KOHË MONSTRASH

Po t’u besosh gazetave të Tiranës, që nga dita e sotme Shqipëria mund të krenohet me të paktën tre “monstra”:

  1. Shpëtim Ziza, ose monstra i Peshkopisë;
  2. R.H., ose monstra i Beratit;
  3. Ferit J., ose monstra i Gramshit, i cili dyshohet të ketë kryer marrëdhënie incestuoze me të bijën 15 vjeçare e ta ketë lënë këtë shtatzënë me një vajzë-mbesë.

Monstrën e fundit, të sapozbuluar, e nxjerrin në krye të faqes, madje me fotografi, edhe “Koha Jonë”, edhe “Shekulli”; duke e trajtuar si lajm të parë e aq të rëndësishëm, sa t’u jepet lexuesve shqiptarë të Internetit për breakfast. “Koha Jonë” shkon deri atje sa t’i marrë edhe një intervistë babait të dyfishtë, e cila nuk stepet as para intimiteteve më tronditëse.

Në një kuptim, shëtitjet në zooparkun e patologjive sociale të Shqipërisë së sotme arrijnë t’i largojnë nga kryetitujt e gazetave figurat e mërzitshme të politikanëve; çka duhet konsideruar si një hap përpara i shtypit të lirë demokratik…

Mirëpo ky protagonizëm “monstrash” meriton vëmendje, sepse është ai vetë patologji sociale, madje më shqetësues se aktet e veçuara sado të rënda që mund të kryejnë individë kriminalë, të sëmurë mendërisht ose të çoroditur.

Cilët janë monstrat e vërteta të shoqërisë shqiptare?

Vetë kjo fjalë, “monstër”, është e tëra e huazuar nga tabloidet perëndimore së bashku me teknikën përkatëse të lajmit; thuase Shqipëria nuk bëhet dot tamam Europë pa pasur edhe “monstrat” e veta kombëtare.

Personazhi sjell me vete njëlloj fatalizmi, ose pamundësie për të kuptuar natyrën e krimit; sepse bëmat e këtyre njerëzve janë përtej arsyes, madje edhe arsyes së krimit. Mediat shqiptare, duke i sjellë monstrat në faqet e para, shndërrohen në kronikane të së keqes absolute, jashtë kohës dhe hapësirës.

Megjithatë, krimet mund të jenë përtej arsyes, por kronikat jo. Gjithnjë mund të pyetet pse ky interes për shëmtimin, degradimin dhe përdhosjen e njeriut; pse ky kuriozitet për dëshpërimin e marrëzisë, për vuajtjen që pjell vuajtje, ose një jetë aq të larguar nga e përditshmja e shumicës.

Vajzën e përdhunuat ditën apo natën?

Kjo është një nga pyetjet e intervistës që Fatos Salliu, i “Koha Jonë”, i ka marrë babait incestuoz nga Poroçani i Gramshit. Qëllimi i pyetjeve të tilla nuk është të ndriçojnë natyrën e krimit, as t’u sugjerojnë publikut mënyra për t’u mbrojtur prej incestit.

Qëllimi i pyetjeve të tilla është të bëjnë pornografi.

Por edhe pornografia, si arsye, nuk mjafton për t’i përligjur monstrat në kopertinë. Ekonomistët dhe specialistët e marketing-ut të gazetave do të më shpjegojnë se shkrimet e kronikës së zezë janë nga më të klikuarat, veçanërisht kur është fjala për bëma të përbindshme, akte incesti e kanibalizmi, përdhunime grupi, vrasje brenda familjes mundësisht me sëpatë ose vare, varrosje për së gjalli, gjymtime kolektive…

Përsëri, pornografia si arsye e vetme nuk bind.

Të vijnë në mendje, në raste të tilla, përbindëshat e përrallave të qëmotit – edhe ata katilë e njeringrënës, torturues e sakatues vashash të mitura e pedofilë të regjur e seduktivë. Mendja e fëmijës ka nevojë për këtë lloj frike me çlirim të ngadalshëm e të kontrolluar, e cila funksionon si të ishte vaksinë psikologjike.

Thua të na tregojnë përralla “Koha Jonë” e “Shekulli”?

Në rrëfenjat e legjendat, përbindëshave u del përballë heroi. Për çdo bajloz të zi prej detit, ka një Gjergj Elez Alia; për çdo Minotaur një Theseus; për çdo Meduzë një Perseus; për çdo Polifem një Uliks.

Po këtyre tre përbindëshave të Shqipërisë moderne kush do t’ua bëjë dermanin? Organet e rendit? Mediat? Mjekët psikiatër me injeksione qetësuesish e dhoma të izolimit në spitalet? Rivendosja e dënimit me vdekje?

Jo: në këtë rast hero është publiku vetë.

E trishtueshme, më në fund, të mendosh se kjo shpërbërje e shoqërisë shqiptare, ky degradim i rrëfenjave që zgjedhim për t’ia rrëfyer shoku-shokut në mjediset ku komunikojmë, gjen shprehje pikërisht në përçudnime të seksit; meqë seksi është, njëfarësoj, edhe mënyra më instinktive dhe e drejtpërdrejtë me të cilën komunikojmë me tjetrin.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin