STREHA E SHKRONJAVE

Dy janë romanet, me të cilat dhe sidomos të cilat brezi im në Tiranë e përjetoi rininë e vet: Tre shokë, i Erich Maria Remark-ut, dhe Ushtari i mirë Shvejk, i Jaroslav Hashek-ut.

Ka qenë kohë tjetër, në shumë anë; letërsia luante rol ku e ku më të madh se sot. Qëllonte që një libër që na kish pëlqyer e lexonim disa herë, aq sa fillonin dhe i binin fletët fije-fije.

Por ka qenë kohë tjetër edhe politikisht; fati e deshi që ne të ishim të rinj dhe të kishim urí për shpirt në periudhën më të zymtë të historisë së totalitarizmit shqiptar: vitet 1975-1985, kur Enver Hoxhës dhe krejt shtetit të tij shpirti po u dilte.

I përkisja një brezi që shkollën e mesme e kish bërë te “Samiu”; me gjithë disa tradhti të vogla aty-këtu, ishim të gjithë apolitikë – i kishim kthyer shpinën gjërave publike dhe merreshim me njëri-tjetrin, duke poetizuar deri edhe meskinitetet.

Dëgjonim muzikë, ndiqnim kampionate futbolli, dilnim mbrëmjeve në bulevard, shkonim për ndonjë bërxollë dhe birrë te “Tymi”.

E vazhduam këtë jetë edhe në vitet e universitetit; pasi mjedisi social mes studentëve në universitet ishte kaq armiqësor dhe kaq i politizuar, sa nuk kishim rrugë tjetër, veçse të ruanim, duke e mitizuar, çfarë kishim krijuar më parë.

Dhe ashtu i ktheheshim e i riktheheshim romanit Tre shokë të Remarkut, të cilin e përjetonim si një rrëfim të jetëve tona, të jetuara në plotësinë e boshit të tyre.

I pëlqenim atij romani që këta tre shokë, kufoma të gjalla të një lufte (Luftës I Botërore) që ua kish shkatërruar Gjermaninë dhe Europën, mbijetonin disi falë marrëdhënieve me njëri-tjetrin.

Edhe ne, që e përdornim miqësinë për t’u ngushëlluar, paskëshim vepruar njëlloj si personazhet e Remarkut; ata ishin viktima të Luftës, ne ishim viktima të politikës.

Prekeshim me fisnikërinë e atyre njerëzve, që përndryshe e shtynin ditën e sidomos natën nga një pijetore në tjetrën; ndërsa nevojën tonë të natyrshme për t’u socializuar, duke bërë kompromis me veten, në një mjedis të sunduar politikisht nga maskarallëku, e përjetonim si të keqe të nevojshme dhe të përballueshme.

Shpresonim se, duke kultivuar miqësinë për njëri-tjetrin, do ta shpëtonim shpirtin.

Tre shokë kishte statusin e çka, në Perëndim, do të ishte quajtur roman “kult”; e kishte përfunduar tashmë kapërcimin nga lëmi i letërsisë, në atë të një manuali për të jetuar.

Natyrisht, ne identifikoheshim me Robin, Lencin, Patin, Kësterin; por jo për t’i imituar në jetën e përditshme – e cila, përndryshe, shtjellohej sipas modeleve nga më banalet që na i impononte realiteti dhe trysnia sociale. Donim, përkundrazi, të kishim ndjeshmërinë e tyre, indiferencën e tyre, individualitetin e tyre.

Ishim të dashuruar me lirinë e tyre, ngaqë liria neve na mungonte; edhe pse jo doemos e njëjta liri.

Na pëlqente që ata e kishin zgjidhur, dashur pa dashur, kontradiktën sartriane midis “être en soi” dhe “être pour soi”; kontradiktë të cilën ne, mikroborgjezët e Tiranës totalitare, nuk e zgjidhnim dot aq lehtë; meqë ishim vërtet të humbur, por jo aq të humbur.

Nëse personazhet e romanit të Remark-ut praktikisht kishin vdekur në llogoret e Luftës I Botërore, ne vdisnim nga pak sa herë bënim kompromis me veten dhe përpiqeshim të integroheshim në një shoqëri të ndyrë, si ajo publikja në Shqipërinë e atyre viteve.

Na vinte të gjithëve keq për Patin e sëmurë me tuberkuloz; por kjo ishte keqardhje për tuberkulozin politik, që po na e gërryente krejt integritetin moral së brendshmi, duke na bërë të vdisnim përditë nga pak.

Kërkonim vlera në një botë e cila nuk mund të manifestohej veçse si shkatërrim total i çdo vlere.

Tre shokë ishte ungjilli ynë, ose shkrimi i shenjtë ku gjenim forcën për ta parë dot ende veten në pasqyrë çdo mëngjes.

Përkundrazi, Ushtari i mirë Shvejk ishte manuali që na duhej, për të përballuar marrëdhëniet me autoritetin.

Vepra e mirënjohur e Hashekut i përkiste edhe ajo të njëjtës periudhë historike; dhe vinte nga e njëjta minierë pasurish letrare, që ishte Europa Qendrore.

Aty ku Remarku tingëllonte tragjik dhe sentimental, Hasheku paraqitej, përkundrazi, si nihilist dhe cinik; nëse Remarku e vajtonte shkatërrimin e vlerave, Hasheku e shndërronte këtë shkatërrim në virtytin e vetëm të pranueshëm, për kohën.

Jeta publike e brezit tim, sikurse jeta e çdo brezi në Shqipërinë totalitare, ishte një kalvar ballafaqimesh të dhimbshme dhe fyese me autoritetin: në shkollë, në punë, në shtëpi. Sistemi ishte i tillë, që manifestohej gjithnjë në mënyrë vertikale, duke na rënduar nga lart, si uji mbi gurin në fund të lumit.

Kësaj torture asfiksuese të përditshme ne i kundërviheshim duke lexuar ungjillin e Remarkut e duke gjetur një farë ngushëllimi në miqësinë mes shokësh, e cila të paktën mbetej horizontale.

Përndryshe autoriteti ishte mbytës; mësuesit, sekretarët e Partisë, drejtorët, nëndrejtorët, profesorët, të dërguarit, të plotfuqishmit, të deleguarit, komisarët, emisarët, operativët, kryetarët e Bllokut, grupet e Kontrollit Punëtor, shefat, punëtorët e Partisë, përgjegjësit – të gjithë përçonin energjinë diabolike të regjimit, i cili nga ana e vet e përftonte këtë energji duke na dhunuar përditë.

Ballafaqimi me autoritetin publik manifestohej, në format më brutale, gjatë stërvitjes ushtarake, ose në “zbor”, siç e quanim atëherë; aq më tepër që, pikërisht në ato rrethana, hierarkitë e rëndomta të shkollës vinin e merrnin trajtat e vrazhda të komandës, me mësuesit që shndërroheshin në oficerë, dhe ligjërimi pedagogjik që shndërrohej në ulërimat prej rreshterësh.

Zbori modelonte, si një lloj simulimi i vetvetishëm, krejt marrëzinë e jetës nën një sistem totalitar dhe autokratik, i cili replikohej nga lart poshtë, duke u banalizuar deri në farsë. Nëse Enver Hoxha urdhëronte që armikut të radhës t’i hidheshin hekurat mu në derë të sallës së Plenumit, në zbor i bëhej gjyqi dikujt që, i ulur në radhë të parë, kishte kapur dhe ekzekutuar haptazi një mizë, gjatë kohës që fliste komisari.

Pikërisht këtu na vinte në ndihmë Shvejku; ose më mirë, thesari i anekdotave dhe i batutave në roman, nga të cilat gjithnjë do të gjendej njëra për t’iu përshtatur situatës dhe për ta “zbërthyer” atë, ose për ta kthyer mbrapsht si xhaketën e për t’ia ekspozuar tegelat trashamanë.

Nëse Tre shokë ishte libri ynë i shenjtë, Shvejku ishte manuali ynë i psikoterapisë kolektive.

Nuk di pse, në situata kolektive si zbori, ose aksioni i rinisë, na bënim të ndiheshim gjithnjë në faj; ndoshta edhe vërtet ishim në faj – për një shaka që kishim bërë, një shishe raki, një pagur të mbushur me verë, një lojë me letra, një radio që kishim ndezur natën, një kitarë, një ikje pa leje… Çdo lloj marrëdhënieje me autoritetin do të merrte kështu trajtat e ndëshkimit.

Prandaj edhe mjediset ku mblidheshim së bashku, duke filluar nga kapanonet e zborit, do të ktheheshin, rregullisht, në skenë të një psikodrame ku të inskenoheshin, për natë dhe në hollësi, skenat nga Shvejku – me rrëfime dhe rirrëfime që ia merrnim njëri-tjetrit nga goja; në garë të çuditshme se kush do të kujtonte hollësinë më të parëndësishme e më të harruar; kush do të sillte në tryezë të muhabetit shembullin më pikant, ose batutën më lapërdhare nga romani.

Romani i Hashekut na mësoi të qeshnim e të gajaseshim me autoritetin, me hierarkitë, me seriozitetin banal të pushtetit.

Njëlloj si ajo vepra e humbur e Aristotelit për komedinë, te Emri i trëndafilit i Eco-s, edhe ai roman ishte në krye të listës së zezë të pushtetit; libër që duhej djegur në mes të sheshit dhe shlyer nga kujtesa kolektive; meqë ia hiqte nga duart autoritetit totalitar armën e vet më të fortë: frikën.

Letërsia ishte mënyra jonë për të përballuar totalitarizmin, meqë letërsia na dhuronte lirinë, ose çka përndryshe na e mohonte edhe regjimi, edhe sistemi social ku kërkonim të integroheshim, edhe familja vetë.

Letërsia ishte droga jonë e preferuar dhe vendi ku fshiheshim, kur punët shkonin keq përjashta dhe kërkonim t’i iknim botës.

Natyrisht, mund të sjell shumë tituj librash që ma kanë bërë jetën të pranueshme atëherë; por Tre shokët dhe Ushtari i mirë Shvejk ishin romane që, na ndihmuan si brez edhe t’i bëjmë ballë rekrutimit ideologjik me dhunë, ose socializimit të detyruar në regjim; edhe të krijojmë mikrobotën tonë sociale, ose underground-in tonë, për të ruajtur dhe kultivuar vlerat, ose çfarë ende i kujtonim si të tilla.

Nuk ka komente

  1. Te lumte dora Xhaxha per kete sinteze te mrekullueshme te asaj kohe dhe per qasjen krejt origjinale. Vertet ashtu ka qene, nuk i heq dot asnje presje!

  2. Kjo eshte OK. Qe libri te te ndihmoje t’i arratisesh realitetit, t’i shkeputesh atij, kjo eshte gjeja me e pakte e letersise, ndryshe nuk ka kuptim. E njejta gje ndodh dhe me kinemane. Pra deri ketu, gjithçka eshte ne rregull.

    Ajo ku patetizmi behet i dhimbshem, i padurueshem, eshte se letersia kishte te bente, ne rastin tone, me njerez vertet te shkaterruar siç ishim ne te gjithe. Cfaredo lloj fjalie e thene disi veçan, krijonte nje dallge. Etjen tone per libra, na e hidhte ne ere ora e letersise, aty ku mesonim lloj-lloj budalliqesh. Komentime nga me te qelburat, nga me te pavlerat, tipike te shkolles se vjeter bolshevike. Ne fakt, ata pak studente qe dilnin ne Perendim per studime, ASNJERI nuk dilte per t’u shkolluar ne filozofi apo letersi, arsyeja vetekuptohet. Vetem ne BRSS ka pasur studente te tille. Keshtu, ne kemi trasheguar nje garde te tere bolshevikesh pergatites te teksteve shkollore, ku eshte kryer, per mendimin tim, nje krim i vertete mbi aparatin tone mendor, pasojat e se ciles ndihen dhe do te ndihen ende dhe ca kohe. Eshte e habitshme, por jo dhe aq, nese sot organizohet nje ankete (sondazh, si te doni quajeni), ne moshat 35-55 vjeç, se cilin shkrimtar duan me shume, eshte e padiskutueshme qe vendin e pare do ta zere Erich Maria Remark. E megjithate, ky shkrimtar, i shikuar ne terma pastertisht letrare, eshte ne listen e shkrimtareve THJESHT nje shkrimtar i mire. As gjenial, as mjeshter letersie. Thjesht nje shkrimtar i mire, nder mijera te tjere. Cfare tregon kjo ? Tregon kete pika jone e references, qe per ne ishte vete Zoti ne toke, ishte nje pike e cila nuk sherbente si pike reference per asnje nga bashkemoshataret tane europiane. Qe ketu, hyrja jone ne vallen e letersise europiane eshte thellesisht e penguar dhe vonesa jone eshte, me vjen keq ta them, katastrofike, pothuaj e pashprese. Sigurisht, keta libra qe permend xhaxhai, e kane luajtur rolin e tyre ndermjetesues, dhe kjo ska perse te mohohet. Te tilla misione kane luajtur per shembull edhe ajo poezia e famshme e kuajve, por disi vone ne kohe, apo dhe “Ftese ne studio” ne ditet e fundit te regjimit. Ne kinema, ca filma mitike si “deklarate dashurie” me “Miklovan e kompani, qe me vone u pa qarte se ishin filma medioker, edhe keta e benin punen e tyre. Ne fakt, mbyllja dhe shtypja ishte aq e padurueshme sa lexuesve apo shikuesve iu bente pershtypje qofte dhe hollesia me e vogel pa kurrfare lidhje me artin e vertete. Kur individit i hiqet liria ne ate pike sa ç’e kane jetuar Shqiptaret, edhe vete nje dallendyshe na bente ta kishim zili. Vetem nga fundi i regjimit e kam marre vesh une se zogjte shtegtare kalonin kufinjte dhe shtegtonin neper vende te ngrohta, sepse deri vone thuhej se ata shtegtonin nga veriu i ftohte e me bore ne ultesiren perendimore te bute dhe te ngrohte. Per mua, asokohe, zogjte ishin edhe ata shqiptare.

    50 vjet indoktrinim, shumekush e merr si asgje, me te lehte, dhe madje disa rrine duke peshtyre per racen e qelbur shqiptare qe s’eshte e afte te beje asgje, te shpike asgje apo te nxjerre nje te hajrit ne fushen e mendjes. Ne fakt, ketu ka nje dashaligesi sepse kush e di historine e vonshme te Shqiperise, do te duhet te heshte dhe thjesht te nxiste brezat e rinj, 20 vjeçaret e sotem, qe te mesojne e te lexojne dhe te kapin trenin e ikur. Po te kisha nje keshille per ta, do te ishte : hiqni dore nga referencat tona, te miat dhe te xhaxhait, ato ishin referenca te vobekta qe e merrnin shkelqimin ne nje epoke tjeter, sot ju duhet te ndiqni referenca krejt te tjera, njelloj si nje perendimor, vetem keshtu do te na terhiqni edhe ne te “djegurve” ne ate trenin e ikur.

    Persa i perket letersise, do te thosha se studentet e rinj kane nje pengese madhore, qe s’po i le te marrin fryme : stafi mesimdhenes. Megjithe perteritjen e vazhdueshme, shihet se ka ende rezistenca te kastes se vjeter per te mbajtur ne dore misionin e mesuesit. Eshte e domosdoshme, mendoj une, qe te gjithe profesoret e vjeter te letersise te largohen nga kjo detyre e veshtire, duke i falenderuar per mundin. Them se ka ardhur ardhur koha e Dritan Shkabes, dmth e idealisteve te rinj qe te marrin fatet e letrave ne dore, qe te formojne femijet e vegjel apo dhe vete studentet me nje fryme krejt tjeter. Do te ishte e mrekullueshme qe te kishim profesore 28 vjeçare apo 30 vjeçare qe e duan zanatin e vet, qe e duan librin, letersine dhe qe duan t’i ndajne dijet e tyre me te tjeret. Eshte e pamundur te vazhdosh me profesore 55-60 vjeçare, qe sado i perkushtuar te jene, ka trasheguar nga ajo kohe nje aparat mendimi apo logjike krejt te çakerdisur. Nje gje e tille do te ishte vazhdim infeksioni dhe sherim i shtyre per me tej.

    Flas per ne letersi. Per ne fusha te tjera, shkence apo teknike, sigurisht qe dijet e tyre duhen shfrytezuar deri ne fund, duke i nderthurur me teknologjite e reja te studenteve te rinj. Por ne letersi, eshte luftim i kote.

    E njejta gje vlen edhe per debatuesit e shtypit apo TV. Spostimi eshte mese i nevojshem. Ka me qindra te rinj, e mos me mijera te rinj, qe jane shkolluar ne perendim apo dhe vete ne Shqiperi por te zellshem ne punen e tyre, qe do ta kishin mbajtur kete debat ne nivele shume me te larta se ky qe kemi sot nga disa fosile te komunizmit. Dua te dal atje ku e permenda nje dite tjeter, “krimbi eshte tashme ne frut”, siç thote poeti francez André Laude ne nje poezi. Kasta e vjeter eshte e krimbur. Te gjitha perpjekjet e tyre per te marre kthesen e aq deshiruar, jane fisnike ne vetvete, por nuk arrijne ne asgje, thjesht ngaqe baza eshte e kalbur tashme. Tungatjeta.

    1. Shkruan:

      Eshte e habitshme, por jo dhe aq, nese sot organizohet nje ankete (sondazh, si te doni quajeni), ne moshat 35-55 vjeç, se cilin shkrimtar duan me shume, eshte e padiskutueshme qe vendin e pare do ta zere Erich Maria Remark.

      Dhe më tej:

      Cfare tregon kjo ? Tregon kete pika jone e references, qe per ne ishte vete Zoti ne toke, ishte nje pike e cila nuk sherbente si pike reference per asnje nga bashkemoshataret tane europiane.

      Në fakt, nuk është këtu fjala.

      Që ka njerëz që e duan Remarkun, kjo s’duhet ngatërruar me vendin dhe statusin e Remarkut në hierarkinë e “vlerave” letrare europiane.

      Siç e dimë edhe unë edhe ti, në këtë hierarki vendet e para i zënë zakonisht autorë që nuk i lexon kush – por që i lëvdojnë të gjithë.

      Vetëm se këtu s’po flasim për këtë temë (shkollareske, në vetvete), por për rolin social që mund të luajë dhe praktikisht luan letërsia, në përkufizimin e një brezi dhe në vizionin që ky brez ka për vetveten.

      Remarku dhe Hasheku e kanë luajtur atë rol, për brezin tim; dhe kjo mua më intereson – pavarësisht prej “vlerave” letrare absolute të këtyre dy autorëve.

      Përndryshe, ne lexonim, me dëshirë të madhe, edhe një shkrimtar bashkëkohor të kalibrit botëror, si Kadareja (për të cilin përgjëroheshin në Francë); por pozicioni i veprës së Kadaresë, për brezin tim ishte i ndryshëm nga ai i romaneve të Remarkut dhe i Hashekut. Sido që të vinte puna, Kadareja shkrimtar gëzonte përkrahjen e kupolës, vepra e tij i përkiste aparatit ideologjik totalitar, sado tërheqëse dhe magjike në vetvete dhe sado subversive në leximet që mund t’i jepeshin dhe që iu dhanë; përkundrazi, ne kishim nevojë për vepra ekskluzivisht “tonat”, që të mos lidheshin me propagandën e përditshme, komunizmin, Shqipërinë vend i vetëm socialist në botë dhe fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut dhe Enver Hoxhën që ua bëri tetë me dy hrushovianëve në Moskë.

      Sa për Tre shokë, ky mund të quhet, pa frikë, roman kult, së paku për një periudhë të caktuar të historisë së Shqipërisë të Pasluftës.

      Se çfarë e bën një vepër letrare (ose një film) kult, për këtë mund të diskutojmë shumë.

      Një artikull i paradokohshëm i The Telegraph, i përkufizon kështu veprat letrare kult: libra që shpesh i gjen në xhepat e vrasësve; libra që ti i merr shumë seriozisht kur je 17 vjeç; libra që fëmijët e tu nuk do t’i kuptojnë… etj.

      Në ShBA, status të tillë e kanë shumë vepra të Kurt Vonnegut-it; sikurse edhe dy romane të Ayn Rand-it; gjetiu në Perëndim, këtë status e kanë gëzuar Zen dhe arti i mirëmbajtjes së motocikletës, i Robert Piersig; dhe disa romane të Herman Hesse-s.

      Të tjerë tituj kult, që i gjen ndonjëherë në listat, janë Catch 22, i Joseph Heller, ose The Catcher in the Rye, i JD Salinger, etj.

      Remarku mund të mos jetë shkrimtar i kalibrit fare të lartë, por vepra e tij ka ndryshuar për mirë jetë njerëzish, në Shqipëri; efekti është aksidental, por kuptimplotë. Statusi letrar i Remarkut, përkundrejt Hemingway-t ose Dos Passos-it mua nuk më intereson aq; por roli i tij në “kundërkulturën” e rinisë shqiptare, nën totalitarizëm, më intereson, madje shumë.

      Sa për Shvejkun, e Hashekut, ky arriti të bëhej nga ato shumë të pakta romane që njerëzit praktikisht i mësonin përmendësh, duke i integruar në mitologjitë e tyre private. Nuk kishte situatë të tensionuar, në kontekstet e raporteve të grupit me pushtetin, sidomos sa i përket disiplinës dhe hipokrizisë së liderëve, që ne të mos i nxirrnim përballë një rrëfenjë prej Shvejkut.

      E kishim shndërruar atë libër në një lloj kundërungjilli, duke e cituar, siç citojnë të përshpirtshmit shkrimet e shenjta; e përdornim për të çminuar çdo situatë marrëdhëniesh me pushtetin, duke i mbivendosur kësaj situate tekste të Hashekut, me efekt të garantuar.

      Për t’u bërë kult, një vepër letrare duhet t’i ketë disa cilësi artistike; edhe pse nuk ka nevojë të jetë kryevepër në vetvete. Ne vërtet jepnim e merrnim me Hashekun dhe me Remarkun, por, po të na pyesje se kë mbanim për shkrimtarin më të mirë, do të jepnim përgjigje të ndryshme. Në vitet e rinisë, unë lëkundesha midis Hugo-it dhe Çehov-it; më vonë, kur dola në botë, do të anoja nga Calvino-ja ose Borges-i. Por këto kanë qenë stade të zhvillimit tim vetjak, pa lidhje me brezin ose me vendin tim në shoqëri.

      Veprat kult të një brezi nuk janë të tilla për një brez tjetër; vite më parë, kur u bë një anketë në ShBA për librin më të mirë të shekullit XX, vendin e parë e zuri Atlas Shrugged i Ayn Rand; një libër të cilin unë e kam lënë përgjysmë, sepse më ka neveritur.

      E megjithatë, ky roman i Ayn Rand nuk është vepër për këdo; nuk mund të krahasohet, bie fjala, me best-sellers për serial killers ose me histori për Egjiptin e lashtë (kur kam shkuar në Spanjë në fund të viteve 1990, jam habitur se sa pëlqeheshin atje romanet historike me temë nga Egjipti i lashtë; sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar pse).

      Nuk di se çfarë veprash janë kult, për brezat e rinj të tanishëm në Shqipëri; edhe pse do të isha shumë kurioz të dija. Një nga dëshirat e mia, për hapësirën e komenteve në PTF, ka qenë që kjo të shfrytëzohej për shkëmbime të tilla mes njerëzish të interesuar për kësi temash, në vend që katandisej në vend për të ushtruar skërmitjet prej hijenash dhe për të qëmtuar gabime, ose zakonisht “gabime” në shkrimet. Por ndoshta kam pretenduar shumë.

  3. Nuk kam asgje me shtjellimin tuaj, ai qendron dhe ska perse merrem me kete pike. Eshte pikerisht siç thoni ju : keto vepra e kryen misionin e tyre, paçka se mund te mos ishin ajka e letersise.

    Por duke u kapur pas kesaj diagnoze te sakte qe keni bere, une bera verejtjen se tashme kohet kane ndryshuar dhe referencat tona nuk vlejne me si bosht. Sigurisht, ato mund te sherbejne si shtese, si thellim te kultures letrare, porse sot, per te kapur ate trenin qe na ka ikur, duhet te vrapojme pas disa referencash te reja.

    Cdo brez ka shkrimtaret e vet. Brezi i nenes sime kishte idhuj te tjere si “Lulja e kujtimit” te Postolit apo “Sikur te isha djale” te Stermillit. Edhe keta dy libra e kane kryer misionin e tyre, madje shume mire. Ama sot, nje 20 vjeçare ne universitet, nuk ka me te njejten problematike me nje 20 vjeçare te viteve 60. Keshtu qe kesaj te sotmes i duhet te vrapoje pas diçkaje tjeter, qe edhe ky brez i sotem te kete shkrimtaret e vet kult.

    Dhe pikerisht ketu duhet te hyje ne skene mesuesi apo profesori i ri, i painfektuar nga gjepurat e kaluara. Ju besoj e mbani mend kur analizohej nje roman, ka qene gjithmone nje pike, me shkronja korsive, ku thuhej : kufizimet ideore te shkrimtarit. Kjo eshte te tallesh me letersine, te mos e lesh tjetrin te shijoje vertet bukurine e saj. Me analiza te tilla, nuk ecet.

    Sot eshte duke ngjare diçka tjeter : nje pjese e gardes se vjeter, duke e pasur si ne “gjak” kete huqin e te qenurit gjithmone ne krye, ka vrapuar menjehere pas disa analizash letrare krejt pa lidhje dhe ku s’kupton pothuaj asnje rresht. Kjo eshte bere qe perseri, ne te kemi nje hutim publiku, nje marrje mendsh te te rinjve, me qellimin e vjeter qe kasta te vazhdoje te jete ne kaste. Nuk e di nese lexoni apo shikoni ne TV komente letrare nga disa tipa diku tek 50-60-70 vjeç. Jane te papertypshme, si shuall kepuce.

    Jam skandalizuar – megjithese duhet ta prisja – me ca fjale te Agollit ne nje lloj interviste per 80-vjetorin e tij. Po t’i leme menjane historite e spiunimeve apo tjeter e tjeter, qe keto duhen diskutuar ndryshe, aty ka nje rresht qe thote keshtu, pak a shume : sa keq qe u denuan disa shkrimtare sepse nder ta kishte shume te talentuar qe “qortonin dhe vinin ne dukje te metat e shoqerise sone”. Kjo “qe vinin ne dukje te metat e shoqerise”, kjo me shastisi fare. Tipike bolshevike. Nese dikush mund te mendoje te kunderpergjigjet me argumentin se edhe sot, ne Perendim, nje shkrimtar ve ne dukje te metat e shoqerise, psh Michel Houellebecq ne France dhe Europe, atehere ketu duhet sqaruar menjehere : Houellebecq nuk ve ne dukje asnje te mete, ai thjesht pershkruan nje gjendje te sotme te shoqerive perendimore dhe parasheh se ku mund ta shpjere kjo. Eshte si te themi nje profetizues, gje qe nuk e ka vetem Houellebecqu por ne pergjithesi, te gjithe shkrimtaret jane ne “avance” ne lidhje me pjesen tjeter. Dhe kete permase parashikimi, nuk e gezonte asnje shkrimtar i realizmit socialist, sepse parashikimet e tyre kishin vetem nje pike te mundshme : ngadhnjimi i komunizmit ne mbare boten. Atehere, kur parashikimi eshte tashme i parashikuar, mbase nuk ia vlen fare ta vesh ne dukje.

    Nje menyre e mire per t’i futur studentet ne hulline e studimeve letrare, do te ishte per shembull botimi ne shqip i gjithfarelloj teksteve studimore te bera nga shkrimtare apo studiues te njohur, psh : Beckett komenton Proustin, Bataille komenton Brontë, Finkielkraut Kunderen, Traverso Celanin, e plot e plot te tjere. Kjo do te sillte nje shkundje te kokes nga ana e studiuesve tane, per t’u permendur nga lajthitjet pa kurrfare lidhje qe shpesh i degjojme a lexojme lart e poshte. Dhe sidomos, ekziston nje problem i hershem, i trasheguar nga kryetaret e kooperativave apo inspektoret e qendres qe shkonin ne baze, nje problem qe s’po dime si ta heqim qafe : te folurit me fjale te medha, pa thene asgje. Klisheja se nderlikimi i fjalise tregon mençuri, nderkohe qe ky nderlikim behet kastile per te mbuluar mjerimin e ligjerimit, eshte nje klishe qe i ka rrenjet e forta.

    Ajo çka na duhet neve, mendoj une, eshte ca njerez te ditur qe te kene pedagogjine e duhur. Qe te jene te kuptueshem per lexuesin dhe te paqortueshem ne lidhje me perlyerjet me ideologjira e budalliqe sistemesh.

  4. ehe,

    Kam nje problem me reagimet e tua ketu ne blog, dhe ma merr mendja jo vetem une. Nuk di a keshtu i ben edhe muhabetet kur bisedon dhe kjo te reflektohet edhe ne reagimet me shkrim….nuk e di.

    Eshte e dyta here rresht qe shperqendron biseden nga hullia e vet ne nuk di c’probleme ke ti ne mendjen tende qe duhen shkoqitur. Para ca ditesh po flisnim per format e kontaktit me kulturen boterore ne kohen e diktatures….papritmas u gjendem perpara problemit a dinin apo nuk dinin mileti gjuhe te huaja mjaftueshem qe te permbushnin standardin tend.

    Sot po flasim per letersine qe ndikoi ne formimin e nje brezi te tere te rinjsh ne ate kohe….dhe tani na duhet te hidhemi tek metodat e mesimdhenies se letersise ne shkolla dje/sot/neser.

    Do ishte me mire te uleshe dhe te shkruaje per gjerat qe te shqetesojne dhe per te cilat ke mendime, dhe me siguri moderatoret do ti postonin. Se ky mish-mashi po behet shume i bezdisshem.

    1. Zoteri,
      Problemi yt me reagimet e mia, eshte problemi yt. S’mund t’ju ndihmoj ne asgje.

      Diskutimet e mia nuk jane diskutime nje apo dyrreshtore, te tipit : wow ! sa bukur ! ose : ik mer anej, se ti s’di me shkru. Keto lloj reagimesh, mund t’i gjeni tjeterkund dhe jo ne gojen time.

      Per saktesim : ne temen qe po flitej per format e kontaktit me kulturen boterore, une hodha nje ide, dmth keto forma ishin te pakta, por me e keqja, edhe te shtremberuara per arsye te mos-zoterimit te gjuheve te huaja. Kete mos-zoterim, e sqarova se çfare do te thote dhe perse e mendoj keshtu.

      Ne temen tjeter, ku po flitet per formimin e nje brezi te rinjsh ne ate kohe, une hodha idene se ai formim ishte katastrofe, dhe se duhet dale sa me pare nga kjo. Dhe e kam argumentuar si e pse mendoj keshtu.

      Keto jane ligjerimet e mia, keshtu diskutimesh di te bej une. Me nota dhjeta apo me njesha, nuk di. Nqs vini te lexoni postimet e mia thjesht per te pare nese duartrokita apo peshtyva, ju lutem shume, nuk gjeni gje tek une.

      Dhe e fundit, nese vertet ju shqetesojne diskutimet e mia, jeni i lire te mos i lexoni, ashtu siç do te bej une me tuajat, sepse u bene tre-kater postime qe s’po mesoj asgje te re nga ju, perveç qe ehe… merret me hajdarin apo se mes nesh paskemi hendeqe. N’importe quoi, thote frengu. Ja keshtu, a thua se vij ketu per te mbushur hendeqet mes meje dhe njerezve. Nuk njoh askend ketu, dhe s’dua te njoh. Ai qe sheh hendek, aty le te mbahet, eshte problemi i tij.

      Mbi te gjitha, ju uroj shendet dhe u krye kjo pune.
      _______

      I kerkoj ndjese te zotit te blogut, eshte hera e fundit qe merrem me sqarime te mia vetjake, nuk me intereson kjo dhe s’me ka interesuar asnjehere. Nese mendoni se ajo ç’po them eshte pa kurrfare vlere, mund t’i fshini postimet, te bllokoni nderhyrjet e mia, dhe kaq, asgje me teper, nuk ka vend per qortime me shkulje favoritesh ne klase. Fale Zotit.

      1. Është dhe problemi im në fakt. Duhet të bëhet dhe tëndi madje.

        Problemi im është që ti, në komentin e parë, e GJYKON shkrimin, nuk e komenton. Kush të ka vënë gjykatës ty? Nuk e di nëse ke iluzione apo jo, po më duket me vend të të them, që nuk shkruan njeri me qëllim të presë gjykimin tënd. S’bëhet fjalë për komentin, apo mendimin, se kjo është tjetër gjë. Gjykimi nuk na lipset.

        Tjetër problem që kam unë, është që ti përfshin dhunshëm dhe harbutçe nëpër karakteristika negative “të gjithë”. “Ne, ne, ne”… “referencat e mia … dhe të xhaxhait.” – thua më lart. Çpunë ke ti me referencat e të tjerëve? Fol për të tuat. Është problemi im ky, se njëfarësoj, më përfshin dhe mua nëpër këto vathë e kullota ku vetë futesh vullnetarisht.

        Ok, mund ta bësh edhe këtë. Të pretendosh se ka një lloj kolektiviteti, po bëje butë e me argumenta duke e shfaqur si mendim, e jo gjykim suprem.

  5. Mua më duket se ehe-ja e thotë se ç’e shqetëson kur krahason mentalitetin e të vënit në dukje të të “metave” dhe shprehjen e opinionit personal:

    “Houellebecq nuk ve ne dukje asnje te mete, ai thjesht pershkruan nje gjendje te sotme te shoqerive perendimore dhe parasheh se ku mund ta shpjere kjo.”

  6. …se ai formim ishte katastrofe…

    Ne fakt kjo nuk eshte aspak e vertete, ose me mire varet krejtesisht nga kendveshtrimi. Une personalisht, dhe i gjithe brezi im, jemi keta qe jemi, me kete bagazh historie, me kete eksperience ( e cila edhe te fjeturit i ka hapur syte), me kete logjike intelektuale, vetem nga ai formim i pazevendesueshem, i pakrahasueshem, qofte edhe pse i dhimbshem.

    E kush do donte te jetonte bardhe e zi?

    Ketu, tani, sa me siper, nuk flasim per rolin e utopine e komunizmit, pervec se per rolin qe luajti letersia ne formimin e nje brezi te tere. Nese do te me jepnin te zgjidhja, nuk do preferoja asgje tjeter pervec asaj te kaluare; mbase nje statement e cuditshme kjo per mendjen e shumekujt! Jam ky qe jam vetem prej saj.

    Kush e harron dot eksitimin kur te binte ne dore nje “liber i ndaluar”, kush e harron dot efektin e librit te asaj kohe! Pothuajse magjike, e paperseritshme!

    Me vjen nder mend nje kompositor rus, i cili quhet Shostakovich, pas cdo pjese qe kompozonte, vishej, bente gati valixhen dhe priste pas deres duke menduar qe kesaj rradhe do ta arrestonin. Thua te ishte pikerisht kjo frike qe e inspiroi te shkruante muzike aq gjeniale? Po pena e Ismailit ku ndodhet tashme? Thua te ishte trysnia e kohes?

    “Dhe pikerisht ketu duhet te hyje ne skene mesuesi apo profesori i ri, i painfektuar nga gjepurat e kaluara..”

    Jo. Profesoret e djeshem nuk jane politikane, qe na duhet ti zevendesojme e ti hedhim ne kosh te plehrave. Aq me teper ata te letersise qe kane shume per ti mesuar ketij brezi te llastuar qe nuk prek liber me dore. Profesoret e djeshem i perkasin historise dhe nuk duhen gjykuar, por toleruar, respektuar, per faktin e thjeshte qe edhe pas nje semundje te gjate qe kaluan sic ishte komunizmi, perseri, i mbijetuan vogelsise, dhe humbjes njerzore.

    Profesori i ri me ngjan me nje shtepi te re e cila kur futesh brenda nuk ka asgje per te te thene, vetem eshte e re moderne, praktike, sikurse nje shtepi e vjeter antike qe duket sikur edhe muret i flasin.

    Kam nje mik, i cili beri 8 vjet burg sepse perktheu Dostojevskin, ai qe e denoncoi ishte i vellai. Ky person nuk eshte vetem profesor, por eshte antikitet dhe duhet vlersuar si i tille. Brezi i ri duhet te jete me fat te kete profesore te tille.
    Cfare dua te them eshte se nuk duhet ti fshihemi se kaluares por te mesojme nga ajo, e aq me teper nje e kaluar si ajo e brezit tim, e paperseritshme…

  7. Padyshim qe Remarku ka qene shkrimtar kult (nese mund te quhet e tille jo vetem vepra por edhe autori i saj). Ai kete “status” e ka gezuar per disa dekada ne Shqiperi dhe nuk besoj se kjo gje do te perseritet nga ndonje shkrimtar tjeter per shkak te kushteve teper specifike qe kane ekzistuar. Mendimi im subjektiv eshte se ka vetem 3-4 vjet qe ndikimi i tij tek publiku i gjere ka ardhur ne renie.

    Pse pikerisht Remarku eshte nje pyetje qe mund te diskutohet gjate. Une po ndalem vetem tek nje pike. Ndersa ndikimi i Hashekut u zbeh shume shpejt pas renies se regjimit komunist ai i Remarkut vazhdoi te ishte i forte. Me sa duket atmosfera ne romanet e tij i pershtatej si lexuesve qe jetonin nen trysnine e diktatures ashtu edhe atyre qe e gjeten veten te humbur nen rremujen postdiktatoriale. Fakti se Remarku i perkiste shkrimtareve te brezit te humbur ia shtonte gjithashtu sharmin melankolik. “Jemi brez i humbur” eshte nje fjali me te cilen jane identifikuar disa gjenerata ne Shqiperi dhe ne mos gabohem mund ta hasesh akoma edhe ne brezin e adoleshenteve te sotem. Mbaj mend gjithashtu se Tre Shoket kthye ne nje radiodrame mjaft te arrire. Nuk mbaj mend se ne c’vit u realizua por mbaj mend qe ne fillim te viteve 90-te jepej ne Radio Tirana.

    Se sa i afte ka qene Remarku si shkrimtar ky eshte nje debat tjeter por qe mund te kete deri diku lidhje edhe me faktin se pse ai pelqehej aq shume masivisht. Vite me pare nje kolegia ime ka dhene nje perkufizim qe tani une e quaj te sakte. SIpas saj Remarku nuk ishte nje shkrimtar i mire por thjesht nje njeri qe kishte shume per te rrefyer. Mbaj mend qe atehere e pashe me habi sepse hyja tek ai grup qe Remarkun e konsideroja nje shkrimtar te mire megjithe dyshimet qe kisha. Por ndoshta kjo e bente Remarkun te trokiste: te mosqenit nje shkrimtar klasi i sofistikuar por nje njeri i thjeshte me shume gjera per te treguar dhe qe i tregonte relativisht mire dhe me nje nerv te brendshem…

    Veshtire te thuhet se cilet jane shkrimtaret kult tani. Perceptimi im per vitet 90-te ka qene se kete rol e mori Dostojevski (sigurisht asnjehere me te tilla permasa si Remarku). Kjo per shkak te mbarsjeve filozofike qe kishin romanet e tij. Ne kete blog eshte argumentuar bukur nga nje komentues uria e njerezve per filozofine ne fillim te viteve 90-te. Deri diku kete rol e moren edhe veprat e Nices por vetem per pak kohe dhe ne me pak lexues se ky ishte sport i rende. Persa i perket autoreve shqiptare, andej nga fundi i viteve 90-te dhe filimi i viteve 2000 kete rol e moren poezite e Ervin Hatibit. Kjo kryesisht ndikimit te forumeve shqiptare ne internet. Me aq sa me kujtohet ndoshta Hatibi eshte edhe i vetmi shkrimtar kulti shqiptar por ndoshta edhe gabohem.

  8. @ L_

    Me vjen keq qe me duhet te sqarohem ne argumentimet e mia, kur ato mund te ishin tejet te vetemjaftueshme.

    Edhe njehere : as nuk e ve ne dyshim zellin, ndershmerine apo sinqeritetin e profesoreve te vjeter. Kam pase nje profesor letersie une, teper i ndershem, i pergatitur dhe i zjarrte pas letersise. Per mua, ai ishte i pakrahasueshem. E megjithate ! kur gjezdisa ca vende qe s’quheshin Shqiperi socialiste, pashe, me shume keqardhje, se profesori im i nderuar ishte nje mit, dmth nje rrene. Sepse gjerat ishin ku e ku me ndryshe nga ato qe na thoshte ai, ne ate naivitetin e vet. Shkurt, nuk eshte faji i ketij profesori qe sot ka dale jashte loje, por eshte thjesht koha, sistemi, menyra tjeter e te menduarit. Per mua ata gezojne tere respektin qe duhet, por ja qe ata duhet te largohen sepse nuk jane pergatitur per kete kohe. Ketu flas vetem per lendet letersi-filozofi. Nuk flas per matematike ku kemi pasur mjeshtra te vertete dhe ata duhet te vazhdojne te na mesojne – une per veten time, iu jam borxhli te gjithe profesoreve te mia te matematikes, qe na klasa e peste e deri tek e shtatembedhjeta. Ketu, gjerat jane te qarta.

    E dyta : Ju jeni nostalgjik, e une e kunderta, jam tmerresisht i zemeruar qe me kane shkaterruar nje pjese te mire te trurit, dhe qe ma merr mendja, pasojat do t’i vuaj deri ne fund. Dhe kam arsye te besoj se keto pasoja s’jane thjesht vetem per mua (kushedi, mbase do te isha ndonje depresiv, siç mund t’i pelqeje ndokujt te mendoje), por jane per te gjithe ata te rinj te asaj kohe. Ne kohen kur keta te rinj, pas edukates morale qe merrnim, e qe ishte per t’u pershendetur (te pakten ne fillore), kishin nevoje per nje aparat te mire mendimi, lirie mendimi, lirie shprehjeje, ndodhi krejt e kunderta : edhe me te guximshmeve, me te zgjuarve, iu pre kjo prirje dhe atyre iu duhej te futeshin ne hulline e marksizem-leninizmit, siç quhej ne ate kohe, e qe sot e kane harruar shume. Per rreth 50 vjet, mbi truret shqiptare eshte vepruar me kazme, me baromina, me qyskia, si e si te hidhet ne ere logjika, mendimi, dhe ne vend te kesaj, na eshte sterperseritur slogani, klisheja, fjalet boshe qe s’i besonte askush, ne ate pike sa nje nxenes i shkelqyer qe e kisha ne klase, me medalje te arte, kur dilte ne mesim ne filozofi apo letersi, mbyllte pothuaj syte qe te recitonte mesimin e mesuar permendsh, pa e vrare trurin fare mbi te verteten e ketyre fjaleve. Le te vinte ai nga nje mjedis fshatar, punetor apo pronar tokash, te njejtin mesim thoshte ai, e te njejtin dikush tjeter. Mendimi vetjak, shumezuar me zero.

    Por une e kuptoj nostalgjine tuaj, dhe e respektoj. Ceshtje ndjeshmerish, ketu s’kam perse kapem. Ajo me te cilen s’pajtohem asnjehere, eshte mohimi i krimeve, tallja me viktimat, e ca gjera te tjera.

    Tungatjeta.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin