HOKUS POKUS

Lexoj në ResPublica se “Mbyllet papritur revista MAPO”, me sa duket për arsye thjesht financiare; edhe pse po të ishte puna për arsye thjesht financiare asnjë revistë në Shqipëri nuk mund të botohej ndonjëherë.

Natyrisht, asnjë njoftim për mbylljen nuk gjen në sajtin e revistës online.

Gjatë këtyre viteve që ka qarkulluar, MAPO-ja ka arritur të krijojë profilin dhe personalitetin e vet të spikatur, madje duke plotësuar, në panoramën e medias shqiptare, një zbrazëti serioze – atë të revistave që u shkojnë lajmit dhe analizës më thellë sesa gazetat ose debatet televizive.

Falë këtij profili, ajo ka krijuar lexuesin e vet, e cili e ka ndjekur dhe është identifikuar me të.

Është pikërisht kjo mospërfillje ndaj lexuesit, e shprehur në trajtat arrogante të heshtjes, që tërheq vëmendjen. Pavarësisht nga çështjet me natyrë financiare, MAPO-ja duhej të kishte ruajtur aq dinjitet, sa t’ia jepte vetë lajmin e mbylljes lexuesve; madje edhe paraprakisht.

Gazetarët dhe drejtuesit Skënder Minxhozi dhe Lorenc Vangjeli, por edhe autorë të tjerë si Ben Andoni, Andi Bushati dhe Artan Lame, mund të mos kenë pasur fare gisht në këtë kapitullim, por besoj nuk janë aq të pafuqishëm, sa të mos i drejtoheshin dot publikut; dhe jo me një nekrologji, por me një lamtumirë.

Një revistë mund të krijohet vërtet nga hiçi; mjafton një grup gazetarësh me vullnet të mirë, një financim dhe një program editorial. Por me kohë ajo shndërrohet në institucion; që bashkon autorët me lexuesit; dhe lexuesit me njëri-tjetrin. Me mbylljen e saj, kaq arbitrare dhe brutale, u bëhet një padrejtësi të gjithë këtyre.

No Comments

  1. Shume e drejte ne parim. Po besoj se eshte nje cast traumatik per gazetaret. Nje lloj fundi i papritur qe te le te mpire.
    Ne fakt tradita e lamtumires mungon dhe duhet te behet norme. Sigurisht jo ne stilin e Temes qe u mbyll me nje lamtumire te bukur e pastaj filloi ribotimin. Kur te na thote vertet lamtumire nuk do ta besojme. Mbase edhe Lackoja do filloje ribotimin. Fiton ndonje llotari, gjen ndonje bleres, apo ben paqe me qeverine.