MUSKUJT E KAPITENIT

Që natën kur u mbyt (ndoshta duhet thënë “u mbyt,” meqë aty s’kishte aq ujë sa të zhytej) anija italiane e pasagjerëve Costa Concordia, vetëm dy hapa larg bregut, më shkoi menjëherë në mendje se kjo anije e bukur, që ngecte në rërë dhe vithisej, kaq pa arsye dhe pa domethënie, më shumë sesa anije ishte një metaforë e përkryer për Italinë e sotme, që lufton të dalë nga kriza ekonomike, e shkaktuar, mes të tjerash, edhe nga një kapiten i marrë: Berlusconi.

Anijet janë gjithnjë metafora, madje që para se të jenë anije – kur vjen puna për të kapërcyer detin, kultura e shalon natyrën. Për Titanikun nuk ka mbetur më gjë për t’u thënë; aq sa një ditë brezat e qytetërimit të imazhit dhe të videos do të besojnë se përplasja e asaj nate fatale me ajsbergun do të ketë ndodhur pikë për pikë sipas skenarit të një mendjeje vizionare: James Cameron-it.

Por katastrofën e Costa Concordia-s e zbraz edhe më nga kuptimi kotësia e saj: nuk ishte ajsbergu, as përplasja me një anije tjetër në mjegull (siç i ndodhi një tjetër anijeje italiane, Andrea Doria-s), as një stuhi në mes të oqeanit, as një takim i papritur me Nautilusin ose Krakenin e legjendave: por dëshira e njerëzve të vegjël, për të bërë gjëra të vogla.

 

Çuditërisht, vetëm Italisë së sotme mund t’i ndodhë që një anije gjigante edhe t’i mbytet, edhe t’i mbetet mbi ujë: shembëllzim tipik, edhe pse mizor, i absurditetit të krizës së sotme që ia ka pllakosur ekonominë.

Sikur të mos mjaftonte ky imponim i të menduarit metaforik, ja ku më shfaqet sot në mëngjes, në faqen e La Repubblica-s online, një lajm sipas të cilit shefi italian i Protezione Civile-s, Gabrielli, paska thënë se në bord të anijes “mund të ketë pasur klandestinë,” deklaratë simbolike, sa kohë që klandestinët në Itali dhe kudo gjetiu në Europë i ndesh kudo; por më pas u sqarua se kish qenë fjala për “njerëz të hipur në anije pa u regjistruar më parë.”

Dejà-vu edhe në këtë rast: klandestinë në një anije që i afrohet brigjeve të Italisë – mendja të fluturon pas në kohë, te Vlora shqiptare, te Katri i Radës, te shkatërrinat që i aviten përditë ishullit të Lampedusa-s në Mesdhe.

Një anije luksoze me klandestinë në bord – po a ka mbetur më zhguall luksoz në Europë, që të mos ketë klandestinë në bord? A mund të përfytyrohet madje vetë Europa, pa lukuninë e “njerëzve që kanë hipur në anije, por pa u regjistruar më parë”?

Kapiteni i Costa Concordia-s, një Francesco Schettino, paskësh qenë vëllai mitologjik i një kapiteni tjetër, që e mori në qafë la nave di tutte le navi, ose Italinë vetë: Berlusconi-t. Edhe atij iu përfol shoqëria, në anije, me një vajzë – këtë herë moldave (po sa vajza paskësh pasur Moldavia, xhanëm!): një Domnica Cemortan, edhe ajo e paregjistruar në listën zyrtare të pasagjerëve, por mysafire, natën e përplasjes me ajsbergun, në sallën e komandës.

Publikun e ngacmuan imazhet e një gruaje hirplotë, që i ulet kapitenit në gjunjë, ia merr mendjen me ledhe dhe nuk e lë të drejtojë anijen në shtrëngatë. A nuk i ndodhi kështu edhe Berlusca-s vetë?

Imazhi i gruas fatale, që josh kapitenin e një anijeje të dënuar të udhëtojë drejt fundit të detit, erdhi në imagjinatën kolektive të tanishme drejt e nga kënga (magjepsëse) e Francesco de Gregorit, I muscoli del capitano, nga albumi Titanic:

Shihja muskujt kapitenit, krejt plastikë dhe metan.
Shihe në natën që afrohet, sa gjak që ka në damarë.
Kapiteni nuk ka kurrë frikë, trupin drejt te ura e komandës,
thith llullën, në këtë ag të freskët e të errët, që i ngjan një çikë jetës.
Pastaj, kapiteni, po të dojë, e ngre spirancën nga pantallonat,
dhe e hedh në mes të valëve dhe thërret fort, kur dëshiron diçka,
do të gjendet gjithnjë dikush që t’i përgjigjet.
Po kapiten, më fal, nuk doja të ta thoja,
por ka dalë në mes të detit një grua e bardhë,
aq e madhe, nën dritën e yjeve,
sa nuk u lodhka robi kurrë duke e parë…

Kjo anije bën dymijë nyje, në mes të akujve tropikalë,
dhe ka një motor një milion kuaj fuqi,
që kanë flatra në vend të patkonjve,
anija është rrufe, torpedo, fitil,
bukuri përshkënditëse, fosfor dhe fantazi,
molekula çeliku, piston, tërbim, luftë blitz dhe poezi.
Këtë natë elektrike dhe të shpejtë, në këtë kryqëzim të shekullit,
E ardhmja është një gjyle topi flakëruese dhe ne gati-gati po e arrijmë.
Dhe kapiteni i tha muços “Djalosh, unë nuk shoh gjë.
Ka vetëm pak mjegull, që lajmëron diellin.
Vazhdojmë përpara pa merak.”

Një herë si tragjedi dhe një herë si farsë, pat thënë Marksi; por kohët moderne e kanë përgënjeshtruar – nga miliona herët e farsave tragjike, do të mund të rindërtojmë, hap pas hapi, fotogram pas fotogrami, epikën fillestare, ose burimin e paarritshëm të mitit.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: