PRIVATËSIA NË TV

Pas 11 shtatorit 2001 në SHBA, ishin të shumtë amerikanët që u deklaruan të gatshëm për të sakrifikuar pak nga “liria” e tyre, në emër të shtimit të sigurisë. Edhe pse nuk është lehtë të kuptohet se çfarë kanë parasysh njerëzit me “liri”, kam frikë se, në rastin konkret, liria nuk ishte veçse një fjalë-kod për privatësinë.

Reagimi përshëndetës, nga publiku në Shqipëri, ndaj “demaskimit” që i bëri ish-ministrit Ylli Pango programi televiziv Fiks Fare, më kujtoi të njëjtin efekt, ose të njëjtën gatishmëri për të sakrifikuar privatësinë, në emër, këtë herë, të luftës kundër abuzimit me detyrën, ose, në përgjithësi, “korrupsionit”.

Ky ngazëllim kam frikë se mbështetet mbi një paralogjizëm: meqë punët e mbrapshta bëhen zakonisht në privat, ose larg syve të publikut, atëherë le ta kufizojmë sa hapësirën private të individëve, me shpresë se kjo do të çojë në pakësim a tkurrje të punëve të mbrapshta. Për ta thënë ndryshe, sa herë zbulohet një krim ose veprimtari e paligjshme nëpërmjet shkeljes së hapësirës private, atëherë shkelja e hapësirës private e përligjka vetveten, në mos de jure së paku de facto.

Kundërshtimet e mia, këtu në blog dhe në shtyp, ndaj këtij interpretimi fëminor, janë ushqyer edhe prej ngazëllimit të momentit; sepse hapësira private rrezikohet sidomos atëherë kur shkelja e saj kurorëzohet me sukses, ose me kapjen gafil të viktimës; dhe aq më tepër kur këto shkelje i bën televizioni, i cili vetvetiu do t’i filtrojë shkeljet në mënyrë të tillë, që t’ia bëjë publikut të njohura vetëm ato të suksesshmet.

Çfarë do të ndodhte, bie fjala, sikur një gjykatës të urdhëronte programin Fiks Fare që t’ia dorëzonte gjykatës arkivin e vet?

Nuk ka dyshim që veprimtaritë kriminale dhe shkeljet e ligjit kryhen të gjitha larg syve të publikut, ose në fshehtësi. Mirëpo kjo nuk do të thotë se fshehtësia në vetvete është hapësirë e sunduar nga krimi, ose nga mendësia kriminale; përkundrazi, një supozim i tillë do të ishte në vetvete kriminal.

Një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë dhe një pjesë edhe më e madhe e elitave me dhe pa pushtet, e kanë jetuar drejtpërdrejt eksperiencën totalitare; dhe me siguri e mbajnë mend se totalitarizmi nuk ofronte kurrfarë garancie për ruajtjen e hapësirës private, përkundrazi: përgjimi, ndërhyrja dhe dhunimi i kësaj hapësire konsideroheshin si detyrë e qytetarit shembullor.

Unë kam frikë se gjurmë të kësaj mendësie totalitare, e cila e kriminalizon hapësirën private, kanë mbijetuar sot e kësaj dite; dhe gjithnjë do ta rrezikojnë lirinë e individit në Shqipëri, sa kohë që populizmi mbetet e vetmja formë efikase e lëvizjeve dhe doktrinave politike të atjeshme.

Nëse dje privatësinë e cenonin vigjilentët revolucionarë, fqinjët e partishëm, përgjuesit vullnetarë, informatorët dhe të tjera krijesa parazitare të sistemit, sot të njëjtin funksion populli mund t’ia besojë mediave, dhe veçanërisht televizionit.

Mund të pyetet se çfarë ka këtu për t’u shqetësuar kaq shumë e për ta bërë këtë shqetësim publik; aq më tepër në rrethanat e sotme në Shqipëri, kur korrupsioni, abuzimi me pushtetin dhe arroganca e klasës në pushtet përbëjnë plagë ku e ku më të dhimbshme sesa invazioni i privatësisë.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje ndoshta duhet të kemi parasysh se për çfarë na duhet privatësia pikërisht; dhe unë mendoj se na duhet për të njëjtën arsye që na duhet edhe qytetërimi; ose për një motiv të njëjtë me atë që na shtyn drejt moralit, drejtësisë dhe shërbimit publik.

Por ka edhe më – unë privatësinë e individit do ta krahasoja me pjesën e nënujshme të një ajsbergu, e cila i shërben pjesës së mbiujshme për stabilitet. Me fjalë të tjera, vetëm parimi i shenjtërisë së jetës private na siguron njeriun publik, ose qytetarin për të cilin ka aq nevojë Shqipëria, e që ndryshe nga ligjet dhe institucionet, nuk mund ta importojë dot nga Europa, as ta ndjellë nëpërmjet kulteve të shumta të kargove.

Prandaj edhe faktin që shpërfillja ndaj shenjtërisë së hapësirës private në Shqipëri po ndodh njëkohësisht me privatizimin e paskrupullt të hapësirës publike, unë do ta quaja paradoks domethënës; dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për të famshmet “privatizime”; as për gardhet e vogla dhe bizneset e mjera që kafshojnë ndonjë llokmë nga trotuari ose parku ose fusha e sportit; por edhe për forma të tjera, më të sublimuara, të privatizimit, si p.sh. megaposteri i kompanisë së telefonisë celulare që sponsorizon një festë fëmijësh, ose logoja e kësaj kompanie në tullumbacët shumëngjyrësh të festës…

Për publikun televiziv, deri edhe emisione si i shumëpërfoluri Fiks Fare ofrojnë tani atë hapësirë publike, e cila po i shpronësohet dhe mohohet gjetiu; pa çka se është fjala për, para së gjithash, një emision të një stacioni televiziv komercial privat, si Top Channel, i cili ka për qëllim, objektivisht, të fitojë pará duke dëfryer klientët e vet.  

Inkursionet guerrilase në jetët private të figurave publike nuk duan marrë si dukuri të veçuara.

Nga një anë, për çdo dhunim privatësie që përfundon në ekran, duhet të ketë një numër relativisht të madh syresh që arkivohen për arsye të ndryshme – sepse provokimet nuk japin rezultat, sepse çka zbulohet rezulton sekret shtetëror, ose ngaqë do të çonte në destabilizim po të publikohej, ose çfarëdo arsye tjetër.

Nga ana tjetër, nëpërmjet emisioneve të tilla si Kafazi, ose Big Brother, ose të tjera të ngjashme, televizioni tani po e merr në pyetje kufirin midis privates dhe publikes; nëse më parë privatja bëhej publike nëpërmjet inskenimit, ose trillimit (p.sh., drama “The Mouse-Trap” brenda tragjedisë Hamleti, për të cilën princi thotë “the play’s the thing wherein I’ll catch the conscience of the king” ); tani mjafton një kamera dhe një mikrofon për të arritur të njëjtin efekt.

Pavarësisht nga qëllimet e mirëfillta të krijuesve dhe të regjisorëve të programeve, vështirë të mohohet se televizioni sot po e stërvit publikun, hap pas hapi, me idenë se eksperienca televizive mund të shërbejë fare mirë për ta kapërcyer, pa ndëshkim, barrierën midis publikes dhe privates; ose, për ta thënë edhe më shkoqur, po edukon një publik voyeurist, i cili të mësohet ta soditë jetën e të tjerëve si të ishte spektakël.

Nga pikëpamja kulturore, kjo është njëlloj sikur spektatorëve në teatër t’u shfaqej jo pjesa teatrale, por prapaskena – aktorët duke u veshur e duke u zhveshur, momentet mahnitëse të grimit, krizat e vogla të nervave, ndonjë puthje e ndaluar, madje edhe skena drejtpërdrejt nga nevojtoret.

Në thelb, shkelja e qëllimshme e privatësisë dhe sidomos bërja publike e informacionit të mbledhur në atë mënyrë nuk janë veçse një version hipokrit i pornografisë; them i pornografisë, sepse guerrilja televizive kundër hapësirës private ka sukses kryesisht ngaqë ia ngacmon publikut klitorisin voyeurist; dhe them hipokrit, sepse ndryshe nga pornografia klasike, që nuk i maskon synimet e veta, shkelësit e privatësisë kanë gjithnjë dëshirë të hiqen si kalorës që mbrojnë interesat e shtresave të paprivilegjiuara, të viktimave të abuzimeve dhe të mashtrimeve, ose të gjithë atyre që janë lënë në baltë nga institucionet.

5 Komente

  1. ” them i pornografisë, sepse guerrilja televizive kundër hapësirës private ka sukses kryesisht ngaqë ia ngacmon publikut klitorisin voyeurist”

    “Voyeurist Klit-i-or” me masazh televiziv tashme jashte gjendjes orgazmike, mund te trajtohet si nje episod pornoje qe blihet ne treg. Jo te gjitha shijet e njerzve jane njelloj per keto episode. Disa as nuk e konsiderojne si treg.

    p.s.
    Pershtypja e krijuar nga kjo teme e Pangos eshte e komplikuar sa-si sejcili, si individ. Jam plotesisht dakort me shqetesimin Xha, edhe pse s’eshte i te vetmit variant, pasi mendoj se ato (variantet) jane te shumta nen vrundullin orgazmik klitoral voyeurist publik.

  2. ” them i pornografisë, sepse guerrilja televizive kundër hapësirës private ka sukses kryesisht ngaqë ia ngacmon publikut klitorisin voyeurist”

    me ben cudi sesi publikut voyerist i atriboni nje klitoris -domethene qe eshte femer(or) – kur spektatori eshte tradicionalisht mashkull dhe ka nje goxha phallus (jo vetem literalisht). Veshtrimi eshte mashkullor dhe femra thjesht objekti qe shikohet, sic dhe vet rasti Pango deshmoi. Ai vetem deshte ta shikonte!

    1. Në vizionin tim, fallusin e ka televizioni, jo publiku.
      Sa për dinamikën se kush sheh dhe kush shihet, në kontekstin e qarkullimit të mesazhit televiziv, për këtë mund të diskutojmë prapë.

  3. ””’Kundërshtimet e mia, këtu në blog dhe në shtyp, ndaj këtij interpretimi fëminor, janë ushqyer edhe prej ngazëllimit të momentit; sepse hapësira private rrezikohet sidomos atëherë kur shkelja e saj kurorëzohet me sukses, ose me kapjen gafil të viktimës””’

    Ky interpretimi feminor bazohet pikerisht tek eficenca, dmth kur shkelja e hapesires private rezulton e sukseshme, pasi te gjithe jane te ndergjegjshem edhe interpretuesit feminore, se hapesira private eshte e shenjte, por nese kjo shenjteri bie ndesh me gjera akoma me te shenjta, sic jane ‘ligja’ e ‘vlera’, atehere kemi nje problem esencial dhe ekzistencial.

    Eshte krejtesisht siperfaqesore te mendosh qe hapesira private te jete gjeja me e shenjte qe ekziston, pasi njeriu si qenie shoqerore shiti pjese nga hapesira private , te cilen e bleu hapesira publike, perndryshe nuk do ishte qenie shoqerore por qenie anarkike.

    Mendimi liberal duke qene ne zanafille edhe te mendimit libertin e ka te veshtire te kuptoje se ekziston nje disipline e nje hierarki vlerash, te krijuara gjate mijevjecareve , te cilat jane te domosdoshme, jo qe njeriu te gezoje ‘lirine’, por qe njeriu te nderveproje me te tjeret e te kuptohet prej te tjereve. Kjo eshte thelbesore ne shoqerine njerezore, kush do lirine te pacenuar nga nderveprimi njerezor le te shkoje ne nje ishull te pabanuar te Paqesorit e aty ka liri, privatesi e arra kokosi sa tja doje kokrra e qejfit.

    ”””’Nuk ka dyshim që veprimtaritë kriminale dhe shkeljet e ligjit kryhen të gjitha larg syve të publikut, ose në fshehtësi. Mirëpo kjo nuk do të thotë se fshehtësia në vetvete është hapësirë e sunduar nga krimi, ose nga mendësia kriminale; përkundrazi, një supozim i tillë do të ishte në vetvete kriminal.””’

    Kjo nuk do te te thote qe fshehtesia e privatesia jane hapesira te sunduara nga krimi, por se krimi gjen aty terrenin pjellor, aty lind e aty lulezon dhe pikerisht meqe aty lind e lulezon edhe rrenjet duhen gjetur aty e po lufta ndaj krimit duhet bere ne ate hapesire.
    Nese ne vend qe te luftojme krimin ne territorin e lindjes , aty ku eshte me i forte , pra ne hapesiren private, ne shkojme dhe e bejme gjithnje e me te veshtire hyrjen ne ate hapesire eshte logjike dhe biles e pakundershtueshme, qe jemi duke mbrojtur ambjentin ku ushqehet kriminaliteti.

    Fshatari kur punon aren e di fare mire se duhet te shkule barin e keq me gjithe rrenje, keshtu dhunon nje pjelle te tokes,sepse bari i keq eshte pjelle e tokes po aq sa gruri, por pikerisht nga ky dhunim, ky seleksionim arrin ti marre tokes ate qe i duhet.

    Hapesira private eshte si ara, ajo duhet dhunuar duke i shkulur barin e keq, pa pyetur aspak nese bari i keq eshte pjelle e tokes po aq sa gruri.

    Sa me shume shtojme shenjterine e hapesires private aq me shume shtojme edhe plehun apo urene qe i duhet kriminalitetit per tu rritur.
    Kete gje e kane bere perendimoret dhe i shohim fare qarte rezultatet e tyre skadente ne luften ndaj kriminalitetit.

    Do shtoja edhe se kurre ne jeten e saj bashkesia shqiptare nuk ka njohur nje kriminalitet (as te krahasueshem) si ne kohen e demokracise, biles as nen pushtimin turk.

    Njerezit sot jane te ngopur me lirine e famshme, sot duan drejtesi e siguri e keto nuk mund te garantohen pa luften ndaj kriminalitetit ne hapesiren e fshehte private.
    Njeriu i ndershem nuk ka frike as nga paragjykimi i Fiksit e as nga gjykimi i Zotit e aq me pak nga gjykimi i shoqerise, ka frike vetem nga vetegjykimi, ka frike vetem nga pyetja: A e bera mire ?.
    Jane te tjere ata qe kane frike e fshihen pas lirise e demokracise per ti shpetuar gjykimeve te ndryshme dhe se njohin fare vetegjykimin.

    Sa per televizionet, ato jane nje e keqe e domosdoshme, pa Raiuno-n ne shume zona konsensusi ndaj diktatures komuniste do ishte me i forte.

  4. Xha xha,

    vëzhgim shumë i kujdesshëm. Urime. Mua më sillej prej ditësh në kokë një pyetje dhe flmd. për platformën që hape me shkrimin e fundit.

    Situata është e tillë. Gjykata – si institucioni i vetëm për këtë qëllim – urdhëron në bazë të ligjit përgjimin në ambientet private të një personi, i cili dyshohet të jetë keqbërës. Hapësira private mbrohet me aktet më të larte ligjore, zakonisht me kushtetutë dhe interesi publik këtu renditet si rregull mbas atij privat. Përgjimi i subjektit të gjykuar nuk bie rezultatet e mjaftueshme. Për pasojë masa e përgjimit ndërpritet dhe pas një afati prej 3 – 6 muajsh gjykata është e detyruar të njoftojë subjektin, se kundër tij është zbatuar masa operative e përgjimit, se të gjitha regjistrimet janë asgjësuar dhe se organet e drejtësisë i kërkojnë falje të prekurit për ndërhyrjen në jetën private të një shtetasi. Gjykata i shpjegon më pas akoma të përgjuarit domosdoshmëria e përgjimit kishte buruar nga përpjesëtueshmëria e drejtë e masës së përgjimit me marrëdhënien e rrezikuar nga energjitë kriminale të presupozuara të të dëmtuarit. Gjithashtu gjykata i shpjegon të dëmtuarit nga masa e përgjimit se deri në momentin e urdhërimit të përgjimit ka pasur prova të mjaftueshme me karakter objektiv për të presupozuar aktivitetin kriminal të tij në të ardhmen. Më në fund gjykata e siguron të dëmtuarin nga përgjimi, që të gjitha informacionet e mbledhura rastësisht gjatë zbatimit të masës së përgjimit, të cilat prekin vetëm aspekte të jetës private të të dëmtuarit nuk janë marrë në konsideratë në asnjë moment të fazës së përgjimit dhe janë asgjësuar që në momentin e parë që janë perceptuar si të tilla. Gjykata e mbyll njoftimin e saj, që pala e dëmtuar ka të drejtë të ankohet kundër kësaj dhe asaj në këtë dhe atë instancë.

    Mua ma do mëndja se edhe Fiksi kur përgjon nuk është se del gjithnjë i fituar me atë që bën dhe – për të folur vetëm për një çast me gjuhën e Fiksit vetë – do të duhet ketë raste, p.sh. kur t’i kenë çuar Fatos Nanos ndonjë dorë me pare dhe ky nuk i ka pranuar, se ka thënë: “Aaaaa të lutem shumë, unë këto para nuk i marr se këto i takojnë popullit dhe shkoni e i derdhni në arkën e shtetit”.

    Pyetja ime është, a i njofton Fiksi këto subjekte, të cilave kanali televiziv privat ndryshe nga gjykata ua ka dhunuar që në momentin e parë të përgjimit integritetin e tyre personal për aktivitetin e tij kriminal? çfarë ndodh për shembull me të gjithë ato subjekte, të cilet pa dijeninë e tyre përgjohen sistematikisht nga Top Chanal dhe që nuk kryejnë veprime të cilat po t’i tregosh janë të pamoralshme, si për shembull kruajnë hundën, shkulin qime nga veshi, hanë thonjtë ose edhe më keq akoma e kalojnë kohen duke parë Fiksin vetë ndoshta. A ka Fiksi një arkiv të tillë me regjistrime ilegale të shtetasve të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk janë duke bërë asgjë kundër interesave publike në momentin e regjistrimit në atë masë, që ky regjistrim të përbëjë atë lloj materiali, që Fiksi u plas shqiptarëve mjeranë darkë për darkë surratit.

    Dhe pyetja tjetër do të ishte , nëse ka njerëz të ndershëm në Shqipëri, të cilët padrejtësisht janë dyshuar nga një subjekt privat i paautorizuar se paskan kryer një vepër penale dhe më pas janë përgjuar në mënyrë të kundërligjshme po prej këtij subjekti, a ka ndodhur më pas diçka, që dinjiteti i tyre i dhunuar të kompensohet në një farë mënyre? E kam fjalën jo vetëm materialisht, pasi dinjiteti i dhunuar mund të kompensohet edhe duke futur keqbërësin në burg, apo duke i konfiskuar mjetin e kryerjes së veprës penale.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin