FJALË TË DROJTURA

Kur Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dërgonte ekspedita fshatrave anembanë Shqipërisë, për të mbledhur “fjalë të rralla”, anëtarët e ekspeditave e kishin një teknikë rudimentare për t’i nxjerrë këto fjalë nga foletë e heshtjes: me anë të pyetjeve.

Një bisedë që bëhet për të mbledhur fjalë zhvendoset paprerë, si sovajka, nga gjuha në metagjuhë; duke filluar nga pyetja më e pafajshme: si i thoni asaj që…?

Fjalët e rralla, me përkufizim, janë të tilla sepse nuk përdoren shpesh. Një fjalë që përdoret shpesh, por vetëm në një zonë të caktuar, nuk është fjalë e rrallë, por lokale. Shqipes standard nxjerr, në Labëri dhe gjetiu i përgjigjet kërrej, por kërrej nuk është fjalë e rrallë – por thjesht një variant leksikor dialektor i nxjerr.

Përkundrazi, fjala e rrallë nuk e ka barasvlerën në standard; prandaj edhe është e vyer, sepse pasuron. Kërrej nuk pasuron gjë në krahasim me nxjerr, përveçse sjell në ligjërim disa ngjyra lokale ose folklorike; por një fjalë si buthton “del, shfaqet, sapo nxjerr krye”, e cila i përgjigjet anglishtes surface, ose italishtes emergere është vërtet e çmuar për leksikologun dhe përdoruesin e gjuhës.

Tekstologët e dinë edhe se, sa më e rrallë të jetë një fjalë, aq më i madh është informacioni që kumton ajo. Për shembull, në fjalinë e mëparshme, fjala tekstolog me siguri ia ka tërhequr vëmendjen lexuesit më shumë se të tjerat (ndoshta së bashku me kumton); meqë këto fjalë nuk janë dhe aq të shpeshta në shqipen e përditshme.

Në filozofi, fjalët e rralla ndonjëherë bartin edhe peshën kryesore të mendimit që kërkon të përçojë autori; nuk po e ngacmoj Heidegger-in, por mjaft të përmend Lacan-in, i cili, për konceptet e veta të reja, ndonjëherë përdorte fjalë të krijuara rishtas, si parlêtre, për être parlant (“qenia folëse”). Fjala e re, ose neologjizmi, është e garantuar që të tërheqë vëmendjen, sepse lexuesi nuk e njeh atë më parë, me përkufizim.

Për t’u kthyer tani te qëmtuesit tanë të leksikut popullor – këta gjithnjë niseshin të gjenin fjalë të rralla, por zakonisht përfundonin në koleksionues variantesh rajonale dhe lokale fjalësh të rëndomta. Si i thoni asaj enës ku gatuani fasulet? Vorbë. Po vorbës si i thoni kur është e vogël? e kështu me radhë.

Pyetjet, sado të organizuara të jenë, gjithnjë përvijojnë një nomenklaturë: emra sendesh, orendish, bimësh, kafshësh, sëmundjesh. Nomenklatura ka një farë interesi për leksikologun, por edhe ky e di se ajo nuk është tamam gjuhë; por më tepër një zhguall, i cili e ngërthen materialin gjuhësor.

Përndryshe, fjalët vërtet të rralla duan art, që t’i nxjerrësh në dritë; dhe art në të dy kuptimet kryesore të kësaj fjale.

Rastësisht, një mbrëmje dëgjoj time më të përdorë një fjalë të tillë, të së folmes së Gjirokastrës: brëndël. Fjala është epitet dhe përdoret për dikë që e ka zakon të kalojë shumë kohë në shtëpi, që nuk ka qejf të dalë përjashta; një zakon që, po të pengojë jetën e dikujt, mund të quhet edhe agorafobi, prej psikiatrit.

Brëndël rrjedh me siguri nga ndajfolja brënda (brenda), me anë të prapashtesës –ël, karakteristike për labërishten e Gjirokastrës dhe çamërishten, dhe që i përgjigjet prapashtesës –je të standardit. Tre shembuj të tjerë po më kujtohen tani: shesh buzël, që i thonë pecetës ose gushores që ua vënë fëmijëve; dhe heqël, që është një sëmundje e lehtë, ose e hequr, në leksikun standard.

Shqipja natyrisht do të përfitonte nga një fjalë për agorafobikun, ose edhe thjesht për dikë që i druhet botës përjashta, socializimit dhe rreziqeve që të kërcënohen atje, përkundrejt sigurisë këtu.

Problemi i madh i qëmtuesve të fjalës shqipe është si t’i gjejnë fjalë të tilla si brëndël, si t’i nxjerrin nga strofullat dhe nga shpellat. Metoda e anketës këtu nuk funksionon, meqë vështirë që dikujt t’i shkojë mendja e të pyesë: si i thoni atij që rri shumë në shtëpi dhe ka frikë ose nuk ka dëshirë të dalë përjashta? Madje edhe sikur dikush ta bëjë këtë pyetje, gjasat janë që tjetrit nuk do t’i kujtohet fjala; sime mëje me siguri nuk do t’i kujtohej; kompetenca gjuhësore nuk përkthehet automatikisht në kompetencë metagjuhësore.

Përndryshe, pyetje të tilla nuk i bëjmë dot. Si i thoni atij që ka frikë të rrijë në shtëpi? Po atij tjetrit, që ka frikë të kthehet në shtëpi? Mundësitë janë të pafundme.

Gjuha operon në mënyra misterioze, dhe e ndan fushën semantike në mënyra pak a shumë arbitrare. Shqipja, bie fjala, nuk ka një fjalë për motrën e madhe; por e zgjidh çështjen në mënyrë parafrastike; ndërsa turqishtja ka: abla. Nga turqishtja fjala ka hyrë edhe në shqipe; dialekti i Gjirokastrës e ka, edhe pse e përdor kryesisht për moshat e vjetra. Në fëmini, mbaj mend që motrës së tim gjyshi i thërrisnin gjithnjë abllá Sanua; por nga kjo nuk mund të kuptohej se abllá kishte kuptimin “motër e madhe”; ashtu i thërrisnin dhe pikë, abllá; për mua ishte një lloj titulli për gra të moshuara, diçka si teto ose nené.

Ndodh ndonjëherë që një kafshë e një specieje që kujtohej e zhdukur, rishfaqet papritmas – në xhungël; fotografohet nga një kamera automatike, ose kapet në ndonjë kurth të ngritur për specie të tjera, të parëndësishme. Zoologët dyshojnë se ka deri edhe gjitarë të panjohur, ose që mbahen për të zhdukur, që veç kanë ditur t’i fshihen mirë njeriut. Amatorët, ndërkohë, ëndërrojnë për ditën kur do të zbulohet sërish ndonjë tigër i Tasmanisë, ose ndonjë dodo; edhe pse më shumë ka gjasa që të krijohet një tiranosaur në epruvetë, sesa të gjendet ndonjë dodo i fshehur në xhunglën e Madagaskarit…

Kush i qaset një të folmeje nga jashtë, gjithnjë rrezikon të përshkruajë vetëm pjesën e jashtme të së folmes, ose pamjen që ajo i tregon botës. Edhe ekspeditës më të mirë leksikore, të dërguar për të mbledhur fjalë të rralla në Gjirokastër, do t’i kishte shpëtuar një fjalë si brëndël, e cila është edhe ajo vetë “brëndël,” ka frikë të dalë jashtë mureve të një bisede intime, ose njerëzish që e njohin mirë njëri-tjetrin.

Ekspedita do t’i mbushë fletoret (ndoshta sot laptop-ët) me emra tenxheresh, veglash pune, rrobash, tiganesh, qebapesh, pulash sipas ngjyrës së puplave, elementesh të arkitekturës tradicionale, etj.; leksikologët, të nisur si tagrambledhës leksikorë, do të përfundojnë në numizmatistë, ose koleksionues kuriozitetesh e çikërrimash monetare. Në fakt, leksiku nuk i lëshon lehtë thesaret e veta.

Thonë: shqipja është gjuhë shumë e pasur; sikurse thonë: shqipja e sotme është gjuhë shumë e varfër. Të dyja këto mbresa janë të vërteta në thelb; por kombinimi i tyre të bën të shpresosh se për ta pasuruar shqipen mjafton vullneti i mirë i përdoruesve. Në fakt, duhet shumë mund dhe përkushtim, prej artistëve të gjuhës.

Piktorët e mëdhenj janë të mëdhenj edhe ngaqë i mësojnë njerëzit e tjerë si ta shohin botën; por ndoshta edhe shkrimtarët e mëdhenj janë të tillë, ngaqë i mësojnë njerëzit si ta përjetojnë gjuhën e tyre. Por gjuhët e mëdha europiane u përftuan si të tilla në kohën e letërsisë së madhe; përkundrazi, shqipes i duhet të përballet, mes të tjerash, edhe me primatin e vizuales ndaj verbales, vandalizmin gjuhësor të kalorësve të padijes dhe triumfin e pikëlluar të periferive.

Për ta shpëtuar shqipen, e vetmja mënyrë është përqafimi i teknologjive të reja të informacionit, duke filluar nga Interneti; ose bash ajo fushë ku raporti i gjuhës me metagjuhën gjendet në format e veta më rudimentare. Po si t’ua shpjegosh këtë institucioneve?

Nuk ka komente

  1. Ç’më kënaqët, Xha Xhai. Unë kam pasur një gjyshe gjirokastrite që, edhe pse jetoi në Elbasan mbi 50 vjet (e quante gjithnjë veten ‘jabanxheshë’), nuk e humbi dialektin e saj. E unë jam rritur me fjalë e shprehi që moshatarët e mi nuk kuptonin si stromë (dyshek), bilë (e bija), i krreu sitë (i nxori sytë) … e me shumë ablla përqark që ishin kushërira të sajat, të gjitha nga jugu i Shqipërisë. Edhe sot e kësaj dite, pas 20 vjetëve në Itali, im vëlla (më i ri se unë), me shaka, më thërret “ablla”.
    Si shkrimet tuaja, edhe ky më pëlqen shumë.

  2. Fjale gjirokastrite:

    Samsa-bakllava rrumbullake
    Pashaqofte-supe me oriz dhe mish te grire
    Shapkat-byrek me miell misri dhe spinaq
    Dollma-japrak
    Qahi-byrek me spinaq
    Cingarbyreqe-byrek me djathe e majdanoz ne forme cigareje
    Karkanaqe-biskota gershet

    Dale-prit
    Oda-dhoma
    Aman-te lutem
    Strome-dyshek
    Ablla-motra e madhe
    Ane’-tezja, halla
    Aksham-mbasdite
    Cimbis-pickoj
    Xhebrail-i pashpirte
    Ballome-pecete, lecke, cope
    Qelendisur-lodhur
    E rreme- e genjeshtert
    Sata-autobus
    Rokanis-(c’me can koken)
    Noksan- i prape, i padegjuar

    ..aq sa mund te kujtoj nga e perditshmja..

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin