MËSIME NGA BIZANTI (II)

PlethoRead me duhet falënderuar për temën që hapi, e cila ndryshe nga ç’prisja unë, i ngacmoi lexuesit e blogut pa masë.

Natyrisht, debati vijues tregoi edhe se kemi vizione të ndryshme për Bizantin dhe rolin e tij në histori, veçanërisht sa i përket edhe imazhit dhe trashëgimisë bizantine në botën e sotme.

Debati njëlloj tregoi edhe se disa prej nesh kanë njohje të admirueshme të asaj perandorie, nga çfarë mundëm të përfitonim jo pak të gjithë.

Me këtë rast, desha edhe unë t’i referohem shkurt një libri me titullin Sailing from Byzantium, të Colin Wells, ku autori përshkruan rolin e Kostandinopojës në formësimin e botës moderne, dhe pikërisht sa u përket tri kontinenteve kulturore që u ngjizën në Mesjetë: Perëndimi europian, Lindja sllave dhe Islami.

Veçanërisht me interes për temën tonë më duken marrëdhëniet e dijetarëve humanistë të Bizantit me Rilindjen europiane, që zuri fill në qytetet e Italisë së sotme.

Sipas Colin Wells-it, ishin këta humanistë që e njohën Perëndimin me një pjesë të madhe të trashëgimisë kulturore të Greqisë së vjetër, duke filluar me vetë greqishten e vjetër, si gjuhë të Platonit & CO.

Kështu, një murg me emrin Barlaam, me origjinë grek nga Kalabria, i dërguar nga perandori Androniku III dikur në vitet 1340 me një mision diplomatik në Perëndim, kaloi një farë kohe në Napoli, ku u njoh më parë me Bocaccio-n, në oborrin e mbretit të ndriçuar Robert të Urtit (D’Angiò), dhe më pas, gjatë një udhëtimi të dytë, me Paulus-in nga Perugia (Perusinus), të cilin e ndihmoi të sistemonte dorëshkrimet greke në bibliotekën mbretërore. Më tutje, gjatë një udhëtimi në Avignon në 1342 (ku e kish në atë kohë selinë Papa) ai u takua dhe lidhi miqësi me Petrarca-n, poetin e madh të Rilindjes.

Qëlloi që Petrarca-s, në atë kohë, një diplomat bizantin në Avignon i kish dhuruar një dorëshkrim të Homerit në greqishte; të cilin Petrarca e konsideronte si një prej zotërimeve të tij më të vyera, edhe pse nuk ish në gjendje ta lexonte.

Barlaam-i i mësoi pak greqishte Petrarca-s, por jo aq sa ky të mund të lexonte Homerin në origjinal.

Gjatë shekullit XV, gjithnjë e më shumë dijetarë italianë kërkonin të mësonin greqishten, krahas me entuziazmin në rritje për letërsinë greke në qytetet e Rilindjes italiane. Paralelisht, vepra të tilla si ato të Thoma Akuinasit u përkthyen nga dijetarët e Kostandinopojës. Humanistët e Bizantit dhe të qyteteve italiane filluan të shkëmbejnë së bashku jo vetëm dije, por edhe solidaritet.

Mes këtyre, vend të veçantë zë Manuel Krisoloras, i cili u mësoi greqishten dijetarëve në Universitetin e Firenze-s, pasi mbërriti aty në fillim të vitit 1397, duke shkruar edhe manualin bazë të mësimdhënies së kësaj gjuhe. Edhe më i rëndësishëm ishte roli i Krisolorasit në përpunimin e një metode të re të përkthimit nga greqishtja (klasike) në latinishte, e cila u largua nga metoda e mëparshme verbum ad verbum, për t’iu afruar në frymë metodave moderne, të cilat kërkojnë ndërmjetësimin kyç të kuptimit të tekstit.

Ishin studentët e Krisolorasit që më pas do t’i përvisheshin përkthimit të një numri të madh veprash të kulturës klasike greke në latinishte, të tilla si Politika dhe Etika e Aristotelit, shumë prej Jetëve të Plutarkut (Plutarku do të shërbente pastaj si ndoshta burimi më i pasur për veprën e Shekspirit, pa përmendur këtu Marin Barletin tonë); si dhe vepra retorike të Demostenit dhe Eskinit.

Nën ndikimin e këtij dijetari bizantin, një aristokrat i pasur, Antonio Corbinelli, arriti të krijojë një bibliotekë të letërsisë klasike që përfshinte vepra në greqishte të Homerit, Plutarkut, Herodotit, Thuqididit, Polibit, Platonit, Aristotelit, Euklidit, Eskilit, Euripidit, Sofokliut, Aristofanit, Demostenit, Eskinit, Teokritit dhe Pindarit.

Para se Krisolorasi të largohej nga Firenze për në Milano, ai i dhuroi mikut të vet Iacopo Angeli një përkthim të pambaruar të Gjeografisë së Ptolemeut, të cilën vepër ai vetë e kish sjellë me vete nga Kostandinopoja. Angeli e përfundoi përkthimin dhe vepra e Ptolemeut më në fund u përhap dhe u lexua gjerësisht në Perëndim, deri edhe nga një farë Cristoforo Colombo, me pasojat që i dimë.

Gjatë shekullit XV, teksa fati i Bizantit po dukej gjithnjë e më i shënjuar përgjithnjë, më shumë dijetarë nisën të udhëtojnë drejt Perëndimit – për arsye të ndryshme. Mes tyre ishte edhe i mirënjohuri Pletho nga Moreja, përfaqësuesi ndoshta i parë i çfarë është quajtur “patriotizëm helenik”, i cili ndër të tjera ia prezantoi veprën e Platonit botës akademike të Firenze-s.

Të gjitha sa më sipër i kam nxjerrë nga vepra e cituar e Colin Wells-it, e cila përmban edhe shumë më tepër të dhëna, komente dhe interpretime, të shkëmbimeve të vyera të dijes, mes Bizantit dhe qyteteve italiane.

Natyrisht, nuk dua të them me këtë se Perandoria e Lindjes kish për synim të vetin të ruante dhe të transmetonte drejt Perëndimit dijen e vyer të Greqisë klasike; por fakt është se ishin dijetarët bizantinë, të vetmit të krishterë në gjendje të komunikonin lirisht me kulturën greke të antikitetit, që e çuan këtë kulturë në Itali, ku ajo mori pjesë në atë ferment të jashtëzakonshëm intelektual, të njohur më pas si Rilindje.

Dijetarët italianë kishin ruajtur, pa dyshim, kontaktet e tyre të dendura me autorët latinë të lashtësisë, si Virgjili, Horaci, Ovidi, Ciceroni, Jul Qesari e kështu me radhë; por edhe vetë kultura latine nuk mund të rrokej në tërësinë e saj pa njohur kulturën prej nga kish rrjedhur – greken.

Ishte kjo martesë e lumtur mes trashëgimisë latine të qyteteve italiane dhe trashëgimisë greke antike që sollën humanistët bizantinë në Itali, që mundësoi edhe lindjen e modernitetit, gjatë shekujve XV-XVI në Italinë e sotme; dhe në këtë mes roli ruajtës dhe përcjellës i bizantinëve ka qenë i dorës së parë.

Nuk ka komente

  1. Xha Xha;

    Si i thone kendej oqeanit “great minds think alike”. Shume bukur qe tema ngjalli interes dhe plotesove dicka nga ajo qe une po mendoja t’a beja si “autokritike” ndaj temes se Bizantit.

    Plethon ne fakt, eshte figura qe me ngacmon me shume; mund te ndricohet edhe me shume, sepse eshte shume domethenese jo vetem per Greqine, por edhe per Evropen. C’ka me eshte dukur edhe me interesante eshte lidhja e tij me Morene, Peloponez dhe miqesia me Paleologet.

    Ka nje ure inherente midis tij, formimit te ideve te tij, dhe jetes, kultures, pranise arvanitase, “despotati i Mistres”; arvanitasit me prezencen e tyre aktive, vetqeverisese, mospranimin e asnje dominimi e persekutimi politik.

    Por nderkohe qe te gjitha keto mbeten “sekrete” te pa zbuluara, me duket se ka vend te shtohet se Plethon ishte i pari, qe formuloi idete sociale te nje lloj shoqerie tjeter, qe duhet te zevendesonte despotizmin ekleziast. Plethon imagjinonte nje Bizant tjeter pa dominionin e kishes.

    Ndoshta duhet te bejme shtesa ne “mesime nga Bizanti”, teme qe ngjall kaq interes dhe animozitet pikpamjesh.

  2. Do shtoja edhe Besarionin e Gjergjin e Trebizondes tek lista e emrave.

    Tek nje teme e paradokohshme kam permendur edhe rolin e hermesizmit(ermetismo) qe ishte pasoje e perkthimit ne Firence te veprave qe mendohej te ishin te bibliotekes se Psellos , fale kembenguljes nje pinjolli te De Medici i cili qendron pas edhe Akademise platoniane te Firences.

    Mendoj se gjeja me e rendesishme ishte rihyrja e platonizmit ne Perendim, rikthimi i debatit aristotelizem vs platonizem, imanence vs transhendence, qe ka implikime te te gjitha llojeve.

    Psh modeli aristotelik vinte ne qender Token u vendos ne diskutim fale platonizmit.

    Mund te thuhet qe rihyrja e platonizmit vuri ne krize hegjemonine e Thoma D’Akuinit.

    Kisha katolike, besoj se e ka pranuar hegjemonine thuajse antikristiane te mendimin te Thoma D’Akuinit, per arsye te pasterta politike, sepse proçesi i njohjes vetem nepemjet shqisave qe propogandonte Akuinasi, çonte ne imanencen aristotelike, e cila ne praktike mohon transhendencen qe eshte baza e Krishterimit.

    Akuinasi doli kunder shen Agustinit, qe ishte platonian , si gjithe eterit doktrinore te Kishes. Me perpjekjet per te pajtuar platonizmin me aristotelizmin, ai ne fakt vendosi hegjemonine e aristotelizmit ne teologjine katolike.

    Them qe u pranua per arsye politike, sepse platonizmi me ndarjen e boteve, politikisht perkthehet edhe ne ndarjen e pushteteve, bota e ideve, e mbishqisores, qe i takon Fese, pra Patriarkut, Papes dhe bota shqisore, materiale, qe i takon Perandorit.

    Pra per platonizmin, nuk mund te ekzistoje shteti teokratik, me kryetarin e fese qe eshte edhe kryetar shteti.

    Nderkaq, per aristotelizmin ka vetem nje bote dhe ne fakt ne ate bote unike, ku s’ka transhendence por vetem imanence, shteti teokratik jo vetem eshte i mundshem, por ne kuader te fese, ai eshte i vetmi shtet i mundshem. Pra, Papa si kryetar jo vetem shpirteror i gjithe te krishtereve, por edhe si kryetar i shtetit unik te te krishtereve.

    Bizanti, vazhdonte traditen e platonizmit, i cili ishte edhe baza e krishterimit, fale ndarjes se boteve dhe transhendences, por qe politikisht garantonte edhe ndarjen e pushtetit ne shpirteror dhe tokesor dhe dyshen Patriark-Perandor.

    Do spekulloja ne kete drejtim se rihyrja e platonizmit ka shkaktuar traume ne Perendimin e dominuar prej tomizmit.
    Madje, vete Cosimo de Medici, po te marrim parasysh gjendjen politike te Italise ne shek 15, ka ndikuar jashte mase ne kete rihyrje te platonizmit nepermjet Akademise platoniane te Firences, pikerisht per t’i vendosur nje barriere pretendimit te bashkimit te pushtetit shpirteror dhe atij tokesor, qe vinte prej Romes dhe qe ishte kercenim per mbijetesen e pushtetit te De Medici ne Firence.

    Nejse, se keto punet e fese, implikimit te metafizikes se krishtere ne çeshtjet politike, jane gjera te koklavitura, por doja te theksoja idene se me bizantinet hyri ne perendim debati aristotelizem vs platonizem, te cilin e kishte mbyllur Thoma Akuinasi, me nje model sinkretik, qe gjithsesi anonte nga aristotelizmi.
    Nga ky debat me implikime ne te gjitha fushat, nga feja e politika tek arti e shkenca, mendoj se e ka prejardhjen Rilindja italiane dhe europiane.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin