KUR TË EMANCIPON TJETRI (V)

Dy kultura që bëjnë tregti me njëra-tjetrën ose shkëmbejnë sende dhe ide, presin – për shkak të vetë barazisë themelore që instauron çdo marrëdhënie shkëmbimi si e tillë – që sendet dhe idetë e shkëmbyera të ruajnë pak a shumë të njëjtën vlerë përdorimi gjatë kalimit nga njëra kulturë në tjetrën. Nëse unë prodhoj parfum dhe ta shes ty, atëherë unë pres që ti ta përdorësh mallin tim për t’u parfumuar, jo për të trembur insektet ose për të ndezur zjarr; nëse ti prodhon miell dhe ma shet mua, atëherë ti pret që unë me miellin tënd të bëj bukë, jo ta përdor si ingredient të llaçit në ndërtim.

Përkundrazi, kur dy kulturat janë të pabashkëmatshme dhe nuk komunikojnë dot mirë mes tyre, efektet e shkëmbimit nuk mund të parashikohen, meqë vlera e përdorimit të sendeve, duke përfshirë këtu edhe mallrat, është funksion i kulturës përkatëse; për shembull, një kulturë qirinjtë mund t’i përdorë me funksion simbolik në kishë, ndërsa një kulturë tjetër për të ndriçuar mjediset e zakonshme; në një kulturë salloja e derrit përdoret në kuzhinë, ndërsa në një tjetër për të prodhuar graso makinerish; dhe kështu me radhë. Tregu kërkon jo vetëm barazi vlerash shkëmbimi, të shprehur zakonisht nëpërmjet monedhës; por edhe një bashkësi vlerash kulturore, të cilat shprehen në përdorimin e mallit.

Shembulli i Shqipërisë autarkike, të viteve 1960-1980 e konfirmon këtë: mallrat e konsumit të prodhuara në vend, p.sh. sapuni i rrobave, nuk do të kishin gjetur dot treg të menjëhershëm në Perëndim (edhe pse sot, ose 30 vjet më vonë, ai sapun i prodhuar nga bërsitë e ullirit do të ishte shitur në dyqanet e produkteve organike); një palë këpucë vendi vështirë se do të kishin tërhequr blerës në Itali ose në Danimarkë; një televizor i prodhuar nga uzina në Durrës nuk do të ishte shitur dot gjetiu në Europë. Në kuptim më të gjerë, mallrat e prodhuara në vend për t’u konsumuar në vend kishin cilësi kaq të keqe, saqë në tregun më ekzigjent dhe të rafinuar të vendeve perëndimore nuk do të shiteshin dot. Bash për këtë arsye, një sektor i industrisë shqiptare ishte specializuar të prodhonte ‘për eksport’, ose sipas kërkesave të botës Përtej.

As mallrat e konsumit të prodhuara në Perëndim mund të qarkullonin normalisht, ose si mallra të zakonshme, në tregun shqiptar të vdekur urie për mall; meqë pakësia e tyre jo vetëm ua rriste vlerën, por edhe i shtynte pashmangshëm drejt statusit të fetishit, si objekte vlera e përdorimit të të cilave ishte të shënjonin marrëdhëniet e pronarit të tyre me transcendencën e realitetit Përtej.

Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, vështirësia në komunikim, pabarazia dhe diferencat themelore në sistemet kulturore të referencës bënin që mallrat, gjatë kalimit të barrierës në të dy kahet, ta humbitnin vlerën e përdorimit, për të marrë vlera të tjera, zakonisht simbolike.

Një model çuditërisht funksional, të marrëdhënieve tona materiale dhe simbolike me Perëndimin, e ofron pikënisja e romanit fantashkencor Piknik buzë rrugës (titulli origjinal: Пикник на обочине), nga rusët Arkadi dhe Boris Strugackij, botuar për herë të parë në vitin 1971.

Premisa e romanit është e thjeshtë dhe njëkohësisht absurde: dikush ose diçka, pas gjase një ekspeditë jashtëtokësorësh, mund të ketë vizituar Tokën, në disa pika që më pas u bënë të njohura si Zonat. Asgjë e saktë nuk dihet për këto vizita, përveçse që Zonat tani janë bërë epiqendra dukurish të pashpjegueshme nga shkenca; teksa brenda tyre gjenden gjithfarë objektesh (artefakte) me veti dhe funksione njëlloj të panjohura dhe të pazbërthyeshme.

Ja si e shpjegon hipotezën e vizitës jashtëtokësore njëri prej personazheve të romanit:

Përfytyroni një pyll, një rrugë që kalon aty, një lëndinë. Një grup të rinjsh, me makina, vijnë me makina nëpër pyll ndalen te lëndina dhe zbresin nga makina, me shporta me ushqim, shishe pijesh, radio me transistor dhe kamera. Ata ndezin zjarre, ngrenë çadra, dëgjojnë muzikë. E kalojnë natën aty, pastaj të nesërmen largohen. Shtazët e pyllit, shpesët dhe insektet, që i kishin parë të tmerruar vizitorët, tani dalin nga vendet ku ishin fshehur. Po çfarë t’u shohin sytë? Kandele të vjetra, filtra të përdorur dhe të lënë në mes të lëndinës… Lecka, llamba të djegura, dhe një çelës papagall të harruar në bar… Dhe pastaj mbeturinat e zakonshme: mollë gjysmë të ngrëna, mbështjellëse karamelesh, hiri i zjarrit tashmë të fikur, kanoçe, shishe, një shami që i ka rënë dikujt, një thikë xhepi, gazeta, monedha, madje edhe lule të vyshkura, të mbledhura në një lëndinë tjetër.

Ideja, pak fyese për t’u pranuar menjëherë, është se vizitorët mund të mos i kenë vënë re fare njerëzit dhe qytetërimin e tyre gjatë vizitës, njëlloj sikurse ne, njerëzit, nuk vëmë re milingonat ose kërmijtë, gjatë një pikniku. Sendet e lëna në Zonat nuk janë veçse plehra të hedhura tutje; pavarësisht nga vlera e tyre e paçmuar për njerëzimin.

Zona, në roman, është pikë takimi mes dy qytetërimesh që nuk komunikojnë dot mes tyre – më një anë kemi alienët, që vijnë dhe ikin për arsye të paftillueshme, duke lënë pas sende dhe dukuri për ne të pashpjegueshme; më anë tjetër, kemi njerëzit, të cilët më kot kërkojnë ta integrojnë këtë eksperiencë në botën, madje në universin e tyre; duke u përpjekur të deshifrojnë qëllimet dhe përdorimet e artefakteve që kanë mbetur në Zonë, ndonjëherë me pasoja fatale.

Që këto artefakte mund të jenë thjesht sende të hedhura, plehra, ose mbeturina të rastit të një eventi përndryshe të painterpretueshëm, e bën edhe më problematik komunikimin; meqë njerëzit që i përdorin ato nuk do të jenë kurrë të sigurt nëse vlera e re e përdorimit ka ndonjë lidhje me vlerën e përdorimit origjinale.

Siç sugjerohet nga romani, imazhi i Tjetrit, që komunikon me ty, ose edhe thjesht “komunikon”, nëpërmjet plehrave dhe mbetjeve të qytetërimit të vet vlen edhe si metaforë për kontaktin e dy qytetërimeve që nuk kuptohen mirë mes tyre; meqë gjatë këtij kontakti komunikimi ndodh nëpërmjet ripërvetësimit të objekteve dhe zëvendësimit të vlerave.

Kështu, gjatë viteve të izolimit të plotë ekonomik të Shqipërisë, një mori sendesh njëpërdorimshe [usa & getta] me prejardhje nga Perëndimi – si stilolapsat Bic ose çakmakët ose shishet plastike të pijeve freskuese ose letrat e sapunit ose qeset plastike të dyqaneve – u përshtatën në role të reja, me jetëgjatësi të qëndrueshme: stilolapsit mund t’i ndërrohej rezerva, çakmakut i shpohej një vrimë e padukshme, për ta rimbushur me gaz, shishja plastike përdorej si kanë uji, qeset plastike me logot e dyqaneve përdoreshin si çanta të zakonshme, letrat e sapunit si aromatizuese sirtarësh.

Tregu i konsumit të gjerë, në Perëndim, prodhon në masë të madhe plehra: që nga ambalazhet e produkteve, te jetëgjatësia e tyre fare e shkurtër, njëpërdorimi (plastika, bateritë, etj.), veshjet e lira me cilësi të dobët ose, më tej, ushqimi junk; dhe, në një rrafsh tjetër të konsumit, romanet pulp, programet televizive talk show dhe krejt nocioni dhe praktika e escapism-it. Produkte të tilla, në momentin që e kalonin barrierën për të përfunduar në ekosistemin shqiptar, përfundonin edhe ato si artefaktet e Zonës – ose të përdorura në mënyra të ndryshme nga ato për çfarë ishin destinuar.

Unë madje do të sugjeroja se, në rrethanat kur dy sistemet ekonomike – yni dhe ai i Perëndimit – nuk komunikonin mes tyre, përveçse në nivel shkëmbimesh rastësore artefaktesh, çdo send konsumi që vinte në Shqipëri nga Perëndimi funksiononte, në thelb, si mbeturinë ose diçka e gjetur në plehra.

Madje edhe një makinë larëse Candy, italiane, e blerë në tregun e rregullt, dikur në fillim të viteve 1970 dhe që mbijetoi në shtëpinë e prindërve të mi deri në fillim të viteve 1990, ishte prishur dhe pastaj riparuar kaq shpesh, sa kishte përfunduar si  Anije e Teseut në paradoksin e mirënjohur; meqë vetëm kasa e jashtme dhe ndoshta kazani i centrifugës i kishin mbetur pa zëvendësuar.

Kur i klasifikoj sende të tilla, të futura nga Perëndimi, si plehra, nuk kam parasysh cilësinë e tyre, as përdorimet e tyre andej dhe këndej, por faktin që këto, duke kaluar barrierën midis dy botëve, shkëputeshin nga sistemi ku bënin pjesë, duke u reduktuar në nivelin më të ulët të kompleksitetit funksional, ose – për ta thënë me fjalë të tjera – në vlerat e tyre të përdorimit crudo.

Një palë rroba banje grash, të blera në Itali, i përkisnin një sistemi të caktuar të veshjeve, të tregut, të modës dhe të shijeve të konsumatorit italian; dhe i përkisnin në mënyrë të tillë, që vlera e tyre të përcaktohej nëpërmjet marrëdhënieve të tyre me nyjat e tjera të sistemit – ose me rroba të tjera banje, me modën e djeshme dhe të pardjeshme, mënyrën si visheshin fotomodelat e revistave të modës, etj. Në Shqipëri, këto rroba banje do të vlerësoheshin, para së gjithash, si të jashtme [foreign], ose për ngjyrat e tyre të ndezura dhe llojin e pazakonshëm të materialit.

Po ashtu, një roman italian giallo, i sjellë nga një shofer i Albtransportit për t’ia dhuruar së bijës që merrte mësime private italishteje, në Itali kishte funksionuar si produkt i çastit, për t’u lexuar gjatë një udhëtimi me tren ose me avion, dhe për të përfunduar pastaj në koshin e stacionit; meqë javën tjetër do të dilte një libër i ri, në po atë seri. Përkundrazi, në Shqipëri libri do të kalonte dorë më dorë, si të ishte i Kafkës apo i Dostojevskit; do të studiohej si manual i Perëndimoristikës; madje do të përdorej si status symbol, ose objekt po aq ekskluziv sa edhe një shishe e rrallë shampanje ose puro kubaneze.

Më tej akoma, një album i Beatles-ave, p.sh. Revolver, i sjellë rastësisht nëpër doganën e Rinasit nga një marksist-leninist ose pinjoll i nomenklaturës dhe i përcjellë pastaj dorë më dorë, në rrethet elitare të kryeqytetit, do të shijohej në vetvete, si objekt i izoluar dhe perfekt; por i shkëputur nga konteksti i vet i natyrshëm, p.sh. nga albumet paraprijëse të Beatles-ave, ose prirjet në muzikën dhe në kulturën pop Perëndimore të mesit të viteve 1960 (p.sh. përdorimi i drogës, ose kontaktet me misticizmin indian, tema këto që shfaqen në këngët e albumit).

Kur i cilësoj produkte të tilla si plehra, kam parasysh pra, para së gjithash, denatyrimin e tyre, nëpërmjet shkëputjes mekanike nga sistemi të cilit i përkisnin në origjinë; e cila shkëputje do të rezultonte për domethënien dhe funksionin e tyre po aq fatale sa ç’është fatale për një milingonë të vetme largimi nga kolonia; ose për një llambë elektrike çmontimi nga portollamba. Llamba më tej mund të adhurohet si produkt i bukur ose për format e hijshme dhe harmonike, madje si vepër arti që evokon universin ose tejdukshmërinë; ndokush mund ta përdorë qelqin e saj si pasqyrë, ndokush tjetër si sferë magjike për të parashikuar të ardhmen, një i tretë si instrument muzikor, një i katërt si vegël optike për të deformuar pamjen e botës; njerëzit që zotërojnë llamba mund të preferohen për krushqi ose promovime politike ndaj atyre që llamba nuk zotërojnë; me llamba mund të blihen favore dhe shërbime të posaçme, dhe kështu me radhë – por nëse qytetërimi yt nuk e njeh elektricitetin si teknologji, llamba nuk do të ndriçojë dot më.

Megjithatë, ideja, madje frika se komunikimi ynë me Perëndimin ende po kryhet në nivelin më të ulët, atë të mbeturinave; madje edhe thjesht në nivelin e jashtëqitjes ose ekskremental gjeti veçanërisht amplifikim pas vitit 1990; meqë metafora bashkëtingëlloi, papritur, me disa zhvillime të mirëfillta në realitet. Teksa shoqëria civile në Shqipëri ngriti alarmin për rrezikun e importit të plehrave nga Italia, ose të mbetjeve të rrezikshme nga vende të ndryshme të Europës; dhe teksa në mediat ndeshje tek-tuk në dyshime dhe akuza se shumë ushqime dhe barna të importit ishin të skaduara; teksa një pjesë e mirë e tregut të veshjeve konsistonte në shitjen e rrobave të përdorura (GABI); pa përmendur pastaj ndihmat gjithfarësh që shpërndanin shoqatat humanitare dhe autobusët e amortizuar që qarkullonin në rrugët e qyteteve, opinioni publik filloi të përndjeshmohej me idenë se Perëndimi po shkarkonte në Shqipëri plehrat, të çdo lloji; edhe pse jo me qëllim doemos të keq por ngaqë, sikurse më parë, ishte e vështirë, në mos e pamundur, që komunikimi të mbahej aktiv në ndonjë nivel tjetër, të ndryshëm nga ai ekskremental.

Këtij perceptimi, që mund të jetë në masë të madhe iluzion, i kundërvihet perceptimi tjetër, ndonjëherë i ushqyer nga mediat në Perëndim, që gjatë eksodeve të mëdha të fillimviteve 1990 dhe emigracionit më pas, Shqipëria filloi të eksportonte në Perëndim plehrat e veta sociale: kriminelët, hajdutët, endacakët, të papunët, të sëmurët mendorë, të sapoliruarit prej burgjeve, prostitutat, trafikantët e drogës, e kështu me radhë, duke e shënjuar truallin e ri (Europën perëndimore) me ekskremente sociale njëlloj si e shënjon maçoku endacak truallin e ri me urinën e vet kundërmuese. Kësisoj edhe vetë komunikimi ynë me Perëndimin do të balancohej, pa çka se në nivelin ekskremental, që është edhe ai me entropi më të madhe.

Tërthorazi, përkatësinë në këtë nivel e konfirmoi edhe integrimi i shumë të ikurve në strukturat asistenciale, të ndihmës për azilantët politikë, viktimat e dhunës, viktimat e luftës, ndihmës sociale, pensioneve dhe të tjerave sisteme integruese që, me fare pak mundim, mund të përfytyrohen si të themeluara në ekskrementin financiar (dhe filantropik) të shoqërive pritëse.

Në këtë kontekst, do të shpjegojmë, më në fund, edhe përhapjen virale të një deklarate, përndryshe apokrife, të Ismail Kadaresë; i cili u përfol t’i kish quajtur “jashtëqitja e kombit” refugjatët e krizës së ambasadave, në korrik 1990. Suksesi i këtij memi dhe jetëgjatësia e tij, përtej lidhjes ekskluzive me autoritetin e Kadaresë dhe faktit ironik që vetë shkrimtari i madh do t’i bashkohej kësaj ‘jashtëqitjeje’ pak muaj më pas, ka të bëjë para së gjithash me virtytin kundërpeshues, ose katartik, të metaforës koprologjike.


No Comments

  1. Shume mire qe trajtohet marredhenia e Shqiperise me Perendimin, por kam frike se nuk i duhet meshuar vetem Shqiperise si rast i izoluar, sado tunduese qofte kjo fale faktit qe Shqiperia ishte vertete nga me te izoluarat. Fenomeni i shkembimit te jashteqitjeve duhet ne rradhe te pare te konsiderohet ne instanca te tjera. Psh, Brillo Box i Andy Warhol eshte pikerisht nje nder rastet kur vete brenda per brenda Perendimit krijohen Zona te tilla te ngjashme me cfare pershkruhet ketu. Nje jashteqitje e kapitalizmit si amballazhi i ilacit te rrobave e humbet funksionin praktik fillestar per te fituar nje funksion kontempletativ tashme brenda zones se artit. Ne nje fare menyre Warhol shenjon momentin e pervetesimit te territoreve te reja prej kapitalit. Brillo Box i paraprin gjyshes time, qe kur u kthye daja nga puna ne Greqi me nje bidon plastik Fanta, ajo e vuri ne bufe, mes gotave te kristalit dhe porcelanit kinez, per zbukurim.

    Ajo qe dua te them eshte se fenomene te tilla jane perberes themelor te kapitalizmit, ne mos, te vete tendences ngulmuese, te tepruar, njerezore per komunikim pavaresisht faktit qe gjithmone keqkomunikojme. Gjithmone komunikojme me teprice. Jashteqitja eshte ne nje fare menyre element i komunikimit. I vetmi problem qe kam ne lexim eshte premisa se dy kultura presin qe te kene nje lloj barazie apo reciprociteti ne perdorimin e produkteve te njejta. Problemi me kete eshte se nuk merr parasysh faktin qe komunikimi ne kete boten tone moderne, para- apo post-komuniste qofte, eshte i njeanshem, me vektor nga qendra drejt periferise (pavaresisht faktit qe qendra mund te jete e levizshme) si dhe faktin qe ky lloj komunikimi, me kete vektor, dallohet gjithmone nga tepria, nga jashteqitja, deri ne ate pike sa kultura periferike perfundon gjithmone duke vene ne bufe jashteqitjet e qendres. E them kete sepse nderkohe qe perceptimi se Shqiperia importon plehrat e Perendimit nuk eshte ne nje mase te madhe iluzion, perceptimi se edhe Shqiperia importon plehra sociale drejt Perendimit, eshte jo vetem iluzion, por edhe mekanizem justifikues per importin e plehrave ne Shqiperi. Nese ekziston ndonje lloj jashteqitje e Shqiperise drejt Perendimit, personalisht besoj se kjo eshte e ashtuquajtura “rrjedhje e trurit,” e cila eshte edhe kjo, nje lloj jashteqitje ne vetvete.

    p.s. Falemnderit qe i hape komentet per kete cikel, Xhaxha, se po na dukej vetja memec.