Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Arsim / Gjuhësi / Sociologji

FLASIM E S’MERREMI VESH

Lexoj te Shekulli se, sipas një sondazhi të kryer nga Departamenti i Gjuhësisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të UT, studentët që marrin diplomën e shkollës së lartë nuk zotërojnë as normat elementare të shqipes.

Këtë ne të tjerët e dinim prej kohësh, por është gjithsesi mirë që të thuhet tani edhe në nivel institucional.

Me këtë rast, edhe dekani i atij Fakulteti, Shezai Rrokaj, njoftoi se po përgatitet futja e lëndës së “Kulturës së Gjuhës” në vitin e parë të studimeve të të gjitha fakulteteve të UT.

Nisma është për t’u përshëndetur. Gjuha shqipe, e studiuar në nivel universitar, do t’i ndihmojë të diplomuarit e ardhshëm që ta shprehin më qartë mendimin e tyre dhe, ipso facto, të mendojnë më mirë.

Natyrisht, brezi i ri nuk e shkruan dhe as e flet mirë shqipen jo aq ngaqë e ka studiuar keq në shkollë, por për shkak të përhapjes fatale të një kulture (unë do ta quaja të një psikoze) për t’i shpërfillur rregullat e bashkëjetesës sociale, mes të cilave hyjnë edhe ato të drejtshkrimit dhe të gramatikës së shqipes standarde.

Në disa shtresa dhe qarqe të caktuara, me fare pak kërkesa për jetën, kjo shpërfillje e rregullave, qofshin këto edhe krejt arbitrare, konsiderohet në mos si shprehje e lirisë, së paku si një e drejtë ose titullim.

Dhe nëse është kështu, kursi “me zgjedhje” që propozohet nuk ka shumë shanse për të korrigjuar gjë; nëse nuk shoqërohet me një zotim të përgjithshëm social, që ka të bëjë me dëshirën e qytetarëve për të jetuar së bashku, në një shtet.

Norma gjuhësore është shprehje e këtij vullneti sovran, por edhe katalizator i tij; përftohet prej tij por edhe e mban të gjallë.

Vetëm pak muaj më parë, kur ligjërimi publik lëngonte njëlloj si tani, burrat e mençëm të shqipes, anembanë Ballkanit Perëndimor, u mblodhën jo për të vënë alarmin se si po shkruhet e po flitet në publik gjuha e kombit, as për të imponuar autoritetin dhe udhëheqësinë aq të nevojshme në këtë periudhë kulturore kaotike dhe të turbullt, po për të rrahur me kompetencë të hollë çështjet e ë-së së patheksuar.

Në momentin kur shtëpinë e kish përfshirë zjarri, këto mendje të shquara të kombit u ulën të diskutojnë për të ndërruar tubacionet e ujit!

Që shqipja po shkelet me këmbë, për këtë nuk e ka fajin vetëm shkolla; por të paktën shkolla le të bëjë të vetën.

Njerëzit që, me vetëdije, i shkelin dhe i prishin rregullat e gjuhës të paktën duhet të jenë në gjendje ta pikasin se ç’rregulla po prishin e po shkelin.

Ndërkohë, duhet të bëjmë shumë më tepër, për të nxitur dhe përhapur idenë se, të flasësh e të shkruash në publik një shqipe të rregullt, në pajtim me normën ekzistuese, është si të vishesh mirë, për të shkuar në një dasmë, funeral, ose ngjarje tjetër formale.

Në raste të tilla, edhe fukaraja e nxjerr një kostum të mirë nga dollapi, për ta paraqitur veten me dinjitet në sy të së tjerëve.

Përkundrazi, spektakli i atyre që, të veshur me brekë legjendare ose me kostume tradicionale si subjektet e fotografive të Marubit, janë vënë ta shkelin me këmbë kontratën gjuhësore mes shqiptarëve, në shenjë proteste ndaj komunizmit, ose pushtetit gjuhësor të toskërishtes, ose vetë konceptit të standardit; ky spektakël, pra, e ka vendin ditën e Karnavaleve të albanologjisë.

Kur lexoja intervistën e Shezai Rrokajt, më shkoi mendja se, nëse vazhdojmë kështu edhe dy-tre vjet, problemi më i madh i kulturës gjuhësore në Shqipëri nuk do të jetë më niveli i ulët i kompetencës gjuhësore të ligjëruesve publikë, por fakti – edhe më i trishtuar – se nuk do të ketë më njerëz të kualifikuar aq sa të mund t’ua mësojnë, studentëve, shqipen si gjuhë e një vendi të qytetëruar.

Atëherë do t’ia mbërrijë edhe momenti, që i druhemi të gjithë, kur jo vetëm shqipen do ta flasim e do ta shkruajmë për faqe të zezë, por edhe gabimet dhe shkeljet e panumërta nuk do t’i pikasim dot më.

Historia tregon se zhvillime të tilla në gjuhët ndodhin, zakonisht, në rrethanat e streseve të mëdha sociale dhe kur nuk ekziston një model solid i normës së shkruar, që të orientojë përdoruesit; në periudha përmbysjesh, ose dyndjeje të fiseve barbare, ose të shkatërrimit të qyteteve.

Pikërisht.

Pa Komente

  1. Megjithe kontestimet qe i behen standardit, shumica derrmuese e intelektualeve shqiptare, ne te gjithe hapesiren mbareshqiptare, jane pro tij.

    Ata qe shkruajne ne shenje proteste ndaj komunizmit, toskerishtes etj nuk besoj se perbejne ndonje problem serioz per gjuhen letrare.
    Edhe vete kontestimet e ndryshme nga intelektuale veriore, sidomos shkodrane, nuk bejne problem, nuk kane peshe. Ne fakt asgje prej ketyre nuk ka peshe, kur flitet vetem Shqiperine si republike.
    Qofsha gabuar , por kam pershtypjen ,se problemi merr peshen e vet kur futen ne valle shqiptaret e Kosoves . Megjithese elita intelektuale e Kosoves eshte e patundur ne qendrimin e saj pro standardit, realiteti i gjuhes se folur dhe asaj te shkruar atje eshte paksa ndryshe. Ketu nuk e kam fjalen vetem per popullsine ne pergjithesi , por ne radhe te pare, per shtresat e arsimuara , per studente,pedagoge, gazetare, poete e shkrimtare.
    E kjo vecanti e gjuhes shqipe ne Kosove nuk ka te beje vetem me leksikun, theksin , por shkon me thelle.

    Une jam shume kurioz te di se si do te veje kjo pune , sepse nuk eshte aq e thjeshte sa duket.

    1. Oskeola, në fakt, unë s’i shoh si rrezikues të standardit ata që shkruajnë, në baza individuale, një gegërishte letrare të rregullt, sipas traditës së shkodranishtes, elbasanishtes ose kosovarishtes letrare.

      Përkundrazi, rrezikun unë e shoh te nëpërkëmbja e standardit, në emër të “lirisë gjuhësore.”

      Në Kosovë ka disa që e shkruajnë kosovarishten me vetëdije; ka edhe të tjerë, që shpjegojnë se kosovari nuk mund ta përvetësojë deri në fund standardin.

      Për mua të dytët janë rrezik – jo se janë të ligj dhe armiq, por sepse marrin për të mirëqenë inferioritetin, ose duan të legalizojnë çka nuk është veçse një mangësi e përkohshme, produkt i rrethanave historike.

      Një gjë është të refuzosh të shkruash në standard dhe të përdorësh alternativën; një gjë tjetër të thuash se standard nuk ka më, se standardi u rrëzua së bashku me regjimin totalitar, etj.

      Përndryshe, shqipja e Kosovës, me sa kuptoj unë, do të ruajë ngjyrën e vet; siç e ruan frëngjishtja e Québec-ut ngjyrën, në krahasim me atë të Francës.

      Kjo ngjyrë nuk duhet të paragjykojë strukturën drejtshkrimore dhe gramatikore të standardit; sepse pastaj diversiteti na shndërrohet në partikularizëm.

      Është në të mirën e kulturës sonë kombëtare, që shqiptarët të përdorin të njëjtin standard gjuhësor, kudo që janë.

      Ky standard nuk është, dhe as ka pse të mbetet i pandryshuar; madje duhet të ndryshojë, me kalimin e kohës. Por sot gjendja e shqipes publike është aq kritike, sa është absurditet të flasësh për ndryshim të standardit.

      Është si t’i thuash një personi që ka thyer këmbën, që ta mbajë kurrizin drejt kur ecën.

      Gjithsesi, përftimi i një “kosovarishteje standard”, si gjuha zyrtare e shtetit të ri të Kosovës, do të ishte katastrofë për kulturën kombëtare, e tillë që të na çonte 100 vjet mbrapa.

      Për fat të mirë ose të keq (varet nga këndvështrimi), shumë kosovarë nuk e mbështetin separatizmin gjuhësor dhe, çfarë është edhe më e rëndësishme, kësaj kosovarishteje hipotetike i mungon pothuajse krejt tradita letrare: shkrimtarët dhe veprat e mëdha (shkrimtarët kosovarë i kanë më të shumtën e veprave të tyre në standard!).

      Nuk mund të krijohet një shqipe e dytë standard e bazuar vetëm në gazetarinë televizive, kafenetë, rapper-ët dhe videoklipet në YouTube!

  2. “Atëherë do t’ia mbërrijë edhe momenti, që i druhemi të gjithë, kur jo vetëm shqipen do ta flasim e do ta shkruajmë për faqe të zezë, por edhe gabimet dhe shkeljet e panumërta nuk do t’i pikasim dot më.”

    Paskam qënë më optimist! Unë mendoja se shqipja nuk do lëvrohej më, nëse nuk do shfaqte forcë mendimi të tillë që t’ia vlente të lexonte dikush shqip.

    Mund të shndërrohej psh në gjuhë publicitare, lajmërimesh gjithfarësh dhe informacioni banal. Po jo, paska dhe më keq…

  3. Xha Xhai, ne komentin e mesiperm, ju pemendni fjalen inferioritet.
    Inferioriteti ne nje rast te tille eshte i shpejgueshem, natyrisht,por nga ana tjeter, eshte edhe nje tregues i impaktit social te standardit.

    Ky impakt eshte i ndjeshem , duke filluar nga shkollimi e deri tek punesimi(punesimi ne baze partiake eshte dicka tjeter).Eshte krijuar pershtypja , dhe me te drejte deri diku, se nje njeri qe nuk e zoteron standardin ka boshlleqe ne formimin e tij, bile shkohet deri atje sa vihet ne dyshim edhe vete intelekti i tij! Dikush mund te thote se kjo eshte absurde , qesharake etj; e tille eshte , por , gjithsesi , nje absurditet qe ndikon ne jeten e perditshme te shume njerezve.

    Permendet shpesh , ne debate te tilla, interesi kombetar.Shume bukur.Po neqoftese zhvillimet ne terren, te cilat , sic dihet nuk varen nga dashuria jone per atdheun, marrin drejtime drejtime qe mund te bien ndesh me kete “interes”, atehere si i behet?!

    “Kosovarishtja standard” nuk ka te beje fare me debatin real per standardin.
    Ajo ka lidhje me teori te tilla , si krijimi i kombit kosovar, i identitetit kosovar etj etj.Kjo eshte nje ceshtje tjeter.
    E sic thote, me lezet, Kadareja nese ata duan ta bejne nje gje te tille, eshte pune e tyre.

  4. I pari qe e u perpoq ti vinte fre kesaj pune ka qene Tanush Shaska ne Universitetin e Vlores.
    Madje i futi me detyrim si lende, shkrimin akademik dhe kalkulus, ngaqe niveli i studenteve qe per fillore. Megjithate dihet si shkoi puna e Shaskes, e detyruan te ikte mbrapsht ne ShB te Ave se Ministri me deputetet e zones i dine me mire keto pune.
    Si i thone shkodranet ketij muhabeti? Merre me leng se mishi mbaroi.
    Ketu demi eshte bere dhe shume i madh, nje dem ne sistemin arsimor qe ne vitet ne vazhdim do i ndihen pasojat, jane rreth dy breza injorantesh qe jane injektuar ne shoqeri. Impakti sociologjik po vjen qe tani, brezat e fundit te profesionisteve jane drejt pensionit, truri ka marre dhene neper bote dhe ja kane lene ne dore vendin matrapazve. Shembull tipik ishte ky Isidor Koti nje 29 vjecar shkrimtar, pedagog, gazetar, shoqeri civile e plot dekorata te tjera qe kish privatizu universitetin dhe ja sillnin te dhjetat me zarf.
    Shif e shkruaj!

  5. Mund te kete disa variante zhvillimi. I pari eshte qe kosovaret te vijojne traditen e ruajtjes se komunikimit te mire me Jugun qe ka ardhur si pasoje e nje rivaliteti relativ me geget katolike te qarkut te Shkodres. Kjo reflekton edhe zgjidhje gjuhesore. Ne kete kuptim Kosova mund te mbeshtetet te standardi ekzistues duke i meshuar fort idese se per legjitimitetin e tij ajo ka nje kontribut te thelbesor. Pozicioni i Kosoves nuk i lejon asaj gegocentrizem, edhe pse per shkak te numrit te popullsise ajo graviton mbi disa zona te shqiptareve ne rajon.
    Nje variant eshte qasja sipas se ciles rrenimi i shqipes publike lidhet me nje standard te cunget, qe nuk i pergjigjet dimensioneve kombetare te shprehjes dhe pra qe cenon lirine. Nga kjo pikepamje degradimi dhe lenia pas dore e normes mundet fare mire te kete potencialin e nje strategjie qe ne nje moment te dhene te beje te logjikshem arsyetimin sipas te cilit “tanime nevojitet nje kongres i ri dhe nje norme teresisht ndryshe”. Kjo do te percaktonte nje thyerje ne rrenje te kohezionit nacional qe eshte parakusht i politikave gjuhesore unifikuese. Argumenti se kosovarishtja pamundeson shprehjen ne standard eshte po aq problematik sa edhe nje rishikim i standardit ne sens te gegifikimit te tij do te ndikonte negativisht ne adrese te toskeve. Varianti ne fjale eshte me interesanti ne kuptimin se ai deshmon nivelin kulturor ku jemi; ne rast se raporti kulturor mes dy grupeve do te ishte ne favor te gegeve, nje shthurje e toskofilise, apo nje cedim ne drejtim te disa elementeve do te ngjante proces me i lehte, ndonese ketu lind nevoja per t’u sqaruar pikat e takimit historik mes dy dialekteve dhe ndikimet reciproke. Minimalisht refuzuesit e cdo rishikimi do te dukeshin ektremiste. Fakt eshte se realiteti na paraqitet ndryshe. Raporti qe ka sot toskerishtja dhe zona e Jugut me gegnishten dhe Veriun i ngjan atij relacioni problematik qe dikur mund te hasej mes zonave te bregdetit dhe brendesise. Kjo nderlikohet shume edhe per arsye se tradita letrare gege eshte me e hershme se ajo toske, duke dhene keshtu nje argument me shume per diferencimin kulturor historik mes dy grupeve qe sot eshte te pakten ne dukje i permbysur. (Megjithese tradita gege eshte me e hershme ne shkrimin e shqipes, kjo nuk verteton vetiu epersi ne zhvillimin e zones se Veriut). Kur flitet per raportin kulturor mes dy grupeve ka nevoje per te ndaluar pak; keshtu eshte e vertete se nga nje pikeveshtrim standard kultura shqiptare ne teresi eshte ne krize te plote dhe se as qe mund te flitet realisht per nje te tille. Por proceset sociale vijojne panderprere, madje vrullshem dhe ato gjithsesi nje gjedhe kulturore e kane rrenjosur, pavaresisht mjerimit te saj. Ndryshimet muzikore, masivizimi i shijeve turbofolk me nje orientalizim te thekshem dhe gati brutal ne vijat melodike te kengeve qe jane kthyer ne hite dhe himne erotike te nje brezi perbejne ne thelb nje realitet kulturor te Shqiperise, ne mos nje kulture te vertete. Dhe ketu duhet theksuar; kjo eshte ceshtje zgjedhjeje. Dashuria me shikim te pare me slangun e bordurave, parrulla te te cilit depertojne deri edhe ne ligjerimin publik dhe mjedisin televiziv, ciflosja e pariparueshme e tradites se dasmave, mbulimi pra i pasurise etnologjike me kete re te ahengut suburban, perben predominimin kulturor, shijen e shqiptareve te sotshem, te cileve nuk mund t’ua mohosh ekzistencen. Kush pra prodhon me shume ne kete drejtim? Kush e ka protagonizmin ne kete rreke asgjesuese qe mund te kuptohet si konvertim ne baze i ndikimeve gjithfareshe ne kuader te te cileve padyshim duhet te mos harrohet Feja? Dhe rikthimi i saj.
    Pa folur me ze te larte, pa pershkruar kete rrugetim te shoqerise shqiptare, e cila konfronton sot mentalitetin e migruesit me ate te emigrantit, nuk ka shanse mendoj te une te arrihet ne nje pike te perbashket. Dikush mund te thote se politikat gjuhesore jane per natyre elitariste dhe ky pershkrim ngjan si nihilizues ndaj vlerave intelektuale te zones Gege. Nuk besoj se eshte keshtu. Ne disa shkrime te vetat, xha xhai (meqe eshte person publik dhe eshte reference per keto ceshtje) shprehet se totalitariste ishte vetem menyra sesi u kerkua te imponohej standardi i 1972-it. Per mua ky pohim permban kontradiksion, pasi cdo politike e centralizuar ne thelbin e vet e perjashton demokracine ne zbatim. Sot refluksi ndaj standardit eshte anti-totalitarist permes zedhenies se disa intelektualeve dhe jo permes mases se qytetareve. Keta te fundit thjesht kane veshtiresi ne te shprehur. Per pasoje ketu kemi te bejme me politika te mire menduara. Ajo cfare eshte e dukshme eshte fakti se rezerva demografike qe mbetet jashte qendrave kulturore shqiptare eshte shume e madhe dhe kjo kryesisht per shkak te qenderzimit te botes shqiptare ne Tirane. Vdekja e qyteteve eshte vdekje e institucioneve shpirterore te kombit dhe e rrugeve te natyrshme te zhvillimit te tij. Ndaj deri sa te ristabilizohet hierarkia sociale, kete kenge do degjojme. Do degjojme standardin e Ciljetes. Mesojme per Naimin dhe sillemi si Haxhi Qamili.

  6. ….(Megjithese tradita gege eshte me e hershme ne shkrimin e shqipes, kjo nuk verteton vetiu epersi ne zhvillimin e zones se Veriut). …

    Veriut i mungon prej kohesh, tashme prej 100 vjetesh, nukleusi i molekules se vet.

    Eliminimi, artificial do thene, i rolit kozmopolit te kultures se Shkodres, e cila kishte regjistra te mjaftueshme per tu marre vesh me te gjitha fete madhore te Shqiperise, apo rrymat e ndryshme kulturore qe vinin drejt saj sa nga zona te ndryshme te vendit po ashtu edhe prej etni te ndryshme, beri qe veriu te humbase piken e orjentimit te saj. Eshte si ajo anija qe nuk ka as busull e as sekstan.

    Kjo lloj pasurie kulturale e Shkodres, shoqerohesh me nje nivel korrespondues te zhvillimit ekonomik, dhe se bashku perbenin nje pike referimi per te gjithe veriun, perfshi ketu edhe Kosoven.

    Shkodra nuk u perfshi asnjeher nga asnje vale emigrimi.

    1. Megjithe trashegimine eshte pikerisht Shkodra qe udheheq gati shpirterisht betejen ndaj standardit. Mund te jemi perballe nje problemi “te brendshem” apo ndaj nje perpjekjeje te vetedijshme per restaurimin e partikularizmit shkodran kete eshte heret ta themi. Por fakt eshte se rajoni katolik kontestoi fort cdo perpjekje per centralizim nga Tirana dhe kjo perpara se ne pushtet te vinin komunistet. Ndaj them se eshte politike e miremenduar.Shkodra nuk eshte perfshire nga emigrimi, por nga migrimi besoj se eshte prekur gjithsesi.

      1. Më duket se kjo ka të bëjë më shumë me partikularizmin e katolikëve shqiptarë. E kam thënë edhe gjetiu, nga të gjitha komunitetet sot në shoqërinë shqiptare, katolikët janë – paradoksalisht – trashëgimtarët më besnikë të një fryme kulturore karakteristike më tepër për Shqipërinë si pjesë e Perandorisë Osmane; edhe ngaqë duan të ruajnë privilegjet e një raporti ekskluziv me Perëndimin. Katolikët e Shkodrës kurrë nuk kanë pretenduar që format e tyre kulturore t’ua imponojnë të tjerëve, dhe aq më pak toskëve ose mbarë shqiptarëve; por vetëm kanë dashur dhe kanë luftuar për të shkëlqyer kulturorisht, si komunitet më vete, në mënyrë që ta udhëheqin shqiptarinë, në vetvete dhe në raportet me Europën. Ky model bie ndesh me modelin standardizues dhe centralizues, historikisht të mbështetur dhe të energjizuar jo vetëm nga toskët që prej Rilindjes e këtej, por edhe nga – bie fjala – gegët e Shqipërisë së mesme (Elbasani).

        1. Ndoshta nuk jam shprehur qarte, por kam thene se katoliket jane udheheqes shpirterore te betejes kunder standardit te 1972 dhe jo planifikues te imponimit te kultures apo dialektit te tyre. Por edhe si i tille, ai eshte dicka me shume se partikularizem; per shkak te ndikimit dhe influences, por edhe lidhjes me Vatikanin mund te rezultoje edhe subversiv. Megjithese nuk eshte teme qe eshte per ketu, gjithsesi duhet thene se paradoksi vijon po te mbahet parasysh se puna e Komisies Letrare te Shkodres eshte dicka me shume se thjesht nje shprehje partikularizmi dhe se ajo ndryshon teresisht nga sjellja e metejme-gjithsesi legjitime- e katolikeve ne raport me politikat unifikuese.

  7. Nuk eshte pune teknike, jo po gjuha, jo po standardi, jo po Shkodra, jo po Permeti. Jo mor burre se kane ndodhur ndryshime antropologjike mosmarrveshese te teatrit absurd surrealist abstraksionist futjakotist globalist.

    Pastaj ju gjuhetaret e profesionit akoma nuk e keni shume te qarte se çfare eshte gjuha e ku e ka hallin kryesor. Nuku mbahet bre ajo e uruar me vendime shtetrore, institucione, tankse, korracata, etj. Eshte bere pak a shume si pune e dashnise neper telenovela brasiliane, kur do do, kur s’do s’do, s’ke çi ben, aq me teper kur nuk ke as aeropllane e as luftanije.

    1. Kasandra, po ngatërron gjuhën si gjuhë, me standardin, që është formë artificiale e gjuhës.

      Standardi kërkon energji dhe mjete për t’u mbajtur, nuk mbahet dot vetvetiu. Për shembull, kërkon dëshirën e shqiptarëve për të jetuar së bashku dhe për ta pranuar njëri-tjetrin, si qytetarë të së njëjtit shtet.

      Sa për gjuhën vetë, atë e kanë në dorë konsumatorët e telenovelave braziliane, sikurse e vure re vetë zotrote.

    2. E dashur kasandra,

      kontributi yt në këtë diskutim duhet kuptuar gjë më tepër si një reflektim artistik në stilin “arte povera” apo ndoshta “dadaist”?

      Shpresoj shumë të kesh ndërhyrë në këtë frymë ngaqë fjalinë tënde të mëposhtme unë e gjej të përkryer.

      “Jo mor burre se kane ndodhur ndryshime antropologjike mosmarrveshese te teatrit absurd surrealist abstraksionist futjakotist globalist.”

    1. Po tregoje pra, mos na lër të presim. Deri tani s’ke thënë asgjë, përveçse ke skualifikuar argumentet e të tjerëve – por me figuracion, jo me arsye.

      1. Do nje argument, me te madhin e me kryesorin? Gluha, FJALA pra, ka me se nje shekull qe eshte keqperdorur edhe me qellim biles, sidomos me dukurine media. Edhe kumtin te paret e dhane dy gazetare gjeniale: Mark Tuen dhe Egdar Poe, qe tani shejtani ka bere strofull ne media. Elita kulturore ka shkuar me tej, FJALEN e ka edhe perdhunuar, dhunuar, sakatosur, perdredhur e sperdredhur deri sa gjithçka, shteti, kombi, shoqeria, feja, kultura, gjithçka, eshte bere telenovele dhe filmnoir e policor. Kjo vlen per sistemet totalitare, e aq me teper per sistemet liberale, qe nuk kane lene gje pa vene ne dyshim: shtet, komb, shoqeri, fe, kulture, etj, duke argumentuar me arsye te kulluar ne mbrojtje te te pakten dy Weltanschauung-e tradicionale (se tani na jane bere shume, pothuaj nje per çdo person).
        Tani hiç kot sa per t’u zbavit me te tjera figuracione pa argument, se me pelqeu shume shprehja jote:

        “Në momentin kur shtëpinë e kish përfshirë zjarri, këto mendje të shquara të kombit u ulën të diskutojnë për të ndërruar tubacionet e ujit!”,

        e cila me kujtoi folkun: “A kane uje ato burime?”, dhe qe hem duam uje per te lare kostumin e frakun e qytetarise, e hem e kemi mohuar Burimin. Vallaj ne edhe ujet e Lanes e kemi teper.

        1. Yti është argument i llojit teknologjik – dhe progresit teknologjik mund t’i përgjigjemi vetëm duke u përpjekur të kuptojmë, me aq sa mundemi, se çfarë pasojash ka kjo apo ajo teknologji.

          Besoj se këtu biem dakord. Unë kam shkruar një libër të tërë për këtë gjë (Shqipja Totalitare), prandaj them se e ia kam kruar pak koren temës.

          Mirëpo teknologjinë nuk e ndalim dot; vetëm mund t’i përgjigjemi, p.sh. mediave me letërsi. Tani, do të më thuash se post-modernizmi bëri që letërsia t’i marrë urdhrat nga mediat dhe nuk të kundërshtoj. Vetëm se zgjidhje tjetër, veç letërsisë, unë nuk përfytyroj dot.

          Nga ana tjetër, ka media dhe media. Në Perëndim, një nga kanalet e pasurimit të ligjërimit publik janë reklamat, për shkak të përdorimit krijues që i bëhet gjuhës aty. Reklamat ia kanë zënë vendin ligjërimit në tempull – bindje nëpërmjet estetikës.

          Kështu edhe nga e keqja del e mira; nga plehu mbin trëndafili. E vetmja gjë që pengon është mëria, ose dëshira për ta shndërruar gjuhën (ose më mirë idiolektin) në shtizë.

          1. Nuk kuptoj mire se si eshte puna qe argument im te duket teknologjik. Por edhe ne qofte keshtu ka nje pikpamje qe e kundeshton teknologjine, qe eshte pikpamja ekologjike, e qe kundeshtaret e standardit (edhe ne kohen e krijimit, Cabej) ishin ekologe, bile radikale, jo si ekologet e sotem te moderuar qe kerkojne te kalerojne mbi teknologjine per te kontrolluar proçeset ne zhvillim. Ti ke shpresa tek letersia, une jo sepse letersia eshte bere kult i barbarise ekologjike si liri ekstreme e merise dhe jo e dashurise estreme si liri estreme, misioni dhe funksioni origjinal i FJALES. Deri edhe aritmetika platoniste, qe e quan numrin thelbin te krijimit, ka nevoje per fjalen per te krijuar aksiomat dhe per te vulgarizuar te verteten shkencore, e cila eshte e thjeshte dhe per te gjithe (jo per eliten). Pra fjala eshte Alfa dhe Omega.
            Une ndoshta nuk kam kuptuar asgje nga komenti yt, por me duket se ate qe desha te them e ke thene ti me mire e me shkurt:
            “E vetmja gjë që pengon është mëria, ose dëshira për ta shndërruar gjuhën (ose më mirë idiolektin) në shtizë”.
            Ketu me rri, ne çdo veper kulturore duhen pare motivacionet, pak rendesi ka te vetedijshme apo te pavetedijshme. Nga çfare eshte e modes dhe zyrtare mua me duket se mbizoteron motivacioni i merise, instikti i vdekjes, “vdeksh ishalla”, “vdeksha un per ty” etj, dmth kryesisht plehu dhe pak lule te mjera, pak te vena re ose me keq te para si bime helmatisese. Keq puna xhaxha, keq, mediat nuk kane lene gje pa perbaltur, helbete edhe gazetaret duhet te mbajne me buke kalamajte. Me duket se edhe me ty e kane bere. Ben mire qe ke zemer te gjere, por duhet me qene edhe i ndergjegjshem se letersia, teknologjia, reklama e ku ta di une se çfare gje tjeter e ketij lloji nuk do na shpetoje nga hallet.

            1. Po lexoja sot një libër pa lidhje me temën tonë, dhe ndesha në një mendim të autorit që më vuri edhe mua të mendoj: duke folur për raportet e kishës (kishave) me publikun sot në Britaninë e Madhe, ky thoshte se kisha, pasi e humb pushtetin e vet ndaj grigjës, nuk mund ta rikthejë më. Njëlloj si gjallesa, që po e vranë ose po vdiq, nuk ringjallet më. Natyrisht, argumenti nxit edhe për reflektuar rreth gjendjes së feve dhe të besimit ndër shqiptarët e Shqipërisë (ish-vendi i vetëm ateist në botë), por këtu më intereson ngaqë vlen edhe për radikalizma të tjerë socialë – si standardizimi i përshpejtuar, në vitet 1960-1970; i cili ishte pjesë e një operacioni kulturor nga lart poshtë dhe rrafshues, që bëri kërdinë në diversitet. Prej një regjimi totalitar hiper-modernizues nuk mund të pritej delikatesë në fushë të kulturës, e cila me përkufizim e parakupton traditën… dhe aq më pak ndaj kulturave që lidheshin me ideologji të kundërta dhe armike me ideologjinë staliniste, si ajo katolikja. Çështja tani është nëse mund të zhbëhet ndonjë gjë nga të atëhershmet; dhe këtu unë jam skeptik. A mund t’i kthehet, bie fjala, Shkodrës dhe komunitetit katolik roli që kishte arritur në vitet 1930? Si zor. Falë inercisë së atij roli, edhe në vitet 1960-1970 i gjeje katolikët gjerësisht të përfaqësuar në elitat kulturore dhe artistike të Shqipërisë, me gjithë stigmën politike dhe sociale. Mirëpo kjo nuk ngre më peshë, meqë, sikurse e thonë në prospektet e llogarive në fondet e investimeve, “past performance does not predict future returns,” pra, monedha e lavdisë së djeshme nuk pi më ujë në treg, por u vlen vetëm koleksioneve numismatike. Prandaj edhe vështrimi duhet kthyer – s’ka rrugë tjetër – nga e ardhmja: çfarë mund të bëjmë, për të parandaluar shthurjen e sistemit? A mund të bëjmë gjë? Një kongres i ri gjuhësor do të kërkonte një vullnet të ri për standardizim dhe jo vetëm të gjuhës, që unë s’e shoh gjëkundi. Po ashtu, nuk ka shenja vendimtare të ndonjë rigjallërimi të kulturës reflekse në shkodranishte (dhe në kosovarishte), të tillë që të përligjë rivështrimin radikal të supremacisë kulturore të Tiranës. Që standardi themelohet mbi toskërishten ka shumë më pak rëndësi në momentin e tanishëm, sipas meje, sesa vetë ekzistenca e tij, ose e një forme pak a shumë të sanksionuar, të kodifikuar; e cila nuk ka alternativë, veç kaosit. Vërtet, po flitet më shumë gegërishte veriore në rrugë, por kjo thjesht tregon se gegërishtja po fiton terren si gjuhë e rrugës (ose e ligjërimit bisedor dhe e ligjërimit të thjeshtë). Unë jam rritur në një komunitet gjuhësor (të Tiranës kryeqytet) ku gegërishtja e rrugës ishte e pashmangshme për arsye të integrimit social – por kjo nuk ndikonte fare në shëndetin e standardit, i cili i përkiste nivelit publik, ose qytetar. Nga ana tjetër, duke parë si po i qasen rregullit, ligjit, disiplinës dhe kodeve të tanishmit, ose masat që kanë dyndur të përditshmen post-komuniste, unë kam frikë se, edhe sikur të vendosej gegërishtja e Fishtës si shqipe standarde, prapë këto masa për faqe të zezë do ta përvetësonin dhe përdornin; meqë në momentin e tanishëm në rrezik është sidomos qytetaria, dhe në krizë nuk ka hyrë aq toskërishtja brenda standardit, sa vetë standardi, si kriter dhe prerogativë e një shoqërie qytetare dhe një shteti që e ruan kontrollin ndaj territorit dhe gjeografisë. Kush e shkruan mirë standardin sot (le ta quajmë edhe toskërishten e shndërruar në standard) do të shkruante mirë edhe standardin e nesërm (hipotetik), të mbështetur në gegërishten. Dallimi është midis atyre që e kuptojnë nevojën e disiplinimit ose të kodifikimit dhe atyre që kërkojnë kaos (anything goes), sepse kaosi u shërben si medium. Dhe ky është problemi, besoj unë; jo gjeografia dhe aq më pak paskajorja.

            2. Ja ta zeme se ky eshte problemi, por po qe eshte i lidhur me gjeografine dhe paskajoren. Ndoshta gabohem por me duket se diskutimet per standartin (jo vetem ne kete blog) konkretisht ata qe kerkojne kaos (te keqijte) korespondojne ne pergjithsi te jene nga veriu (gege) dhe paskajorja eshte pune gegnishteje. Dhe ta do llogjika te jete keshtu perderisa standarti bazohet mbi toskerishten dhe eshte krijuar ne nje kontest historik kur pushtetin politik e kishin ne dore tosket me ne krye Gjirokastritin, qe morren hakun e kohes kur udhehiqte Matjani nepermjet gegnishtes. Eshte e pamundur te besh hasha qe standardi (jo vetem tosku) eshte pune mllefi. Pavarsisht se si paraqitet dhe justifikohet, ne thelb ka mllefin lap-malok. Fatkeqsisht aq me teper standardi tosk, i urdheruar nga njerez qe e kishin fituar pushtetin nga nje eksperience lufte, pra dhune, pra mllefi shumefish: kunder okupatorit, klasor, kunder pasanikut, bejlerit, kunder veriorit, kanunit, katolikut e kunder reve ne qiell. Me sa di une nje gje e tille nuk ka bere vaki tjeterkundi.
              I vetmi akt jo-mllefi, bile dashnije, eshte pranimi i standardit nga kosovaret, edhe ky ne nje kontest vuajtje te pafund, e per te shpetuar i’u duhej te sakrifikonin per shtetin ame. Kjo nuk heq vleren e aktit te tyre, bile mendoj se ky akt sakrifice legjitimon emocionalisht standartin qe te jete akoma ne kembe.
              Fakti qe nuk mblidhen gjuhetaret per te revizionuar standardin aktual ose edhe per te krijuar nje te ri gege (fantastandard), mund te jete nje komplot i atyre qe kerkojne kaosin, une nuk jam i zoti ta verifikoj nje gje te tille, dhe as me pelqen te futem ne pune te tilla, thjesht s’kam talent per pune te tilla. Po edhe ne qoftese keta persona nuk ekzistojne ose munden perfundimisht nga te disiplinuarit, mendoj se keta te fundit nje vere ne uje do te bejne. Standardi eshte krijuar ne nje kontestin e totalitarizimit qe ka aftesine me hir e me pahir te mobilizoje masat dhe elitat per vepra nga me te ndryshmet. Ne kontestin e postotalitarizimit masat dhe elitat o jane te ngordhura o jane anarkike (gje qe eshte e njejta gje). Keshtu problemi mbetet pa zgjidhje he per he. Shkurt muhabeti: tani qe nuk ekziston frika nga policia, nje e treta e popullsise i ka bere naften atdheut duke shkuar ne vende ku nocioni i kombit eshte i zbehur (per te mos thene i vdekur), ne emer te çfare gjeje elita gege duhet te braktise mllefin shekullor e te sakrifikoje intimitetin e gjuhes se nanes? Te gjendet nje here motivimi pastaj gjerat behen, falen gjaqet, sakrifikojne atdhetaret, mobilizohen elitat. Prit i here se s’ka ardhe akoma Godoja ndersa K. u zgjua nje mengjez, jo si kendez po si buburrec, nderkohe i fusim i birre duke prek shalet e ndonjeres. Ky treg kete mall ka, se marr vesh çfar kerkoni.

            3. “Ky treg kete mall ka, se marr vesh çfar kerkoni”. Po mire meqe flasim me parimin e tregut, pse kur dikush nenvizon arsyet e veta, deklaron shijet e veta ne publik, mllefin dhe merine, kufizimin dhe percmimin ai me vrap etiketohet antishqiptar, gegofob, apo toskofob, anti-katolik dhe radikal islamik? Po pse ceshtje tregu eshte kjo? Pse kur une ta zeme, them se nuk funksionon Shqiperia del ndonje rrip dhe me ben patriotin dhe kur flasim per standardin, deshmi e paket e nje hapi qyterimor,me vrap u referohemi kritereve te tregut? Pse valle standardi eshte sakrifice e gegeve ne emer te kombit? Po pse xhanem edhe ne kete sens na u diskutoka se edhe gjuha e normuar permes viktimizimit te gegeve serish ne finale eshte kontribut nacional i ketyre te fundit ne kembim te intimitetit te “gjuhes se nanes”? Pse qenka mllef shekullor ky kur puna per njesimin e gjuhes nisi permes dialogut ne Manastir e me tutje per te ardhur deri te norma? Pse ende duhet te diskutohet se duhet frika nga policia qe te kuptojme se ne vizat e bardha kalon kalimtari? Sa kohe na ha kurrizi hu mbaraz ulim veshet dhe syte. Sa iken polici, ja nisim kenges per Diktaturen e toskeve. Sa dalin tosket dhe shohin punen e tyre, dalin ca qe i akuzojne per te shitur. Sa del dikush qe mbron standardin kundervepron pasardhesi i Skenderbeut me paskajoren. Une mendoj se standardi eshte hallka e fundit qe mban ne kembe kete mut kombi. Do ishte mire te ruhej; ndaj tij te afroheshin me kujdes dhe respekt, se ajo qe sot duket dhe perflitet si rudiment i diktatures se toskeve eshte mundesia e vetme per te bashkejetuar me njeri-tjetrin pa humbur intimitetin e “gjuhes se nanes”.Dhe duke shtjelluar lirine tone lokale. Kuptohet duke shtuar ketu nevojen e nje rishikimi te marredhenies administrative. Perndryshe secili ne pune te vet se eshte dikush ketu qe na kujtoi njehere ate kengen: Selanik e perpjete, sic ka qenur do te jete. I sugjeroj te zevendesoje Selanikun me Elbasanin, se keshtu i jep me shume vertetesi kenges.

            4. Kjo është e vërtetë… nuk është se jemi budallenj të na ngelet pa kuptuar kjo lloj sjellje në dukje “indiferente”. Indiferencën më mirë se pa u marrë fare me këtë çështje nuk e shpall dot kush. Pa marrë pjesë fare në debat, e shpall mirë e bukur se je indiferent. Edhe hipokrizisë së indiferencës për dukje, më mirë se një geg nuk ia ka nxjerrë kush bojën. Migjen i thoshin ktij.

              Mbase duhet bërë ndonjë pakt me të Naltmin, që çdo tosk pas vdekje të rimishërohet si geg, dhe anasjelltas, për ta marrë vesh se standardi që flasim nuk është “intimitet i gjuhës së nanës”. Tirezias, orakullit të famshëm dhe të lashtë të Delfit, iu desh të shndërrohej në grua për të na pohuar pas rikonvertimit se ato e shijojnë më shumë seksin.

              Edhe diçka, është i thjeshtëzuar ai lloj naracioni më parë matjani e mandej gjirokastriti, po kur u nisëm të gjithë për rrugë në 90′, nuk u nisëm me këto premisa. Ma ke borxh sinqeritetin, së paku tani, i dashur geg.

              Teknologjia zbulon, është e vërtetë, jo vetëm trupin por edhe mendjen.

            5. Theollogos dhe J. keni bere shume gabime ne vlersimet tuaja, une nuk po flas per tregun e lire (shprehja pop “ky treg kete mall ka” i referohet tregut postotalitar), nuk jam geg, nuk jam kunder standardit, nuk jam fare indiferent (me pasoje qe s’ka pse te jeni budallej). Gabim me i madh eshte qe une po diskutoj me Xhaxhain, dhe ju futeni ne pilaf kot, pa kuptuar gje se ku e hedh fjalen. Do te desha nje pergjigje te Xhaxhait, me shprese te pakten se me ka kuptuar ku e kam hallin, pavarsisht se nuk ka mendimin tim per kete pune, dhe per te tjera, me madhore, por prej te cilave pason kjo pune qe po bisedojme.

  8. Edhe ne Kosove,Universiteti Publik i Prishtines,qysh nga vitit i kaluar e ka futur lenden e gjuhes shqipe si lende te detyrueshme per vitin e pare akademik per te gjitha fakultetet e ketij universiteti.Po ashtu ekziston edhe Shoqata e Gjuhes Shqipe,drejtuar nga prof.Isa Bajçinca dhe prof.Shefkije Islamaj.Kjo shoqate organizon gara ne nivel shkolle,bashkish,por edhe ne nivel gjithkombetar,per te pare se sa te rinjte shqiptare kane pervetesuar standardin gjuhesor.Shpesh vendet e para ne keto gara i kane zene kosovaret.
    Se standardi nuk perdoret nga masa e gjere,ketu do shikuar faktore te tjere qe ndikojne ne kete çeshtje.Problemet ekomomike,papaunesia e madhe,lufta e Kosoves,nje sistem arsimor ende i dobet,etj.
    Kesaj i kontribuon edhe mbyllja e Tiranes,qe te mos diskutohet asgje ne standardin e gjuhes,sidomos per paskajoren,e cila mendoj se eshte burimi,por edhe zgjidhja e problemit…
    Nese Prishtina me 1972,per arsye politike (uniteti kombetar),pati perqafuar standardin aktual,tani eshte koha qe Tirana ta pranoje paskajoren gege per te njejtat arsye.

  9. Standarti i sotem nuk ka lindur as si gjuhe e administrates, as si gjuhe e letersise, prandaj nuk e gjen dot motivin e mbijeteses as tek shteti e as tek letersia.

    Eshte dashur nje standart per kombin, por ky ka te perzier brenda edhe motivin e mbijeteses se pushtetit komunist.

    Ne Kosove e mbajne fort, te pakten ne parim, si standart i kombit, ndersa tek katoliket ky status nuk i njihet.

    Mua me duket se thirrja e qytetarise nuk vlen fare, sepse problemi nuk lidhet me deshiren apo jo per te jetuar ne nje shtet, por me deshiren per te kontrolluar politikisht e kulturorisht shtetin e perbashket.

    Ne fund te fundit, deshira per te jetuar ne nje shtet s’ka pike rendesie, se shteti mbahet tek ideologjia, jo tek deshira spontane e qytetareve dhe referendumet e perditshme. Ideologjia drejton edhe deshirat ‘spontane’ e referendumet e perditshme.

    Standarti shkruhet keq nga studentet se ne tetevjeçare kane pasur mesues te dale nga Elbasani apo Vlora, pa harruar qe asnje nxenes i mire s’shkon me ne gjuhesi, histori etj, se zgjedhin, mjekesi, juridik, ekonomik, inxhinjeri ndertimi e juridik. Pra edhe ne Tirane, mesuesit e ardhshem kane dale e vazhdojne te dalin nga nxenes mesatare ose te dobet.

    Ka nje dobesi te gjithanshme te sistemit arsimor, qe eshte edhe shkaku i ketij problemi, nga edhe si zgjidhje eshte gjetur rifutja e lendes ne vitin e pare, shume logjike.

    Dobesia e sistemit arsimor, lidhet me arsye te ndryshme, po te vazhdohet me zinxhirin shkak-pasoje, do thuhet se shkaku eshte tregu, i cili i çon nxenesit e mire ne dege te tjera, apo qofte edhe pse ndikon ne braktisjen e letersise. Pastaj, do vazhdohej me shitblerjen e provimeve ne universitet, se 4 vjet per gjuhesi, edhe hu fare te jesh standartin duhet ta dominosh, pastaj pas kalimeve do shkonim tek politika.

    Tek politika do vazhdonim me shkak pasoje, per te perfunduar besoj, tek shkaku zanafillor, qe eshte humbja e prestigjit te standartit si gjuha e kombit, ose si thuhej deri dje e deri diku vazhdon te thuhet edhe sot, ‘shqipja’. Te mos dije mire standart nuk dije shqip, rrjedhimisht paraqiteshe si shqiptar i gjymtuar ne shqiptarine tende.
    Tani, kjo eshte zbehur krejt, mbivendosja nuk ekziston me. Ne njefare menyre padija e dallimit mes standartit dhe shqipes, i garantonte standartit prestigj te mjaftueshem, sidomos ne syte e gegeve, sikunder e kane sot ne Kosove (ne parim). Tani standarti nuk eshte me gjuha e kombit por e toskeve dhe keshtu i hapet varri prestigjit te tij.

    Per tosket, mjafton qe shkruajne toskerisht, qe te pandehin se po shkruajne ne standart. Ne fakt, shumica e shkruajne standartin tmerresisht keq.

    1. Po mire more zoteri i nderuar kur thua qe “Te mos dije mire standart nuk dije shqip, rrjedhimisht paraqiteshe si shqiptar i gjymtuar ne shqiptarine tende” a nuk pohon ne fakt se te njohurit e standardit lidhej me nje norme edukimi dhe qytetarie? Se pastaj ti ngaterrohesh me kembet e tua dhe thua se “Ne njefare menyre padija e dallimit mes standartit dhe shqipes, i garantonte standartit prestigj te mjaftueshem, sidomos ne syte e gegeve, sikunder e kane sot ne Kosove (ne parim). Tani standarti nuk eshte me gjuha e kombit por e toskeve dhe keshtu i hapet varri prestigjit te tij”, duke pohuar dy te kunderta ne nje fjali. Edhe ate qe standardi ishte nje norme mbidialektore e shqipes se folur dhe te shkruar, por edhe ate se tash kjo reduktohet ne nje dialekt te shqipes, ate tosk. Dhe ne fund i ve kapak absurdit te arsyetimit tend kur thua se edhe tosket e shkruajne tmerresisht keq standardin. Po a eshte toskerisht ky tani a ca? Pse as toskerisht nuk dine keta? Apo eshte dicka me shume standardi se nje dialekt i tyre?

      1. Në fakt, edhe unë nuk e mora vesh fare Hyllinin – se ka shumë kundërti në ato që thotë.

        Standardi është gjithnjë diçka artificiale, arbitrare, e krijuar në tavolinë; diçka që nuk i vjen askujt natyrshëm, por që duhet përvetësuar në shkollë.

        Pikërisht shkolla, dhe në veçanti shkolla publike, duke edukuar qytetarët e shtetit shqiptar, i pajis këta edhe me standardin.

        Askush nuk lind natyrshëm në standard, sikurse askush nuk lind natyrshëm qytetar i Republikës Shqiptare.

        Tani, fakti që standardi duhet mësuar në shkollë, e bën këtë edhe një shenjë dalluese, njëlloj si të ishte stemë ose gradë ushtarake ose “badge” për dikë që është formuar tashmë si qytetar.

        Kjo s’ka të bëjë me kombin, Hyllin. Ti mund të jesh shqiptar sa të duash, por standardi të duhet për të qenë qytetar shqiptar me të drejta të plota. Ideja se standardi të bën shqiptar ka krijuar boll probleme të kota. Standardi të bën qytetar, jo shqiptar. Shqiptar të bën nëna dhe gjuha e nënës.

        Për shembull, për të komunikuar me shkrim me një institucion publik, të duhet standardi.

        Sa kohë që do të ketë shtet shqiptar funksional, zotërimi i mirë i standardit do të shërbejë si kriter meritokratik – ose shenjë se zotëruesi i ka kartat në rregull për shërbim publik.

        Sikurse do të shërbejë si kriter se zotëruesi ka shkuar në shkolla të mira, e ka disiplinuar veten, dhe ka ditur të ndërveprojë me mjedisin përtej hundës së vet.

        Nga çfarë sheh e dëgjon poshtë e lart, dhe me mënyrën si po trajtohet standardi në publik, nuk mund të mos mendosh se shteti shqiptar është duke u shpërbërë. Jo shteti komunist, as shteti post-komunist, por shteti si i tillë.

        Për këtë nuk kemi ndonjë precedent historik, as dimë me siguri se ç’efekte do të sjellë; por unë nuk besoj se do të vijë ndonjë gjë e mirë, veç skllavërimit të atyre që nuk do të arrijnë t’i shesin shtëpitë sakaq (ose të ndërrojnë lëkurën).

  10. Nuk e kuptoj pse jeni ngaterruar qe te dy.
    Une po pohoj qe standarti deri para pak vjetesh pranohej si e vetmja forme e shqipes, nuk po them qe ashtu eshte. Standart dhe shqip ishte e njejta gje, dialekti barazohej me shqipe te gjymtuar, krejt e papranueshme. Ende sot mund te shihet neper forume nje mendesi e ketille.

    Ty theollogos s’te marr vesh fare, flasim e s’merremi vesh.
    Une po pahnxjerr nje paradoks mes toskeve e gegeve, nuk po pohoj nje paradoks.
    Qellon shpesh qe nje tosk, i cili e shkruan tmerresisht keq standartin, i thote nje gegu te shkruaje ne standart, i cili nga ana e vet ia kthen se standarti eshte toskerisht.

    Xha xha, se çfare eshte standarti me duket muhabet tjeter, une po verej (mund ta kem fare mire gabim), qe standarti eshte perceptuar per shume kohe si etalon jo vetem i shqipes, por edhe i shqiptarise.

    Ky standart nuk ka lindur si gjuhe administrative, sepse shteti ka lindur 60 vjet para tij dhe ia ka dale per bukuri te plotesoje nevojat e veta me format paraprirese.
    Nese ti thua se ky standart duhet si gjuhe e shtetit, nuk ia mbush mendjen te paanshmit, pasi çfaredo standarti tjeter te propozohet, ai serisht do t’ia plotesoje shtetit nevojat, nuk eshte se doli ne skene ky standart dhe me ne fund shteti shpetoi prej krizes se gjuhes administrative.

    Shteti mund te beje gjuhe zyrtare anglishten dhe te funksionoje, si e ben Luksemburgu, qe ne vend qe gjermanishtes, e cila eshte gjuha amtare e luksemburgasve, perdor si gjuhe zyrtare frengjishten.

    Ajo qe lidhet me rregullat e disiplinen, çka ne fakt perben dallimin me esencial mes barbares dhe qytetares, pra me shqipen e shkruar si gjuhe qytetare e jo mish-mash dialektor, nuk e ka te domosdoshme standartin ne kete forme. Mund te jete fare mire me baze gegerishten dhe te kemi nje shqipe te shkruar qytetare, mjaft te respektohen rregullat dhe te disiplinohet shkruesi.

    Prandaj them, qe sapo te shkalafitet e shkermoqet perfundimisht bindja se standarti i tanishem eshte e vetmja forme e gjuhes se kombit, atehere ky standart s’do te kete asnje mbrojtje super partes, do behet çeshtje politike mes gegeve e toskeve. Kete gje e vendos Kosova, nese e heq kete standart, ne Shqiperi kercet sherri dialektor e çfare sherri…

    1. E para nuk ka tosk qe t’i thote nje gegu, shkruaj standard. Kjo nuk ka sesi te qelloje shpesh sic thua ti, pervecse ne forume ku nuk eshte se ka ndonje respekt per mendimin ne teresi e lere me per standardin. Ato qe ke thene ti, jane aty, nuk ka nevoje qe te besh tere kete nderhyrje kot. Shiko cfare thua ti ne kete nderhyrje te dyte te iluminuar:
      Ajo qe lidhet me rregullat e disiplinen, çka ne fakt perben dallimin me esencial mes barbares dhe qytetares, pra me shqipen e shkruar si gjuhe qytetare e jo mish-mash dialektor, nuk e ka te domosdoshme standartin ne kete forme. Mund te jete fare mire me baze gegerishten dhe te kemi nje shqipe te shkruar qytetare, mjaft te respektohen rregullat dhe te disiplinohet shkruesi.
      Po edhe une them se norma potenciale me baze gegnishten nuk eshte domodoshmeri, apo premisa per te kodifikuar shqipen e shkruar dhe vendosur rregullin ne ligjerim. Shume mire eshte keshtu sic eshte. Leri keto se jane te vockla fare, jane llogari si ato te tuat, llogari mejhanesh. Dhe nuk ka nje bindje se ky standard eshte e vetmja forme e gjuhes se kombit, por eshte ura per unitetin shpirteror te tij. Nje nder to. Ti mund te besh sikur nuk kupton, sepse per rolin e budallait nuk te duhet shume pune. Dhe nese standardi i neserm do te luhet si debat mes toskeve dhe gegeve dhe jo pune gjuhetaresh atehere nuk ka per te patur standard te ri. Ca si ty bejne shumicen sot, te kam thene kandido.

  11. O xhaxha, a ka vend te thuhet “mareveshje bilaterale” ndermjet tre vendeve? Sepse Saliu dhe pas Saliut “Gazeta Shqiptare” jane shprehur se “Sot ne vendosim të miratojmë në parim marrëveshjen bilaterale të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë”.
    Me duket mua se kemi te bejme me njerez qe numerojne 1,2… shume, apo gabohem?

    1. Unë nuk them dot gjë tani, se ma bëjnë si për snajper-in 🙂 Derisa e thotë populli, kush je ti që ta kundërshtosh?

  12. Plotesisht dakort me xhaxhain. Shqipja standarde mund te kete shume probleme, por para se te diskutojme per rregullat, duhet t’i njohim e te dime t’i zbatojme ato. Per fat te keq, shume kundershtare te zjarrte te standardit, mes tyre edhe “intelektuale”, i kundervihen atij thjesht sepse nuk njohin rregullat dhe nuk duan t’i mesojne. Une kam njohur vetem tre intelektuale te mirefillte qe kerkojne rishikimin e standardit duke qene njohes te mire te tij. Keta jane Rexhep Ismajli, Besim Bokshi dhe Bahri Beci. Per masen e gjere te shqiptareve anti-standard, kundershtimi eshte thjesht nje menyre per te fshehur padijen.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin