SONDAZHE NGELËSE

Është bërë e modës që faqet online të mediave të Tiranës dhe të diasporës të botojnë herë pas here ndonjë anketë ose sondazh me natyrë politike, sa për qejf ose për ta dëfryer lexuesin.

Nuk merret vesh se kush i harton këto sondazhe, por një analizë e shpejtë e disave prej tyre tregon se autorët nuk tregojnë shumë respekt për opinionin publik, të cilin më tepër se ta vjelin, duan ta futin me forcë në llogore të gërmuara paraprakisht, nëpërmjet kornizimit.

Sondazhet, siç do të shohim në vijim, janë haptazi manipuluese.

Sondazhi i BalkanWeb

Çfarë është për ju dita e 1 Majit?

  • Ditë për të protestuar për të drejtat e punëtorëve?
  • Ditë për të festuar e për të marrë pjesë në koncerte?

Vëreni manipulimin në opsionet e përgjigjeve: e para – “ditë për të protestuar për të drejtat e punëtorëve” i kundërvihet të dytës – “ditë për të festuar e për të marrë pjesë në koncerte” sipas një kornizimi etik; dilema e fshehur do të tingëllonte pak a shumë kështu: si mund të festosh, në një kohë që të drejtat e punëtorëve vijojnë të shkelen? Në fakt, vetë formulimi i opsionit të parë si “ditë për të protestuar për të drejtat e punëtorëve” nënkupton që të drejtat e punëtorëve po shkelen – përndryshe pse të protestosh? Që këtej opsioni i dytë diskreditohet etikisht vetvetiu; sepse kur të drejtat e punëtorëve shkelen e nëpërkëmben, nuk është momenti për të hedhur valle. Ballafaqimi etik, në këtë rast, modelohet sipas fabulës së njohur të milingonës dhe të gjinkallës, e cila këtu përkthehet në kontrastin midis djersës së fukarait dhe argalisjes së parazitit.

Nota ime (nga 0-10): dysh.

Sondazhi i KOHA JONË

A duhet rindërtuar sheshi “Skënderbej” pa u rregulluar më parë trafiku rrugor?

Po        Jo

Ky sondazh përmban një të ashtuquajtur loaded question; pyetja presupozon se dikush, një palë politike ose një forcë në pushtet kërkon të rindërtojë sheshin pa rregulluar më parë trafikun rrugor; çka njëkohësisht nënkupton se rregullimi i trafiku rrugor ka përparësi ndaj rindërtimit të sheshit. Të vërehet edhe paraqitja e këtyre dy çështjeve – rindërtimi i sheshit dhe trafiku rrugor – si doemos të bashkëlidhura. Më në fund, të vërehet edhe që Tirana nuk përmendet fare në pyetje, thuase faqen online të gazetës “Koha Jonë” e lexojnë vetëm tiranasit.

Nota ime: dysh.

Sondazhi i KORRIERI-t

A do të hiqen vizat me Shqipërinë?

Po        Jo         Nuk e di

Ky sondazh tingëllon si neutral nga pikëpamja politike, por është në të vërtetë pa kuptim, sepse u kërkon lexuesve opinion për një vendim që do të merret tjetërkund dhe sipas kriteresh të cilat lexuesi i Korrieri-t nuk i njeh.

Nota ime: katër.

Sondazhi i TEMA-s

Është hera e tretë që jepet një datë dhe një premtim nga qeveria për liberalizimin e vizave. A besoni se këtë herë do të liberalizohen vërtet?

Po        Jo         Nuk e di

Edhe këtu lexuesit i drejtohet një loaded question; ‘është hera e tretë që…’ nënkupton se dy herët e para kanë dalë huq, atëherë çfarë na bën të shpresojmë se nuk do të dalë huq edhe kjo e tanishmja? Përsëri, në pyetje thuhet se data dhe premtimi për liberalizimin e vizave vijnë nga qeveria – edhe pse vendimin për këtë nuk do ta marrë, as mund ta marrë qeveria.

Nota ime: tresh.

Sondazhi i TOP CHANNEL

Pas vlerësimit të Komisionit Europian për plotësimin e kritereve të udhërrëfyesit nga Shqipëria dhe Bosnja, kur mendoni të ndodhë liberalizimi i vizave:

  • Brenda verës
  • Në vjeshtë
  • Në janar 2011

Pyetja i referohet drejtpërdrejt ‘vlerësimit të Komisionit Europian për plotësimin e kritereve të udhërrëfyesit’, i cili e penalizon disi Shqipërinë, në krahasim me Bosnjën. Që këtej, për lexuesin e informuar, pyetja është lehtësisht manipuluese drejt opsionit të tretë, ose vonimit të liberalizimit. Po ashtu, në përgjigje nuk u lihet hapësirë atyre lexuesve të cilët mund të mendojnë se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë në asnjë nga afatet e përmendura; sikurse atyre lexuesve të tjerë, të cilët nuk kanë opinion për këtë çështje.

Nota ime: tresh.

Sondazhi i faqes 24-orë.com:

Këmbëngulja e Berishës për të mos hapur kutitë tregon:

  • Frikën nga dalja në dritë e falsifikimit të rezultatit të zgjedhjeve
  • Respektin ndaj vendimit të Gjykatës dhe Shtetit Ligjor

Edhe këtu, pyetja është manipulative, por opsionet e përgjigjeve janë më objektive. Unë do të radhitja në krye opsionin 2, meqë ky është paraqitur si arsye nga Berisha vetë; por kjo e radhitjes është çështje minore. Të vërehet edhe mungesa e një opsioni të tretë, për ata lexues që mendojnë se këmbëngulja e Berishës ka arsye të tjera nga ato të dyja që përmenden; ose krijimi i një dikotomie të rreme.

Nota ime: katër.

Sondazhi i gazetës START:

Ç´do të bëni në fundjavë?

  • do të protestoj me opozitën
  • do të festoj me mazhorancën
  • do t’i injoroj të dyja

Ky sondazh është i thjeshtë; por në tërësinë e vet nënkupton se lexuesi i gazetës është fund e krye i politizuar dhe i përfshirë në kundërvëniet politike të cilat do të përvijohen në fundjavë. Mungon një opsion për lexuesin që nuk mendon se përplasjet politike mund t’ia ndryshojnë planet.

Nota ime: pesë.

Sondazhi i GAZETA KRITIKA

A mendoni se e majta do të shpërbëhet:

  • Jo
  • Po – Nëse f[i]ton Rama tek PS
  • Jo – Nëse kthehet Nano tek PS
  • E majta është shpërbërë tashmë

Ky sondazh është formuluar keq, madje edhe thjesht nga pikëpamja teknike. Përgjigjja PO kushtëzohet me mundësinë e fitores së Ramës në PS (teksti origjinal thotë ‘fton’, por unë besoj se ky është gabim shtypi); përgjigjja JO, me mundësinë që Nano të kthehet në PS. Duket sikur sondazhi nuk i kërkon mendim lexuesit, por vetëm i njofton se Rama në krye të PS-së mund të çojë në shpërbërjen e kësaj partie, ndërsa kthimi i Nanos mund të kundërshtojë këtë prirje.

Nota ime: njësh.

Sondazhi i TIRANA OBSERVER:

Kryetari i Partisë Socialiste ka ndryshuar strategjinë e opozitës, ai ka lajmëruar protesta popullore për rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Do t’ia arrijë opozita qëllimit të saj?

Po        Jo         Nuk më intereson

Ky sondazh është formuluar mirë; pyetja për lexuesin paraprihet nga një përshkrim i shkurtër i çështjes për të cilën po flitet dhe opsionet e përgjigjeve janë të mjaftueshme. E vetmja vërejtje ka të bëjë me faktin që ndryshimi i strategjisë së opozitës i atribuohet drejtpërdrejt Ramës, në një kohë që kjo bëhet me vendim të kryesisë së PS-së, edhe pse rolin parësor të kryetarit të Partisë nuk e vë kush në diskutim. Pra, më tepër çështje formaliteti, sesa substance.

Nota ime: tetë.

Në vija të përgjithshme, do të shtoja se sondazhet e faqeve shqiptare online jo vetëm formulohen në mënyrë joprofesionale madje të papërgjegjshme, por edhe abuzojnë me lexuesin, sa kohë që ia shtrojnë çështjet të manipuluara dhe nuk i japin opsionet e nevojshme për t’u përgjigjur; por edhe e sidomos, ngaqë e marrin të mirëqenë se dasitë politike janë përcaktuese jo vetëm për luftën për pushtet që zhvillohet në Tiranë, por edhe në jetën e përditshme të gjithkujt që interesohet për çështje publike në Shqipëri.

Nuk ka komente

  1. Bull’s eye. Më kanë bërë përshtypje edhe mua këto sondazhet tepër sugjestionuese, që nuk i shoh të jenë gjë tjetër veç vegla manipuluese në dorën e atyre që i kryejnë.

    Kryesisht, këto sondazhe, bëhen për të publikuar dhe aprovuar “vijën politike” të forcave që mbështesin. Një prej opcioneve, është ai i sugjestionuar si “i duhuri”, dhe në më të shumtën e rasteve, përfshin një deklaratë, apo pohim të thjeshtë për vijën e partisë. Kështu bëhet e lehtë ndër mbështetësit e kësaj apo asaj partie përvetësimi i linjës partiake nëpërmjet postulatit: përsëritja është mëma e dijes.

    Sondazhi ka efekt të shumëanshëm, solidarizon mbështetësit, u jep atyre backup-in e duhur (nëpërmjet numrit të madh të votuesve), dhe u mëson këtyre fraza të drunjta me të cilat do të mbrohen përballë sulmit të forcës kundërshtare.

    Por fenomeni nuk është i kufizuar vetëm në sondazhet online, shkon më tej. Kështu do përmendja psh emisionet televizive me lidhje të drejtpërdrejta telefonike mes shikuesve, ku përsëri shtrohet një temë për debat dhe përsëri është e paracaktuar linja editoriale sesi duhet shikuesit të trajtojnë temën.

    Në këto situata tani ndodh që një pjesë e shikuesve bien dakort dhe riprodhojnë linjën politike të tv ku marrin pjesë si telefonues, duke e përforcuar këtë.

    Por më interesante është reagimi i drejtuesit të emisionit ndaj asaj pjese që: nuk bien dakort me linjën editoriale të tv-së dhe atyre që “e teprojnë” kur flasin për kundërshtarin.

    Në këto dy raste, prezantuesi i shpjetë dhe i saktë, mbyll linjën e telefonit, pastaj përfiton nga rasti për të diskretituar mendimin e telefonuesit, duke i bërë apel moralit, sjelljes civile, apo thjesht frazave shabllon sipas premisave të të cilave është ndërtuar dhe funksionon emisioni.

    Dy emisione të tilla, interesante për tu vëzhguar, njëri është te Shijak Tv dhe tjetri te Nesër Tv nëse nuk jam i gabuar.

    Por rasti më flagrant i kohëve të fundit që kam vënë re, ka qënë në emisionin “Opinion” nga Blendi Fevziu. Një emision në javën e parë të Prillit sivjet, ku flitej për pushtimin italian dhe rolin e ish mbretit Zog në të. Pyetja e ofruar nga Fevziu ishte kjo: A kishte mundësi mbreti Zog të bënte rezistencë?

    Si të mos mjaftonte pyetja “loaded”, Fevziu vetë sugjestiononte se mbreti Zog nuk mund të bënte rezistencë për kushtet në të cilat ndodhej Shqipëria, forca e madhe ushtarake e italianëve etj etj etj.

    Më pas si prestigjator i mirë i fjalës dhe kontrollues i panelit të moderatorit, nxiste debat për këtë pikë. Por për fat të mirë, vura re që shumica e të ftuarve refuzonin të debatonin këtë çështje në prizmin e ngushtë të ofruar prej pyetjes. Ata e zgjeronin gjykimin mbi shkaqet dhe pasojat pse u arrit në atë gjendje duke sjellë një gjykim më të plotë.

    Gjithsesi, ajo sjellje, më bëri shumë përshtypje. A thua se rezultati i debatit ishte vendosur që në tavolinë, përpara se të fillonte emisioni, dhe show i ofruar prej tv-së ishte thjesht një shfaqje teatrale, pa kuptim. Ngjante si në ato filmat që çdokush ua di fundin.

  2. Nuk ka lidhje me manipulimin po shikoni pak sondazhin e gazetes Standard:

    A jeni kundër apo e mbështetni grevën e urisë?
    – Po
    – Jo
    – Nuk e di

    Pervec pergjigje “Nuk e di” dy te tjerat nuk jane pergjigje llogjike te pyetjes, e cila eshte ndertuar ne menyre te tille qe i perfshin te dy pozicionet dhe nuk mund te kenaqet me nje “Po” ose “Jo”.

  3. *
    Kjo që ke bërë këtu është sondazh, i kryer jo me pyetsorë e intervista por me vëzhgim.
    Përfundimi i hidhur, por edhe i ditur, është i tillë, në shoqëri të manipuluara (sipas Lubonjës) sondazhet manipulohen (sipas Xha Xhait).
    Parë kështu, duhet të shohim hartuesit e sondazheve si ngelës ndërsa sondazhet si kalues, sepse sido që të jenë ata e arrijnë qëllimin. Paragrafin më lart thashë të fundit, tani po them të parën: nga gjuhëtarët kemi rregullin e treshit – njështit, dyshtit, treshtit, katëria, apo ndryshe një, dy, – tre janë turmë.
    Pa hyrë këtij shtegu, duke pranuar sa ke shkruar, nuk mund të mos nxjerrim se: nga sondazhe të manipuluara, nxirren përfundime të drejta; sondazhe ngelëse, përfundime kaluese, – paradoksale!? por ky shembull e provon.
    **
    Duke shmangur paragjykimin se sondazhet bëhen për qejf, shmangjen që bëjnë hartuesit se sondazhet s’kanë vlera statistikore etj, po shkoj drejt e tek një përgjigje e mundëshme pse bëhen sondazhe të tilla VETËM online (me sa di nuk gjenden nëpër gazeta – përveç njeriut të viti që bën T.O.).
    Sepse, rritet në mënyrë të dukshme renditja e faqeve më të kërkuara në motorët e kërkimit si puna e Google-s. Provoni në një kompjuter të “painfektuar” nga kërkimet tuaja për shtypit shqiptar, duke shkruar gazeta e prisni sugjerimet e kërkuesit. Besoj se “balkanweb” ju del para “shekullit”. Sekretet e algoritmeve të kërkuesve nuk dihen, por duke krahasuar këto dy faqe, gjejmë se balkanwebi renditet i 7-i në Shqipëri (mbas facebook, google, dhe e-mail dhënësve) ndërsa shekulli i 19-i. Kjo ndodh kur të dy faqet kanë të njëjtin orientim politik, ofrojnë video e fotogaleri krahas lajmeve të shkruara, e ç’është më e rëndësishme kanë thuajse të njëjtin Numur Unik vizitorësh, rreth 10.000. Atëhere si ndodh që balkanweb klikohet Dyfishin e herëve që klikohet shekulli? Një arsye është ndryshimi midis veprimit që bën lexuesi nga votuesi në sondazh. Lexuesi mbas mbarimit të leximit ka mbaruar punë, votuesit i duhet rikthimi për të parë se si mendimi i tij përputhet me të të tjerëve, votuesi rikthehet të shohë rezultatet. Ai klikon të paktën një herë më tepër e harxhon kohë më të madhe në faqe. Të gjitha këto, ashtu si dhe shpejtësia e hapjes së faqes, lidhjet etj, ndikojnë që faqja të dalë në krye të renditjes, por ndërsa përmirësimi i teknologjisë kërkon para për hard-soft-njerëz, ngjitja në renditje me pjesëmarrjen e klikuesve është falas.
    E kush nuk do të donte të kishte faqen e tij Nr.1 në renditje? E si mund ta ndalësh entuziazmin e të tillëve që jo vetëm të mos hartojnë gjithfarë sondazhesh on-line, por të mos u kërkojnë lexuesve/klikuesve të sugjerojnë sondazhe?
    Vënia e notave, pavarsisht se nuk na jepet “sa” do marrë “sa”, është si puna e kartonave në futboll që nuk e ndalojnë dot lojën e rëndë. Nëse do të ketë, i bashkohem thirrjes për “Fair Play”, për të shmangur të metat e vërejtura e për të vënë piketa profesionalisht të detyrueshme nëpërmjet të cilave sondazhi on-line, si mjet i thjeshtë për të vjelë mendimin e publikut, të përparojë.
    ***
    mos harroj ç’sjell Lizandër Saraçi tek gazeta Shqip:
    Rezultati i sondazhit ishte sipas Ramës 65% që e pëlqenin projektin dhe 35% që nuk e pëlqenin. Vlen të theksohet se këtu Rama luan rolin e nxënësit që kërkon t’ia kalojë edhe profesorit të tij, Berisha. Në fakt, deri më sot, Berisha nuk ka organizuar ndonjëherë auto-sondazhe pëlqyeshmërie. E shumta ka paguar ndonjë kompani që rezultati të dalë siç e do ai. Kurse Rama i bën të tëra vetë. 
Por më shqetësuesja në këtë auto-sondazh, ishte pjesa e dytë. Sipas Ramës, 95% e të anketuarve ishin shprehur që donin që projekti i lyerjes së fasadave të vazhdonte. Pra 30% e njerëzve, dhe ai e theksoi këtë, donin që diçka që nuk u pëlqente të vazhdonte. Kjo krijoi ilaritet në sallë e shumë prej të pranishmëve filluan të qeshin duke dëgjuar një paradoks të tillë. Po të isha francez, apo njeri që s’më interesonte shumë imazhi i shqiptarëve, ndoshta do kisha qeshur edhe unë.

    1. Që sondazhet ia shtojnë kliket një faqeje, kjo nuk ka lidhje me çfarë them unë; sepse nuk është provuar gjëkundi që sondazhet e hartuara në mënyrë kompetente tërheqin më pak lexues sesa këto të tjerat, të hartuara nga gjysmakë.

      Sa për sondazhin të cilit i referohet Rama dhe që e përqesh Saraçi, unë kam përshtypjen se ky i dyti është zbavitur me një keqkuptim – të vetin. Rama thotë se mes atyre 65% që e pëlqenin projektin, 95% donin që projekti të vazhdonte; dhe këtu unë nuk gjej ndonjë gabim – as aritmetik, as logjik.

      1. Xha Xhai, une krahasoj nje faqe qe ka sondazhe me nje faqe qe nuk ka sondazhe, dhe jo nje faqe qe ka sondazhe te bera nga gjysmake me nje faqe qe ka sondazhe te bera nga kompetente. Kete e bej duke treguar se sondazhet behen edhe per tjeter qellim e ja arrijne qellimit. Cdo klik llogaritet; pse nusja i ben gjithmone kulacet e shtrember? Sepse vetem ajo ben kulace.
        Sa per punen e te provuarit, po sjell per shembull, sondazhin e bere nga nje nga themeluesit e psikologjise moderne G.Th. Fechner, i cili pyeti 11842 vizitoret e galerise se Dresdenit te krahasonin bukurine e Darmstadt Madonna dhe Dresden Madonna. Pyetjes ju pergjigjen vetem 113 vete, kryesisht kritike e njohes arti.
        Ndryshe nga Saraci nuk e gjej Ramen jashte loje kur flet per eksperimente estetike (sondazhi), dhe as degjuesin francez qe mund te dije plot raste te ngjashme. Mbase ata qeshin se u konfirmohet edhe nga koleget shqiptare se vetem 65% e vizitoreve dalin te kenaqur nga galerite kur 95% e vizitoreve duan te kene nje veper arti ne shtepi.
        Ndryshe nga ju nuk e gjej Saracin as te genjeje as te zbavitetet me nje keqkuptim.
        Rama thote ato qe na thote Saraci se i thote: se ndersa vetem 65% e pelqejne projektin (e deri atehershem) 95% (e 100% ) duan qe projekti te vazhdoje. Edhe ne kete rast s’ka asnje lloj gabimi. Ky 30% qe do vazhdimin e projektit por nuk e ka pelqyer, perbehet nga ata qe nuk kane pelqyer ngjyrat, por pelqejne te lyerit, ata apartamentet a shtepite e te cileve nuk perfituan lyerje qyl etj.
        Te dy ju jeni te anshem, e ne sondazhe te lidhura me Ramen do tu kishin paraeliminuar. Saraci do ti nxjerre syte, Xha Xhai ti heqe vetullat. Saraci barazon te lyerit me Ramen, Xha Xhai zvogelon mbeshtetjen e banoreve per vazhdimin e punes me te suksesshme te Rames (per te cilen kritikat e mia kane qene te tjeter lloji).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin