LABIRINTI

Nga Read Me

Labirinti është një nga eksperiencat më të thella metaforike të krijimtarisë letrare të shumë shkrimtarëve të njohur. Në tregimtarinë e Kafkës natyra e kështjellës është koniukturale. Kështjella është një lloj labirinti. Gjetja e hyrjes apo daljes është e pamundur. Karakteret e Kafkës hapin e mbyllin dyer, enden nëpër korridore, kërkojnë ndihmë duke pyetur njerëzit që ndeshin, por në fund, kurrë nuk i arrijnë objektivat e tyre.

Njerëzit përsërisin të njëjtin gjë, por pa rezultat. E gjejnë veten përsëri në të njëjtën pikë nga u nisën. Pas gjithë atyre orvatjeve, kurrë nuk e kapërcejnë pengesën, të dalin matanë të padukshmes. Çfarë gjendet përtej ndarjes ata vetëm e hamendësojnë. Kontakti me të vërtetën dhe realitetin është vetëm i tërthortë. Ligjësitë e kësaj ekzistence nuk i njohin, jetojnë si në terr. Çka njohin e tregojnë është veçse historia e ruajtësit të kështjellës.

Fati i karaktereve është parathënie e fateve të atyre që lexojnë mbi jetët e tyre. E vërteta nuk ekziston ndryshe, e pavarur nga ajo që tregohet nga ruajtësi i kështjellës. Çfarë thuhet? Këtu edhe komplikohet historia e Kafkës. Njerëzit kërkojnë të gjejnë kuptimin e asaj çka tregohet brenda tekstit që lexojnë. Por është pikërisht aty, ku e vërteta bëhet e pamundur, përherë të bën bisht, mbetet e pakapshme.

Të endurit, përsiatjet e karaktereve na fshehin të pazbuluarën, natyrën e papërcaktuar, pa caqe të kuptimit të ekzistencës. Njerëzit në kështjellën e Kafkës kanë humbur shpresën. Të mbrojnë veten ndërtojnë një strofull, të rrethuar nga një rrjet kalimesh. Strofka është një lloj kështjelle brenda kështjellës. Karakteret përjetojnë metamorfozën në kafshë brenda një kështjelle të fortifikuar. Një zhurmim, fishkëllimë e vazhdueshme depërton në strofkën e tyre. I detyron të frikësuar të gërmojnë më në thellësi. Gumëzhima nuk rresht, i humbet qetësinë njeriut-kafshë në strofull.

Rrjeti i kalimeve që lidh hyrjen e strofullës është pjesë e labirintit. Strofka-labirint është shpëtimi, mënyra për të jetuar jashtë kështjellës duke qenë brenda saj. Secili ka mbledhur rezerva për të përballuar jetën në strofull. Një jetesë e tillë nuk të krijon hapësira për të eksploruar. Strofka është një lloj krijese e mendjes të banoreve të kështjellës. Gumëzhitja, fishkëllima që nuk rresht, është gjithmonë e pranishme, i mban njerëzit-kafshë vigjilentë. Kështjella e Kafkës është një labirint, strukturë e pakuptimtë, por e domosdoshme për të jetuar.

Borgesi në tregimin e tij “Kopshti me rrugicat që degëzohen” ka një përqasje ndryshe për labirintin. Personazhi i tij është kinezi Ts’ui Pen. Labirinti është vet dorëshkrimi ku zhvillohen njëherësh një shumësi rrëfimesh që degëzohen, kundërshtojnë njëra-tjetrin për t’u bashkuar e u ndarë sërish në pafundësi. Borgesi imagjinon një labirint të tillë, i cili është profetik i asaj çka do të vinte më vonë, dalja në skenë e kompjuterit dhe hiperteksit.

Si përdorues i kompjuterit çdonjëri nga ne behet pjesë e hipertekstit duke kontribuar në të me rrëfenjat e veta. Jetët dhe eksperiencat njerëzore të ndara bashkohen e ndahen vazhdimisht pafund në labirintin e hipertekstit virtual. Hiperteksti është teksti i Borgesit që është ne fakt labirinti jetëngrënës, koha. Koha ndoshta qëllimisht nuk përmendet në tregimin e tij. Kinezi  Ts’ui Pen, nuk beson se koha është diçka absolute dhe uniforme (ironike pak). Kinezi e sheh kohën si grimca pafundësisht të vogla kohore, ku përfshihen jetët dhe eksperiencat tona.

Borgesi imagjinon një lloj tjetër labirinti në tregimin tjetër “Biblioteka e Babelit”. Labirinti në këtë rast janë librat në përfytyrimin klasik. Biblioteka është një numër i pafund (ose i fundmë) tunelesh gjashtëkëndësh të lidhur me njëri-tjetrin sikur të kishin ekzistuar ngaherë. Në rafte janë rreshtuar libra, të shkruara duke përdorur kombinimet e pafundme të njëzet apo më shume shenjash ortografike e pikësimi në gjuhë të ndryshme. Librat e shkruara si kombinime të shenjave ortografike në raftet e galerive përçojnë ndjesinë e të pafundmes dhe të fundmes njëherësh. Çdo libër përcjell diçka të pafundme e të fundme, diçka me vlere e pavlerë njëherazi. Biblioteka e Babelit është një lloj endje, labirinti nëpër libra në kërkim të informacionit, të vërtetës që gjithmonë mbeten një iluzion. Në një përpjekje të fundit, mendon se ndoshta shenjat ortografike me kombinimet e tyre jenë në vetvete enigma, kurthi i labirintit të bibliotekës së Babelit.

Umberto Eko është me iluminist. Në romanit e tij “Emri i Trëndafilit”, labirinti ka dalje, por veçse një ama. Mënyra për të gjetur daljen gjendet në një dorëshkrim të vjetër. Nuk jemi të sigurt në se Umberto Eko, duke qenë mjeshtër i alegorisë, tallet e do të qeshet pak me ne të gjithë. Nuk jemi të sigurtë çfarë do të thotë Eko-ja në fund, por ndoshta alegorizmi i tij është një lojë me idenë e labirintit në vetvete. Të gjitha përpjekjet bëhen që Poetika e Aristotelit të mbetet e pazbuluar. Njeriut po t’i afrohet një zbulim, dalje e tillë, do të çlirohet nga frika, e çdo gjë do t’i duket një farse komike, veçse për të qeshur. Më mirë të digjet Biblioteka, le të mbetet Babeli enigmatik e i pazbuluar.

Një tjetër labirint intrigues sjell Kalvino me tregimin “Në se në një natë dimri një udhëtar”. Ai tregon eksperiencën e një lexuesi që lexon tregime të ndryshme njeri pas tjetrit. Bëhen shkak ngjarje të ndryshme që e shkëpusin atë nga leximi. Kur rinis leximin, tregimi është zëvendësuar me një tjetër. Kjo gjë përsëritet vazhdimisht pas çdo ndërprerje.

Ne mbetemi në mëdyshje. Çfarë ndodh është veçse një orvatje për  t’i dhëne përgjigje pyetjes fillestare e në vazhdim: Në se…? Kjo pyetje pas çdo ndërprerje i jep drejtime të ndryshme historive të Kalvinos, çfarë nxit kureshtjen apo ngurrimin tonë për të zbuluar më shumë në labirintin e Kalvinos, por edhe në labirintin tonë.

Duke lexuar secilin autor, mund te gjesh diçka nga labirinti i përsiatjeve të jetëve tona.

Nuk ka komente

  1. Një vështrim me të vërtetë krejt i veçantë. Meqenëse autorët që sillen këtu janë mjaft të ndryshëm në stil dhe sidomos në mjedisin ku vendosin ngjarjet e personazhet e tyre, pra dikush sjell një realitet të sajuar historik dhe dikush krijon një realitet virtual, kjo më kishte lejuar të shoh qartë faktin se të gjithë kërkojnë të njëjtën gjë. Ose afërsisht.
    E megjithatë « në situatë » më vendos vetëm njëri, ai më cerebrali, Kafka. Te të gjithë e ndjej se po lexoj një përsiatje për shpjegimin e diçkaje që nuk do ta mësojmë kurrë (por që nuk duam ta pranojmë se nuk ekziston Eko, gjithsesi është më optimist). E megjithatë ata mbesin tërheqës në atë masë që dëshirojmë ne, pra sa seriozisht investohemi ndaj tyre, me sa vëmendje i lexojmë dhe sa u besojmë.
    Vetëm Kafka është ai që nuk ka mirësjelljen të të pyesë nëse e merr seriozisht apo jo. Vetëm te ai ndjen një trysni të tillë ankthi sa përmbys diçka esenciale brenda teje : nuk thua sikundër në makthet e fëmijnisë, ah, sa të mbarojë kjo ëndërr dhe të kthehem në botën time, por : ah, sikur të ishte ëndërr ! Kërkon strehim te ëndrra, sepse vetëm aty gjithçka është e mundur, edhe vetë shpëtimi. Duket se në të vërtetë çdo kërkim mundet që të krijon iluzionin se të afron te dalja e labirintit, por në të vërtetë ai të fut në një krizë ekzistenciale…
    Sikur të na qe mësuar kështu letërsia në shkollë!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin