LEXIME TË MIGJENIT

nga Gazmend Krasniqi

Teksti Historia e letërsisë shqiptare (1983), te zëri Arti i Migjenit, gjuha, ka nga këto shprehje kyçe: krahas paraqitjes së mjerimit të popullit, urrejtjes së grumbulluar te masat, protestës e revoltës së tyre, shkrimtari, në emër të forcave të reja shoqërore, bëri thirrje për përmbysjen e rendit të padrejtë politik, ekonomik e shoqëror.

Duket qartë se, nën shtysat e realizmit socialist, asaj krijimtarie i kërkoheshin detyra shumë më të mëdha sesa mund të kërkohen nga një vepër arti. Me një vështrim, sado sipërfaqësor, do të shihnim se për shumë kohë peshorja e studimeve ka rënduar jashtëzakonisht nga studimi i jashtëm i kësaj poezie, gjë që e ka bërë figurën e poetit të luhatshme ndaj erërave politike e ideologjike, pra jashtartistike, pasi edhe pas kaq dekadash shohim se ajo nuk është konsoliduar, sado përafërsisht, në historinë letrare shqipe.

Kaq shumë ka mbizotëruar ky studim i jashtëm, sa gati mund të quhet fat takimi me gjykimet përtej tij. Atë vit që vdiq Migjeni, kemi punimin që thotë se ai iu largua metrikës tradicionale, ritmeve dhe rimave të saj, pasi u bë dominante asonanca, e cila nuk qe pranuar më parë. Sipas këtij punimi, Migjeni ia dha asaj vendin e nderit në poezinë e vet sepse ajo asht ma delikate në tingull, se nuk ta vret as syrin as veshin, ngaqi asht ma e shpeshtë e ma e larme se rima. Po si mund të ketë poezi pa ritëm e rimë?

Autori i punimit e ngre pyetjen për t’iu përgjigjur po vetë. Nji kësij pyetje e bajnë ata qi s’e dallojnë vargun metrik nga poezia. Në vazhdën e këtij trajtimi është edhe ai se Migjeni ka të simbolizmit paraqitjet e gjendjeve të brendshme shpirtnore me simbole të jashtme, pasqyrimin e shpirtit n’objekte të natyrës, ka vetë “vargun e lirë” e krijimin e asonancës, tonin fonologjik të vjershës – por mungon në përgjithësi muzikaliteti i përkryem i vargut, stolisja metaforike, paraqitja trashendentale e fytyrimit.

Dy tezat e mësipërme mbetën pa u zhvilluar, sepse u përcaktuan edhe nga e ardhmja e atyre që i hodhën. E para i takon një studiuesi (Dhimitër Shuteriqi) që, vite më pas, i prirë për drejtime të reja letrare (kupto: përmbajtësore) kaloi në drejtim tjetër, duke u bërë kodifikuesi i realizmit socialist. E dyta nuk mund të gjente vend te studimet që do të kërkonin t’i paraqisnin shqetësimet individuale vetëm si sociale. (Përveç të tjerash – një tjetër faktor jashtartistik – autori i kësaj teze, Qemal Draçini, vdiq si armik i regjimit.)

Ia vlen të ndalemi pak më gjatë te gjykimi i Draçinit se te vargu i Migjenit shpesh mbresat, ngashërimet, ndjesitë, me një fjalë bota e brendshme shpirtnore shpërthen jashtë me ashpërsin e një shprehjeje së mbledhtë me gjasë të një formule logjike, apo idetë përmblidhen në një frazë si aforizma, për t’u kujtuar se përgjithësisht kapeshin në segmente të shkëputura të tekstit interpretimet themelore që i bëheshin leximit të Migjenit, duke u realizuar pikërisht ajo që i druhej ky poet: propagandimi para artit. Ilustrime të tilla mund të gjejmë disa – deri të më të pakapshmet apo banalet – por ky interpretim, sigurisht, binte ndesh me mendimet e shprehura nga autori, kur te letra që i dërgonte redaksisë së revistës “Bota e re”, thoshte: Mendoj se kryesorja në gjitha artet është artistikja. Sepse, pyet ai: A thua poezia qytetare sociale nuk ka të drejtë në përkryerjen artistike; apo detyra e saj është – të jetë vetëm pllakat?

Edhe pse dikur Koliqi shprehej që Migjeni u imitue nga nji varg i dendun shkrimtarësh të rinj, por nuk arriti me krijue nji shkollë pikërisht sepse u shkëput nga tradita letrare vendase, apo se Draçini e çoi më tej këtë ide kur shkroi: Me Migjenin çelet e mbyllet njiheri nji anë e veçantë e poezis së mendimit shqiptar. E njimend: Migjeni u imitue në trajtë e në formë të vargut, ndoshta edhe n’atë t’ekspresionit, por nuk u ndoq edhe në mendim rryma e tij, ideja e shkollës migjeniane mbetet e hapur nga studiues a kritikë të ndryshëm, por ekziston frika që ajo mbetet të vishet nga ndonjë keqkuptim themelor, pasi duket se ndër poetët shqiptarë për gati pesëdhjetë vjet është parë si shenjë e bashkëkohësisë vargu i lirë.

Po ta shohësh me vëmendje, kupton se shpesh kemi të bëjmë me një keqkuptim që lidhet me titullin e librit poetik të Migjenit, i cili, në të vërtetë, nuk ka aluduar për poetikë por për etikë, sepse shumë herë në vargjet e tij të çlira kemi vetëm gjurmë të atij që duhet ta quanim varg të lirë. Pipa pohon se titulli “Vargjet e lira” lidhet ma pak me metrikën sesa me karakterin e protestës.

Duhet thënë se Arshi Pipa pajtohet me idenë se Hymja e Migjenit në letërsin shqipe shënon nji datë. Kjo hymje asht e vrullshme dhe e then traditën, por megjithatë është i mendimit se në një vend ku poezia shoqërore nuk ishte gjë e re, poeti i “Vargje të lira” nuk do të dallohej shumë prej grupit të shkrimtarëve të tjerë shoqërorë. Në Shqipëri Migjeni ishte një i vetëm, një pionier; Puna e pionierit mund të ketë qenë edhe vetëm nji kushtrim, edhe vetëm nji gjest. Por ky gjest asht fatidik, ky kushtrim ka randsi. Sipas argumentit pipian, e veçanta në atë çast historik të poezisë shqipe qe se një poet nuk po shfaqej me tetërrokëshin shqiptar, çka më pas do të bëhet karakteristikë e shumë poetëve shqiptarë, prandaj sot e dallojmë me zor këtë cilësi migjeniane.

Pipa ia shikon këtë si heterogjenitet kulturor, sepse një poezi që kërkon të jetë antitradicionale, kërkon të lëvizë lirisht. Të tillë, pra si jo shqiptare, Pipa ia shikon edhe sensin e fortë të metaforës: kalimet e dhunshme apo kontrastet e thella janë një gjë e re në poezinë shqipe të asaj kohe.

Kjo mënyrë gjykimi na shtyn të konkludojmë se që të shihet në brendësi përplasja me tradicionalen, vlen të krahasohet me kujdes poetika e tij me atë që gjallonte më përpara: kështu do të dallojmë regjistrin e veçantë stilistik të poetit Migjen.

Për këtë vlen të përmendet analizat që i janë bërë figurave gramatikore (inversionit dhe elipsës), figurave të diksionit (sinekdokës dhe krahasimit), apo figurave të tjera (thirrjes retorike dhe hiperbolës), aliteracionit dhe ritmeve origjinale.

Vlen të përmendet edhe pohimi që me Migjenin në poezinë shqipe ka vend të qëndrueshëm vargëzimi i mbështetur në ritmin e të folurit emocional sipas stilit të gjuhës bisedore, se Migjeni arrin të krijojë ritme të ndryshme ndër poezi të ndryshme, por arrin edhe të ndryshojë ritmin brenda një poezie të vetme, se është i pari në poezinë shqipe që përdori rimën apofonike (konsonancën), se është i pari, pas Poradecit, që përdori pauzën, se përsëritja është një element artistik i përdorur me shumë efekt, se një mjet artistik i përdorur me mjeshtëri prej tij që, padyshim, dëshmon edhe shkollën e Mjedës, është bartja.

Këto që përmendëm, e të tjera si këto, na tregojnë se edhe pse na ndajnë mendimet për përcaktimin e shkollës poetike migjeniane, nuk mund të mos biem dakord se megjithatë ai futi i pari shumë veçori që e përcaktojnë edhe sot zhvillimin letrar – vetëm një vështrim i vëmendshëm mund të përcaktojë se janë kryesisht migjeniane, duke u përvetësuar e tretur me kohë në ligjërimin e poetëve të tjerë, të rëndësishëm apo të parëndësishëm. Nëse në periudhën e realizmit socialist, apo edhe përtej saj, Migjeni ka ndikuar shumë me atë që Qemal Draçini ia shikon si vërejtje, pra me vargun që vuan nga “formyla logjike”, ky nuk është faji i tij. Sot, dallimi i qartë midis leximit të brendshëm dhe të jashtëm do të hidhte dritë mbi këtë çështje delikate të poezisë shqipe në përgjithësi, për të arritur në përfundime që e bëjnë figurën e Migjenit më të qëndrueshme – një nga “thyerësit” dhe, rrjedhimisht, një nga pohuesit e mëdhenj të traditës poetike shqipe – dhe që të jemi sa më pak abuzivistë në përcaktimin e perspektivës letrare të kësaj vepre të çmuar më kuadrin e letrave shqipe.

[titulli i origjinalit: Migjeni – midis leximit të brendshëm dhe të jashtëm]

Nuk ka komente

  1. Pipa pohon se titulli “Vargjet e lira” lidhet ma pak me metrikën sesa me karakterin e protestës.

    Pipa i ka rene kokes.

    Ne teresi, nje analize e mire e vepres se Migjenit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin