RRUGA E TRETË

queen of spadesDo ta keni vënë re si dhe sa ka mbizotëruar, në debatin e fundit për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë, qasja kombëtariste, e cila i mëshon paprekshmërisë së kufirit kombëtar, sovranitetit, Shën Naumit, etj., duke i bërë thirrje jo vetëm arsyes së publikut, por edhe ndjenjës patriotike.

Nuk kam dyshim se kjo qasje ka vendin e vet në debate të tilla; as dua të diskutoj këtu legjitimitetin e saj ose sinqeritetin e atyre që e përqafojnë; por vetëm të tërheq vëmendjen për një prirje, të vajtueshme në vetvete, që në debate të tilla publike pozicionet e kundërta të vijnë duke u polarizuar dhe radikalizuar, deri në atë pikë sa njëra palë ta akuzojë tjetrën, rregullisht, për veprimtari të paligjshme (krim ekonomik, korrupsion, mashtrim ose edhe më shpesh akoma, tradhti ndaj atdheut).

Përfundimi ideal i debateve, në këto rrethana, do të ishte arrestimi i palës humbëse, çka nuk përtypet lehtë.

Radikalizimi shtrihet edhe në jetën politike të përditshme, duke sjellë si pasojë purifikimin e organizatave të ndryshme, nëpërmjet sterilizimit.

Po sjell si shembull vendimin e fundit të deputetëve të PS për të bojkotuar punimet e Parlamentit, ose refuzimin e kryetarit Rama për t’u larguar nga drejtimi i Partisë; dhe në përgjithësi, debatin politik brenda PS-së pas zgjedhjeve.

Me atë rast, pati eksponentë të PS-së që nuk u pajtuan me vijën politike fitimtare, dukuri krejtësisht normale në një organizatë politike që e lejon debatin e brendshëm. Çfarë nuk u duk normale, përkundrazi, ishte interesimi i pamasë i mediave për zhvillimet e brendshme në atë parti politike, dhe veçanërisht hapësira që iu dha, përsëri nga mediat, disa zërave kundërshtarë të politikave të Ramës.

Natyrisht, këto ishin media të afërta me PD-në dhe LSI-në; të cilat ishin drejtpërdrejt të interesuara që kryesia e PS-së të pësonte disfatë; prandaj edhe faqet nuk ngurruan t’i mbushnin çdo ditë me gjithfarë deklaratash dhe intervistash me “disidentët” e vijës Rama.

Tani, në qoftë se një funksionar i lartë i PS-së trajtohet me doreza mëndafshi nga një gazetë guerrilase, si 55-a, kjo vetvetiu nuk premton mirë për të ardhmen e tij brenda PS-së; meqë ky do të trajtohet, tash e tutje, si kolonë e pestë ose njeri që “ha bukën e turkut dhe i bën dua kaurit”, siç thotë fjala. E ardhmja e tij politike, në partinë e vet, vihet vetvetiu në pikëpyetje; së bashku me vetë ekzistencën e disidentëve ose të fraksioneve, formale dhe informale, brenda partisë.

Dukuria ndeshet kudo në spektrin politik, dhe jo vetëm. Mediat e afërta me PS-në dhe Ramën i dhanë hapësirë të madhe P. Xhufit dhe distancimit të tij nga vendimi i kryesisë së LSI-së për të marrë pjesë në koalicionin qeveritar të drejtuar nga PD-ja e Berishës; aq sa, për një lexues, bie fjala, të “Shekullit” u duk përkohësisht sikur ky vendim i P. Xhufit e kishte goditur ngrehinën politike të Shqipërisë si tërmet 10-ballësh.

A mund të merret kjo si dëshmi e mungesës së kulturës pluraliste, apo si simptomë e helmimit të debateve publike në Shqipëri?

Kësaj pyetjeje nuk i jap dot përgjigje menjëherë. Çfarë më shqetëson, përkundrazi, janë efektet e një modeli të debatit dhe të luftës mediatike, i cili përqendrohet kryesisht në shfrytëzimin e disidencës, elementeve të moderuar brenda njërës palë ose tjetrës, distancimeve nga pozicionet radikale të krerëve dhe përpjekjeve për të dëgjuar edhe palën përballë.

Për t’iu kthyer debatit për kufirin detar – i cili më vlen si ilustrim meqë është tepër aktual – besoj se e keni vënë re asimetrinë midis akuzave ideologjike ose retorike të njërës palë dhe argumentit teknik mbi të cilin mbështetet pothuajse tërësisht pala tjetër. Grupi i ekspertëve që kanë ndërmarrë negociatat dhe institucioni që i ka emëruar, për çudi, nuk janë kujtuar të thonë se e kanë nënshkruar këtë marrëveshje të frymëzuar nga Ali Pashai, Gjergj Araniti, Muji dhe Halili ose Pirroja i Epirit – edhe pse, bie fjala, në Ciklin e Kreshnikëve, nuk mungojnë shembujt e kompromiseve dhe marrëveshjeve që bëjnë bajraktarët shqiptarë me shkijet dhe kralët e Serbit.

Përkundrazi, vetëm një vit më parë PD-ja, edhe në kuadrin e fushatës elektorale, nuk reshtej së përsërituri domethënien patriotike të rrugës Durrës-Kukës, që do të bashkonte shqiptarët e Ballkanit; përballë akuzave konkrete të kundërshtarëve, për korrupsion të spikatur me fondet e livruara për rrugën.

Gjithsesi, argumenti kombëtarist i kulluar është vetëm një nga teknikat e radikalizimit të debatit; në kuptimin që ky argument vetvetiu e nxjerr tjetrin tradhtar të kombit. Vetëm në vende me kultura politike foshnjore, si yni, mund të sillen ende seriozisht argumente të tilla – meqë gjetiu merret si e mirëqenë që institucionet janë vetvetiu në shërbim të shtetit dhe të publikut.

Teknika e shfrytëzimit politik të disidencës më kujton, përësri, çfarë ndodhte, bie fjala, me Ismail Kadarenë në Shqipëri, kur një kritik shqiptaro-amerikan dhe armik i deklaruar i regjimit komunist, si Arshi Pipa, ia lavdëronte veprën, duke e interpretuar si denoncim të totalitarizmit shqiptar. Objektivisht, një interpretim i tillë e vinte disidentin e vërtetë në rrezik, sikurse e pati pikasur, aso kohe, edhe botuesi anglez i Kadaresë.

Për t’u kthyer tani në analizën tonë – dukuria që përshkruaj nuk mund të interpretohet, veçse duke pasur parasysh se çfarë synohet të arrihet me këto debate. Mund të supozohet, bie fjala, se radikalët e PD-së dhe mediat e kontrolluara prej tyre kanë për synim të hapur shkatërrimin e plotë të PS-së, të cilin duan ta realizojnë nëpërmjet diskreditimit të liderit Rama; sikurse në rrethana të tjera mund të supozohej lehtë e kundërta, dhe pikërisht se e majta opozitare nuk do të ngurronte të amplifikonte çfarëdolloj disidence që do të përftohej brenda koalicionit të tanishëm qeveritar, për ta shkatërruar këtë gjithashtu.

Kuptohet se debate të tilla, të kontrolluara nga skajet (ekstremet), mund të jenë gjithçka përveçse konstruktive; meqë sjellin si pasojë të drejtpërdrejtë, ndër të tjera, radikalizimin e mëtejshëm të luftës politike dhe, logjikisht, përgatitin truallin për ashpërsi të mëtejshme.

Si mund të dilet nga ky mbërthim i vdekjes?

Një mënyrë do të ishte relativizimi i ndarjes politike ekzistuese në një të majtë dhe një të djathtë, të cilat priren të komandohen nga krahët më radikalë të forcave politike përkatëse; aq më tepër që, siç është vënë re prej kohësh nga komentatorë të ndryshëm politikë, e majta dhe e djathta në politikën shqiptare janë etiketa arbitrare, ose efekte të kultit politik të kargove.

Çfarë nuk po kuptohet aq mirë, më duket mua, se ndarja në të majtë dhe të djathtë e sjell me vete rrezikun e radikalizimit dhe të polarizimit, sipas dinamikave të ilustruara më sipër. Prandaj, një mënyrë për ta luftuar këtë polarizim – i cili në rrethanat e Shqipërisë çon vetvetiu në segmentim – do të ishte promovimi i një dysie (dikotomie) tjetër, dhe pikërisht asaj që e ndan spektrin politik në ekstremistë dhe të moderuar.

E kam thënë shpesh që, për kulturën macho të komunikimit publik në Shqipëri, moderimi konsiderohet si dobësi, ose si gatishmëri për t’i bërë lëshime kundërshtarit (armikut); gati-gati, një hap e ndan nga tradhtia, shitja për tridhjetë aspra, gjunjëzimi ose rrëmbythja.

Kam përshtypjen që të moderuarit, në të dy krahët e spektrit politik, janë megjithatë të vetëdijshëm për rolin që u takon të luajnë dhe që praktikisht luajnë, për të mbajtur të vajisur e për të vënë në lëvizje mekanizmat e punëve të shtetit. Jo rrallë ndodh që radikalët të përdoren si dordolecë për të trembur kritikët e për të ngushëlluar elektoratin sylesh, ndërsa të moderuarve u lihet në dorë ushtrimi i artit të marrëveshjes e të kompromisit – ose politika, në kuptimin praktik të fjalës.

Çfarë ka sot nevojë kultura politike dhe kultura e debatit, është pikërisht rehabilitimi publik i moderimit, nga shenjë dobësie në virtyt politik; aq më tepër që, kur palët barrikadohen në pozicione ekstreme dhe komunikojnë mes tyre vetëm duke valëvitur flamujt e demagogjisë, të populizmit dhe të patriotizmit retorik, të moderuarit janë të vetmit që do t’i mbajnë të hapura, publikisht, kanalet e komunikimit; madje edhe duke u vetëdijësuar, në proces e sipër, se kanë mes tyre më shumë të përbashkëta se ç’kanë me ekstremistët brenda palëve ku bëjnë pjesë.

Kjo kërkon, vetvetiu, edhe përftimin e një strukture politike të tretë – qendrës; e cila të qeverisë vendin, duke mbajtur kontakt të dyfishtë me skajet në të dy anët e spektrit politik. Vetë ekzistenca e sanksionuar e kësaj qendre, si forcë politike e pavarur ose si koalicion forcash politike të veçanta, do ta shëndoshte debatin politik dhe do t’ua ruante integritetin palëve, duke i detyruar t’i ruhen polarizimit.

9 Komente

  1. Përse u dashka që të krijohet kjo ndarje e re, ekstremistë(!!!) dhe të moderuar, kur bota njeh raste të mrekullueshme demokracish të ndërtuara mbi ndarjen konservatorë e liberalë?
    Përse u dashkan ngjitur në piedistal të moderuarit dhe të konsiderohen si plaga që pengon ecjen para konservatorët?

    Unë iu largohem shembujve që sillni ju dhe sjell një shembull timin për të pasqyruar atë çka më pëlqen dhe urrej tek të moderuarit; rastin e komunitetit gay.
    Tashmë ky komunitet nuk shihet si të jenë njerëz me bisht apo ku di unë…. bile shpesh, elementë të këtij komuniteti vlerësohen nga publiku për aftësitë e tyre në fushat përkatëse, POR, me gjithë të drejtat dhe liritë që duhet të gëzojë ky komunitet, MUA, më duket absurde që, në një shoqëri ku 99% e saj është e bazuar mbi FAMILJEN (standart, sipas rregullave të natyrës/Zotit/shtetit), të zërë vënd në 99% të debateve ndërsa për FAMILJEN të MOS FLITET… sepse na del sikur hajvanë e budallenj qënkërkan ata që kanë akoma besim tek institucioni i familjes.

    Në këtë prizëm, po ashtu nuk do të shikoja Klosër e Lubonjëra si njerëz me bisht, përkundrazi, e vlerësoj bagazhin e tyre intelektual, POR, kur shikoj (dhe di) që 99% e shqiptarëve (dhe e Botës që e ka njohur) e kanë vlerësuar rolin e Skënderbeut në histori, atëhere këta të moderuar, për sado me qëllime të mira të nisen në përpjekjet e tyre, tek unë krijojnë ndjenjën e pështirosjes… sepse më duket se më tepër se sa të luftojnë për konceptet e tyre të reja, ata luftojnë për të treguar që ai 99% është/ka ngelur anadollak… dhe duke prekur tastin e të qënit të prapambetur, duket sikur i detyrojnë njerëzit që për të dalë nga kjo gjëndje, duhet të përfaqsojnë me doemos TË MODERUARËN (dhe o burra… kush të tregohet më gay se tjetri, më antikomunist se Sala, më çmitizues se Lubonja…)

    1. Edrus, ndarja në ekstremistë dhe të moderuar nuk është e re, ekziston në shumë vende nga ku i marrim modelet e zhvillimit.

      Është një ndarje që nuk i përjashton të tjerat, tradicionale ose jo, duke përfshirë edhe atë që përmend ti, në konservatorë dhe liberalë.

      Çfarë i duhet urgjentisht jetës politike në Shqipëri është një imazh pozitiv për të moderuarit; ose të gjithë ata që janë gati të flasin me tjetrin dhe sidomos ta dëgjojnë se ç’ka për të thënë, me gatishmërinë për të arritur marrëveshje ose kompromis.

      Kjo i duhet jetës politike në Shqipëri jo sepse e kanë vende të tjera më të zhvilluara, por sepse pluralizmi, ashtu siç është kuptuar dhe zbatuar atje, e ka përçarë keq jetën publike dhe e ka bllokuar komunikimin midis palëve.

      Politikës atje po i mungon qendra; dhe qendra i mungon pikërisht sepse të moderuarit shihen si tradhtarë dhe dëbohen drejt periferisë së jetës politike dhe të debateve publike. Që e gjithë kjo është kryesisht rezultat i një mashtrimi të kryer ditën për diell, ma vërteton edhe fakti që demagogjia dhe populizmi përfaqësojnë, sot për sot, kolonat kryesore ku mbështetet madje themelohet diskursi politik atje.

      E mira e qendrës është edhe, për ta thënë me Norberto Bobbio-n, se e shndërron dysinë tradicionale mes të majtës dhe të djathtës në një trisi (triadë); ku dialektika e kundërvënies midis skajeve anulohet në pragmatikën e mesit.

      Meqë jemi tek Italia, po kujtoj dekadat e sundimit, në atë vend, të Partisë Demokristiane si mishërim i qendrës politike, e cila me gjithë kritikat e panumërta që i janë bërë herë me të drejtë e herë jo, brenda gjysmë shekulli arriti ta shndërrojë një vend të shkatërruar nga lufta dhe me një kulturë politike të përdhunuar nga fashizmi, në një nga ekonomitë më të fuqishme të planetit, por edhe në një vend të lirë, demokratik dhe pluralist si pak të tjerë anembanë botës – dhe e them këtë megjithë historitë e trishtuara të P2, Gladio-s, Anni di Piombo, Brigate Rosse, Trame Nere, Le Chiosche-s dhe të tjera të ngjashme.

  2. Klasifikimi ne ekstremiste e te moderuar mund ti jepte tjeter ngjyrim debatit politik ne Shqiperi dhe do te sherbente per te forcuar qendren (dmth. palet brenda partive qe jane per kompromise me kundershtaret politike). Si e tille, ideja qe hidhet ne shkrim me duket me shume vlere.

    Por nuk duhet harruar qe debati politik ne media kontrollohet nga pak duar qe nuk jane detyrimisht te interesuar per nje perqasje te tille. Gjithashtu, intuitivisht mendohet se qendra duhet te jete me e fuqishme se ekstremet, se qendra eshte mendimi i shumices brenda nje grupimi dhe pozicionet margjinale perbejne ekstremet. Praktikisht, ne Shqiperi, qofte politikisht e qofte ne rangun social e kunderta eshte e vertete, kemi nje qender te dobet dhe ekstreme te forta.

    Ideja intuitive se qendra eshte me e forte se ekstremet le shume vend per manipulim se kush e perveteson etiketimin centrist e kush ate ekstremist. Prandaj duhet theksuar dallimi midis qendres ideologjike dhe asaj politike. Pasi, si ne Shqiperi, qendra ideologjike mund te jete pozicion margjinal/ekstremist politik ashtu sikurse ekstremet ideologjike mund te jene pozicionet mbizoteruese dmth. qendrat politike.

    Edhe me kete klasifikim pra, dalim detyrimisht ne ceshtje te holla definicioni qe jane ceshtje ku publiku shqiptar, si ne rastin aktual te percudnimit te definicioneve “e djathte” dhe “e majte”, nuk ka treguar zoterimin e ndonje finese te vecante. Pra se fundmi, futemi serish ne ceshtjen e kontrollit te debatit publik, dmth. kush e kontrollon etiketimin dhe klasifikimin e spektrit politik, qe mua me rezulton te jete nje pale e nderlidhur ne menyra jotransparente me “qendrat” e pushtetit aktual.

    Ne kushtet e nje elite pa vizion dhe me ne pergjithesi te nje pushteti te perqendruar ne nje brez ne krize identiteti e pa referenca te qarta ideologjike mendoj se rehabilitimi i shoqerise shqiptare mund te vije me teper nga forcimi gradual i qendres shoqerore (shtreses se mesme) dhe paralelisht nga hapja dhe shkembimi me jashte.

  3. Xha Xha, jam komplet dakord me ju përsa i përket boshllëkut që ka panorama politike shqiptare për një forcë politike të ekuilibruar, për një forcë politike që të jetë larg ekstremeve ideollogjike (të majtë e të djathtë), larg ekstremeve fetare (besimtarë-ateistë), larg ekstremeve të tjera (komplet të hapur(ndaj gjithçkaje) o komplet të mbyllur/izoluar nga gjithçka).
    Meqë po flasim për të moderuarit; ata, më parë se të më mbushin mëndjen mua (në rolin e qytetarit anonim), duhet që të përfaqsojnë dikë… duhet të jetë një grup/klasë/shtresë që gjen në gjuhën e këtyre të moderuarve ide që do t’i ndihnin zhvillimit dhe prosperitetit, që do të ndihnin vërtet në EMANCIPIMIN CIVIL të të gjithë shoqërisë, që idetë e tyre të ndihmojnë këdo prej nesh që të ndihemi persona të kësaj bote që shkon drejt globalizmit.

    Unë kam punuar dhe kam patur hyrje e dalje me mjaft shokë/kolegë serbë (dhe ta siguroj që kanë qënë dhe janë vërtet mardhënie shumë të mira shoqërore)… megjithse ateist i bindur, nuk ngurroj që të takoj shokë (shqiptarë e arabë) që janë besimtarë të devotshëm dhe që me mjekrrat dhe veshjet e tyre i bëjnë përshtypje gjithkujt kur shikon që ju jap dorën dhe përshëndetem me ta… ta them këtë, jo për të treguar kushediseçfarë nga jeta ime, por për të thënë që nuk është e mjaftueshme një Qëndër e moderuar që distancohet nga ekstremet, por është e domosdoshme një qëndër e moderuar që të dijë gjuhën e dialogut edhe me ekstremet… vetëm duke ditur këtë gjuhë, e moderuara nuk do të përfundonte e pjekur mes dy zjarreve të ekstremizmave…fundja, E keqja e bashkëbisedimit është se duhet të dish edhe të dëgjosh.

    (Roberto Gervaso) 🙂

  4. Edrus xha xhai, nuk e nese me qellim apo jo, ngaterron ‘skifteret’ me ekstremistet dhe ‘pellumbat’ me te moderuarit.

    Meqe ‘pellumb’ ska shqiptar qe ta pranoje (perfshire vete xha xhane) atehere del fjala i moderuar, si me dinjitoze per nje shqiptar sesa pellumb. Por kjo eshte e panevojshme pasi te moderuar Shqiperia ka.

    Ja ta zeme, a mund ti thuhet dot ‘pellumb’ Lubonjes, qe simpatizon anarko-komunistet ne Greqi, ben thirrje per permbysje sistemi , qe perdor fjalor te rende ne cdo shkrim?

    Pellumb si thua dot, pa e bere pellumbin te skuqet, ndersa i moderuar po.

    Te moderuar Shqiperia ka plot, pellumba ska. Te gjesh jo vetem politikane por person publik per ta cilesuar pellumb eshte pune e veshtire.

    Shqiperise i mungojne pellumbat, por para se te jene ne pushtet duhet te gjenden ne mjedisin publik. Nuk eshte duke u kacafytur me ekstremistet qe behet dikush pellumb, ai ngelet i moderuar por jo per kete eshte me pak skifter apo shqiponje sesa ekstremisti.

    Ja vete xha xhai, a eshte valle pellumb ?

    1. Vajtues, të lutem lëre Xha Xhain jashtë këtij diskutimi, ose shko dhe bëje këtë diskutim gjetiu. Nuk ka kuptim ta shndërrojmë çdo muhabet në meta-muhabet.

  5. Po mire o xha xha, si te duash ti, po meqe je person publik, mund te sherbesh edhe si shembull, te pakten keshtu e mendoj.

    Ti ke kapur ne shkrimin tend si komunikimin e me gjere sjelljen publike, ashtu edhe ceshtjen e qendres politike.
    Per ty perkon qendra politike me moderimin apo politiken e moderuar, cka eshte sofizem politik, qe perdoret rendom nga partite e qendres.
    Nderkaq qendra eshte zakonisht zone guzhinete, dhe kur eshte e forte (aq me teper ne pushtet) deshmon per ndodhi historike qe kane shkaterruar besimin ne te majten apo te djathten (rasti i Italise paslufte, ku komunistet ishin shume te forte dhe e djathta cilesohej fashiste).

    Vete qendra ne pushtet tregon faze te perkohshme krize politike, derisa e majta dhe e djathta te rifitojne besimin dhe te behen protagonistet legjitime te skenes politike.

    Vete ekstremet jane te dobishme kur nuk kalojne 5%, meqe sherbejne si kunderpeshe ndaj qenderzimit te politikes, qe eshte njefare ‘mono-je’, si dhe jane lakmues te gjendjes shoqerore. Rritja e ekstremit te djathte, deshmon qe shoqeria nuk eshte gati te ndermarre disa hapa qe nenkuptojne zakonisht nderhyrje ne pelhuren sociale, ndersa rritja e ekstremit te majte deshmon se shoqerise nuk i pelqen aspak shperdarja e pasurise.

    Po edhe qendra duhet qe e majta dhe e djathta te amortizohen diku e te mos kete perplasje te ashpra mes tyre.

    Ne Shqiperi qendra politike duhet pikerisht per te amortizuar perplasjet e vazhdueshme, por jo per te shpetuar Shqiperine apo aq me teper per tu dhene poleve leksione moderimi. Polet i gjejne vete te moderuarit e tyre, njerez me bindje te majta apo te djathta qe i gezojne keto bindje fale edukates dhe pergatitjes politike.

    Psh nese ne vend te Metes te kishim nje parti te qendres(qe jo vetem do hiqej si e tille), keto perplasje do ishin me te buta dhe bojkoti i socialisteve do ish shume i veshtire.

    Ne kete mes do ndikonin per mire ‘pellumbat’, nese do kishim.
    Por per pellumbat duhet te presim njehere ti gjejme ne mjedisin publik e ne radhe te pare ne shqipen publike, nje shqipe pa mllefe e meri. Pertani eshte pothuajse Utopi, po edhe brezi i ri, nuk jep shpresa te medha, megjithate skifterizmi heret a vone do i lere vend edhe pellumbizmit.

    1. Vajtuesi mua:

      Per ty perkon qendra politike me moderimin apo politiken e moderuar, cka eshte sofizem politik, qe perdoret rendom nga partite e qendres.

      Përkundrazi! Unë besoj se qendra politike, kur ekziston si pol i tretë, e garanton mbijetesën e të moderuarve edhe në formacionet majtas ose djathtas spektrit politik.

      Dhe ja pse. Sot, një i moderuar në një parti skajore rrezikon gjithnjë të margjinalizohet, meqë shihet rëndom si kontingjent i armikut ose kolonë e pestë. Po të kishte një qendër të spikatur, atëherë formacionet majtas ose djathtas qendrës do të përkujdeseshin për të moderuarit e tyre, në mënyrë që këta të mos shtegtonin drejt qendrës; dhe përkujdesje, në këtë rast, do të thotë edhe hapësirë veprimi dhe ligjërimi publik.

      Me fjalë të tjera, qendra politike nuk i lejon skajet që ta përdorin njëri-tjetrin si përligjje të barrikadimit dhe të politikave të skajshme; duke e mbrojtur jetën politike nga polarizimi.

      Sa për atë shembullin që doje të merrje me mua, madje duke ftuar në diskutim edhe të tjerët, më duket e papërshtatshme që të diskutohet për mua në këtë blog, për mirë dhe për keq; sepse unë dua të jem pjesëmarrës, jo objekt i debateve.

  6. Nevojen e qendres nuk e vura ne dyshim, sidomos per vende si puna jone, por nuk e shoh si ushqim per mbijetesen e te moderuarve te te dyja paleve/poleve.
    Perkundrazi qendra ushqehet me te moderuarit e te dyja paleve.
    Qendres i mungon ideologjia politike, nuk dua te jem i anshem, por e shoh te veshtire nje edukim politik centrist. Rrjedhimisht qendra kudo perbehet nga demokristiane, qe nga e djathte e moderuar jane kthyer ne qender dhe nga ‘Jeshile’ ose edhe ish te majte (ish-Margerita ne Itali, Rutelli kaloi se fundmi nga demokristianet).

    Eshte veshtire qe nje te qendres demokristiane ta quash ne vetvete te moderuar nese bie fjala per ceshtje etike, apo jeshilin per energjine atomike.

    Nderkaq meqe jane te cliruar nga ideologjite politike hane nga te dyja palet dhe Partia Agrare e Xhuvelit mund te quhet shembulli i perkryer shqiptar.

    Mungesa e ideologjise politike sjell edhe mungese programi te mirefillte, qe mbushet nga populizmi, psh ai i mbrojtjes se mjedisit ne vende te varfra, qe skane mundesi ekonomike te paguajne koston e larte te mbrojtjes se mjedisit (pertej njefare niveli).

    Sioqofte te dyja polet shqetesohen relativisht pak prej rrjedhjes se te moderuarve, meqe pergjithsesisht keta perfaqesojne edhe reformatoret, ndersa polet sundohen nga krahu konservator, i atyre qe kane pushtetin ne parti dhe duan te ruajne me cdo kusht status-quone brendapartiake. Shqiperia s’perben perjashtim ne kete pike, sistemi burokratik/oligarkik i partive eshte analizuar me imtesi nga Michels.
    Ndryshimi ne Shqiperi eshte se ky sistem oligarkik i brendshem nuk krijohet nga poshte po nga lart/kryetari.
    PS-ja meqe Nano-ja ka qene ca ne burg e ca moskokecares dhe tani ka Ramen, ka nje sistem te brendshem burokratik ne zierje e siper dhe do shohim nese do jete Kryetari ai qe do krijoje nje sistem burokratik sipas perngjasimit te vet apo burokracia e brendshme do jape nje kryetar sipas shembelltyres se saj.

    Teorikisht eshte PS-ja ajo qe mund te ushqeje qendren politike ne Shqiperi, ka humusin e nevojshem.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin