MISTERI I FLAMURIT TEK PAPA

Papa-Françesku-foto-ne-media-shqiptareDisa ditë më parë një lajm kurioz, ose më saktë një fotolajm, qarkulloi në mediat shqiptare. Bëhej fjalë për fotografinë e Papa Françeskut me flamurin shqiptar në qafë. Fotografia është pa dyshim shumë e bukur dhe ngazëlluese për ne shqiptarët, aq më tepër që gjendet në krahët e një prej Papëve më karizmatikë e më të dashur të të gjitha kohërave. Mirëpo lajmi na erdhi nga mediat në mënyrë misterioze, dhe në tis misteri ka mbetur deri më sot.

Ja si na e përcollën mediat tona lajmin e flamurit kuqezi në krahët e Papës Françesku. Në shkrimin me titull “Flamuri shqiptar në qafën e Papa Françeskut” lexohet:

Në rrjetet sociale është ppo komentohet një foto e Papa Françeskut I, i cili shihet duke mbajtur në qafë flamurin shqiptar. Françesku cilësohet si një nga papët më popullorë në histori. Në prag të Pashkëve, ai u shtri përtokë duke iu lutur Zotit. Ndërkohë një ditë më parë ai lau këmbët e 12 të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar. (Gazeta Dita, 17 prill 2014)

Lajmi jep pak informacion. Flet për një foto të Papës me flamurin shqiptar në qafë, përmend diskutimet në rrjetet sociale të këtij eventi dhe pastaj ndalet përciptas tek figura e Papës, por pa thënë ndonjë gjë interesante, përveçse disa detaje pa lidhje, që duken të nxjerra nga goja e dikujt që flet përçart, edhe për faj të gabimeve drejtshkrimore. Megjithatë, lexuesit të vëmendshëm nuk i shpëton fakti se kryefjala e titullit i takon flamurit e jo Papës Françesku.

Shpjegimet e gazetave të tjera e shtuan dozën e së panjohurës. Ja çfarë shkruante një tjetër e përditshme shqiptare me titull “Papa Françesku me flamurin Shqiptar në qafë”:

Një foto që po qarkullon në internet ditët e fundit tregon Papa Françeskut teksa mban në qafë flamurin kuq e zi Shqiptar. Foto është përhapur dhe në webin shqiptar por nuk dihet ende se ku është shkrepur kjo foto. (Shqiptarja, 18 prill 2014)

Teksti i lajmit ngjall menjëherë kureshtje, sepse njofton për fotografinë e flamurit, por edhe për faktin se pavarësisht qarkullimit të madh në internet, nuk dihet se ku është shkrepur saktësisht fotografia. Të gjithë mund ta dallojnë karakterin lakonik të lajmit. Asnjë koment për Papën, asnjë koment për fotografinë, asnjë koment për flamurin. Tisi i misterit bëhet gjithnjë e më i dendur. Kësaj radhe kryefjala i takon Papës e jo flamurit, sepse është Ai që e mban flamurin në qafë. Detaje të vogla, por jo dhe aq.

Shpenzon disa fjalë më shumë një gazetë tjetër shqiptare, por praktikisht teksti është kopjuar diku tjetër.

Papa Françesku me flamurin shqiptar në qafë. Një foto ka nisur që të qarkullojë në rrjetet sociale. Aty shihet Papa Françesku I, me flamurin shqiptar në qafë. Françesku cilësohet si një nga papët më popullorë në histori. Në prag të Pashkëve, ai u shtri përtokë duke iu lutur Zotit. Ndërkohë një ditë më parë ai lau këmbët e 12 të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar. (Tema, 18 prill 2014)

Për të gjetur informacion më të pasur duhet të shohim ndonjë organ tjetër. Titulli i një agjencie shqiptare nuk mjafton me dhënien e ngjyrave të flamurit, por citon edhe një nga protagonistët e politikës shqiptare. Ja titulli: “Papa me flamurin kombëtar kuq e zi, Berisha: Dhurata më e bukur për Pashkët”.

Një foto e veçantë qarkullon në rrjetet sociale, Papa Françesku me flamurin kuq e zi të shqiptarëve. Papa Françesku, ka hedhur supeve flamurin tonë kombëtar gjatë një takimi me besimtarë. Lidhur me këtë fakt, ka reaguar në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri i vendit, Sali berisha, i cili e sheh si dhuratën më të bukur për shqiptarët për Pashkët e këtij viti. “Pranimi i flamurit tonë kombëtar, flamurit të Skënderbeut, është dhurata më e bukur qe Papa Francesku iu bën shqiptareve për Pashkët e këtij viti!”, ka shkruar Berisha në Facebook. (Ballkanweb, 18 prill 2014)

Është në të drejtën e gazetës të japë reagimet e ndryshme ndaj një lajmi. Në këtë rast është përcjellë reagimi në Facebook i ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili shpreh gëzimin e vet të kuptueshëm për këtë fotografi, duke shtuar se ky gjest konsiderohet si dhuratë për Pashkët e këtij viti. Mësojmë nga ky lajm se gjesti i bukur i Papës është bërë gjatë një takimi me besimtarë, çka mund të merret vesh edhe nga fotografia.

Media të tjera e fusin lajmin në kuadrin e veprimtarive fetare për Pashkët. Është rasti i Tv Klan-it, i cili i kushton ngjarjes vetëm dy rreshta brenda një reportazhi më të gjerë me titull “Papa nderon shqiptarët, hedh në qafë flamurin”:

Ndërkohë në një prej aktiviteteve të kësaj jave Papa Françesku shfaqet me flamurin kombëtar shqiptar rreth qafës, në një takim në Romë me përfaqësues të komunitetit katolik shqiptar. (TV Klan, 19 prill 2014).

Megjithatë televizioni shqiptar na njofton se takimi nuk ka qenë me besimtarë çfarëdo, por me “përfaqësues të komunitetit katolik shqiptar”. Një informacion më shumë që “ndihmon në zbardhjen” e misterit të flamurit.

Në internet mund të gjenden edhe lajme të tjera, që jepen të përziera me vlerësimet pozitive për aktin domethënës të Papës Françesku, por duhet shkuar në ndonjë faqe interesante për të marrë vesh se flamuri i është dhënë Papës nga disa motra katolike:

Papa Françesku ka pranuar si dhuratë simbolin e kombit shqiptar, flmurin. Gjatë një aktiviteti me rastin e festës së Pashkëve në itali, Papa ka marrë si dhuratë një flamur shqiptar nga motrat e nderit katolike. (Yllpress, 19 prill 2014)

Duhet pranuar se informacionet, edhe pse me pikatore, rriten nga faqja ne faqe, nga gazeta në gazetë. Megjithatë, mbeten në errësirë shumë detaje. Edhe në këtë rast nuk merret vesh se cilat motra ia paskan bërë këtë dhuratë të këndshme Papës.

Mjaftojnë këto pak shembuj për të nxjerrë në pah disa aspekte të sferës së mediave e të ligjërimit publik shqiptar. Një ngjarje që ngjall detyrimisht interes, si ajo e flamurit shqiptar në krahët e Papës, është lënë pas dore dhe është komentuar me pak rreshta, si për të kaluar radhën. Lajmi i vjen pa dashur lexuesit në mënyrë enigmatike, sepse shumë gjëra nuk kuptohen.

Mjafton t’u referohemi rregullit klasik të gazetarisë, të pesë W-ve Who (kush) What (çfarë), When (kur), Where (ku), Why (përse) për të kuptuar se nuk kemi të bëjmë me profesionalizëm. Asnjë nga mediat e shqyrtuara nuk sqaron se kush e organizoi veprimtarinë tek Papa, cilët ishin protagonistët, cili ishte objektivi, me ç’rast u bë, kur u zhvillua, ku u zhvillua, kush mori pjesë, dhe si ndodhi që hodhi flamurin kuqezi në qafë. Përndryshe lajmi nuk ka kuptim, se mund të ishte edhe një fotomontazh i realizuar me Photoshop.

Papa-Fraçesku-me-flamurin-shqiptarEdhe për ata që mund të individuojnë rastësisht të njohur në fotografi, ngjarja mbetet disi enigmatike, sepse mediat nuk shpjegojnë dinamikën e ngjarjeve. Megjithatë ndonjë medie ka përmendur faktin se dhurata e flamurit i është bërë nga disa motra (murgesha) katolike. Kush ka fatin t’i njohë personalisht e di fare mirë se bëhet fjalë për murgeshat e Institutit të Fjalës së Mishëruar, që bëjnë një punë të mrekullueshme në shumë zona të Shqipërisë, duke filluar nga Troshani i Lezhës ku kanë selinë qendrore.

Nuk do të kishte qenë keq sikur mediat të ishin interesuar se përse motrat katolike, që i kanë kushtuar jetën prej vitesh Shqipërisë, duke zhvilluar veprimtari humanitare të çmueshme në ndihmë të zonave të varfra, duke i ndenjur pranë familjeve në vështirësi ekonomike dhe të miturve me aftësi të kufizuara, duke dhënë gjithashtu kontribut në lëmin e arsimimit të fëmijëve, kanë menduar t’ia dhurojnë Papës flamurin shqiptar (edhe pse vetë kanë prejardhje të huaj). Nuk do të kishte qenë e lehtë, sepse motrat katolike as e kërkojnë reklamën, as i lakmojnë telekamerat, ngaqë preferojnë të rrinë me modesti mes njerëzve dhe problemeve të tyre, por nuk do të kishte qenë e pamundur, qoftë vetëm për t’i cituar; megjithatë gjesti i flamurit, që na pëlqeu të gjithëve, lypte të kuptohej deri në fund, ndaj përgjigjet do të kishin qenë të mirëpritura nga kushdo. Ndoshta do të kërkonim shumë nga mediat shqiptare sikur të pretendonim një telefonatë, qoftë zyrës së shtypit të Vatikanit, për të marrë një deklaratë, ose thjesht dy fjalë, për gjestin e flamurit.

Mediat shqiptare po karakterizohen gjithnjë e më shumë si mjete informative të lodhura, të plogëta, pa kuriozitet, që veprojnë për inerci, që mjaftohen shpeshherë me rolin e altoparlantit të zyrave të shtypit, me fjalë të tjera një lloj tellalli modern pa autoritet. Lajmet deri dje vinin nga zyrat përkatëse të partive ose të institucioneve, kurse tani vijnë edhe nga rrjetet sociale. Kur organet e shtypit kthehen në dispeçeri informacioni, por pa asnjë rol aktiv në gjetjen, marrjen e përpunimin e tij, kemi një problem mbarëshoqëror. Në metodën pasive të mediave shqiptare, konstantja që nuk ndryshon në kohë është apatia; ngado që të vijnë lajmet, nga zyrat hiperaktive të shtypit, ose profilet e palodhura të internetit, si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin, organet informative parapëlqejnë dembelen kopjo/ngjit më shumë se ushtrimin e zanatit të nderuar të gazetarisë.

Në kurthin e autoreferencialitetit nuk ka rënë vetëm politika, por edhe massmediat, që vetëm sa e zgjerojnë rrethin e madh vicioz që krijohet në infosferën shqiptare. Nuk ndihmon në këtë rast fuqia simbolizuese e flamurit, valëvitja e të cilit anon t’i mbyllë shtigjet e diskursit publik, ngaqë e magnetizon dhe e monopolizon vëmendjen e publikut. Duket sikur ligjërimi publik shqiptar hipnotizohet nga prania e flamurit dhe nuk arrin të bëjë pyetje të tjera, sepse e ndjen veten të ngopur nga (vetë)kënaqësia që i jep simboli i madh kuqezi. E megjithatë, është detyrë dhe e drejtë qytetare që sa herë valëvitet, ngrihet, mbahet flamuri ynë, të pyesim veten për arsyet e veprimeve përkatëse.

E nuk është e thënë që flamuri të përdoret vetëm për keq, përkundrazi, por duhet të kemi kujdes edhe në ato raste kur ai na përkëdhel krenarinë tonë, duke u shfaqur si vulë e një merite përndryshe të pashpjeguar.

Si të gjithë shqiptarët, edhe unë u lumturova kur e pashë flamurin shqiptar të mbështjellë qafën e Papës. Ndjesi e këndshme, nder i vërtetë. Por do të ishte vërtet egoiste sikur çdo gjë të fillonte e të mbaronte në atë gjest, që ai fotolajm të mbaronte në çastin e shkrepjes, pa sqarime, pa informacion, i vetëmjaftueshëm. Do të ishte fyerje për vetë gjestin sikur ne ta reduktonim në vetëkënaqësi, ose ca më keq, në rrahje gjoksi. Flamuri shqiptar në qafën e Papës tregon shumë më tepër seç panë mediat shqiptare. Është shenjë dashurie, por edhe kjo duhet kërkuar e shpjeguar çdo ditë, në përkushtimin e sa e sa njerëzve që e duan me të vërtetë Shqipërinë, shqiptarinë dhe njeriun.

Nuk ka komente

  1. problemi eshte qe pergjegjesit e kesaj katrahure i fshihen pergjegjesise pas fjaleve te medha edhe eseve shumefaqesh pa argumente ne te njejtat gazeta ku botohen te tilla cudira.. .

    u futa nje dite ne nje diskutim me shefin e departamentit te gazetarise te UT-se, nje prof i njohur, qe ngrinte ceshtjen se botuesit nuk ofronin hapesira per publikimin e kerkimit shkencor ne shqiperi. u zemerua shume kur i deshmova se kerkimi shkencor ne shqiperi, sidomos ne fushen e komunikimit, ishte i nje cilesie te dobet (nje punim doktorature qe me zuri syri nuk kishte metodologji te qarte, kuader teorik dhe dukej kopje e papertypur e ligjeve dhe raporteve mbi nje stacion televiziv) .. keta jane pergjegjesit e gazetarise..

    lexo se c’shkruajne ata qe jane pedagoge ne keto departamente, disa ese skandaloze neper te perditshmet, studime bajate me gjetje nga kolltuku (sa prej tyre kane ndonje monografi, ta vendosin edhe online nese nuk ja u boton kush?) .. nderkohe qe neper bote departamentet e gazetarise kapen me tema nga me te habitshmet dhe jane specialiste ne fusha te ndryshme.. nje fare paul kantor i princeton merret me “big data” – cili shkencetar shqiptar i komunikimit eshte marre me perfaqesimin virtual te mediave tona dhe te dhenat e tyre (klikime, minutat e qendrimeve ne faqe, komentet, ip-te, sjellen ne internet)?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin