MISS ALBANIA, MISS SHQIPËRIA

Ethet e “Miss-it” mbërritën në Shqipëri menjëherë pas rrëzimit të sistemit totalitar. Mëdyshjet e para për emërimin e spektaklit “Miss Albania” apo “Miss Shqipëria”, shoqëruar artificialisht nga debate midis kozmopolitëve dhe tradicionalistëve, kryesisht përballë kafesë, u fashitën përballë joshjes fatale të modernitetit të shfaqjes. Që atëherë shiritat në qafë të Miss-eve na kanë tërhequr kudo: në qytete, shkolla, kopshte, media …

Në vite spektakli i Miss-eve u klonua vertikalisht dhe horizontalisht, me forcën e reaksionit bërthamor. Përfundimi? Sot kemi Miss Peshkopinë, por edhe Miss Vlorën; Miss Jetën, por edhe Miss Internetin; Miss Adoleshencën, por edhe Miss Sharmin. Kemi edhe Miss Kosova dhe Miss Ulqini, për ata që duan ta shohin dukurinë nga pikëpamja mbarëshqiptare. Gjithsesi, për të mos vazhduar me lista të gjata, mjafton konstatimi se Miss-et kaluan edhe kufijtë e shqiptarisë gjeografike, për të dhënë idenë e përmasës gjigante të formatit. E kush hamendësonte atëherë se Miss Albania do të eksperimentohej edhe pranë emigrantëve shqiptarë të shpërndarë anembanë globit? Askush.

Po përse vallë gjithë ky sukses i Miss Albania, në Shqipëri dhe jashtë saj? Mizogjinët e kanë të lehtë. Ia veshin dëshirës së femrës për t’u vënë në pah, për të treguar hiret e saj, për të shndërruar çdo hapësirë njerëzore në skenë. Mirëpo egocentrizmi pamor i femrës përgënjeshtrohet lehtë nga spektaklet kushtuar Mister-ave. Kush nuk përdor pastroje Dolce & Gabbana, kush nuk skalit muskujt e barkut nëpër palestra hiperteknologjike, kush nuk lahet e nuk parfumohet me Lancôm-in e fundit, le të hedhë gurin i pari.

Sidoqoftë, faktori imitim nuk mund të mohohet. Vendet moderne bëjnë spektakle me Miss-e? Ta bëjmë edhe ne! E duam Shqipërinë si Evropa! Apo jo? Në të vërtetë, fjala imitim tingëllon disi e fortë, sepse pas rënies së murit, dëshira për t’u homologuar me perëndimin kishte diçka të pastër, idealiste, ëndërrimtare; përzierë me naivitet vendor, natyrisht. Duhet kuptuar, gjithsesi, përse vallë vrapi drejt konsumizmit, sipërfaqshmërisë, materializmit, korrupsionit, egoizmit, edonizmit, etj. është më i shpejtë se ai që ndjek kahun e kundërt. Nejse. Kjo është pyetje e përgjithshme. U takon të gjithëve. Por shqiptarëve ndoshta më shumë.

Ata që duan të jenë dhe jo të duken do të pyesnin: “Përse vallë kopjojmë më shpejt gjërat e këqija se sa të mirat?”. Pyetje me vend. Por shpresoj që të mos ketë aludime për spektaklin Miss Albania, i cili nuk ka arsye përse të personifikojë djallin dora vetë. Tek e fundit, janë vetëm disa vajza bukuroshe (çka nuk është sinonim i idiotësisë), që shikohen nga burra. E jo vetëm nga meshkuj syshkyem. Si të thuash: lojë infantile, argëtim i pastër, ndërveprim i pafajshëm. Pa komplikacione të prekuri. Juristët do të thoshin “s’ka asgjë ilegale”, paguesit e reklamave do të thoshin “i paligjshëm është ndalimi”, liberalët do të thoshin “e drejta jote mbaron atje ku fillon e imja”. Moralistët intransigjentë do të rrudhnin buzët, bashkë me të fejuarit e vajzave në skenë. Por pa i hequr sytë që andej.

Të gjithë mirëkuptohen. Feministet gjithashtu. Edhe pse në qëndrimin e tyre ka një farë kundërshtie. Sepse kanë një jetë që luftojnë për lirinë e femrës, për të pohuar përjetësisht se “trupi është i imi dhe bëj ç’të dua”; por pastaj turfullojnë kur u pëshpëritin me drojë se skllavëria nuk shfaqet vetëm me kamxhikë e grushte, por edhe me vargonj floriri, shoqëruar shpeshherë nga shtretër me çarçafë mëndafshi. Mirëpo si mund të fajësosh vajzat pjesëmarrëse, që duan të realizojnë ëndrrat e tyre? Sepse dihet që “Miss Albania“ mund të jetë trampolinë fantastike për të fluturuar drejt kupës qiellore, ku mund të shkëlqesh romantikisht e lumtur në errësirën përreth.

Është e tepërt të flasësh për vajza të dhunuara. Simbolikisht po, edhe mund të thuhet. Janë viktima (ndoshta), por të sistemit. Në atë masë që janë edhe ata të bërë njësh me kolltukun kur shikojnë spektaklin. Sepse mercifikimi i trupit mund të ketë shije të ëmbël, kur ke vetëm disa receptorë të caktuar në gjuhë. Varet nga kultura. Pastaj ekziston niveli i sipërm. I atyre që Matrix-in e kanë krijuar, dhe nga i cili vjelin pasuri të pallogaritshme. Por edhe këta justifikohen me fatalitetin e “natyrës njerëzore”. Në fakt, edhe në filmin e vëllezërve Wachowsky versioni i parë i Matrix-it nuk kishte funksionuar mirë.

Jo të gjitha shfaqjet Miss Albania janë njëlloj. Ato jashtë shtetit ndryshojnë, detyrimisht. P.sh. as organizatorët, as pjesëmarrësit në Miss Albania që bëhet në Tiranë nuk mund të thonë: “Ne dëshirojmë të përfaqësojmë Shqipërinë, kulturën tonë, traditat tona. Duam t’i japim një imazh tjetër atdheut“. Do të stononte, pa pikë dyshimi, në rrugët pa drita të kryeqytetit. Mirëpo “sipas vendit bëhet kuvendi”. Jashtë shtetit, në mërgatën shqiptare, të njëjtat fjalë do të merrnin tjetër peshë. Varet nga forca e gravitetit romantik. Çdo planet ka veçoritë e veta.

Çështja e kulturës është disi problematike. Sepse kulturë mund të jetë çdo gjë, në rast se e konceptojnë si një magazinë njohjesh dhe informacionesh. P.sh. Miss Albania në Itali, që u zhvillua në Fiuxhi më 30 nëntor 2007, a është eveniment kulturor? Pse jo. Morën pjesë këngëtarë, muzikantë, njerëz të spektaklit. Pastaj si mund të mohohet karakteri kulturor i nismës, kur ai zhvillohet në Teatrin Komunal dhe për më tepër si President Nderi i Jurisë është Ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë? Madje, gjithnjë sipas komunikatës së organizatorëve, ishin të pranishëm edhe atashetë kulturorë të një sërë ambasadash të huaja në Itali. Pra kemi edhe një aspekt diplomatiko-kulturor që nuk duhet lënë pas dore.

Meqë jemi në Itali, nuk mund harrojmë atë çka ndodhi këtë vit në Salsomaxhore, ku zhvillohet çdo vit konkursi për Miss Italia. Dikush nga juria kërkoi t’i shikonte vajzat edhe nga ana B (në kuptim e rendit alfabetik, jo të inicialeve, se në shqip mund të keqkuptohet), me qëllimin e vetëm për të dhënë një mendim objektiv për bukurinë femërore. Polemikat që vijuan ishin të papërfytyrueshme. Dikush e mbrojti anëtarin e jurisë për sinqeritetin dhe zellin në punë, dikush e lavdëroi për polemikën e induktuar, sepse në këtë mënyrë doli në pah hipokrizia e një spektakli provincial, që i ngjan më shumë tregut të gjësë së gjallë se sa garës sportive tradicionale.

Po t’i lemë mënjanë masturbimet mendore për ekzibicionizmin e njeriut, mercifikimin e trupit, vetrinizimin e femrës, konsumizmin e seksit, prostitucionin e ndjenjave, e të tjera pallavra si këto, a dini se ç’mbetet? Pyetja thelbësore: “Po në Miss Albania, brenda dhe jashtë shtetit, a shikohet pjesa tjetër?”

4 Komente

  1. Spektakle te llojit Miss (& Mister) Albania apo edhe te tjere qe po na fusin ethet:) ne kafaz:), perpos te tjerash jane edhe nderrmarje te mirfillta biznesi. Te ardhurat qe sigurojne organizatoret si nga sponsorizimet shume milioneshe (ku barren kryesore e mbajne gjithmone bamiresit “Voda…” & “AM…”), apo edhe dpd nga konkuruesit (!!!) jane shume te medha. Shume te medha (theksim i imi per te dhene perafersisht idene se jane me te medha nga sa mendohen realisht:)).

  2. Pa qene feminist mund te them qe komercializimi i trupit te femres per hir te shtyses blerese qe shkakton testosteroni tek mashkulli, i ka merituar spektaleve te bukurise ne Shqiperi emertimin “Mish Albania”.

    Kuptohet, pavaresisht se mendoj keshtu, nuk ankohem kur Miss Albania e diaspores lokale ku ndodhem une duket si kjo ketu

  3. Dua te hedh nje gur, jo te parin, me siguri as te fundit, por me duket se ky deti i miseve ka mbetur i qete per mjaft kohe. Per kete arsye pergezoj Pishakun per temen e artikullit.
    Personalisht mendoj se problemi i aktiviteteve te tilla eshte universaliteti qe marrin ne mikrokozmosin shqiptar brenda dhe jashte kufijve, pa hasur ne kritika apo kontraste qe te shkojne pertej zenkes Mis Albania vs. Mis Shqiperia.
    Problematika gjinore, ose me shqeto ajo feministe, sepse per fat te keq vetem njera nga dy gjinite ndodhet ne hall, nuk ka gjetur ne Shqiperi as nje meter katror terren ku te vendose rrenje per te dhene te pakten ndonje fryt. Per shoqerine tone, kalimi qe peson femra nga statusi objekt-shtepiak ne statusin objekt-i-deshires i mercifikuar eshte i natyrshem sepse themeli i statusit, te qenit objekt, nuk ndryshon. Prandaj ata qe ulen e shikojne para televizorit duke permbushur nevojen per “konsum seksual”, jane ata qe femrave ne jeten e tyre nuk u lene hapesire jashte rolit grua-objekt-shtepiak.

    Ne duam te ngjasojme sa me europiane te jete e mundur, prandaj o burra te marrim sa me shume gjera te kollajshme e siperfaqesore te mundemi. Po harrojme se ne perendim ka nje histori betejash feministe te cilat, megjithese sot i bejne shume njerez te ndihen te parehatshem ne elegancen e tyre borgjeze, kane ndryshuar nje botekuptim. Jo plotesisht e ne menyre te pakthyeshme, me siguri. Kane krijuar ama nje hapesire pjellore per te krijuar nje identitet qe thyen rolin e gruas-objekt, qe i trasformon aktivetet e Miseve ne aktivitete te serise B e qe nuk mund te perfaqesojne kurrsesi kulturen e nje vendi jashte kufijve te tij.

  4. Në të vërtetë, fjala imitim tingëllon disi e fortë, sepse pas rënies së murit, dëshira për t’u homologuar me perëndimin kishte diçka të pastër, idealiste, ëndërrimtare; përzierë me naivitet vendor, natyrisht. Duhet kuptuar, gjithsesi, përse vallë vrapi drejt konsumizmit, sipërfaqshmërisë, materializmit, korrupsionit, egoizmit, edonizmit, etj. është më i shpejtë se ai që ndjek kahun e kundërt. Nejse. Kjo është pyetje e përgjithshme. U takon të gjithëve. Por shqiptarëve ndoshta më shumë.
    ———————————————–

    Sa te drejte ke ketu. Vec te hedhim syte nga kenget e para te viteve 90′. Ato vite ishin te arta per muziken sidomos. Grupet e para muzikore, Ritfolk, Djemte e detit, Mister etj etj.
    Kishin dicka shume shpirterore ato provat e para ne kontakt me perendimoren. Kuptim te njejte simbolik me puthjen e pare qe jep dikush ne jete. Lum kush e ka jetuar ate kohe.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin