Ka plot filma shqiptarë të prodhuar gjatë periudhës totalitare që i kanë rezistuar kohës. Ndër këta, ndoshta më të lehtë e kanë pasur filmat për fëmijë për vetë tiparet e tyre, ngaqë i drejtohen një lloj spektatori që propagandën e përtyp në mënyrë mekanike, gjithsesi asnjëherë njëlloj si të mëdhenjtë.
Suksesin e filmave si “Tomka dhe shokët e tij”, apo “Beni ecën vetë”, nuk e shikon vetëm në raftet e videotekave ku nuk mungojnë kurrë, as në numrin e leximeve në internet, dhe as në ritransmetimet e panumërta që u janë bërë gjatë kohës së televizionit me ngjyra. Në Shqipëri nuk ekziston ende një mekanizëm i tillë që mund të kuantifikojë suksesin e një filmi nëpërmjet shitjeve të DVD-ve apo të numrit të spektatorëve të televizionit.
Nuk besoj se ka tregues më të mirë të suksesit se sa ngulitja e batutave filmike në gjuhën e përditshme të popullsisë. Batuta si “Gërmo Tare gërmo se qenin e ngordhur do të gjesh!” (Përballimi), “Erdhët shumë vonë, delegatët ikën” (Shtigje lufte), “Në mos njëri tjetri moj do t’ma marrë”, (Zonja nga qyteti), “Ah sikur te kishim ca piavica…” (Kapedani), “Freno Besnik! Atë po bëj! (Udhëtim në pranverë), “Është flori e shkuar floririt o Tunxh” (Udha e shkronjave), “Hani, hani ç’t’i bëj drejtorit unë që është zemërmirë” (Lulëkuqet mbi mure), etj. etj. përdoreshin rëndom gjatë atyre viteve – madje (për habinë time) disa i kam dëgjuar edhe kohët e fundit – dëshmonin në radhë të parë suksesin e filmit përkatës. Batuta të tilla, të shkëputura nga trungu i skenarit filmik, nënkuptonin nga përdoruesi njohjen e supozuar prej dëgjuesve, të cilët rrallë e zhgënjenin, e gjithsesi kishin rast ta rizbulonin filmin.
Mbaj mend një herë gjatë viteve të regjimit totalitar, kur me shokët e mi të vegjël pamë se gjysmën e fushës ku luanim me top në mëhallë e kishin zënë disa punëtorë që po shkarkonin materiale ndërtimore, një moshatar i imi e shprehu keqardhjen me këtë batutë: “Na e vodhën fushën”. Për fat të mirë ne ishim të vegjël dhe aty afër nuk sorollatej ndonjë spiun i rëndomtë lagjeje, se kushedi si do të kishte përfunduar puna meqë pranë fushës sonë, madje duke shfrytëzuar pjesë të saj, po ndërtonin një nga ato tunelet e strehimit për popullin që e shprehnin aq mirë obsesionin e totalitarizmit për mbylljen hermetike të vendit.
Moshatari im i vogël kontekstualizoi gjenialisht një batutë të filmit “Tomka dhe shokët e tij”. Nëse ju kujtohet, një fjali të përafërt thotë në grup edhe një personazh i mitur i filmit, kur pa për herë të parë se ushtarët nazistë po ndërtonin kampin e tyre mu sipër fushës. Nuk mund të rri pa parë në përdorimin e fjalëve të filmit, në një kontekst krejt të ndryshëm nga ai veprës, jo vetëm suksesin, por edhe vlerën artistike të filmit të mësipërm. Kjo tregon se pothuajse në mënyrë të pavetëdijshme filmi u lexua sërish, me një çelës tjetër interpretimi, në kohëra të tjera, por ndoshta të ngjashme në palcë. Tek e fundit, pushtimi është pushtim dhe jo gjithnjë ka nevojë për uniforma ushtarake apo për armë konvencionale.
Në kërkimet e mia në internet për kinematografinë shqiptare për fëmijë, hasa për fat në një nga spektaklet e fundit humoristike me titull “Portokalli”, ku bëhej parodia e filmit “Tomka dhe shokët e tij”. Tani, dihet fort mirë se parodia e një filmi kërkon para së gjithash sukses të padiskutueshëm të filmit që merret “nëpër gojë”. Përndryshe publiku nuk do t’i kuptonte referimet e shumta tekstuale e pamore. Industria e kinematografisë moderne këtë e ka kuptuar fare mirë, ngaqë në seri prodhon filma parodi që vënë në lojë filma popullorë tejet të suksesshëm. Shembujt janë të panumërt: “Hot shots”, “Scary movie 1-4”, “Mars Attacks”, “3ciento”, “Robin Hood: Men in Tights”, etj.
Tek i njëjti spektakël – për cilësinë e të cilit mund të flasim herë tjetër – gjatë parodisë së filmit që po trajtojmë, më tërhoqi vëmendjen batuta e pseudo gjermanit që u tha fëmijëve se në vend të fushës do të ndërtohej një pallat, “prandaj luani mbi betona”. Batuta i referohet qartësisht situatës së sotme shqiptare, ku ndërtimet me leje e pa leje po ia marrin frymën hapësirës publike që duhet të gëzojnë fëmijët dhe fëmijëria e gjithkujt. Spektatorit pra, i ofrohet një interpretim tjetër i filmit, ku konflikti nuk qëndron midis gjermanëve të këqij dhe fëmijëve të mirë, por midis pushtuesve modernë dhe fëmijëve viktima.
Në qoftë se dje të këqijtë vinin nga Gjermania naziste e largët, të armatosur me automatikë e të veshur me uniforma e helmeta, sot ata shfaqen me betoniera, të armatosur me kartë krediti e të veshur Armani. Në qoftë se dje lojën kalamajve ia prishi oficeri me tricikël, sot topin mund t’ua çajnë rrotat e shkëlqyeshme të ndonjë Ferrari o Benzi. Thelbi gjithsesi nuk ndryshon. Elementet ideologjike të dikurshme të filmit mund të shqetësojnë shumëkënd, por gjatë përtypjes së sotme spektatori nuk e ka të vështirë t’i heqë me kujdes nga filmi si halat nga peshku. Rëndësi ka që të kuptohet nga spektatorët e vegjël e të rritur, se fëmijët janë shpeshherë viktima e më të mëdhenjve dhe se të drejtat e tyre për ta jetuar në paqe fëmijërinë janë të pacenueshme.
Nga “videoteka” e vjetër mu kujtua kjo barcaleta:
– A ke gjysh?
– Po
– A ke gjyshe?
– Po
– A ke xhaxha?
– Po
– A ke hallë?
– Po
– A ke babë?
– Po
– A ke nënë?
– Po
– Ohuuuuu, ja fute kot… nëna jote ka vdek…(është mbuluar nga një pallat betoni do shtoja për t’mos ju larguar temës )
P.s: Apo ishte shkrimi që ma solli ndërmënd ktë barcaletë?!
disa linja komentuese:
1.Vertet dikur perdoreshin shume shprehje filmash… edhe tani, por shume me pak. Jo vetem te rinjte sot ne Shqiperi i perdorin me pak, por edhe ata qe si une u rriten e u bene gjate diktatures. Nuk besoj se arsyeja eshte vetem fakti qe ne ato filma kishim, “laj thaj”, ndersa te rinjte sot jane me pak te ekspozuar ndaj tyre dhe te mbytur nga nje mije forma te tjera te kultures pop. Besoj qe per ne ishin nje menyre e mire per te transferuar ne forme aluzioni jo fjalet vete, por ambientin, atmosferen ose pasojat qe rridhnin dhe vinin bashke me thenien e “batutes” nga filmi. Nje aludim simbolik, por mbrojtes, kur gjerat per te qeshur, shaka apo barcoleta, ishin disi te rrezikshme dhe ne kishim nevoje per forma te tjera “te lejuara” ose “te garantuara” ku te fshiheshim. Batuta filmike ndonjehere thuhej thjesht per humor, por shpesh ishte forme e komunikimit dialogjik, perndryshe rreptesisht te pamundur, loder e rrezikshme me te pathenshmen etj… Besoj, mungesa e kesaj nevoje sot, e ka fishkur disi frekuencen dhe energjine e ketyre perdorimeve.
2. nuk cuditem qe “Portokalli” (sido qe s’kam arritur ende te qesh apo nenqesh gjate ketij programi) perdor te njejten shprehje por te mbushur me permbajtje tjeter… E mira e simboleve eshte se, pasi jane kthyer ne simbole, shkeputen nga permbajtja konkrete fillestare, e mund te kryejne sherbime nga me te ndryshmet ne rrethana te tjera. Por sic e thashe edhe ne komentin 1, duhet te mbetet nje linje lidhjeje ne permbajtjen abstrakte te atmosferes se perdorimit. Me beri shume pershtypje me 4 nentor te ketij viti, revolta studentore ne Iran. Normalisht 4 nentori ka qene nje celebrim masiv turmash ne Iran (edhe universitare) kunder Amerikes, dhe perendimit pergjithesisht, dhe ne mbeshtetje te Republikes Islamike te pas 79-es. Por dita qe kujton me hare e krenari rrembimin e pengjeve te Ambasades amerikane nga ana e studenteve iraniane qe mbeshtesnin Khomeinin, kete vit u celebrua me te njejtat demonstrime masive, vecse jo ne mbeshtetje, por kunder teokracise iraniane ne pushtet per 30 vjet. Pra, ideologjikisht, simboli shnderrohet krejtesisht, nga pro-teokracise ne pro-demokracise. Dhe gjithcka ndodh aq natyrshem sa duket sikur askush nuk e ve re ose sakelldiset nga nje ndryshim gjigant qe ndodh. Kjo sepse “fryma revolucionare”, ndjesia e protestes dhe kundershtimit, veprimi masiv, rikthimi i shpreses ne fuqine per te ndryshuar gjendjen…jane te gjithe elemente qe mbeten te pranishem ne te dy rastet e perdorimit te simbolit.
3. E fundit, dhe te kaloj prape tek filmat shqiptare, disa nga shprehjet qe Pishaku perdor me lart, vertet mendoj jane tregues te cilesise se filmit ose lidhjes se tij me publikun per hir te vleres. Por dy prej tyre (se paku dy), besoj jane bere te njohura e te perdorshme, jo per shkak te vleres, por te antivleres se filmit nga ku origjinojne. E kam fjalen per:“Erdhët shumë vonë, delegatët ikën” (Shtigje lufte), “Freno Besnik! Atë po bëj! (Udhëtim në pranverë). Ne te dy rastet publiku nuhat artificialitetin e situates, te beret sikur, plogeshtine dhe falsitetin e gjuhes…shkurt mungesen e natyrshmerise ne permbajtje dhe forme. Besoj keto te dyja jane shkeputur si fraza qesharake mbi keto baza dhe jo ato te cilesise se filmit…e pasi te kapin veshin (apo te vrasin veshin), marrin status te vecante dhe nis qarkullimi i tyre i posacem qe u jep jete te mevetesishme…gjithnje si burim humori, ironizimi, apo “te keputuri kot”