ERË TIRANE

Në Tiranë ua njoh erën gjetheve të pemëve kur eci nën to pa e ngritur kokën që t’i shoh: atyre të hidhurave me gjethe shëmtaraqe që mbushnin rrugët socialiste, të athëtave dhe të ëmblave, dikur më të rralla se sot. Më vjen përzier me zukamën irrituese të kalamajve që ende luajnë nëpër rrugicat e Tiranës së vjetër. I njoh zhurmat e Tiranës sikur të ishin zhurma e shollës së këpucëve të mia.

I di mirë shprehitë dhe hidh e pritet me kunja e krekosje mes çunave të lagjeve tiranase që i flasin njëri-tjetrit nga një trotuar në tjetrin. E di si fryn era dhe si më depërton nën lëkurë lagështia e ajrit, ku i ftohti shpues dhe i nxehti ngjitës kanë një vulë ndryshe nga kudo tjetër, që më ka damkosur brenda e jashtë me myhyr dashurie… mua vulëhumburën.

acacia-flower-3Por veçanërisht erërat e Tiranës ma bëjnë çorap zemrën fare pa teklif, si ta kishin lodrën e vet rrangallë, që, edhe po u thye, s’i prish punë kujt. Erërat fshehin kyçin e lidhjes sime më të thellë e më pa kuptim me Tiranën, si një lloj kujtese padashur, si kujtime që s’i ke kërkuar nëpër sirtarët e memories, por vijnë pa të pyetur hiç e të përpijnë. Dhe nuk duhet të jesh i madh sa Proust të bëhesh pre e plotë e lidhjeve komplekse të këtyre kujtimeve. Mjafton të jesh njeri.

Po shoh e përgjëruar filmin Selma për lëvizjen afro-amerikane drejtuar nga M. L. King në 1963. Në një moment dramatik kur marshuesit janë duke kaluar urën historike, kamera fokusohet tek trupat policorë drejtuar nga një sherif gjakatar e racist gati për të sulmuar marshuesit, dhe, për fatkeqësinë time, sfondi pas trupave shfaq një masë akaciesh në lulëzim. Një minutë, dy, një jetë akaciesh me rozën e tyre të mrekullueshme dhe lehtësinë puplore të tufës së lules si flokënajë e butë e fëmijërisë sime tiranase. Iku nga dritaret joekzistuese të kinemasë revoltimi im i thellë me filmin, ndërsa akaciet, si kontrolluese tinëzake të qenies, më gllabëruan bunacën ku gjendesha sot për t’i dhënë ngjyrat si pjeshkë të luleve tiranase.

Ndërroja trotuarin në Tiranë që t’u merrja erë, edhe kur isha shumë e vogël dhe u merrja erë nga poshtë, se s’i arrija. Kam provuar t’i ha fshehurazi lulet e akacieve, ashtu siç kam provuar të ha të kuqin e sime mëje, sepse nuk i rezistoja dot aromës së mirë. Ç’e pyet! Një tufë me lesh të butë në gojë, që e pështyja sakaq. Por nuk pushova kurrë së marri erë me sa më hanin mushkëritë kur qëlloja para një akacieje të lulëzuar. Dhe kur i pashë tani në film… “një kënaqësi e jashtëzakonshme më pushtoi shqisat, diçka e veçuar, indiferente, pa asnjë sugjerim për origjinën e vet. Dhe menjëherë ndërlikimet komplekse të jetës nuk më bënin më përshtypje, katastrofat e saj – të padëmshme, shkurtësia e saj – një iluzion.” Dhe ashtu si biskotat Madeleine të Proustit, kujtesa m’u burbuq dhe arrita tek akaciet e Sheshit Avni Rustemi kur isha gjashtë-shtatë vjeç dhe ai ende mbante në qendrën e vet një si kopsht me akacie rrethuar me një gardh të ulët me hekura.

Kishte stola brenda? S’më kujtohet. E di që kam kapërcyer shpesh rrjetën me kangjella hekuri që të bëja adetin: t’u merrja erë akacieve, kënaqësi nga ato që ma ndryshonin krejt ditën dhe më bënin magjishëm personazh përrallash në një botë pa lidhje me atë ku jetoja.

Por akaciet që rrinë hapur pushore e pjeshkore në korrik, nuk janë kurrsesi të parat në paradën që çel stinën e erërave tiranase. Herët në maj nisin e çelin portokallet dhe agrumet. Era e luleve të tyre dikur mbretëronte në aq rrugica Tirane pas muresh të shtrembët e nëpër oborre plot rrangulla, pemë e lule. Nuk i ngopesh dot asaj ere; sado të thithësh ajrin me neps e babëzi, s’të del krahërori as ta mbledhësh gjithë mrekullinë, dhe as ta mbash brenda sa do. Nga frymëmarrja e thellë herë-herë më dukej se do më binte të fikët. Pastaj vijnë dorëzonjat që krijojnë jorganë të gjelbër, të bardhë e të verdhë mbi muret e atyre pak shtëpive të mbetura qosheve të Tiranës së vjetër. Ato ngrenë kokat lozonjare qerpikëgjata mbi shtratin plot degë e gjethe, sikur thonë se vetëm atyre dhe askujt tjetër i takon dielli. Dielli ekziston veç sepse u duhet e u shijon dorëzonjave. U thoshim edhe lule maji dorëzonjave dhe u thithnim lëngun e ëmbël që fshihnin në fund të trupit fin. Ishte lëng me të cilin nuk mund të ngopeshe edhe sikur të thithje 50 lule… se deri në 50 kam arritur.

Dhe radha u vjen trëndafilave të Tiranës, disa rrushorë e e plot gonxhe vocërrake, kacavjerrë e varur mbi mure shtëpish, disa të tjerë hijerëndë e të lartë sa një bojë njeriu. Në shtëpinë time trëndafilat i kishim kryesisht të tipit të dytë. Nona ime i millte tronafilat, i krasiste, i prashiste e i shartonte, i rriste me dashurinë e syve të butë teksa i admironte kur pinte në oborr kafen e mëngjesit dhe pasdites. Pastaj në muajt e verës kur tronafilat s’pushonin së bëri lule (më duket se i kishim tronafila tri-hersh), u mblidhte petalet, i thante e bënte me to shurupin e trëndafilit, lëng parajse i fëmijërisë sime që na jepte dehje Zotash në pasditet e nxehta të verës. Dikur një plakë tjetër në lagje na i thotë se tronafilat na krijokan kancer, “sëmundjen e keqe” që nona nuk ia thoshte kurrë emrin. Nona nuk i preku më kurrë petalet pas kësaj, e tronafilat humbën vlerën e vet të përdorimit në shtëpinë tonë. Nuk i kam dashur kurrë parfumet e ëmbla me erë trëndafili, se më prishin aromën e virgjër e të mprehtë të fëmijërisë sime.

Bliret për fat i kanë risjellë nëpër rrugët e Tiranës. Nuk e di cili prej kryetarëve të bashkisë na e bëri këtë të mirë. Por kur jam në Tiranë në qershor, ua di për nder të dyve për kënaqësinë që marr. Me mua personalisht bliri ka një histori të veçantë aspak të bukur, por asociacionet me atë histori unë i kam lënë pas me punë bindëse duke u rritur, dhe sot i shoh mrekullinë erës dhe hijeshinë pemës së rëndë të blirit. Aroma e blirit për mua vazhdonte tërë vitin, se edhe këtij nona ime ia kish gjetur anën, ia mblidhte lulet në verë, i thante në hije të thatë, dhe u pinim çajin gjithë vitin. Çaj lule blini, shkul në dimër e i freskët në verë! Për mua lidhet me një erë të ëmbël plakash të fëmijërisë, ashtu si edhe era e tronafilave. Ato më lidhen me nonën tiranase, ashtu siç më lidhen me gjyshen nga Kolonja dy erëra të tjera: në verë ajo mbante në dorë gjithnjë gjethe të njoma borziloku fletë-vogël, ndërsa në dimër mbante nëpër gjithë xhepat e rrobave të veta degëza trëndeline. Po të kisha gjyshen afër, nuk mund të ngatërroja kurrë stinën ku ishim.

Këtë verë gjeta një Tiranë me plot turistë japonezë dhe me qen të bukur Rottweiler, me njerëz që hedhin rrugës më pak letra e më shumë prezervativë të përdour, si dhe me 30% më shumë ndotje atmosferike se maksimumi i lejuar në Europë. Por s’kapa dot erën e mimozave. Isha e bindur që vinin në mars, ndaj për to, arrita pikërisht në ditën e parë të marsit. I rashë kryq e tërthor Liqenit. Por mimozat këtë pranverë ishin shuar, sepse ngrohja globale na i paskësh sjellë në shkurt e jo në mars. Marsi nuk i gjeti nëpër pemë. Kam ndoshta njëzet vjet pa ndjerë erë mimoze, dhe mungesa më kafshon. Çuditërisht ata rruzuj të verdhë erëmirë gjithashtu quhen akacie. Pastaj, për fat parakalova gjithë erërat e tjera që tashmë në Tiranë nuk i has më lehtë e vetiu, por duhet t’i kërkosh. Dhe unë i kërkoj, i pres e i gjej nëpër rrugicat brenda Unazës së Vjetër, sidomos ato mes rrugës Hoxha Tahsim dhe asaj të Dibrës.

Një mall i çmendur më merr për Tiranën, sidomos në dimrat e fortë. Por, kur kthehem, i afrohem gjithnjë si fëmijë i turpshëm (veç me hundët hapur ama). Dua gjithnjë ca kohë të mësohem me Tiranën, si me një dashnor të vjetër të cilit i mbaj ndonjë inat që e kam harruar edhe vetë. Rrugën nga aeroporti në qytet dua ta bëj vetëm, sepse kam nevojë t’ia shoh në vetmi e qetësi kodrat e malet përreth, t’ia dëgjoj me vëmendje zhurmat, e t’ia nuhas erërat. E rikrijoj Tiranën time edhe kur m’i rikthen aromat, edhe kur m’i kursen.

Sot kam kohë pa pirë shurup trëndafili; në qytetin ku jam larg prej saj, e kërkoj si mundem Tiranën, por është më qejf kur më vjen vetë dhe më befason. Kam gjetur këtu ku jetoj një carac dhe një thanë që i mbaj të fshehta se kam frikë mos Zotat më ndëshkojnë dhe m’i thajnë, po të krenohem për to, objekte kulti të cilëve u falem në heshtje sa herë kam mall për Tiranën. Njerëzit këtu nuk e dinë ç’janë; jo veç nuk ua hanë frutat, por as ua vënë re fare. Aq më mirë. I kam për vete në vetmi. Erëra të ndryshme më vijnë ndonjëherë këtu copa-copa, por kurrë organike e të vërteta si ato të Tiranës. Por marria ndizet edhe nga fare pak. Dhe njeriu rikrijon veten e munguar, por jo të harruar. Pa nostalgji.

Nuk ka komente

  1. Bukur presja, realizmi magjik i Tiranes! Pershkrimi i eres se mimozes po me gudulis hunden

  2. Pas nje deklarate te tille as jabanxhiu s’ndahet pa myhyr dashurie per Tiranen. Ime bije, ka kaluar me pak se 1/2 e jetes ne Tirane por ben be rrufe qe femijeria e saj po te kishte arome, do vinte ere portokalle – dorezonje.

  3. Është bukur ta ndjesh një Tiranë të tillë, të paktën “në letër”. Se një e tillë, prej vërteti, s’ekziston më. Sot tjera erna mban qyteti.

    1. Po e.p. , ke te drejte.
      Ndryshe nga cdo kryeqytet ku kam qene, Tirana mban edhe ere mut njeriu ne zona te caktuara. E di. Ka kudo neper bote mutra dhe urine publike, por jo mut njeriu. Tirana jone e ka edhe kete ane. Por une kesaj radhe isha lidhur dhe me kishin terhequr per hunde vetem ererat e mira. 🙂

      1. Nuk kisha dhe aq ndërmend këtë ekstremin tjetër kur shkrova atë rresht, paçka se edhe ai ndihet. Për këtë, s’është nevoja të humbësh udhën rrugicave a qosheve, mjafton t’i afrohesh i përhumbur cilësdo prej urave mbi Lanë nga ndonjë drejtim dhe menjëherë kthjellesh nga shpimi në hundë. Por këtë aspekt unë e quaj “nderi që na bën Lana”. U shpëton jetën qytetarëve – njeriu s’bën mirë të ecë i përhumbur aty ku makina me shumicë ecin pa frena – dhe jeta është më e vlerë se vrarja e hundës.
        Kisha parasysh që shumica e shesheve e kopshtijeve janë zhdukur, janë zëvendësuar me pallate. Dhe era që mbizotëron në qytet, pothuaj kudo, është ajo e blozës dhe squfurit prej makinave, bashkë me pluhurin e ajrit. Rrallë të ndjen hunda aroma, pos pak minutat e para pas ndonjë shiu, dhe kjo në vende të rralla. Pemëve të pakta që kanë mbetur as bletët e mizat s’u afrohen më, ndoshta ngaqë s’janë të afta të gërmojnë shtresat me blozë të për arritur tek lulet. Edhe zogjtë janë më të zgjuar se njerëzit dhe e kanë braktisur qytetin – dikur të zhurmshëm, sot janë arratisur prej parkut a bulevardit të madh.

    2. Në oborrin e shtëpisë sime, në Tiranë, sot e kësaj dite i ndjen aromat për të cilat shkruan Presja: vjet në pranverë, ku ndenja atje dy muaj, të rrethonin lulet, por sundonte portokalli dhe limoni (në një plan tjetër, ende shihje hardhuca në mure, kafshëz që të kujton fëmijërinë). Pas shiut të merreshin mendtë nga mësymja olfaktive. Por ndihej ndonjëherë, në distancë, avancimi i ekskrementit, në format e veta të njohura: fece, tymra makinash, pluhura ndërtimi; varej nga drejtimi i erës.

      1. Ajo që thoni në krye vlen tani për një numër të vogël njerëzish në qytet. Fare mirë mund të konsiderohet luks për Tiranën e sotme.

        1. Vërtet – dhe ka vite që mëhallës sime i vijnë rrotull “firmat e ndërtuesve”, për ta shndërruar në pyll pallatesh banimi. Nëse ka rezistuar deri më sot, kjo falë zënieve farefisnore mes fqinjëve të mi tiranas, që nuk arrijnë të merren vesh për pronat. Por unë i them vetes, sa herë që shkoj aty, se mund të jetë hera e fundit; dhe është shtëpia ku kam kaluar gjithë fëmijërinë dhe rininë.

        2. Shanset janë që ashtu të përfundojë. Megjithatë, banorët e tashëm e të ardhshëm të këtyre pallateve të kohës moderne e kanë një ngushëllim: drejtuesi aktual i bashkisë ka deklaruar se bahçet që do humbasin për tokë, do t’ua kthejë me kopshtije në tarracat e pallateve, të cilat ka premtuar t’i mbjellë me pemë e lule. Ndoshta prandaj zihen edhe ata fqinjët tuaj, se duket nuk bien dot dakord ç’do mbillet në tarracën e pallatit të nesërm. Edhe gjuha do nisë t’i përshtatet dalëngadalë këtij qyteti të ri e shumë shpejt s’do flitet më për ecje rrugicave mes shtëpive me erë limonësh e portokajsh, por për ngjitje me ashensor majë pallateve në tarracat plot aroma. Mjerë klaustrofobët, e ardhmja s’është për ta.

      2. Ndoshta era me e gjithegjendshme eshte ajo e smogut. Edhe ne oborret me te fshehura e me te gjelbra sot, ajo te gjen. Eshte ere me vaj kjo, dhe te ngjit ne lekure e mushkeri. Por, tamam ne periudhen qe pershkruaj, ka aq shume arome lulesh ne “tiranat” e vjetra, sa smogu menjanohet.

        Po, edhe une kam vene re hardhuca neper mure e ne tavan ende. Sidomos neper veranda. Ka me pak insekte se dikur, me pak miza. Dhe sidomos jam e gezuar qe s’ka akrepe. Ka qene nje insekt qe me tmerronte kur isha e vogel, por ne 10 vjetet e fundit kam pare nje vetem ne nje piknik ne Mal te Dajtit, ne nje kercu peme, por kurre me neper mure shtepish me hatlla.

        1. Edhe ne kemi pasur shumë akrepa në shtëpi – im atë (që e quante akrepin sfurk) thoshte që dalin nga trarët e çatisë. Herë pas here, shfaqej ndonjë në muret e dhomave, zakonisht në pozicion vertikal, i ngrirë në pozicion, si për të mos rënë në sy. Unë nuk para kam pasur qejf të vras kafshëza (veçanërisht merimangat i ruaja), por me akrepat nuk kisha mëshirë – thoshin që mund edhe të futeshin në çarçafë dhe që atje të jepnin pickim vdekjeprurës: por edhe nuk mbaj mend të kem dëgjuar të ketë vdekur kush nga pickimi i akrepit. Por akrepa kishte edhe përjashta, në kopsht; në një pjesë të shtëpisë që e kishim ndërtuar më vonë dhe e kishim lënë murin prapa të pasuvatuar, gjeje gjithnjë të tillë të fshehur në vrimat midis tullave, sidomos kur binte shi: unë shkoja prapa atij muri për të pirë cigare fshehurazi, dhe gjithnjë i dalloja, me kthetrat të kthyera nga jashtë.

          Gjithsesi tani akrepat janë zhdukur. Një tjetër kafshëz e zhdukur, këtë herë insekt, është “gërshëra” – një si buburrec i hollë, me dy kthetra si kllapa në fund të barkut. Zakonisht, kur i mblidhje rrobat e thara nga teli ku ishin nderur, të vinin në shtëpi me 2-3 gërshëra. Mes kalamajve ishte një fjalë që gërshërët të futeshin në vesh dhe të pickonin timpanin me kthetrat e pasme, prandaj edhe ato duheshin shfarosur. Në fakt më vonë jam bërë kurioz dhe kam mësuar se ato dy “kthetrat” e gërshërës s’janë gjë tjetër veç ovipozitorë, ose gjymtyrëza që i shërbejnë për të vendosur vezët. Tani as gërshëra nuk shoh më, edhe pse për to më merr ndonjëherë malli, njëlloj si për hardhucat.

          Edhe një tjetër kafshëz e rralluar: kakëzogëza (në dialektin e Tiranës: kazozi). Ne e kujtonim për lloj gjarpri dhe, ngaqë e dinim se ishte e padëmshme, e mbanim ndonjëherë rreth qafës si për të luajtur. Në fakt edhe kjo, kakëzogëza, është një lloj hardhuce; dhe po ta shohësh me kujdes, ia dallon gjymtyrët e parme, rudimentare. Kur isha në Tiranë, një grua që kish ardhur për të ndihmuar me pastrimin e kopshtit tonë, tha se kish gjetur një “gjarpër” të vogël dhe e kish masakruar me shat; do të kish qenë, me siguri, kakëzogëza, se gjarpër në kopshtin tonë nuk ka pasur kurrë as mund të ketë pasur. Çuditërisht, nëna ime nuk kish dëgjuar ndonjëherë për të, edhe pse e përdor ndonjëherë fjalën kakëzuskë, për ndonjë vajzë të hollë, kockë e lëkurë – kakëzuskë është versioni “gjirokastrit” i këtij emri; ndoshta i kontaminuar me fjalën zuskë (njëlloj si sharabajkë, që origjinalisht ka shënjuar një lloj karroce me katër rrota; ka kaluar pastaj si metaforë për një grua që s’e mban mirë veten dhe pastaj është ri-etimologjizuar në shur(r)abajgë); dhe që andej në shkurtimin shu(r)rë, me të cilin shanim ndonjëherë, në tetëvjeçare, ato goca që nuk na pëlqenin; duke e lidhur mendërisht me urinën).

          1. Gershera ka akoma ne plazh. Por as une s’i kam hasur ne Tirane. Ne shtepine time ne US gjate veres eshte plot… sidomos kur mbledh rrobat e thara ne oborr. 🙂 Tek shtepia ime (e prinderve) ne Tirane, ne ate cope te vogel oborri qe ka ngelur nga i dikurshmi, eshte plot me kakzoza (keshtu i thoshin te lagjja ime) pas shiut… po plot, plot! Ime me i urren. Pyete tet eme cfare lloj plehu perdor per lulet, se me vjen cudi qe s’i keni me ne oborr. Pjesa e transformimit gjuhesor te fjales prej saj dhe perdorimet pastaj, jane pa cmim!

            Ne Tirane shiteshin shume ushunjeza/shushunja ne pazarin e Vjeter. Kishte njerez qe radhiteshin ne trotuar me to dhe i shisnin pasditeve. S’i kam pare me fare!

            Dhe dicka qe edhe atyre te brezit tim mund t’u duket si prej perrallash eshte BOLLA. Nje komshia ime kishte nje bolle shpie ne oborr. Ishte nje plake shume e cuditshme me nje oborr gjigant dhe nje femije-burre me probleme lindur nga nje njeri qe dikur kish qene sh i mencur dhe i edukuar (thoshte nona ime). Ke pare ndonjehere bolle ti? S’ma merr mendja! E kam gjetur cuditerisht ne nje qutet te vogel ne Rivieren franceze (ne Ville-Franche sur Mer) ne vitin 1997. E zonja e shtepise ku rrija me qera per nje jave, na paralajmeroi qe e kishte ne oborr. S’e pashe, po ecja gjithnje me siklet…

            Morali i ketij muhabeti eshte se duhet shkruar per insektet dhe kafshet qe dikur ishin pjese e dite-neteve tona por qe po na zhduken.

          2. Tek lexoja katalogun e insekteve tiranase, më ndriçuan sytë xixëllonjat që mblidhnim me kavanoza reçeli netëve të verës, të cilat, para se të më binte në kokë për libra, i kaloja buzë Lanës në pjesën e egër ku dorëzonjat dhe ferrat plekseshin e bëheshin male të pakalueshme. Ne i kalonim duke marrë parasysh çjerrje e djegie hithrash, englendiseshim me manaferra të athëta ose të pjekura deri në zgërlaqje, dhe kundronim vallëzimin kaotik të xixëllonjave nën koncertin nokturn të bretkosave. Vetë fjala xixëllonjë premtonte bukuri që në muzg vërtetohej prej pikave fluturuese fosforereshente. Po ç’zhgënjim kur mësova se gjermanishtja kishte qenë aq e mangët në ndjeshmëri sa t’i quante “Glühwürmchen” ose “Leuchtkäfer”, a ishte e nevojshme t’i kujtohej njeriut afërsia e xixëllonjave me krimbat dhe insektet prej ku tartabiqet e bubuzhelat s’janë larg!
            Xixëllonjat e ngujuara në qelq i lëshonim shumë shpejt, sepse bukurinë maksimale e arrinin të lira, por nuk i rezistohej dot kënaqësisë që për pak minuta ta kishim një mrekulli të tillë gati pronë private.

            1. Kam përshtypjen se gjermanishtes “Glühwürmchen” i përgjigjet në anglishte glow-worm, një emër për larvat dhe për femrat adulte larviforme të xixëllonjës, të cilat kanë në fakt pamjen e krimbave. Kam parë të tilla edhe në Shqipëri… dikur.

          3. epo duhe te jem i fundit qe me paska pickuar ne fytyre nje gershera.. ndoshta diku nga 2012. u zgjova i tromaksur, dhe me vrap te kompjuteri per te pare ne wikipedia se c’ish ajo kafshe, gati sa nje akrep.. kuptohet qe e ekzekutova. Me kalli daten se mbaj mend se ne wikipedia kerkova per centipede dhe me doli nje shumekembesh helmues. nejse, me beri nje goxha shenje te kuqe ne faqe. Atehere jetoja ne katin e dyte dhe do kete hyre nga dritarja, korniza e se ciles nuk ishte puthitur me murin e shtrember – stile suvatimi ne pallatet e rinj.

            po presja ka harruar te permende eret e gjelles, zakonisht te salcave te domates te skuqura me spece.. edhe ne dyqanet organike rralle gjen ndonje domate qe te kundermoje pallatin, apo te perkedhele hundet ziliqare qe kalojne poshte katit te pare.

            1. Duhet të ketë qenë dyzetkëmbësh (centipede) – këta kafshojnë; e megjithatë, ndryshe nga akrepi, është mirë t’i kesh në shtëpi, sepse hanë gjithfarë insektesh, duke filluar me buburrecat. Gërshëra është e vogël, nja 12 mm e gjatë.

            2. Ja një imazh i gërshërës (forficula auricularia) në anglishte earwig – besimi se të futen në vesh dhe të pickojnë atje qenka mjaft i përhapur. Sa për ato kthetrat prapa, e paskam ditur gabim: nuk janë ovipositorë, siç kujtoja (i ngatërroja me ato të bulkthit), por zgjatime që përdoren gjatë seksit (nuk po e çoj më tepër përfytyrimin) dhe për t’u mbrojtur.

              https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/01/220px-male_european_earwig_forficula_auricularia.jpg

              Nga sa po shoh tani, këto që rriteshin në kopshtin tim do të kenë qenë ushqyer me morra bimësh.

          4. Presja: “Dhe dicka qe edhe atyre te brezit tim mund t’u duket si prej perrallash eshte BOLLA.”

            Permendja e bolles, gjarperit te shtepise, me kujton nje liber ne shqip qe mund ta kem lexuar ne femijerine time dhe kujtimet, mbresat qe kam jane krejt te turbullta. Titulli kishte dicka te bente me emrin bolle apo gjarper shtepie. Interesantja e kujtimit te vagullt qe kam per librin eshte rreth dy prej karaktereve te librit, personazhet, nje femije i semure dhe ne mos gaboj plaka e shtepise, gjyshja, qe pergatiste beharnat dhe zahiret e dimrit, si nje shumellojshmeri turshishe, etj.

            Nderkohe qe femija(vajze me duket) kishte rene e semure, gjyshja nje dite i kishte dhene te haje dicka nga pergatitjet e saj dimrore. Njerezit e shtepise shpejt u ftilluan dhe kuptuan se duke ngrene ate cfare kishte pergatitur gjyshja, femija kishte filluar te ndjehej me mire. Nderkohe, ate vere/dimer, gjyshja duke patur parasysh dhe semundjen e femijes se shtepise, ishte e shqetesuar se nuk e kishte pare bollen e shtepise. Nuk ishte nje ogur i mire.

            Nderkohe qe koha kalonte, vajza permirsohej duke u ushqyer perdite nga rezervat e qypit te asaj cfare kishte pergatitur gjyshja. Dimri ishte ne te dale, vajza ishte permirsuar krejt, por edhe qypi/ena prej balte ishte pothuajse boshatisur. Me ne fund, njerezit vune re qe ne fund te qypit, gjendej trupi i pajete i bolles te shtepise. Ishte si nje lloj vetekurbani(self sacrifice), por gjarperi i shtepise i mbytur ne fund te qypit, i kishte shpetuar jeten femijes (me medicinen me te mire qe mund t’i afronte femijes).

            Sic thashe me siper, e gjithe kjo histori me ka mbetur si mbrese, midis enderres dhe zhgjendres. Vecse eshte nje “twist” interesant i kultit te gjarperit te shtepise, qe mbron me te gjitha format pjesetaret e shtepise.

            Kakzozet(keshtu i kemi then ne Tirane) i mbaj mend mire, ne latinisht quhet Anguis fragilis (anglisht blind worm ose slow worm). Per dike qe i ka marre malli mund te shohe ne linkun poshte foto kakzozesh nga Shqiperia.

            http://en.balcanica.info/1-18-1

            Per koleksionistat e filatelise, ka edhe pulla shqiptare me kakzoze dhe hardhuca, breshke, gjarperinj, etj:

            http://www.123rf.com/photo_29910953_albania–circa-1966-a-stamp-printed-in-albania-from-the-reptiles–issue-shows-slow-worm-anguis-fragi.html

  4. Oh, oh e dashur Presja,
    Nuk jemi takuar personalisht por ajo çka shkruan ti mund të ishte shkruar nga unë sikur të kisha patur të njëjtën miqësi si edhe ti me fjalën shqipe…
    Më mungon edhe mua Tirana e vjetër. Gjithnjë i them vetes se ekziston një Tiranë vetëm e imja, me kujtimet e mia, me rrugët e zbardhura nga dielli i verës e të trishta nga shiu i dimrit, me çati të përvuajtura nga pesha e tjegullave të ngrëna dhe me dorëzonja të harlisura mbi muret e ulëta, të ulëta për të mos shkurajuar mysafirët por të larta mjaftueshëm për të ruajtur modestinë e jetës familjare. Tirana ime ka emërtime të vjetra, ka gastronomin dhe policin me dorë, ka fushën e zezë dhe postën e lagjes 8, ka Radio Tiranën e vjetër dhe shtëpinë me majmun tek rruga e Durrësit (ky ishte emri që i kishim vënë të vegjël unë dhe im vëlla shtëpisë së doktor Mokinit ku në ballkonin e katit të parë të mbyllur me grilë hekuri dukej majmuni ekzotik që ishte arsyeja pse duke u kthyer nga shkolla fillore De Rada i binim nga rruga e Durrësit në vend që të merrnim shkurt Mine Pezën), ka teta Dijen që shiste miell e sheqer te pallati i parë i rrugës së Durrësit dhe ka edhe parfumerinë përkarshi ku ishte një teta të cilës të trullosur nga parfumet s’patëm nevojë t’ia mësonim emrin…
    Më mungon kaq shumë kjo Tiranë saqë e vendosur nisem e i bie me këmbë kryq e tërthor atyre rrugicave të përgjumura që përmend edhe ti midis rrugës Hoxha Tahsim dhe asaj të Dibrës. Ka rënë shi këto ditë në Tiranë dhe aroma e dheut të lagur të bahçeve të shpie prapa në kohë….

  5. Shume shkrim i ndjere, presja. Qyteti, Tirana e nostalgjise (dhe kur them nostalgji, dua te them malli per femijerine e humbur) eshte vizatuar me te gjithe spektrin e ndjesive shqisore-nuhatet preket, shikohet, shijohet.Dimensionet fizike te nje bote te humbur kane lene pas nje metafizike trishtimi te embel. Me ndermende menyren si pershkruan qytetin Sartre tek Neveria, ndonese ne nje regjister tjeter. Pamuk i Stambollit do ta kishte zili kete pershkrim kaq dritherues 🙂 Kur e lexova para disa ditesh mu kujtua nje e njohura ime ( jeton ne USA) e cila njehere me tha pikerisht kete:Tiranen e femijerise e sillte ne kujtese jo permes imazheve por permes aromave te saj te dikurshme, aroma e bukes se pjekur ne furrin e lagjes, aroma e druve te zjarrit, aroma e trendafilave ne oborr, aroma e rrobave te nderura te dielen, e me radhe, e me radhe..Ate te Lanes nuk ma permendi, ne fakt 😀

  6. Durimpak: po e kisha me ererat natyrore dhe jo ato te krijuara nga njeriu :)… kam shkruar ca here edhe per ato te specave ne fakt. Po ti duro pak, e me siguri edhe ato do behen realitet artistik gjekundi.

    Nga sa tregon, kam frike se ajo qe te kafshoi nuk qe gershere. Ato te shkretat jane miqesore, vetem se te shpejta dhe sh te shtuara. Frika prej tyre ka qene mos te te hynin ne vesh se “te shponin daullen e veshit”. Por akrepi ka qene frika ime me e madhe, dhe ai nuk me kafshoi kurre. Une kontrolloja krevatin sa here flija se me fuste daten.

  7. po lexoja sot nje shkrim nga James Wood ne LRB, qe merrej jo me ererat por me zhurmat e qytetit. E gjeni ketu James Wood, On not coming home .

    Ketu citon edhe Kadarene, Kronike ne Gure, mbi fantazmat e sokakeve qe i fanepseshin ne rruget e qyteteve e shkretuara evropiane.

    Pershtypje me beri edhe sprova e Said qe ishte cituar nga Wood mbi emigrimin, ku shprehej se emigrantet beheshin shahiste, noveliste e intelektuale, sikur edhe Xhaxhai i blogut 🙂

    Eduard Said, Reflections on Exile

    Sikur edhe kjo trajtese e Presjes, keto jane disa lexime te kendshme qe me ndryshojne per nje cast mendimin mbi mergaten, si te zemeruar e idhnuar me vendin e tyre, sic mund te verehet tek PeshkuPauje apo komentet ne te perditshmet tona.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin