KUR RËNDOHET AJRI

… ose “Kilgore Trout ndërmjet Katovicës e Gylenistëve”

Shqiptarët kanë teoritë e tyre të konspiracionit për çfarë ngjet e ka ngjarë në Shqipëri: konspiracioni grek, bolshevik, jugosllavo-komunist e arumun, Katovica, kapjen e shtetit nga oligarkët, organizatat mafioze, nga kapitalistët globalë si Soros, nga UFO-t, masonët, hebrenjtë, islamikët, protestantët, e së fundmi ilir-metistët e ngjalistët. Tani gjithë këtyre, sikur të mos mjaftonte për 2.5 milionët e shqiptarëve, u shtohen edhe gylenistët.

Po bëhet pra ca si ngushtë për gjithë këta njerëz e gjithë këto shpjegime për një ngjarje. Nuk është çudi që disa të pajtojnë disa shpjegime njëherazi: p.sh. se reforma në drejtësi është stisur nga global-kapitalisti Soros nën udhëzimin e ndonjë marsiani që këshillohet nga komunistët vllehë, pjesëtarë të klubit të masonëve “Qeleshet vjollcë me bisht palloi” dhe të shitur tek Ilir Meta, anëtar i tarikatit e sektit okult të Vëllazërisë Skraparllie “Floriri”.

—-

Gjithkush besoj se dëshiron të identifikohet me diç më të madhe se ekzistenca e tij. Me një grup, komb, perandori, besim fetar apo ideologji. Por këto identitete shumë herë përplasen me njëri-tjetrin si te një individ, ashtu edhe ndër grupe e kombe. Këto identitete konfliktuale bëhen edhe shkak për mungesën e koherencës në arsyetimin e veprave tona dhe shpjegimin e dukurive sociale që na rrethojnë.

Shoqëritë perëndimore kanë arritur një kulturë politike të lakmuar për zgjidhjen e këtyre konflikteve. Ato kanë edhe instrumentet ligjore e sistemin e arsimit të përshtatshëm për t’i trajtuar këto probleme. E megjithatë jo pak herë këto konflikte dalin jashtë përmasave të pritshme, bëhen të dhunshme dhe rrezikojnë kohezionin social etj.

Në Shqipërinë post-totalitare pluralizmi i ideve dhe identiteteve përbën vazhdimisht shkak për konflikte. Brenda një partie apo lëvizje politike alternativat ndaj mendimit të kryetarit vërehen si shkarje apo lëvizje armiqësore. Në shoqërinë tonë këto konflikte mbarten e përcillen edhe më dhunshëm. Pasi përkatësia në njërin apo tjetrin grup apo ideologji është jo vetëm burim privilegjesh, por edhe garanci për mbijetesë.

Por sidoqoftë problemi më i madh, besoj unë, vjen kur këto konflikte kopjohen nga kontekste e kultura të tjera në shoqërinë shqiptare, si problematika dhe si zgjidhje. Siç është rasti i fundit me konfliktin në Turqi.

P.sh. Ermir Gjinishi, një ish-zyrtar i Komunitetit Mysliman përfaqëson një grup individësh që mendojnë se në Shqipëri ka një grup njerëzish, të cilët kanë marrë pushtet politik për qëllime të mbrapshta e jo nëpërmjet instrumenteve e kanaleve  ligjore.

Thotë Gjinishi:

Megjithёse bota e krimit dhe korrupsionit … duket pararoja … anti-perёndimore, nё prapavijë janё rreshtuar strukturat paralele tё Gylenit. Kjo pёrbёn rrezikun mё tё madh sepse tё gjitha fijet bashkohen nё njё dorё tё fshehtё qё i dirigjon. Sipas analistёve tё huaj, Shqipёria ёshtё vendi mё i prekur nga grupimi okult i Gylenit. Njerёzit e Gylenit, me valixhe nё duar, kanё thyer me kohё kangjellat e institucioneve tё shtetit dhe janё prezent nё PARLAMENT, PARTI POLITIKE, KLD, PROKURORI, GJYKATA, SHISH, MINISTRI, MEDIA, BIZNESE, OJF, RRJETE SOCIALE… etj.

Hiq pjesën e krimit dhe të korrupsionit, të shtuar besoj nga autori, këto janë akuza që janë bërë nga kryeministri turk Erdogan ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij të dikurshëm Gylen. Akuzat janë përforcuar pas puçit ushtarak, siç e ka vlerësuar qeveria turke veprimtarinë ushtarake në 15 korrik 2016, ku gjatë përplasjeve u vranë një numër i konsiderueshëm civilësh dhe ushtarakësh.

Kuptohet që Gjinishi nuk sjell asnjë fakt për pretendimet  e tij. Ndërsa një artikull i një portali i referohet një njoftimi sekret (!) të dërguar nga qeveria turke në Ministrinë e Brendshme në Shqipëri, sipas së cilës qenkan një grup i madh njerëzish anëtarë të kësaj organizate myslimane “okulte”. Përmendur janë madje edhe një ministër, D.B (ndoshta Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati), një gazetar i njohur M.K (ndoshta Mentor Kikia), e një karvan i gjatë inicialesh për ateistë, ortodoksë e katolikë me bagazhe të kobshme për “minimin” e shtetit shqiptar. Se qysh janë këta të lidhur, nëpërmjet asociimit me kolegjet turke në vend, apo nëpërmjet parasë, siç pretendojnë disa, askush nuk thotë gjë. Por kam idenë se është kryesisht për të parën, pasi kolegjet turke kanë edukuar një pjesë të fëmijëve të elitës politike e ekonomike në vend.

Sidoqoftë tani dimë vetëm që konfliktet e shoqërisë turke po shërbejnë për të shpjeguar sjelljen e disa aktorëve politikë e shoqëror në Shqipëri. Dhe ca më keq, po kërkohen literalisht “koka turku” për të përligjur orekse personale apo pakënaqësi.

Ndërmjet Katovicës e Gylenistëve, thellë-thellë jam edhe unë fajtor. E ndjej se duhet të dal haptazi përpara se të më akuzojnë të tjerët.

Unë jam poliagjent.

I mbrujtur me frymën komuniste që në djep, ja shita shpirtin amerikanëve të CIA-s kur zura një dashnore amerikane. Më pas shkova në Gjermani, ku njoha një Ba’ath-ist nga Iraku, spiunova Amerikën për të dhe Irakun tek Amerika. Me Amerikën jam lidhur përjetësisht; më kanë paguar shkollën.

BND-ja (Bundes Nachricht Dienst) më rekrutoi kur punoja pjatalarës, në të njëjtën kohë kur nëpërmjet një kolegu nga Sri Lanka u rekrutova nga shërbimet sekrete të Tigrave të Tamilit. Nuk i shpëtova vëmendjes së shërbimeve sekrete turke (MIT – Millî İstihbarat Teşkilatı) kur u përpoqa të zija një dashnore turke. Por ishte kadaifi me fëstëk që më bindi për të drejtën e çështjes së tyre.

Kam pasur një bashkëpunim të shkurtër me shërbimet italiane AISI përpara se kjo të themelohej. Një flirtim pasionant me një serbe bukuroshe u bë sebep për bashkëpunimin e pavullnetshëm me UDB-në e Jugosllavisë. Më mjaftuan 24 orë me një vietnameze që të punoja edhe pa shpërblim për shërbimet sekrete të Vietnamit (TCV). Dy javë në Angli dhe jam trajnuar në veprimtari subversive, mbledhje informacioni dhe fluturim me pras.

Në një varg konferencash jam pajtuar nga shërbimet sekrete si të nxirrja dorën në shi. Tre ditë dhe disa pjata pilaf me pulë në një hotel të klasit të parë më bindën se duhet të punoja për Drejtorinë e Përgjithshme të Inteligjencës së Arabisë Saudite (Ri’āsat Al-Istikhbārāt Al-‘Āmah). Nja dy ditë në Oslo, Bruksel, Kroaci, Bosnjë, Poloni e Çeki më gatitën për shërbimet sekrete përkatëse. Në Bruksel më rekrutuan me çokollata e ëmbëlsira. Me Malin e Zi u lidha për respekt të femrave të hatashme, ndërsa në Bosnjë kot për qejf. Të tjerat nuk i mbaj mend, por mjafton të shoh faturat.

Si të mos mjaftonte bashkëpunimi me shërbimet sekrete shtetërore, kam pasur lidhje të vazhdueshme me organizatat ekonomike, kriminale e okulte nëpër botë. Më mjaftuan dy orë bisedë me duar në itanjisht (unë italisht e ai spanjisht) me një salvadorian për t’u anëtarësuar pa ceremoninë e dajakut në bandën e MS-13 (Mara Salvatrucha); isha në Atlanta, Georgia, duke pritur avionin. Kur dashnorja amerikane doli që ishte me origjinë meksikane, automatikisht u pajtova nga karteli i Gjirit. Kam qenë në lozhën e Scottish Rite Temple në Oklahoma për disa çaste, ndërsa në Itali kam ndenjur me orë në bibliotekën e një farë Gladio dhe prej vitesh jam agjent i urdhrit të murgeshave “Salesiane dei Sacri Cuori”.

Edhe këtë rrëfim po e shkruaj si përfaqësues i Kilgore Trout. Pres të kontaktohem nga tenisja Anna Kournikova për t’i shërbyer me besnikëri FSB-së së Moskës dhe hirësisë së tij Putin.

1 Koment

  1. Gjinishi per mua ka thene nje gje edhe me te madhe: atij i rezulton qe konstatimi henor i Ramazonit nga kleri (i sanksionuar nga qeveria) behet gabim

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: