TULLUMBACET E PARLAMENTIT

Lajmin për festën në Parlamentin shqiptar me rastin e festave të Vitit të Ri e pashë në TVSH. Më bëri përshtypje kryesisht mënyra e dhënies së lajmit, nëse për lajm mund të bëhet fjalë. Pema e vitit të ri, tullumbace shumëngjyrëshe, drita vezullonjëse, deklarata rituale, këngë, valle, të gjitha këto të përzierë me dozë propaganduese të padurueshme, po të mos ishim në periudhë Krishtlindjesh kur secili prej nesh e ndjen se duhet të sillet disi më butë me të tjerët.

Do ta kisha kaluar pa e vëne re, në vijim të lajmeve boshe, kur nuk janë pjellë e reklamës më të trashë politike, që mediat shqiptare japin prej vitesh me një folklorizëm provincial të padurueshëm: festa për t’u dukur, nisma pa mesazhe politike, telegrame standard nga liderët e botës, takime propagandistike, mesazhe përkujtimore/ngushëlluese,  urime për personalitete, e kështu me radhë; lajme që në vende normale nuk përbëjnë lajme, por përfundojnë në sirtarët e ceremonialit ose të zyrës për propagandën të partisë përkatëse.

Lajmi më tërhoqi vëmendjen sepse në qendër të festës së organizuar në Parlamentin shqiptar ishin fëmijët e deputetëve dhe të administratës së Kuvendit, të cilët edhe ndezën dritat e pemës së vitit të ri. Shija që të lë ky lajm nuk është e ëmbël, por edhe mund të anashkalohet për të mos u dukur moralist e kritizer me çdo kusht. Ka nga ata që do ta shikonin shtrembër faktin që fëmijët e deputetëve dhe të administratës së Parlamentit shqiptar i festojnë festat në sallën e Kuvendit. Nuk ka asgjë të keqe në vetvete, fëmijë janë edhe ata, por për faktin e thjeshtë se në çastet që po kalojmë, me një krizë të rëndë ekonomike, do të kishte qenë me kuptimplote sikur në sallën e Parlamentit të kishin festuar fëmijë të tjerë. Nuk do të kishte qenë gabim sikur të ishin ftuar fëmijët e një shkolle çfarëdo të kryeqytetit, ose të vendit, pa përmendur nisma simbolikisht më të rëndësishme si p.sh. ftesa për fëmijët e jetimores, fëmijët e policive që dhanë jetën në luftën kundër krimit, fëmijët e ngujuar, etj.

Natyrisht, kritika të tilla mund të hidhen poshtë si tendencioze, moraliste, me erë barazitizmi; tek e fundit fëmijët janë të barabartë kudo, janë fëmijë me ëndrra e dëshira të moshës së tyre, pavarësisht nga prejardhja. Dakord, por takimi nuk bëhet thjesht për fëmijët, por edhe për vlerën simbolike e përfaqësuese të nismës, gjithsesi publike, përndryshe mediat shqiptare dhe zyra e shtypit të Parlamentit nuk kishin pse ta jepnin si lajm. Nisma do të kishte qenë më efikase sikur të ishin ftuar disa klasa fëmijësh nga veriu e jugu, ose të shtresave të varfra, ku të nënvizohej karakteristika e parlamentit si institucion, si shtëpia e të gjithë shqiptarëve pa asnjë dallim dhe vullneti i tij për t’i përqafuar shqiptarët pavarësisht nga prejardhja sociale. Me fëmijët e deputetëve dhe të punonjësve të administratës mund të bëhej një festë tjetër e rezervuar, pse jo në Rogner, ose në Sheraton, qoftë në sallën e seancës plenare, meqë nuk mund të mohohet se ata janë të privilegjuar në krahasim me moshatarët e vet, prindërit e të cilëve nuk i përkasin asnjë kaste e ndoshta janë të papunë.

Pra kritika e mësipërme edhe mund të hiqet mënjanë, por fakti që fëmijët e deputetëve u ulën në karriget e prindërve të tyre, kërkon mide të fortë. E këtu nuk është fjala për mënyrën naive se si e dha këtë lajm TVSH-ja, as mënyrën se si e paraqet faqja e Parlamentit shqiptar: “Fëmijët u ulën në karriget e prindërve të tyre, kërcyen e kënduan këngët më të dashura për ta. Prindërit e tyre ishin më të emocionuar se fëmijët që këndonin e kërcenin në ritmin e muzikës”. Fëmijët e deputetëve që ulen në karriget e prindërve? Si ta kuptojmë vlerën e këtij mesazhi publik?

Le ta themi hapur se lajmi i mësipërm lë shije të hidhur. Jo për fëmijët e deputetëve, që kanë të drejtë të gëzojnë njëlloj si të tjerët, por për mesazhin që qëndron pas kësaj nisme, që realizohet në një vend ku nepotizmi e pabarazitë përbëjnë dy nga problemet më të mprehta të shoqërisë së sotme shqiptare. Për ta kuptuar rëndësinë përfytyroni sikur kjo gjë të ndodhte në një nga parlamentet e vendeve moderne perëndimore. Fëmijët e deputetëve që i festojnë festat në karriget e prindërve të tyre! Nuk dua t’i imagjinoj polemikat e mundshme, akuzat për kulturën e trashëgimisë së privilegjeve, kastën e paprekshme të politikanëve, edukatën e gabuar ndaj fëmijëve, shkëputjen nga hallet e vendit, cinizmin e pushtetit, autoreferencialitetin, e kështu me radhë.

Kjo do të thotë se politika shqiptare ka nevojë për urime më shumë se të tjerët. E jo vetëm për festat.

Nuk ka komente

  1. Po te vinin femijet e familjeve te varfera, do thuhet per kritike se kemi nje klishe, hajdutet e parlamentit qe sa per sy e faqe marrin femije te familjeve te varfera ( se femije te pasur e te varfer, sikur s’ka kuptim si dallim, meqe femijet s’kane kapacitet te vene pasuri).

    Por, edhe kesaj radhe, ia pranoj vleren klishese per shkak te mesazhit, per te cilin njerezit kane me shume nevoje, si me thene qe per njerezit mesazhi eshte me i rendesishem sesa njohuria qe pas klisheve fshihet hipokrizia.

    Mesazhi i femijeve te parlamentare eshte shume shkurajues, e thote qarte, qe ketu kemi oligarki , e cila s’ka fare nevoje te fshihet pas klisheve me natyre demokratike e populiste.

    Pra, oligarkia eshte aq e fuqishme, saqe del sheshit dhe s’ja ben syri terr ndaj reagimit te masave.

    Ulja simbolike ne karriget e prinderve, nuk eshte aspak nje gje e pafajshme dhe spontane per dite feste, eshte nje konfirmim publik i trashegimise politike.
    Vete mesazhi qe u vjen femijeve, te cilet rendom kane si heronj prinderit e tyre dhe duan te bejne si ata, eshte qe kjo karrige ku ulet prindi, nje dite do te jete karrigia ku do ulesh ti.

    Pafajsia e femijes fillon e gerryhet nga ambicia per te qene si prindi, sidomos kur femija kupton privilegjet qe mund te ruaje duke shpresuar te jete si prindi dhe te ulet tek ajo karrige.

    Megjithate, shoqeria shqiptare s’ka per ta vene ujet ne zjarr e t’i jape ketij skandali emrin qe ka.
    Kemi te bejme me nje shoqeri qe e ka pranuar oligarkine si fundi i historise.
    Prandaj per mua shumica e shqiptareve, nqs s’do e injoroje si lajm, se do u duket shume normale per te qene lajm, do thone hajt mo se mire bene, feste ishte, familjet duhet ta festojne bashke.
    Madje do shohin me dyshim zerat kunder dhe do ia mveshin kritiken zilise.
    S’kam shpresa se mund te jem i gabuar, sado qe shpresa vdes e fundit.

  2. Do te kene qene femijet e deputeteve me te rinj ne moshe, pasi ata me te moshuar i kane derguar femijet neper ambasada. P.sh. Rajmonda Bulku e ka derguar vajzen ne Greqi, Jozefina Topalli dhenderrin ne France, Jemin Gjana vajzen ne Kosove, etj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin