TIRANA ME PORTA TË VOGLA

Te ResPublica është hapur një debat për Tiranën: është apo jo qytet i bukur. Debati i referohet një deklarate kalimthi të regjisorit italian Marco Bellocchio, por edhe një op-edi pasues të Eda Derhemit.

Në fakt ka një Tiranë për qytetarët e vet, një Tiranë të dytë si kryeqytet i Shqipërisë për të gjithë shqiptarët; një të tretë për tiranasit e dikurshëm, si unë dhe Eda, që jemi larguar tashmë që andej; dhe një të katërt, për turistët si Bellocchio.

Janë së paku katër qytete të ndryshme (një i pestë do të ishte Tirana për studentët e dikurshëm, që më pas janë larguar që andej; por kjo nuk na intereson këtu), me disa të përbashkëta të papërfillshme.

Banori kërkon të (mbi)jetojë, shqiptari të përfaqësohet, i larguari të rizbulojë, të krahasojë dhe të përmallet, turisti të shëtisë dhe të zbavitet.

Kur kam shkuar në Tiranë, pas largimit tim në 1990-ën, përgjithësisht e kam kaluar mirë dhe jam kënaqur me një qytet të cilin, kur e jetoja atëherë, e ëndërroja pikërisht kështu: me dyqanet llamburitëse, si prej Europe.

Por unë nuk jetoj më në Tiranë, as punoj atje; dhe atje gjithnjë mund t’i zgjedh sipas dëshirës mjediset që vizitoj – dhe janë mjedise si kafetë, restorantet ose baret, ku përgjithësisht kalohet mirë.

Qytetarit që përballet me trafikun, ndotjen, vonesat, kufizimet në shërbime dhe të tjera mërzi të përditshme, nuk i mbetet shumë kohë të shijojë qytetin e vet.

Përndryshe, kur mendoj disa gjëra që ia pëlqej unë NYC tim të tanishëm – si parqet, ujin, koncertet, muzetë, galeritë, kinematë, transportin publik, shërbimet – këto Tirana nuk i ka.

Sikurse nuk ka as arkitekturën e bukur, as ndonjë lagje historike, as shenja të ndonjë planifikimi urban të studiuar, të tillë që t’i afrojë njerëzit me qytetin e tyre.

Ka, përkundrazi, ndërtime të ethshme, mbipopullim, gjallëri, sipërmarrje, egërsi, arrogancë, pisllëk, pluhur dhe mjerim.

Por unë, sikurse shumë tiranas të çatdhesuar të tjerë, e krahasojmë Tiranën e sotme me të djeshmen dhe përmallemi; meqë e djeshmja na vjen në mendje e pastër, e virgjër, që mban erë sapun të freskët.

Nga Tirana e viteve të mia 1960-1980 kujtoj me mall sidomos atmosferën e rralluar; hapësirën që mund të krijoja për veten, në mes të hapësirës së të gjithëve. Ishte një qytet i lirshëm, me pak njerëz në rrugë, disi i heshtur, i lehtë për t’iu larguar po të dëshiroje, me lagje të tëra shtëpish të ulëta, private, me bahçe plot hije, plaka të ngeshme, lule, fiq, rrush dhe rehati.

Unë i kam pasë shijuar edhe vendet me kallaballëk, por vetëm e vetëm ngaqë e dija se, po të doja, mund të ikja që andej menjëherë, për të gjetur një hapësirë timen të shpopulluar; madje edhe një shesh të tërë të zbrazët ose një pyll të tërë, për t’u zhdukur në të.

Ka pasur edhe rrugë të gjera, në qytetin e atëhershëm, ku çunat luanin futboll dhe vajzat me peta.

Ishte krejt e jetueshme ajo Tiranë, për nga përmasat – dhe këtu s’kam parasysh vetëm shtrirjen.

E jetueshme, vërtet, por me çfarë çmimi? Sa bashkatdhetarë të mi janë penguar, për dhjetëvjeçarë, që të zhvendoseshin për të jetuar në Tiranë? Sa të tjerë janë larguar nga Tirana me përdhunë – të internuar, të dëbuar, gjysmë të internuar, të qarkulluar, të emëruar në fund të dynjasë, të komanduar, të transferuar…

Kryeqyteti i Shqipërisë totalitare ka qenë një gated community, një komunitet i gardhuar, me lista banorësh të cilat në thelb miratoheshin nga lart.

Miratimi mbante edhe një emër mizor: pasaportizim. Si dokument, pasaporta është krijuar, në mbarë botën, që të mundësojë lëvizjen e njerëzve nga një shtet në tjetrin; por ne e përdorëm, më shumë si instrument sesa si dokument, për të kontrolluar lëvizjen e qytetarëve brenda një shteti.

Natyrisht, edhe si komunitet i gardhuar, edhe si ishull i privilegjit në mes të një territori të shkretuar, Tirana e atëhershme mbetej një qytet i mjerë, ose një fshat i madh, sikurse u dukej, me të drejtë, atyre pak vizitorëve të huaj që e shkelnin.

Më shumë se qytet madje edhe se fshat, ishte një garnizon i glorifikuar – siç do ta quanin amerikanët: me ndërtesa të komandës, depo të armatimit, roje, zona off-limits, rrugë për rreshtore dhe parada, lagje fjetoresh, kanal (Lana), pastërti shembullore, gëlqere sa të duash, nevojtore publike dhe disiplinë.

Statutet e Tiranës nuk ekzistojnë, por ndoshta një ditë do të studiohen prej historianëve.

Të gjithëve na merr malli për atë Tiranë; por ky mall është më tepër një rrëmbushje për të shkuarën që nuk kthehet më; e bashkë me të shkuarën edhe për një vizion të botës të kushtëzuar nga shpresat dhe naiviteti.

Hapësirën që dikur më ftonte të isha i lirë, tani dua ta përfytyroj si të populluar nga dëshirat e të gjithë atyre që do të kishin qenë aty, me mua ndoshta edhe për mua; por që nuk u lejuan ose, më keq akoma, edhe u dëbuan.

Tirana e sotme, me egërsinë dhe rrëmujën dhe vulgaritetin e saj, është edhe pasojë e atij frustrimi të djeshëm, njëlloj si ultësira poshtë një hidrocentrali, që shndërrohet në moçalishte kur çahet diga.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, nuk relativizohet kaq shume perceptimi i bukurise se nje qyteti. Per me teper ne kohet e sotme, kur nisemi te gjithe nga te njejtat baza krahasuese, pasi kemi dale e kemi pare. Bajge atehere e mut tani Tirana jote, e Edes dhe e ne studenteve nga rrethet te atehershem. Ndermjet dy jashteqitjeve, eshte e veshtire te pozicionohesh. Natyrisht qe kuterbimi i jashteqitjes humane, mund te jete i pranueshem ose mund te le indiferent vetem ndonje shpellar qe eshte rritur ne stil “aty ha, aty fle dhe aty e ben”, po eshte paksa kurajoze nga ana jote kerkimi i romanticizmit ne nje arome bajge. Eshte njesoj si te besh sex me sy mbullur me nje te shemtuar duke kenaqur vehten me faktin qe ja ke futur njeres me cica te medha.

    1. Andreas, më kujtove një citat nga filozofi Hume: Beauty in things exists merely in the mind which contemplates them. Me fjalë të tjera: e bukura është në sytë e atij që sheh. Në një kontekst tjetër, këngëtari napolitan Pino Daniele ka pasë kënduar: Ogni scarrafone e’ bello a mamma soja.

      1. Xhaxha, si u gdhive? Shpresoj mire!
        Po ngaterrohen sentimentet me gjykimet. Natyrisht qe nostalgjia te ben te anosh nga bukuria me teper se nga shemtimi. Po ky eshte nje konflikt interesi i mirefillte. Kam edhe une nostalgji kur neper rruget e qytetit perzinim nga pas karron e NTSHUS-it per te rrembyer ndonje cope akulli. Na e bente kurrizin vija vija me kamzhik karrocieri, po kur ngulnim dhembet tek copa e akullit te thyer e te rene ne asfalt, na dukej sikur kishim kapur qellin me dore. Me vjen per te qeshur kur kujtohem. Dhe vishem me nostalgji nga keto kujtime. Por permbahem ne te epitetuar te bukur ate lloj qyteti(qe gjithsesi ka qene dhe eshte me i bukur se i yti :-)), sepse jam ne konflikt interessi, jam emotivisht i korruptuar nga karrua e NTSHUS-it.
        Bellocchio eshte i paanshem dhe jashte çdo lloj konflikti interessi ndaj halese tende e time. Kuterbimin shtazor qe ngrene ne ajer keto halera, qe ne fjalorin shqiptar quhen qytete, Bellocchio e ndjen dhe e flet. Nderkohe, nderhyrja jote e justifikon, e relativizon. Policia e kapi vrasesin, gjykata e denoi me burgim, ti si i ati/e ema i scarrarfones thua: “kur ishte i vogel ishte djale i mire. bente tek tuk ndonje vjedhje te vogel e lozte here pas here kumar, po ishte djale i mire”. Xhaxha, e ke ne burg scarrafonen tend dhe krija floket ne daç me vize ne mes e ne daç anash, po nuk te mbetet gje veçse ti çosh cigare.

  2. Andreas,

    Ky lloj nihilizmi e vulgariteti eshte jo vetem shterp, por edhe kundermon fjetore konvikti. Keq me vjen, po ty te paska pare ajo bota, nuk paske marre vesh gje.

    Nuk mbaj mend kush ka thene se “atdhedashuria eshte kujtimi i gjerave te mira qe kemi ngrene kur ishim te vegjel.” Nuk eshte domosdoshmerisht e vertete absolute kjo, por kujtimet dhe mbresat e te shkuares jane patjeter nje pjese shume e rendesishme e asaj qe e quajme “jete”

    Tirana, sic e pershkruan Xhaxhai, eshte tamam ashtu per shume nga ne. Me gjithe mungesat e privimet e djeshme, rremujen e harbutllekun e sotem, Tirana mbetet vendlindja dhe qyteti yne. Ne e duam Tiranen.

    1. Kundermimi konviktor, eshte pjese e asaj Tirane, perceprimin mbi te cilen ti kerkon ta ç’nihilizosh me zor. Nese une kam qene ose jo nuhates i atij kundermimi, kjo mbetet te jete e diskutueshme per ty, nga momenti qe nuk me njeh. Ashtu siç duhet te jete i diskutueshem edhe ajo qe ti e quan “vulgaritet”(i imi).Po ka pak rendesi, sepse ke perdorur fjalen “atdhedashuri” ne komentin tend dhe kjo per mua tregon se ke shkuar shume larg per te qene gjykates i paanshmerise.

  3. Ne fakt sot edhe une po mendoja per Tiranen. Dje ra shi dhe Tirana dukej kendshem (jo bukur), e jetueshme. Ne vere, diten me diell, duket teper e shemtuar. Me i gjelberuar eshte Riadi i Arabise Saudite sesa Tirana. Asfalt, beton, gropa dhe ere e keqe. Te duhet gjithe kohes te zesh hundet me dore dhe te hapesh syte per ndonje grope. Te kujdesesh se mos shkel ndonje fekale qeni a njeriu, te mos te shtypi ndonje makine ne trotuar. Nga njerin trotuar ne tjetrin eshte e pamundur te kalosh, makina qendrojne siper dhe perballe trotuareve.

    Nje njeri me veshtrimin linear e ka te pamundur te ece drejt, i duhet te hidhet e perdridhet neper gropa, te ece thuajse si balerine, te vallezoj, me koken poshte. Ndoshta prandaj qytetaret kane keto lloj levizjesh feminile, te perdredhur, nga te kercyerit neper rruge.

    Dhe ja nje shopping list kur ecen te pakten 2 km neper rruge, nga puna ne shtepi:
    – 300 gram pluhur ne koke, rroba dhe kepuce;
    – 100 gram te pegerash qensh neper kepuce;
    – 100 European Odor Unit (njesia europiane e duhmes) me intensitet 6 perzjerje ererash, specash te ferguara, te pegerash, buke e pjekur, djerse sqetullash si kundermim gjelle e forte me presh, gaz makinash, misra te pjekur, gome apo plastike e djegur, fara te pjekura, tym, ere plehrash perzjer me ere kokoshkash: Sikur do te hash e te vjellesh njekohesisht!
    – 100 gram peshtyma dhe gelbaza, te dukshme e te padukshme neper rroba e trup
    – 100 gram pika uji te qelbur nga rrjedhjet e ballkoneve (cfare mizorie antisociale te vendoset tubat e shkarkimit te ballkoneve jashte, pa u lidhur ne nje tub te vetem? ne pallatet e periudhes socialiste dhe te sotmet: sikur ballkoni te ishte oborri i munguar ne fshat) dhe mos e pac imagjinaten te forte sa te mendosh se cfare kullon ne ato tuba shkarkimi: mbeturina thertoresh, shkarkime lengjesh trupore, si dikur nje pervers ne lagje tek shihte komshien e shumedeshiruar)
    – 200 gram uje nga zorrat e ujit te atyre qe dalin te “freskojne” asfaltin perpara pallatit apo dyqanit te tyre apo te kercyerit e ndonje pllake ne trotuar qe sperkat uje ne te gjitha anet e te ben helaq.

    Po zhurma? O Zot! ne cdo ore te dites e te nates, ka vetem zhurme, ba ba bum, cyk -cyk, vetem punohet apo rremohet diku neper pallate, shtepi private, rruge, hap e mbyll kanale.

    Popull vital!

  4. Te kjo e zhurmave ke harruar dicka qe tashme eshte antike por prape vazhdon te mbijetoje si apel solidariteti, dicka si bicim pasthirrme okulte a vellazeire ne adoleshence e qe bashkon ne nje loje shokesh te tipit Tomka-Luli dhe fishkellima e grupit.
    -O Fatjon, o Fatjon! Pipiripippiuuu, fsihkellima.
    Ora 15:00 kane tru ne koke keta njerez apo kane shkare? Ngandonjehere kete e shikoj si orkestrim rrugor te Apasionates se kastriot Caushit, vetem se tani nuk ka dhe aq nevoja tua besh femrave se ato kane mesuar te fishkelljene me te kater gishtat ne goje.

    1. jane shtuar borite e muzika e makinave. Tmerr me vete. Ndonje i bie borise mu ne veshin tend, e tjetri ja keput qe ne 4:00 te mengjesit. Muzika tallava pastaj kumbon kudo, sikur te benin gara se kush degjon me forte e ndjen me forte dashurine e himnizuar ne ato fare kengesh.

      1. po nata? Nata pse ka aq shume zhurme? Nuk eshte vetem se qepenat e dyqaneve ose kafeneve neper mehalla mbushur me shtepi e apartamente bien zhurmshem ne 11 ose edhe 12 te nates; eshte edhe pjesa e ores 2, 3 edhe 4 te mengjesit kur dy ose tre vete bashke ia fusin nje muhabeti me copa kenge ne mes. Dhe ecin aq ngadale sikur presin qe te te dale gjumi krejt. Jo gjithnje jane te dehur. Nganjehere muhabetet e tyre me ze te larte me bejne kurioze. Nuk e kuptoj dot lidhjen mes folesve shpesh. Por mund te them shume gjera per menyren se si mendojne. Pastaj gjumi ka ikur.

  5. Besoj qe ajo qe pelqehet apo duhet eshte gjithnje relative. Jo vetem se njerez te ndryshem kane eksperienca, shqisa, aftesi, histori, interesa krejt te ndryshme. Ajo qe duam apo na irriton mund te jete e njejta gje ne dy momente te ndryshme te jetes sone. Menyra se si te duket Tirana nje dite kur ecen rrugeve te saj kur je me grip e dhimbje te forte koke, eshte ndryshe nga nje dite kur zgjohesh i gezuar, shendetplote e kur sapo ke rene ne dashuri me dike. Gjithashtu, ta duash Tiranen nga njera ane, dhe te thuash qe eshte e bukur apo funksionale, apo morale, apo shtrige per qytetaret e vet apo vizitoret jane gjithashtu gjera te ndryshme. Ka nje pjese racionale dhe te arsyetueshme e te hedhshme ne gjuhe ne marredheniet tona me Tiranen; ka edhe nje tjeter pjese te ketyre marredhenieve te erret, joracionale, te padeshifrueshme… pse jo, edhe te bukur apo torturuese.

  6. Xhaxhai ka sjellur disa kujtime te bukura qe edhe pse i perkasin nje kohe absurde mbartin emocionet dhe ndjesi permalluese. Une vete si brez me i ri se Xhaxhai i perkas kujtimeve te viteve 80′, ne fundit e te cilave isha ne moshen 10-vjecare. Mbaj mend si tani lojrat me kopaca, kaqolat qe i merrnim (vidhnim ne sakte) nga NSHRAK-u. E me pas lojrat e futbollit e basketbollit para pallateve te lagjeve tona ne fushat e lira qe sot jane kthyer ne blloqe betonesh nga pallatet te ndertuara pa kriter. Ka shume kujtime te tjera, por qe per fat te keq nuk i kane mbetur thuajse asgje ketij kryeqyteti qe tashme eshte tjetersuar duke na lene vetem kujtimin e zbehte te nje qyteti imagjinar, qe na duket sikur nuk ka ekzistuar kurre me pare. Kane qene kaq te vrullshme vitet pas 90′ sa qe si nje lum i rrembyer ka marre perpara te gjitha ato gjera te bukura te se kaluares qe ia vlenin te mbeteshin ne memorien tone dhe pse jo te sherbenin si nje pike orientuese per brezat e ardhshem per te ndertuar nje qytet te jetueshem dhe jo nje ku jetohet. Tashme rruget e qeta dhe te pastra te Tiranes i kane zene zhurma dhe era e keqe e makinave. Lagjet e qeta dhe plot hapesire jane kthyer ne grumbuj pallatesh dhe kazane e pirgje plehrash vend e pavend. Por ajo qe eshte me fatalja eshte zvenitja qe i behet dita-dites dhe atyre pak miligrameve qytetarie te vjeter qe i ka mbetur ende ketij qyteti. Qytetari qe iu desh dekada te tera qe te konsolidohej dhe qe po zhduket heshturazi duke u asimiluar ne menyre te pameshirme nga nje kakofoni kulturash qe s’kane asgje te perbashket me qytetin vec deshires per te jetuar me cdo kusht aty, ose qofte dhe prane tij. Te mos zgjatemi me pas dhe ne formen e re te komunikimit e te sjellurit qe eshte induktuar tek shoqeria e ku te jep pershtypjen se ke te besh me nje treg te madh fruta-perimesh; nje treg ku mund te blesh lehte, te shesesh lehte, te shash, te shahesh, te behesh pis, te mbash era zarzavat i prishur, te ta fusin matrapazet, tua fusesh aty ku gjen mundesine, e ne fund te kthehesh ne darke prane familjes per tu bere gati per diten tjeter per pazar e tregti. Kam shume nevoje te shoh, qofte dhe per nje moment te shkurter, Tiranen time ku bashkejetoja paqesisht me qytetin tim dhe me banoret e tij e ku dhe ndertoja si pa e kuptuar ate memorie natyrale qe do te me ndiqte pas gjithe jeten e qe do ta kujtoja plot deshire.

  7. “garnizon i glorifikuar”

    Terma interesante, them se e pershkruajne mire Tiranen e atehershme pare me syte e tanishem, apo me syte e atehershem te botes, sic thote 2xha.

    Do shtoja qe ishte (dhe eshte pergjithesisht akoma) mungesa e theksuar e shume gjerave ne qytetet dhe zonat e tjera te Shqiperise ajo cka e qiste ne pah Tiranen dhe e bente (e ben akoma deri diku) si nje vend kaq te bukur dhe te vecante, ashtu si nje pemth apo shkurre mund te duket madheshtore ne nje fushe te madhe qe ka vetem bar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin