MBI HISTORINË E ARSIMIT TË LARTË NË SHQIPËRI

Duro, Çlirim (2012) Arsimi i Lartë në Shqipëri 1946-68. Universiteti i Tiranës. (Punim doktorate)

Diskutimet nëpër gazeta mbi masivizimin dhe uljen e cilësisë në arsimin e lartë jo pak herë nisen nga një romantizim i së kaluarës apo nga dëshirat elitiste për të kufizuar aksesin në arsimin e lartë. Por një vështrim historik mbi zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri ndihmon për të kuptuar se ky sistem relativisht shumë i ri po has të njëjtat probleme sikur në fillesat e veta. Megjithatë shqiptarët e arsimuar në vitet 1970-1990 janë krenarë për arsimimin e tyre që është trashëgimi e atyre përpjekjeve fillestare. Kritikët e brezit tim, që nuk e kanë përjetuar ngritjen e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri gjatë periudhës socialiste, duhet të jenë shumë të kujdesshëm në vlerësimin e situatës së sotme. E kaluara na jep argumente për optimizëm.

Çlirim Duro, një nga specialistët e pakët në fushën e akreditimit dhe vlerësimit të jashtëm në Shqipëri, nëpunës  prej vitesh pranë Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë ofron pikërisht perspektivën historike për të vlerësuar gjendjen e sotme të arsimit të lartë në Shqipëri. Vepra e tij “Arsimi i Lartë në Shqipëri 1946-68”, shkruar në kuadër të disertacionit për titullin Doktor i Shkencave në vitin 2012 në Universitetin e Tiranës, paraqet fillesat dhe zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri për atë periudhë.

Studimi mbart vlera për historikun e zhvillimit të arsimit të lartë dhe shkencës (kapitulli i fundit) në Shqipëri. Por periudha e zgjedhur është e shkurtër dhe metoda është ajo kronologjike (vertikale) dhe jo tematike (horizontale). Referencat dhe ndonjë analizë krahasuese mbi situatën aktuale mungojnë, por duket sikur tematika që përshkon të gjithë studimin lidhet me përpjekjet e qeverisë për të rritur numrin e studentëve dhe të programeve të studimit (për kuadro të kualifikuar në mësuesi e prodhim, për të mundësuar indoktrinimin apo edhe thjeshtë për ambiciet kombëtare si në rastin e fakulteteve të gjuhësisë). Duro nuk ngurron të vlerësojë e analizojë me sy kritik politikat e qeverisë dhe problematikat që has sistemi. Përshtypja ime është se në tërësi studimi bazohet mbi dokumente zyrtarë kryesisht të qeverisë dhe kjo ka kufizuar diapazonin e veprës pasi është lënë jashtë vështrimit përjetimi personal i studentëve, pedagogëve dhe administratorëve.

Fillimisht Duro paraqet një histori të shkurtër (rreth 20 faqe) të arsimit në Shqipëri. Në këtë seksion ai nuk mund t’i shpëtojë metaforave të historiografisë së socializmit shqiptar, kombinuar me raste me terma moderne. Sipas tij “përpjekjet dhe vizioni për ndryshime janë ushqyer, frymëzuar dhe mbështetur në traditën arsimdashëse të popullit dhe në jetën dhe veprën e bijve më të shquar që e bënë arsimin pishtar për liri, dituri dhe progres” (fq. 7). Ose se “lufta e tij [popullit] me pushkë për pavarësi e çlirim nga zgjedha e huaj nuk është ndarë asnjë herë nga lufta me penë, nga përpjekjet për zhvillimin e arsimit e të kulturës kombëtare” (fq. 8); “lufta për çrrënjosjen e analfabetizmit”(fq. 18) etj. Këto ose shprehin qëndrimin e autorit, ose burimet (si E. Kambo, 2005; H. Beqja, 1976 etj.), janë përdorur pa reflektim. P.sh. tek përmend importimin e ideologjisë fashiste në shkolla, Duro komenton se këto përpjekje për imponim hasën në “rezistencën e forcave përparimtare” (fq. 12). Autori nuk pyet se cilat ishin “këto forca përparimtare” dhe se a mund të cilësohej fashizmi forcë reaksionare në kontekstin ekonomiko-social shqiptar; gjithashtu nuk përmendet nëse u ndërtuan shkolla gjatë pushtimit italian.

Zhvillimi jashtëzakonisht i shpejtë i arsimit në Shqipëri, e gjetkë në botën komuniste, cilësohet me të drejtë arritja më e madhe e sistemit socialist. Studiuesit shqiptarë vendosen në siklet që njëkohësisht të njohin meritat e sistemit në këtë aspekt dhe të analizojnë efektet e sistemit arsimor mbi indoktrinimin e brezave. Duro nuk bën përjashtim. P.sh. gjatë analizës së reformës në arsimin parauniversitar (Ligji mbi Reformën Arsimore në Shqipëri, 1946) Duro nuk mund të qartësojë dallimin ndërmjet përshkrimit të objektivave të reformës dhe analizës apo vlerësimit të saj nga studiuesit e mëvonshëm. Duro vlerëson synimet demokratike të reformës apo ndarjen “kategorike të shkollës nga kisha dhe nga feja … si një nevojë urgjente .. dhe një hap të madh” për zhvillimin e vendit” por më tej e kundërshton këtë veprim duke i quajtur si synime “nonsense demokratike të reformës” dhe keqpërdorim të pushtetit për çështje propagandistike (fq. 23). Sipas autorit “ishte pikërisht kjo propagandë që vlerat emancipuese e përparimtare të reformës i deklaronte vend e pavend, duke i lidhur vetëm me vijën politike, me meritat e PKSH.” (fq. 23). Duro nuk arrin të artikulojë çështjen që çdo sistem politik e bazon legjitimitetin e tij (dhe propagandën) mbi bazën e suksesit në zbatimin e politikave përparësore (arsimin, ekonominë, industrializimin, tufëzimin apo fushatat anti-korrupsion etj.). Vlerësimet jashtë këtij kuadri historik e teorik të legjitimitetit janë ahistorike.

Linguistët ndoshta argumentojnë ndryshe, por unë mendoj se përdorimi i “së ardhmes së përparme” në rrëfimin e ngjarjeve të shkuara e pështjellon lexuesin, se diçka o ka ndodhur ose nuk ka ndodhur. Autori përdor gjerazi “të ardhmen e përparme”. P.sh. “në shkollat e vendit do të futej lënda e re mësimore … gjuha italiane do të bëhej … do të mbizotëronin … do të ishte” (fq. 12).

Duro merret me disa aktorë që i ai konsideron kyç në hartimin e politikave apo nismave për krijimin e institucioneve, por e lë lexuesin në injorancë për të tjerë. Ai flet gjatë për S. Malëshovën që kryesoi nismën për hapjen e institucionit të parë të arsimit të lartë, Institutit Pedagogjik 2-vjeçar në 1946. Ndërsa nga faqja 35 deri ne 42 merret me promemorien për themelimin e fakultetit të gjuhës dhe letërsisë nga një grup pune i ministrisë së arsimit në vitin 1947 (anëtarë E. Çabej, fq. 35). Grupi shpalosi  një plan 5 vjeçar për realizimin dhe autori tregon problemet që kishin vërejtur anëtarët si mungesa e teksteve dhe e personelit akademik. Por në vijim nuk dëgjojmë më për këtë grup apo ndikimin e projektit të tyre mbi themelimin e fakultetit me të njëjtin emër në Universitetin e Tiranës, themeluar në 1956. Ndërsa në një çast  (fq. 51) përmend të gjithë drejtuesit e katedrës të Institutit të Lartë Pedagogjik 4-vjeçar të sapo themeluar (1952), por nuk thotë asgjë mbi drejtuesit (rektorët) e instituteve dhe ministrat e asaj periudhe. Për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës historia paraqitet sikur është rezultat i Byrosë Politike, mungojnë hulumtimet mbi ndikimin e personave konkretë, mbi projektet alternative dhe konfliktet ndërmjet përfaqësuesve.

Autori nuk kritikon problematikat me statistikat zyrtare dhe nuk i paraqet ato sipas treguesve ndërkombëtarë. Tabela 1 (fq. 45) e bazuar mbi vjetarin statistikor 2002-03, tregon për tre institucione të arsimit të lartë gjatë 1950-51. Autori nuk qartëson nëse ka një gabim në këtë tabelë, pasi ai vetë dëshmon se institutet e larta të pedagogjisë, politeknikut dhe ai bujqësor u çelën në vitin akademik 1951-52 (fq. 47), dhe gjatë 1950-1 ishte vetëm Instituti Pedagogjik 2-vjeçar. Gjithashtu në tabelën që i atribuohet Vjetarit Statistikor 2002-03, shifra e studentëve për këtë periudhë është paraqitur në total 254, ndërsa referuar arkivës del se kanë qenë regjistruar 165 studentë në total për të tre institutet (përkatësisht 47, 44 dhe 74, fq. 52). Paqartësi ka edhe në shifrat e studentëve shqiptarë që studionin jashtë vendit (767 në 1950, 139 në 1952, fq. 53, dhe në 1956 del numri 883, fq. 56). Gjithashtu disa referenca për shifrat janë marrë nga vendimet e Këshillit të Ministrave, që janë planifikime kuotash dhe jo shifra reale, (prandaj ka një rritje të pasqaruar të numrit të përgjithshëm të studentëve nga 1595 studentë në vitin 1956, fq. 56, në 1923 studentë për vitin 1957, fq. 67). Sidoqoftë, atëherë e merrnin seriozisht planin, nga 7% rritje që ishte planifikuar, numri i studentëve nga viti 1951 (208 studentë) u rrit me thuajse 7-fish në 1955. Ndërsa tabela 10 (fq. 110) mbi shifrat e studentëve të diplomuar nuk vihet përballë atyre të regjistruar për të llogaritur përqindjen e të diplomuarve (por del jo qartë në fq. 126). Tabelat disa herë nuk shoqërohen me informacione shtesë poshtë tyre, si për burimin apo interpretimin, dhe ka raste kur janë të paqarta.

Në vitin 1946/7 raportuan 53 studentë; në 1950/1=208 (ose 304); 1952/3=391; 1954/5=1429; 1955/6=1595 (ose 3411); në 1956/7=1923; 1960/1=6700 (ose 6703); në 1962-63=11,687; në 1970/1=25469. Shifrat tregojnë një rritje vjetore mesatare prej 123%. Ndërsa nga viti 1994-2012 rritja mesatare ka qenë rreth 11% për të gjithë sistemin, me variacione mbi 17% gjatë 2003-2007. Ndërsa arsimi privat ka pasur një rritje mesatare deri në 80% (sot zë rreth 21% të numrit të studentëve). Nëse dikush është i shqetësuar nga zgjerimi i sistemit arsimor sot, le të mendojë për ato vite.

Siç edhe paraqitet nga Duro (fq. 129), pas viteve 60 rritja e aksesit realizohej me anë të sistemit të korrespondencës (arsimimi i proletariatit!). Në 1960 mbi 47% e studentëve studionin pa shkëputje nga puna, ndërsa në vitin 1970 ishin gati 58%. Sipas Barro & Lee (2010) frekuentimi i arsimit të lartë për moshat 20-24 dhe 25-29 vjeç ishte thuajse i barabartë (1960, 4.73% me 3.21%) deri në vitet 2000.

historiku

Duro ka hulumtuar shumë mirë disa prej problematikave më shqetësuese për sistemin e arsimit të lartë të asaj periudhe. P.sh. ndikimin partiak mbi përbërjen klasore të studentëve nëpërmjet kuotave të paravendosura. Kuotat përcaktoheshin sipas përkatësisë në parti apo bashkimeve rinore, gjendjes ekonomike e klasore dhe gjinisë (fq. 65). Vëmendje të veçantë autori i ka kushtuar (1) mungesës së literaturës apo indoktrinimit të saj; (2) personelit pedagogjik (mangësisë, shpërblimit të dobët, cilësisë, trysnisë politike, problemit të strehimit etj.); (3)  infrastrukturës kërkimore; dhe  (4) cilësisë së studentëve. P.sh. siç dëshmohet në studim përgatitja e studentëve ka qenë një shqetësim për institucionet e arsimit të lartë, sidomos për ata studentë që nuk vinin nga gjimnazet, pasi kalueshmëria e tyre ishte shumë e ulët, deri në 82% në vitin e parë (fq. 71). Ndërsa sipas Duros, përqindjet e diplomimit në fakultetet e shkencave ishin shumë të ulëta (në degën e inxhinierisë mekanike ishte 32 % brenda 4 vjetëve; në degën e ndërtimit 30%, në fakultetin ekonomik 40% etj., fq. 127).

Unë prirem të besoj se përzgjedhja klasore e studentëve ishte një prej shkaqeve të cilësisë së dobët. Duro përmend edhe çështjen e përgatitjes së maturantëve (çka përbën edhe sot një shqetësim), problemet me mbingarkesën dhe cilësinë e personelit akademik apo mungesat në bazën materiale. Por autori zgjatet shumë të interpretojë se vështirësitë që hasnin studentët shkaktoheshin nga programi mësimor i ngarkuar me lëndë të kulturës të përgjithshme (fq. 90-99). Shkarazi ai përmend me fakte edhe shkaqe të tjera si mungesa e pasionit, cilësia e dobët e mësimdhënies etj. Relevante për aktualitetin është se, gjatë viteve 60, siç vëzhgon autori, janë krijuar kurse parapërgatitore (“remedial education” siç njihen në SHBA) për maturantët. Autori citon udhëzimin e qeverisë se “për përgatitjen e njerëzve të prodhimit për të ndjekur shkollat e larta sipas profilit, do të organizohen kurse 9-mujore pa shkëputje nga puna, pranë shkollave 11-vjeçare të Tiranës [.. Kukësit etj.]” (fq. 112). Kjo mund të jetë zgjidhja dhe sot.

Përshtypja ime është se autori ka cekur sipërfaqësisht sistemin e organizimit dhe drejtimit brenda universiteteve, financimin e arsimit të lartë, marrëdhënien e universitetit me shtetin etj. Edhe kur jepen shifra mbi buxhetin e ndonjë institucioni apo të shpërblimeve të pedagogëve e bursave, ato nuk janë të aktualizuara në vlerat e sotme të parasë. Ndërsa dimensioni ndërkombëtar i sistemit të arsimit të lartë është trajtuar në mënyrë sporadike, por kjo vjen nga trajtimi kronologjik që nuk lejon thellimin në dimensione të caktuara. Duro p.sh. paraqet një tablo, edhe pse jo të plotë, mbi kontributin me personel dhe ndikimin e Bashkimit Sovjetik (BS) në modelimin e institucioneve të arsimit të lartë, në tekstet universitare, literaturën shkencore dhe metodikën e mësimdhënies. Sot projektet ndërkombëtare zhvillohen në kuadër të Procesit të Bolonjës dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).

Përfundimisht, studimi ja vlen të lexohet për çdokënd të interesuar në zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri, edhe pse komunitetit akademik ende do ti mungojë një vepër referencë në lidhje me tematikat kryesore dhe historinë e arsimit të lartë në Shqipëri.

Nuk ka komente

  1. Kapedan,

    Tani nuk mund ta them me siguri sepse nuk mund t’i i ze bese kujteses dhe nuk kam mundesi verifikimi, por kam pershtypjen se doktorata te tilla, te bazuara ne statistikat zyrtare te kohes dhe me parametrat ideologjike te vleresimit te kohes jane bere qysh para viteve ’90. Pyetja eshte ku dallon ky punim nga ato te asaj kohe? Ç’te reja sjell ne krahasim me to?

    Sa per verejtjen mbi “te ardhmen e perparme”, shembujt qe sjell ti nuk jane e ardhme e perparme, por e ardhme e se shkuares. Quhet “e ardhme e se shkuares” sepse, me modalitete deftore (dhe jo kushtore), perdoret pikerisht per te shkuaren. Nuk shoh ndonje problem me perdorimin e kesaj forme. E ardhme e perparme do te ishte, p.sh., “do te kem bere”, “do te jem lare” etj.

    1. doktoratura eshte risi per shkak te intepretimit dhe analizes objektive e joideologjike.. Duro ben nje vleresim te politikave arsimore bazuar mbi synimet e qeverise te asaj kohe .. pra nuk kufizohet ne pershkrimin por analizon me argumente dhe brenda kontekstit historik te kohes.. ndersa tematika e zgjedhur, mbi masivizim (term qe ai faktiikisht e perdor pavend) eshte shume aktuale

      persa i perket kohes, une nuk ja kam haberin gjuhesise por iu referova wikipedias e ndoshta nuk e kam kuptuar mire, por edhe “ardhme e se shkuares” te jete, ca me keq, se nuk arrij te kuptoj kur shkruhet per te shkuaren dhe te flasesh ne kohen e ardhme (me siguri nje lloj “new speech” qe aktualizonte interpretimin dhe faktet e se kaluares me doktrinen sunduese) .. ose mua qe nuk lexoj kaq shpesh ne shqip, me vret veshin e syrin kjo lloj percudnie gjuhesore..

      sdq. nuk e di perse perdoret.. por nga ana stilistike ka nje problem.. se pari pjeseza “do te” ngaterron ligjerimin .. se dyti nuk kam pare deri me sot qe shkrimi te perdore brenda nje paragrafi (e jo me te gjithe rrefimit) sistematikisht vetem nje kohe.. por kalon nga e shkuara, ne te kryeren e thjeshte, serish ne te ardhmen e se shkuares.. e lexuesi behet nje lemsh i vertete se vertitet neper kohe … por edhe rrefyesi e kupton se sa artificial eshte te shkruash “Ne vitin 1942 do te themelohej partia komuniste” se pastaj kalon ne fjaline “Enver Hoxha udhehoqi partine…”

      se treti, kam idene qe perdoret per ti dhene autoritet rrefyesit dhe krijuar nje automatizem fals, se vetem rrefyesi e di sesi do te shkonin gjerat “ne vitin 1942 do te krijohej partia komuniste”, me nje lloj fatalizmi se nuk kish si te shkonte ndryshe … kur ne fakt ne nuk njihemi me historite a alternativat e ngjarjes .. pervec faktit qe mbulohen aktoret me kete forme qe kam idene se i shkon per shtat “pasivja”, sic e ka perdorur Duro dhe e perdorin gazetaret.. per te fshehur ndoshta me qellim aktoret.. historia nuk shkruhet ne kete menyre, ka gjithmone njerez i bejne, nuk behet fjale per historine e dinosaureve .. e madje kete bejne historine, gjejne aktoret kryesore, hulumtojne motivet e shkaqet etj.. nejse.. kjo kerkon nje trajtim profesional, por une flas keshtu me intuite..

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin