; shpesh duke shërbyer si i vetmi burim që kemi, për të marrë vesh si jetonin shqiptarët dhe para-ardhësit e tyre në lashtësi.

Dhe nga ky këndvështrim, kontributi i huazimeve është i pazëvendësueshëm; sepse huazimet dëshmojnë, sado tërthorazi, për kontaktet mes popujve – dhe një gjuhë që ka huazuar shumë, është gjuha e një kulture të ekspozuar ndaj kontakteve të shumta me botën. Nëse shqipja është gjuhë indo-europiane për shkak të karakteristikave të saj themelore: gramatikore, fonetike dhe leksikore, ajo është gjuhë europiane për shkak të strukturës së leksikut të saj të huazuar. Fjalët me prejardhje latine, greke, sllave, italiane (dhe veneciane) dhe osmane, që janë integruar në rrjedhë të shekujve në leksikun shqip, janë dëshmi e historisë së folësve të gjuhës, të cilët kanë dhënë e kanë marrë me popujt përkatës.

Origjina e fjalës i intereson leksikologut, historianit të gjuhës, historianit dhe specialistit; por në përgjithësi nuk ka lidhje me rrafshin e përdorimit të saj. Kjo interferencë, e vetëdijes shpesh gjysmake të “pasaportës” së një fjale në ligjërim, jo gjithnjë i shërben përdorimit. Vetë folësi nuk ka arsye ta dijë, bie fjala, që fjala kovaç është huazim nga sllavishtja; sepse kjo vetëdije nuk do ta ndihmojë që ta përdorë fjalën kovaç më mirë a me efikasitet më të madh. Informacioni gjendet në fjalorin etimologjik; por ky informacion duhet përdorur me kujdes. Në përgjithësi, pastrimi i fjalëve nga ligjërimi, në bazë të së dhënave etimologjike, është formë e racizmit gjuhësor; një fjalë mund të hiqet nga një tekst për arsye praktike (gjuhësore, komunikative), por jo ngaqë ka biografi të keqe. Këtu nuk dua të diskutoj shumë purizmin si ideologji dhe as zbatimet e purizmit në kulturën e gjuhës; por vetëm të vë në dukje se purizmi, që të funksionojë në baza “shkencore”, ka gjithnjë nevojë për fjalorët etimologjikë; pa çka se vetëm amatorët ngulin këmbë për ta ngatërruar diakroninë me sinkroninë dhe për t’i mbështetur politikat gjuhësore mbi të dhënat për historinë e fjalëve.

Fjalori etimologjik është pjesë e studimit historik të një gjuhe, jo manual i politikave gjuhësore (leksikore) për t’u ndjekur – këtë nuk duan ta kuptojnë shumë prej atyre që shqetësohen nga “numri i madh” i huazimeve që gjejnë te Çabej ose te Topalli. Sikurse u orvata të tregoj tashmë në pjesën e parë të këtij shkrimi, çdo fjalë shqipe e regjistruar në fjalorët dhe në tekstet – në çdo periudhë të historisë së shqipes së shkruar – meriton të etimologjizohet; nuk ka fjalë më të meritueshme se të tjerat; edhe pse një fjalë e trashëguar mund të rezultojë, në analizë të fundit, më e dobishme për studimin, se një huazim periferik kontakti. Por gjuhëtari nuk mund t’i vërë vetes “detyrë” se si t’i orientojë etimologjizimet e veta, përveçse kur bëhet fjalë për parime të natyrës metodologjike. Për shembull, Çabej, si vazhdues i studimeve etimologjike të Joklit, i dha gjithnjë përparësi shpjegimit të historisë së fjalëve me mjete të brendshme të gjuhës, ndaj krahasimeve me gjuhë të tjera; dhe kjo e ndihmoi të arrinte rezultate të jashtëzakonshme, në kërkimet e tij etimologjike, të cilat shënojnë një kapërcim cilësor dramatik, edhe në raport me etimologjitë e Joklit, të cilat sot i tregojnë fort shenjat e moshës.

Etimologjia nuk është shkencë e saktë, por një kombinim i metodave rigoroze me subjektivitetin e etimologut; çfarë duket veçanërisht qartë në ato raste kur një fjale nuk i gjendet dot prejardhja, dhe që për shqipen nuk janë të pakta. Si edhe në fusha të tjera të dijes, paqartësitë e sotme mund të çelin rrugën për zbulime të nesërme; dhe nuk do të ishte çudi sikur në shtresën e trashëguar, por të pashpjeguar mirë të shqipes të gjendeshin përgjigje për një numër çështjesh dhe misteresh që ende i mundojnë studiuesit; duke filluar nga marrëdhëniet parahistorike mes shqipes dhe greqishtes së vjetër, për të cilat unë besoj (dhe shpresoj) se nuk është thënë ende fjala e fundit. Një tjetër fushë premtuese – gjithnjë për mendimin tim – do të ishte hulumtimi i strukturave dialektore në shqipen e antikitetit, në bazë të trajtimit fonetik të diferencuar të huazimeve latine, ose të faktit që tinguj dhe grupe tingujsh të njëjtë në fjalët latine kanë dhënë reflekse të ndryshme në shqipen. Për këto dhe të tjera perspektiva, etimologjitë e sigurta përfaqësojnë gjithnjë pikënisje të domosdoshme.

Përqindjet mes fjalëve vendëse dhe fjalëve të huaja në një fjalor të shqipes, qoftë ky normativ, historik apo etimologjik, varen nga natyra e fjalorit vetë – dhe parimet që ndjekin autorët për të zgjedhur fjalët. Një fjalor etimologjik mund të mjaftohet me disa pak mijëra fjalë, të cilat meritojnë të etimologjizohen nga specialisti, siç edhe është vepruar nga Meyer-i te Çabej, Oreli dhe Topalli, sa për të përmendur pak emra. Fjalorët e këtij lloji merren me fjalë që nuk janë produkt procesesh fjalëformuese të tejdukshme – u mjafton, për shembull, të trajtojnë fjalën drejt dhe të mos merren me drejtoj, drejtor, drejtim, i drejtë, i padrejtë, drejtësi etj., të cilat janë derivate të drejt. Edhe vetëm ky kriter e zhbalancon listën e fjalëve që trajton fjalori, sepse – pa dashur – u jep përparësi huazimeve, të cilat ndryshe nga fjalët e formuara brenda shqipes, nuk mund të analizohen gjithnjë në pjesët e tyre përbërëse; dhe ashtu huazimet zënë në fjalor vend përpjesëtimisht më të madh, se fjalët vendëse. Nga ana tjetër, shqipja është shkruar relativisht vonë dhe nga relativisht pak autorë; leksiku i shqipes së shkruar mbetet, për këtë arsye, i varfër dhe i detyron shkrimtarët të përdorin fjalë të huaja, fjalë të rralla shpesh me prejardhje të dyshimtë dhe neologjizma, të cilat jo gjithnjë zënë vend. Prandaj edhe fjalorë si FGJSSH i kanë dhënë vetes edhe mision “normativ”, duke shërbyer zgjedhjet e autorëve edhe si normë leksikore për gjuhën letrare. Këtë çështje nuk e trajtojmë dot këtu më gjatë, por le të themi se leksiku i shqipes së sotme mbetet i pastabilizuar.

Sa i përket shifrës së fjalorit shqip me “93 për qind huazime” që zakonisht e qarkullojnë njerëz të paditur, dashakeq ose thjesht llafazanë, kjo nuk dihet se nga vjen dhe kush i ka numëruar huazimet. Por, sa i përket fjalorëve etimologjikë, po dua t’i referohem këtu Hyrjes në Studime etimologjike në fushë të shqipes (I) nga Çabej (Tiranë 1982), ku ky autor shpjegon – në thelb – se statistikat e bazuara në numërimin dhe klasifikimin mekanik të fjalëve të përfshira në një fjalor etimologjik të shqipes janë më shumë artifakt i llojit të fjalorit vetë; teksa përfundimi që ka arritur ai vetë, duke studiuar fjalësin themelor të gjuhës, është se “nga 1424 fjalë të marra prej tij në shqyrtim, 667 fjalë vendi qëndrojnë përballë 757 huazimeve” (f. 115). Dhe në çdo rast, ky përpjesëtim nuk ka të bëjë as me dendurinë reale të përdorimit në shqipen edhe të folur edhe të shkruar; dhe as me strukturën e një fjalori çfarëdo të shqipes së sotme, ku zënë vend shumë të madh fjalët e prejardhura, neologjizmat terminologjike dhe kalket.

© 2019-2024 Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin