ÇMIM

Kopertina e vogelLibri im Sende që nxirrte deti u nderua sot me Çmimin “Ardian Klosi”, në Festivalin e Librit dhe të Arteve në Tiranë, për publicistikën më të mirë të botuar gjatë vitit 2013. Ju falënderoj të gjithëve ju që më mbështetët dhe i dhuruat këtij libri suksesin.

Pas Shqipes totalitare, ky është i dyti libër imi që merr një çmim kombëtar – por këtë herë gëzimi m’u përzie me trishtim të përtëritur për humbjen e mikut Ardian Klosi, i cili e kish projektuar prej kohësh këtë festival dhe, më tej, kish qenë edhe një prej lexuesve idealë të tekstit tim.

Ma dorëzoi çmimin Katharina, vajza e madhe e Danit; në një ceremoni ku morën pjesë edhe kryeministri Rama, ministrja e Kulturës Kumbaro dhe shumë miq, të njohur, kolegë dhe lexues. Prekëse për mua ishte prania në sallë edhe e dy motrave të Danit, Mirës dhe Etlevës, së vesë Juta, dhe mbesës Rozi, të cilët të gjithë i kam njohur në rrethana të tjera.

Nder i madh për mua që ky çmim m’u dha nga një juri e kryesuar nga Piro Misha, me anëtarë Iris Luarasin, Mustafa Nanon dhe Ylljet Aliçkën.

Këtë gëzim e ndava sërish me botuesen Arlinda Dudaj, e cila pati entuziazëm për këtë libër qëkur e pa për herë të parë në dorëshkrim.

Sende që nxirrte deti është një libër i menduar dhe i krijuar përmes blogut; dhe një provë, për mua, se letërsia tradicionale mund të bashkëjetojë, madje të përfitojë nga mediat e reja.

Dhe, më në fund, ky libër sikurse të gjithë të tjerët që kam botuar këto tetë vjet, i detyrohet kujdesit, besimit, frymëzimit dhe këmbënguljes së shoqes sime, së cilës edhe i është kushtuar.

Një moment nga ceremonia. (Foto Blerta Kambo/KM)

Një moment nga ceremonia.
(Foto Blerta Kambo/KM)

Nuk ka komente

  1. Urime, Ardian.
    Jam i sigurte se me kalimlin e kohes vlerat e librit do te rriten. Lexuesit qe do te vijne do te gjejne ne të elemente të çmuar per te kuptuar nje kohe unike dhe te paperseriteshme qe i iken te gjitha zhvillimeve te zakoneshme, kohen e nje çmendurije kolektive, ku edhe ata qe nuk u preken nga bacili i Koh (es), detyroheshin te benin te çmendurin. Libri shpresoj të deshmoje ekzistencen e ketyre te fundit.

  2. Urime. Konfirmime të tilla jane hapa të rëndësishme për të orientuar vëmendjen në drejtimin e të mirës së përbashkët me anë të fjalës së shkruar. Mirënjohje për mundin dhe talentin!

  3. Urime për çmimin. Vlerësimi i këtij libri tregon, ose të paktën më bën të shpresoj, se vëmendja e lexuesit po vjen e fokusohet gjithnjë e më tepër në atë lloj krijimtarie, që i qaset të kaluarës me objektivitetin e nevojshëm, pra esëll. le të shpresojmë që ky stil të shndërrohet në shkollë.

  4. I dashur Ardi:
    Urime të përzemërta për çmimin “Ardian Klosi”. E konsideroj veten me fat që kam lexuar shkrimet e tua që nga fillimi i viteve 80, gjithmonë me kënaqësi të veçantë. Mezi pres ta lexoj „Sende që nxirrte Deti” … dhe librat e tjerë që jam i sigurt do të na dhurosh në të ardhmen.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin