THAT’S MY SOFA!

Titulli i dramës është tamam kështu, That’ s my sofa! (Kjo është kanapeja ime!), dhe i tillë, në anglisht, ai është lënë edhe për shikuesit francezë. Në qendër të saj është një i ri shqiptar me emrin Aron. Kompania teatrale që e ka ngritur në skenë (Le diable à un sabot) ushtron veprimtarinë e saj në qytetin Calais, por këto ditë ndodhet në turne, nëpër Francë, gjë që më dha rastin ta shoh shfaqjen funddjavën që shkoi.

Drama është shkruar nga autorja franceze, Veronique Boutin, e cila në të njëjtën kohë është edhe regjisorja e saj. Eshtë një autore e re që me sa di ka mbrojtur një tezë doktorati në Pragë për letërsi e gjuhë çeke.

Gjithçka në të vërtetë fillon si ekspozim i fatit të një emigranti, që nuk ndryshon shumë nga ai i mijëra të tjerëve, pavarësisht nga origjina, por me kohë vëreja se shtjellimi i saj bëhet i veçantë e tërheqës, edhe pse prania e diapozitivëve dhe përdorimi i ekraneve, brenda skenës, kanë për tendencë të ma ftohin entuziazmin. Në këtë rast ato ishin me të vërtetë funksionalë.

Eshtë historia, në dukje banale e një të riu kosovar, Aronit (interpretuar nga Jérôme Baelen), një nga ato fate njerëzorë që tërheqin gjithnjë e më pak vëmendjen e publikut. Pasi ka jetuar si klandestin në Londër për pothuaj tetë vjet dhe, megjithëse aty ka punuar, ka jetuar me një vajzë, Xheniferin (interpretuar shkëlqyeshëm nga Louise Wailly, me të cilën ka edhe një fëmije, ai megjithatë nuk ka mundur të rregullohet administrativisht. Pra është një emigrant ilegal. Dhe si i tillë “çarterizohet”, pra hipet në një avion (fluturim) charter dhe kthehet forcërisht në vendlindje.

Siç mund të kuptohet, për Aronin është e pakonceptueshme t’u nënshtrohet rrethanave të reja të jetës së tij. Ai menjëherë e rifillon gjithçka nga e para, kalon përmes Evropës dhe arrin deri në pikën veriore të Francës, në Calais. Aty, përballë Anglisë, rrjedhin pesë vitet më të tmerrshëm të jetës së tij. Në bregun tjetër ka të birin. Por për të mbërritur te ai, Aronit i duhet të kalojë më parë Detin e Veriut. Për këtë pret vit pas viti rastin të futet poshtë ndonjë kamioni, apo të ngjitet fshehurazi në një anije…

Koha rrjedh ngadalë e mundimshëm dhe, sipas fjalëve të veta, atij i duket sikur këmbët i janë ngjitur në tokë dhe nuk lëviz dot. Asgjë nuk është si më parë për të. Ai ka mundur të lidhet vetëm një herë me Xheniferin, gruan me të cilën bashkëjetonte. Më tej ajo ka ndërruar numrin e telefonin dhe nuk do t’ia dijë më për kosovarin tonë. Kjo ka bërë që jeta e Aronit t’i ngjajë një ankthi të vërtetë, pa fund. Ai do të flasë me të birin, “gjakun e tij”, por nuk ka asnjë mundësi. Sjellja e Xheniferit e torturon. Në vetminë e netëve të tij të zymtë, ai e merr me mend se ajo shkon me burra të tjerë, por ajo që e çmend fare është ideja se Xheniferi bën dashuri tamam mbi kanapenë e tij!

Koncepti regjisorial është i thjeshtë. Të dy personazhet, Aroni dhe Xheniferi, janë në skenë, në të njëjtën kohë. I pari nuk resht së shprehuri vuajtjet dhe brengat që e gërryejnë, e dyta, pak skematike, qëndron e zhveshur në skenë dhe nëpërmjet monologësh që ndërpriten nga të qeshura sardonike, shpjegon historinë e lidhjes së  tyre. Ndërsa kur e njohu Aronin nuk dinte asgjë për të, përkundrazi, për vendin nga ai ka ardhur, Shqipërinë (si shumë të tjerë e ka të vështirë të bëjë një dallim të qartë midis Shqipërisë dhe Kosovës), ajo duket se di diçka. Di që Shqipëria, sipas fjalëve të saj, “është vrima e b… së Evropës”.

Duket se nën maskën e vajzës së lehtë që ka veshur, ajo ka marrë përsipër të shprehë me zë të lartë atë që të tjerët e shprehin me zë të ulët ose vetëm sa e mendojnë.

Duke përdorur modulet e parapërgatitura të shtypit e të medieve, të cilat u lehtësojnë mjaft njerëzve kuptimin e botës që i rrethon, Xheniferi nis e na informon për atë çfarë ka mësuar më tej për jetën e mëparshme të Aronin. Tregon se ai ka qenë i “martuar që fëmijë” dhe se kurrë “nuk e kishte parë të fejuarën”. Nuk e kishte parë edhe për një kohë të gjatë pas martesës. Të paktën nuk e kishte parë të tërën, se i njihte mirë trupin, që e zhvishte çdo natë kur flinin. Por jo më shumë. Kur dikur vendosi t’i heqë edhe ferexhenë, me të cilën mbulonte kokën, ai vërejti se ajo “kishte mustaqe”. Jo se ishte burrë, por se kishte mustaqe. Ajo nuk depilohej, gjë që sipas autores është gjësendi e rëndomtë te gratë myslimane, duke harruar kështu se Orienti e kishte ngritur dhe kthyer në art tualetin femëror, atëherë kur edhe mbretërit e Evropës mburreshin se laheshin një a dy herë në jetën e tyre.

Më tej, që nga ai çast, Aroni bënte dashuri me të, por nuk ia zbulonte më kokën, duke përfytyruar se ajo ishte një “Xhenifer” , pra një vajzë e bukur e një qyteti të madh evropian. Shkurt, Xheniferi e vërtetë (që më pas do të dalë se nuk quhej fare Xhenifer dhe se nuk ishte fare angleze, por se e kishte improvizuar atë emër, në çastin që kishte takuar Aronin në një klub), ishte në pajtueshmëri të plotë me imazhin e makthit në të cilin zakonisht shndërrohen ëndërrimet e paarsyeshme.

Këtu dua të besoj se Veronique Boutin ka patur për qëllim ta kthejë në metaforë fatin e rëndomtë të dy njerëzve, atë të emigrantit të padjallëzuar e disi naiv që ëndërron perëndimin pa ditur shumë gjëra për të, ndërkohë që Xheniferin e sheh si simbol të një shoqërie ku parimet morale veçse të bëjnë të qeshin, të një shoqërie që do të jetojë jetën çdo çast, këtu e tani. Edhe pse nuk mund të kategorizosh si të tillë një shoqëri të tërë, që ecën dhe rinovohet çdo ditë, e megjithatë nuk është se një kulturë dhe mënyrë e tillë mendimi, nuk ekziston.

Veçse si personazh, prej mishi e kockash, Xheniferit nuk i mungon zgjuarsia të kuptojë se ka kaluar çdo limit të asaj që mund të falet nga një ballkanas, edhe pse ajo nuk u bë ashtu në mungesë të Aronit. Diku ajo rrëfen se Aroni vërtet fliste për të birin si “për gjakun e tij”, por ajo e dinte mirë se ai nuk ishte i tiji. Dhe mbi detin që e ndan nga Aroni ajo e ndjen se është grumbulluar aq shumë urrejtje sa duhet të përgatitet jo të përligjë atë që ka bërë dhe të presë falje,  por të mbrojë jetën që e ndjen të kërcënuar.

Veçse koha kalon dhe Aroni nuk ka asnjë shans të kalojë detin. Dhe gjithçka ka hyrë në një rreth të mbyllur dhe i  ngjan një ëndrre të keqe, mundimi i së cilës torturon e ndjek nga pas personazhet tanë.

Por do të ishte gjetja finale e regjisores dhe autores, Veronique Boutin, ajo që do ta përplotësonte në mënyrë magjistrale veprën e saj. Qe fjala për intervistën e një djaloshi kosovar, me emrin Aron, që ajo na kishte ruajtur për në fund, pra me intervistën e Aronit të vërtetë. Ishte pjesë e një prej atyre kronikave të lajmeve televizive të mbrëmjes, që më dukej se e kisha parë dikur. Aroni foli shkurt për jetën e tij (foli në anglisht, gjë që shpjegon pse titulli i pjesës dhe deri diku aksioni i saj zhvillohen në këtë gjuhë) dhe si spektatorë ne kuptuam se deri atë çast kishim parë në skenë dramën e vërtetë të një jete. Ai, Aroni i vërtetë, fliste me pak theks, por ngadalë e qartë. Dhe ajo që tregoi aq thjesht, nuk ishte gjësendi e thjeshtë.

Foli për djalin e tij, që e dinte se ish mikesha e tij do t’ia merrte, për punën që kishte humbur, për shtëpinë dhe gjithçka që nuk kishte më. Por ajo që nuk gëlltiste ishte që gruaja me të cilën kishte bashkëjetuar t’i mbante kanapenë e të bënte dashuri në të (ai kthehej nga deti e gjithë inat e dhimbje drejtonte krahun drejt brigjeve angleze).

– Do të kthehem për atë kanape,- tha, – Kam punuar si qen për ta blerë! Eshtë kanapeja ime!

Ishte pikërisht kjo frazë e fundit që i kishte dhënë titullin pjesës dhe që në atë kontekst merrte vlera të tjera.

Regjisorja dhe autorja kishte punuar në mënyrë të tillë që kufijtë e kronikës dhe të dramës të ishin krejt flu, porozë, pa kufij të qartë sa nuk kuptoje ku fillonte njëra e ku mbaronte tjetra.

Dikur m’u duk se në të vërtetë nuk bëhej fjalë për një kanape, por nëpërmjet saj ai njeri e personazh bashkë, projektonte dhimbjen më të madhe të shpirtit të tij, por edhe më shumë se kaq, paqëndrueshmërinë e jetës njerëzore, pasigurinë e saj. Por qe i vendosur të mos i nënshtrohej fatit. Aty në tokën angleze atij mund t’i mohonin fëmijën, gruan, shtëpinë, por jo atë copë kanape që kishte blerë me paratë e punës së tij. Një kanapenë sytë e tij duket se qe mundësia e një jete të re, e një familjeje të re.

Me simbolikën e një objekti të rëndë që vendoset diku e nuk lëviz më (kush nuk ka patur rast të shohë një shtëpi të bombarduar, me mure të rrezuara, por me një kanape që mbretëron, mu në mes të rrënojave?), Aroni fiktiv dhe i vërtetë, nëpërmjet kanapesë së tij kërkonte të gjente një pikë rëndese në këtë botë të lëvizshme, kishte nevojë të gjente atë që i mungonte, një vend të tijin. Pas aq vitesh, ai nuk e shihte më ekzistencën e tij në një vendlindje që nuk i ofronte asgjë, por nuk po hidhte dot rrënjë as gjetiu. Edhe pas aq vitesh pune rraskapitëse, ai kishte mbetur pjesë e lumit të emigrantëve, që lëvizte, nga ku të mundej e nuk dinte ku do të derdhej.

Kjo, me sa lë të kuptohet ai, është rrethana më e padurueshme që mund të bëhet. Atij mbase tashmë i dukej se endej me rrënjë në dorë, sepse nuk kishte një kanape ku të ulej… Gjithçka që i mungon në jetë, në nënndërgjegjen e tij përfaqësohet nga ajo kanape, që ishte aty në mes të skenës, e në të cilën Xheniferi qëndronte e shtrirë, lakuriq.

Duke i marrë edhe atë, atij i fikej çdo shpresë për të lënë një gjurmë të kalimit të tij në këtë botë. Dhe kjo e shtynte të thërriste me tërbim e dhimbje: That’s my sofà!

Nuk ka komente

  1. Kisha kohe qe s’kisha lexuar ne shkrim per nje shfaqje teatrale i tille qe te me jape deshiren ta shoh ate shfaqje.
    Per fat te keq s’e shoh dot se s’jam atje ku eshte shfaqja, por m’u duk sikur e pashe duke lexuar ‘That’s my sofa’ njesoj si ‘that’s my life!’

  2. Lyss, M.Kumbaro me komentin e saj me vuri ne nje pozicion dritheresues, si te gjethes ne fllad, dhe me shkrepetiu ” That’s my property” !

    1. Komenti i znj. Kumbaro më çoi ndërmend idenë të marr kontakt me trupën për të parë mundësinë e një turneu në Shqipëri. Nuk shoh perdite pjesë qe trajtojnë problemet e shqiptarve, për më tepër me empati. Natyrisht per kete duhet edhe një pjesë kontributi e palës shqiptare, por kam përshtypjen se aty gjenden financime për gjithçka, me përjashtim të artit. Por prapë nuk është kjo frika ime më e madhe. Druaj se do tu kërkojnë të qethin pjesë të dramës dhe ta bëjnë disi më korrekte…

  3. Fshirja e ndarjes art-realitet me pelqen, sidomos perderisa Lyss deshmon se eshte bere bukur; por plot elemente te tjera te fabules se drames (sic pershkruhet, se nuk di asgje me shume per te) me duken skematike, jo origjinale (dhe nuk do bindesha per te kunderten sikur djaloshi kosovar te me thoshte se “vertet ashtu ka qene!”). Por besoj se eshte koha te shkruhet per perzierjet, nganjehere me pasoja tragjike, te shqiptareve me jo-shqiptare neper bote. Dhe ku tjeter me mire se ne gjinine dramatike do mund te sillej ky tension jo aq i pasqyruar per artin shqiptar. Kuptohet qe sy te ndryshem e shohin ndryshe te njejten gje dhe te gjitha pikeveshtrimet jane “te drejta”, por ve re se ka nje mungese ballance mes parjes nga jashte dhe nga brenda te ketij fenomeni. Shqiptaret i rrine larg temes… nuk e di pse. Besoj se tashme dukuria prek nje sasi te madhe mes nesh e duhet sjelle ne art edhe prej nesh. Nuk kemi lene vrime filmi pa hyre vitet e fundit, nganjehere ne menyra krejt joreale, gje qe mes te tjerash tregon edhe mungese respekti nga ana e krijuesve dhe pune jo serioze.

    1. Në të vërtetë gjetja është sublime. Sofaja merr përmasa simbolike të hatashme, që të kujton Beketin (përafërsisht), ndërkohë që edhe unë jam përpjekur të vë në dukje se ka një vështrim pak të thjeshtëzuar, më mos skematik të të dy palëve për njëra tjetrën. “Ajo” që i sheh shqiptarët e shqiptaret më keq se të kishin dalë nga ndonjë fshat subsaharjan, 3.000 km. larg rrugëve automobilistike dhe “ai” nga ana e tij i sheh vajzat e perëndimit sikur të gjitha kanë rënë nga kopertinat e revistave të bulevardit.
      E kotë ta fshehim, ky është vështrimi i shumë vetëve. Ajo që më mbetet enigmë është nëse autorja ka përgjithësuar opinionin e të tjerëve, apo edhe ajo mendon ashtu. Gjithsesi nuk perjashtohet qe edhe une te jem skematik ne kete mes.
      Ideja juaj për të hedhur një sy në impaktin e lidhjes dhe shfaqjes së shqiptarëve në mjediset dhe familjet nga më të ndryshme, kudo, më duket interesante. Nga ajo që kam parë rrotull meje, elementet shqiptare kane patur funksionin e një diesis në mjediset ku janë shfaqur, i kanë gjallëruar dhe rifreskuar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin