ËMBËLSIRË E HIDHUR

Në këto minuta që po shkruajmë, gazetat shqiptare online po ziejnë nga lajmi sipas të cilit makina e kryeministrit Berisha është qëlluar me vezë në Itali. Sipas këtij lajmi, një grup aktivistësh të Aleancës Kuq e Zi kanë protestuar me pankarta në duar kundër delegacionit të kryeministrit shqiptar Sali Berisha, i cili po shkonte në drekën e shtruar nga kryeministri italian Monti.

Gazeta “Tema” njofton nëpërmjet lajmit me titull: “AK qëllon Berishën me vezë në Romë. Nuk arrestohet askush!“. Nga radhët e shkruara mësohet se më saktësisht është qëlluar makina e Berishës dhe jo Berisha vetë. Detaj jo i vogël ky.

Qytetarët me flamuj kuqezi i janë afruar makinës së Berishës dhe ai fillimisht ka menduar se janë mbështetës të tij dhe i ka përshëndetur. Në këtë moment qytetarët kanë qëlluar makinën me vezë dhe eskorta pasi ka kuptuar se ishin protestues, ka shtuar shpejtësinë në kufinj të frikshëm dhe është larguar nga vendi. Një baner i madh ku shkruhej ‘Berisha tradhtar’, ishte në sfond të protestuesve. Policia nuk ka ndërhyrë dhe nuk ka asnjë të ndaluar. Një javë më parë kur Berisha u qëllua me miell në Tiranë, u ndaluan tre vetë dhe u pushuan 20 policë nga puna.

Lajmi i dhënë nga “Tema” bën lidhjen e parë midis miellit të Tiranës dhe vezëve të Romës. Shtohet gjithashtu se reagimi i policive përkatës ka qenë i ndryshëm. Në Shqipëri u ndaluan tre persona dhe u pushuan nga puna njëzet policë. Lajmi i “Temës” është pasuruar gjithashtu me fotografi, midis të cilave dallohet një protestues i veshur me të kuqe, me diçka të paidentifikuar në dorë.  Sipas lajmit duhet të jetë vezë pule.

Gazeta “Shekulli”, me titull gjithsesi më të saktë (“Itali, qëllohet me vezë makina e Berishës“) i referohet gazetës “Tema” duke shkruar:

Qytetarët me flamuj kuqezi i janë afruar makinës së Berishës dhe ai fillimisht ka menduar se janë mbështetës të tij dhe i ka përshëndetur. Në këtë moment qytetarët kanë qëlluar makinën me vezë dhe eskorta pasi ka kuptuar se ishin protestues, ka shtuar shpejtësinë në kufij të frikshëm dhe është larguar nga vendi. Një banderolë e madhe ku shkruhej ‘Berisha tradhtar’, ishte në sfond të protestuesve, raporton gazeta “Tema”.

Këtu kemi të bëjmë me citim të thjeshtë. Kopjim i përpiktë, përveç fjalës “baner” që është zëvendësuar me “banderolë”.  Arsyet mund të përfytyrohen, sikurse radhët e mëtejshme, ku “Shekulli” përmend konfirmimin e AKZ-së për ngjarjen e vezës dhe takimin e mundshëm me kryeministrin grek.

Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë AK. “Berisha është qëlluar me vezë dhe është pritur me fërshëllima”, thuhet në një komunikatë të Aleancës Kuqezi e cila shton se “Berisha është tradhtar dhe se meriton burg përjetë”. Policia italiane ka ndërhyrë duke shpërndarë simpatizantët e AK-së por ndryshe nga ngjarja që ndodhi në Tiranë, këtë herë nuk është shoqëruar asnjë person nga policia. 13 policë të komisariatit numër 1 në Tiranë u pezulluan nga puna, për shkak se ish-të përndjekur politikë arritën të qëllonin me qese mielli makinën e kryeministrit Sali Berisha teksa hynte në ambientet e parlamentit.

Dallohet lehtë mospërputhja e shifrës së 20 policëve të pushuar nga puna sipas “Temës” dhe 13 policëve të “Shekullit”. Bie në sy gjithashtu fotomontazhi midis protestuesit të mësipërm gjatë aktit të hedhjes së diçkaje dhe fotografisë së Berishës, fotografi që duhet të jetë bërë në Romë, përderisa janë afruar me të parën. Qëndrimi i Berishës në foto është për t’u analizuar.

Gazeta “Panorama” shkon më tej që në fillim, duke e hequr makinën nga vendi i ngjarjes, sikurse “Tema”. Ja titulli: “Romë, aktivistët e AK sulmojnë me vezë Berishën”. Sipas lajmit, lexuesi merr vesh se me albuminë veze nuk është njollosur karroceria e automjetit, por vetë kostumi i Kryeministrit.

Çuditërisht gazeta “Shqip” e jep lajmin e mësipërm me titullin “AKZ proteston ndaj Berishës në Romë” dhe me nëntitull “Aktivistët ngrenë parrulla dhe e akuzojnë për tradhëtar në pritje të takimit me ministrin grek”, por nuk njofton për asnjë vezë të thyer, as mbi makinë, as mbi xhaketë e as në trotuar.

Të njëjtin qëndrim mban edhe gazeta “Shqiptari i Italisë”, e cila njofton për protestën, përmend arsyen e saj, por nuk flet asfare për vezë, miell, apo ushqime të tjera që përdoren zakonisht për të goditur politikanët. “Shqiptari i Italisë” e pasuron lajmin me një sërë fotografish që me siguri janë shkrepur nga i dërguari i posaçëm, meqë përmbajnë firmën e saj. Nga fotografitë nuk duken vezë me të verdhë përjashta e as protestues me vezë në duar.

Që pyetja nëse u hodhën apo jo vezë kundër kryeministrit shqiptar lind natyrshëm, e vërteton edhe një lexues i gazetës “Shqiptari i Italisë”, i cili kërkon konfirmimin e lajmit. Përgjigja e “Shqiptari i Italisë” vjen e shpejtë dhe e saktë:

Jo makina e kryeministrit nuk u qellua me asgje. djemte e vajzat e Aleances Kuqezi protestuan vetem duke shpalosur pankartat e tyre ndersa delegacioni hynte ne Vilen Pamphili ne Rome…

Sipas gjasës, debati për vezët do të vijojë edhe më tej. Ndoshta nuk do të merret vesh kurrë nëse makina e Kryeministrit u qëllua apo jo me vezë, apo mbeti në tentativë, d.m.th. me vezët në frigorifer.

Fakti është se shtypi shqiptar duhet të nxjerrë mësime, sepse ëmbëlsirat që gatuhen me lajme të tilla janë vërtet të hidhura. Ka ardhur koha që mediat shqiptare ta presin përfundimisht litarthin kërthizor që i lidh me zyrat partiake të shtypit. Nga ana tjetër, ato duhet t’u besojnë vetëm gazetarëve profesionistë dhe etikës së tyre. Nëse këtë të fundit nuk e kanë ende, duhet ta rindërtojnë, duke u nisur nga shembujt pozitivë.

Ndërkohë, duhet uruar “Aleanca Kuq e Zi” për operacionin e shkëlqyer mediatik.

Nuk ka komente

  1. Shume i nderuari zoti Pishak,
    te them te drejten ne fillim te shkrimit tuaj mendova qe do te mbanit ndonjefare qendrimi, nese duhet apo nuk duhet qelluar me veze kryeministri, dhe pastaj per te dale tek pergjithesimi i zakonshem : nese duhen qelluar me veze apo jo politikanet qe konsiderohen zullumqare.

    Une jam i mendimit se nuk eshte gje e keqe qe herepashere , politikanet te qellohen me veze, miell,kos e gjize , sepse keshtu njerezit e nxjerrin mllefin e tyre para se te mblidhet e te shpertheje pastaj me gure dhe hunj, e largqofte ,me plumba.

    Sa per keto mosperputhjet mediatike , nuk e di se pse , por me duken kaq simpatike ,sa do te doja qe gjera te ketilla te ndodhnin sa me shpesh.

    1. Përkundrazi, mospërputhje të tilla mua më duken shumë të rënda. Mediat duhet të na paraqesin realitetin, pa e shtrembëruar atë, pa sajuar ngjarje, duhet t’u përmbahen fakteve. Përndryshe pakti me lexuesin bie poshtë. Interpretimi i fakteve është çështje tjetër, aty mediat mund të përdorin këndvështrimin që duan. Unë si publik pretendoj respekt ndaj mediave.

      Me fjalë të tjera, para se të merrem me vezët ose miellin kundër politikanëve, duhet të pastroj fytyrën time nga çka më hedhin mediat. E të siguroj se kur mielli me vezët përzien puna ngatërrohet keqas.

      1. Në këtë rast televizioni Top-Channel më duket shumë i ekuilibruar në dhënien e lajmit. Njofton për protestën dhe arsyen e saj. Jep informacion, me dy fjalë.

  2. Jam shume dakort me Pishakun. Ne kete rast nuk eshte fjala per interpretim te nje deklarate apo ngjarjeje mediave, por thjesht per pasqyrimin e nje fakti, i cili ka ndodhur ose nuk ka ndodhur. Ne kete rast them se eshte trillim.

  3. Dakord dakord, por une e pata fjalen per rastin konkret apo raste te ngjashme , kur pasaktesi te tilla jo thelbesore ne informim e humbin rendesine e tyre para lajmit ne vetvete.

    Migjeni thoshte se malsori trim e burreror kur shkon tek dera e shtetit “bahet frigacak”.Pak a shume keshtu jane edhe shqiptaret ne pergjithesi.
    Prandaj protesta te tilla, pavaresisht se nga kush organizohen, sikur te japin pak zemer e pak shprese.E mira do te qe te organizoheshin nga njerez te pa angazhuar politikisht, por per fat te keq jemi larg kesaj dite. Keshtu qe, me mire te behen protesta te tilla dhe te shoqeruara me pasaktesi ne informim, sesa pa protesta fare.

  4. Po shoh se gazeta “Shekulli” i paska shtuar një pikëpyetje titullit të artikullit të djeshëm. Përveç montazhit fotografik, paska ndryshuar diçka edhe brenda tekstit të shkrimit, duke iu referuar më qartë komunikatës së Aleancës Kuq e Zi. Më mirë kaq se pa gjë.

  5. Jam plotesisht dakort me artikullin tuaj z. Pishak. Me ka qelluar ne disa raste, per me teper lajme sportive duke qene se jam i lidhur me kete fushe, qe jo vetem jepen lajme fallso por qellon qe nje gazete publikon intervista e deklarata komplet te sajuara ku pyetje e pergjigje jepen nga vet krijuesi i tyre. Pastaj i njejti lajm pasqyrohet ne media te tjera qe kopjone njera tjetren dhe me se fundi krijohen polemika e debate qe mbushin dite te tera faqete gazetave me pohime e pergenjeshtrime sa smerret me vesh se cfare ka ndodhur dhe ndezen kot se koti debate qe skane me lidhje fare me faktin. Domethene mungon figura e gazetarise profesjonale mos te flasim per ekzistencen te nje kodi etik te ketij profesjoni. Raste te tilla mbase ndodhin ne shum vende por ne mediat shqiptare marrin nuance vertete qesharake.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin