BIBLIOTEKA XHEPI APO LIBRA NË KORNIZË?

Që prej një viti e ca, përdor një pajisje leximi numerike: Amazon Kindle. Jam i kënaqur me të, e kam ngarkuar me gjithfarë tekstesh, shumë prej të cilave edhe i kam blerë, por duke i paguar zakonisht fare lirë.

Përveçse praktik – meqë të lejon të bartësh një bibliotekë të tërë në xhep të palltos – Kindle-i më ka bërë edhe t’u kthehem me lakmi klasikëve: Platonit, Plutarkut, Montaigne-it, Voltaire-it, Montesquieu-së, Schopenhauer-it; por edhe Balzac-ut, Hugo-it dhe autorëve të tjerë aq të dashur të shekullit XIX, të cilët tani mund t’i shkarkoj falas kur dhe si të dua. Prej vitesh nuk isha kënaqur madje mahnitur aq shumë me një roman, sa me Njeriun që qesh të Hugo-it, të cilin përndryshe nuk do ta kisha blerë, as rilexuar.

Nga ana tjetër, në shtëpinë time nuk ka mbetur më vend për libra të rinj; kur të mos dëgjoni prej meje ndonjë ditë, ejani të më kërkoni poshtë ndonjë biblioteke të shembur nga pesha e tepërt. Këtë e them jo se kam vërtet shumë libra, por ngaqë jetoj në një shtëpi të vogël dhe modeste.

Javën që shkoi, kur u ktheva nga Shqipëria, gjysma e valixhes më ish mbushur me libra – këtë herë shqip. Librin shqip ende nuk e gjen dot në format të përshtatshëm për Kindle-in; edhe pse qarkullojnë kopje pak a shumë ilegale në pdf ose në formate të tjera të përshtatshme për tabletat.

Nga Shqipëria solla edhe fjalorë, të cilët më duhen për punët angari që bëj, por edhe për profesionin. Përndryshe, fjalorët që kam në raft, ato të gjuhëve të mëdha europiane, nuk i përdor më – meqë i kam zëvendësuar me edicione të tyret online (si Hoepli, për italishten), ose vegla të tjera leksikografike (si Babylon). Herët a vonë, edhe fjalorët e shqipes do t’i numerizojnë; dhe është gjithnjë shumë më e volitshme ta kërkosh një fjalë në një fjalor kompjuterik, sesa në një libër që rëndon sa një dac i bëshëm.

Për dorëshkrimet e shumta dhe librat që kam në pdf, më është dashur të blej edhe një tabletë, të cilën e përdor krahas Kindle-it dhe kompjuterit vetë. Javash-javash, në shtëpinë time nuk do të ketë më vend as për pajisje elektronike.

Në krahasim me ekranin e laptop-it dhe të tabletës, Kindle është shumë i qetë për syrin, aq i qetë sa edhe faqja e librit, për shkak të teknologjisë pasive që përdor ajo pajisje (e-ink). Gjithsesi, kjo teknologji nuk është dhe aq e përshtatshme, hë për hë, për të riprodhuar imazhin.

Në Tiranë, një shok që ua ka kushtuar jetën e vet botimeve, më pyeti nëse përhapja e pajisjeve të leximit elektronik dhe e tabletave do t’ia rrezikonte të ardhmen librit, si objekt të dëshirës. Më shumë se pyetje, kjo ishte shprehje e një shqetësimi të mirëfilltë; prapa tregtarit, i rrihte zemra amatorit, madje idhulltarit të librit.

E rrezikon vërtet Kindle librin prej letre dhe boje? Pyetja ka kohë që është bërë, së paku që me përhapjen e teknologjive numerike dhe sidomos të Internetit. Ky i fundit rezultoi me pasoja fatale, për shembull, për mediat tradicionale, sidomos të përditshmet; dhe së shpejti gazetat e shtypura do t’i gjejmë veç në muzeumet dhe bibliotekat e mëdha.

Si dashamirës i librit dhe i leximit, unë e kam mirëpritur lexuesin numerik; por nuk besoj se ai mund të rrezikojë ndonjëherë teknologjinë tradicionale të Gutenberg-ut.

Nëse Kindle dhe pajisjet e ngjashme me të rrezikojnë diçka, kjo diçka nuk është libri në vetvete, por libri i prodhuar në masë dhe për masat; libri me letër të keqe, bojë kutërbuese, dhe kopertinë trashanike me reliev, vrima dhe ngjyra papagalli; libri i xhepit, libri i aeroportit, libri që shitet në drug store, libri të cilin, pasi e lexon, e hedh në kosh të plehrave, meqë nuk ke se ku ta mbash në shtëpi (ose në zyrë), as mund t’ia dhurosh kujt, pa shkaktuar përbuzje. Ky kërcënim është për t’u përshëndetur – le të na hiqen sysh këta libra, meqë ashtu ndoshta do të shpëtojmë edhe ndonjë pyll, ose do të mbrojmë ndonjë vijë ujore nga fëlliqja prej fabrikave të letrës.

Përkundrazi, libri send i bukur, i këndshëm për t’u prekur me mollëzat e gishtave dhe për t’u nuhatur dhe për t’u shfletuar, me letër të mirë aromatike dhe shkronjë e tipografi elegante; libri me ilustrime tërheqëse, me fotografi, tabela, grafikë dhe harta, nuk rrezikohet gjë nga pajisjet proletare të leximit numerik.

Në një kuptim, Kindle-i duket sikur ka për mision anësor t’ia kthejë librit sqimën dhe shkëlqimin e dikurshëm; duke ua hequr njerëzve prej xhepit të xhinseve dhe duke e rehabilituar, si ikonë të kulturës, të mendjes dhe të intelektit. Ndoshta në të ardhmen do t’i trajtojmë librat njëlloj siç trajtojmë sot pikturat: si vepra arti, të denja për admirim dhe kujdes. Madje si dyfish të tilla: për çfarë thonë e si e thonë; por edhe si objekte dizajni. Kjo ndoshta do t’i nxiste edhe botuesit që të hiqnin dorë nga shpresa për fitime, nëpërmjet shitjes së letërsisë trash; e fundit, nëse nuk shmanget dot, le të mbetet atëherë brenda kafazeve eterike të elektronikës. Mua më duket deri edhe kuptimplotë që ky lloj seleksioni natyror, mes suporteve materiale të teksteve, po ndodh pikërisht në epokën kur Interneti e ka shumëfishuar, në mënyrë eksponenciale, raportin tonë me fjalën e shkruar.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha: me duket se ketu ti shpreh tendencen tende pajtuese, dhe nevojen qe te kontribuosh ne eleminimine armiqesive ne bote, por ka gjera qe nuk pajtohen per nga vete natyra e vet. Dhe ketu nuk e kam fjalen per entitete qe vetem ngrifen sikur te kishin cilesi te kunderta e kundershtare pa i pasur ato; por per gjera qe lindin e ekzistojne si te tilla. Une si ti, besoj se libri nuk zhduket dhe se neve na pelqen qe te parashikojme vdekjen dramatike te gjithckaje para se ajo te vije ne fakt. Por Kindle “e vret” librin, dhe jo vetem ate te keqin. (dhe ne fakt marr kindle si shembull, por transformimi elektronik i librit ne pergjithesi ka kete efekt) Jo totalisht dhe jo menjehere, por nese shkaterrohet industria e librit shkaterrohet edhe kultura qe vjen me te; ashtu, dalengadale. Sa librari te mrekullueshme jane mbyllur vitet e fundit! Per mua librarite s’ishin vec vende ku njerezit konsumonin libra, por edhe gezoheshin, krijonin, mbanin ere te mire librash, frymezoheshin, mendonin, pinin kafe… dhe i donin edhe me shume librat, ne kuptimin e leximit, si edhe njeri-tjetrin. Ishte nje lloj tufezimi i bukur. Zinxhiri i prodhimit kapitalist nderpritet, dhe merr me vete plot gjera te cilat na pelqejne dhe qe nuk jane hic kapitaliste.
    A me pelqen Kindle? Pa dyshim! Dhe as nuk ve ne dyshim qe shkohet ne nje drejtim dhe nuk ka kthim mbrapa. Une e perdor pak, por ne shtepi ca me te rinj e me te vjeter se une, sidomos ata qe lexojne per qejf, perdorin vetem kindle tani. Libra hyjne me pak tani; dhe s’kane ku rrine ne fakt. Bleme e perdorim libra apo shkojme ne librari vetem kur na prishen kindleat. Ne fakt ato prishen ne krye te vitit. Na ndodhi dy here rresht, tre personave ne shtepine tone. Duket se per tani jane programuar te jetojne nje vit:).
    Kjo puna e kindle dhe librit me kujton dicka qe me tha ime bije kur ishte e vogel. E kafshoi ne tule qeni i nje komshiu. Qau dhe une kur pashe qe vertet kishte shenja dhembesh u bera keq dhe nisa te bertisja se si qe e mundur qe ajo kafshe kafshonte femijen qe u rrit pertej gardhit te vet. E vogla pasi fshiu lotet, me tha: mami mos fol keq per qenin. Ai ashtu e ka natyren e vet; nuk e beri me qellim te keq.

    1. Kam përshtypjen se, të paktën në NYC, tatëpjeta e shitjes së librit kish filluar që pa dalë Kindle në treg, si mall dhe si teknologji. Shkaqet për këtë janë komplekse, nuk lidhen vetëm me kompjuterin dhe teknologjitë satelite — por kanë të bëjnë, për mendimin tim, para së gjithash me shndërrimin e shtëpive botuese nga qendra të kulturës, në biznese të obsesionuara pas fitimeve. Kësisoj, modeli i editorisë në këto 20 vjet dështoi pa qenë nevoja për librin numerik, që t’ia jepte shtytjen e fundit. Ti hyje në Barnes & Noble, (një nga nga tempujt e mi të preferuara në NYC, r.i.p.), dhe shihje të reklamuara me të madhe, në vendet më dukshme, pisllëqe nga më ordineret, gjëra komerciale, që do të kishin më vlerë sikur të ofroheshin për dru zjarri. Mua s’më vjen keq për këto shtëpi botuese mamuthe që të shkojnë në esfel; sepse nuk mund ta shesësh librin siç shet Red Bull-in ose të mbathurat e holla (megjithatë, darkën e shekullit unë do ta shtroj kur të mbyllet The New York Times).

      1. Per darken e shekullit, kam frike se Chomsky e ka zene radhen ta shtroje ate me te njejtin rast para teje… merruni vesh e ndani shpenzimet:).

        Nuk di c’te them per arsyet e tatepjetes. Ato qe ti shpjegon me lart me duken te gjitha te verteta. Shnderrimi i gjithckaje ne biznes konsiderohet si arsyeja e degradimit te te gjitha vlerave kulturore e akademike. Po kjo arsye jepet edhe per degradimin gradual te universiteteve, filmave, te shfaqjeve te baletit dhe ato teatrale…. Une besoj se po te perqendrohemi ne arsye me te ngushta e konkrete dhe jo ne kete pervaziven dhe memen e gjithe te keqijave, mund edhe te permiresojme gjera te vogla. Besoj se ‘kindle’ (pa dashur t’i ngec makinezes se shkrete gjithe fajet, por me shume si simbol te elektronizimit te shlkrimit, leximit dhe lexuesit) ka te beje plot me pakesimin e shtypjes dhe blerjes se librave, si te te mireve si te dobteve. Por per mua ceshtja kryesore nuk eshte nese lexon me aparatthin numerik apo me ate prej karte e plumbi, por cfare lexon, e rrjedhimisht edhe cfare krijohet, cfare publikohet, cfare ka sukses etj… Edhe psete e ketyre pyetjeve qe ti i diskuton tek pergjigja me lart. Por ceshtja e shkrimit fillestar ishte nese kindle i pret rrugen librit, dhe per mua ia pret, sido qe jo krejt.

  2. Problemi mbase eshte i hapesires. Edhe une e kam te njejtin problem – nuk kam vend per libra edhe pse nuk eshte se kam shume libra. Per ate kam vendosur qe librat qe me duhet per pune t’i mbaj ne version te printuar, ndersa librat qe lexoj per qejf i huazoj ne biblioteke ose i lexoj ne menyre elektronike.
    Para ca ditesh nje komshiu im kish nxjerre ne trotuar nje krah me romane. Une mora nja 10 cope, te cilet kapnin nje vlere mbi 200 euro dhe ishin blere te gjitha jo me larg se nje vit. Edhe une do i lexoj ato qe do me pelqejne dhe me pas duhet t’ua gjej vendin. Problemi i hapesires eshte i pranishem gjithandej, prandaj forma elektronike na duket e mireseardhur. Edhe pse edhe ajo ka te meta sa te duash, sidomos ne rast te defektit mund te te shkojne huq gjithe ato libra pernjehere. Ose mbase e kane menduar inxhinieret kete gje, por une nuk jam i informuar.

    1. Kjo e fundit nuk ka gjasë të ndodhë – përveçse po të falimentojë kompania që i ofron librat (në rastin e Kindle-it, amazon.com). Në fakt, të gjithë librat i janë bashkëlidhur llogarisë tënde me atë kompani; po të blesh një Kindle të re, do të transferohen aty automatikisht.

      1. Pikerisht: gjithcka e rregjistruar, e blere ose jo, mbetet e jotja. Gjithashtu, ne rastin tone qe na u prishen te tre kindlat ne te njejtin muaj (blere te tre rreth 11 muaj me pare), Amazon pasi i telefonuam dergoi Kindle te reja pa pagese. (Kuptohet duhet t’u dergosh me poste te vjetrat)

  3. drejtimi qe i ka dhene amazon prodhimit te librit elektronik le per te deshiruar por eshte nje drejtim qe po e shohim kudo ne gjigandet elektronik vitet e fundit. Start-upet e para 10 viteve te lindura ne garazhde me idealet e permbysjes se establishmentit dhe revolucionimit te shperndarjes se informacionit jane shnderruar ne korporata te mirefillta shpesh here me nje mani kontrolli me agresive se ato qe zevendesuan.

    Interneti lindi dhe eshte akoma teknologji mjaft e pershtatshme per te decentralizuar kontrollin qofte kjo mbi librat qofte mbi informacionin me ne pergjithesi. Por nderkohe amazon nuk te le tia japesh hua librin nje miku me teper se dy jave e me sa di une eshte akoma ne konflikt me bibliotekat mbi modelin se si ato mund ti perdorin librat elektronik. Mbi te gjitha asgje nuk kryhet pa dijenine e amazon.

    Librat kane qene nje force e madhe demokratizuese qekur riprodhimi i tyre doli nga duart e murgjve e u industrializua, Ne vete diktaturen e eger komuniste ne Shqiperi qarkullonin libra te ndaluar nga censura gje qe ne kohen e amazon nuk eshte e mundur pasi amazon mund te kontrollohet fare lehte nga nga nje pushtet autoritar. Fakt eshte qe te gjithe gjigandet elekronike duke filluar me yahoo e google kane qene te gatshem dhe i kane dorezuar te dhena personale regjimeve problematike sidomos autoriteteve kineze.

    Librat elektronike jane praktike natyrisht por kontrolli i rrepte i aparateve per leximin e tyre nga nje kompani eshte shume problematik.

    1. te degjoj shume mire, Eni. Ne kete kuptim jemi te gjithe te zbuluar. Ne kete kuptim Afrika e thelle eshte nje hapesire me liri shume me te medha e te pacenueshme sesa Amerika e Veriut.

  4. Ashtu si vizitohen sot Machu Pichu dhe Piramidat, ashtu do te transformohen dhe librarite. Antikitete te se ardhmes.
    Por, shpresoj gjithmone, se do te gjenden librari te rehatshme ku mund te kalosh ore pafund zhytur ne nje kolltuk rrethuar nga librat dhe aroma e kafes. Mbase ne te ardhmen do te na duhet te paguajme per te kaluar disa ore ne nje ambient te tille.
    Por ajo qe eshte vertet per tu shqetesuar jane librat e shkolles. Shoh gjithe keta femije me canta ne kurriz qe peshojne pa frike 15 pound, libra pafund, te medhenj, gjigand. Nuk arrij te kuptoj perse mos ti detyrojne te gjithe studentet te pajisen me IPad dhe keshtu te shpetojne njehere e mire nga “thyerja e shpines”. Mund te thone qe jane expensive, e kuptoj, por kush eshte prioritet ketu shendeti apo paraja?

    Gjithashtu, stilolapsat qe rekordojne jane ne perdorim dhe shume praktike per studentet. Nuk ke domosdoshmeri te marresh shenime ne leksion, vec rekordoje dhe instaloje ne komputer.

  5. Varet se cfare pajisje zgjidhet per kenaqesine e leximit: Nook apo Kindle, ose versione te tjera (si Sony Reader e nje duzine tjeter).

    Kindle eshte me shume per nje pervoje individuale te te lexuarit (a nuk ka qene gjithmone keshtu?), por tanime lejojne bookmarks e te tjera shenime (citime) te shkembehen nder rrjete sociale. Eshte nje sistem i mbyllur me formate te caktuara.

    Nook (i autorit) eshte me i hapur, mund t’i japesh librat hua nje miku tend dhe lexon cdo format e-reader.

    Cfare eshte me e rendesishme: me ndryshimin e pritshmerive te lexuesit, do te ndryshoj edhe oferta nga autoret.

    Une lexoj shume ne PC, porse perjetimi i te lexuarit me ka ndryshuar me kompjuterin.

    Eshte e veshtire te lexoj nje liber a artikull teresisht i perqendruar (edhe me pare nuk mbahesha per perqendrim, por gjithsesi ca me teper). Edhe librat i lexoj si te isha duke lexuar wikipedia apo blogjet a artikujt ne internet. Nje veshtrim i shpejte per te kuptuar se per cfare behet fjale, cili eshte mendimi i autorit, argumentet…mbaroi (modeli: kerkojme-gjejme). Cdo gje tjeter na shpeton: stili, menyra e te argumentuarit, risia, mbrotja e argumenteve, rrefimi etj…

    Ndoshta me ndodh vetem mua: por me keto pritshmeri eshte e veshtire te lexosh libra artistike (te lexosh pa pritshmeri, te terhiqesh prej dore nga nje autor ne boten e rrefimit). Ndoshta ka edhe te beje me cfare eshte vertetuar shkencerisht: meshkujt lexojne me shume libra jo-fiction (faktike): histori, biografi, kronika ngjarjesh, politike etj.

    Detyrimisht autoret do t’i perulen kesaj forme leximi per librat akademike (kane marre supergjiro artikujt shkencor) dhe te shpejte (si te hash kikirika) per letersine “limonate”. E nje tjeter zhvillim demokratik: autore te rinj, jashte ledheve te shtepive te botimit, qe mjaftojne ta publikojne neper forume (.pdf) librin e tyre, pa pasur nevoje per aparatin e shtepive botuese (te tille gjen edhe ne Amazon.com).

    Teza shkurtimisht eshte: se me ndryshimin e menyres se te lexuarit dhe te organizimit te kohes (per TV, Playstation, Internet, Dating etc.) do te ndryshojne edhe librat. E te tille le te jene me mire ne format elektronik.

  6. Mua me vjen keq per librarite, per ato me kolltuke e me arome kafeje, por edhe per ato me arome librash te vjetra me pak myk. Mbaj mend kur kam pare per here te pare librari te vertete, te madhe, me cdo liber brenda. E doja te gjithen, ta merrja me vete mundesisht. Kurse tani librat i lexoj me vegla numerike, librat prej letre u bene shume, na zene vend, rendojne ti mbash neper duar. Gazeten vazhdoj ta marr prej letre, vetem titujt i shoh, tek tuk lexoj ndonje gje, e megjithate e dua ne mengjes, bashke me kafene, megjithese edhe gishtat mi ben me boje dhe gabimet i jane shtuar.

    Ndofta jemi brezi i fundit qe kemi akoma nostalgji per librat “e vertete.” Femijet tane jane rritur me video-games, me TiVo, me iPod e iPad, as e kane as kane ku ta gjejne dashurine per librin.

  7. Para rreth 30 vjetësh, kur lexoja një libërth të vockël me një titull disi të çuditshëm, Farenhait, më shumë se fantashkencë më dukej si ekstrem i tejskajshëm i perversitetit dhe djallësisë së autorit që mund të konceptonte dot një botë pa libra…
    Librat që i shpëtuan zjarrit të inkuizicionit dhe çensurës, për mua tashmë kishin fituar statusin e përjetësisë… deri kur sot, gjithnjë e më tepër, po merr përmasa dhe formë leximi nëpërmjet djallëzive numerike.
    Të kuptohemi, do isha i fundit në botë që do të akuzoja progresin teknologjik, por fakti që një të nesërme e gjithë biblioteka botërore do të ishte në duart e dikujt që, me një të kaluar të çelësit në Of, nuk do të kishte nevojë për flakhedhëse, më tmerron për fatin e atyre që do vijnë dhe mund të provojnë një skenar të tillë…

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: