Para disa vjetësh, m’u pezmatua kyçi i gishtit të madh të dorës së djathtë, aq sa e kisha të vështirë ta përthyeja ose ta drejtoja pasi e kisha përthyer. Më rekomanduan disa trajtime alarmuese – p.sh. injeksion me kortizon drejtpërdrejt në kyçin e gishtit ose edhe thikën (“me anestezi lokale”).
Meqë kam afër shtëpisë një studio akupunkture, vendosa ta provoj, i shtyrë edhe nga kurioziteti; por edhe ngaqë akupunktura, sido që të vinin punët, të paktën nuk do të më dëmtonte; dhe mjekja koreane i kishte çmimet të arsyeshme. Ashtu bëra rreth dhjetë sesione terapie, me akupunkturë të shoqëruar me procedura të tjera gjysmë folklorike (p.sh. nxehja e kyçit me një bar të ndezur në trajtë puroje); dhe në fund m’u duk se gishti më ishte përmirësuar mjaft.
Pak javë më pas, kyçi më ishte liruar krejt dhe dhimbje pothuajse nuk kisha më. Më ndihmoi vallë akupunktura, apo ajo procedura tjetër me nxehtësi të cilës nuk ia mbaj mend emrin? Vështirë ta them – edhe pse e pranoj se nëse në të ardhmen do të kem dhimbje të ngjashme, p.sh. të kyçeve ose të kockave, akupunkturës do t’i falem përsëri; meqë më duket procedurë shumë më e shëndetshme sesa t’i hap vrima stomakut me anti-inflamatorë (NSAID) ose edhe më keq, me kortizonikë.
Askush nuk e di nëse akupunktura jep rezultate apo jo; mjekësia perëndimore nuk arrin as ta shpjegojë mirë si mund të funksionojë një metodë terapeutike e cila mbështetet në një koncept për funksionimin e trupit të njeriut që nuk pajtohet shumë me shkencën perëndimore. Megjithatë, në Kinë mjekët mendojnë ndryshe dhe sjellin gjithashtu fakte, të dhëna dhe statistika të shumta në favor të kësaj metode.
Akupunktura nuk është veçse një nga format e shumta të së ashtuquajturës mjekësi “alternative”. Ndonjë prej nesh do të jetë yshtur prej gjyshes, kur ka qenë i vogël; por edhe do të ketë provuar “kupat”, ose fërkimin me vaj, ose të tjera metoda të këshilluara nga plakat e lagjes, ose të tjerë këshilltarë familjarë që u dëgjohet fjala. Në të vërtetë, gjithsekush ka metodat e veta “dorë me një”, të cilat e ndihmojnë për të rifituar shëndetin, pas ndonjë sëmundjeje çfarëdo. Dikur, në Tiranë, për gripin të rekomandonin një dopio ponç portokalli; ose katër aspirina para gjumit; ose sasi të frikshme limoni. Tani në Perëndim e kemi zakon të marrim vitaminë C ose echinacea; ose, po të dëgjojmë ndonjë vendas, supë pule ose metoda të tjera gjithnjë të sigurta e të padëmshme.
Me mjekësinë alternative abuzohet shumë; ka mjektarë që pasurohen duke mashtruar njerëzit, veçanërisht kur pretendojnë se mund të mjekojnë sëmundje të rënda si kanceri, ose edhe turbullira të tjera, jospecifike, si syri i keq ose të shkelurit e hijes. Në të vërtetë, nuk është e drejtë të futësh në një thes metoda të tilla si masazhi, fizioterapia, joga, psikoterapia ose akupunktura, me të tjera, si kristaloterapia ose iridologjia; në një kohë që shumëkush prej nesh, për t’u shëruar, nuk do të donte asgjë më tepër se një natë të qetë, në shtratin e vet, i rrethuar nga kujdesi familjar.
Mjekët flasin për efekt placebo, shpesh edhe për të impresionuar të tjerët; dhe efekti placebo ekziston, madje është provuar ku e ku më mirë sesa efekti i mjekimeve të ndryshme. Nuk ka dyshim se një pjesë e madhe e historive të suksesit në mjekimet alternative i detyrohet këtij efekti; madje ka mjekë që duan ta likuidojnë krejt mjekësinë joperëndimore, ose holistike, si parazite të efektit placebo – çka sot nuk është më politikisht korrekte, por tingëllon së paku konsistente me mendësinë racionale të shkencëtarit.
Në një farë mënyre, të gjithë përpiqemi të vetëmjekohemi, së paku për t’i dhënë vetes iluzionin se jemi në kontroll të shëndetit – çka në vetvete ndihmon për të qenë në kontroll të shëndetit. Dikush i lutet Eskulapit, një tjetër nuk vë sheqer në gojë, një i tretë pi vitamina me grushta, një i katërt ndërron rrugë kur i del përpara macja e zezë, një i pestë vrapon anembanë parqeve si marrë, një i gjashtë ndez një qiri te një vend i mirë, një i shtatë shkon te mjeku çdo javë me nga një ankim të ri, një i tetë tymos barëra ose dëgjon muzikë “shëruese” ose ha asparagus, një i nëntë mban qen, një i dhjetë i blen zarzavatet në fermë, një i njëmbëdhjetë e kuron cermën me mish iriqi, një i dymbëdhjetë…
Kjo paradë huqesh antropologjike mund të vazhdohet për faqe të tëra; dhe është gabim që sjelljet përkatëse të shpërfillen si supersticion ose magji, sa kohë që është provuar se këto luajnë rol pozitiv për shëndetin, fizik dhe mendor, të atyre që u besojnë.
Besimi është, në këtë rast, faktori kyç, madje edhe atëherë kur efekti placebo realizohet me ndërmjetësimin e proceseve të pavetëdijshme ose të nënvetëdijshme. Përsëri besimi shpjegon jo vetëm suksesin e teknikave terapeutike të pashpjegueshme racionalisht, por edhe famën e merituar të disa mjekëve me përvojë ose thjesht me aftësi marketing-u, të cilët shërojnë më shumë e më mirë se të tjerët, edhe ngaqë sëmurët u besojnë dhe ua dëgjojnë fjalën. Në këtë kontekst, efekti placebo i tejkalon caqet e marrëdhënieve të pacientit me një pilulë çfarëdo, për t’u shtrirë në lidhjet që vendosim me të tjerët, ose me shërimin si proces jo vetëm kimik dhe biologjik, por edhe social.
Autoritetet mjekësore zakonisht flasin për efektin placebo për t’ia kundërvënë efektit të metodave të miratuara dhe konvencionale; p.sh. efekti placebo i akupunkturës, përballë efektit të “provuar” të ibuprofenit ndaj pezmatimit reumatik; ose efekti placebo i barit (popullor) St. John’s Wort ndaj efektit të “provuar” të SSRI-ve kundër depresionit mendor; por në të vërtetë i njëjti efekt vepron njëlloj edhe me trajtimet konvencionale. Janë me miliona ata të sëmurë nga virozat që fillojnë të ndihen mirë sapo mjeku u bën një injeksion antibiotiku – i cili ndaj viruseve nuk vepron. Në Shqipëri dikur ekzistonte një treg i zi për të ashtuquajturat “penicilina oleoze”, të cilave u atribuoheshin fuqi të papara kundër infeksioneve, aq sa edhe ua jepnin grave pas aborteve klandestine. Ndonjëherë edhe emri i barit mjafton – aq sa pagëzimi i barnave të reja kërkon njerëz të specializuar dhe sondazhe të gjera me publikun. Në një fjalë si penicilinë shumëkush do të shquajë maja të mprehta dhe inoks instrumentesh sterile, ose qelqe të llamburitura laboratori plot pastërti dhe optimizëm terapeutik.
Veçanërisht për shumë barna të sotme, të cilat marketohen me bujë të madhe për simptoma të paqarta ose sëmundje të themeluara në tryeza mjekësh dhe pastaj u shiten të sëmurëve për shuma marramendëse, efekti placebo është i vetmi që arrin t’i diferencojë prej barnave më të vjetra, edhe pse këto të fundit janë doemos më të sigurta. Vetëm pak kohë më parë u tha se diuretikët e zakonshëm vepronin ndaj tensionit të lartë arterial po aq mirë sa edhe barnat e reja, shumë më të shtrenjta; megjithatë, asnjë i sëmurë nuk do të bindej të hiqte dorë prej këtyre të fundit. Tek e fundit, edhe njerëz të informuar mirë e që e dinë se nuk ka kuptim të fillosh të marrësh antibiotikë nga goja sapo të ndiesh një dhimbje fyti ose të të hypë temperatura, përsëri nuk ngurrojnë të marrin dozat e nevojshme të amoksicilinës, në mos për gjë tjetër, së paku “për të qenë brenda”, për t’u ndier të mbrojtur, ose për t’i thënë vetes se po bëjnë diçka.
Mjekësia është edhe shkencë edhe art, sikurse është edhe virtuozitet i marrëdhënies me të sëmurin; prandaj tundimi i establishment-it perëndimor për ta racionalizuar fund e krye është i dënuar të dështojë. Aspekti psikologjik i raportit mjek/pacient, të cilin tani së fundi e ka trajtuar kaq mirë Adem Harxhi në këtë artikull, nuk mund të zëvendësohet nga testet, analizat, imazhimet, dozat, sinergjitë dhe precizioni i robotit kirurgjikal; prandaj edhe efekti placebo është po aq terapeutik sa edhe bisturia ose morfina. Nga kjo pikëpamje, dhe pavarësisht nga iluzionet racionale të shumë mjekëve, kufijtë midis mjekësisë dhe magjisë nuk janë aq të prerë sa ç’mund të kujtojmë e të ngushëllohemi.
“Po, e lexova. E ce pastaj?” them pasi e lexoj materialin e mesiperm.
Nese si autor kishe qellim informues me kete material, kot je munduar se eshte plot e perplote interneti me te tilla info, madje profesionale. Ne mos qofsha qorr apo i gabuar vec infos nuk dalloj asgje tjeter qe te me shtyje ne debat apo bashkebisedim ne kete teme, ndryshe nga tema te meparshme qe kam lexuar ne kete blog zakonisht interesant.
i pakënaqur,
ç’është kjo logjikë? Nëse edhe diku tjetër në Internet paska informacion të pafundmë për marrëdhëniet e pacientit me mjekun, mjekësinë, faktin e të qenit i sëmurë, nuk ka asnjë arsye që t’i kthehesh autorit të artikullit dhe t’ja “përplasësh në fytyrë”, se paska bërë një punë të tepërt, e para sepse një pozicionim i tillë është krejtësisht i pacipë dhe i paedukatë, pasi autori i ka shkruar mendimet e tij jo për të të sqaruar ty personalisht, në bazë të ndonjë detyrimi të lindur nga ndonjë marrëveshje imagjinare e mendjes tënde, që në të vërtetë nuk duket të ketë asnjë bazë racionale, por thjeshtë sepse ashtu i erdhi. E kupton dot këtë, që shkruhet vullnetarisht kur dikujt i vjen dhe jo për të të kënaqur ty oreksin (që edhe pse në dreq do të duhej ta bënte). E dyta i dashur QORR, në atë artikull kishte një material shumë të mirë për njerëz të tjerë, jeta e të cilëve është shumë pak e ngjashme me atë tënde, të tjerë të cilët mund të gjenden pikërisht në atë pikë që duan tja heqin vetes apo mjekut apo të dyve njëri pas tjetrit, apo edhe mbase askujt pasi për fat të kenë lexuar një reflektim të sinqertë të autorit për krizat hipokondrike bashkëkohore, duke i vënë vizën obsesioneve me shëndetin dhe duke u marrë me diçka tjetër me të shëndetshme akoma.
I pakënaqur, në këtë logjikë thyeje më mirë në punën tënde, pa nxitur krravale në këtë bllog kaq të kënaqur me veten, pasi ajo që shkrove është një vërë shume e madhe në ujë, pa lidhje, e panevojshme, e paditur dhe e mbrapshtë, dashakeqëse dhe në fund jashtëzakonisht injorante, pasi s’të ka gjë njeri në mendje të të mbaj me gajret.
Piceri ka në çdo qoshe të Evropës, por kjo nuk do të thotë që t’i thyesh të parës që sheh vitrinën, pasi ka paska boll të tjera rrotull, ngaqë, përveçse se kjo mund të jetë një rrugaçëri e rëndomtë, por mund të qëllojë që të jesh duke i thyer xhamat pikërisht asaj që i pjek edhe picat më të mira. Sigurisht, që ky argument vjen nëse ti i ha gjë picat.
“me akupunkturë të shoqëruar me procedura të tjera gjysmë folklorike”
Ah, ketu me vika keq qe s’i ke vene emrin e vertete Xhaxha, quhet Akupunkture-Moxibustion. Perse te quhet serioze gelltitja e nje sacme me ose pa ngjyre, apo serumi me lloj-lloj substancash kimike, te perziera ne nje laborator, nga nje makine ose laborant me nje memorje kolektive ne me te miren e rasteve 150-vjecare dhe tymosja direkt mbi meridianet, realizuar nga nje mjek popullor me nje kujtese kolektive te pakten 1500-vjecare, shamanike ? Ne fund te fundit c’ka clirohet gjate tymosjes nuk eshte vecse nje perzierje substancash kimike, shumica te panjohura nga ne ne maredheniet qe krijojne me te tjera substanca te trupit tone, e per pasoje u japim nje ngjyre magjike.
Do t’iu rekomandoja, por fatekeqesisht nuk me mbahet mend emri i nje doktori indiano-amerikan, endokrinolog por ka edhe nje klinike aiurvedike ne Boston, i cili ka shkruar nje liber ne te cilin shtron te gjitha keto pyetje mbi kufirin mid psiqikes e somatikes se nje semundjeje te dhene, shpirtit e trupit, pak a shume. Nje gje eshte e qarte, qe mjekesia nuk sheron, mjekon, ndersa fuqine e sherimit e kemi ne trupin tone, por hec e t’i gjesh anen trupit te mobilizoje fuqine sheruese. Mjekesia popullore duket t’ia dije pak a shume anen, ose te angazhohet ne kete rruge. Gjetja e nje gjuhe te perbashket midis mjekesise popullore e mjekesise ne kuptimin e sotshem te fjales, do te ishte celesi i sherimit.
Do t’iu keshilloja te zevendesoni fjalet per memedhene (ne kengen famemadhe me te njejtin emer) me fjalet :Per Moxibustionin. Njerezimi do te kete me shume perfitim.
Tema time e preferuar.
Shume e bukur dhe te lumte dora.
Si gjithnje.
Ester, ai doktori indiano-amerikan duhet te jete me siguri Deepak Chopra. Ja dhe interneti http://www.chopra.com/.
Ne fakt kjo teme e shkrimit me duket se eshte nga me themeloret e njerzimit, pra tema e raportit te realitetit (botes) dhe pragmatizmit (shkences) por kjo mendoj se eshte e pa mundur te diskutohet ketu.
Xha Xha, nuk po e gjeja dot atë shkrimin tjetër tuajin për mjeksinë, por meqë po flisni për mjeksinë këtu, megjithse për tjetër argument, më lejo ta fus këtë e-mail që po qarkullon prej kohësh këtej nga anët tona:
Kush fshihet pas Gripit të Derrit?
2000 persona infektohen nga gripi i derrit dhe të gjithë fillojnë të vënë maskat…
25milonë njerëz me SIDA dhe nuk përdoret sa duhet prezervativi.
Çfarë interesash ekonomike qëndrojnë pas gripit të derrit???
Në botë, çdo vit vdesin me miliona njerëz nga malaria…
dhe lajmet për këtë nuk flasin
Në botë vdesin çdo vit 2 milion fëmijë nga diarreja (që mund të kurohet me një ilaç që kushton 0.25 euro)… por në emisionet e lajmeve as për këtë nuk flasin.
Polmoniti dhe shumë sëmundje të tjera që mund të kurohen me vaksinime (që kushtojnë shumë pak), shkaktojnë çdo vit dhjetëra milionë viktima në botë… por as për këtë në lajme nuk flitet.
Por, kur u shfaq gripi i pulave, emisionet e lajmeve na bombarduan me lajme … më shumë se një epidemi e paraqisnin si pandemi nga më të rrezikshmet që mund të kishte parë bota… për disa muaj nuk flitej për gjë tjetër… dhe nga gjithë ai “rrezik botëror” vdiqën vetëm 250 veta në 10 vjet… pra 25 persona në vit!!! kur nga gripi i zakonshëm, çdo vit, në botë vdesin 500mijë vetë…. GJYSËM MILIONI përkundrejt NJËZETEPESË rasteve nga gripi i pulave!!!!
Pra, përse gjithë kjo rrëmujë për gripin e pulave???
Siç duket, pas gjithë kësaj katrahure qëndronte ndonjë gjel i madh…
Firma e njohur farmaceutike Roche , me Tamiflu-në e saj të famshëm, shiti miliona doza në vendet aziatike.
Megjithse vaksina dukej që kishte një efikasitet të dyshimtë, qeveria britanike bleu 14milionë doza rezervë për popullsinë e saj
Me gripin e pulave, Roche e Relenza, arritën të fitonin me qindra milionë dollarë
Si atëhere me gripin e pulave apo me lopët e çmëndura, tashmë ka filluar psikoza nga gripi i derrit.
Dhe të gjitha emisionet e lajmeve e përmëndin.
Atëherë lind natyrshëm pyetja: Nëse pas gripit të pulave qëndronte një gjel, nuk është se pas gripit të derrit qëndron ndonjë “derr pe derri?”
Firma amerikanoveriore Gilead Sciences ka patentën e Tamiflu-së… dhe aksionisti kryesor i kësaj firme është Donald Rumsfeld… PO!!! Ai Donald Rumsfeld, sekretari i Mbrojtjes i Presidentit Bush, një nga shkaktarët e luftës kundër Irakut…
Aksionistët e Roche e Relenza po fërkojnë duart … të lumtur për tregun e ri milioner.
Pandemija e vetme është FITIMI, fitimet e pamasa të këtyre mercenarëve të shëndetit…
Nëse gripi i derrit është aq i rrezikshëm sa ç’e bëjnë lajmet, meqë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë është aq e shqetësuar, atëherë përse nuk deklarohet problem për shëndetësinë publike botërore dhe të autorizojë prodhimin e ilaçeve alternativë (të pa patentuar, por me të njëjtin efekt si të tamiflu-së) për ta përballuar???
…”Firma amerikanoveriore Gilead Sciences ka patentën e Tamiflu-së… dhe aksionisti kryesor i kësaj firme është Donald Rumsfeld… PO!!! Ai Donald Rumsfeld, sekretari i Mbrojtjes i Presidentit Bush, një nga shkaktarët e luftës kundër Irakut…”
Kjo eshte hera e dyte qe degjoj se Donald Rumsfeld eshte nje nga kryesoret qe perfiton ne permasa jo normale nga e gjithe psikoza e gripit te gicit dhe masat profilaktike te marra kunder saj. Heren e pare e degjova dje, tek shitesi palestinez i dyqanit ku blej djathin e bardhe. Ai madje me tha se Rumsfeld s’ishte vetem,por bashkepunonte me Dick Cheney.
Mund te jete e vertet. Mund te mos jete e vertet. Si i thone fjales nga keto ane, nganjehere realiteti eshte me i cuditshme se letersia. Por ajo qe nuk me duket e sakte eshte pohimi se Rumsfeld eshte aksionisti kryesor i Gilead Science. Nje kerkim i shpejte ne internet tregon se Gilead Science eshte nje kompani publike, qe tregtohet ne Nasdaq nen simbolin GILD. Ka rreth 900 miljon share publike. Vlera e askionit prej $47.00USD e ben kete kompani te vlefshme rreth 42 miljard USD. Simbas ketij web siti( http://www.nasdaq.com/asp/Holdings.asp?symbol=gild&selected=gild) 92 % e aksioneve te kompanise zoterohen nga institucionet, dhe me i madhi prej tyre ka rreth 5%. Rumsfeld, i cili duket se eshte nje nga themeluesit e kompanise, ka qene dhe president i saj nga 1997 ne 2001. Simbas revistes Forbes, vlera e aksioneve te GILD qe ka ai,shkon nga $5 deri ne $25 miljon USD. Sikur figura e fundit te jete e vertet, i bie qe Rumsfeld te mos kete me shume se 500 mije aksione te kompanies, ose 0.5 % te aksioneve.
Po he, se s’peson gje ageri nga veshet.
Ne pergjigjje te Shikxhiut: PO, dora vete. Per te interesuarit, libri quhet “Trupi kuantik” (le corps quantique) sipas perkthimit freng.
Këta orientalët janë njerëz të çuditshëm. Na u ftoh keq bashkëqeraxhesha japoneze e apartamentit dhe derdhëm të gjitha, të gjithë bagazhin tonë të dijenive mjekësore dhe popullore.
Mua seç m’u kujtua, kot, ai stili i të lashtëve tanë i lyerjes së gjoksit me raki, kanotieres prej leshi dhe djersitjes me jorgan deri në hundë deri në mëngjes. M’u kujtua gjithashtu edhe këshilla e mamit të shoqes së ngushtë për vetitë, po aq shëruese dhe alternative e ponçit, të një gote rakie të nxehtë me një lugë sheqer në mëngjes. Ua thashë shoqeve dhe Shihuto nuk pyeti hiç për vërejtjet e bashkëqeraxheshave vendalie, të cilat m’i likuiduan kujtimet si metoda bizantine, por më tha t’i jepja rakinë shqiptare dhe më pyeti nëse bënte të njëjtin efekt edhe me T-shirt pambuku. Me bujari e sigurova në këtë drejtim.
Mbas tre ditësh kure bujare me rakinë time nga ana e nipponkës që për dreq nuk po shërohej, fillova t’i them geishës së imët: do të dehesh natën nga avujt e alkolit dhe nuk do të jesh në gjëndje të punosh nesër në mëngjes; shiko se rakia është bërë për mishngrënës ballkani dhe i kujtova turpin e Ministrit të Financës,Shoichi Nakagawadice, gjatë G7 së Romës; po deshe kam dhe ca paracetamole Tirane; lëre rakinë dhe fillo të ushqehesh seriozisht se nuk mbahet trupi me pilaf, alga dhe çaj, etj. Për t’u shëruar u shërua por ma thau rakinë që e ruaja si ujët e bekuar për ta kthyer ndonjë mëngjes veçanërisht të ftohtë. Shyqyr thuaj që një çift miqsh të dashur ma zëvendësoi shpejt e shpejt.
Bashkëqeraxheshat vendalie shkrihen nga gazi edhe sot kur u kujtohet fytyra ime e bezdisur gjatë ditëve të kurës së Shihutos me rakinë time. Ja, hajde e mos u bë racionale pastaj.