SENDE TË PEZULLTA

Kur shkrova për rruzaren e Nënë Terezës, përmenda forcën ose magnetizmin e sendeve të tilla, që pas gjase u vjen nga afërsia ose kontakti i drejtpërdrejtë me njerëz të jashtëzakonshëm.

E shkrova këtë i shtyrë nga një impuls i çastit, pa e vënë re se, teksa unë merresha me sendet personale të miat dhe të familjes, Shqiptarët po gatiteshin të festonte 28 nëntorin edhe duke adhuruar gjithfarë sendesh të ngjashme, si prova materiale të kombit.

Dhe nuk e kam fjalën vetëm për flamurin kuqezi e me shqiponjën dykrenare, i cili tashmë e ka të vështirë të jetë send, ose bëhet i tillë momentalisht, vetëm kur e djegin ose e varin kokëposhtë.

Pak ditë më parë sollën në Tiranë kopjen e vetme të “Mesharit” të Buzukut, në një kohë që pak më tutje, te një sallë e Muzeut Kombëtar, u ekspozuan armët dhe përkrenarja autentike e Skënderbeut.

Njëfarësoj, këto objekte ofruan një ngushëllim të qetë, përballë histerisë simbolike të ligjërimit politik.

Moikom Zeqoja shkroi për dukurinë, në një artikull me titullin “Sendet transcendentale”, botuar në MAPO.

Relike si këto marrin kuptim në kontekstin e historisë që ia kemi rrëfyer vetvetes; por pa to edhe vetë kjo histori nuk do të kish qenë e njëjta.

Adhurimi i sendeve, në çfarëdo niveli, i përket një të menduari magjik – madje edhe kur jemi të vetëdijshëm se çfarë jemi duke bërë.

Është po ai lloj të menduari që i ngjesh turistët pas shoqi-shoqit në Kapelën Sikstine, ose përballë Mona Lizës, në Louvre.

Kopje të sakta të armëve të Skënderbeut janë ekspozuar prej kohësh në muzetë tanë; çfarë u mungon, në raport me origjinalin, është pikërisht forca magjike, ose një karakteristikë në thelb irracionale, meqë varet nga paradijenia jonë për prejardhjen e objektit.

Edhe “Mesharin” e Buzukut e kanë transkriptuar, transliteruar dhe botuar në forma të ndryshme – të cilat i gjen në bibliotekat akademike, ku edhe e kanë vendin.

Përkundrazi, origjinali i atij libri kërkon një sistem sigurie ultramodern që të ekspozohet, njëlloj si në rastin e armëve të Gjergjit; sisteme që përndryshe i gjen në muzeumet dhe galeritë e artit.

Sigurinë e shtuar e kërkon vlera e këtyre objekteve – e cila lidhet drejtpërdrejt me unicitetin, ose pamundësinë e replikimit domethënës në rrafshin simbolik.

E megjithatë, afërsia e tyre konceptuale me veprat e artit është disi alarmante – sepse arti është krijim i artistit, ndërsa historia pritet, ose shpresohet, që të na ketë krijuar.

Midis adhurimit irracional të relikeve, që kufizon me supersticionin dhe shpërfilljen e tyre nga racionalisti, sendeve magjike të historisë u duhet të ruajnë, në çdo hap, një ekuilibër konceptual nga më të brishtët.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin