SHQIPJA TOTALITARE (XVIII)

Për nga mënyra si funksionojnë në ligjërim, shumë përemra u ngjajnë xholave në letrat e bixhozit; meqë marrin atë vlerë të cilën dëshiron t’ua japë folësi. Për këtë arsye, përemrat mund të përfytyrohen si ato elemente të ligjërimit të cilat punojnë më shumë e më mirë për llogari të folësit.

Totalitarizmi nuk kish ç’t’u bënte përemrave të shqipes, përveçse të kërkonte e të impononte reduktimin e përdorimit publik të përemrit vetor unë, në emër të luftës kundër individualizmit, egoizmit mikroborgjez, egocentrizmit, shkëputjes nga masat punonjëse, vetëkënaqësisë, mbivlerësimit të vetes, elitizmit, intelektualizmit dhe protagonizmit të tepruar.

Çka ligjërimi totalitar arriti, megjithatë, ishte përemërzimi i disa fjalëve jopëremërore të gjuhës, të cilat erdhën duke u zbrazur nga kuptimi i tyre leksikor, për të marrë një vlerë përdorimi që përkonte me interesat gjuhësore dhe jashtëgjuhësore të autoritetit ligjërimor.

Kjo dukuri mund të ilustrohet me fatet e emrit kolektiv popull dhe mbiemrit relativ popullor të prejardhur prej atij emri.

Zakonisht, në fjalorë, fjala popull përkufizohet leksikisht si “tërësia e banorëve të një vendi ose krahine që dallohen nga gjuha, historia dhe zakonet e traditat e tyre; tërësia e qytetarëve të një shteti.”

Për klikën totalitare, populli përfaqësonte bazën materiale të pushtetit; edhe pse ideologët e regjimit kurrë nuk arritën ta largojnë ambiguitetin në interpretimin e dallimeve kuptimore midis nocioneve popull, masa punonjëse dhe klasë punëtore. Për shembull, nëse diktatura ishte e proletariatit, atëherë pse ishte shteti demokraci popullore dhe pse ndiqte Partia vijën e masave?

Këto enigma i mori me vete Enver Hoxha në varr.

Megjithatë, nga tre nocionet e mësipërme, popull ishte ai që u përshtatej më shumë instinkteve populiste të krerëve totalitarë, vullnetit të tyre për t’u mbështetur në shtresat më të ulëta e të varfra të shoqërisë shqiptare; si dhe për të shfrytëzuar pakënaqësinë e këtyre shtresave ndaj pronarëve, bejlerëve dhe agallarëve, çifligarëve, kulakëve, tregtarëve “të pasur”, borgjezëve, intelektualëve, nëpunësve të shtetit dhe të gjithë atyre që mund të quheshin elitë e Shqipërisë, para vitit 1944.

Kësisoj populli ishte baza shoqërore e shkatërrimit të rendit të vjetër, ose çrrënjosjes së shoqërisë tradicionale në Shqipëri.

Sipas kontekstit, termi popull përdorej rëndom si emërtim zëvendësues dhe politikisht neutral për klasën punëtore, shtresat e varfra, vegjëlinë (harbutërinë), miletin, kallaballëkun, publikun, masat e gjëra, ata që kishin bërë shkollën e jetës, shtresat e paprivilegjiuara, turmën, komunitetin, shoqërinë, shqiptarët si komb. Merret vesh se vlera e një etikete të tillë kaq përgjithësuese ka të bëjë vetëm e vetëm me çka përjashtohet nga ekstensioni i konceptit, ose çfarë mbetet jashtë; në rastin konkret çfarë nuk është “popull”.

Armiqtë e klasës (ose të popullit) ishin shtresa kryesore ndër të përjashtuarit; por me kalimin e kohës dhe homogjenizimin e shoqërisë totalitare, populli erdhi duke iu kundërvënë, gjithnjë e më hapur, intelektualëve, ose të gjithë atyre që kërkonin të ruanin njëfarë individualiteti e që kishin investuar diçka më shumë për të kultivuar vetveten, të kapur midis Skilës së pushtetit të dhunshëm e policor dhe Kharibdit të përbuzjes plebease, “nga poshtë”.

Vetë udhëheqësit komunistë ishin detyrimisht bij të popullit, dhe i ruanin lidhjet me popullin (kryesisht duke ngrënë mishra e pirë raki fshatrave); edhe dhuna totalitare ushtrohej gjithnjë në emër të popullit. Sikurse e konfirmonin me mijëra mbishkrime në mijëra fasada ndërtesash, mure rrethuese e pllakate festive, “ç’thotë partia bën populli, ç’don populli bën Partia”, dhe uniteti Parti-popull ishte një nga synimet madhore të veprimtarisë politike propagandistike.

Në fjalimet dhe në tekstet solemne të ligjëratave publike, fjala popull shpesh shoqërohej nga një mbiemër pronor: “populli ynë”. Statusi i këtij pronori, brenda togfjalëshit, meriton vëmendje; meqë edhe një provë e thjeshtë përkëmbyese na vë përpara shprehjesh që nuk i pranojmë dot menjëherë si normale: populli im, populli yt, populli i tij/i saj, populli juaj, populli i tyre. Në praktikë, shprehja “populli ynë” përdorej me kuptimin “ne”, ose thjesht e në varësi nga autoriteti i folësit, “unë”:

Populli ynë asnjëherë nuk i është nënshtruar të huajit

Populli ynë punëtor/ fisnik/ heroik/ liridashës/ i pamposhtur/ i pathyeshëm/ i paepur

Nëpërmjet një elipsi të thjeshtë, me kohë mbiemri pronor u vyshk e ra krejt nga ligjërimi, për ta lënë vetëm fjalën populli, tanimë të shndërruar në super-përemër, ose armë shkatërruese në duart e ligjëruesit totalitar:

Populli nuk harron/ nuk fal.

Populli u ngrit në këmbë si një trup i vetëm.

T’ia lëmë popullit të vendosë.

Si të dëshirojë populli.

Armik i popullit.

Le ta gjykojë populli.

Populli kërkon më shumë shkolla.

Çfarë do t’i themi popullit?

Jemi shërbëtorë të popullit.

Nga gjiri i popullit.

Populli në pushtet/populli në fuqi.

Për popullin, me popullin.

Ç’je ti, që të dalësh kundra vullnetit të popullit?

Jep llogari përpara popullit.

Populli thotë…/e thotë një fjalë…

Letra nga populli. Pritje e popullit.

Popull ushtar.

Hapja kuptimore totale do t’i jepte fjalës popull mundësinë për të marrë kuptime nga më të larmishmet: duke shenjuar herë masën e pakënaqur nga kuadrot drejtuese, burokratët, teknokratët e mehmurët (mashtronin popullin me fjalë të bukura); herë të gjithë ata që nuk mund të luanin rol në jetën publike përveçse duke brohoritur udhëheqjen e duke kënduar labçe (gju më gju me popullin); herë njerëzit e thjeshtë, pa pretendime, të pastërholluar, me këmbë në tokë, të mësuar me pak, me bukë e me qepë (takimi i shokut Enver me popullin e Gjirokastrës); herë depozitarin e traditës kombëtare, ose të kujtesës kolektive (populli ynë me kulturë të lashtë); herë subjektin e historisë (Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë); herë recipientin e “dhuratave” të Partisë (Partia i dhuroi popullit një hidrovor të ri); herë subjektin e emocioneve publike (populli vuan për bukë, populli gëzon, populli feston); herë vendin gjeometrik të anonimitetit, ose të zhdukjes objektive të individualitetit (qarkullon fjala në popull); herë objektin e padrejtësive, keqtrajtimit, shfrytëzimit klasor dhe nëpërkëmbjes së borgjezisë ndërkombëtare, revizionistëve modernë dhe lakejve të tyre, në botë dhe në Shqipëri (i pinin gjakun popullit/e rropën popullin fukara. S’i ha populli ato!); herë triumfin statistikor të arbitraritetit, ose një instrument anonimizues (ashtu e ka vendosur populli); e herë të tjera alibinë perfekte të autokratit (populli e tha fjalën e vet).

Edhe pas vitit 1990, megjithë transformimet e mëdha në institucionet dhe në kulturën politike, fjala “popull” ka ndërruar kuptim, por jo funksion retorik; denotacion, por jo konotacion, duke mbetur flamur i përligjjes të subjektivizmit të atyre në pushtet, ose i fshehjes së interesave të grupeve elitare, e duke u paraqitur si perëndi pagane mbrojtëse e idiotizmit statistikor dhe e vulgaritetit të institucioneve përfaqësimtare ekzistuese…

Dihet edhe se totalitarizmi e përfytyronte veten si demokraci “popullore”, një pleonazmë që tradhtonte indiferencën e atij regjimi ndaj logjikës – meqë demokracia, ndryshe nga monarkia ose edhe republika, nuk ka si të mos jetë popullore. Megjithatë, sa më shumë që pushteti totalitar përqendrohej në një grusht elitash tepër të përzgjedhura e që u kishin mbijetuar spastrimeve, aq më shumë theksohej natyra “popullore” e atij pushteti.

Në të vërtetë Shqipëria s’kish pasur kurrë traditë të ndonjë lëvizjeje punëtore, as ishte fjala proletar, emër e si mbiemër, e njohur për shumicën e shqipfolësve. Lufta Nacional-Çlirimtare ishte paraqitur si luftë e gjithë popullit kundër okupatorit dhe tradhtarëve, dhe PKSH-ja kish ndenjur praktikisht në ilegalitet deri në vitin 1948; në një kohë që punëtorët ose proletarët e paktë të mbretërisë zogiste nuk kishin luajtur ndonjë rol social gjatë asaj kohe, as patën ndonjë peshë gjatë rezistencës antifashiste, pavarësisht nga legjendat për tipografët, furrxhinjtë, shaptilografistët e teneqexhinjtë, krijuar e pompuar më pas nga kalemxhinjtë e regjimit. Grupet komuniste, nga ana e tyre, ishin grupe të vogla e të mbyllura, të palidhura organikisht me ata pak punëtorë që kishte Shqipëria. Prandaj PKSH-ja nuk mund të ishte parti proletare, edhe pse teoria ia kërkonte të luftonte, sado fshehurazi, për revolucionin proletar, e për të vendosur diktaturën e proletariatit. Kokëçarjet semantike dhe konceptuale erdhën e u rënduan pas vitit 1945 e sidomos pas vitit 1948, kur PKSH-ja u ripagëzua PPSH, ose Partia e Punës, çka i referohej njëfarësoj klasës punëtore, por jo ekskluzivisht, meqë punë bëhej edhe në fshat, edhe kudo tjetër.

Aq më tepër që, me “shoqërizimin e mjeteve të prodhimit”, proletariati në Shqipëri pushoi së ekzistuari, edhe teorikisht, për t’u shndërruar në klasë punëtore. Fjalori i Shqipes së Sotme (1984) e përkufizonte proletarin si “punëtor me mëditje në shoqërinë kapitaliste, i cili nuk ka asnjë mjet prodhimi dhe është i detyruar t’i shesë kapitalistit fuqinë e krahut për të mos vdekur nga uria.” Nga ana tjetër, momenti kur proletariati (imagjinar) shqiptar mori në zotërim mjetet e prodhimit dhe u shndërrua në klasë punëtore koincidoi me momentin tjetër kur në Shqipëri u vendos diktatura e proletariatit, në të cilën “pushteti buronte nga populli dhe i takonte popullit”. Nga ky labirint semantik nuk mund të dilej lehtë, prandaj në shqipen publike proletariati vijoi të shenjonte një klasë gjysmë mitike, e cila jetonte diku përtej, dhe përgatitej për të kryer revolucionin proletar, çka ishte edhe “misioni i saj historik”; në një kohë që në Shqipëri nuk kishte më proletariat, por vetëm diktaturë të proletariatit.

Vetë udhëheqja totalitare nuk kishte ndonjë lidhje historike me klasën punëtore, as me lëvizjen punëtore e në përgjithësi sindikaliste; krerët komunistë të dalë nga Lufta ishin me origjinë ose nga shtresa e mesme qytetare (nëpunës, zanatçinj), ose fshatare të pasur. Në gojë të tyre fjala proletariat e ruante gjithnjë një tingëllim teorik, marksist e shkollaresk, si të ishte fjala për ndonjë kategori teologjike abstrakte, të nevojshme për doktrinën, por jo veprimtarinë e përditshme, praktike. Prandaj Enver Hoxha, dhe të tjerët, do të ndiheshin më mirë me terma të tillë si masat punonjëse, masat e gjera dhe populli ynë, të cilat i referoheshin drejtpërdrejt publikut të gjerë, pa qenë nevoja për ndonjë ndërmjetësim teorik çfarëdo. Në vitet tetëdhjetë që ishin edhe vite të mbijetesës së dëshpëruar e kur regjimi totalitaritar u kombëtarizua fund e krye, edhe referimet ndaj klasës punëtore erdhën duke u rralluar, në mos mënjanuar krejt; në një kohë që vepra të tilla të shumëlexuara si “Imperializmi dhe revolucioni”, ose “Eurokomunizmi është antikomunizëm” tingëllonin si psalme okulte të një liturgjie sa të domosdoshme, aq edhe okulte, por gjithsesi pa kurrfarë lidhjeje me të përditshmen; përçartje të një profeti që, çdo ditë e më tepër, e shihte veten protagonist absurd të një të ardhmeje të cilën nuk e kishte parashikuar dot.

Vetë historia e totalitarizmit shqiptar mund të përfytyrohet si histori e kalimit involutiv nga proletarja populloren.

Në thelb, një regjim si ai i Enver Hoxhës ishte përnjimend popullor, sa kohë që pushteti absolut i diktatorit dhe sundimi i tij ndaj popullit nuk ndërmjetësohej nga kurrfarë strukture ose institucioni.

Brenda një togfjalëshi si pushteti popullor, aq tipik për ligjërimin publik, mbiemri kishte kuptimin që pushteti buronte nga populli dhe i përkiste popullit; çka ia përligjte kuptimin, edhe pse jo doemos vërtetësinë. Nga ana tjetër, Kuvendi Popullor ishte institucion me përfaqësues të zgjedhur “nga populli”, prandaj edhe në atë rast mbiemri përdorej pak a shumë në mënyrë të arsyeshme. Kjo vlen edhe për instanca të tjera të tipit këshillat popullore, muzikë popullore, kryengritje popullore, kostume popullore, manifestim popullor, urtësi popullore, mjekësi popullore e kështu me radhë.

Përemërzimi i këtij mbiemri vjen e shfaqet në disa përdorime të tjera, të ngjashme me të parat: çfarë ishte policia popullore? Po mbrojtja popullore, ushtria popullore dhe gjykata popullore? Po hakmarrja popullore? Në origjinë, këto emërtime duhej t’i referoheshin karakterit “popullor” të shtetit dhe të institucioneve shtetërore; por me kohë mbiemri erdhi duke e humbur, si të thuash, shkëlqimin, e duke u katandisur në një etiketë të zbërdhylur përkatësie; meqë përdoruesit do t’ia perceptonin vetëm vlerën e përdorimit, ose aftësinë për ta cilësuar diçka si “tonën”, por jo më kuptimin. Që këtej emërtime të tjera në thelb absurde, të tilla si shkenca popullore, sporti popullor, shtypi popullor etj.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin