KULTURA E LIGJIT

Çfarë e lidh vrasësin me pagesë me kriminelin ordiner? Çfarë e bashkon atë që e shpërthen tritolin në distancë nëpërmjet teknologjisë moderne me vrasësin për një fjalë goje në pazar? Çfarë  kanë të përbashkët politikanët e korruptuar me ata që të vjedhin portofolin në autobus? Cila është fija e zezë që i përshkon kriminelët e të gjitha llojeve dhe të korruptuarit e të gjitha ngjyrave? Shkelja e ligjit. Duke filluar nga ai që të rrëmben varësen në mes të rrugës, deri tek ai që të kërkon paret e tenderit, nga drejtuesi i automjetit pa patentë deri tek marrësi i pareve në spital, nga ata që nuk paguajnë taksat deri tek blerësit e diplomave, të gjithë takohen përballë ligjit, por jo në kuptimin që përgjigjen përballë tij, por që i bashkon qëndrimi i përbashkët ndaj ligjit. Asnjë prej tyre nuk e respekton ligjin, pavarësisht se shkeljet e kodit penal janë më të rënda se ato të kodit civil, e pavarësisht se ka vepra penale më të rrezikshme se të tjerat.

Siç e kemi vënë re të gjithë, kohët e fundit janë shtuar lajmet për aktet kriminale. Mediat na njoftojnë edhe për jetën luksoze të vrasësve të paguar, të cilët rrëfejnë jo vetëm teknikat e atentateve, por edhe tarifat e tyre për një akt frikësues ose për vrasje të mirëfilltë. Nga ana përkundërt, kemi vrasje për një “çfarë ke që m’shikon”, ose për motive krejt të dobëta, në lokale e në rrugë. Për të mos folur për krimet brenda familjes gjithnjë e në rritje dhe korrupsionin galopant nga politika deri në hallkat e fundit të shoqërisë.

Në pamje të parë duket sikur krimet e biznesit të madh nuk lidhen me ryshfetin që i jepet politikës, sikur korrupsioni në mjekësi nuk ka lidhje me xhepistin në rrugë, sikur shpërthimet e telekomanduara janë diçka tjetër nga vrasjet në familje. Punë bandash, të thotë dikush, punë klanesh të thotë dikush tjetër; çka ia ndryshon perceptimin e rrezikut qytetarit të thjeshtë. Mafiozët dhe biznesmenët e mëdhenj bëjnë luftë mes tyre? Punë për ta, luftë brenda llojit, ku është parja e madhe… Mirëpo edhe ajo “kokën hëngshin” tregon tek e fundit indiferencën e qytetarisë ndaj krimit e ndaj mosrespektimit të ligjit. Shumë prej nesh nuk e kuptojnë se atentatet me tritol na takojnë nga afër jo se jemi komshinj me atentatorin, me porositësin,  ose ca më keq me të lënduarin, por sepse bëjmë pjesë në të njëjtën shoqëri, ku shkelja e ligjit tolerohet deri në pika të papranueshme.

Bota nuk e ka parë ende shoqërinë pa asnjë krim, sepse nuk ekziston, megjithatë i ka njohur ato që kanë krime në nivele fiziologjike. Nuk është rasti i Shqipërisë natyrisht, ku tashmë po del në pah një hop cilësor i kriminalitetit të organizuar, i cili kërkon hulumtime të posaçme. Vendosja e ligjit do të çonte në uljen e ndjeshme të kriminalitetit, nga ai i rrugës deri tek ai mafioz. Mirëpo ligji ka dy kahe, imponimin dhe respektimin, edhe pse në vendin tonë theksohet vetëm kahu i parë, që shpeshherë paraqitet si rruga e vetme në luftën kundër krimit.

Në qoftë se jemi dakord që përgatitja e ligjeve të mira nuk do të thotë automatikisht zbatim i tyre, atëherë duhet të pranojmë se zbatimi i ligjeve nga organet e rendit nuk do të jetë kurrë i mjaftueshëm, pa zhvillimin e një kulture të ligjit, që do të thotë respektim i ligjit, por edhe pranim i tij. Kultura e ligjit ka nevojë për imponimin e ligjeve nga lart, por edhe zbatimin e tij në përditshmërinë tonë, pra respektimin nga ana e qytetarëve. Me një fjalë përbrendësimin. Në Shqipëri, shumë vepra penale e shkelje të tjera ligjore nuk perceptohen si të gabuara, por thjesht si praktika sociale të konsoliduara. “Kështu bëjnë të gjithë” nuk përmban vetëm rasenjimin qytetar, por edhe një lloj pafuqie, në mos indiference ndaj shkeljes së ligjit. Edhe pse kodi penal mund ta përmbajë aktin e caktuar, për fat të keq ai është depenalizuar në trurin e disa njerëzve, të cilët e konsiderojnë normale, ose në rastin më të mirë si diçka që nuk ka të bëjë me përgjegjësinë e tyre. Kur dikush vret një njeri tjetër, qoftë edhe me pagesë, qoftë edhe se e pa shtrembër, nga një anë shkel ligjin, por nga tjetra dëshmon se nuk ka asnjë lloj respekti ndaj jetës së njeriut, se në realitet nuk i jep asaj kurrfarë vlere.

Do të ishte utopi e vërtetë sikur detyrën e respektimit të ligjeve t’ua linim vetëm organeve të rendit e të drejtësisë, sidomos në kushtet kur këto, përfshirë politikën, përfliten (pjesërisht) si palë negative, pra si pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes.

Në Shqipëri duhet filluar sa më parë ofensiva për ndërtimin e kulturës së ligjit e të rregullave, sepse është e vetmja mënyrë për t’i bonifikuar moçalet e krimit. Por fillimisht duhet të kuptojmë se krimi i organizuar ose mikrokriminaliteti, nuk janë larg shtëpisë sonë, as larg mendësisë sonë, dhe se respektimi i rregullave ka të bëjë direkt me të ardhmen dhe mirëqenien e shoqërisë.

Nuk ka komente

  1. Nuk shkohet asgjekundi nga ky ndergjegjesim, pikerisht sepse ngaqe s’kane shkuar gjekundi me edukaten e respektimit te rregullave, njerezit kane shkuar nga e kunderta. Problemi nuk eshte keqedukimi i femijes, por pamundesia e jeteses kur hyhet ne sistem ( 18 vjeç).
    E vetmja frike qe i ben prinderit t’i edukojne mire deri ne 18 vjeç, pra t’i mashtrojne se jeta e ndershme eshte e mira per te, vjen prej faktit qe femijen po e edukove me mosrespektimin e rregullave per shkak te papjekurise se moshes do perfundoje ne burg a i vrare gjekundi.
    Me tej pasi mbush 18 vjeç, kur eshte gati per te hyre ne sistem, femija ca nga prinderit, ca nga shoqeria e ca ngaqe e perpunon vete realitetin, mesohet te beje gjerat e padrejta.

    T’i thuash tani qe duhet te rikthehet tek edukata qe ka marre kur ishte i vogel, ai thjesht do te marre per naiv ose llogjetar, sepse atij ia vrau sistemi pafajesine, ia vrau pikerisht ai legjislativ,ekzekutiv e gjyqesor qe ti thua se jane pjese e problemit.

    Ligji eshte ligj se supozon ndeshkimin, nuk ka ligj pa perberesin e ndeshkimit, do quhej rregull,zakon,bonsens. Pra kultura e ligjit eshte edhe kultura e ndeshkimit, sepse frika e ruan vreshtin.

    Thone se frika nga Zoti eshte fillimi i njohjes se Zotit. Zevendeso fjalen Zot me fjalen ligj dhe del se frika nga ligji eshte fillimi i njohjes se ligjit.
    Madje shprehjen mund ta marrim edhe pa kurrfare kuptimi letrar, sepse njerezit fillojne t’i njohin ligjet pikerisht kur kane frike prej tyre dhe fillojne t’i harrojne kur s’kane frike prej tyre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin