S’TË LËNË AS TË RRËZOHESH REHAT

Herë pas here në lajmet televizive, më shpesh kur redaktorët duan të ndërrojnë tonin ose të freskojnë atmosferën, dëgjon për incidente të vogla në paserelat e modës, ku modelat rrëzohen, u zbërthehen rrobat, u ikin fijet, u bien pantallonat, u thyhen takat e këpucëve.

Lajme të tilla i ndesh tashmë në të njëjtat rubrika me ato për kafshët që ushqejnë të vegjël të një specieje tjetër, rekordet Guinness të artistëve proletarë si Saimir Strati ynë dhe ndonjë gol që bëhet nga mesi i fushës ose me shkelm ridërgimi, zakonisht në kampionatin e kategorisë së dytë në Emiratet Arabe ose në Korenë e Jugut.

Pyes veten nëse ka ndonjë gjë të përbashkët mes këtyre lajmeve pa ndonjë domethënie dhe rëndësi, të cilat shërbejnë më shumë si jastëqe shplodhës për mendjet tona të stresuara nga andrallat e përditshme.

E kam fjalën, përveç rolit të tyre për të na kthyer mendërisht dhe emocionalisht në fëmini, kur qeshnim me lot sa herë që shihnim ndonjë grua, mundësisht të shëndoshë, të rrëzohej në akull.

Modelat, njëlloj si pandat e bardha dhe tigrat e Bengalit, janë shtazë të rralla; kur i sheh nga afër, të duket sikur ia kanë behur nga ndonjë planet tjetër, nga vendxhirimi i serisë Star Trek, ose nga e ardhmja; për nga format e trupit, vetëdijen e të qenit të jashtëzakonshme që e shprehin në gjeste dhe mimikë, mënyrën si çapiten dhe rrotullohen, e cila i përgjigjet një dinamike gjatoshe, prej lavjerrësi të Foucault-së, gjithsesi të ndryshme nga e jona.

Edhe pse mediat duan t’i paraqitin si të përsosura, ose kuintesencën e njeriut të bukur, ato janë disi të frikshme në përsosmërinë e tyre, si të ishin sendërgjuar ose taksur për një botë tjetër.

Edhe roli identifikues që u jepet – të përfaqësojnë një thelb ose formulë abstrakte të bukurisë, një shifër që të jetë po aq e pakapshme në realitet sa edhe idealet e Platonit – është praktikisht çnjerëzues; sikurse janë të tilla jo veshjet, por krijimet që u kërkohet të trupëzojnë për ne, vdekëtarët; duke i veshur në skenën e një teatri të formave estetike, mbase më mirë të petaleve.

Prandaj ngazëllehemi kur u ndodh diçka “e keqe” – një prishje e mekanizmit që përfton përsosje, një shkelje e skenarit, një malfunction, këputje e një rripi, ose shqitje, krisje, thyerje, e grisur, e shqepur, çarje, shkulje, rrëshqitje… të gjitha incidente që kanë të bëjnë me cenimin e rendit të sendeve, displinës, rregullit të parashikuar, planit abstrakt.

Rrëzimi, të hequrit e këpucëve për të ecur zbathur, shpalosja e një lakuriqësie aksidentale, të paskriptuar – i kthejnë këto vajza në gjirin e njerëzimit, të cilit dukej sikur nuk do t’i përkitnin më. Publiku e duartroket modelën që rrëzohet, jo vetëm për t’i dhënë zemër, por edhe ngaqë zbulon një ndjenjë të paparashikuar solidariteti, empatie, komunioni, me dikë që deri atëherë i ishte imponuar si e tjetërkundshme. Mediat, nga ana e tyre, e nuhatin dashamirësinë dhe e mjelin deri në gjak, duke mos humbur as edhe improvizimin më të vogël.

E keqja këtyre aksidenteve u vjen bash nga suksesi i tyre në publik: nëse njerëzve u pëlqen modela që heq këpucët në paserelë, ngaqë e vrasin, dhe vendos të ecë zbathur, atëherë çfarë i pengon kreativët që ta skriptojnë edhe këtë incident në planin e mbrëmjes?

Qëkur këngëtares Janet Jackson iu ekspozua gabimisht cica e djathtë, gjatë një spektakli televiziv të ndjekur nga gjysma e ShBA, ku ajo këndonte një duet me Justin Timberlake; dhe ky incident u pagëzua më pas me termin ironik wardrobe malfunction, kritikët e mediave janë prirur t’i shohin gjithnjë e më shpesh aksidente të tilla si të skriptuara, të inskenuara, të përgatitura paraprakisht. Produksionet shumëmilionëshe, si ato të spektaklit dhe të modës, kërkojnë para së gjithash kontroll; mundësisht edhe ndaj rastësisë, të mbështetur në një logjikë, sipas së cilës, nëse rastësinë nuk mund ta pengojmë, atëherë le të merremi vesh me të.

Paradat e modës janë, nga natyra, shfaqje monotone dhe të parashikueshme, sidomos për nga dinamika; po aq të mërzitshme sa edhe një lojë shahu mes dy kampionësh, për dikë që shahut nuk ia njeh rregullat. Disiplina skenike është pjesë e pranuar e kësaj monotonie, njëlloj si ritmi 3/4 për një vals vjenez. Përkundrazi, nëse një modele i thyhet taka në skenë, por ky incident është inskenuar mjeshtërisht; në kuptimin që shkelja disiplinore është, në fakt, shprehje e një disipline eprore, atëherë artifici vjen dhe i qaset artit, edhe pse nga ana e gabuar.

E gjithë kjo, nuk di pse më kujtoi tani një incident (gjithnjë kjo fjalë) në kopshtin zoologjik të Marah Landit në Gaza, me dy zebra që ua kishin fitur zemrat fëmijëve të atjeshëm. Për fat të keq, zebrat ngordhën nga uria, gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit në 2009; dhe Izraeli nuk e lejon importin e kafshëve në Gaza; prandaj drejtuesit vendosën të gjenin dy gomarica të bardha, ti punësonin aty dhe t’i lyenin me vija të zeza, duke përdorur bojë flokësh, për t’i bërë të dukeshin si zebra.

Në fakt, edhe aksidentet si ato në paserelë, me perënditë që i zë rrufa apo u merren këmbët; edhe inskenimi i rastësisë, me modelat që e dinë se kur duhet të rrëzohen dhe si, janë njëlloj njerëzore në domethënie, edhe pse të kundërta për nga etosi.

Mbeten për t’u shpjeguar golat me shkelm ridërgimi, ose të paktën për t’u përfshirë në një fenomenologji të pranueshme të futbollit, krahas Mesit, Mourinho-s dhe Josip Kuže-s; por mendja ma thotë se një shpjegim i tillë do të mbërrijë sapo të miratohet vënia e basteve për rrëzimet shalëhapura të modelave dhe llastikat e këputura të këngëtareve soul.

Nuk ka komente

  1. “Paradat e modës janë, nga natyra, shfaqje monotone dhe të parashikueshme, sidomos për nga dinamika”.

    Jane per nga natyra, por mundet te behen me ritmike nese ato te afrojne me Natyren.
    Ja p.sh http://www.femina.al/2011/06/supermodelja-shqiptare-anxhela-martini-pa-breke-ne-publik.html, ketu mund te shihet nje modele, qe bujit vrullshem ne veshet e syte e patrioteve qe ne kerkimin e saponisur te se perkryeres kane nje ndihme thelbesore dhe…gratis natyrisht. Aksident, inksenim i rastesise! Mundet kjo te inskenonte nje rrezim aty per aty? Ja, une shpresoj se keto pyetje sado naive, te me afrojne sadopak ne mos me artin, me imagjinaten e bashkekombesve e cila ka pesuar nje erozion pozitiv me kete Anzhelinen qe harron breket ne shtepi.
    PS: Mos i ka ngjyre mishi dhe luan bllofin?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin