MUR PAS MURI

RepartitionKëto ditë ngado që të përplasesh të del përpara nga një kremtim i shembjes së Murit të Berlinit, së bashku me klishetë përkatëse për triumfin dhe disfatën; Europën, Gjermaninë, fundin ose fillimin e historisë, Gorbaçovin, Roger Waters-in e të tjerë me radhë.

Njëzet vjet janë të mjaftueshme për të kthyer faqen dhe ndërmarrë një reflektim disi më serioz për një ngjarje që ende nuk është kuptuar mirë, në vetvete dhe së bashku me çfarë pasoi, ose shembjen e bllokut lindor, shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës, dhe fundin e Luftës së Ftohtë.

Ky reflektim doemos do të nisë dhe do të mbarojë me simbolin e murit – si ndërtim dhe si pengesë, si rrethim dhe si dëshmi e rrethimit, si mbrojtje dhe si kërcënim, si kafaz dhe si shqyt.

Nga kjo pikëpamje, muri i Berlinit, së bashku me mure të tjera të famshme në histori – duke nisur që nga i Kinës – mbahej në këmbë, në thelb, si një barrierë midis dy qytetërimeve që i druheshin njëri-tjetrit; dhe kjo pavarësisht se kush e ngriti dhe pse. Hapja e deklaruar e Perëndimit, këmbëngulja propagandistike për të drejtën e qarkullimit, të lëvizjes dhe të zgjedhjes së vendbanimit varej, fund e krye, nga mbyllja e Lindjes, siç e kemi provuar ne shqiptarët në shpinë më mirë e më thellë se kushdo popull tjetër në Europë.

Dhe nuk ka dyshim që çdo qytetërimi i duhet muri, çfarëdolloj muri, për të lulëzuar; njëlloj si kopshtit i duhet gardhi; ose kishës streha për ta mbrojtur nga shiu. Deri edhe qelizës i duhet një membranë, që të mund të funksionojë si qelizë, të ruajë e të riprodhojë jetën. Duke e vulgarizuar një tezë të njohur të termodinamikës, po mjaftohem të them se vetëm në sisteme relativisht të mbyllura mund të mbahet entropia e ulët.

Shembja e Murit të Berlinit ishte gjest spektakolar, i menduar dhe i ekzekutuar për ekranet e mediave dhe simbolikën e kazmës që gjithnjë triumfon ndaj mistrisë; por në të vërtetë çfarë ndodhi në Berlin, veç bashkimit të Gjermanisë, ishte hapja e një porte fenomenale, sikurse do t’i kish hije çdo bote ku njerëzit merren vesh mes tyre nëpërmjet vizitave, jo kazmës dhe ekskavatorit.

Ose së paku asaj bote ku, më mirë se të shembësh muret, mund të përpiqesh të hapësh e të mirëmbash portat.

Natyrisht, Muri i Berlinit ishte edhe një digë tashmë e plasaritur anembanë nga trysnitë; por nga cilat trysni pikërisht? Asokohe të gjithë besonin se shpatullat murit po i viheshin nga Lindja, ose nga turmat e njerëzve të trajtuar si kope bagëtish e të mbajtur të mbyllur në vathët e ndyta të realitetit socialist; sot, përkundrazi, duket sikur një trysni po aq e fortë, në mos më tepër, vinte edhe nga Perëndimi – në trajtë mallrash junk, pronësimesh, shfrytëzimesh, rrjepjesh, plehrash, mjeljesh e të tjerash transaksione ekonomike të cilat u konsumuan nën hundë të ligjit e në emër të tregut të lirë, ose ultramodelit pas të cilit krejt Lindja duhej ta organizonte tashmë vetveten. Plaçkitja e Rusisë në kohë të Jelcin-it është vetëm një nga shembujt, ndoshta më spektakolari, i vërshimit të padukshëm të maskarallëkut, në të dy krahët, që shoqëroi shembjen – ose të atij maskarallëku që shoqëron zakonisht shembjet.

Mund të pyetet, në këtë kontekst, nëse Muri i Berlinit u shemb vërtet, apo vetëm sa u zhvendos gjetiu magjishëm, ose u sublimua në trajta të tilla, që të mos u vriste sytë brezave të entuziazmuar të 1990-ës; teksa raportet e forcave në Europë dhe gjetiu riorganizoheshin, për t’u bërë ballë realiteteve të reja, ekonomike, politike dhe demografike.

Përsëri, po të shkosh në Shqipëri e në Kosovë, do të dëgjosh se muri – si i tillë – vazhdon t’i rrethojë shqiptarët; qoftë nëpërmjet karantinës së vizave, qoftë me mënyra të tjera, ndoshta shumë më të efektshme se arma e rojes së kufirit, postëblloku, prozhektori, ose gjuha avulluese përjashta e qenit hero. Por edhe gjetiu, në botën mbarë, ky njëzetvjeçar nuk është se ka ndihmuar, sadopak, me kapërcimin e mureve ose hapjen e portave, urave e rrugëve të reja midis botëve që ishin edhe më parë të ndara.

Përkundrazi. Edhe pse pakkush e kishte pritur, fundi i Luftës së Ftohtë dhe kolapsi i Lindjes sovjetike u shoqërua edhe me kolapsin, komik në vetvete por dramatik për nga pasojat, të së majtës socialdemokrate europiane, së cilës europianët vetë, por edhe të tjerët për inerci, i detyrohen për të gjitha arritjet e admirueshme në politikat sociale, të cilat e kishin shndërruar Europën në një Athinë të rilindur, ose në shpresën e realizuar për drejtësi, liri, barazi dhe vëllazëri.

Kriza e sotme financiare, që i pati rrënjët në grykësinë kriminale të bixosçinjve të Wall Street-it dhe në filozofinë, tashmë po aq të dështuar sa edhe komunizmi sovjetik, të ekonomisë së tregut si rregullatore e vetvetishme e jetës sociale dhe model i demokracisë planetare, konfirmoi edhe një herë se, pas shembjes së “Perandorisë së të keqes”, për ta thënë me një shprehje të Presidentit të atëhershëm Reagan, Perëndimit erdhën duke i humbur edhe epërsia morale edhe vlerat për të cilat e adhuronte, mes të tjerash, edhe vetë Lindja e Europës dhe forcat liridashëse dhe progresive anembanë botës. Tetëvjeçari katastrofë i presidencës George W. Bush u shndërrua, kështu, në apoteozën e atij mediokriteti total që e mishëron më së miri, ndoshta më mirë edhe se vetë NATO-ja ose globalizimi, fytyrën e vërtetë të fitimtarit që u ngjit i pari në muret e kështjellës emblematike të Berlinit.

Po a nuk ka vallë diçka ironike, madje sarkastike, në faktin që muri i Berlinit u shemb për t’u zëvendësuar nga kulti sa i pështirë, aq edhe i përkohshëm, i një muri tjetër, Wall Street-it; edhe pse këtij të fundit shembjen askush nuk po kujtohet t’ia festojë?

18 Komente

  1. Një trajtim shumë i mprehtë i autorit për temën aq të rëndësishme të rrokullisjes së modeleve që deri dje, apo edhe sot, paraqiten si maja apo fjala e fundit e qytetërimit.
    Shembja e murit të Berlinit dje, dhe të atij hipotetik të Rrugës së Murit [Wall Street] sot të sjellin në mend edhe një tubim të planifikuar këtë javë në një cep të Ilirsë së Poshtme të quajtur Tiranë si protestë kundër “Murit të Schengen-it”.
    Eshtë e qartë se BE-ja sot ka ngritur vetë jo një, por disa mure, dhe jo vetëm të jashtëm (kundër afrikanëve, apo ballkanoperëndimorasve), por edhe të brendshëm (kundër hidraulikut polak, emigrantit turk apo punëtorit rumun), kjo është e qartë.
    Mos vallë ka ardhur koha të flitet edhe për plasaritjen që herët apo vonë do të sjellë edhe shëmbjen e “Murit të Evropës”?

  2. Analizë e vëmëndëshme XhaXha…
    Vërtet që rënia e murit përbën një moment historik për Europën dhe gjithë botën (dhe si e tillë do ngelet në histori), por, ashtu siç e vinit në dukje edhe ju, nuk zgjidhi problemet (për të mos thënë: nuk realizoi ëndërrat) e atyre që kujtonin se mjaftonte të rëzohej një mur për të hyrë në parajsë (o ndoshta Parajsa nuk ishte aq e lumtur sa ç’dukej në reklama 😉 ).

    Nejse, nisa të shkruaj këtë koment, dhe të më falësh për OT, por nga këto festime më ngelën në mënd dy detaje të vockla:
    1 – Merkel, kryetarja e njërit prej shteteve më të fuqishëm në skakierën e BE-së, origjinën e saj e ka nga ajo RDGJ komuniste që theu murin.
    Pyetjes së një gazetari se “Si e festuat ju disidentët rënien e murit”, ajo mjaft ftohtë ju përgjigj: “Nuk kam qënë disidente… si gjithë të tjerët, punoja ndershmërisht për të bërë punën time edhe në atë sistem”…. (më erdhën ndërmënd italianët që pas vrasjes së Musolinit dolën se ishin që të gjithë antifashistë… ashtu si në Shqipëri… ku jemi të gjithë antikomunistë 😛 )
    2- “Gëzohem që u njohëm”, i tha sekretares së Shtetit Amerikan, Hillari Clinton… bile “më bëhet qejfi që mund t’ju prezantoj bashkshortin tim”… por, në ktë prezantim nuk ishte Merkel që po fliste, por ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle (gay i deklaruar).

    Një mur tjetër të jetë rrëzuar?!

  3. Jean Baudrillard dikur pat shkruar se Lufta e Gjirit nuk ka ndodhur kurrë. Çfarë kishte parasysh me këtë, ishte spektakli i një realiteti të inskenuar që i transmetohej spektatorit thuase ky ishte rehatuar, me divanin e vet, në mes të një shkretëtire me ajër të kondicionuar.

    Përsiatjet e Baudrillard për fabrikimin e luftës si tërësi imazhesh që i paraprijnë madje edhe vetë luftës dhe përleshjes më erdhën në mend sot, kur po shfletoja shtypin, për të vënë re hapësirën e madhe që i ishte dhënë aty RËNIES së Murit të Berlinit (gjithnjë kjo shprehje më ka kujtuar aluzionin e hapur ndaj RËNIES në Bibël).

    Jam tepër e re që të më kujtohet propaganda gjatë Luftës së Ftohtë, por sot m’u duk se vërejta një orvatje të dëshpëruar për ta ringjallur këtë propagandë, në momente të krizës së kapitalizmit perëndimor dhe mantrës së tregut të lirë.

    Titujt, fotografitë dhe rrëfimet e dëshmitarëve të drejtpërdrejtë që ishin përzgjedhur me aq kujdes, sikur më porositën që të mos e marr për të mirëqenë mënyrën si jetojmë ne sot, në Lindje dhe në Perëndim (lexo: kapitaliste). Përkujtimi mori kështu përmasa irreale, që ndoshta kishin për synim rimëkëmbjen e sistemit të sotëm të sëmurë, sesa reflektimin për vdekjen e sistemit totalitar dje.

    Vërtet, nëse ka ndonjë gjë që kemi mësuar, kjo nuk është se sot po bëjmë 20 vjet të lirë nga komunizmi, por vetëm që kemi pasur 20 vjet liri të eksperimentojmë me virtytet e liberalizmit të tregut. Disa nga këto eksperimente të kryera në emër të lirisë e kanë dëmtuar njeriun ndër ne ndoshta po aq sa edhe mohimi i lirisë vetë.

    Ashtu, kremtimet sot nuk iu bënë RËNIES, por NGRITJES, në stilin e zakonshëm, vetë-lavdërues, ose të atij të menduari dëshiror që e ndeshëm edhe tek George W. Bush, kur ky u vesh si pilot avioni luftarak dhe deklaroi “MISSION ACCOMPLISHED” në Irak.

    Me ç’rast nisa të mendoj edhe unë se ndoshta Rënia e Murit të Berlinit nuk ka ndodhur. MURI nuk u shemb kurrë; vetëm ne u muruam të gjallë në simulakrat e tij.

  4. ””’Dhe nuk ka dyshim që çdo qytetërimi i duhet muri, çfarëdolloj muri, për të lulëzuar; njëlloj si kopshtit i duhet gardhi;””

    Po kultures shqiptare?

    ””Kriza e sotme financiare, që i pati rrënjët në grykësinë kriminale të bixosçinjve të Wall Street-it””

    Mbeshtetesve te Obames ?

    ””’të së majtës socialdemokrate europiane, së cilës europianët vetë, por edhe të tjerët për inerci, i detyrohen për të gjitha arritjet e admirueshme në politikat sociale,””’

    E te mendosh se ishte Bismarku (junker e konservator i kulluar i asokohe) ai qe filloi rrugen e arritjeve te admirueshme, dhe u dogji socialdemokrateve letrat ne duar. Mbase edhe ky ‘detyrim’ eshte, ose mbase Europa e pasuruar kishte per te gjithe, biles aq shume sa te ruante kohezionin social edhe ne qytetet qe zmadhoheshin gjate shekujve 19-20.
    Edhe Perandoret romake u jepnin buke te papuneve, hyrje thuajse falas ne banjot publike, hyrje thuajse falas ne Kolose, po sme duket se ishin arritje fale socialdemokracise, sesa nevoje e Metropolit.

    Meqe ra llafi edhe tek Athina, luften asokohe e fitoi Sparta.

    Ne pergjithesi nuk pajtohem me frymen akuzuese ndaj Perendimit, duket sikur renia e Murit ishte gabim, biles degjova dike qe kishte nxjerre 1 milion te vdekur ne vendet e Lindjes si pasoje e rritjes se vdekshmerise foshnjore.

    Muri i Berlinit ishte ne radhe te pare mur politik, para se social apo ndares qyteterimesh. Perfitimi i madh eshte i nivelit politiko-ushtarak, Lindja perfundoi se qeni rrezikuese e mbijeteses se Perendimit, si fizik per banoret ashtu edhe te sistemit politik.

    Kur perfundon nje lufte (edhe pse e ftohte), ska kuptim te mos kremtohet fitorja per shkak te atyre qe iken e apo te atyre qe do ikin ne vitet e menjehershme paslufte, viktimat anesore.

    Mund te kritikohet imperializmi ekonomik qe buron nga financa e lire dhe tregtia e lire edhe pa u prishur festen fitimtareve. Vetem bej kujdes te jesh politikisht korrekt e te mos kritikosh hebrejte qe i kane duart plot me parate qe u grabisin me ane te ketij sistemi atyre te shkreteve qe po u qan hallin.

  5. As une s’pajtohem me frymen akuzuese ndaj Perendimit, por s’kemi pse te mbajme frymen per te konstatuar, edhe pse konstatimet nganjehere mund te interpretohen sipas frymezimeve perkatese.
    Si ish-lindore renien e Murit e quaaj nje ngjarje plotesisht pozitive e te festueshme. C’nuk me pelqeu kete vit eshte festimi deri ne veleritje me fragranca glamour e xixa injorance. Pjesa derrmuese e perendimoreve, nuk kane kuptuar e nuk jane aspak te informuar per ish-Lindjen.Madje ky kremtim dhe krahasimi i Xha Xhait me membranen qelizore, me beri te mendoj se shembja ishte nje skenar Holliwoody, shembjet ne pergjithesi jane vandale, ashtu si dhe muret ekstremiste. Qeliza e ka zgjidhur ndryshe problemin; me pore(dhe kjo eshte nje histori me vete, shume e nderlikuar e vazhdimisht e admiruar se e pa kopjueshme). Eshte gabim te kerkojme shembje muresh, le te krijojme mure me kanale shkembimi, duket qe jane me te vlefshem se hapjet pa kufi, e ku e ku me te vlefshem se muri pa dere e dritare.

  6. ””’Përkujtimi mori kështu përmasa irreale, që ndoshta kishin për synim rimëkëmbjen e sistemit të sotëm të sëmurë, sesa reflektimin për vdekjen e sistemit totalitar dje.””’

    Po komentoj duke marre kete pjesen, meqe te gjithe jeni kapur pas mustaqeve te Celos, te pakten sipas kendveshtrimit perendimor, meqe ky vaji qe ka plasur ketu eshte per dicka per te cilen nuk i hante shume meraku.
    Meraku i hante per bombat atomike te Rusise Sovjetike, per aftesine e jashtezakonshme konvencionale te Ushtrise se Kuqe, e cila brenda 24 oreve arrinte Renin e ndoshta 48 oreve Atlantikun.

    Lindja nga pikepamja ekonomike keto 20 vjet ka perbere barre te rende; jo vetem Lindja gjermane per Perendimin Gjerman por Lindja e Europes per Perendimin e Europes.

    Tani ata te perendimit shpresojne ti hyjne prape ato parate qe kane harxhuar per te shpetuar Lindjen nga efektet e Lajthitjes Komuniste.
    Nuk eshte Perendimi qe perfiton nga hidrauliku polak, po hidrauliku polak nga Perendimi, meqe Perendimi mund ti gjeje emigrantet e nevojshem ne cilen zone te Botes ti doje kokrra e Qejfit.

    Do ankohemi pse ne diten e Kremtimit, fituesit po kremtojne? Duhet te reflektojne pikerisht daten e Pervjetorit?
    Kete kendveshtrim as Sokrati se mbron dot.

    Perendimi eshte ne mes te nje krize ekonomike, data te tilla shfrytezohen perhere per tu dhene njerezve besim, sepse kane nevoje per besim.
    Vete Perkujtimi i ngjarjeve te medha behet me qellim jo vetem perkujtimor; ‘na ishte njehere….’ por edhe pse sherben si burim besimi. Do e perkujtojme pas ca vjetesh 100 vjetorin e Pavaresise , jo vetem per te thene, ‘na ishte njehere filani qe donte per shqiptaret jete me te mire’, por edhe per tu dhene shqiptareve besim tek liria, tek shteti…. tek Vetvetja.

    Mund te shtrohej shume ndryshe diskutimi mbi Murin, po patjeter mund te shtrohej shume ndryshe …

    1. Vajtuesi:

      Mund te shtrohej shume ndryshe diskutimi mbi Murin, po patjeter mund te shtrohej shume ndryshe …

      Po shtroje, o Vajtues, nuk të pengon kush. Hapësirën e ke me pashë. Më mirë ta shtrosh, se të kërresh sentenca si ajo më lart, që do t’i kishin hije ndonjë Kryetari Këshilli Shkencor, por kurrsesi jo një komentuesi në një blog.

    2. Po prek vetëm një aspekt ndoshta anësor të argumentit – paratë që paska shpenzuar Perëndimi për Lindjen.

      Them se argumenti është shtruar shtrembër.

      Perëndimi kurseu miliona, në mos miliarda dollarë, nga pakësimi i shpenzimeve ushtarake që bënte gjatë Luftës së Ftohtë.

      Një pjesë e këtyre, i shkuan, teorikisht, Lindjes.

      Në të vërtetë, kam frikë se mes atyre që i shkuan Lindjes, pjesa e luanit u kthye sërish në Perëndim si rroga astronomike ekspertësh e të dërguarish, ose kontrata për blerje pajisjesh e shërbimesh me çmime nominale (edhe pse përsëri astronomike) nga shitës të privilegjiuar në Perëndim.

      Një pjesë tjetër përfundoi në xhepat udhëheqësish politikë dhe businessi të korruptuar; shumica e të cilëve vinin nga rrjetet informale të mirëmbajtura prej kohësh nga Shërbimet Sekrete – dhe kjo jo vetëm në Shqipëri; dhe ashtu duhet konsideruar më shumë si rryshfet, përkundrejt favoresh politike gjithfarësh.

      Përkundrazi, plaçkitja që iu bë Lindjes, sidomos Rusisë, ishte reale; dhe dashur pa dashur është përgjegjëse për çka ndodh sot me të ashtuquajturin putinizëm. Në Shqipëri, e njëjta formë plaçkitjeje mori formën e vandalizmit, kur njerëzit shkuan të shesin për skrap deri edhe shinat që ia shkulën hekurudhës…

      Prandaj unë nuk mund të duartrokas dot një zhvillim, sado të kremtuar, që e ka vendosur Shqipërinë, prej gati 20 vjetësh, në reanimacion politik dhe ekonomik. Ndoshta gjermanolindorët, çekët, hungarezët kanë arsye të ndihen krenarë dhe të shpaguar; por edhe të parët kam frikë se po ndihen të zhgënjyer, po t’u besosh sondazheve.

  7. Ajo ishte kritike, nuk ishte sentence e me duket se kritikat i lejohen komentuesit.
    Kritika i drejtohet trajtimit partizan, qe bie ndesh me pretendimin e pastertise intelektuale/diturore te shume prej pjesemarresve (qe gjithsesi nuk eshte i imi). I njohim bindjet politike te njeri-tjetrit, por e marrim te mireqene qe per ceshtje madhore i leme jashte apo te pakten nuk i bejme boshtin e mendimit. Ka plot ceshtje te mirefillta politike, ska kuptim qe tek ceshtja e Murit, te pakten ne shqiptaret te sillemi si ta zeme komunistet italiane.

  8. Përsëri, po të shkosh në Shqipëri e në Kosovë, do të dëgjosh se muri – si i tillë – vazhdon t’i rrethojë shqiptarët;

    Ndersa une them qe jane Shqiptaret qe rrethojne murin. Nqs i referohemi historise, qytetaret ‘romake’ te Janines i refuzonin ‘vizat’ vetem Arberorve ndermjet morise multi-kulti qe jetonte perreth.

  9. Po mire xhanem, cfare borxhi i kishte Perendimi Lindjes? Perendimi i thurrte lavde kapitalizmit, demokracise, lirise…ashtu sic e njihte dhe e aplikonte vete. Lindja degjonte e shikonte copeza lavdesh, reklamash…. dhe thurrte endrra demokratike, kapitaliste. Ra Muri, ra socializmi, u be rremuje dhe perfituan te paskrupujt ne Perendim dhe ne Lindje.

    Papritmas, na doli qe kapitalizmi, liria, demokracia e Perendimit nuk ishin aq te mira sa dukeshin ne libra e televizor. Ma merr mendja se shume njerez ne Perendim kane qene me kohe te ndergjegjshem per mangesite e Perendimit. Kush ja ka fajin Lindjes, pervec rrethanave historike, qe ishte ne terr dhe rronte me endrra?

    Nuk marr vesh as ate hesapin e parave qe Perendimi i paskesh patur borxh Lindjes, meqe kurseu nga mbarimi i Luftes se Ftohte. Eshte pak sikur une ti kem borxh hajdutit, qe nuk po vjedh me ne lagjen time, parate qe do kisha shpenzuar per sistem alarmi.

    Lindja nuk paska faj qe eshte e pazhvilluar, e paformuar, e babezitur, e korruptuar, e dhunshme….ja paska fajin korrupsioni i Wall Street-it….dhe demokracia e papersosur e Perendimit. Si i bije atehere, qe ishim mire mbrapa Murit? Kot i gezohemi renies se komunizmit se kane kaluar 20 vjet dhe ne nuk jemi bere ashtu sic duhet. Ne as Amerika, as Gjermania, asnje vend nuk na duket “sic duhet.” Cfare po i kerkojme Lindjes dhe Perendimit, Utopian?

    1. LG shkruan:

      Po mire xhanem, cfare borxhi i kishte Perendimi Lindjes? […] Kush ja ka fajin Lindjes, pervec rrethanave historike, qe ishte ne terr dhe rronte me endrra?

      LG, këtu nuk po flet kush për borxhe. Këtu po flasim për botën e krijuar pas shembjes së murit, dhe po diskutojmë nëse kjo ishte “më e mira e mundshme”. Përndryshe, le të themi që Lindja është e prapambetur dhe Perëndimi i përparuar, dhe se komunizmi është pasojë e prapambetjes, jo shkak…

      Nuk marr vesh as ate hesapin e parave qe Perendimi i paskesh patur borxh Lindjes, meqe kurseu nga mbarimi i Luftes se Ftohte. Eshte pak sikur une t’i kem borxh hajdutit, qe nuk po vjedh me ne lagjen time, parate qe do kisha shpenzuar per sistem alarmi.

      Këtu kam frikë se e ke gabim. Së pari, e përsërit, nuk po flet kush për borxhe. Nëse e ndoqe diskutimin, ky nisi qëkur Vajtuesi përmendi shumat e mëdha që kishte derdhur Perëndimi në Lindje; me ç’rast unë u përgjigja se, megjithë ato shuma, ndihma, kredi e investime, përsëri Perëndimi doli i fituar nga fundi i Luftës së Ftohtë, sepse kurseu biliona nga shpenzimet në fushën ushtarake. Ndoshta duhej të kisha shtuar edhe se Perëndimi është njëfarësoj i detyruar të investojë në Lindje; madje edhe ta mbajë këtë me bukë, në qoftë se nuk dëshiron që të përsëritet pranvera e vitit 1991, kur Lindja ia zbarkoi “mysafirët” me vaporë (shqiptarët në Puglia). Ti nuk mund të tolerosh një komshi të molepsur, pranë vilës sate luksoze; pleshtat do të kërcejnë nga qeni i komshiut tek yti, së bashku me sëmundjet, erën e keqe, muzikën e prishur, dhe të tjera kusure të fqinjësisë së mirë. Ti ose ndërhyn për ta larguar fqinjin, ose për t’ia përmirësuar gjendjen – në rastin e dytë, duke shpëtuar edhe shpirtin në proces; ose fundja duke i gjetur fqinjit një punë, p.sh. të të pastrojë bahçen ose të të nxjerrë qenin shëtitje…

      Lindja nuk paska faj qe eshte e pazhvilluar, e paformuar, e babezitur, e korruptuar, e dhunshme….ja paska fajin korrupsioni i Wall Street-it….dhe demokracia e papersosur e Perendimit. Si i bije atehere, qe ishim mire mbrapa Murit?

      Po pse xhanëm çdo kritikë e rrugës që u ndoq pas Shembjes së Murit u dashka marrë si nostalgji, sado e kamufluar, për gjendjen nën komunizëm? Ç’lloj arsyetimi është ky? Pse vallë u dashkan pranuar vetëm dy alternativa – komunizmi, ose deregulation i egër, terapia e shokut, privatizimi deri i zjarrfikësve dhe shkatërrimi me kazmë i të gjitha formave të amortizimit social, që u eksperimentuan hareshëm në Shqipëri, dhe gjetiu në Lindje, nga neoliberistët dhe të tjera krijesa të çuditshme që adhurojnë kazinonë e Wall Street-it si viçin e florinjtë? A nuk pranojmë kështu, vetvetiu, se zgjidhja që erdhi pas Shembjes ishte “më e mira e mundshme”? Përkundrazi, unë besoj se u bënë shumë gabime, ca nga euforia dhe ca nga grykësia; ca nga budallallëku dhe ca nga mençuria; të cilat, si edhe herë të tjera, i sheh të mishëruara në krizën e shoqërive financiare në Shqipërinë e vitit 1997; e cila e pararendi, për më shumë se një dekadë, krizën e tanishme të kreditit në botën perëndimore. Dikush përfitoi egërsisht nga Shembja – dhe ky dikush nuk kishte të bënte as me ty, as me mua, as me të gjithë ata të tjerët që e festuan shembjen e Murit atëherë kur duhej, jo tani kur nuk duhet. Dhe, në të vërtetë, kishte edhe zgjidhje tjetër, e cila nuk u zbatua me dashje, jo nga padija. Një nga arsyet e këtij reflektimi tonë këtu ka të bëjë me çfarë shkoi keq dhe pse… jo vetëm me Lindjen pas-komuniste, por edhe me Perëndimin; sepse Perëndimi sot po i vuan pasojat e euforisë së djeshme ndoshta edhe më thellë se Lindja; meqë Lindjes i dhembin, kryesisht, gjymtyrët e humbura; me një fjalë, vuan nga ajo që e quajnë “phantom pain” – por dhimbjet e Perëndimit janë reale, sikurse është reale papunësia, shtegtimi i vendeve të punës, shkurtimi i benefiteve dhe pakësimi i mbrojtjes sociale, rritja e rrogave të CEO-ve të po atyre firmave financiare, të cilat ia rrënuan financat planetit… Po mos më lër të vazhdoj se mërzita dynjanë.

      Kot i gezohemi renies se komunizmit se kane kaluar 20 vjet dhe ne nuk jemi bere ashtu sic duhet. Ne as Amerika, as Gjermania, asnje vend nuk na duket “sic duhet.” Cfare po i kerkojme Lindjes dhe Perendimit, Utopian?

      Po.

  10. Mur pas Muri, është ndjesia që bashkon të gjithë brezat entuziaste te viteve 1990, flas për ata që kanë patur kohën, dëshirën dhe aftësinë për të medituar mbi ndërrimin e madh epokal të cilin e përjetuan padashur në rolet e protagonistëve apo spektatorëve. Por shumë shpejt entuziazmit të sinqertë ia zuri vendin zhgënjimi nga vitet e anarkisë së pandërprerë, nga pafuqishmëria e aparateve shtetërore për të kontrolluar dhe drejtuar procesin e shndërrimit të ekonomive tejet të centralizuara lindore në ekonomi tregu të lirë. Zhgënjim sepse në atë kohë ne nuk mund të parashikonim që tranzicioni, donim apo s’donim ne, do të kryhej pikërisht nga forcat e reja që nuk munguan ta mbushin shumë shpejt skenën politike, por të cilat qoftë për background kulturor e qoftë për vetë forma mentis do të dilnin natyrshëm pikërisht nga humusi i nënëmadheve parti komuniste që gjithë Lindja kishte anatemuar. Rezultati afatshkurtër qe ideja e bashkëfajësisë për kë si ne nuk arriti ose dhe nuk deshi të gjykojë dhe të dënojë përgjegjësit e drejtpërdrejt politikë, rezultati afatgjatë është reabilitimi nostalgjik i së shkuarës në të cilën të paktën kishte rend, nuk vdiste njeri për bukën e gojës, vajzat tona njiheshin për moral të pacënuar, shteti ishte shtet e të tjera argomente që në Shqipëri nuk t’i numërojnë vetëm pensionistët dhe veteranët. Rezultat afatgjatë është edhe fakti që targeti ri i gazetave kryesore shqiptare, ka nevojë akoma për kujtimet e vyera të First Lady-t Hoxha, janë që të gjitha sinjale të qarta që procesi i tranzicionit në të gjitha vendet e Lindjes dhe sidomos në tonin, u administrua në mënyrën më të papërgjeshme të mundur, së paku, kaotike. Primatin nuk e mbajtëm vetëm ne me pasojat tragjike të ngjarjeve të ’97-ës; dështoi në mënyrën më tragjike edhe e lavdishmja dhe dinjitozja Armatë e Kuqe në përballjen me Yuppie-t e rinj të financës ruse, ish- oficerë të KGB-së që u përshtatën shumë shpejt me realitetin e ri, dhe nuk patën asnjë vështirësi për të zëvendësuar Nënën Rusi me Miss Rublën. Përfundimisht, është e pashmangshme ndjesia që Perëndimit ndoshta i interesonte pikërisht rënia e shpejtë, spektakolare dhe kaotike e murit, i interesonte fasada e Solidarnosc-it, Karol Wojtyl-ës dhe Gorby-t por nuk i interesonin pasojat tragjike të asaj shembjeje të shpejtë, agonia e tejzgjatur e miliona e miliona lindorësh shpesh me diploma në xhep e që ishin rritur me operat e Bolshojit apo me veprat e Kadaresë, që u detyruan, si pasojë e kushteve të reja, të improvizoheshin si hidraulikë, muratorë apo shërbëtore të plakave të Eldorado-s së ëndërruar. Sigurisht, sigurisht, nostra culpa sigurisht, po ja që nuk më ngushëllon hiç fakti që nga fajet tona mësuan vëllezërit e zgjuar kinezë që jo vetëm që nuk u mallëngjyen atëherë nga ngjarjet e Murit dhe as Tienanmen-it dhe as sot nga Dalai Lama e nga Tibeti, por po e zgjasin jo më kot me dhjetëvjeçarë tranzicionin drejt kapitalizmit.

    Ka shumë mundësi që ne, edhe sikur t’i kishim parashikuar atëherë pasojat, do të kishim qenë të gatshëm megjithatë të paguanim çmimin që paguam, vetëm e vetëm të mos i shihnim më të rreshtuara Polit-Byrotë përkatëse.

    Ndërkohë që shembet Wall Street-i dhe kujtohen për anomalitë e tempullit të financës dhe të një sistemi bankar krejtësisht të pakontrolluar dhe të lënë në mëshirën e manjatëve të paskrupuj, zbulojnë fuqinë magjike të ndërhyrjes së Shtetit në favor të familjeve dhe qytetarëve, shkojnë e rrëmojnë në gërmadhat tona dhe shpluhrosin katër vëllimet e Kapitalit, dhe fillojnë e filozofojnë për Rrugën e Tretë.

    Megjithatë, muret po bien, njëri pas tjetrit.

    1. …Megjithatë, muret po bien, njëri pas tjetrit.

      E megjithatë, jo të gjithë muret janë njëlloj… dhe përbile, të tjerë vazhdojnë të ngrihen: Izrael/palestinë, Meksikë/Usa… më i fundit, ai në Bagdat…
      Nejse…
      Ju riktheva kësaj teme për të kujtuar vërejtjen që bënte edhe Xha Xhai në një nga komentet e tij: “Jo çdo qëndrim kritik ndaj asaj se si u veprua (apo se si po veprohet) tek ne, në Shqipëri, duhet medoemos të vijë nga “nostalgjikë”.
      Ashtu siç ishim verbuar nga shkëlqimi i perspektivës komuniste atëhere, të njëjtin verbim e shurdhëri e ndesh gratis sot në mbrojtjen e çfardolloj praktike ekonomike apo politike (mjaft që të jetë antikomuniste).

      P.s: Ndonjë nga komentuesit që jeton në New York mund ta konfermojë më mirë atë që burime alternative informacioni në Itali jepnin para ca ditësh: Guvernatori i NY deklaronte që kishin fonde edhe vetëm për 3 javë… dhe parashikonte shkurtime (e ku më mirë se në arsim… çaj e marmallatë edhe për studentët amerikanë 😛 ) si dhe aktivitet të reduktuar (zjarrfiksat, policët e trafikut etj etj) nëse shteti nuk do të ndërhynte që t’i jepte fonde…
      E vonuara në kohë e këtyre vështirësive të kapitalizmit, bëri vetëm që të dukej sikur kishte epërsi ndaj socializmit të atëhershëm… imagjinoni sikur kriza e sotme financiare të kishte ndodhur para se të rrëzohej muri i Berlinit… besoj se vetëm E vonuara (komentuesja e mësipërme) do të bënte akoma ndonjë përpjekje për të rrëzuar ndonjë mur…

  11. Me shume se lufte ideshe apo raketash, me duket se ajo e ftohta ishte lufte xhepash. Kush i kishte me te thelle. Dhe arma kryesore nuk qe prej hekuri dhe triglicerine, por prej silikoni te xhamezuar, ne formen e nje ekrani te shdritshem televizori.

    Po te shohesh grafikun e rritjes se borxhit te qeverise amerikane (e kur thua amerikane, ke thene gjithe perendimi), mund te vihet re se nga 1982-83 e deri me sot, ai shkon vertikal gati 90 grade.
    Po te shohesh grafikun e M2 (mases se parase se krijuar dhe hedhur ne treg), ne te njejten periudhe ai shkon njesoj, gati 90 grade vertikal.
    Pra e gjithe ajo mireqenie materiale, qe u perdor si argumenti kryesor per te vertetuar superioritete dhe inferioritete sistemesh( e kush i harron krahasimet e pafund ekonomike qe beheshin nga 1985-1991, se sa gjera mund te bliheshin ne Shqiperi me rrogen e nje dite pune ne Itali, apo ne Gjermani, Greqi etjetj) a mos ishte thjesht nje iluzion optik? Si i behet qe pikerisht ajo qe perbente bazen e kritikes politike dhe ekonomike te sistemit te lindjes, me fjale te tjera kritiken ndaj nje shoqerie dhe ekonomie te centralizuar e te shtetezuar, tashme po behet mantra kryesore, apo litari kryesor mbas te cilit jane kapur te gjithe per te dale nga gropa e krizes se sotme?

    Jetojme ne kohe interesante…

  12. ””Përkundrazi, plaçkitja që iu bë Lindjes, sidomos Rusisë, ishte reale………

    Prandaj unë nuk mund të duartrokas dot një zhvillim, sado të kremtuar, që e ka vendosur Shqipërinë, prej gati 20 vjetësh, në reanimacion politik dhe ekonomik. Ndoshta gjermanolindorët, çekët, hungarezët kanë arsye të ndihen krenarë dhe të shpaguar; por edhe të parët kam frikë se po ndihen të zhgënjyer, po t’u besosh sondazheve.””’

    Gjermanolindoret duan dru, se parate qe kane hedhur ata te perendimit ” s’kane te nemeruar”…. Vuajne nga kompleksi i pabarazise sidomos me ata te Renit apo Ruhrit, po te pakta jane ato zona ne bote qe mund te krahasohen me Ruhrin apo Renin. Pastaj nostalgjike le prapa cdo regjim.

    Ne mesin e vendeve lindore, u trajtuan si armike vetem Rusia dhe Shqiperia, Cekia e kaloi aq mire saqe po te shikosh te ardhurat per fryme(PPP), eshte tek 25 000, ndersa Italia 30 000, Gjermania e Anglia 35 000. Ne Rumani e Bullgari po hedhin parate e dynjase.

    Rusia ishte e kuptueshme qe do trajtohej si armike, do paguante demshperblimet si cdo vend i mundur, duhej gjunjezuar,lene ne rremuje sa me shume te ishte e mundur.

    Shqiperia perfundoi ne listen e zeze per arsye qe une s’arrij ti rrok dot ne plotesine e tyre, por qe sidoqofte nuk ka te beje shume me pasurine e Shqiperise, se s’kishin ndonje gje me vlere te madhe per te grabitur nga nje vend i vogel e i varfer.

    Sa grure hani ju, tek ne e hane minjte- tha Hrushovi .
    Po aq para e vemendje duheshin per Shqiperine (krahasuar me Lindjen), nese do u kish dashur qejfi.
    Sidoqofte parate po nga Perendimi i nxorrem ca me pune e ca me shume me pislleqe.
    Sigurisht qe kjo menyre marrje-dhenieje, nuk nderton besim te ndersjellte, po ne mos gaboj Cercilli, Shqiperine ja la komunizmit, kur u ndane zonat e ndikimit, ndersa BE-ja Greqise kur u ndane vendet e lindjes (Italia e provoi ne fillim, pastaj u perqendrua mbi Rumanine).

    Ndoshta eshte si thote ajo shprehja (vulgare) popullore : me mire m.t se i vogel.

    Tronditja e thelle vinte nga praktikimi i politikave liberiste ne vende ku shteti perfaqesonte te ardhmen. Kuptohet qe e ardhmja e garantuar eshte ndoshta synimi paresor i cdo qenie njerezore, ‘contratto a tempo indeterminato’ quhet synimi paresor ne Itali, e ku ka ‘zotni me te mire per rrogtarin’ sesa shteti ?
    Masat duan stabilitet e anonimitet, ka raste ku sklleverit, sidomos ata shtepiake, gjate renies se Perandorise romake, nuk e donin lirine, e quanin fatkeqesi, ku do shkonin, cdo hanin, c’pune do benin etj.

    Shume u gjenden psikologjikisht ne gjenden e atyre sklleverve dhe ka ende sot pas 20 vjeteve qe se kane kaluar ende traumen e lirise.

    Liberizmi i praktikuar per fat te keq ishte njesoj si anarkia gjate dyndjeve barbare, por ky nuk ishte gabimi i Perendimit, por i parive vendase, nje pjese e ndodhur nen efektin e droges perendimore, ndersa nje pjese i pershtatet shprehjes , ujku mjegull do. Po ti shtosh mjegulles edhe mungesen e bariut, ja tek i gjejme sot ujqit miliardere.

    Nga ana tjeter liberizmi ka te miren qe ben te mundur brenda nje kohe te shkurter mbledhjen e kapitalit, levizjen nga duart e te varferve qe sdine cte bejne me tepricen, ne duart e atyre qe dine ta investojne kete teprice.
    Tani Lindja ka nje klase te vertete kapitaliste vendase, kapitalizmi u strukturua, mbetet pershtatja e plote e mendjeve.

    Mund te kishte me pak dhimbje, po per kete duheshin njerez te tjere, njerez te medhej. Historia u tregua kurnace kesaj radhe. Me ne biles e pameshirshme, na dha Salen e Tosin, sikur i kishim ndonje borxh….
    Nje kenge e re(Kendojme per Shqiperine-Toskerine ne fakt) thote: …. me dyfek e me kobure, historise i le kusure.
    Mbase na e kthen zemergjeresine 😀

  13. ””’Si i behet qe pikerisht ajo qe perbente bazen e kritikes politike dhe ekonomike te sistemit te lindjes, me fjale te tjera kritiken ndaj nje shoqerie dhe ekonomie te centralizuar e te shtetezuar, tashme po behet mantra kryesore, apo litari kryesor mbas te cilit jane kapur te gjithe per te dale nga gropa e krizes se sotme?””’

    Nuk me rezulton te jete ky qendrimi zyrtar, sepse ne G8-at,G14-at e G20-at e njepasnjeshme te ketij viti (keta harxhojne parate kot me duket; sa per kunje,Obama merr me vete edhe ate parazitin sa antik aq modern, qe quhet personal trainer-huazuar nga tradita palestrore e romakeve) eshte perseritur se nuk do kete proteksionizem.

    Paraja dhe pushteti dihet qe jane te prirura te shkojne ne pak duar, per kete nuk duhet shfletosur Marksi, prandaj normalisht fazat e liberizmit duhen pasur nga nje nderhyrje rregulluese e shtetit, ne menyre qe paraja e grumbulluar te rishperndahet, si per arsye se paraja e perqendruar , perqendron edhe pushtetin, pra te mbrohet demokracia nga sulmet oligargike, ashtu edhe te ruhet kohezioni social.

    Kete e hasim shpesh edhe ne kohet e monarkive. Kur skllavopronaret apo feudalet beheshin shume te pasur, mbreti apo perandori nderhynte fuqishem kunder tyre, si per te rimarre pushtetin e plote ne duart e tyre, ashtu edhe qe nga konfiskimet e pronave te beheshin te mundura (edhe) investime publike pervec lufterave.
    Cesari u dha plebejve, parate qe u konfiskoi pompejaneve dhe u be shume i dashur per ta, aq sa pranuan me brohoritje sistemin perandorak.

    Kjo gje behet deri diku ne Europen bashkohore prej kohesh, megjithese shteti ne Europe ka luajtur perhere rol te rendesishem ne pika kyce te ekonomise.

    Pra nuk eshte e nevojshme te therrasim Marksin per dicka fiziologjike, e cmund te behet nese nderhyhet mbi dicka fiziologjike perpos keqesimit ?

    Amerika ndryshe nga Europa, eshte i ndertuar mbi liberizmin, i cili duhet thene se eshte mjaft i sukseshem ku ka hapesira te gjera per te shfrytezuar e banore te pakte, vecse sot Amerika nuk ka me hapesira te gjera e banore ka shume (aq sa sdo me emigrante radhiko prej kohesh), shperdorimi i burimeve te brendshme e te jashtme eshte bere pengese per te ardhmen e vete Amerikes, meqe Amerika ndryshe nga c’enderron Obama , liberizmin e ka ne ADN dhe sigurisht edhe shperdorimin. Po edhe spekullimin ne art e ka cuar vete Amerika.

    Konservatorizmi kombetar e socialdemokracia, bien dakort ne mosbesimin ndaj tregut dhe rolin e shtetit ne ekonomi , por ndahen tek arsyet: e para per shkak te parimit te kohezionit te kombit, e dyta per mbrojtjen e te varferve . E para fsheh paganizmin e dyta kristianizmin, armiqesi e eger qe pasqyrohet mjaft mire ne politike. Kuptohet se kush eshte agresori.

  14. Schengen

    E kontrolluan me themel
    shtëpinë time
    prej jashtëkomunitari.

    Gjithçka në rregull!

    Vetëm
    tek po e vinin në vend
    këputën një cep
    nga ballkoni.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin