POVERO MAX

Minella Aleksi kërkon ta vazhdojë me çdo kusht një polemikë të keqe që nisi kundër meje me shkrimin e vet në Tema dhe të cilit iu përgjigja; duke dalë me një polemikë të mëtejshme, te Dielli (e shoqëruar, edhe kjo, me një foto të Kadaresë vetë, a thua se është ky që ia ka diktuar paragrafët Aleksit).

Pikërisht tani mësoj edhe se paska shkruar edhe një tjetër kritikë kundër meje (“Inati dhe poshtërsia na mbajnë gjallë”) të cilën unë s’e kisha parë (faji im), dhe përmend pastaj një artikull të S. Bejkos, i cili, edhe ai, më godet mua në lidhje me qëndrimin ndaj I. Kadaresë (“Çmimi britanik dhe shkrimtari Kadare”) të cilin gjithashtu nuk e kisha parë (sërish faji im).

Çfarë thotë Aleksi të re në shkrimin e dytë?

Përsërit kritikat dhe thumbat e të parit, duke filluar nga akuza e tij e neveritshme për lèse majesté – e neveritshme sepse edhe ta kundërshtosh, të vjen ndoht nga vetja.

Merret me romanin Koncert në fund të dimrit dhe më shpjegon se episodi i rrethimit të Komitetit të Partisë me tanke është “episod fare anësor” – gjë që (1) nuk është e vërtetë, sepse episodi është boshti edhe i romanit edhe i partishmërisë së romanit dhe (2) unë nuk kam bërë analizë të romanit, por e kam shfrytëzuar si dokument si të thuash historik, për një idenë time.

Kthehet te një krahasim që kam bërë unë me Ivo Andriçin, duke rimarrë kritikat e artikullit të tij të lartcituar te “Panorama” – sërish, këtu lèse majesté-ja është se unë kam guxuar ta vë Andriçin në një plan me Kadarenë; dhe më akuzon se nuk kam marrë parasysh që Andriçi ka qenë antishqiptar; edhe pse unë këtij biografinë nuk ia kam bërë, por thjesht ia vlerësoj letërsinë që ka shkruar, njëlloj si edhe Kadaresë.

Me çfarë nuk do ta quaja veçse paturpësi intelektuale, përpjekjet e mia për ta mbajtur veç Kadarenë shkrimtar prej akuzave që i bëhen Kadaresë njeri publik dhe komunist i quan si sulme ad hominem ndaj shkrimtarit.

Shkruan pastaj (lexojini me kujdes këta dy paragrafë: janë të mahnitshëm për nga stili dhe toni):

A.Vehbiu, duke hyrë me vonesë në botën e shkrimtarëve duhet të kuptojë se në këtë botë ka rregulla të tjera dhe spekullimet dhe dredhitë nuk pijnë ujë. Në këtë botë nuk hyhet me bërryla, duke shtyrë të tjerët.

A.Vehbiu ka botuar kohët e fundit një libër me tregime me nivel tepër të zakonshëm, për të mos përmendur fjalën mediokër. Kjo është një arsye më shumë që ai të jetë më i përmbajtur kur kërkon t’u japë mësime dhe të fyejë shkrimtarët e përmasave të mëdha. Në një rast të tillë dihet fati dhe pozicioni i shkrimtarit që ndjek rrugën e gabuar. Ai është i humbur dhe pa shpresë.

Gjynah mos paça, por mua më duket sikur nuk i ka shkruar Aleksi këto më sipër; sepse ky i fundit nuk është shkrimtar, as ka arsye dhe titull të më shpjegojë mua rregullat e “botës së shkrimtarëve”. Goditja pa shkak që i bën librit tim të “Maks Gjerazit” më shërben, megjithatë, si tregues elokuent i burimit të këtyre kritikave, të cilin për respekt ndaj vetes nuk po e përmend këtu.

Zelltari Aleksi më kritikon sërish, meqë nuk e paskam kundërshtuar me vendosmërinë e duhur thashethemin që Kadareja i ka quajtur “jashtëqitje të kombit” refugjatët e korrikut 1990; edhe pse unë, në fakt, nuk mund të vë dorën në zjarr për ç’ka thënë e ç’nuk ka thënë shkrimtari gjatë këtyre dydekadave të fundit; por di që, në mitingun e korrikut, Kadareja nuk e ka thënë një gjë të tillë, thjesht ngaqë ai nuk ka folur aty; di dhe e kam thënë haptazi dhe publikisht, më shumë se një herë*. Jo aq fort sa duhet? Ma mi faccia il piacere, tha. Nuk kam marrë gjëkundi përsipër të korrigjoj çdo fëlliqësirë që thuhet poshtë e lart për Kadarenë, dhe aq më pak kur ka pena si Aleksi në qarkullim.

Shkruan më tej Aleksi:

Në shkrimin tim kam trajtuar shpifjet shumë të rënda kundër Kadaresë, duke u përqëndruar te shprehja «jashtëqitja e kombit». Kjo nuk ka qenë vetëm punë shprehje. Sipas kësaj shprehjeje të sajuar e të përhapur nga Sigurimi shqiptar, shkrimtari Kadare iu kundërvu lëvizjes për emancipim të vitit 1990, duke hedhur baltë mbi pararojën e saj: refugjatët shqiptarë. Sipas meje, Vehbiu, në vend që të ndihmojë për sqarimin e kësaj shpifjeje, kundër së cilës janë dëshmitarë njëqind mijë banorët e Tiranës, i shmanget së vërtetës, duke e pranuar përgjysëm atë.

Duke gënjyer – sepse unë këtë nuk e kam pranuar gjëkundi, meqë nuk e kam besuar kurrë (po më duket vetja tani si të akuzuarit në plenumet e KQ-së dikur). Se këta njerëz të bëjnë pis jo vetëm me akuzat që lëshojnë, por edhe kur ti detyrohesh t’u përgjigjesh. Vëreni edhe absurditetin e argumentit të mësipërm: një shpifje që ka dëshmitarë njëqind mijë banorët e Tiranës, nuk ka nevojë për ndihmën time, që të sqarohet si e tillë, pra si shqipfje!

Tani, bërë kurioz nga dy polemikat më të hershme të cilave iu referohej autori dhe që unë s’i kisha parë, shkova dhe i gjeta online (i kam cituar më lart).

Në shkrimin e vet të Janarit 2013, Aleksi shkruante:

Kam vënë re se shkrimtari Kadare ka qenë dhe vazhdon të jetë obsesion i A. Vehbiut si publicist, e edhe tani kur ka kaluar edhe në letërsi me librin me tregime.

Sërish shoqërimi i veprimtarisë sime publicistike dhe kritikat, ose më mirë “kritikat” ndaj Kadaresë dhe librit të Maks Gjerazit, me premisën se mua më ka frymëzuar zilia në këto “kritika”.

Dhe qershiza mbi tortë:

Duke marrë si shembull shkrimtarin Andriç, instinktivisht Vehbiu pa dashur nxjerr edhe burimin se nga ku i vjen shpërblimi.

Shpërblimi? Po pse e ulni gjithnjë kaq poshtë nivelin e debatit, o derëzinj? Pse çdo kritikë, çdo objeksion, çdo kundërshtim duhet të ketë një shpërblim mbrapa? Mos tradhton vallë, ky obsesion me shpërblimin, thelbin e eksperiencës suaj si publicistë?

Pastaj Aleksi u rikthehet tregimeve të Maks Gjerazit duke vërejtur, në vazhdim të shkrimit (madje jo pa humor të hollë):

Më duhet të saktësoj se libri i tij i parë, i botuar pas moshës 50-vjeçare, jo vetëm që është një libër fare modest që kaloi pa lënë gjurmë në botimet shqiptare, por më sjell kujtimin e librit Shteg më shteg me partizanët. Kjo besoj se do të mjaftonte që autori të ishte më i kujdesshëm e të tregonte më shumë respekt për një shkrimtar me përmasa si I. Kadare.

Në të njëjtën linjë pak a shumë më paska sulmuar edhe S. Bejko, i cili i referohet gjerësisht M. Aleksit në artikullin e vet.

Po e citoj të plotë pasazhin e Bejkos, sepse përndryshe nuk do të më besoni. Pasi ka përmendur që romani Darka e gabuar është futur në një listë prej gjashtë veprash që konkurrojnë për çmimin e gazetës The Independent, Bejko thotë:

Në vazhdim të reflektimit, pas këtij vlerësimi botëror që po i bëhet romanit, le të kthehemi te kritiku Ardian Vehbiu, që ka thënë e bardhë mbi të zezë: Nuk më ka pëlqyer ky roman. Ai pa shfaqjen e dramës së ngritur mbi motivet e këtij romani dhe nuk e pëlqeu. Pastaj lexoi romanin dhe shkroi se edhe romani nuk i pëlqeu. Është e drejta e tij mos t’i pëlqejë as shfaqja as romani. Por, pavarësisht nga kjo, ka një gjë të thellë që nuk shkon. Romani që doli ndër gjashtë më të mirët në botë, në Shqipëri me një të rënë të lapsit, pa ndonjë analizë, është skualifikuar si një gjë gati pa vlerë. Ky nihilizëm i kritikut shqiptar e kapërcen argumentin letrar. Është një dashakeqësi e hapur, e thellë.

Pastaj Bejko i kthehet edhe ai Andriçit, në thelb duke përsëritur argumentet e Aleksit, dhe vazhdon:

Dr. M. Aleksi i kujton Vehbiut një arsye të fundit për të qenë më i përmbajtur kundër Kadaresë. A. Vehbiu, në moshën mbi 50-vjeçare paska hyrë në letrat shqipe me një libër me tregime. Me një fjalë, është bërë koleg i I. Kadaresë në letërsinë shqipe. Për çudi, kjo në vend që ta fisnikërojë, e ka bërë edhe më të egër ndaj kolegut Kadare. Pa dashur ta fyejmë, po i kujtojmë Vehbiut se libri i tij me tregime është fare i rëndomtë. S’ka nevojë të zgjatemi për të kuptuar se ç’motiv e shtyn një shkrimtar të rëndomtë të hedhë baltë mbi një shkrimtar të madh.

Udite, udite: libri fatal me tregime nxjerr kokën sërish! I ziu Maks Gjerazi, që po e pëson edhe ai për fajin tim, duke u futur në listën e zezë të letërsisë shqipe…

Dhe vëreni, vëreni, vëreni – mes gjithë kësaj zhurme – sa të varfra janë këto akuza e kritika kundër meje: s’kam pëlqyer një roman, kam guxuar të përflas alibinë e partishmërisë te një roman tjetër, kam guxuar ta vë në një plan Kadarenë me Andric-in (ky, nobelist), nuk kam kundërshtuar fort një thashethem krejt të diskredituar… Ku fle lepuri, pra?

Nga e gjithë kjo histeri, të cilën unë vetëm tani po e rrok në përmasat e veta të plota, nuk mundem veçse të deduktoj se burimi i këtij mllefi të paparë, ose krevati i lepurit, është pikërisht libri me tregime 66 rrëfimet e Maks Gjerazit, i cili i ka aktivizuar këta Sturmtruppen që t’i hidhen në mbrojtje Kadaresë ndaj sulmeve imagjinare, madje edhe duke i kërcënuar kundërshtarët, njëlloj imagjinarë. O tempora, o mores!

* Së fundi këtu, në mbyllje të kësaj eseje të përfshirë edhe te Sende që nxirrte deti; problemi është nëse do ta kuptojë dot Aleksi fjalën apokrife? Kam të drejtë të dyshoj, duke pasur parasysh që në artikullin e mëparshëm kundër meje vajti dhe më ngatërroi kallëzimtarin si figurë tekstologjike (narrator) me spiunin; ose ezofagun me zorrën e trashë, si me thënë.

Nuk ka komente

  1. Linkun per te ky artikull e klikova prej Facebook-ut i cili ka ca kohe qe permes algoritmeve gjithmone e me teper te sofistikuara, aq sa ndonjehere me ben me hije, cdo artikulli qe klinkon i shton nga poshte disa linqe te tjera si lexime te sugjeruara pasi ti tashme ke klikuar te parin. E di c’me doli pasi klikova kete? Ja ky linku ketu: http://howtoarguewithanidiot.com/ Perfundimisht kjo eshte shenje e asaj qe Raymond Kurzweil quan singularitet. Inteligjenca artificiale paska ardhur edhe une kesaj rradhe i heq kapelen.

    Ps. Per ata qe s’kane nge te klikojne te linku, aty sygjerohet qe te mos besh debate me idioter sepse “Kur perleshesh me nje derr te dy do te zhgerryheni e derri do te kenaqet”.

  2. XhaXha,
    Përdëllimtarët e tipit Aleksi dhe Bejko shpresojnë të hyjnë në historinë e letrave shqipe si shqytarë të Kadaresë. Me sy të përflakur nga zelli ata ofrojnë shqytin e tyre (unsollicited – shpresoj) virtual që kështu të hyjnë nëpër antologjitë e shkollave të mesme nëpërmjet paragrafëve pak a shumë të tillë: “Kur shkrimtari i madh u sulmua nga ziliqarët e rëndomtë që sic dihet botërisht e mëtuan fort talentin e gjeniut, këtij të fundit ju gjendën pranë pena të fuqishme që me forcën e papërmbajtshme të logjikës dhe lehtësinë e papërballueshme të faktit, u vërtetuan ziliqarëve se ata kishin shitur shpirtrat e tyre tek armiqtë kombëtarë vetëm e vetëm që t’i binin pabesisht më të madhit bir që kultura e këtyre trojeve pat lindur ndonjëherë”.
    Unw nuk mendoj se kësisoj përdëllimtarësh merakosen përnjimend për teoritë konspirative me Ivo Andriç. Përkundrazi, besoj se të rrëmbyer siç janë prej zellit prej kryqtarësh, shkelin mbi fakte e argumenta pa pikën e gajles, vringëllejnë tastierën e kompjuterit si dikur kryqtarët shpatat, e pastaj përpiqen të varrosin histori që i sajojnë me copëza fjalish të marra andej e këndej tamam si Dr Frankestein-i.
    Në fund, trego mëshirë e kursejua fatkeqësinë e përgjigjes, pasi kjo vetëm do t’ua përkëdhelë fantazinë e të qenurit intelektualë të përfshirë nw debatet e mëdha të kombit. Mbase Maks Gjerazi do të kish diçka për të rrëfyer ndërkohë?

  3. Rreziku më i madh që i kërcënohet Kadaresë sot është shndërrimi në ikonë: kur të gjithë ta lëvdojnë dhe askush të mos e lexojë.

    Unë jam rritur me “Kronikë në gur” dhe “Urën me tre harqe” dhe e mbaj mend çfarë force dhe dinamizmi përfaqësonte ajo lloj letërsie në botën e brezit tim – dhe çfarë shprese gjithashtu.

    Ishte mishërimi i anti-konformizmit, i refuzimit të mendimit për t’u nënshtruar; sikurse ishte edhe ngushëllimi për mizerjen kulturore të jetës nën komunizëm.

    Unë ashtu jam rritur dhe kjo prirje sot për ta kanonizuar shkrimtarin më kall krupën – sepse ia heq jetën veprës dhe e balsamos, duke e përdorur për qëllime që me letërsinë s’kanë fare të bëjnë.

    Thashë që Kadaresë i kërcënohet harresa ose, më keq akoma, irrelevanca: dhe faj për këtë ka ai vetë, por sidomos kanë epigonët e tij, të cilët e kanë sterilizuar, duke e shndërruar në diçka po aq të sheshtë sa edhe shqipja me dy krerë e flamurit.

    Veprën e tij – një pjesë e së cilës me vlerë të pashoqe në nivelin global, jo shqiptar e ballkanik – po duan ta burgosin në raftet dhe bibliotekat e atyre që nuk lexojnë.

    Dhe kjo farë histerie nuk ka lidhje as me kulturën as me letërsinë.

    Kadareja “im”, nëse mund të shprehem kështu, përfaqësonte, për brezin tonë, botën mbarë, të filtruar përmes ndjeshmërive dhe inteligjencës së shqiptarit modern.

    Kadareja i këtyre të tjerëve, përkundrazi, po riciklohet si përfaqësues i shqiptarisë, në sytë e botës mbarë: një rol folklorik, populist, në thelb politik, që e shterpëzon shkrimtarin dhe e denatyron veprën.

    Çfarë ishte për ne misionar i Perëndimit, po duan ta riderdhin tani në trajtat e një kryqtari grotesk të shqiptarizmit.

    Të gjitha ato që thonë Aleksi dhe kolegët e tij në lidhje me “herezitë” e mia – krahasimet me Andriçin, raportet e Kadaresë person publik me regjimin e Hoxhës, ose mungesën e entuziazmit në diskursin tim për atë shkrimtar dhe veprën e tij – janë zhvendosje të vëmendjes.

    Kadareja sot nuk ka shumë nevojë të lavdërohet dhe të adhurohet, dhe aq më pak prej meje; përkundrazi, ka nevojë, që t’i mbrohet relevanca, edhe prej meje.

    Jo si politikan i kombëtarizmit, as si prift i frustracioneve tona kombëtare, por si shkrimtar i madh, që na ka ndihmuar të gjithëve të gjejmë veten në tekstet e tij.

    1. Pikërisht,
      rreziku i vërtetë është që Kadareja të kthehet në Dulqinjë që kështu Don Kishotët të kenë arsye të vringëllojnë shpatat (më fal, desha të thosha tastierat) e të dalin nga anonimiteti i mediokritetit.
      Kështu janë pikërisht këta që e instrumentalizojnë Kadarenë për nevoja banale egosh të frustruara, me ç’rast unë mendoj se debati në të cilin ti u bën nderin të marrin pjesë nuk bën gjë tjetër veçse gratifikon këto frustracione dhe përflak zellin bolshevik.
      Sa për Kadarenë, si shumë shkrimtarë të tjerë të mëdhenj që jetuan nëpër tallazet e kohërave, do të vijojë të bashkojë e të ndajë lexues, të lëvdohet apo shahet, të frymëzojë apo të keqkuptohet, të mrekullojë apo anatemohet. Këtu më kujtohet Gorki i cili pati fatkeqësinë që, në Shqipëri të paktën se për vendet e tjera ish-komuniste nuk e di, të identifikohej me romanin e stërlodhur “Nëna” për shkak të të cilit shumë prej nesh e hoqën nga lista e shkrimtarëve që ja vlenin t’i lexoje. Ishte tjetër gjë pastaj kur, në abisin kulturor të fillimviteve ’90, unë zbulova “Përrallat e Italisë” dhe “Foma Gordejev” dhe më erdhi keq se si më kishte shpëtuar një shkrimtar kaq i madh…
      Kështu edhe Kadareja, mbase do të paragjykohet nga ndonjë brez që vjen pas nesh dhe që nuk u mëkua si ne në mënyrë ekskluzive me artin dhe mendimin e tij intelektual. Por kjo është normale. Kohët rrjedhin dhe brezat ndërtojnë imazhe të tjera që kurrsesi nuk janë absolutiste dhe ca më pak idhujtariste. Kjo me sa duket u ka shpëtuar kalorësve kryqtarë shqytarë të Kadaresë, ndonëse ky vetë paralajmëroi ndryshimin e kohërave në një prej tregimeve të tij të botuar në fillimvitet ’80 nëpërmjet catchphrase-t të njohur asokohe: “A flasim kundra?”

  4. Sa te varfer qe ishim!!! Shume prej nesh do ta gjenin veten ketu:
    “Unë jam rritur me “Kronikë në gur” dhe “Urën me tre harqe” dhe e mbaj mend çfarë force dhe dinamizmi përfaqësonte ajo lloj letërsie në botën e brezit tim – dhe çfarë shprese gjithashtu.”
    Por patem fatin qe erdhi nje dite dhe nxorrem hunden pertej telit me gjemba dhe pame c’mund te ishte letersia, arti, filozofia. Pame c’ishte Majakovskij dhe shijuam sic duhet Migjenin. Personalisht, shoh si vital artin, filozofine apo letersine qe i reziston rileximit tone tranzicional (in&out Shqiperise). Kjo gje nuk ndodh me Kadarene. Ka humbur kripen e leximit nen rreshta dhe midis rreshtash. Mbi rreshta, Kadare, nuk eshte me Kadare.
    Keto jane thjeshte, opinione personale.

  5. Une i kam lexuar, megjithese perciptas, shkrimet ne fjale dhe komentet qe i kane shoqeruar. Ka vertet ketu nje problem te rende dezinformimi dhe difamacioni. Te gjithe kemi rene ndonjehere prehe e shpifjes se dashakeqesve apo urrejtjes se te keqkuptuareve; gjerat shpesh jane sqaruar dhe jeta ka vazhduar. Por kur balta hidhet me kova publikisht, kjo duhet te jete e tmerrshme, ndaj xhaxha ne rradhe te pare, te shkuara! Ne rradhe te dyte; sot perndryshe nga 10 vjet me pare informacioni eshte shume me i aksesueshem. Dikush qe ka lexuar shkrimin ne Dielli mund te sugjestionohet ne nje moment te pare, por me pas mund ta gjeje lehtesisht edhe pergjigjen, dhe ta kuptoje paranojen e pamotivuar te z. Minella Aleksit, te kuptoje se ka humbur kohen pasi ne fund te fundit polemika te tilla jane humbje kohe per ke i lexon, siç edhe natyrisht e dime te gjithe se kur te keqkuptojne dhe fyejne je i detyruar te sqarosh dhe te pergjigjesh. Ndaj nuk ja vlen shqetesimi, ne fund te fundit çfare do te mbeten jane librat dhe shkrimet e tjera te padetyruara, qe une te pakten i lexoj me shume kenaqesi!

  6. Debati per nje veper te caktura nuk eshte gjesendi e keqe ne vetvete, por perben problem te vertete kur ai ngrihet mbi ide e mendime te deformuara a te nxjerra nga konteksti. Duket sikur ka njerez qe me çdo kusht duan te bejne dallge me nje teme si ajo e vepres se Kadarese, ndaj te ciles ka sensibilitetet te shumta. Pergjithsisht eshte fjala per njerez te cileve nuk u njihet ndonje analize e asaj vepre, por jane gati te shqyejne keto qe pertej ideve « me Kadarene ose kunder tij » i qaset vepres se tij nga kende ne ndryshme sociale dhe eksplorimesh te metejeshme epistemologjike.
    Kujt, do t’ia hedhesh ti, tha…

  7. Disa forma te denimit ne Shqiperi i kane zevendesuar me leximin e veprave te fundit te Ismail Kadarese. (W. Allen, parafrazoj: Ne disa shtete ne SHBA heqjen e denimit me vdekje e kane zevendesuar me shikimin e detyrueshem te filmit tim).
    Nipi

  8. E gjithe kjo histori ma kujton nje kenge te famshme te Paolo Contes qe thote :

    Max
    non si spiega
    Fammi scendere, Max
    Vedo un segreto
    Avvicinarsi qui, Max

    Ai e ka ne tjeter kontekst po edhe ktu ben sens ne menyren e vete 😀

    Xhaxha mos ju jep shume peshe ketyre pacavureve. Me menyren tende dhe pikepamjet e tua, je nje rrezik publik per status-quone me te cilen jane mesuar “intelektualet” ketu ne pergjithesi.

  9. Nga Mbledhja e Plenumit te Gjashtëdhjetë e Gjashtë, viti i panjohur:

    M.A. Reaguat në mënyrë të menjëhershme me përpjekjen për të na bindur se shumica e lexuesve idenë tuaj e kanë keqkuptuar.

    Eseisti/Shkrimtari: Gënjeshtër, shumica e lexuesve e kuptuan fare qartë idenë time.

    M.A. Nuk harruat të theksonit atë që rëndom e përdorni si formulë justifikuese se shkrimin dikush pa leje ia ka marrë nga uebsiti juaj dhe e ka hedhur në të tjera blogje deri edhe te gazeta Express e Prishtinës.

    Eseisti/Publicisti: E bëra për të mos ju rënduar më tepër, dhe idenë time, për të mos ju poshtëruar më tepër e theksova si shënim. Ideja ime ishte që referenca ndaj Kadaresë ishte incidentale dhe illustrative, jo esenciale. Po kam përshtypjen që fjalë si ‘incidentale’ dhe ‘apokrife’ ju nuk i rrokni dot. Pa përmendur këtu konvencionet narratologjike. (Konvencionet narratologjike???????????? Come on Magje!!!!)

    M.A. Në letrën time kam trajtuar shpifjet shumë të rënda kundër Kadaresë, Sipas meje, ju, në vend që të ndihmoni për sqarimin e kësaj shpifjeje, kundër së cilës jane dëshmitarë njëqind mijë banorët e Tiranës, iu shmanget së vërtetës, duke e pranuar përgjysëm atë.

    Esesiti/Publicisti: Më duket se nuk jeni nga Tirana, nuk perceptoheni si tiranas me një fjalë. Saga e Forsajtve, Diplomati, Tesi I D’Erbevileve, Majakovski, Ana Karenina, Tre Shokët, Valë të nxehta ne Berlin, Cehovi, Poeme Pedagogjike, Si u kalit Celiku, janë këto librat që e kanë shënuar jetën e shumë tiranasve, shumë me shumë se Kadareja, por këta tituj nuk ju thonë gjë, apo jo?

    M.A. Ti që ke hyrë me vonesë në botën e shkrimtarëve duhet të kuptosh se në këtë botë ka rregulla të tjera dhe spekullimet dhe dredhitë nuk pijnë ujë. Në këtë botë nuk hyhet me bërryla, duke shtyrë të tjerët.

    Eseisti/ Publicisti Pikërisht, ka në fakt vend të bollshëm për të gjithë, ndryshe nga bota e mjekëve.

    M.A. Ke botuar kohët e fundit një libër me tregime me nivel tepër të zakonshëm, për të mos përmendur fjalën mediokër. Kjo është një arsye më shumë që të jesh më i përmbajtur kur kërkon t’u japësh mësime dhe të fyesh shkrimtarët e përmasave të mëdha. Në një rast të tillë dihet fati dhe pozicioni i shkrimtarit që ndjek rrugën e gabuar. Ai është i humbur dhe pa shpresë.

    Eseisti/Publicisti Po, dhe unë në fakt nuk dua gjë tjetër, vec të më lënë rehat në fatin tim të humbur dhe të pashpresë. Përndryshe Gilles Deleuze e quan këtë lloj ‘arsyetimi’ delimitim që pula i bën oborrit të vet. Me shpresën se e kuptoni ironinë e hollë, se kam përshtypjen që jeni rehat nga ajo anë.

    Thirrje nga salla:

    – Të të hanë munë shoku Ismail!

    – Dy pika shiu ranë mbi qelq dhe unë për ty se c’ndjeva mall!

    – Ja ku jam unë rrënja jote Parti!

    – Poshtë marifetet psikanalitike!

    Такая жизнь, брат, ждет меня….

  10. Desha te bej nje koment lidhur me ate ceshtjen e “jashteqitjes se kombit” paraqitur si e thene prej Kadarese ne mitingun per denimin e atyreve qe hyne ne ambasada, sepse eshte nje shembull tipik se si nje genjeshter e madhe mund te paraqitet si nje e vertete e madhe dhe qe i reziston kohes, mjaft qe genjeshtra e madhe te “kripet” me pak te vertete. Cilat jane te vertetat?

    1. Kadareja e ka perdorur konceptin dhe pastaj shprehjen “jashteqitje e kombit”, por shume me heret se 1990 dhe referuar nje ngjarjeje te vitit 1944. Pikerisht ne romanin “Nentori i nje Kryeqyteti”, ai shkruan pak a shume (nuk citoj sepse nuk e kam librin ketu tani) se Bulevardi “Nena Mbretereshe” (me duket se i bie te jete Rruga e Kavajes) ishte shnderruar ne je lloj zorre e trashe e stermadhe qe nxirrte “JASHTEQITJEN E KOMBIT”, pra klasat e permbysura qe po largoheshin bashke me okupatorin. Parafrazimin e kam bere bazuar ne kujtesen time. Mund te verifikohet lehte duke shfletuar botimin e pare te librit, ate me kapak ngjyre vishnje. Mund te mos jete ne botimet e mevonshme, nuk jam i sigurte.

    2.Shprehja “jashteqitje e kombit” referuar mesymesve te ambasadave u perdor qe cke me te ne ate miting, por prej Kiço Blushit, jo nje here por disa here e shoqeruar me brohoritjet perkatese te asaj pjese te ndezur te turmes qe kishte ardhur spontanisht ne ate miting.

    Pra, dy te verteta u shkrine me njera tjetren, sipas teknologjise se dizinformimit dhe prodhuan nje genjeshter qe jo vetem i rezistoi kohes ne menyre te cuditshme, por edhe eshte bere gur prove per shume (jo per te gjithe) shkrues, shkrimtare, publiciste etj. ne qendrimin ndaj Kadarese, jo si shkrimtar, por si qenie njerezore. Pak per t’u habitur se si askush nuk ia permend me kete histori Kiços, mbase sepse kerkush nuk merret me me te.

    Logjika qe perdoret eshte mesa duket:

    – A ka thene (shkruar) Kadareja “Jashteqitja e kombit”?
    -Po
    – Au tha ne mitingun e ambasadave “Jashteqitja e kombit”?
    -Po
    -Atehere Kadareja tha ne mitingun e ambasadave “Jashteqitja e Kombit”…….

    Z. Vehbiu, mua nuk me duket se ju e sulmoni Kadarene ad hominem, ju shprehni opinionin tuaj ne nje menyre qe mua me duket korrekte, edhe pse mund te kete pika ku nuk mendoj si ju.

  11. Me vjen shume keq ta them, sepse po e them ketu dmth ne shpine e nje prej debatuesve, por z Minella Aleksi ka te drejte, te pakten nga sa lexoj une.

  12. Për sa i përket rrethimit të një komiteti partie nga një formacion tankistësh gjatë një loje stërvitore, kjo ka qenë një histori, e cila është diskutuar bajagi në kohën e dënimit të puçistëve në ushtri Balluku & co.

    Unë nuk e di se sa e vërtetë ka qenë kjo histori, por di, që puçistët e atëhershëm (ose ata që u quajtën si të tillë) u akuzuan edhe për këtë. Ose të paktën në opinion, kur bëhej dënimi i veprimtarisë armiqësore të tyre, përmendej kjo gjë shpesh.

    Tani po të merret parasysh fakti që çka merrej në konsideratë haptazi në opinionin publik në Shqipërinë e vitit 1974 ishte 100% e telekomanduar nga struktura shtetërore, unë jam i bindur, se pavarësisht se sa i vërtetë mund të jetë ky fakt, ai është depozituar në mes të diskutimit në mënyrë të qëllimshme për të evidentuar konfliktin që puçistët po donin të sajonin midis Ushtrisë dhe Partisë me qëllimin e tyre të vetëm final: rrëzimin të Enver Hoxhës nga pushteti.

    Pra si temë nuk është gjë ndonjë anekdotë e kohës, por është pjesë e retorikës zyrtare për mundësimin e spastrimeve të dhunshme në radhët e ushtrisë, me qëllimin e vetëm, që ishte forcimi i pushtetit absolut të Enver Hoxhës. Ktheje si të duash këtë histori, pas kësaj priteshin koka.

    Tani shkrimtari ynë shumë i madh dhe i lumtur Ismail Kadare e ka marrë këtë temë dhe e ka vendosur në një roman te tijin 15 vjet më vonë jo gjë si stoli stili, por ngrë nëpërmjet saj një figurë të admirueshme tipike të realizmit socialist në plan të parë, pra atë heroin e dashur dhe të pastër e gjithnjë në ngritje, i cili vepron në momentin e duhur duke bërë zgjedhjen e duhur, pra dashurinë për Partinë dhe jo atë për karrierën. Ky njeri vepron sipas ndërgjegjes socialiste dhe jo urdhrit, ndërkohë që kjo e para nuk duhet ngatërruar me ndërgjegjen civile, e cila është ajo që në diktaturë të nxit të përkrahësh viktimën, pra që është krejtësisht kundërta e të parës.

    Unë nuk besoj se Kadareja, qoftë atëherë kur e shkroi “Koncertin” apo edhe më pas, të ketë pasur ndonjë ndjenjë simpatie me figurën e krijuar prej tij, pavarësisht se në veprën e tij ai ja ofron këtë figurë lexuesit me simpati. Unë besoj tek integriteti i Kadaresë për sa i përket bindjeve të tija në atë kohë, që kanë qenë anti-sistem. Nga ana tjetër, sido që ta rrotullosh punën, një gjë është e qartë (të paktën për mua), që në kohën kur u shkrua “Koncerti”, Kadareja vërtetë që nuk kishte nevojë t’i bënte kësisoj lajkash sistemit, pasi diktatori kishte vdekur dhe Kadareja, tashmë falë edhe famës ndërkombëtare, ishte bërë i paprekshëm, nëse vazhdonte vetëm të hidhte kunja, por jo vickla.

    Por atij ju duk më oportune, t’i bënte një gjest besnikërie atij sistemi dhe e torri atë histori, në një kohë që as e kish gjë më njeri në mendje dhe përkundrazi, duke e tematizuar në atë formë dhe duke e ngritur në art, në fund të fundit ishte një kontribut për forcimin e diktaturës.

    Është një gjë t’i thuresh lavde Partisë dhe Enver Hoxhës në vitet 70 dhe është një gjë tjetër t’i gjendesh sistemit pranë në fundvitet ’80. Kjo e dyta për njerëz si Kadareja nuk ishte më kusht për të shpëtuar kokën, por ndoshta vetëm për të përfituar ndonjë privilegj të vockël banal të karakterit vetjak.

    Dhe tani Minella Aleksi të mos flasë kodra pas bregut, se në atë kohë ka jetuar ai, por kanë jetuar edhe të tjerë, të cilët mendjen në kokë e kanë pasur dhe sytë në ballë dhe dinë të analizojnë mirë e të gjejnë domethënien edhe të gjesteve më të vogla e pothuajse të padukshme të figurave publike të kohës.

    Ndërkohë që këtë sulmin kundër Maks Gjerazit unë nuk e kuptoj, pasi në fund të fundit nëse dikush ka probleme me botëkuptimin e Vehbiut, që është edhe një gjë e vetëkuptueshme në një shoqëri të mendjeve të lira, rrëfimet e MaGje-s duhet të ishin krijimet e fundit për t’u kapur me këtë autor. Ato, si të vetmet në llojin e tyre ofrojnë vetëm mundësinë për t’i kuptuar (dhe shijuar) ose për të mos i kuptuar, por jo për të sulmuar.

    Ndoshta Kadareja do të duhej dikur të ndërhynte në këtë diskutim vetë dhe të shprehej publikisht, pasi po ta lërë diskutimin lidhur me veprën e tij në duart e Minella Aleksit, nuk i ka bërë asnjë shërbim vetes, përkundrazi. Ose t’i thotë këtij gjynahu, që i kupton gjërat anapolla, ta lërë këtë punë, se nuk është gjë serioze ajo që po bën.

  13. “… në fund të fundit ishte një kontribut për forcimin e diktaturës”

    Prifto, e ke me gjithe mend apo tallesh? E ke lexuar romanin apo te ka lexuar romani ty?

    Sa per thirrjen qe i ben Kadarese per te nderhyre, ai ka nderhyre madje teper ne keto lloj diskutimesh meskine qe nuk kane te bejne fare me vepren e tij letrare.

    Sa per diskutimin ne fjale, me vjen keq qe paska nderhyre S. Bejko. E njoh si poet dhe studiues te letersise dhe kam respekt per te. Veçse ndonjehere, ne intervalin mes nje pirjeje dhe nje tjeter e le veten te terhiqet ne diskutime te tilla krejt pa buke, qe, e perseris, nuk kane te bejne fare me letersine. E ketu ka ndikuar pa dyshim historia e tij personale, pasi eshte nje nga ata qe per hir te letersise e pesoi gjate diktatures.

    Me vjen keq qe kjo pune po tirret kaq gjate kot se koti. Sipas meje Xha Xhai ben mire t’i injoroje. Sa me shume zgjatet aq me shume trashen keqkuptimet, behet si ajo loja “telefon i prishur”.

    1. Shkruan:

      Me vjen keq qe kjo pune po tirret kaq gjate kot se koti. Sipas meje Xha Xhai ben mire t’i injoroje.

      Edhe mua më vjen keq – por po t’i injorosh këto gjëra, ato kalcifikohen në formën që ua kanë dhënë të tjerët dhe shndërrohen në të vërteta folklorike.

      Kur isha në Tiranë, në nëntor, përjetova disa gjëra që nuk më pëlqyen – dhe që lidhen për bukuri me debatin më lart. Ka një pakënaqësi të hidhur ndaj meje në qarqe të caktuara, e cila lidhet me Rrëfimet e Maks Gjerazit dhe që shfaqet në mënyra nga më të papriturat.

      Kjo m’u komunikua edhe haptazi, në një kontekst gjysmë privat, gjysmë publik; edhe pse jo në formë paralajmërimi, siç ma kanë thënë Aleksi dhe Bejko.

      Pjesëmarrjen time në këto debate dua ta konsideroj si një formë të higjienës së imazhit, për të cilin më duhet të kujdesem; sepse nga përvoja e di që gënjeshtrat reputacionale janë si bari i keq, nuk i shkul dot kollaj nga kopshti.

      1. Thua te kete te beje me “rrefimet e Maks Gjerazit”?

        Ne fakt, tani qe po e mendoj, grotesku eshte i rrezikshem, sepse nuk le hapesire as per viktima e as per heronj, eshte pa rrugedalje.

        Sipas meje ato qarqe te konsiderojne nje lloj “loose cannon” 🙂 E mbajtem gjarprin ne gji, tha 🙂

  14. Se pari, Xha Xha, mezi po pres te lexoj librin tuaj Se dyti, mendim personal, te perifrazaj nje thenie nga ‘Shoku yne Tili’, Kadare ka qene “i yti, i imi, dhe i te gjitheve”, per njefare kohe. Ai ka qene ajo dritareza e vetme, packa se e voockel dhe pak nazemadhe, ne ate bote te cilen ne situata me normale do na ishte dhene rasti ta perjetonim vete, po per arsyet e mireditura, nuk na u dha mundesia. Nderkohe, shume uje ka rrjedhur nga viti 1990. Une jam mes atyre qe duke lexuar Ivo Andric, pasi jane rritur me “Uren me tre harqe”, jane ndjere te mashtruar dhe disi te hutuar. Ende nuk kam zgjidhur se me c’mendje te bukur na eshte servirur kopja, apo thua mendonin do jetonim tere jeten nen meshiren e ndonje kocke qe na hidhte Kadareja me shoke? Here me ben te qesh me ironine, here te pezmatohem. Nga ana tjeter, kemi ende “Prillin e thyer” dhe “Koncertin” e personazhe te tjera te cilat per mua jane te pavdekshem — gjithmone duke prezumuar qe nuk jane “frymezuar” nga leximi i ndonje nobelisti tjeter :-).

    Personalisht mendoj se mllefi, protesta, rebelimi, romantizmi e gjithe fytyrat e ndryshme te muzes kreative ne rastin e Kadarese jane katandisur ne nje thengjill te ndezur shume kohe me pare e qe nuk mund te rindezet nga ngjarje te ndodhura pas 1989. Me fjale te tjera, Kadarese i ka mbetur muza qe kishte circa 1980-1989 (tetor, ne mos gabohem, largimi nga Shqiperia). Nderkohe qe shqiperimi i tij mbetet jashtezakonisht i vlefshem, letersia e vete Kadarese ka humbur raison d’etre ne nje mase te madhe. Me keqardhje kam vene re qe vitet e fundit librat e tij shtypeshin me font 14-16, dhe leter te trashe, ( guxoj te them per te bere para? qofsha e gabuar!) si librat per njerezit me veshtiresi leximi. Njeriu Kadare dhe shkrimtari Kadare kane nisur te perzihen pak si me shpesh sesa pritet ose eshte etike t’i serviret lexuesit. Une i ndaj thjesht per hir te nostalgjise.

  15. Une per vete, sinqerisht, sa here kam shkruar per muzen e Kadarese, e kam bere me shume per t’u identifikuar rme nje brez me te madh dhe per certi versi, tha, mitik, per ne me te vegjlit. Ne fakt nuk mbaj mend asgje nga Kadareja, pervec ndricimit te flokeve te Elenes, influences dhe terheqjes se kuptueshme qe periudha ruse ka luajtur mbi Kadarene dhe vepren e tij.

    Me pas, kur kam lexuar Ivon, nje veperth te vogel se ciles as nuk ia mbaj mend titullin, me kane ardhur ne mendje rishkrimet qe I ka bere Kadareja Keshtjelles dhe ne pergjithesi gjithe procesin retifikues te cilin Kadareja ia ka aplikuar vepres se tij te para ’90. Imiton, ne mase te madhe. Rishkrimet ne pergjithesi perceptohen si karagjozlleqe, kur nuk jane te diktuara ideologjikisht. Por dihet, Kadareja nuk pati kurre nje mik te mire qe ta keshillonte.

    Por ka nje ndryshim thelbesor, nese Ivo-ja eshte shume I rendesishem si shkrimtar dhe intelektual per te kuptuar dinamikat e marredhenieve nderfetare ne Ballkan, Kadareja jo, kryesisht sepse nuk eshte gjenuin. Une per vete, ka 20 vjet qe nuk I kam lexuar me asgje, nuk me vjen t’ia kerkoj veprat, me duket estemporan sot, po aq sa me dukej estemporan ne ate kohe.

    Por ne ate kohe e lexoja se e lexonte babi me mamin me shume qejf, sot keta te dy mund ta lexonin perseri me qejf, une thjesht nuk kam shtysen ta kerkoj ne librari.

      1. Po, sovjetike, bjonde, e gjate, trup i derdhur, mami. U njohen ne Leningrad: ai, nje nga burrat me te bukur te Tiranes, i vuri ne koke nje kokore, I beri nje foto dhe nuk u ndane me, prej asaj dite. Ajo nuk i pa te vetet per shume kohe, por neve na mekoi dashurine per te dyja vendet.

        Librat e Kadarese ne fillim ia perkthente babi, me pas mesoi shqip rrjedhshem dhe i lexonte vete. Une per fat te keq, vetem ca fjale dashurie prej nene dhe kenge rusisht mora prej saj, babi qelloi me i forte si karakter dhe cifti i ri i dha perparesi shqipes.

        Motra ime te than ne rusisht po mezi lidh dy fjale shqip, nderkohe. Nga inati qe nuk mundi te kthehej te shihte te emen para se t’i vdiste, kete moter mami e rriti eskluzivisht duke i folur rusisht. Babit, me kalimin e viteve, iu zbut karakteri, se ku e kishte gjetur Vajzen e Agamemnonit rusisht para ca kohesh ne Tirane, dhe e kishte blere me vrap. E lexuan koke me koke, te dy, si dikur.

        1. Shume interesant. Ju dhe prinderit tuaj jetoni ende ne Tirane? Nuk dua ta shfrytezoj kete blog si chat room, vetem se me te vertete u bera kurioz. A vuajtet shume gjate rregjimit komunist? A ua internuan familjen? A u akuzua mami juaj si agjente e KGBse? Sigurisht, jeni e lire te mos pergjigjeni. Edhe qe e them kete eshte pak si trapllek, se e di qe a pergjigjeni apo jo varet kretj prej jush, vetem se dua te tingelloj sa me i sjellshem. Flm.

  16. Libri me 66 rrëfime (që disa i kuptojnë si denoncime) i Maks Gjerazit mund të lexohet paralelisht edhe si një manual simptomash për atë sëmundjen e vjetër që s’na ka dalë akoma, s’ka sesi.

    Fill pas kësaj, kujt i kujtohet ajo barceleta me robin që i qahej doktorit se i dhimbte gjithë trupi: “Vë gishtin në ballë, më dhemb; e vë në pulpë, e vë në gjoks, në gju – më dhemb kudo, vdiqa!” Pas një ekzaminimi të shpejtë, doli se pacienti kishte thjesht një frakturë në gishtin tregues.

    Nëse në Tiranë ka “pakënaqësi të hidhur” apo dhembka për rrëfimet e Gjerazit, faji është ose tek gishti i tregimtarit – drejtuar për kah fytyra strukturalisht të pamundura të mos karikaturizohen – ose tek fraktura të fshehta nëpër trupën e lexuesve, tek të cilat tregimtari, kësaj rradhe, nuk mund të ketë dot gisht.

    Surpriza zhgënjyese dhe paradoksale që e gjen lexuesin paranojak të manualeve mjekësore, është se pasi ka zbuluar me ankth veten e vet në sa e sa simptoma, zbulon diku nga faqet e fundit edhe simptomat e hipokondrisë: po në cdo rast qenka i sëmurë, disi.

  17. “Non discutere mai con un idiota: la gente potrebbe non notare la differenza.”

    – Arthur Bloch

    Olsi

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin