TË FSHEHTAT E SEKRETIT

Nëse teknologjia, e martuar me mendësinë dhe pasionet voyeuriste, i fut në krizë raportet midis privates dhe publikes, kjo shpie jo në ndonjë triumf të tejdukshmërisë (glasnost), siç mund të shpresojnë optimistët, por përkundrazi, në ngadhënjim të sekretit si teknikë e administrimit të pushtetit.

Të gjithë pjesëmarrësit në proceset politike, duke mos lënë jashtë as publikun e domosdoshëm televiziv, e dinë se teatri politik i përditshëm ka për qëllim e funksion të dëfrejë e të ngushëllojë publikun, por nuk luan ndonjë rol të drejtpërdrejtë në funksionimin e institucioneve politike themelore.

Sa kohë që politika është spektakolarizuar, skena ekziston për të maskuar prapaskenën; dhe kamerat e mikrofonat nuk e zbulojnë, por e krijojnë sekretin; si një mjedis të rralluar por të domosdoshëm, i cili me përkufizim nuk mund të bëhet publik.

Edhe historia e Shqipërisë post-totalitare është e mbarsur me sekrete: roli i Ramiz Alisë në vitin 1990, krijimi i PD-së, raportet e firmave piramidale me pushtetin, ngjarjet e vitit 1997, shpërbërja e ushtrisë shqiptare, vrasja e Azem Hajdarit…

Depozitarët e këtyre sekreteve i gjen te pikërisht ajo elitë që përcakton fatet e administrimit politik të vendit, e që i kapërcen ndarjet tradicionale midis partive, filozofive politike, hallkave të rotacionit, krahinave, dialekteve e madje edhe lidhjeve agjenturore me shërbime sekrete që kanë interesa të kundërta ndaj Shqipërisë vetë.

Emrat e tyre nuk i di kush publikisht; por kureshtarëve do t’u rekomandoj t’i kërkojnë tek ambasadorët e së djeshmes, në të gjitha format, trajtat dhe makijazhet e mundshme.

Natyrisht sekretet e mëdha, ose themelet institucionale të republikës, varen nga sekretet e vogla për të mbijetuar, nëpërmjet mekanizmit të mirënjohur të shantazhit; i cili shpjegon pastaj edhe logjikën, sado absurde, të teatrit mediatik.

Shantazhi nuk është veçse privatja e kthyer së prapthi; ose marrja nën kontroll e individëve nëpërmjet veseve të tyre çfarëdo: një tradhti bashkëshortore, një dobësi homoseksuale, një humbje e përbindshme në kumar, një deklaratë për bashkëpunim me agjenturën e huaj, një vjedhje ose korruptim i papërballueshëm…

Administrimi i shantazhit është pjesë integrale e administrimit të pushtetit. Këtë e shpjegon Guy Debord, një filozof frëng që e ka analizuar mirë rolin e sekretit në demokracitë mediatike dhe shoqëritë e spektaklit. Ndryshe nga ç’ndodhte në të shkuarën kur komplotet bëheshin për të përmbysur rendin ligjor e për të marrë pushtetin, thotë ky autor, komplotet tani bëhen kryesisht nga vetë klasat në fuqi dhe i shërbejnë pikërisht ruajtjes së pushtetit dhe të rendit ekzistues të sendeve…

Përkundrazi, shantazhi i dështuar ose i pabashkërenduar mirë, përthyhet menjëherë në skandal publik – shenjë e pasigurisë fatale të elitave politike, ose të pazotësisë së tyre për të udhëhequr vendin.

Shkruan sot Blendi Kajsiu në Panorama:

[F]laka e skandaleve që po e përfshin skenën tonë politike i ka rrënjët pikërisht te mungesa e politikave, ideve dhe identitetit politik. Vini re se përballjet brenda së djathtës nuk kanë të bëjnë aspak me politikat e PD-së në lidhje me pronën, sistemin e arsimit, urbanizimin apo biznesin. Ato janë përballje mes klaneve, grupimeve apo individëve që nuk kanë asnjë diferencë ideore apo politike. Për pasojë e vetmja kartë që përdoret është ajo e moralitetit; unë jam i ndershëm, ti je i korruptuar. Prandaj skandalet kanë të bëjnë gjithmonë me afera korruptive, seksuale apo kriminale. Por këto janë skandale që nuk gjenerojnë reformim të sistemit apo vendosjen e standardeve në politikë. Ato thjesht thajnë mendimin dhe idetë, duke i zëvendësuar ato me akuza, shpifje apo thashetheme. Skena politike kthehet në një arenë ku për të bërë karrierë nuk të duhen ide, por aftësia dhe gatishmëria për të akuzuar. Ku mediokritetin politik mund ta kompensosh me kartën morale; “unë jam i ndershëm”. Ndërsa ndershmërinë mund ta përdorësh lehtë në skandalin e radhës, për të akuzuar kundërshtarin si të korruptuar. Ky është skandali i vërtetë i politikës së skandalit, ajo nuk prodhon veçse skandale.

Në të vërtetë, shantazhi i mirëfilltë ose i suksesshëm nuk merret vesh kurrë; sepse synimi i shantazhit nuk është të shkatërrojë, por të kontrollojë individët në krye, duke ua asgjësuar lirinë e veprimit e ndoshta të mendimit. Kjo shpjegon edhe pse elitat ekzistuese do të parapëlqejnë promovimin politik të elementeve të shantazhueshëm, si garanci për riprodhimin e privilegjeve edhe gjatë ndërrimit të detyrueshëm të brezave ose të palëve në krye të punëve.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin