VIZORJA E WITTGENSTEINIT

Sot në mëngjes, kur po lexoja komentet për shkrimin e djeshëm, më tërhoqi vëmendjen ky më poshtë, nga një autor anonim që shkruan me pseudonimin “i pakënaquri”:

“Po, e lexova. E ce pastaj?” them pasi e lexoj materialin e mesiperm.
Nese si autor kishe qellim informues me kete material, kot je munduar se eshte plot e perplote interneti me te tilla info, madje profesionale. Ne mos qofsha qorr apo i gabuar vec infos nuk dalloj asgje tjeter qe te me shtyje ne debat apo bashkebisedim ne kete teme, ndryshe nga tema te meparshme qe kam lexuar ne kete blog zakonisht interesant.

Është një nga ato komente që më bëjnë, për një çast, të pyes veten nëse kam ndonjë detyrim me lexues të këtij kallëpi – p.sh. që t’i mbaj të informuar, ose të mos i lë të mërzitem, ose t’ua sfidoj pritjet e paragjykimet e kështu me radhë.

Detyrime të tilla unë nuk kam.

Pastaj pyes veten edhe mos ky lexues dhe të tjerë si ky kanë ndonjë detyrim ndaj meje; për shembull, të më tërheqin veshin sa herë që shkas, gaboj ose thjesht nuk jam në lartësinë e duhur si autor ose si prani në blog – por edhe këtë herë nuk mund të përgjigjem veçse jo; asnjë detyrim e borxh nuk më ka lexuesi.

Blogu si hapësirë ndërveprimi është e lirë nga detyrimet; autorët dhe komentuesit ndërveprojnë në bazë të një marrëveshjeje të heshtur se komunikimi kryhet me dëshirë dhe gratis; përndryshe mjafton një klik për të kaluar në faqen tjetër, ose në universin tjetër.

Komentuesi më lart e pranon se e ka vizituar blogun edhe më parë, meqë thotë se i është dukur “zakonisht interesant”. Në këtë rast, do të doja ta pyesja pse nuk e ka marrë mundimin, në ato raste kur blogu i është dukur me interes, të thotë një fjalë të mirë në përkrahje të autorëve. Natyrisht, të shkruarit këtu, qoftë nga autorët qoftë nga komentuesit, nuk mund të interpretohet si veprimtari altruiste e kulluar; por gjithsesi autorët japin diçka nga vetja – kohë, informacion, mendime, gjetje, interpretime, ndjesi – pa u shpërblyer me gjë tjetër, përveç mbështetjes që marrin prej lexuesit, sipas rastit.

Këtu unë ndesh me një vizitor, dhe nuk është i vetmi, që e ka më të vështirë të thotë fjalën e mirë, sesa të pamirën; më të vështirë përgëzimin sesa kritikën; më të vështirë admirimin sesa përçmimin. Një psikolog do të shtonte këtu shumëçka; unë po mjaftohem të ngre supet.

Dukuria është përhapur shumë në Internet, prandaj edhe po i kushtoj vëmendje këtu. Blogu është hapësirë e kontrolluar, por në komentet që u bashkëngjiten shkrimeve të ndryshme në faqet e gazetave shqiptare në Internet raporti midis kritikës pozitive ose edhe thjesht konstruktive nga njëra anë, dhe rrëzimit të shkrimit nga ana tjetër, është dëshpërimisht në favor të këtij të dytit.

Natyrisht, gjithçka konsumohet në anonimitet, siç e kërkon vendi dhe kuvendi.

Ndërkohë, fjalët e “të pakënaqurit” më lart më kujtuan një pasazh që po lexoja para pak ditësh, nga N.N. Taleb, në librin e tij Fooled by Randomness (2005, Random House), i cili ilustron të ashtuquajturën “vizore të Wittgenstein-it”.

Shkruan Taleb:

Cili është ai mekanizëm që duhej t’i bindte autorët të mos lexojnë komente për veprën e tyre, përveç atyre komenteve të cilat ua kërkojnë ata vetë personave të caktuar, për të cilët kanë respekt intelektual? Është ai mekanizëm i mbështetur në një metodë probabiliste, të quajtur informacion i kushtëzuar: Përveçse kur burimi i një pohimi ka kualifikime jashtëzakonisht të larta, pohimi do të jetë më informues [revealing] për autorin e pohimit, sesa informacioni që ky i fundit kishte në mendje. Një recension i një libri, në favor ose kundra, mund të thotë shumë më tepër gjëra për recensionuesin, sesa për librin vetë. Këtë mekanizëm unë e quaj Vizorja e Wittgenstein-it. Përveçse kur ti je i bindur për besueshmërinë e vizores, kur përdor një vizore për të matur një tryezë, mund të jesh njëlloj duke përdorur tryezën për të matur vizoren. Sa më pak e besueshme të jetë vizorja për ty […], aq më shumë informacion je duke marrë për vizoren dhe aq më pak informacion për tryezën vetë. [f. 223-224, përkthimi im 2Xh].

Kështu Taleb-i, duke iu referuar një pasazhi të Wittgenstein-it nga Tractatus-i. Implikimet filozofike dhe epistemologjike të kësaj analogjie nuk më interesojnë këtu; por më duket me vlerë të madhe ideja se komentet rreth një shkrimi çfarëdo japin shumë më tepër informacion për autorin e komentit sesa për shkrimin vetë, përveçse kur autori i komentit është autoritet i fushës.

Natyrisht, komentuesi “i pakënaqur” më lart është duke folur për veten; dhe pikërisht duke e portretizuar si një qenie njëkohësisht të shumëditur e të shumëlexuar, por edhe cinike në thelb; që megjithatë e sheh të arsyeshme të marrë këtë pozicion, në vend që të heshtë – zgjidhje e mirë – ose të thotë diçka për të shkuar më tej se shkrimi – zgjidhje edhe më e mirë, por që kërkon këllqe.

Çështja këtu është se Interneti shqip është i mbushur me qenie të tilla, të cilat hiqen jashtëzakonisht kërkuese ndaj materialeve që u ofrohen (gratis), edhe pse nga mënyra si shkruajnë e si shprehen, por edhe nga çfarë thonë, lënë shumë për të dëshiruar. Duke zbatuar metodën e ravijëzuar më lart nga Taleb, do të thoja se shumë përdorues aktivë të Internetit shqip janë të pakënaqur nga jeta, ose të thartë; madje e gjejnë veten duke rrëzuar në përfytyrim kështjellat ose kolibet e të tjerëve; ose identifikohen nëpërmjet negativizmit.

Kur flas për gjëra të tilla zakonisht më thonë: rri ç’e vret mendjen, mos u merr me ta, ata këtë punë kanë; teksa të tjerë përpiqen ta minimizojnë dukurinë, duke shpjeguar se protagonistët anonimë (ka gjë oksimoron këtu?) të forumeve janë një pakicë, e cila del në pah vetëm ngaqë të tjerët heshtin. Në të vërtetë problemi i kapërcen caqet e psikologjisë së komunikimit, për t’u shtrirë në sociologjinë e mediave; vetëm pak ditë më parë, një autori të këtij blogu (Lyss) iu refuzua një shkrim nga një gazetë madhore, me arsyen se nuk do të pranohej nga lexuesi target i asaj gazete. Po si e marrin vesh vallë redaktorët se ç’pranon dhe ç’nuk pranon ky lexues target, përveçse nga komentet që ia mbushin hapësirat e gazetës? Prandaj atyre që vijojnë të flasin për pakica, dua t’u them se gjithnjë gjithçka vendoset nga pakicat, madje ndonjëherë nga pakicat brenda pakicave – dhe se shumica e heshtur meriton fatin e pulës së Nastradinit*:

  • Nastradini pa në pazar se papagajtë po shiteshin me çmime shumë të larta. I frymëzuar nga kjo, të nesërmen u kthye në pazar me pulën e vet, për të cilën ofroi një çmim të ngjashëm me çfarë u kishte parë papagajve. Kur blerësit qeshën dhe i thanë se për një pulë nuk mund të paguanin aq shumë, Nastradini protestoi: “po ata zogjtë aty nuk janë as sa çereku i pulës sime, dhe megjithatë shikoni sa shiten.” I thanë se ata ishin papagaj, dhe mund të llafoseshin si njerëzit. “Si është kjo punë kështu?” kundërshtoi Nastradini. “Papagajtë që të rokanisin nga mëngjesi në darkë u shitkan shtrenjtë; ndërsa pula ime, që ka mendime të mrekullueshme në kokë, por e mban gojën kyçur, nuk vleka hiç?”

19 Komente

  1. “Kur flas për gjëra të tilla zakonisht më thonë: rri ç’e vret mendjen, mos u merr me ta, ata këtë punë kanë; teksa të tjerë përpiqen ta minimizojnë dukurinë, duke shpjeguar se protagonistët anonimë (ka gjë oksimoron këtu?) të forumeve janë një pakicë, e cila del në pah vetëm ngaqë të tjerët heshtin.”

    Ndërsa unë them se duhet ta marrësh për diçka të mirë. Do të thotë se një person më shumë vlerëson blogun tuaj. Ndonëse nuk e shpreh edhe aq qartë, nëse s’do të ishte i interesuar, do ta kishte harxhuar kohën diku tjetër. Për më tepër të shtyu të shkruash këtë shkrim, që për mendimin tim është më i mirë se i parafundit 🙂

    Faleminderit për shkrimet (nga një gjysmë-pulë)

  2. “Implikimet filozofike dhe epistemologjike të kësaj analogjie nuk më interesojnë këtu; por më duket me vlerë të madhe ideja se komentet rreth një shkrimi çfarëdo japin shumë më tepër informacion për autorin e komentit sesa për shkrimin vetë, përveçse kur autori i komentit është autoritet i fushës.”

    Xhaxha, po e marr si ftese kete, nese me lejohet, dhe po e konsideroj veten si pula e Nastradinit qe ne aktin e dyte ka mesuar te flase pikerisht per implikime te tilla. Po perpiqem pra te jap disa njesi matese filozofike dhe epistemologjike, nese me lejohet.

    Une ne fakt kam kohe qe e kam vene re projektimin e vetvetes qe bejne komentuesit tek njeri tjetri. Ndodh, jo rralle, qe ky projektim te jete i vetedijshem, dhe kur eshte i tille, kam vene re qe nuk eshte me projektim, por imponim, jo ne kuptimin negativ te nje imponimi te dhunshem verbal, pasi ky mbetet thjesht projektim, por ne kuptimin e nje imponimi te arsyetuar dhe me permbajtje.

    Problemi eshte qe keto projektimet psikologjike, ku ne pergjithesi komentuesi nuk ka lexuar komentin e tjetrit ashtu sic eshte, por vetveten ne komentin e tjetrit, jane aq cingerritese, aq alarmante, dhe projektohen me aq urgjence sa qe te del nga radari ai qe te imponohet me permbajte, dhe je i detyruar t’i kthesh pergjigje alarmit qe ngre “antikomformisti” i rradhes, i cili nuk eshte vecse komformist qe si te gjithe komformistet e tjere nuk ka bere gje tjeter pervecse ka veshur uniformen e merzitshme te antikomformizmit.

    Keto jane fenomene qe dihen, por problemi behet me i veshtire per mua pikerisht tek kerkesa e autoritetit, qe me c’kam vene re neper internet zhvillohet ne keto tre trajta: meria infantile; zhgenjimi prej adoleshenti; dumbabizmi post-totalitar.

    1) E para vjen per shkak se o duhen fituar te gjitha argumentet qe behen neper komente, o rashe e vdiqa. Ketu kerkohet qe UNE te degjohem, UNE te kem autoritet, argumenti IM eshte ai i vlefshmi, bashkebiseduesi eshte debil, etj, etj.

    Blogje te hapura dhe shumetemeshe si PPU bien pre me kollaj e ketyre komentuesve se sa blogje si PTF, apo blogje te tjera ku temat organizohen nje nga nje.

    Fallasia logjike qe karakterizon keta eshte ne pergjithesi “red herring,” qe ne shqip mund t’a quajme pa frike “mish i huaj”: me qellim fitimin e debatit ngrihet nje argument qe duket sikur do i jape rruge debatit, por qe nuk ka asnje lidhje me debatin.

    Ne merine qe zoterojne, keto lloj komentesh nuk jane thjesht te bezdisshme, por shkaterruese te debatit. Pretendimi i implikuar nga ky projektim i fuqishem i Unit, por qe e kam vene re edhe te shprehur ne menyre eksplicite, eshte se “une po i jap jete ketij debati.” Problemi eshte se edhe kanceri ne vetvete jete eshte.

    2) Prej faktit qe nuk mund te fitohen dot te gjitha argumentet dilet ne konkluzionin se askush nuk te kupton, dhe se shqiptaret jane specie qe nuk hane pyke.

    Kjo eshte tejet zhgenjyese, por zhgenjimi ketu ka sharm, komentuesi fiton popullaritet ne vend te autoritetit. Probleme qe jane specifike gjeneralizohen: te gjitha problemet ketu kane vetem nje shkaktar, dhe ky fajtor eshte zakonisht esenca e shqiptareve, mungesa totale e tyre e autoritetit, e gjithe kjo e lakuar ne format me origjinale qe lejon gjuha.

    Brenda kesaj faze, njeri po me thoshte dje ne peshk, kush je ti, nje cope shqiptar brekegrisur, te masesh tezat e tua me filan e kollan autoritet, se s’ka mbetur teze qe t’a zbulosh ti.

    Po ne te njejten trajte vihet re edhe zhgenjimi i te pakenaqurit me larte, te cilit nuk i mjafton informacioni por kerkon dicka “interesante.”

    Kjo vjen nga ideja se nuk eshte fakti i zbuluar nga informacioni, por menyra se si thuhet ajo qe eshte e reja dhe interesantja. Ky eshte manerizem tipik adoleshent, ku permbajtja nuk ka asnje lloj rendesie perballe stilit. Keta arrijne nje pathos aq te stilizuar, sa qe iu “pikon ne zemer” per shqiptarine me shume se c’i pikonte Konices.

    3) Dhe duke qene se jane patriote qe shohin se shqiptaret nuk behen, marrin trajtat e nje dumbabisti, qe zgjidhjen e gjen tek tutela perendimore.

    Ketu injoranca eshte aq totale sa qe merr format me te perkryera te sofizmit. Premisa kryesore eshte perfaqesimi i te keqes me ane te nje grupi te caktuar. Ketu hyjne militantet. Keta e dine se ku eshte e keqja, dhe nuk lene koment pa t’a vene ne dukje.

    Me interes ketu eshte debati qe ndoqi fill pas tragjedise se Fort Hood. Pati zera qe u treguan te kujdesshem ne lidhje me motivin e tragjedise, te perfaqesuara nga fjala e Obames.

    Keta zera, ne pergjithesi institucional, theksuan se nuk ka te dhena te plota per te dale ne nje konkluzion te sigurt. Menjehere pas ketyre zerave, sidoqofte, u regjistrua nje avalansh artikujsh tek ALD, qe vinin ne dukje matufepsjen e institucioneve, se nuk ishte shkence e madhe per te kuptuar se behej fjale per nje lufte frontale qe Islami i paskesh shpallur Amerikes dhe vlerave perendimore.

    E njejta trajte gjendet ne forume shqiptare ne pergjithesi ne lidhje me afrimin pa kushte me makinen burokratike Europiane, aq sa ne raste te izoluara arrin deri aty sa te kerkohet qe te falenderohet EULEX, me qe paska kapur kontrabandistet e lumit Tisa.

    Eshte e njejta premise, se jane te gjithe te fajshem deri sa te provohet e kunderta, qe eshte motor per ligjin e lustracionit, ne Shqiperi, dhe per komentatore qe pretendojne se te gjithe gjykatesit Kosovare jane vegel e Serbit, dhe qe barren e proves e hedhin tek kushdo qe perpiqet te niset me premisen e sakte, qe ne kete rast eshte e kunderta.

    Nese e kunderta eshte e sakte, nese dikush eshte i pafajshem derisa te provohet fajtor, atehere barra e proves duhet te bjere mbi institucionet. Aktualisht shihet nje sport pa porta mes institucionit te medias dhe institucioneve shteterore. Goli eshte i pamundur te behet se portat nuk ekzistojne, thjesht pasohet barra e proves tek kundershtari si te ishte jo top, por mine me sahat. Media akuzon kedo qe ia therret interesi nga nje krah, shteti nuk do t’a marre persiper barren e proves nga krahu tjeter, ku flagranca me e madhe mbetet zgjidhja teknike e ceshtjes se Mediut.

    Kjo shfaqet ne militantizem partiak, i cili eshte flagrant fare ne forume te hapura, si PPU, nderkohe qe ketu ne PTF vihet re nje tjeter lloj loje me barren e proves, dhe nje tjeter lloj militantizmi: ai ideologjik.

    Kujt i takon barra e proves? Kjo eshte pyetje e veshtire, por qe e ben grupin e dumbabisteve kombetarist me te veshtire per t’u dalluar. Ne PTF i kemi njohur nen pseudonime te ndryshme. Ne pergjithesi i takojne kallepit qe sheh tek modeli perendimor triumfin e neoliberalizmit. Pikerisht pse behet fjale per cka mund te quhen llogore ideologjike, njeri krah mendon se barra e proves i takon ideologjise sociale, e cila nuk merr parasysh lulezimin e sistemit te perfaqesuar nga individe te suksesshem, nderkohe qe krahu tjeter mendon se barra e proves bie mbi reformat neoliberale, te cilat nuk marrin parasysh krizen totale te sistemit.

    Kujt i takon barra e proves? Komente qe e pasojne barren e proves tek tjetri pa te drejte, me duken me te rendesishme per t’u trajtuar ne krahasim me zhgenjimin e te pakenaqurve, sidoqofte, as te zhgenjyerit dhe as meria e mishrave te huaj nuk duhen neglizhuar.

  3. “….ose të thotë diçka për të shkuar më tej se shkrimi – zgjidhje edhe më e mirë, por që kërkon këllqe”

    – shume e drejte xha xha, kerkon dhe dicka me shume madje, nderkohe qe marrim gratis gjithcka qe na dhuron ti dhe shume te tjere ne blog. Eshte kenaqesi te te ndjekesh, te falenderojme.

  4. I pakenaquri mu duk me teper si njeriu qe mezi pret gjellen nga zjarri po e provon dhe i duket pa kripe. Reagimi aty eshte instiktiv, pra naiv.
    Sidoqofte te qenit falas nuk lejon cdo lloj reagimi, aq me teper kur nuk prek asnje tel, si rasti i mjekesise.
    Grykesia per cilesine, besoj se eshte i vetmi mekat grykesie qe mund te lejohet.
    Mendoj se pasja e nje blogu duhet te jete gjest i paster egoizmi te shendoshe, ku pergezimet duhet te sjellin bezdi, meqe egoja e shendoshe, sipas meje supozon nevojen per rritjen e cilesise, percka pergezimet e anonimeve nuk bejne pune.
    Sigurisht qe kjo nuk vlen per njeriun ne moshe te thyer, meqe ska me mundesi permiresimi.

    lulian si gjithnje, je njesh kur shkruan gjate; fare mire mund te nisesh nje liber mbi Ciljeten dhe ta mbarosh me domosdoshmerine e rrezimit te sistemit, duke trajtuar mjaftueshem epistemologjikisht ceshtjen e kometes Halley.

    1-Ketu kerkohet qe UNE te degjohem, UNE te kem autoritet, argumenti IM eshte ai i vlefshmi, bashkebiseduesi eshte debil, etj, etj.

    2- dilet ne konkluzionin se askush nuk te kupton, dhe se shqiptaret jane specie qe nuk hane pyke.

    3- Dhe duke qene se jane patriote qe shohin se shqiptaret nuk behen, marrin trajtat e nje dumbabisti, qe zgjidhjen e gjen tek tutela perendimore.

    Ne fakt pershkrove euroqorrin model.

    ””’Premisa kryesore (e pikes 3) eshte perfaqesimi i te keqes me ane te nje grupi te caktuar. ””’

    Kjo eshte e natyrshme, sepse njeriu ne vetvete, nese mendon se e ka mire, domosdo qe kundershtuesi do e kete keq. Nese pastaj ndihet pjese e nje grupi, domosdo ky grup perfaqeson te miren ndersa kundershtari te keqen.

    Ceshtja nuk eshte aspak problematike nese kemi kete pasqyrim, por behet nese kemi absolutizim, pra qe eshte keqdashja dhe jo gabimi cka e shtyn grupin kundershtar.

    Nese eshte gabimi, mund te debatohet, meqe mund ti mbushet mendja tjetrit se e ka gabim, nese eshte keqdashja dihet se debati eshte i kote (ad hominem sherben ne retorike per ta nxjerre tjetrin keqdashes) .
    Ja ketu mund te nxirret dicka :

    ”””’Pikerisht pse behet fjale per cka mund te quhen llogore ideologjike, njeri krah mendon se barra e proves i takon ideologjise sociale, e cila nuk merr parasysh lulezimin e sistemit te perfaqesuar nga individe te suksesshem, nderkohe qe krahu tjeter mendon se barra e proves bie mbi reformat neoliberale, te cilat nuk marrin parasysh krizen totale te sistemit.”””

    Te dyja palet nisen nga keqdashja, pikerisht sepse ngritja e ideologjise sociale u be mbi bazen e luftes ndaj keqdashjes se atyre te tjereve. Pala tjeter e pa rrembimin e prones, taksat progresive etj si shenje keqdashjeje, ndaj individeve te sukseshem.

    Palet per te debatuar bejne here pas here nje hap prapa, kete duket se e bejne te gjithe perpos atyre qe duan qe te flasin per krize totale te sistemit, i cili supozon vetvetiu sistem te ri. Pozicionet ngurtesohen, agresori dihet .

  5. Ne e marrim të mirëqënë se, për të peshuar, gurët e peshës vihen nga njëra anë dhe gjëja që do peshuar nga ana tjetër. Nuk ndodh gjithmonë kështu. Në ju kujtohen tregtarët e shkathët të gjërave të pandashme, ata vlerësonin gjërat e ngjashme si: Kaq e Pak (më shumë) ashtu dhe Kaq pa Pak, ku pak ishte gur i vogël peshe që vihej nga gjëja dhe jo nga gurët me qëllim që peshorja të binte në ekuilibër.
    Shembulli që sjell nga Taleb, është guri i vogël që e bën arsyetimin tuaj Xha Xhai Kaq pa Pak, sepse ashtu si ju e masni komentin e i pakënaquri me ndihmë të vizores, pikërisht me fjalinë e fundit: “… aq më shumë informacion je duke marrë për vizoren dhe aq më pak informacion për tryezën vetë.” ai, (shkruar si shkruar – ju merreni mandej) e ka barabar me: “…kot je munduar se eshte plot e perplote interneti me te tilla info, madje profesionale.” Kaq me logjikën.

    Ju ftoni etikën, si duhet komentuar, çfarë është mirë dhe çfarë është keq. Komentimi në internet ende nuk ka një etalon të tijin, ndërsa ka birësuar atë të jetës së përditëshme; për fat të keq të atyre që harrojnë se fjalët tashmë nuk i merr era. Të thuash se të moskomentosh është keq, nuk është mirë, etj. duhet mbështetur (pse se mbeshtet ti? – e pavlefshme) e përsëri mund të sillet puna si vota dhe votimi.
    Ndërkohë, them se në tema si e kontestuara operohet me apo sipas fenomenologjisë, jo e përtypshme për shumë dhe jo e pëlqyeshme për të tjerë, jo vetëm në shkrimet e internetit. Por mbase vërtet, siç shkruan Lualian Kodra, shkrimet e tua ju shërbejnë lexuesve dhe komentuesve këtej pari si pasqyrë në të cilat ata të shohin veten dhe mendimet e mundëshme të mendjes së tyre. Jo risi kjo- mendja shqiptare ende mënd me ëndje. A është kjo cingëruese, alarmante? Një kategori më lart.

    1. CD shkruan:

      Shembulli që sjell nga Taleb, është guri i vogël që e bën arsyetimin tuaj Xha Xhai Kaq pa Pak, sepse ashtu si ju e masni komentin e i pakënaquri me ndihmë të vizores, pikërisht me fjalinë e fundit: “… aq më shumë informacion je duke marrë për vizoren dhe aq më pak informacion për tryezën vetë.” ai, (shkruar si shkruar – ju merreni mandej) e ka barabar me: “…kot je munduar se eshte plot e perplote interneti me te tilla info, madje profesionale.” Kaq me logjikën.

      Ky është interpretimi yt, CD; dhe shumë i guximshëm madje. Po ta lexosh Taleb me vëmendje, ky nuk fliste për çdo shkrim; por për komentet ndaj veprës së dikujt tjetër – sikurse e kisha dhe unë. Përkundrazi, shkrimi im për placebon nuk ishte recension i ndonjë libri ose artikulli ose edhe thjesht shkrimi në blog, por vetëm një përsiatje në thelb e padëmshme. Dikujt i vleu, dikujt jo (edhe sikur një lexuesi vetëm t’i ketë hyrë në punë, jam i shpaguar). Përndryshe, unë e kam të qartë se të gjithë e lëmë portretin tonë të pashlyeshëm në çfarë shkruajmë; çka bën edhe që shumë prej këtyre produkteve tashmë lehtësisht qarkulluese të mbajnë era bajgë.

      1. Kur ja bejne ne are thote: plehu!
        Kur ja bejne ne rruge thote: na dh…
        Ne ndonje situate si kjo ku u gjende do ta kem shkruar kete. Propozimi im eshte fare i thjeshte: konsiderojeni blogun si aren Tuaj me shume se sa si shtepine Tuaj; ashtu si dhe ne fakt keni bere. Komente te tilla ju kane sherbyer per te bere shkrime te qena edhe dje edhe me pare.
        Ky eshte blog e si i tille eshte vend ku postohen komente, pavarsisht nga emrat alternative qe u veme. Komentet e tua, shkrimet pra, jane edhe mbi jeten e tjeterkujt, e eshte normale qe ky tjeterkushi kur e gjen veten ne to te preket.
        Nuk do stepesha per sa shkrova edhe sikur te kishe shkeputur pasazhe nga librat e shenjta. Jam per kategorizim dhe universialitet te argumenteve dhe arsyetimeve, dhe kunder lenies ne mes te rruges apo te perdorimit deri aty ku mbarojme pune. Keshtu dhe me Talebin, qe per me teper mu duk si farketari i nje heshte per t’ja ngjeshur fjales se lire kur te duhet.
        Te kujtohet besoj perpjekja jote per virtytyin e moderimit; a tu kujtua kur Shekulli s’pranoi shkrimin e lyss-it. Njelloj dhe ketu. Ke 700 lexues, te komentojne 7, kerkon me shume – por si, duke ju kujtuar nenvleresimin Talebian?

        1. Më duket punë e kotë t’u them lexuesve se si e përfytyroj unë komentimin në blog dhe si e kam parë të bëhet gjetiu; vetëm po shtoj, dhe ma bëni kabull, se diskutimi i çështjeve të ngritura në një shkrim është shumë më produktiv sesa diskutimi në lidhje me cilësinë ose vlerat e shkrimit vetë. Këtij të fundit i përshtatet – gjithnjë nga pikëpamja ime – ai që ti, CD, e quan “nënvlerësim talebian”; edhe pse unë nuk do të shtyhesha deri atje.

  6. Sugjerim pafundesisht miqesor dhe pa keqdashje. Nuk ka rendesi publikimi i komentit, thjesht nje sjellje ne vemendje. Me respekt padyshim.

    “…refuzua një shkrim nga një gazetë madhore”???

    Mos duhet ‘e madhe’ ?

    Une personalisht kam kohe qe Shekullin e shoh te katandisur ne nje zedhenese politike dhe vetem kaq, por duhet te jem i sinqerte; ka qene nder te paktat gazeta ku hapesira e kultures dhe e analizes ka patur nje vend dhe nje trajtim te tille qe asnje gazete tjeter nuk ka arritur ta krijoje. Normalisht edhe Shekulli po i nenshtrohet rregullores politike e cila ne Shqiperi ka huazuar shume nga manualet ushtarake, por gjithesesi nje fshikullim kaq i serte, personalisht mendoj se tejkalon normen e kritikes. Per brezin tim, p.sh, emri juaj dhe i shume te tjereve eshte bere i njohur nga kjo gazete, e cila permes publikimit na ka adresuar me vone te botimet tuaja. Pra per ate ane pozitive une Shekullin e konsideroj nje prurje ne medien e shkruar ne Shqiperi, edhe pse tani duhet te pranoj se eshte ne njeren ane te llogores.

    1. Ngaqë botoj vetë te “Shekulli”, nuk ia lejoj dot vetes të merrem shumë me politikat editoriale të saj; por liria e fjalës për mua ka më shumë rëndësi se raportet që kam me “Shekullin” – dhe çfarë ndodhi me shkrimin e Lyss nuk mund të lihet në heshtje; sidomos në kontekstin e zhvillimeve të fundit me mediat në Shqipëri. Një situatë e tillë kur një gazetë i jep hapësirë botimi N. Hoxhës, por jo një kritike ndaj N. Hoxhës fton për debat – të paktën. Siç mund ta ketë parë shumëkush, arsyeja që iu ktheva kësaj teme më lart ka të bëjë me dukurinë e komenteve “pa doganë”; meqë kam frikë se kemi arritur një stad të tillë kur zhurma që bëhet në ato mjedise po lexohet, shpresoj gabimisht, si “zëri i masave”.

  7. ””’meqë kam frikë se kemi arritur një stad të tillë kur zhurma që bëhet në ato mjedise po lexohet, shpresoj gabimisht, si “zëri i masave”.””’

    Eshte vertet zeri i masave, masat bejne zhurme nepemjet pak te pareve qe bertasin me fort.
    Kush hesht eshte dakort, ky parim eshte i perjetshem, 50-60% qe s’votojne jane dakort me cdo zgjedhe ai 40-50% tjeter.
    Thua qe ka dite me 700 lexues (po edhe 200 ne qofshin), ka po a jo 7 shkrues, shumica e lexuesve te rregullt lexojne vetem shkrimin hapes dhe heshtin (mund ta veresh besoj nga koha mesatare ne blog) , pra mund te thuhet qe je zeri i atyre te heshturve.

    Keshtu ne cdo forum te madh per 1 qe shkruan ka 20-40 qe lexojne (provuar empirikisht).
    Tek Shekulli , ne temat e medha me 300 postime, ka pasur pa frike 10 000 lexime (edhe pse jo domosdoshmerisht 10 000 njerez, po ashtu edhe shkrimet nuk jane te 300 shkruesve).
    Opinioni qe sundon ne ato 300 postime vlen per 10 000.

    Shekulli, domosdo e drejton vemendjen tek c’duan ata qe kane bere 300 postime ne nje teme.
    Pervec arsyeve politike ka edhe arsye komercale. Keto varen mjaft sidomos qekur ka bollek postimesh, nga forumi.

    Liria e fjales qe permende per artikullin e Lyss, varet edhe nga humori i lexuesve pervec linjes politike qe ndiqet. Redaksia per mendimin tim eshte treguar e sinqerte, nuk ka mbuluar vetem linjen e lidhjet politike.

    Konsumatori eshte nga njera ane skllav, nga tjetra diktator, masat po ashtu, prandaj jane pertej te mires e se keqes.

  8. Ky blog eshte shume i mire .Por ka nje te keqe te madhe.
    Shkruhet me anonime.
    Hiqni maskat shfaquni me emrat real .
    Ather blogu ka per tja kaluar te gjitha gazetave te Tiranes.Duhet ta filloni ju xha-xhai dhe te tjeret .
    Gezim

  9. Interneti eshte tashme ne lule te adoleshences (rreth 15 vjet nga masivizimi i tij). Komunitetet virtuale dhe mjetet e komunikimit brenda tij jane akoma ne kolaudim e siper ashtu si dhe vlerat e normat sociale qe krijohen ne keto komunitete. Megjithate nuk duhet harruar qe ne Internet metodat e teknologjite e komunikimit kane nje fleksibilitet qe na lejojne kontroll te madh.

    Interneti aktualisht duhet pare si nje simulim i madh, nje fushe e madhe loje ku nuk duhet humbur asnjehere deshira per te provuar dhe eksperimentuar ne marrdheniet dhe krijimin e komuniteteve dhe ekosistemeve. Prandaj edhe komentuesit inatcore, trollsat etj. pervecse si kuriozitete antropologjike duhet te perceptohen dhe si thirrje per ta pershtatur sistemin e komunikimit qofte ne aspektin e normave te komuniteteve por sidomos edhe ne aspektin e metodave(teknologjive) te komunikimit pasi ato i kontrollojme ne nje nivel deri me sot te panjohur.

  10. Xha Xhai ka te drejte. Ketu nuk behet fjale per lirine e fjales dhe mendimit, por per (keq)perdorimin e saj. Nga sa e kam lexuar kete blog, autoret nuk kane pasur ndonjehere problem me ata qe i kane pasur kundershtare ne argument. Te kesh nje mendim te ndryshem eshte nje gje, te ofendosh eshte dicka tjeter krejt e ndryshme. Komunikimi ndodh ne rastin e pare, por prishet ne rastin e dyte, ndaj te mbrosh lirine e fjales do te thote te mbrosh edhe komunikimin, i cili, prishet prej rastit te dyte.
    Perndryshe, me lejoni t’ju pergezoj xha xha per shkrimet. Ato jane te argumentuara dhe te mireshkruara gjithnje, edhe ne ato raste kur une mendoj ndryshe nga ju (por qe nuk ndodh shpesh :)) ).
    Per Gezimin,
    Ky eshte emri im i vertete.
    Armanda

  11. Në fakt komentet janë pak të lodhshme. Duhet më shumë përqëndrim tek artikulli.

    Do të doja t’ju pyesja XH2, a nuk mund ta kemi për nder (en avant première) ta lexojmë shkrimin e lyss në blogun tuaj?

  12. gezim-i thote

    “Ky blog eshte shume i mire .Por ka nje te keqe te madhe.
    Shkruhet me anonime.”

    Kjo nuk eshte ndonje e keqe aq e madhe. Te pakten nuk eshte aq e keqe, sa pseudonimi (apo anonimi) “i pakenaquri” Xha Xhai, _ kushdo qofte ai! – shfaq permasat e nje intelektuali te klasit te pare e nje eruditi te jashtzakonshem dhe menaxheri i nje blogu nga me te bukurit e me edukativet qe njoh une. Kur pseudonimi eshte i perdorur jo per arsye frike, droje, sharje, ofezash dhe intrigash eshte ne arsyen e autorit qe pseudonimin ai vazhdon ta mbaje edhe kur heqja e tij do ta nderonte e do t’i sillte perfitime morale.
    Une jam dakord me gezimin (respektoj jo vetem pseudonimin por edhe gabimet ne mosfillimin e emrit me shkronje te madhe), qe ky blog do te behej me i kerkuar se tere gazetat e Tiranes. Per nga vlerat ai eshte – deja! Pra problemi eshte kur emri i pavertete eshte mjeti i fshehjes, nga ndjenja e turpit apo i shtatshkurtesise.

    Viktori – pseudonim sigurisht

  13. Xhaxhai, nese do e dija qe ato dy fjale te miat do te provokonin komente si ato qe provokuan dhe madje edhe nje teme apostafat nuk do i kisha shkruar aspak.
    Ajo qe shkruajta une nuk kishte asgje fyese, tendencioze, me fjale te tjera dicka jashte moralit dhe etikes se ketij blogu.
    Per me shume qe ne fund permendja qe ky blog shpesh ka materiale interesante.
    Me vjen keq qe pikerisht ti behesh inisiatori dhe frymezuesi i disa komenteve te tipit “turra e druve” qe bene me pas disa nga ithtaret e tu. I quaj ithtare sepse me cuditi gatishmeria e tyre per t’iu versulur te pakenaqurit e per te qene verberisht ne krah te te zotit te shtepise, edhe pse askund ne fjalet e te pakenaqurit nuk kishte aresye per keqkuptime.
    Une perseri jam i te njejtit mendim ne lidhje me shkrimin ne fjale. Ti nuk besoj se pretendon qe ne morine e shkrimeve te tua te perditshme ne kete blog te mbash te njejtin nivel dhe cilesi te larte dhe kjo eshte e kuptueshme dhe nuk ka asgje te keqe ne vetvete.
    Ngutesh kur fillon t’i ndash lexuesit e tu ne “kallepe”, sic shoh qe ke bere edhe ne rastin tim. Se cfare “kallepi” jam une ti dhe te tute nuk keni si ta dini per sa kohe qe ishte i pari koment qe une beja ne blogun tuaj. Nuk besoj se jeni fallxhore apo njerez me aftesi paranormale. Paragjykimi i nje te panjohuri nuk te nderon.
    Kerkoje te dije aresyen pse i pakenaquri perderisa pretendon se eshte lexues i ketij blogu, nuk paska lene kurre ndonje shenim e fjale te mire ne kete blog. Ti prandaj ke dale ketu me blogun tend? Per te mbledhur vec fjale te mira dhe superlativa te cilat nuk mungojne as ketu ne fakt? Une besoj se heshtja e lexuesit shpesh ka me shume vlere se sa komentet per hir te komentit. Ti paragjykon lexuesit e heshtur. Une jam nje prej tyre. Nuk kam kohe te lire me shumice, ndaj te vetmen dite pushimi qe kam ia kushtoj disa websiteve te internetit qe i quaj interesante, njeri eshte ky blog. Futem dhe lexoj. Shpesh e shijoj. Ne disa tema nuk mund te komentoj pasi nuk e ndjej veten kompetent te temes qe trajtohet, ndaj bej lexuesin ne heshtje. Ne tema te tjera mund te komentoj me kenaqesi kur ndjehem ne truall te njohur, por nuk komentoj sepse kam vene re qe ketu rralle mund te besh vetem nje koment. Kjo sepse rrjedha e komenteve te komenteve eshte me e forte se rrjedha e komenteve per temen. Une zakonisht jam partizan i ketyre te fundit.

  14. Xha xhai, nderkohe qe shume nga ato qe thua qendrojne (ne pergjithesi per fenomenin e komenteve ne faqet publike shqiptare), me duket e ke trajtuar pak njeanshem ceshtjen, dhe kjo mbase nga vete ‘pozicioni’; ti je jo vetem pronar i ketij blogu po dhe je kryesisht ne ‘kategorine’ e autoreve, nderkohe qe shumica e te tjereve jane ne ate te komentuesve.

    Pse them njeanshem. Nuk besoj ne altruizma, sidomos ne blogje apo publikimet ne pergjithesi. Pra kur thua qe autori harxhon mund dhe kohe dhe ofron dicka falas, cili eshte qellimi i autorit ne kete rast? A nuk eshte se pari kenaqsia vetiake (nothing wrong with it) qe te lexohet nga te tjeret, dhe te komentohet/ndaje mendime me te tjeret? A do vazhdoje te shkruaje ti apo kushdo tjeter sikur te shikonte nje dite qe papritur ka vetem 20, te themi, dhe jo me 700 lexues apo sa keni juve zakonisht?

    Pra, ne nje faqe publike si kjo, po dhe ne shtyp e media ne pergjithesi, kemi te bejme me marrje-dhenie, jo vec me dhenie, pasi dhe lexuesi/komentuesi harxhon kohen tek kjo faqe apo nje artikull i filan gazete etj. nderkohe qe larmia (te pakten per nga sasia, ne shqip) ne internet eshte e madhe, apo jo?

    Njesoj me duket dhe ajo qe thua se komentuesi projekton veten; ne nje fare menyre dhe autori ben te njejten gje, jep argument nga brenda vetes, nga vetja, dmth s’ka argument per tu shtjelluar ne kete pike, se cdo njeri qe thote dicka e thote ‘nga vetja’. Ndersa cuarja ne ekstrem, ne psikoanalize e kesaj ceshtje, eshte normal spekullative, sidomos me audienca dhe nderveprues (autore, komentues) anonime; do ishte njesoj sikur dikush tju thoshte juve per aksh argument qe nuk qendron fare po juve jeni duke projektuar kete apo ate mangesi nga vetja.

    Kurse ajo qe njerzit kryesisht komentojne kur kane kritika etj, mbase eshte me shume fenomen shqiptar (interneti i perhapur ne mase tek shqiparet eshte akoma dicka relativisht e re), megjithese trolls dhe “vetem kritikues” ke dhe ne faqe te huaja. Por mbase vjen dhe ngaqe njerzit motivohen me shume per te shkruar (per te bere dicka ekstra, pertej leximit) kur kane dicka per te thene, sic thua ose per ta cuar me tutje shkrimin kur jane dakort, apo dhe kur s’jane, dhe qellon qe ke me shume per te thene kur s’je dakort sesa kur je, ma ha mendja.

    Por dhe ngase ne shqiptaret e kemi pak me veshtire te komplimentojme (dhe falenderojme, kerkojme ndjese, etj) sesa te kritikojme. Dmth c’ka vjen (per aq sa vjen) si rrjedhoje e nivelit te pergjithshem te kultures dhe etikes se nje populli, eshte nejsoj ne cdo medium komunikimi dhe duhet bere zbritje ne kete rast ne ‘llogaritje’ te internetit.

    Tek e fundit nuk mendoj se ndryshon shume nje bashkebisedim ne blog nga nje ne nje tavoline kafeje ku ti shkon dhe gjen aty shume njerez te ulur paraprakisht, nuk se i perzgjedh ti ata; ka nga ata me nivelin e te cileve je i kenaqur ne bisede, ka nga ata per te cilet mendon “c’e harxhon kot frymemarjen”, etj.

    Per me teper qe ne nje faqe si kjo ku komentet duhet te moderohen para se te shfaqen, apo dhe ku ti si autor mundohesh te perzgjedhesh (indirekt) dhe komentuesit me ane te temave qe trajton/publikon, ku nuk synon sasine e lexuesve e komentuese po cilesine, them se (shpresoj, se s’e kam ndjekur rregullisht blogun tuaj me pare) dukurite negative qe hasen tipikisht me shumice ne faqe te tjera publike, si PPU etj, te jene minimale ketu.

    P.S. Urime per blogun, mgjths s’eshte leximi apo komenti i pare, por pse jo dhe per te mos bere vetem kritika. 🙂

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin