TREGIM NGA J RODOLFO WILCOCK

nga J Rodolfo Wilcock (*)

marrë nga La sinagoga degli iconoclasti [Sinagoga e ikonathyesve], Adelphi 1972 – së shpejti në shqip.

(përktheu Arben Dedja)

A. DE PANIAGUA

Dishepull i Elisée Reclus-it dhe mik i Onésime Reclus-it, A. De Paniagua shkroi Qytetërimi neolitik për të treguar që raca frënge është e zezë në origjinë dhe rrjedh nga India jugore, çka nuk përjashton që në kohë edhe më të lashta francezët të kenë ardhur nga Australia, duke pasur parasysh lidhjet gjuhësore që, sipas Trombetti-it, afronin gjuhët dravidike[1] me australishten primitive. Këta të zinj lëshoheshin nëpër shtegtime pafund; totemi i tyre parak ishte qeni, siç e tregon rrënja “kur”, prandaj edhe quheshin “kuretë[2]”. Duke qenë se s’linin vend pa udhëtuar, gati në të gjitha viset e botës gjendet rrënja “kur”: Kurlandia, Courmayeur, Kurdistan, Courbevoie, Couringa e Kalabrisë, Kurbini dhe ishujt Kujrile. Totemi i tyre i dytë ishte gjeli, siç e tregon rrënja “kor”, prandaj edhe quheshin “koribantë”. Emra visesh që fillonin me “kor” ose “cor” – Korea, Kordova, Kordofan, Cortina, Korça, Corato, Korfuzi, Corleone, Kork, Cornwall dhe Cornigliano Ligure – gjenden pak a shumë në gjithë botën, kudo ku kanë kaluar paraardhësit e francezëve.

Një pasion i tillë shtegtues shpjegohet pjesërisht me faktin, me sa duket të vërtetuar, që në çdo vis ku mbërrinin kuretë dhe koribantë, qoftë ajo Skithia apo Skocia (me sa duket e njëjta fjalë), Japonia apo Amerika, ata bëheshin të bardhë; me raste, të verdhë. Francezët e hershëm ndaheshin në dy grupime të mëdha: kur-ët që ishin qentë e mirëfilltë dhe kor-ët që ishin gjelat. Këta të fundit ngatërrohen shpesh nga etnologët me qentë: prirja thjeshtëzuese çon (medet!) drejt varfërimit të historisë, vëren Paniagua.

Qen dhe gjela përshkojnë stepat e Azisë Qendrore, Saharanë, Pyllin e Zi, Irlandën. Janë shamataxhinj, gazmorë, inteligjentë, janë francezë. Dy shtysa të mëdha kozmike bëjnë që kuretët dhe koribantët t’u japin këmbëve fort: shtysa e të shkuarit për të parë ku lind dielli dhe ajo e të shkuarit për të parë ku dielli falet. Të udhëhequr nga këto dy impulse të kundërt dhe të pandalshëm, bëjnë pa e kuptuar një udhëtim rreth botës.

Drejt lindjes largohen duke dëfryer e duke ngulur rrugës menhirë[3]. Mbërrijnë në ishujt Kujrile; edhe një hap dhe hidhen në Amerikë. Për ta vërtetuar këtë, mjaft të gjejmë një emër vendi të rëndësishëm që fillon me “Kur”. Afërmendsh, kemi Groenlandën, emri i saj i vërtetë, shpjegon Paniagua, duhej të qe Kurelandë. Gabim do të ish pra të mendohej që “Groenlandë” domethënë tokë e gjelbër, për sa kohë që Groenlanda është e bardhë, ngado që ta shohësh; por guri i fortë në dorën e e etnologut është një fotografi me dy eskimezë, shkrepur ndoshta gjatë perëndimit të pafund polar: ç’është e vërteta, janë skrop të zinj.

Të tjerë kuretë dhe koribantë, edhe ata duke kërcyer, edhe ata tebdilë si qen dhe si gjel, nisen drejt perëndimit. Ngjiten përgjatë Isterit (sot Danub), të shtyrë nga një ideal revolucionar; në gjakun e errët të racës ndjejnë nxitjen ngazëlluese për të themeluar Francën. Sa i përket lëkurës, me të kaluar Ballkanin bëhen të bardhë, leshverdhë bile. Kësisoj vendosin të marrin emrin zulmëmadh të keltëve, për t’u dalluar nga zezot e mbetur pas. Autori shpjegon që keltë domethënë “adhurues qiellorë të zjarrit”, nga “kel”, qiell (kalimi nga velar në palatal, etimologji e drejtpërdrejtë) dhe “të” (zjarr në dravidisht, etimologji e tërthortë).

Ndërkohë që të bardhët-sefte i ngjiten përpjetë Danubit, Paniagua lëvdon durimin dhe trimërinë e tyre: shumë mund, shumë lumenj e male për t’u kapërcyer, për të shkuar e vënë gurët e parë të një ndërtese drite e farfurish, ku qëndron i paluajtshëm shpirti i thellë i Francës.

Teksa çapiten, keltët dërgojnë poshtë e lart misione eksplorues që themelojnë ngulime që më vonë u bënë të famshme; për shembull, Venecia (emri origjinal frëng, Venise) nga dravidishtja “ven”, i bardhë, dhe nga keltishtja “is”, poshtë. Vështirë të gjesh etimologji më të saktë, komenton Paniagua. Një tjetër shmangie shtegtuese, dhe tirolezët shkëputen nga dega kryesore për t’u vendosur në mënyrë të qëndrueshme në brigjet e Tirrenit, siç na e rrëfen rrënja Tir.

Një degëzim edhe më radhëngjeshur, durimhumbur ngaqë Zvicra nuk i lë të kalojnë, zbret përgjatë lumit Po dhe themelon Italinë (emri origjinal frëng, Italie). Etimologjia është goxha intuitive edhe me këtë rast; “ita” vjen nga latinishtja “ire”, udhëtoj, dhe “li” nga sanskritishtja “lih”, lëpij. Kjo do të thotë që qentë kuretë jo vetëm lehin, por edhe lëpijnë; Itali pra domethënë “vendi i qenve endacakë lëpirës”. Çka del edhe më në pah po të mendosh ligurët, atë popull misterioz: li-kuri, ose më mirë qentë lëpirës në kulm.

La Civilisation Néolitique (1923) është botim i shtëpisë Paul Catin; blej të tjerë të të njëjtit gjerdan janë Artiljeri im, i kolonelit Labrousse-Fonbelle, dhe Hellas, Hélas! (kujtime pikante të Selanikut në kohë lufte), i Antoine Scheikevitch-it.


[1] Familje gjuhësh pa lidhje me grupe të tjera linguistike, që përmbledh rreth 85 gjuhë dhe flitet nga mbi 200 milion njerëz, gjeografikisht e përhapur në Indi dhe Sri Lanka, si edhe në disa enklava gjuhësore në Pakistan, Nepal, Bangladesh, Butan etj.

[2] Grup hyjnish minore të mitologjisë greke, pjesë e shpurës së Reas, gruas së Kronosit. Shpesh identifikohen edhe me koribantët.

[3] Nga gjuha bretone men dhe hir, “gur i gjatë”, monumente megalitë monolitë të periudhës neolitike dhe epokës së Bronzit, të përbërë, pra, nga një gur i vetëm në trajtë paralelopipedi të stërgjatur (deri 20 metra të lartë), ngulur vertikalisht në dhé.

(*) (17 prill 1919 – 16 mars 1978) shkrimtar, poet, kritik dhe përkthyes argjentinas.

7 Komente

  1. Ide te tilla po kaq revolucionare ne nje universitet te Ballkanit jane vleresuar me doktorat.

  2. Mendoj se duhet cilësuar fakti që bëhet fjalë për një tregim ironik. Dikush mund edhe ta keqkuptojë dhe ta marrë si një përpjekje të moderatorit të faqes të propozojë një teori alternative të prejardhjes së botës, të ndryshme nga ajo e pranuar nga qarqet kompetente shkencore të mbarë njerëzimit, pellazgo-ilire.

  3. Ketu eshte ironia e ironise. Gjetiu ato merren e diskutohen seriozisht.

    1. E bëra komentin për arsye patriotike. Dua të shmang turpin që ndnj portal patriotik të bëjë sulmin e rradhës mbi autorin e faqes duke e përdorur tregimin si provë që vërteton se pas përpjekjes “gjoja shkencore ” të tij për mbrojtjen e gjuhësisë ka financues francezë .

      Në fakt do të jetë fantastike të ndodhë.

      1. Gjithnjë për arsye mirëfilli patriotike, po saktësoj edhe unë se autori i tregimit është shkrimtar mjaft i njohur, sidomos në Itali; tregimi është real; vëllimi nga ku është marrë është real; dhe Arben Dedja që e ka përkthyer njëlloj real.

        1. Një patriotizëm i vërtetë do të ishte psh të theksohej se me gjithë “mendimin” e autorit, përsëri emri i qytetit francez Marsejë, shpjegohet vetëm në shqipen e sotme, marr-sjell …

          Nejse. Komenti ishte një humor në lidhje me asosacionin që bën tek lexuesi shqiptar tema e tregimit. Ndoshta pak jashtë teme, në një vështrim letrar, por letërsia që shijohet shpesh shërben si ekran në të cilin projektohen edhe hallet që ajo të sjell në mendje.

  4. Shpesh harrojme te themi se nese na lind deshira per te komentuar ne tregime te tille, kjo i detyrohet ne nje mase te rendesishme edhe cilesise se perkthimeve. Ne rastin konkret cilesine e mire te perkthimit te A.Dedjes e verejta me fort “indirekt”, te fakti se ne asnje rast nuk kishte pershtypjen se lexoja shprehje e paragrafe te perkthyer nga nje gjuhe e huaj. Shtoi kesaj edhe subjektin “familjar”…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin