DHËMBËT E QENIT

Shqipërinë këto muaj e ka përfshirë një valë krimi si kurrë ndonjëherë tjetër. Krimet, rregullisht për motive të dobëta dhe shpesh brenda familjes, gjejnë jehonë të gjerë në TV dhe në shtyp, duke krijuar një atmosferë paranoje; qytetarët shpesh e kanë të vështirë të pajtojnë, brenda një botëvështrimi koherent, eksperiencën e së përditshmes rutinë me informacionin që u vjen nga kronika e zezë.

Krahas me këtë shtim të pashembullt të krimit, gjallërohen edhe diskutimet për shkaqet si të krimeve vetë, ashtu edhe të kësaj rritjeje të papritur. Sillet në vështrim varfëria, çrrënjosja, konfliktet për pronat, kanuni.

Të gjithë priremi që krimin t’ia atribuojmë Tjetrit; prandaj diskutimet në lidhje me krimin gjithnjë ngjyrohen nga ideja që kemi për Tjetrin. Sipas rastit dhe statusit të atij që shpjegon, krimet i kryejnë malokët, të ardhurit, romët, shpellarët, katundarët, myslimanët; në përgjithësi, të gjithë ata që nuk përshtaten dot me kohën, që kanë mbetur mbrapa ose anash zhvillimeve sociale.

Më pak dëgjon të thuhet se krimi është nënprodukt pikërisht i këtyre zhvillimeve.

Natyrisht, qëndrimi politikisht korrekt, në debate të tilla, është që të përjashtosh çdo lloj ndikimi të prejardhjes, traditës ose sfondit social të autorit të krimit – duke lënë jashtë pikërisht ata faktorë të cilët mund të shërbenin për të ndriçuar shkaqet e ngjarjeve kaq të papranueshme për normën qytetare.

Bëhet një vrasje për Kanun – a duhet të diskutojmë, në këtë rast për kanunin? Vriten dy vëllezër për një vijë uji – a duhet të prekim, në debatet tona, çështjen e pronës dhe të kthimit të pronave? Nëse krimet i kryejnë më shumë imigrantët e ardhur rishtas në qytete, a duhet të reflektojmë për marrëdhëniet midis etikës, komunitetit dhe traditës? Kur burrat vrasin gratë e tyre ose të dashurat, ose kur ndodhin vrasje makabre dhe lëndime të rënda brenda familjes, a ka vend të flasim për krizë të modelit tradicional të familjes ndër shqiptarët?

Me një fjalë, a ka më rëndësi, në këto rrethana, të flasim hapur për plagët sociale aq të mahisura, që po i mundojnë njerëzit, apo të ruajmë korrektesën politike dhe të kujdesemi mos fyejmë kënd?

Nëse trysninë e papërballueshme informative për krimin nuk e shoqërojmë, në mediat, me analiza, refleksione dhe hipoteza për të shpjeguar çfarë po ndodh, atëherë këto media bëhen pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.

Ka një diçka të keqe këtu, një incubus që e ka kapur shoqërinë shqiptare për fyti, diçka që nuk shpjegohet dot vetëm me impulsivitetin vrastar të psikopatit; dhe që lidhet sa me pamundësinë e komuniteteve për t’u vetorganizuar në normalitet, aq edhe me krizën e etikës, në kontekstin e shthurjes së hierarkive brenda familjes.

Mass mediat i ofrojnë madje imponojnë, ndërkohë, modele vlerash dhe rolesh nga më shokueset një publiku të mësuar të mbijetojë vetëm nëpërmjet konformimit.

Nga ana tjetër, njerëzit nuk kanë më frikë – as nga autoriteti, as nga shteti, as nga prindi; dhe kur mungon frika, mangësitë etike dalin në plan të parë (por ruajtësit e rendit kanë frikë nga kriminelët).

Në rrethana të tilla, asnjëherë nuk mungojnë edhe thirrjet për rikthim të dënimit me vdekje; si një zgjidhje të thjeshtë për t’iu përgjigjur krimit me krim, dhunës me dhunë, vrasjes me vrasje; dhe që janë, në thelb, dorëzim para hipotezës – së trishtuar – se “këta njerëz vetëm frika i bën zap.”

Dënimi me vdekje kushedi mund të frenojë disi krimet e paramenduara, si ato për “gjakmarrje”; por vështirë se do të luajë ndonjë rol për të ulur krimin tjetër: atë që kryhet në gjaknxehtësi e sipër, ose brenda familjes.

Megjithatë, edhe thirrja për rikthim të dënimit me vdekje është një përpjekje, në thelb, për parandalim të krimit; që të paktën sjell në qendër të vëmendjes nevojën për të bërë diçka – jo në reagim ndaj këtij apo atij krimi, por në rrafshin ligjor, ose në ndërfaqen e shtetit me qytetarin.

Mediat, sikurse dihet, përcjellin në faqe të parë kryesisht krimet “grafike”, ose ato që vijnë me narrativë të gatshme dhe prekin emocionet më primordiale të publikut; edhe pse tash kemi nevojë që dikush të merret seriozisht me krimet e tjera, ato që lidhen me sistemin liberist që ka hedhur rrënjë në shoqërinë shqiptare, dhe që i ka vënë të gjithë qytetarët në një garë të trishtuar për pasurim material me çdo kusht.

Brecht-i ka pasë thënë, diku, se “çfarë është grabitja e një banke, në krahasim me themelimin e një banke?”; dhe nga kjo batutë ndoshta duhet të nisemi, për të gjetur gjurmët e atyre krimeve madhore, strukturore, të cilat kanë përftuar anominë e tanishme: piramidat dje financiare sot të ndërtimit, papunësinë masive, mungesën e kujdesit për moshën e tretë dhe të formave të amortizimit social, kolapsin e sistemit shëndetësor publik, prishjen e shkollës dhe të shkollimit, humbjen e dëshirës për dije, degradimin e universiteteve në supermarkete diplomash, joshjen e masave të imigrantëve drejt qyteteve (piramida e ndërtimeve) jo drejt industrive që nuk ekzistojnë, shpërbërjen e familjeve dhe të hierarkive familjare për shkak të emigrimit jashtë, torturën e përjetimit të përditshëm të varfërisë në rrethanat e konsumit të spikatur, shthurjen e komuniteteve, qoftë edhe atyre fisnore dhe familjare të zgjeruara; dhe shndërrimin e tyre, ose më mirë përçudnimin e tyre në organizata të krimit.

Në mungesë të shoqërisë civile, kapitalizmit të pakompensuar i mbeten vetëm dhëmbët e qenit.

Edhe pse askush nuk mund të kuantifikojë raportin probabilist midis shkatërrimit të një parku qytetës dhe një vrasjeje që ndodh pastaj në atë zonë, të gjithë e dimë se një qytet me parqe, kinema, fusha sportive, qendra kulturore, galeri, biblioteka, teatro dhe tempuj gjithfarësh i ka më të lumtur dhe më të qetë qytetarët e vet sesa një shkretëtirë urbane ish-fjetoresh për skllevërit mëditës të djeshëm, ose një ish-garnizon i kthyer në treg të improvizuar, ku gjithsekush kërkon të shesë.

Shto këtu edhe faktin e njohur, por pak të vënë në pah, se në më të shumtën e rasteve autorët e krimeve dhe viktimat e tyre i përkasin së njëjtës nënklasë, hanë në një çanak, thithin të njëjtin ajër të ndotur nga dëshpërimi.

Nga ana tjetër, edhe pse shteti shqiptar mbetet masivisht i pranishëm në jetën e qytetarëve, madje ende duke i anashkaluar (bypassing) të gjithë filtrat dhe buffer-ët e shoqërisë civile, nuk gjen sot qytetar në Shqipëri që ta shohë shtetin si burim të etikës; përkundrazi, ky institucion këqyret tashmë si kryekusari më i suksesshëm; i kapur nga mafiet e ndryshme duke përfshirë këtu edhe partitë politike, të cilat grinden mes tyre për të plaçkitur, shitur e rishitur gjithçka që ka mbetur për t’u plaçkitur, shitur e rishitur, duke filluar nga pasuritë publike, të cilat të gjithëve u dhembin më pak.

Shteti, familja, feja – këtyre institucioneve bazë pakkush u beson më, pakkush u druhet; dhe këtë boshllëk të lënë nga droja dhe shpresa e dikurshme, nuk e ka mbushur gjë solidariteti social, dëshira për emancipim dhe dije, ose tërheqja ndaj dritës; as veprimi sindikal, lëvizjet transversale dhe aksioni politik jashtëpartiak.

E përballur me padrejtësitë dhe krimin e organizuar të shtetit në bashkëpunim me grupet paramafioze, shoqëria shqiptare nuk arrin dot të reagojë në mënyrë të qytetëruar dhe “europiane”: ose duke u kundër-organizuar, qoftë në nivelin komunitar, qoftë në nivelin mbarëkombëtar; por veç përfton gjeste dëshpërimtare sporadike, karakteristike për një masë skllevërish dhe argatësh politikisht të pavetëdijshme, jo një kolektivitet qytetarësh që është zot i fateve të veta.

Në fakt, e vetmja formë efikase e shoqërisë civile në Shqipëri është mafia, në kuptimin e gjerë të këtij termi; si formë organizimi për të vepruar kundër ligjit.

Kjo mangësi e thellë, kritike, fatale, lidhet para së gjithash me dobësimin akut të komuniteteve të të gjitha llojeve, të përkeqësuar edhe nga efektet e imigrimit të brendshëm, që i ka shkëputur individët nga konteksti që deri dje u siguronte identifikimin etik, duke i pështjelluar krejt dhe duke bërë t’i humbin koordinatat e tyre sociale dhe morale.

E gjithë kjo trysni e së keqes, drejtpërdrejt e ushqyer nga rendi ekzistues që shpërblen maskarallëkun dhe e përqesh virtytin, manifestohet pastaj në dhunën ndaj Tjetrit – dhunë prej së cilës mediat parapëlqejnë të përcjellin vetëm fishekzjarrët, duke heshtur ndaj zjarreve që po shkrumbojnë pyllin social prej vitesh.

Është e vërtetë se të krishterët dhe myslimanët, besimtarët dhe ateistët, qytetarët dhe fshatarët, fusharakët dhe malësorët, veriorët dhe jugorët, vendësit dhe të ardhurit, të shkolluarit dhe të pashkollët reagojnë ndryshe ndaj streseve të mëdha, ndjekin kode të ndryshme të sjelljes dhe kanë koncepte të ndryshme për kriteret e përdorimit të dhunës. Megjithatë, një shtet dhe një shoqëri civile moderne, duhej së paku të kujdesej që t’i mbante të gjitha këto komunitete larg kushteve limit, duke i mbrojtur nga ato rrethana ku testohen caqet e virtytit të tyre; të atij pak virtyti që u ka mbetur.

Nuk ka komente

  1. Presidenti Nishani, u shpreh per vrasjen e policit nga shijaku “..u vra nga nje akt kriminal”…
    Kryeministri Berisha tha “… kjo vrasje eshte nje akt kriminla!!!”…
    Flamuri i ministrise “ky eshte nje akt kriminal”…
    Edhe dikush tjeter qe nuk po me kujtohet cili ishte ne morine e reagimeve te lexuara ne shtyp, kishte konstatuar gjithashtu qe kjo vrasje ishte nje “akt kriminal”.

    Tani presim tani qe ndonje shqiptar tjeter i zoti si keta te paret ne fushen e teknologjise, te shpike rroten dhe ujin e nxehte, qe te leme pas edhe gjermanine.

  2. Nje kritik letrar i njohur, rus , shprehej keshtu per shoqerine ruse te kohes: shoqeria jone i ngjan atij njeriut te shperfytyruar, qe kur shikon veten ne pasqyre, klith me te madhe… .
    Shoqeria shqiptare eshte edhe me keq akoma.Ajo i ngjan njeriut te shperfytyruar, qe edhe kur rri para pasqyres , rri si idiot, duke e pranuar me nje fatalitet te gerditshem shperfytyrimin;fatalitet qe e merr kuptimin ne shprehjen e famshme dhe mjaft popullore : keshtu jemi ne shqiptaret!

    Jemi perpara nje diferencimi te thelle shoqeror, ku varferimi i perditshem i pjeses me te madhe te shqiptareve , shoqerohet nga luksi gjithnje e ne rritje i nje grupi njerezish , qe Fatos Lubonja, me shume te drejte, i quan bande hajdutesh.
    Ky hendek social ,qe rritet e rritet papushim, eshte shkaku i vertete i rritjes se krimit.
    Mirepo, kjo shoqeri eshte kaq e semure, sa ne vend qe te shohe shkakun real te te gjitha ketyre krimeve , jepet pas lloj-lloj paragjykimesh e klishesh te stermykura.

  3. Xha-xha, ke te drejte per civilizimin-e-shoqerise tone, per fat te keq eshte shume i manget. Me pelqeu ky shkrim [te lexoj rregullisht] shume nga ne i deshperon situata ne Shqiperi, nga gjithe cfare lexojme, Krimi sic e ke thene “e ka kapur shoqerine tone per fyti”
    ————–

    Ke mundesi te na japesh nje sqarim ekstra per fjalen Numeratori [qe e ke ne blog/ greiger] se kjo e-ja [e-eshte] po ngaterron dynjane.

    Duhet Numratori/apo/ numeratori?

    Pershendetje

    PoorAlbanianBoy.

    1. Falemnderit!

      Sa për fjalën që pyet, forma korrekte është numëratori. Nuk e kuptoj pse, po ashtu e kanë pranuar.

  4. Ky postim eshte brilant….i hidhur, por i vertete.

    Pune dreqi, kenaqemi kur lexojme analiza, merzitemi nga permbajtja.

    Ajo puna e “mafias si vetmja formë efikase e shoqërisë civile në Shqipëri” ishte qamet deshperuese.

    “Me dhembje, vella, me dhembje” tha

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: