ORIGJINA E KRISHTERË E SHKENCËS MODERNE

Nga Kaon Serjani

Përkundër mendimit popullor se krishterimi e ka penguar shkencën apo se shkenca dhe doktrina e krishterë janë në konflikt, sot shumica e historianëve pajtohen se Shkenca Moderne, në fakt, lindi dhe u zhvillua për shkak se themeluesit e saj përqafuan premisa që rrjedhin nga një këndvështrim biblik i natyrës. (Me Shkencë Moderne kuptohet zhvillimi shkencor që ndodhi në vitet 1500-1700 në Europë – i njohur shpesh si Revolucioni Shkencor – periudhë në të cilën pati përparime të mëdha dhe me rezultate të përpikta në fizikë, astronomi, biologji dhe kimi).[1]

Për të hetuar nëse kjo tezë qëndron, mbase pyetja më e rëndësishme që mund të ngrihet është se pse ky revolucion shkencor nuk ka ndodhur në qytetërimet e lashta si ai egjiptian, babilonas, kinez, romak apo grek, por vetëm në Europën e krishterë? Pa dyshim, këto kultura të lashta janë të njohura për zbulimet, shpikjet dhe ndërtimet e tyre të sofistikuara (siç ishin, për shembull, piramidat egjiptiane, busullat kineze, ujësjellësit romakë apo analizat e natyrës që bënin filozofët grekë të antikitetit). Këtyre qytetërimeve të lashta nuk u mungonte as ato që historiani i shkencës dhe ish-fizikani i Universitetit të Oksfordit, Piter Hoxhson (Peter E. Hodgson) (1928-2008) i quan “4 elementë bazë” që duhet të ketë një qytetërim për të bërë shkencë.

Së pari: thotë Hodgson, për të bërë shkencë, një shoqëri duhet të jetë në gjendje të garantojë një mbështetje ekonomike për disa individë në mënyrë që ata të kalojnë pjesën më të madhe të kohës duke studiuar natyrën, dhe pa u shqetësuar për të siguruar jetesën. Së dyti: një shoqëri duhet të ketë një teknologji minimale për të bërë eksperimente. Së treti: një shoqëri duhet të ketë një sistem shkrimi. Dhe së katërti, një shoqëri duhet të ketë një gjuhë të simboleve matematikore në mënyrë që shkencëtarët të mund të regjistrojnë matjet dhe t’i komunikojnë rezultatet e studimit njëri-tjetrit.[2] Edhe pse qytetërimet e lashta të lartpërmendura i kishin këto elemente, ndonëse në një formë më të thjeshtë, përsëri revolucioni shkencor nuk ndodhi në ato qytetërime por ndodhi në Europë në shekujtë 16-të dhe 17-të.

Sipas studiuesit amerikan Ian Barbër (Ian Barbour) (1923 – 2013), i cili ka hulumtuar marrëdhëniet midis shkencës dhe fesë, “shkenca në formën e saj moderne” u zhvillua “vetëm në qytetërimin perëndimor, midis të gjitha kulturave të botës”, sepse vetëm Perëndimi i krishterë kishte “presupozimet intelektuale”, të cilat shërbeun si themeli mbi të cilin u ndërtua kjo shkencë.[3]

Ky mendim, se krishterimi frymëzoi dhe nxiti shkencën moderne, nuk është i izoluar. Filozofi gjerman Fridrih Niçe (1844-1900), edhe pse një kundeshtar i krishterimit, pranoi që “nuk ka njohuri ‘pa presupozime’… një filozofi, një ‘besim’ duhet të jetë gjithmonë para së gjithash, në mënyrë që dija të fitojë prej saj një drejtim, një kuptim, një kufi, një metodë, një të drejtë për të ekzistuar…Besimi ynë në shkencë bazohet ende në një besim metafizik, edhe ne njohësit e sotëm, ne të pafetë dhe antimetafizianët, ende e marrim flakën tonë nga zjarri i ndezur nga… besimi i krishterë…që Zoti është e vërteta, se e vërteta është hyjnore.”[4] Edhe filozofi dhe matematikani britanik, Alfred North Uajthed (Whitehead) (1861-1947), foli me siguri se shkenca moderne ka lindur në një kontekst të krishterë, sepse, siç shpjegon ai, vetë ideja se shkenca është e mundur “rrjedh nga teologjia mesjetare [e krishterë]”.[5]

Edhe nëse ndokush do ta kundërshtonte këtë tezë duke thënë se themeli i revolucionit shkencor është antikiteti, veçanërisht ai grek, historiani i shquar i antikitetit, Eduin Xhaxh (Edwin Judge), pajtohet me përkufizimin e Uajthed kur shkruan se: “Si eksperimenti në shkencë, ashtu edhe citimi i burimeve si dëshmi në histori, të dy kanë dalë nga botëkuptimi i Jeruzalemit, jo i Athinës, nga judenjtë dhe të krishterët, jo nga grekët.”[6] Në fakt, jo vetëm që shkenca moderne nuk erdhi si fryt i mendimit grek për studimin e natyrës, por madje historianët e shkencës pajtohen se në mënyrë që shkenca moderne të lulëzonte, duhej të ndodhte një shkëputje nga mendimi grek.

Shkëputaja nga mendimi grek

Cili ishte mendimi grek kur bëhej fjalë për studimin e natyrës? Sipas filozofit të shkencës, Stivën Mejër (Stephen Meyer), “Megjithëse filozofët grekë, hebrenj dhe të krishterë ranë dakord të gjithë për racionalitetin e natyrës”, disa ide greke nxitën një lloj të filozofuari, si te thuash, “nga kolltuku”.[7] Që do të thotë, se, shpesh herë, përfundimi se si funksionon natyra nuk kufizohej nga vëzhgimet empirike. Ndoshta këtu vlen të përmendet se grekët nuk e kishin ende përcaktimin “shkencëtar” për atë që studionte natyrën. Ai njihej si “filozof i natyrës” dhe ky përcaktim u përdor deri vonë. Për shembull, libri i Isak Njutonit titullohej Parimet Matematikore të Filozofisë Natyrore (Philosophiæ Naturalis Principia Mathematica) i botuar për herë të parë më 5 korrik 1687. I pari që përdori termin “shkencëtar” ishte historiani i shkencës Uilliam Hiuell (William Whewell) (1794–1866) në vitin 1833.[8]

Filozofët grekë të natyrës besonin se natyra pasqyronte një rend që buronte nga një parim logjik vetë-ekzistent, jopersonal i quajtur LOGOS (dhe jo, për shembull, nga një mendje inteligjente ose Qenie Hyjnore me vullnet).[9] Mejër na jep një shembull se si është nxjerrë përfundimi për një fenomen natyror bazuar në “mendimin grek”. Ai shkruan, “Në astronomi, për shembull, Aristoteli [shih “Mbi Qiejt”][10] dhe Ptolemeu [shih “Almagesti”][11] të dy supozuan se planetët duhet të lëvizin në orbita rrethore. Pse? Sepse sipas kozmologjisë greke, planetët lëviznin në fushën ‘kuintenciale’ të sferave kristalore [përtej hënës], një mbretëri qiellore në të cilën ishte e mundur vetëm përsosja. Meqenëse, përfunduan ata, forma më e përsosur e lëvizjes ishte rrethore, planetët duhet të lëvizin në orbita rrethore.”[12] Mirëpo, sot ne e dimë, siç e vërtetoi astronomi dhe matematikani gjerman Johanes Keplër (Johannes Kepler) (1571-1630) në shekullin e 17-të, që planetët lëvizin jo në rreth, por në një formë eliptike, por ai nuk arriti në këtë përfundim duke filozofuar “nga kulltuku”, por nga vëzhgimet e tij empirike.

Duhet thënë se Aristoteli u rizbulua nga evropianët në shekullin e 11-të dhe shumë nga idetë e tij dominuan deri vonë, si p.sh., ideja se universi është statik (i palëvizshëm). Ky mendim u hodh poshtë vetëm në shekullin e 20-të, përmes vëzhgimeve me teleskopë të astronomit amerikan Eduin Habëll (Edwin Hubble) (1889-1953).[13] I ashtuquajturi “mendimi grek” mbi studimin e natyrës dominoi deri vonë në akademitë e Europës së krishterë, sepse disa teologë të krishterë ishin përpjekur të sintetizonin teologjinë me filozofinë greke (dhe kur u rizbulua Aristoteli, u pranuan si të sakta edhe supozimet e tij kozmologjike).[14] Duke supozuar të vërtetën e parimit themelor vetë-ekzistent të Logosit, shumë teologë dhe filozofë të krishterë kishin dalë gabimisht në këto përfundime:

  1. se universi duhet të jetë i përjetshëm;
  2. se Zoti nuk mund të krijonte specie të reja;
  3. se Zoti nuk mund të kishte krijuar më shumë se një sistem planetar;
  4.  se Zoti mund të mos bënte një hapësirë boshe;
  5. se Zoti nuk mund t’u jepte planetëve orbita jorrethore; dhe shumë propozime të tjera të tilla.[15]

Atëherë, kur filluan filozofët e natyrës të shkëputeshin nga mendimi grek i studimit të fenomeneve natyrore dhe të zhvillonin kështu një qasje më empirike? Kjo ndodhi vetëm kur ndryshoi mendimi se cili është burimi i rregullsisë në natyrë. Sipas historianëve të shkencës, kjo zhvendosje e mendimit ndodhi për shkak të ritheksimit të disa doktrinave biblike gjatë mesjetës së vonë dhe veçanërisht gjatë dhe pas Reformës Protestante.[16] Në fakt, siç shihet në figurën e mëposhtme, periudha e revolucionit shkencor përkon me periudhën e reformimit protestant.

(Reformimi protestant pranohet të ketë filluar më 31 tetor 1517 kur Martin Luteri gozhdoi 95 tezat e tij në derën e kishës në Uitenbergut dhe përfundoi me Paqen e Vestfalisë në 1648, e cila i dha fund Luftës Tridhjetëvjeçare.[17] Fillimi i revolucionit shkencor konsiderohet viti 1543, i cili është edhe viti i botimit të veprës Mbi revolucionet e sferave qiellore të Nikola Kopernikut (1473-1543), ndërsa viti 1678, që është viti i botimit të veprës Principia të Isak Njutonit (1642 – 1727), pranohet si viti mbylljes së tij. Për shembull, Enciklopedia Filozofike e Stanfordit i referohet si “i ashtuquajturi Revolucion Shkencor nga Koperniku te Njutoni”.[18])

Historianët e shkencës pajtohen se presupozimet intelektuale që rrodhën nga ristudimi i doktrinave biblike gjatë mesjetës së vonë dhe gjatë Reformës Protestante, sollën ndryshimin e mendimit që bëri të mundur nxitjen e revolucionit shkencor. Në librin e tij Kthimi i hipotezës së Zotit: Tre zbulime shkencore që zbulojnë mendjen pas universit, botuar nga HarperOne në vitin 2021, Stivën Mejër analizon tre presupozime intelektuale të krishtera që u bënë, si të thuash, “toka pjellore” ku u mboll dhe u rrit shkenca moderne.

Natyra është e varur nga Ai që e krijoi

Sipas Mejërit, presupozimi i parë intelektual që rrodhi nga doktrinat biblike është ideja se natyra është e varur (The Contingency of Nature), që do të thotë se ekzistenca e natyrës nuk shpjegohet vetvetiu, por ekziston si entitet i varur ose i kushtëzuar nga Ai që e ka krijuar (Zoti).[19]  Pra, Krijuesi, i cili ka inteligjencë dhe vullnet, ka zgjedhur se çfarë universi do të krijonte, që do të thotë se natyra mund të ishte ndryshe nga ajo që është. Mejëri e ilustron këtë presupozim si vijon: “Ashtu siç ka shumë mënyra për të pikturuar një pikturë ose për të skicuar një orë ose për të organizuar libra në një bibliotekë, po ashtu ka shumë mënyra për të projektuar dhe organizuar një univers.”[20]

Cili është nënkuptimi këtu? Për shkak se universi u krijua nga një mendje racionale, rendi që shohim në natyrë mund të kishte qenë ndryshe. Prandaj, tanimë, “filozofët e natyrës” nuk duhet të nxirrnin përfundime për rregullsinë e natyrës thjesht duke u nisur nga parimet logjike se si duhet të jenë gjërat, por duhet ta vëzhgonin natyrën me kujdes dhe në mënyrë sistematike. Këtë ide parashtroi një nga figurat më të rëndësishme të revolucionit shkencor dhe themeluesi i kimisë moderne, Robert Bojl (Robert Boyle) (1627–1691) , kur tha se Zoti e bëri botën ashtu siç donte ai, dhe puna e njeriut është të zbulojë se si e krijoi Zoti.[21] Prandaj, duke e thënë me fjalët e Ian Barbër, “Doktrina e krijimit nënkupton që detajet e natyrës mund të njihen vetëm duke i vëzhguar ato“.[22]

Natyra është e kuptueshme

Një tjetër presupozim intelektual që rrodhi nga studimi i doktrinave biblike ishte ideja se natyra është e kuptueshme. Albert Ajshtajni (1879 –1955), edhe pse nuk shkroi nga një këndvështrim i krishterë, ai megjithatë bie dakord se presupozimi se natyra është e kuptueshme është një ndikim i krishterimit në zhvillimin e shkencës moderne. Në një artikull me titull “Shkenca dhe feja” botuar në revistën Nature në vitin 1940, Ajshtajni shkroi se “shkenca mund të bëhet vetëm nga ata që janë plotësisht të mbushur me aspiratën drejt së vërtetës dhe të kuptuarit. Megjithatë, kjo premisë buron nga sfera e fesë. Kësaj i atribuohet edhe besimi në mundësinë që rregullsia e botës të jetë racionale, pra, e kuptueshme për arsyen. Unë nuk mund të konceptoj një njeri të vërtetë të shkencës pa atë besim të thellë.”[23] Në artikullin në fjalë, lexuesi mund të kuptojë lehtësisht nga konteksti se, kur Ajnshtajni përmend fenë, ai ka në mendje krishterimin. Pra, sipas Ajnshtajnit, ishte nocioni i kuptueshmërisë së natyrës, të cilin ai ia atribuon besimit të krishterë, që nxiti aspiratën e shkencëtarëve modern për të studiuar natyrën.

Mbi çfarë baze themi se presupozimi intelektual i kuptueshmërisë së natyrës është i krishterë? Me sa duket, duke reflektuar mbi doktrinën biblike të krijimit, arsyetimi i shkencëtarëve modernë duket se ishte i tillë: “Meqenëse natyra u projektua nga e njëjta mendje racionale që projektoi edhe mendjen e njeriut, kjo do të thotë se ne kemi kapacitetin për të kuptuar natyrën, prandaj le ta studiojmë atë!”.

Këtë e pretendon, për shembull, historiani dhe filozofi i shkencës Stiv Fuller (Steve Fuller). Në veprën e tij, Shkenca kundër fesë? Projektimi inteligjent dhe problemi i evolucionit (2007), Fulleri shkruan se shkenca moderne u bazua “në besimin se rendi natyror është produkt i së njëjtës inteligjencë nga e cila rrjedh inteligjenca jonë”.[24] Në të njëjtën linjë mendimi me Fullerin, filozofi i shkencës Hollms Rolstoni i 3-të (Holmes Rolston III) shkruan se “Ishte monoteizmi ai që nxiti fillimin e shkencës fizike, sepse ai parashikonte një botë të kuptueshme… një botë me një plan, e cila ishte për rrjedhojë e hapur për kërkimet e shkencëtarëve. Pionierët e mëdhenj në fizikë – Njutoni, Galileo, Kepleri, Koperniku – besonin me devotshmëri se ishin të thirrur për të gjetur prova të Zotit në botën fizike.”[25]

Pra, sipas Hollstonit, jo vetëm që shkencëtarët modernë filluan të besonin se natyra është e kuptueshme, por edhe se, përmes njohjes së natyrës, ata mund të njihnin më shumë Krijuesin. Për shembull, Kepleri, e shprehu motivimin për zbulimet shkencore në këtë mënyrë: “Qëllimi kryesor i të gjitha hulumtimeve të botës fizike duhet të jetë zbulimi i rendin racional që i është dhënë nga Zoti dhe që Ai na zbuloi në gjuhë matematikore.”[26] Diku tjetër, në një letër drejtuar Heort von Hoenbërg (Herwart von Hohenburg) (1553–1622),[27] i cili në atë kohë shërbente si Kancelar i Dukës së Bavarisë, Kepleri shkruan se Zoti donte që ne të njihnim ligjet natyrore dhe ai e bëri të mundur këtë duke “na krijuar sipas imazhit të tij, që ne të mund të marrim pjesë në mendimet e tij.”[28] Edhe Koperniku la shkrime që tregojnë se veprimtarinë e tij shkencore e shihte si një formë adhurimi ndaj Krijuesit. Ai shkroi: “Të njohësh veprat e fuqishme të Perëndisë, të kuptosh urtësinë, madhështinë dhe fuqinë e Tij, për të vlerësuar, në një farë mase, funksionimin e mrekullueshëm të ligjeve të Tij, me siguri e gjithë kjo duhet të jetë një mënyrë adhurimi e këndshme dhe e pranueshme për Më të Lartin.”[29] Gjithashtu, në librin e tij Mbi revolucionet e sferave qiellore (1543), ndërsa reflektonte mbi harmoninë estetike që krijohej midis trupave të lëvizshëm (planetëve) dhe atyre të palëvizshëm (yjeve), Koperniku shkroi “Sa e madhe është kjo vepër hyjnore e Krijuesit të Madh e Fisnik!”.[30]

Ashtu si Kepleri dhe Koperniku, edhe Galileo Galilei (1564 – 1642), shikonte lavdinë e Krijuesit në librin e natyrës. Në një letër dërguar Dukeshës së Madhe Kristina të Toskanës (1615) ai shkroi se “Madhështia dhe lavdia e Perëndisë shkëlqejnë mrekullisht në të gjitha veprat e Tij dhe duhet të lexohen mbi të gjitha në librin e hapur të qiejve”.[31] Ky besim i shkencëtarëve modernë, se duke studiuar natyrën do ta njihnin më mirë Krijuesin, i bën jehonë vargut biblik kur thotë: “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të Tij” (Psalmi 19:1).

Dy presupozimet e sipërpërmendura, të cilat rrodhën nga doktrina biblike që universi u krijua nga një mendje racionale dhe me vullnet, u përmblodhën mjeshtërisht nga studiuesi britanik Si Es Luis (C.S. Lewis) (1898-1963) kur shkroi se “njerëzit u bënë shkencëtarë sepse prisnin Ligjin në Natyrë dhe ata prisnin Ligjin në Natyrë sepse besonin në një Ligjdhënës”.[32]

 

Gabueshmëria njerëzore

Një presupozim i tretë intelektual që konsiderohet si nxitës i shkencës moderne (veçanrisht i metodës shkencore) është gabueshmëria e arsyetimit njerëzor. Të njëjtët shkencëtarë që gjatë shekujve të 16-të dhe të 17-të e shihnin arsyen njerëzore si një dhuratë nga Zoti, ngritën pyetje nëse arsyeja njerëzore ishte e pagabueshme. Sipas Mejërit ky presupozim bazohet në doktrinën biblike të mëkatshmërisë njerëzore.[33]

Gjatë Reformës Protestante, një prej doktriave biblike që ishte ritheksuar ishte ajo e “mëkatit origjinal”, e cila thotë se të gjithë njerëzit trashëgojnë një natyrë mëkatare, duke qenë pasardhës të Adamit. Për këtë temë u bënë të rëndësishme shkrimet e filozofit dhe teologut të krishterë të shekullit të 4-të, Shën Agustini. Në librat e tij ai kishte përdorur dy fraza latine, të cilat, të marra së bashku formojnë një paradoks të natyrës njerëzore: imago dei (imazhi i Zotit) dhe peccatum originis (mëkati origjinal).[34] Siç komenton Fuller, “E para thotë se ne njerëzit jemi unikë si specie sepse jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit, ndërsa e dyta thotë se të gjithë ne njerëzit kemi trashëguar gabueshmërinë e Adamit.”[35] Piter Harison (Peter Harrison)  shton, “Që nga fillimi i epokës së krishterë, shkrimtarët patristikë [Etërit e Kishës] kishin komentuar aftësitë unike intelektuale të babait tonë të parë [Adamit], për shkallën e gjerë të njohurive të tij dhe për madhësinë e humbjeve të tij në Rënien [në mëkat].”[36]

Ky kuptim i nuancuar i natyrës njerëzore do të thotë se nga njëra anë, duke qenë të krijuar sipas imazhit të Zotit, qeniet njerëzore janë racionale dhe për këtë arsye kanë aftësinë për të kuptuar mënyrën se si funksionon bota. Nga ana tjetër, duke qenë me natyrë të gabueshme, njerëzit janë të prekshëm ndaj mashtrimeve të intuitës së tyre, ndaj paragjykimeve dhe ndaj nxitimit për të nxjerrë përfundime të parakohshme.[37] Cili është implikimi i këtij mendimi në të bërit shkencë? Me pak fjalë, edhe shkencëtarët mund të bëjnë gabime kur studiojnë natyrën.

Është interesante që edhe Dejvid Hjum (David Hume) (1711-1776), nga i cili nuk do të prisnim të dakortësohej me doktrinën biblike të mëkatit origjinal, duke dashur të mbrojë eksperimentalizmin anglez kundër metodave alternative të të bërit shkencë, pohon një natyrë njerëzore të papërsosur, mendim ky që i shkon përshtat vlefshmërisë së “metodës shkencore” që u bë karakteristika dalluese e revolucionit shkencor. Në një pasazh nga libri i tij Hetim mbi Parimet e Moralit (Inquiry into the Principles of Morals, 1751), Hjumi shkruan se: … “mund të presim sukses vetëm duke ndjekur metodën eksperimentale dhe duke nxjerrë maksima të përgjithshme nga një krahasim i rasteve të veçanta. Metoda tjetër shkencore, …është më pak e përshtatshme me papërsosmërinë e natyrës njerëzore dhe është një burim i zakonshëm i iluzionit.”[38]

Siç duket, kjo pikëpamje që pranon gabueshmerinë e arsyes njerëzore ka ndikuar metodat e të berit shkencë deri në ditët e sotme. Sipas Mejërit, metodat e testimit të hipotezave, që vazhdojnë të përdoren edhe sot, të zhvilluara nga figura të tilla si Fancis Bejkon (Francis Bacon) (1561–1626), gjatë shekullit të 17-të, dhe Uilliam Hiuell, gjatë shekullit të 19-të, u ndërtuan pikërisht mbi këto të vërteta teologjike të aftësisë dhe njëkohësisht të gabueshmërisë së arsyes njerëzore.[39] Fulleri bie dakort se, duke i marrë për bazë këto dy të vërteta të natyrës njerëzore, është e përshtatshme që ne “të aspirojmë të kuptojmë të gjithë natyrën duke propozuar hipoteza të guximshme (diçka për të cilën jemi të aftë për shkak të imago dei) por gjithashtu të presim dhe të pranojmë gabimin (diçka që jemi të prirur për shkak të peccatum originis) sa herë që dështojmë në dritën e prova.”[40]

Për ta përmbledhur, në këtë artikull jam përpjekur të analizoj se themeli për zhvillimin e shkencës moderne u vendos vetëm kur ndodhi shkëputja nga “mendimi grek”, përmes të cilit “filozofët e natyrës” (shkencëtarët) dilnin në përfundime rreth natyrës pa u kufizuar nga vëzhgimet empirike, por kryesisht duke u mbështetur në parimin e Logosit vetë-ekzistent. Siç e pamë, historianët e shkencës bien dakord se kjo shkëputje në mendim ndodhi vetëm kur ata që merreshin me shkencë e lejuan veten të informohen nga doktrina biblike e krijimit dhe kur filluan të pranonin presupozime të reja intelektuale për studimin e natyrës. Dhe kjo ndodhi në mesjetën e vonë dhe veçanërisht gjatë dhe pas Reformës Protestante.

Së pari, këta shkencëtarë të hershëm modernë arsyetuan se, duke qenë se Zoti është një qenie racionale dhe e vullnetshme, Ai mund ta kishte krijuar botën ashtu siç do të kishte dashur, pa u kufizuar nga parime vetë-ekzistente. Implikimi i kësaj mendësie të re rezultoi në një qëndrim të ri të shkencëtarëve, të cilët thanë: “Le ta vëzhgojmë natyrën për të kuptuar se si e krijoi Zoti dhe të mos supozojmë se si duhet ta kishte krijuar.”

Së dyti, duke reflektuar sërish mbi doktrinën e krijimit, kur shkencëtarët modernë pranuan se e njëjta Inteligjencë që kishte krijuar natyrën kishte krijuar edhe mendjen e njeriut, ata arritën në përfundimin se njeriu ka mundësinë të kuptojë dukuritë natyrore nëse i studion ato në mënyrë empirike. Dhe, përveç kësaj, një motiv kryesor që ky aktivitet studimor i natyrës kishte për këta shkencëtarë ishte mendimi se duke zbuluar natyrën ata do ta njihnin më mirë Krijuesin.

Dhe së treti, duke reflektuar mbi doktrinën e mëkatshmërisë njerëzore, shkencëtarët modernë kuptuan se nëse do t’i besonin vetëm intuitës së tyre, me shumë mundësi do të nxirrnin përfundime të parakohshme dhe të gabuara. Për rrjedhojë, ata u nxitën që të ishin të kujdesshëm dhe sistematik në studimin e natyrës, dhe, në të njëjtën kohë, më të prirur që të pranonin kritikat e të tjerëve kur ndërtonin një hipotezë shkencore.

Si përfundim, përkundër pretendimit se krishterimi ka penguar zhvillimin e shkencës ose se ka një konflikt midis krishterimit dhe shkencës, siç dëshmon historia, shkencëtarët e parë modernë u shtynë të studionin natyrën në mënyrë empirike kryesisht nga presupozimet intelektuale që burojnë drejtpërdrejt nga teologjia e krishterë.

Në shkrimin vijues do të përpiqem ta argumentoj se, në të vërtetë, ka një konflikt, por ai konflikt nuk është midis shkencës dhe krishterimit por është midis shkencës dhe ateizmit, më saktë midis shkencës dhe një kuptimi natyralist të botës.

© 2024 Kaon Serjani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


[1] Britannica, The Editors of Encyclopaedia. “What is the Scientific Revolution?”. Encyclopedia Britannica, 26 Nov. 2019, https://www.britannica.com/question/What-is-the-Scientific-Revolution. E aksesuar më 19 Mars 2024.

[2] Peter E.Hodgson, “The Christian Origin of Science,” Occasional Papers, 1. Siç citohet nga Stephen Meyer, The Return of The God Hypothesis: Three Scientific Discoveries That Reveal the Mind Behind the Universe  (San Francisco: HarperOne, 2021), 31, Versioni Kindle.

[3] Ian Barbour, Religion and Science: Historical and Contemporary Issues (San Francisco: HarperSanFrancisco, 1997), 27.

[4] Friedrich Nietzsche, On  the Genealogy of Morality, (Cambridge Texts in the History of Political Thought) ed. Keith Ansell-Pearson, trans. Carol Diethe  (New York: Cambridge University Press, 2006),  Third Essay,  Nr.  24, p.112.  Pjerrësia e shkronjave është e origjinalit. https://philosophy.ucsc.edu/news-events/colloquia-conferences/GeneologyofMorals.pdf?fbclid=IwAR0VNWNQubqSC2KFgCXjKEkw4aP73IXgH0cUhtWVr1Z_bbrjLIh1H81-7JQ. (E aksesuar më 9 Mars 2024).

[5] A. N. Whitehead, Science and the Modern World (Cambridge: Cambridge University Press, 1926), 16.

[6] Edwin Judge, siç citohet nga John Diskcon , “Genesis created science: A reply to Tamas Pataki” në AbC (20 Korrik 2011).

https://www.abc.net.au/religion/genesis-created-science-a-reply-to-tamas-pataki/10101306. E aksesuar më 9 Mars 2024.

[7]  Stephen Meyer, The Return of the God Hypothesis, 32. Versioni Kindle.

[8]  Snyder, Laura J., “William Whewell”, The Stanford Encyclopedia of Philosophy (Winter 2023 Edition), Edward N. Zalta & Uri Nodelman (eds.), https://plato.stanford.edu/archives/win2023/entries/whewell/. E aksesuar më 1 Mars 2024.

[9]  Stephen Meyer, The Return of the God Hypothesis, 32-33. Versioni Kindle.

[10] Shih Aristotle (384–322 para Krishtit), On the Heavens, Trans. by J. L. Stocks. http://classics.mit.edu/Aristotle/heavens.html. (E aksesuar më 18 Mars 2024).

[11] Shih Claudius Ptolemy (100 – 170 pas Krishtit), Almagest, Book I. https://bertie.ccsu.edu/naturesci/cosmology/ptolemy.html#3. (E aksesuar më 18 Mars 2024).

[12]  Stephen Meyer, The Return of the God Hypothesis, 33. Versioni Kindle.

[13] Shih “Discovering the Runaway Universe” në Nasa.com,

https://science.nasa.gov/mission/hubble/science/science-highlights/discovering-a-runaway-universe/. (E aksesuar më 1 Mars 2024).

[14] Dominimi aristotelian ishte mjaft ndikues edhe në teologji dhe mund ilustrohet, siç vëren Historiani i shkencës L. Heilbron, me atë se si Keshilli i Trentit sanksionoi një “shkrirje ndërdisiplinore të doktrinës katolike me filozofinë aristoteliane” Shih J. L. Heilbron, Galileo (Oxford University Press: New York, 2010), 200.

[15] Meyer, The Return of the God Hypothesis, 33. Versioni Kindle.

[16]  Shih Peter Harrison, The Bible, Protestantism, and the Rise of Natural Science; The Fall of Man and the Foundations of Science, 1st edition (Cambridge: ‎Cambridge University Press, 2009).

[17] Britannica, The Editors of Encyclopaedia. “Peace of Westphalia”. Encyclopedia Britannica, 23 Jan. 2024, https://www.britannica.com/event/Peace-of-Westphalia. E aksesuar më 29 Shkurt 2024). Shih edhe Joshua J. Mark, “Protestant Reformation”. World History Encyclopedia, 10 November 2021, https://www.worldhistory.org/Protestant_Reformation/. (E aksesuar më 29 Shkurt 2024).

[18] Thomas Nickles, “Scientific Revolutions”, The Stanford Encyclopedia of Philosophy (Spring 2024 Edition), Edward N. Zalta & Uri Nodelman (eds.), https://plato.stanford.edu/archives/spr2024/entries/scientific-revolutions/. E aksesuar më 29 Shkurt 2024.

[19] Meyer, The Return of the God Hypothesis, 34. Versioni Kindle.

[20] Meyer, The Return of the God Hypothesis, 35. Versioni Kindle.

[21] Shih Christian Virtuoso, I, Appendix, in Hunter and Davis, eds,. Works, 12: 274, 397-98. Siç citohet këtu: https://returnofthegodhypothesis.com/book/notes/. (E aksesuar më 9 Mars 2024.

[22] Ian Barbour, Religion and Science, 28. Siç citohet nga Meyer, The Return of the God Hypothesis, 35. Pjerrësia e shkronjave është e origjinalit.

[23] Albert Einstein, “Science and Religion” in Nature (No. 3706, Nov. 9, 1940), p. 605.

www.nature.com/articles/146605a0.pdf. (E aksesuar në 4 Mars 2024. Pjerrësia e shkronjave është e imja.

[24] Steve Fuller, Science vs. Religion? Intelligent Design and the Problem of Evolution (Oxford: Polity, 2007), 15. Siç citohet nga Meyer, The Return of the God Hypothesis, 36. Versioni Kindle.

[25] Holmes RolatonIII, Science and Religion: A Critical Survey (Philadelphia: Temple University Press, 1987), 39. Siç citohet nga Meyer, The Return of the God Hypothesis, 36, Kindle Version.

[26] Johannes Kepler, Astronomis Nova de Motibus (1609). Siç citohet nga John Lennox, God’s Undertaker: Has Science Buried God? (United Kingdom: Lion Hudson, 2009), 20. Përdorur po nga John Lennox edhe në artikullin “Science and Faith: Friendly Allies, Not Hostile Enemies” në C S Lewis Institute (December 2015).  https://www.cslewisinstitute.org/resources/science-and-faith-friendly-allies-not-hostile-enemies/. (E aksesuar më 2 Mars 2024).

[27] Korrespondenca mes tij dhe Kepler përfshin më shumë se 90 letra dhe mbulon një periudhë nga 1597 deri në 1611. Shih Patrick J. Boner, “Statesman and Scholar: Herwart von Hohenburg as Patron and Author in the Republic of Letters” në History of Science (Volume 52 Issue 1, March 2014), https://journals.sagepub.com/doi/10.1177/007327531405200102. (E aksesuar më 13 Mars 2024).

[28] Johannes Kepler Kepler, Letter to Herwart von Hohenburg, siç citohet nga Meyer, The Return of the God Hypothesis, 36. Versioni Kindle.

[29] Nicolaus Copernicus, siç citohet nga Elbert Hubbard, “Copernicus” (Vol. XVI, Jan. 1905, No. 1), in Little Journeys to the Homes of Great Scientists New York: The Roycrofters, p. v. Shih gjithashtu Poland: The Knight Among Nations(Fleming H. Revell Co., London & Edinburgh, Third edition, 1908) nga Louis E. Van Norman, f. 290; Glory of The Stars (Pacific Press Publishing, Mountain Views, California, 1952), nga Merlin L. Neff, Ph. D., pp. 191-192; si dhe Francis Collins, The Language of God: A Scientist Presents Evidence for Belief (New York: Free Press, 2006), f. 230-31.

[30] Nicolaus Copernicus, Preface of Book I of De Revolutionibus Orbium Caelestium (1543) (trans. by John F. Dobson and Selig Brodetsky) in Occasional Notes of the Royal Astronomical Society, vol. 2, no 10 (London, Royal Astronomical Society, 1947). Siç citohet nga Thomas S. Kuhn, The Copernican Revolution: Planetary Astronomy in the Development of Western Thought (Cambriedge: Harvard University Press, 1977), 280.

[31] Galileo Galilei, Lettera alla Serenissima madama la Granduchessa Madre, Cristina di Lorena, in Opere, ed. A. Favaro (Firenze: Giunti-Barbera, 1966) , vol. V, pp. 329. Një version i shkurtuar i letrës së Galileos mund të lexohet në Anglisht në webin e Universitetit të Stanfordit me titull “Letter to the Grand Duchess Christina of Tuscany (1615) në këtë link:

https://web.stanford.edu/~jsabol/certainty/readings/Galileo-LetterDuchessChristina.pdf. (E aksesuar më 18 Mars 2024.):

Citimi nga Galileo i përdorur këtu mund të lexohet online në këtë link: https://www.biodiversitylibrary.org/item/27953#page/28/mode/1up siç është përdorur nga William H. Hobbs, me rastin e fjalës së tij si president i Akademisë së Shkencave të Miçiganit në Takimin Vjetor, botuar si artikull me titull, ‘The Making of Scientific Theories,’ në raportin vjetor të Akademisë së Shkencave të Miçiganit, përmbledhur nga Ann Arbor (28 Mars 1917), faqja 22. (E aksesuar më 18 Mars 2024). Shih edhe William H. Hobbs, ‘The Making of Scientific Theories,’ Address of the president of Michigan Academy of Science at the Annual Meeting, Ann Arbor (28 Mar 1917) in Science (11 May 1917), N.S. 45, No. 1167, 443.

[32] C. S. Lewis.,  Miracles: A Preliminary Study, 1st Touchstone ed.,  (New York: Simon & Schuster, 1996), 140. Shih edhe Alfred North Whitehead, Science and the Modern World (New York: Free Press, 1925), 12.

[33] Meyer, The Return of the God Hypothesis, 37. Versioni Kindle.

[34]  Shih Peter Harrison, The Bible, Protestantism, and the Rise of Natural Science; The Fall of Man and the Foundations of Science , 1st edition (Cambridge: ‎Cambridge University Press, 2009).

[35] Steve Fuller, “Foreword” in Theistic Evolution: A Scientific, Philosophical, and Theological Critique, edited by J. P. Moreland, et al. (Wheaton: Crossway, 2017), 30. Siç citohet nga Meyer, The Return of the God Hypothesis, 38. Versioni Kindle.

[36] Peter Harrison, “Introduction” in The Fall of Man and the Foundations of Science, p. 1. https://web.archive.org/web/20170812110736id_/http://www.ched.uq.edu.au/NewDirections/Harrison_Book.pdf. (E aksesuar më 14 Mars 2024).

[37] Meyer, The Return of the God Hypothesis, 38. Versioni Kindle.

[38] David Hume, An Enquiry into the Principles of Morals, ed. L. A. Selby-Bigge, 3rd edition revised by P. H. Nidditch (Oxford, 1975), p. 174. Siç citohet nga Peter Harrison, The Fall of Man and the Foundations of Science (University of Oxford), p. 75. Pjerrësia e shkronjave është e imja. https://web.archive.org/web/20170812110736id_/http://www.ched.uq.edu.au/NewDirections/Harrison_Book.pdf. E aksesuar më 13 Mars 2024.

[39] Meyer, The Return of the God Hypothesis, 33. Versioni Kindle.

[40] Fuller, “Foreword” in Theistic Evolution, 31.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin